• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR BASHKIA E GJIROKASTRËS I KËRKONTE VATRËS NDIHMË PËR VILËN E PRESIDENTIT AHMET ZOGU

September 4, 2013 by dgreca

Me 11 mars 1926, kryetari i Federatës Vatra, që në atë kohë ishte Aqile Tasi, që përfundoi në Burgun e Burrelit nga diktatura komuniste, pat marrë një letër nga kryetarët e Qarkut të Gjirokastrës. Letra nënshkruhej nga kryetarët e Bashkive të provincës së Gjirokastërs, Bajo Topulli, Arshi Sheh, Koco Harito, Ferdi Kumbaro, Islam Këlcyra, R. Muzalli, Fan Adhamidhi, Jani K. Foto dhe Ilias Zëri. Në fund të shkresës ishte vendosur vula e Bashkisë së Gjirokastrës.

Në letër shkruhej:Zoti Kryetar;

Të inspiruar prej dëshirës së popullit të  Gjirokastrës në të cilën muarën pjesë të gjithë kryetarët e Bashkive të Qarkut, dhe u vendos me një za si shenjë mirënjohje ndaj kryetarit të Parë të Republikës Ahmet Bej Zogu, shpëtimtarit t’Atdheut, t’i dedikohet një vilë presidenciale. Me këtë rast lusim nxehtësisht Kryesinë e Vatrës të ndërmjetësojë n’apelin tonë që u bëjmë mërgimtarëve të Qarkut të Gjirokastrës që ndodhen në Amerikë me lutjen që të na përkrahin me ndihmat materiale të tyre me këtë vepër të shkëlqyer. Ndihmat të mblidhen nga Kryesia e Vatrës dhe t’i dërgohen Bashkisë së Gjirokastrës jo më vonë se në muajin maj 1926.

Lutemi z. Kryetar të pranoni nderimet e të gjithë popullit të këtij qarku.

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkia e Gjirokastres, Mbreti Zog I, Vatra

KUSHTETUTA E MBRETERISE SHQIPTARE

August 30, 2013 by dgreca

Roli  i   Kushtetutës 1. Shtator. 1928 për konsolidimin  e shtetit shqiptar

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Vera e vitit 1927 dukej e mbarë,si për shqiptarët në përgjithsi edhe për Presidentin Zog në veçanti, i cili kish mundur të shmangte disa turbullira të brendshme.Ndërkaq ai mendonte për një lidhje sa më të qëndrueshme dhe komplekse me Italinë për të balancuar rrezikun Jugosllav.Pamvarsia e kombeve të vegjël,në rrafsh të aleancës të Lidhjes së Kombeve,dukej se ishte kurdoherë e rrezikuar për shkak të interesave madhore që paraqisnin Fuqitë e Europës,veçanërisht për Shqipërinë territoret e së cilës,lakmoheshin nga fqinjët,vlente një kujdes më i madh si në diplomaci ashtu edhe në paktet e ndryshme ushtarake.Sidoqoftë ajo çfar shpejtoj një lidhje më të ngushtë të Shqipërisë me Italinë,ishte nënshkrimi në Paris,më 11 nëndor 1927 i Traktatit të Bashkëpunimit midis Jugosllavisë dhe Francës.Në këtë traktat u përfshi edhe një marrëveshje e fshehtë ushtarake.Sipas burimeve të shumta diplomatike kjo marrveshje e fshehtë nxiste akoma më tej veprimin e ekspansionit serb,në dëm të interesave të kombeve të tjera të ballkanit.E thënë më shkurt,ky Traktat i firmosur në Paris,riste më tej rreziqet e sovranitetit të Shqipërisë.Shtypi europian këtë ngjarje e përcillte me idenë se „Frika prej Jugosllavisë e detyronte Shqipërinë t’i zgjaste më shumë dorën Italisë dhe ky ishte një rrezulltat logjik i paevitueshëm“( Gazeta „The Near Earth „ më 17 nëndor 1927 ).

Në këtë mënyrë me ndërhyrjen e drejtëpërdrejti të Presidentit Zog në 22 nëndor 1927, ministri i jashtëm shqiptar Iljaz Vrioni dhe ministri italian në Shqipëri Ugo Sola,nënshkruan Traktatin e Aleancës Mbrojtëse:pos të tjerave në këtë Traktat shprehën në mënyrë të vendosur ideja që të dy palët në mënyrë të ndërsjelltë do të angazhoheshin së bashku për ruajtjen e paqës.Nëse njëra palë do të kërcnohet nga një luftë, e cila nuk ishte provokuar prej saj,pala tjetër do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion për të ndaluar operacionet luftarake.Ndërsa në rastin kur përpjekjet për pajtim do të përfundonin pa sukses secila palë ishte e detyruar të ndiqte fatin e tjetrës dhe të vinte në dispozicion të aleates së vetë të gjitha burimet ushtarake në rastin më të parë.

