-Në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Connell, tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit në shtetin e tij, interesi i Britanisë së Madhe ka qenë që të mbështesim shtetet tjera në Evropë, sepse ato janë në një hapësirë evropiane/
PRISHTINË, 12 Korrik 2016-B.Jashari/ Britania e Madhe është partnere e fuqishme evropiane e Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme në qeverinë kosovare, Enver Hoxhaj. Gjatë një takimi me kryediplomatin e Kosovës, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Connell, tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit në shtetin e tij, interesi i Britanisë së Madhe ka qenë që të mbështesim shtetet tjera në Evropë, sepse ato janë në një hapësirë evropiane.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadori O’Connell kanë diskutuar për bashkëpunimin e mëtejmë të të dyja shteteve si dhe për koordinimin e veprimeve për sa i përket shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Britania e Madhe, ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e madhe e Kosovës së pavarur dhe fuqizimit të sovranitetit tonë dhe si një partner i fuqishëm evropian por edhe global, ajo do të ndihmojë në rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës si dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ministri Hoxhaj.Ai bëri të ditur se, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë është në angazhime drejt rritjes së numrit të njohjeve.“Unë do të bëj përpjekje maksimale që të rris numrin e njohjeve për shtetin e Kosovës por kjo përpjekje e imja ka një logjikë mbrapa. Unë mendoj që Kosova në të ardhmen duhet të njihet nga 120-130, nuk dua të them që do t’i marrim këtë vit. Kjo me një arsye shumë të thjeshtë, për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare duhen 2/3 e votave dhe na duhet një mbështetje e madhe e shteteve që e kanë njohur Kosovën”, është shprehur ministri Hoxhaj.
Ndërsa ka shtuar se rritja e numrit të njohjeve ka të bëj me dimensionin e dytë se si “ne e shohim zgjerimin e sovranitetit përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”. Dhe për këtë ka theksuar se,“nuk do të lë gur pa lëvizur që ta rrisim sovranitetin e Kosovës por edhe ta ushtrojmë atë. Kështu që anëtarësimi në organizata pastaj na mundëson ushtrimin e sovranitetit duke kërkuar herë pas herë votë edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.