Ky Traktat i Mbrojtjes, i quajtur më vonë Pakti i Dytë i Tiranës në thelb nuk cënonte asnjë liri të shqiptarëve përkundrazi nenet e tij vireshin në roje të pavarsisë kombëtare.Asnjë lloj ndërhyrjeje të Italisë,në punët e brendshme të Shqipërisë nuk favorizohej përmes këtij Tarkti,përkundrazi pala Italiane njoftonte Romën se presidenti Zog në këtë marrveshje kishte shfaqur dukshëm dilplomacinë e hollë dhe zgjuarsinë tipike shqiptare.Në janarin e vitit 1928,ky Traktat,pas ratifikimeve të bëra nga Roma dhe Tirana u regjistrua në Organizatën e Lidhjes së Kombeve.Ende pa dërguar Traktatin në këtë Lidhje,ishte Beogradi që shfaqi dukshëm shqetsimin e tij.Ministri Jugosllav në Tiranë,bëri me dije qeverinë shqiptare me anë të një note se ky Traktat ishte i panevojshëm,pasi Shqipërisë nuk i kërcnohej asnjë rrezik ushtarak.Ndërsa qeveria shqiptare i kujtoi Beogradit se në të njejtën kohë mund të ketë qenë i panevojshëm edhe Traktati i Jugosllavisë me Francën.Kjo ishte pak a shumë situata politike në Shqipëri në fund të vitit 1927 dhe në fillim të vitit 1928.Ndërkaq gjatë vitit 1927,me nismën personale të Presidentit Shqiptar,një grup ekspertësh shqiptarë po punonin për Kushtetutën e re të Republikës Shqiptare.Në krye të këtyre ekspertëve ishin vendosur dy burra të ditur,të shkolluar dhe me përvojë në administratë.Për më tej ata shquheshin edhe si njohës të thellë të mentalitetit të popullit të tyre,këta ishin Mehdi bej Frashëri dhe Kol  Tromara.E vërteta është se përpjekje për hartimin e Kushtetutës,ishin bërë edhe më parë në Shqipëri.Kështu në 10 prill 1914, ekspertë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit,kishin hartuar një dokument bazë juridik,mbi të cilin duhej të mbështetej qeveria shqiptare e asaj kohe.Në të vërtetë ky dokument juridik,nuk luajti ndonjë rol të ndjeshëm,po të kemi parasysh se në vitet e Luftës së Parë Botërore,Shqipëria u shëndrrua në arenë përleshjesh politike dhe ushtarake të fuqive europiane.Ajo çka mund të merret si përpjekje e parë serioze për vendosjen e shtetit juridik,është padyshim kushtetuta e dalë prej Kongresit të Lushnjës,në janar të vitit 1920.Me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve,u pranua gjithashtu  edhe Kushtetuta në fjalë,mund të themi se ajo nuk mundi t’u rezistojë ndryshimeve të reja,pasi mjaft prej kodeve u përkisnin modeleve osmane dhe sidomos për faktin që mbante ligjërisht të bashkuar pushtetin ligjvënës me ate egzekutiv.Pikërisht ka qenë kjo arsyeja  që në marsin e vitit 1925,Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë,miratoi një Kushtetutë tjetër,me disa ndryshime nga ajo e dalë prej kuvendit të Lushnjës.Ndonëse këto ndrashime ishin të pakta,në themel ato preknin dy prej shtyllave të rëndësishme të konstitucionit të shtetit shqiptar.

Së pari,Kushtetuta e marsit 1925,ndalonte të gjitha format e mbrojtjes prej ushtrive të huaja dhe së dyti,ndante përfundimisht legjislativin nga egzekutivi.Mandej kjo kushtetutë parashihte zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve dhe të Senatit,gjdo ligj i miratuar në Dhomën e Deputetëve do të shqyrtohej në Senat,për t’ia përcjellë më pas Presidentit.

Në kushtet e një konfiguracioni të ri politik në Ballkan,Presidenti Zog,me ndihmën e Mehdi Frashërit,Kol Tromarës dhe ekspertëve të tjerë shqiptarë,ndikuan drejtëpërsëdrejti në ideimin dhe hartimin e Kushtetutës së re shqiptare.Në themel të kësaj Kushtetute,do të ishte sistemi i ri i ligjeve,sipas modelit të shtetit perëndimorë.Për këtë,u thirrën edhe ekspertë të ndryshëm nga Italia, Franca,Zvicra dhe Austria,të cilët dhanë ndihmesën e tyre në ideimin e një kushtetute të re,perëndimore,që nuk mund të ishte diçka e lehtë:Nëse Europa perëndimore nuk kishte kulturën e vet shekullore,universitetet dhe avantazhe të tjera ekonomiko-sociale,në Shqipëri,në pjesën më të madhe të vendit,marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin kryesisht mbi parimet e pleqësive apo Kanunet e Lekë Dukagjinit.Një prapambetje e tillë,i kish lënë të çuditur mjaft nga ekspertët e huaj,të cilët kërkonin adaptimin „enbloc“ të ligjeve të tyre kushtetuese.Pikërisht për të krijuar një harmoni sa më të ndjeshme,midis ligjeve perëndimore dhe realitetit shqiptar,hartuesit e Kushtetutës së vitit 1928,punuan plot vullnet e këmbëngulje,duke patur parasysh jo vetëm çfarë ndodhte në marëdhëniet shoqërore të Shqipërisë së atyre viteve,por edhe si mund të udhëhiqej ky komb drejt dyerve të qytetërimit.Është kjo aryseja që më 18 janar 1928,me dekret presidencial u abrogua kodi i vjetër osman dhe hyri në fuqi kodi i ri penal shqiptar.Më pas më 1 mars 1928, parllamenti shqiptar abrogoi kodin civil osman dhe në vend të tij zyrtarizoji kodin civil shqiptar,i cili në mjaft prej neneve të tij mbështetej në kodet civile të Francës dhe të Zvicrës.

Me zgjedhjen e qeverisë së re në qershorin e vitit 1928,presidenti Zog mendoi se ishte i domosdoshëm miratimi në Kuvendin kushtetues i Kushtetutës së re, e cila u referohej sidomos zhvillimeve të brendshme.Është për t’u përmendur fakti që kuvendi i Kushtetutës,pasi të njihej me Kushtetutën e re,kishte të drejtë jo vetëm të diskutonte por të vendoste mbi çdo nen të kësaj Kushtetute.I mbledhur në 5 gusht 1928,kuvendi në fjalë diskutoi gjërë e gjatë në detaje,për ditë me radhë duke sjellë argumenta pro dhe kundër për nene të ndryshëm.Tendencat e vendosjes së ligjeve sipas modeleve perëndimore u panë dhe ripanë disa herë,shumë prej tyre madje u ndryshuan në përputhje me situatat që kalonte vendi.

Në këtë mënyrë,Kushtetuta e Re u aprovua në mënyrë unanime në 1.IX.1928,prej Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë.Pos të tjerave aty sanksionohej ;

„-Shqipëria është një shtet i pavarur me tërësi tokësore të pandarë,të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.

 -Kjo shpallet Mbretëri Demokratike Parllamentare dhe e trashëgueshme,me Mbret të Shqiptarëve, naltmadhërinë e tij Zogu i Parë.

-Flamuri kombëtar ka ngjyrë të kuqe me një shqiponjë të zezë dy krenare në mes.

-Gjuha zyrtare është shqipja,ndërsa kryeqyteti i vendit Tirana.

-Shteti shqiptar ka karakter ateist,por fetë dhe besimet e ndryshme fetare,gëzojnë lirinë e ushtrimeve të tyre që sigurohen me ligj,por që nuk ndërhyjn në punët e brendshme të shtetit.

-Pushteti Egzekutiv i përket Mbretit që  e ushtron atë me anë të qeverisë.

-Pushteti legjislativ ushtrohet bashkarisht nga Mbreti dhe Parllamenti që përbëhet nga një dhomë.

-Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykatat dhe vendimet e tyre jepen të bazuara në ligj e zbatohen në emër të Mbretit“.(„Shqipnia më 1937“,faqe 7-8 ).

Deri më sot,në pejsën më të madhe të historiografisë shqiptare shpallja e kësaj kushtetute është interpretuar si një vendim i Mbretit Zog për të „legjitimuar“ diktaturën e tij.Faktet provuan të kundërtën.Kompetencat vërtetë të mëdha si në politikën e brendshme ashtu edhe atë të jashtme,askurrë nuk u shfrytëzuan prej tij që të zgjatin jetën,apo të instalonin diktatura.Përkundër këtyre,duke qenë i paisur me një frymë demokratike,Mbreti Zog krijoi marrëdhënie të sinqerta dhe reciprokisht respektuese si me miqtë e shumët ashtu edhe me armiqtë e paktë.Mentaliteti me të cilin ishin ngjizur shqiptarët,anarkia e lindur e tyre,ndjenja kundërshtuese ndaj ligjeve bënë përgjithsi si shteti, por edhe një sërë rreziqesh të jahstëm kërkonin udhëheqjen me „dorë të fortë“ të vendit.

Krijimi i institucionit të Mbretit me anë të Kushtetutës së vitit 1928 në të vërtetë donte të ringjallte tek shqiptarët,imazhin e prijësit trim e bujar,të mençur.Vetë realitetet shqiptare shekullore patën vërtetuar se në vorbullën e ngjarjeve më të rëndësishme prijësi i vërtetë kish qenë ai që pati mbajtur në supe hallet e popullit,sado të mëdha të ishin ato.Në kujtesën nacionale shqiptare sado që patën kaluar shekuj,kujtimi i kryetrimit Gjergj Kastriot Skenderbeut,jo vetëm që nuk venitej,por përkundrazi fitonte shkëlqim të ri.Pikërisht tek Mbreti i tyre pjesa më e madhe e shqiptarëve të asaj kohe parashihte prijësin e ri i cili në vend të kalit dhe të shpatës,do t’u printe me urtësi me ligj,me drejtësi dhe maturi për në dyert e civilizimit perëndomorë.Kushtetuta sanksiononte fuqinë e Mbretit por jo despotizmin e tij.Një tipar i veçantë që jep dimensione aktuale Kushtetutës së vitit 1928,është padyshim karakteri thellësisht kombëtar i saj.Emërtimi i Mbretit,si Mbret i Shqiptarëve,është mjaft domethënëse,në kushtet kur në shtetin amë jetojnë vetëm një e treta e shqiptarëve,ndërsa dy të tretat dhunoheshin barbarisht nga Beogradi dhe Athina.Mesazhi,i Kushtetutës shqiptare në këtë rast ishte i qartë ,nëse Europa e quante të mbyllur kapitullin e coptimit barbarë të trojeve shqiptare,Mbreti Zog nuk mund të pajtohej me këtë qëndrim.Fjala e tij në parllament në 1 shtator 1928,do të duartrokitej nxehtësisht ndërsa deklaronte ; „Nuk është aspak e vërtetë që shqiptari i ka humbur cilësitë e tij dhe s’meriton të kzistoj,siç kanë kujtuar e kujtojnë disa.Ndërsa kombeve të tjerë kur krijuan shtetet e tyre,s’u mungoi ndihma e jashtme,kombi ynë e fitoi lirinë e tij me mundim,sakrifica e gjak.Shqiptari në kohë të lashta  dhe të afërta ka treguar se në çastin e duhur është bashkuar për mbrojtjen e atdhuet.Kjo u vrajtua edhe pas Luftës Botërore kur kombi ynë në vitin 1913 u cungua me një vendim që ne s’e kemi njohur e s’do ta njohim kurrë“ ( „10 vjet mbretni shqiptare „ faqe 26 ).

Kushtetuta e shtatorit e vitit 1928,me nen të veçantë të saj ndalonte shitblerjen e trojeve shqiptare prej shtetasve të huaj.E vërteta është se shteti shqiptar i asaj kohe dispononte sipërfaqe të mëdha toke,të cilat mund t’i shiste për të mbledhur para.Por atdhetarët shqiptare,ata që ideuan dhe votuan Kushtetutën e kërkuan ndalimin e shitjes së tokës shqiptare,duke parë pangopshmërinë e ekspansionit serbosllavo grek,dhe sidomos rrezikun që mund të vinte prej këtyre pazareve.Është për të ardhur keq,por 66 vjet më vonë,në Kushtetutën shqiptare të vitit 1994 u lejua shitja e  tokës për shtetasit e huaj.Ndërsa vula e kësaj tragjedie  kombëtare u vendos në miratimin e Kushtetutës së vitit 1998.Është shumë e trishtueshme të mendosh se sot,në shtetin amë,janë qindra e mijëra hektarë në jugun e vendit,të cilat u janë shitur grekërve,a thua se nuk na mjafton ne shqiptarëve tragjedia e madhe çame. Tepër largpamës në rrafsh të politikave të jashtme,Kushtetuta shqiptare e vitit 1928,parashihte lidhjen e vendit tonë përmes traktateve të ndryshëm,për sigurimin e qetësisë dhe të paqës,jo vetëm në territoret shqiptare por dhe më gjërë.Nisma e Francës,për të patur një pakt të përhershëm miqësie me SHBA-të,u pasua prej praktikave të reja të diplomacisë europiane.Kështu në mbarim të vitit 1928 ishte kristalizuar Pakti Kellog,i cili,i mbështetur në Kartën e Lidhjes së Kombeve,forconte qëndrimet e shteteve apo bashkimeve politike për shmangien e konflikteve të armatosur dhe vendosjen e paqës midis popujve.Në këtë mënyrë këshilli ministrorë shqiptar,në vjeshtën e vitit 1928,“autorizon ministrin e Shqipërisë në SHBA,Faik Konicën,që t’u dorëzonte amerikanëve aktin e aderimit të shtetit shqiptar në Paktin Këllog“ ( Arkivi  Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi Ministria e Punëve të Jashtme, dosja 144,fleta 43 ).

Duan apo nuk duan historiografët kalemxhinj të diktaturës perverse 50 vjeçare komuniste, Kushtetuta Mbretërore e vitit 1928,ka qenë përshkruar nga një frymë thellësisht demokratike dhe kombëtariste. Për më tej ka qenë nisma fatlume e mbretit Zog,si dhe pjestarëve të kabinetit ministrorë,që çdo nen i kësaj Kushtetute,jo vetëm të mos përdhosej prej nënpunësve të thejshtë,por të respektohej deri në fund,me çdo çmim.Në mënyrë të veçantë,sistemi juridik ka qenë tejet i pavarur dhe pushteti i tij garantohej në mënyrë permanente nga Kushtetuta.Demokracia e institucionalizuar në këtë Kushtetutë,gjente shprehje veprimi dhe për aktin se vetë Mbreti i Shqiptarëve,ishte paisur me elementë demokratë në karakterin e tij.Janë me dhjetra rastet,kur ai sillej me kundërshtarët personal me butësinë më të madhe,duke i respektuar ata për ato çfar bënin për shoqërinë,dhe jo çfar komplotonin kundër tij.Në këtë mënyrë,demokracia,në vitet e qeverisjes së mbretit Zog,ishte në parametra të tilla,që u afrohej gjithmonë e më shumë demokracive perëndimore.Ajo linte shumë mbrapa,të ashtuquajturat demokraci,në vendet ballaknike e më gjërë.Brenda kësaj demokracije,jetonte sidomos liria e madhe njerzore.

Për të gjitha këto që thamë më sipër,mendojmë se Kushtetuta e vitit 1928,jo vetëm që i ka rrezistuar kohës,por është tejet e dobishme edhe në ditët e sotme,në milleniumin e ri.Në të vërtetë kjo Kushtetutë nuk e ka humbur legjitimitetin e vet.Në fillim ajo u godit dhe humbi vlefshmërinë prej pushtimit fashist italian në vitin 1939.Së dyti,u hodh poshtë prej regjimit po aq të ngjashëm me fashizmin,siç ishte diktatura komuniste.Pikërisht për këto arsye shqiptarët kudo ku janë,duke balancuar zhvillimet e kombit dhe jetën e tyre,prej Kushtetutës së vitit 1928 e deri tek ajo e vitit 1998,kanë të drejtën morale të mburren me Kushtetutën Mbretërore.Për më tej, nëse shohim pas kësaj  të drejte morale,mendoj se bashkëkombasit e  mij, e sidomos ata në shtetin amë,kanë të drejtë të kërkojnë afrimin e kësaj Kushtetute në realitetet e sotme shqiptare.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Kushtetuta e 1928, Mbreti Zog I

Mbreti i shqiptarëve dhe historia e “keshtjelles” ne Long Island, NY

July 9, 2013 by dgreca

“Kështjella” e Zogut në Nju Jork – Monument Kulture, mbrohet nga shteti Ajo ishte blerë në vitin 1951 nga Mbreti Zog i Shqipërisë, i cili kurrë nuk ka jetuar atje. Me kalimin e kohës ajo ishte vandalizuar, dhe pastaj shkatërruar përfundimisht./

Nga  BEQIR SINA, New York/

Knollwood, Long Island, NY: Ahmet Zogu mbreti i shqiptarëve është i vetmi mbret në botë që është betuar mbi Kuran dhe Bibël. Ai është mbreti që në historinë e mbretërve ka një histori të larmishme dhe shumë interesante.

Jeta e tij u nda mes Shqipërisë dhe emigrimit të tij në disa vende të Europës…… Mbreti i shqiptarëve Zogu, fillimisht përkohësisht qëndrojë në Egjypt, si mik i mbretit me origjinë shqiptare të Mbretit Farruk. Më pasë ai dhe familja e tij ndrrojë disa vende. Familja mbretërore shqiptare jetojë disa kohë në Angli si në “The Ritz” në Londër. Në vitin 1941 u vendosë në Sunninghill, Berkshire, pastaj në Parmoor House, Parmoor, afër Frieth, në Buckinghamshire Ai dhe familja e tij ishin mysafirë të evenimenteve aristokratike në Claridge’s në Brook Street – Mayfair.
     Tek vetë shqiptarët pas një periudhe gjysmë shekullore izolimi është thënë e shkruar shumë pas zhvillimeve demokratike për mbretin të shqiptarëve Ahmet Zogun. Megjithse deri athere nuk kanë munguar të shkruajn historian, dhe studiues të njohur botëror, por ekzistojnë ende mistere të pazbuluara mbi jetën e tij dhe njërëz të tjerë janë duke “gërrmuar” të pa njohurat e mbretit Zog dhe familjes së tij.

    Një temë interesante shkruan një studiues anglez janë gjashtë vitet e tij në Angli, ato janë anashkaluar deri më tani, thjesht duke e përmendur si fakt, pa hyrë në detaje. Mirë po kjo ndoshta nuk ka për të zgjatur shumë!. Mbasi ka njerëz , studiues “underground” të pasionuar mbas historive të mbretërve që kërkojnë të nxjerin në shesh gjëra të reja.
     Njeri prej tyre është dhe ky njeri që kërkon të na sjell të reja mbi mbretin tonë, Mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogun dhe familjen e tij. Ai është një anglez i pasionuar pas historisë së shqiptarëve, dhe i dhënë shumë pas mbretërisë. Ai quhet sipas një shkrimi më të fundit nga Londra, Neil Rees, që ka ndërmarrë një mision “zbulimi” mbi jetën e mbretit Zog në Angli. “Së shpejti, pas këtij studimi ndoshta  ithtarët modernë të Mbretit dhe kundërshtarët e tij, do të kenë shumë më tepër “municione” për të ndezur debate të vjetra”, ka thënë Neil Rees.

 

    “Unë kam “rrëmuar” të gjitha dokumentet arkivore, dosjet sekrete të shërbimeve informative, por të gjitha këto do të jenë në plan të dytë. Ajo që më intereson më shumë janë vetë dëshmitarët; ata që jetuan në atë kohë dhe që qenë pranë Mbretit. Për fatin tim disa prej tyre janë ende gjallë dhe përbëjnë një thesar që duhet të shfrytëzohet tani. Koha nuk pret”, – thotë Neil Rees. Në dhomën e tij të pritjes, ai tashmë ka varur një flamur kuq e zi, dhuratë nga studiuesi shqiptar me banim në Angli, Bejtullah Destani. Në zonën e Buckinghamshire, ku ai jeton, një “ushtri” e vogël janë mobilizuar për ta ndihmuar në projektin e tij për të hedhur në libër atë pjesë të historisë së Ahmet Zogut në Angli.Të gjithë ata studiues që janë marrë me biografitë dhe historitë e mbretërve vazhdimisht shtruan pyetjen se :” A nuk ishte një lajm intersant ky agjensisë zyrtare të lajmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Asociatted Press (AP) se ish kandidati për president, dhe Sekretari i Shtetit John Kerry (Xhon Kerri), është me gjak mbretëror shqiptar.

  Ky fakt se Ish kandidati demokrat për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot Sekretari i Shtetit John Kerry, ka një linjë trashëgimie që rrjedh përmes gjakut të nënës, mes të tjerave dhe nga familja Mbretërore Shqiptare. Lajmi është publikuar disa vite më parë nga Asociatted Press, agjensia zyrtare amerikane e lajmeve, e cila fliste për një lidhje gjeanologjike, nëpërmjet Nënës Mbretëreshë Geraldine, me prejardhje nga një familje e famshme fisnike e Hungarisë.

    Sipas atij lajmi thuhej se ” John Kerry, ka gjak blu(RD600), e rrjedhur veç të tjerash edhe nga familja mbretërore e Shqipërisë.” Lajmi interesant për shqiptarët, është publikuar nga agjensia zyrtare e lajmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Asociatted Press (AP) duke iu rferuara librit të geneoligjisë Amerikane(300 MAJOR HISTORICAL FIGURES Who Appear in RD 600 (2006 Edition)Genealogy Pointers 8-24-10.pdf – Genealogical.com, www.genealogical.com/newsletters/genealogy_pointers_8-24-10.pdf? – Aug 24, 2010 – politicos to be found in RD600 include Howard Dean, John Kerry, Ted Kennedy Geraldine, Countess Apponyi de Nagy-Appony, Queen of the Albania).Lajmi, i është referuar studimit disa mujor të, të mirënjohurit në fushën e geanalogjisë, Harold Brooks- Baker, Drejtori i Burke’s Peerage, një lloj bible për aristokracinë britanike. I cili thotë se :”Kështu që pas zellit tonë të njohur, për të gjetur lidhjen e figurave më të shquara të të gjitha fushave në botë, me Shqipërinë dhe shqiptarët, këtë radhë duket se lajmi ka vlerë zyrtare: John Kerry( Xhon Kerri), njeriu që pretendonte që pas kandidimit të 2004, të drejtonte SHBA, dhe aktualisht Sekretari i Shtetit, duket se ka në dejet e tij, edhe gjak shqiptar, të trasheguar nga nëna. Gjak mbretëror madje.” thotë Harold Brooks- Baker

    Sipas AP, “John Kerry ka gjak blu dhe atë e ka të trashëguar nga të gjithë Familjet Mbretërore të Europës. Madje, këtë lidhje e ka edhe më të madhe se lidhja e sih Presidentit George H. Bush”. Lajmi është bërë i njohur në media, duke i’u referuar Burke’s Peerage. I njëjti burim, që është i famshëm për kërkimet në fushën e gjenealogjisë, ka thënë se edhe ish kandidati republikan për në Shtepinë e Bardhë, Howard Dean ka një linjë trashëgimie, që rrjedh përmes gjakut të së jemës nga Shtëpitë Mbreterore të Shqipërisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës, Rusisë, Bizantit, Persise (Iranit) dhe Francës.

Ndoshta nga ky fakt edhe vdekja e Nënës Mbretëreshë Geraldina Appony, vetëm në SHBA, pati faqe të tëra gazetash, e informacionesh të të gjitha formave.

    Në disa raste dukej se ato mburreshin, se ajo kishte gjak të lidhur me kombin amerikan. Kështu dukej edhe tek gazeta New York Times, e cila me atë titull të madh hapte dhe faqen “metropol” në gazetë. Thuajse të gjitha mjetet informative amerikane dhe ato nga me presitigjozet në botë, i kushtuan shkrime të tëra “Cinderelles Shqiptare”, Nanës Mbretëreshë Geralidina de Appony.

    Çfarë nuk shkruan ato!?!. Me fjalët më të bukura e kanë përshkruar ato jetën e kësaj gruaje: të zgjuar, të bukur, bujare e fisnike. Geraldina e Shqipërisë, siç u pëlqen atyre t’a thërasin atë, qe si gruaja e Mbretit Zog, e cila për një vit ishte dhe e para zonjë Evropiane me gjak Amerikan. Geralidina vdiq në Tiranë. Ajo ishte 87 vjeçare. Jeta e asaj ishte si një fantazi nga ato të filmave të Hollivudit, shkruan gazetat më të mëdha Amerikane, prej nga New Yorku, Kalifornia, Çikago, Bostoni, Uashingtoni e tjera..

   Një tjetër gazetë e madhe amerikane e shtetit federal të Floridës, “Miami Herald”, ka shkruar se: “Mbretëresha Geralidinë e gjatë dhe e bukur, megjithë propozimet e saj nuk pranoi asnjëherë që ajo të luajë në filma, pasi pati oferta nga kinematografitë e njohura boterore si Hollivudi. Një muaj në Kështjellën e Versait, një muaj tek pallati mbretëror në Egjipt, kur ishte gjallë Mbreti Farruk, dhe ai me gjak shqiptari, ishin për familjen mbreterore në egzil, për t’u prezantuar.” “Los Angels Time” e Kalifornisë, shkruan se: “Geraldine Apponyi u lind ne Budapest më 6 Gusht 1915. Babai i saj ishte aristokrati Kont Gyula Apponyi de Nagy-Appony dhe mamaja e asaj ishte Gladys Virginia Steeart, nga një familje e vjetër në Virginia. Familje, e cila është nga të parat në këtë vend, ndaj shteti federal Virginia edhe sot e kësaj dite mban këtë emër, nga që ka marrë emërin e kësaj familje fisnike e mbretërore europiane. Ndërsa, revista e njohur “Time”, theksonte se :” Geraldina nga lidhja e gjakut bie kushuri i tetë me ish-presidentin Nikson. Gjyshi i Geraldines, sipas Time, ishte një oficer i madh në oborrin mbretëror, Hapsburg.

    Por, në atë kohe mbretëritë e Evropës Qëndrore, po vinin më në fund mbas humbjes se fuqisë. Pasuria dhe prestigji i mbretërive mbas Luftës së parë Boterore ra shumë. Babai i Geraldines vdiq në 1924, dhe e ëma pas vdekjes se të shoqit, u martua me një oficer Francez. Familja e edukoj Geraldinën dhe dy motrat e saj në shkollat hungareze. Kur ajo ishte 17 vjeçe, fotografia e Geraldinës u bë simbol i bukurisë tek monarkistët hungarezë. Një nga ato fotografitë e cila ka mbrritur origjinale edhe në ditët e sotme përdoret në shumë revista e kartolina.

Një ngjarja interesante e Mbretit të shqiptarëve Mbretit Zog i Parë, në Amerikë, jo shumë e ditur më parë

     Kjo është mbase një ngjarje dhe që ka mbetur enigëm, është ajo e vitit 1951. Kur Mbreti i shqiptarve Zogui Parë, bleu një kështjell në një zonë turistike, e cila quhet Knollwood në Muttontown, New York, përafërsisht për 102,800 dollarë amerikanë. Kështjella 550 hektarë kishte 60 dhoma, dhe mendohet se do të përdorej si pallati Mbretëror Shqiptarë, ku mbreti Zog i Parë, kishte në plan të sillte familjen dhe të gjithë anëtarët e oborrit mbretëror. Tash flitet se autoritetet lokale të ishullit kanë bërë gati restaurimi i vilës së mbretit Zog në SHBA, të hapin dyert e saj për turistët.

     “Knollwood”, prona që mbreti Zog, bleu në vitet 51′, në Long Island  New York pritet të restaurohet, dhe ruhet nga shteti si monument kulture duke u vizituar nga një numër i madh turistësh. “Knollwood”,  në Long Island  New York është e përfshirë në guidën turistike të ishullit Long Island – NY.

     Prona me një shtëpi gjigande, nga e cila tashmë ka mbetur vetëm disa muret e mermerit të ndërtesës, kopshtet “magjike” në mes një gjelbërimi të mahnitshëm, gjendet në fshatin Mutontoun në zonën që i përket ishullit të Long Island – Nju Jorkut.

     Gazeta lokale “Northender” shkruan vite më parë se ky lokalitet është i interesuar në rinovimin e asaj, çka quhen “King Zog’s Gates”, si e vetmja gjë që ka mbetur nga ajo çka e lidh Long Island-in, me një prej figurave më të çuditshme të Evropës së shekullit të njëzetë.

      Sipas një punonjëses të zyrës së këtij lokaliteti, Vivian Van Vagner, ideja e restaurimit të portave hyrëse është prezantuar gjatë një takimi administratës së fshatit. Kjo administratë i ka dërguar kontesë një studim të zonës. Ajo pati deklaruar se  “Unë kam kontaktuar me Departamentin e Kontesë për Parqe dhe po presim për një përgjigje”, ka qenë shprehur  zonja Van Vanger. Gazeta,  vazhdonte  më tej duke shkruar se sipas të thënave në popull mendohet se Mbreti Zog synonte sjelljen e familjes dhe të oborrit të tij – mbretëror në “Knollwood”, por që kurr nuk ia arriti, për arsye që ende nuk janë bër të qarta.

     Kjo gazetë pati shkruar se ky version i historisë gjithashtu shkon më tej duke pretenduar se zyrtarët amerikanë të doganave e shkatërruan këtë plan, duke kufizuar numrin e patriotëve që Mbreti Zog mund të merrte në fshatin e vogël, ku sapo kishte blerë pronën.

     Sipas tyre Mbreti Zog e bleu pronën e quajtur “Knollwood” në vitin 1951. Ajo ishte një pronë e ndërtuar sipas tipit të “Erës së Artë të Bregut”, erë kjo që nisi në vitin 1891 kur të pasurit filluan të ndërtonin shtëpi me arkitekturë që binte në sy në Long Island. Kështjella në “Knollywood”, ishte ndërtuar fillimisht për manjatin e rrugëve Charles Hudson. Bëhet fjalë për një kështjellë të ndërtuar në vitet 1906 -1907, me 60 dhoma të derdhura në mermer dhe të skalitura me madhështi. Pasi mbreti Zog e braktisi përfundimisht pronën, kishte zëra rreth e rrotull zonës se ai kishte fshehur në muret e kështjellës thesare. Mbase, kjo ishte arsyeja pse shumë shpejt ndërtesa u sulmua nga grabitës të ndryshëm, çka shkaktoi dhe shkatërrimin gradual të kësaj prone me domethënie historike, shkruante shtypi lokal.

 

Filed Under: Histori Tagged With: historia e keshtjelles, Mbreti Zog I, ne Long Island

PROMOVOHET SHTATORJA E MBRETIT ZOG I

December 24, 2012 by dgreca

Kryeministri Berisha së bashku me Princin Leka i II-të zbuluan te henen, në Tiranë, shtatoren e Mbretit Ahmet Zogu i I-rë, e realizuar nga skulptori Kreshnik Xhiku.Në ceremoninë e zhvilluar në bulevardin “Zogu I”, në Tiranë, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve z. Aldo Bumçi, ministra dhe të ftuar të tjerë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet për rolin dhe kontributin e madh të Ahmet Zogut në historinë e vendit. “Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, një nga personalitetet më të rralla, më të shquara të të gjithë historisë sonë kombëtare të të gjitha kohërave”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri tha se Ahmet Zogun e nderojnë sot shqiptarët kudo që ndodhen dhe “më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin në përpjekjen e tyre të madhe evropiane për të vendosur Shqipërinë dhe trojet shqiptare në gjirin e familjes së qytetëruar evropiane, aty ku e projektoi Sami Frashëri dhe rilindasit e mëdhenj shqiptarë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha:

“Zonja kryetare e Parlamentit,

Zoti kryetar i Bashkisë,

Lartësia Juaj, Princi Leka i II-të, Princ i shqiptarëve,

Zotërinj ministra,

Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, diasporë dhe kudo që ndodhen sot, që ndiqni këtë ceremoni të vendosjes në bulevardin “Ahmet Zogu” të shtatores së Mbretit Zog i I-rë.

Sot mbarë kombi nderon Mbretin Zog, Mbretin e parë pas shekujsh të shqiptarëve, nderon me këtë shtatore djaloshin zemër zjarr, i cili në moshën 17 vjeçare do të vërsulej si luan nga malet e Matit drejt Vlorës së flamurit, për të mbrojtur pavarësinë e sapo shpallur, për të mbështetur themeluesin e shtetit dhe pavarësisë së vendit, Ismail Qemal Vlorën. Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara të të gjithë historisë sonë kombëtare të të gjitha kohërave. Ahmet Zogu, në vitet më të hershme të rinisë së tij e deri sa mbylli sytë, qëndroi i palëkundur në anën e kombit shqiptar, vendit të tij të dashur, miqve të tij të mëdhenj. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit, do të qëndronte i palëkundur në konsolidimin e pavarësisë, në mbështetje të Ismail Qemalit, në mbështetje të Princ Vidit, në mbështetje të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve. Në një kohë kur në Versajë dhe tryeza të tjera diplomatike po përgatitej copëtimi dhe shuarja përfundimtare e shqiptarëve nga harta politike e Evropës, Ahmet Zogu së bashku me një grup burrash të shquar të kombit do të organizonin Kongresin e Lushnjës, do të themelonin qeverinë, e cila u tha jo të gjitha traktateve copëtuese mbi Shqipërinë. Në detyrën e ministrit të Brendshëm, në një vend pothuajse tërësisht të pushtuar, do të vendoste me dorë të hekurt, me guxim luani integritetin territorial, sovranitetin e vendit. Qeveria e Lushnjës ishte pa diskutim dhe është një nga mrekullitë e mëdha të shqiptarëve në tërë historinë e tyre.

Sot ne vendosim këtu në këtë bulevard shtatoren e këtij burri që bëri më shumë se kushdo tjetër për t’i dhënë kombit Tiranën si kryeqytet. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme zgjedhjet e para pluralistë në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri. Kryeministri Ahmet Zogu u gjend para një akti terrorist të vërtetë në sallën e Parlamentit, por ai me atdhetarinë e tij, me mençurinë e tij bëri gjithçka që e keqja e këtij akti të mos reflektohej mbi shtetin e ri, në konsolidim e sipër, mbi vendin që kishte vuajtje të mëdha. Një grusht aventurierësh organizuan kundër tij grushtin e shtetit. Ai u rikthye, u zgjodh President i këtij vendi dhe më vonë Mbret i shqiptarëve. Në histori nuk gjenden dhe nuk ka kurrë figura që të kenë dalë jashtë teorisë së gabimeve, por ata që i thonë Shqipërisë – Shqipëri i detyrojnë këtij burri të madh shtetin që iu mungonte që nga koha e Skënderbeut, shtetin që bëri gjithçka për të zhvilluar vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, shtetin që bëri gjithçka për të zhvilluar një prej vendeve, asokohe, më të prapambetura të planetit.

Zonja dhe zotërinj,

Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura respektimi i madh i lirisë së besimeve fetare, janë të lidhura respektimi i madh i pronës, i lëvizjes së lirë, vazhdimit të lirë. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Me emrin e tij janë të lidhura ndërtimi i mijëra e mijëra kilometrave rrugë e ura, qindra e qindra shkollave, qendrave shëndetësore, spitaleve në mbarë vendin. Mbretëria shqiptare do të ishte viktima e parë në Evropë e agresionit nazifashist. Shqiptarët u pushtuan pa u regjistruar askund nga kancelaritë e mëdha të asaj kohe, fuqitë evropiane dhe botërore për faktin e vetëm se ato vetë në tërësinë e tyre, me ndonjë përjashtim, ishin fuqi koloniale. Pasi nuk pranoi të kapitullonte dhe vendosi të vazhdojë luftën në mërgim, ai do të ishte një nga të parët në Evropë që do t’u shpallte luftë pushtuesve të Shqipërisë. Ahmet Zogu jetoi dhe vdiq si një prej antifashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe të Evropës.

Zonja dhe zotërinj,

Në vitet e Mbretërisë së tij vendoi njohu një zhvillim të paprecedent. Dhe unë këtu ftoj shqiptarët të ndalen në një moment, momentin e pushtimit të Shqipërisë në ’39, momentin e shembjes së perdes së hekurt në ’90. Rikujtoni eksodin e vitit ’90, largimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre më shumë se nga çdo luftë, çdo mynxyrë, çdo epidemi. Dhe kjo për faktin e vetëm se diktatori gjakësor i kishte shndërruar shqiptarët në qenie shtetërore dhe jo shoqërore. Ndërsa Mbretëria respektonte në mënyrë të palëkundur liritë dhe të drejtat themelore, pronën, besimin, lëvizjen, fjalën, me një kushtetutë tipike të mbretërive konstitucionaliste evropiane.

Zonja dhe zotërinj,

Ne nderojmë sot këtë burrë të madh në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë Shqipërisë. Atë e nderojnë sot shqiptarët nga të gjitha trojet e tyre etnike, shqiptarët nga diaspora dhe kudo që ndodhen, por e nderojnë sot shqiptarët më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre në idealin fisnik të bashkimit kombëtar, e nderojnë sot më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin në përpjekjen e tyre të madhe evropiane për të vendosur Shqipërinë dhe trojet shqiptare në gjirin e familjes së qytetëruar evropiane, aty ku e projektoi Sami Frashëri dhe rilindasit e mëdhenj shqiptarë.

Nder për jetë kujtimit të Ahmet Zogut, Mbretit të parë, burrit të madh të kombit shqiptar dhe atyre që ndërtuan shtetin e lirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Faleminderit!”
24/12/2012

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryeministri Berisha, Mbreti Zog I, Princi Leka II

PS GABOI ME MBRETIN ZOG I

November 20, 2012 by dgreca

NGA MENTOR NAZARKO/

Mund të ketë shumë diskutime për Komisionin që administroi festimet e 100-vjetorit, për përbërjen e tij – a duhet të kishte brenda tij dhe nga opozita -, për vendimet që ai mori, mes të cilave përkujtimin e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve, por vendimet ishin shtetërore. Domethënë, edhe vendimet për këtë përkujtim, mes të cilave ndërtimi i mauzoleut, riatdhesimi i eshtrave etj., kishin karakter institucional dhe jo partiak. Ndaj duket e çuditshme se pse në ceremonitë e organizuara lidhur me këtë figurë mungoi thuajse tërësisht opozita.
A ishte e drejtë qasja e opozitës?
Mbreti Zog, pa hyrë shumë në analizën e veprës së tij historike, duket se ka krijuar një simpati mjaft të fortë në popull, trashëgimi të pashlyeshme, e cila u duk qoftë në rezultatin zyrtar të referendumit pro monarkisë (diku te 36%), qoftë dhe në homazhet e organizuara ditët e fundit. A është inteligjencë prej forcës më të madhe të opozitës të injorojë ndjeshmërinë e kësaj pjese të popullsisë? Deputeti i PS për zonën e Matit, zoti Minxhozi, në respekt të kësaj ndjeshmërie, mori pjesë në ceremoni, por nuk kuptohet se pse drejtues të lartë të PS-së zgjodhën të theksonin qasjen e refuzimit në bllok, të thellimit të ndarjes ideologjike apo politike që ekziston në popullsi.
Mbërritëm këtu te një moment i rëndësishëm – qasja pajtuese. Nuk ka moment më të rëndësishëm pajtues për një komb, për një klasë politike, sesa një jubile i rrallë si 100-vjetori i pavarësisë, ngjarje për të cilën gjithë populli ka mendim të njëjtë. Mbreti Zog mund të gjykohet në tri mënyra kryesore. Ose si politikan që ka 100% kontribute të mëdha në ndërtimin e shtetit shqiptar, ose 50/50, ose më pak se 50%. Natyrisht, jo sipas shkollës kineze së cilës iu referua një historian dhe politikan i së majtës, që foli për dy të këqija dhe 100 të mira të Zogut. Jashtë kësaj shkolle, madje për të thyer pak skrupujt elektoralë të drejtuesve të opozitës, bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija, në një intervistë të fundit fliste për nevojën e vlerësimit të disa veprave të mira të Mbretit. Por edhe sikur ta konsideronim Zogun si njeri që ka bërë më shumë dëme sesa të mira, 100-vjetori është rasti më i mirë për pajtim mes asaj pjese të popullsisë që e do Zogun dhe asaj që nuk e do, që nuk dihet se sa është. Nuk mund t’i marrim për referencë ata që votojnë për Legalitetin, sepse me siguri ndjeshmëria pro-monarkiste në Shqipëri është më e madhe sesa numri i votave zyrtare që merr kjo parti. Zogu ishte antifashist, edhe vetë Enver Hoxha e ka pranuar këtë, ndërsa në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë thirri Abaz Kupin apo oficerë të tjerë të lartë, përfshi Spiro Moisiun, komandantin e Shtabit, dikur oficer i Ushtrisë Mbretërore. Dikur, në fund të viteve ‘80, duke dëgjuar Radio Beogradin në gjuhën shqipe, mësova për një aktivitet që organizohej në mënyrë të përvitshme, një lloj tubimi pajtues midis veteranëve partizanë dhe veteranëve çetnikë. Duke iu referuar Jugosllavisë së atëhershme, lëvizja partizane e saj ishte shumë e fortë, ashtu si dhe përbërësja e kolaboracionistëve. Por, me sa duket, pajtimi ishte bërë, dhe flasim për dhjetëra vite më parë. Pse nuk duhet të ndodhte te ne ky pajtim mes pjesëve të popullsisë shqiptare që ndahen për një figurë historike si Zogu? Në fund të fundit, ky nuk iku prej Shqipërisë si fashist, sepse nëse do të ishte i tillë si Metaksai për shembull, do të rrinte në fron, pavarësisht si do të shkonin punët në fund të luftës.
Në një këndvështrim pragmatik, ky akt pajtimi do të kishte dhe vlerë elektorale. Nëse PS-ja, në emër të këtij interesi elektoral, përveçse për ndjenjë drejtësie, ka përfaqësuar kauzën e ish-të persekutuarve, pse vallë duhet të mbajë këtë qëndrim refuzues ndaj një figure historike si ajo e Mbretit Zog? Një pjesë e mirë e ish-të persekutuarve kanë vuajtur pikërisht për shkak të simpative monarkiste. A e vret mendjen dikush në PS për një inkoherencë si kjo?
Me një veprim të tillë kah pajtimi, apo thjesht respekti institucional për një kryetar shteti të dikurshëm, PS-ja do të tregonte respekt dhe ndaj Fatos Nanos, paraardhësit të kryetarit aktual. Jo thjesht për ekstravagancë, Fatos Nano si Kryeministër në 2003-shin jo vetëm toleroi votimin në Parlament të PS-së pro kthimit të familjes mbretërore në atdhe, por dhe foli për nevojën e rishkrimit të historisë. Madje kultivoi marrëdhënie miqësore familjare me Mbretëreshën Geraldinë derisa ajo vdiq, jo thjesht nga nevoja për vanitet aristokratik. Ç’kuptim ka që një parti të ecë mbrapsht në gjykimin e historisë, për më shumë ndaj një figure si ajo e Mbretit?
Partia Socialiste, në fakt, ngjan si një parti me shumë shpirtra, por që mjerisht në gjykimin e historisë dominohet nga shpirti i pjesës më të vjetër, jo thjesht të shoqërisë shqiptare. Është kjo pjesë që realisht provokon dhe mediat e shkruara, sidomos t’u kushtojnë hapësira të mëdha historive të figurave të diktaturës, ku ka brenda shumë nostalgji. Nuk janë domosdoshmërisht veteranë të luftës, të cilët koha biologjike i ka rralluar, por pjesë e administratës së dikurshme komuniste, individët që peshuakan në këtë shikim inert të PS-së, ndaj historisë së afërt të shekullit të 20-të. Kjo inerci në gjykime e ka frenuar PS-në të shikojë në mënyrë analoge me partitë e majta perëndimore dhe themeluesit e vet, që s’janë domosdoshmërisht Enver Hoxha dhe grupi i tij, i spastruar pa mëshirë deri në 1985-n, por Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Nako Spiru, Zai Fundo apo të tjerë, të cilët kishin dhe kapacitete të larta ideologjike të njohura madje jashtë Shqipërisë. Kur një parti e madhe e majtë, me trashëgimi historike kaq të larmishme, nuk nderon rrënjët e veta, atëherë është e shpjegueshme pse nuk shkon të bëjë një nderim minimal institucional ndaj një figure si Zogu.
Dikush brenda kampit të majtë, me pretendime akademike, e frymëzon këtë qasje duke thënë se Berisha, me nderimin ndaj Zogut, don të vendosë paralele midis tij dhe Mbretit. Kjo është tërësisht e gabuar për shkak të diferencës shumë të madhe mes këtyre figurave, por kjo është një temë tjetër.(Kortezi Panorama)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbreti Zog I, Mentor Nazarko, PS gaboi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT