• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pjetri nga Iliria, Basilika e Shën Sabinës dhe koha kur ndërtuesit e Tempujve të Zotit ishin Ilirët

October 21, 2021 by s p

© Melsen Kafilaj

C:\Users\Admin\Desktop\Santa Sabina-M.jpg

Fig.1 Studiuesi Melsen Kafilaj pranë mozaikut që dëshmon për ngritjen e Basilikës së Shën Sabinës prej Pjetrit nga Iliria.

Një paragjykim historik të cilin e hasim shpesh në librat e historisë apo edhe tek studiuesit e huaj është këndvështrimi i Ilirëve “si një popull barbar, i përbërë prej blegtorësh, piratësh dhe luftëtarësh të zotë, të cilët huazuan pothuajse gjithçka prej Civilizimit Grek dhe atij Romak por pa fuqi ndërtuese dhe të paaftë për të ndërtuar një civilizim me elementë autentik të tyre.” I fundit nga këta zëra që e amplifikoi këtë paragjykim qe edhe studiuesi dhe kritiku i artit Vittorio Sgarbi i cili e quajti Bylisin “një qytetërim grek” por që u detyrua të tërhiqej pas publikisht përballë analizës, fakteve shkencore dhe argumentave të shkëlqyer të Akademik Neritan Cekës.Paragjykimi tjetër është që ata janë “mosdashës të së Bukurës”…Në fakt, e kundërta është e vërtetë!(Mjafton të shohësh mozaikët dhe Basilikat Paleokristiane në vend, të kundrosh motivet e xhubletës apo të dëgjosh iso-polifoninë dhe bindesh menjëherë për shpirtin e ndjeshëm dhe të pasur estetik të këtij populli fisnik.) Ilirët jo vetëm kanë qënë mjeshtra ndërtues në trojet e veta por edhe përtej tyre.Ata gjithashtu kanë investuar për të Bukurën dhe Hyjnoren.

Një qytet i cili na hap zemrën dhe na flet për praninë e gjallë të gjurmëve ndërtuese ilire është padyshim edhe Qyteti i Përjetshëm (Urbs Aeterna), Roma.Për herë të parë emrin e Basilikës së Shën Sabinës (1 prej 6 Basilikave më të vjetra në Romë) e dëgjova të përmëndej prej një anëtari të Urdhërit Domenikan, Fra. Orlando Rueda Acevedo (O.P) i cili më tregoi gjithashtu për vendndodhjen e saj, e konsideruar edhe si “Shtëpia e Domenikanëve”.(Vet Shën Domeniku ka jetuar dhe ka predikuar këtu dhe gjithashtu filosofi dhe teologu i madh katolik Shën Thoma D’Akuini ka qënë pjesë e saj.) Për habinë time më të madhe, sheshi në të cilin ndodhej kjo Basilikë mbante një emër i cili më emocionoi pa masë: “Piazza Pietro D’ Illiria”.

C:\Users\Admin\Downloads\246253522_412512293599848_4519393698635466739_n.jpg

                       Fig.2 Sheshi Pjetri nga Iliria, vendndodhja e Basilikës së Shën Sabinës

Po kush është vallë ky Pjetri nga Iliria?! Përgjigjen e gjeta brenda navatës qëndrore të Basilikës, specifikisht në mozaikun e saj të lazdruar me gërma ari: Pjetri është ndërtuesi i Basilikës së Shën Sabinës (425 A.D) gjatë kohës së Papa Çelestinit I (422-432 A.D). Ja se çfarë shkruhet në mbishkrimin latin të tij: 

« CULMEN APOSTOLICUM CUM CAELESTINUS HABERET / PRIMUS ET IN TOTO FULGERET EPISCOPUS ORBE / HAEC QUAE MIRARIS FUNDAVIT PRESBYTER URBIS / ILLIRICA DE GENTE PETRUS VIR NOMINE TANTO / DIGNUS AB EXORTU CHRISTI NUTRITUS IN AULA / PAUPERIBUS LOCUPLES SIBI PAUPER QUI BONA VITAE / PRAESENTIS FUGIENS MERUIT SPERARE FUTURAM. »

«Kur Çelestini arriti dinjitetin më të lartë apostolik dhe ju dëshmua botës si i pari mes peshkopëve, kjo që admironi u ndërtua prej një prifti me origjinë nga Iliria, Pjetrit, një njeri i denjë për ta mbajtur këtë emër, i mëkuar me mësimet e Krishtit, i pasur për të varfërit, i varfër për vetveten, ai i braktisi të mirat e kësaj bote duke shpresuar ti marr ato në botën tjetër.» C:\Users\Admin\Desktop\Mbishkrimi.jpg

                                      Fig.3 Mozaiku i Shek.V i Bazilikës së Shën Sabinës

Përpjekja ime për të mësuar më tepër për këtë Mjeshtër Ilir i cili ka ndërtuar një Basilikë në portat e së cilës rafigurohet për herë të parë artistikisht në historinë botërore motivi i “Kryqëzimit të Krishtit” rezultoi jo shumë e suksesshme dhe shumë informacione biografike mbi të kanë humbur, janë zhdukur apo edhe janë mbuluar prej pluhurit të trashë të Historisë.E megjithatë diçka munda të mbledh.Kështu psh, sipas “LIBER PONTIFICALIS” mësojmë se Pjetri nga Iliria kishte lindur në një vend të quajtur Artianus i Ilirisë.(Dalmaci) Data e lindjes nuk dihet.Njoftohemi gjithashtu që krahas Basilikës ai ndërtoi gjithashtu edhe një pagëzimore e cila vazhdoi të përdorej deri në Shek.XII por që prej saj  nuk është gjetur ndonjë gjurmë deri më sot.

C:\Users\Admin\Desktop\S.Sabina-particolare-porta.jpg

Fig.4 Motivi më i vjetër i pasqyruar artistikisht i Kryqëzimit të Krishtit (Shek.V) në derën e Basilikës së Shën Sabinës

Pjetri kishte njohuri të thella në kulturën greke dhe atë latine dhe sipas të njëjtit burim ai kishte shkruar edhe një vepër të titulluar: “De bello a Romanis cum Pilaris et Artianis gesto”, një traktat i cili për nga titulli na kujton paksa veprën e Jul Çezarit “De bello Gallico”.Që të ndërtosh një mrekulli të tillë arkitektonike si Basilika Paleokristiane e Shën Sabinës e cila na mahnit me madhështinë e saj edhe sot, duhet jo vetëm që të ishe i aftë por kërkonte gjithashtu edhe një bazë të shëndoshë njohurish. Ai padyshim që duhet ta ketë studiuar veprën e arkitektit dhe inxhinierit ushtarak romak Vitruvius “De Architectura” pasi siç e konfirmon edhe studiuesja Marisa Uberti “Këta ‘Mjeshtra të Panjohur’ na kanë lënë diçka me të vërtetë të jashtëzakonshme, një gjeometri që nuk është e rastësishme por e mirëmenduar dhe e mirëprojektuar dhe që sipas të gjitha gjasave rrjedh prej modelit të propozuar nga Vitruvius i cili i njihte shumë mirë ligjet që qëndronin në bazën e harmonisë arkitektonike, duke i matur  me mençuri hapësirat dhe vëllimet, dritën dhe errësirën, sensin estetik dhe kërkimin e të jashtëzakonshmes.Model që u ndoq më pas me besnikëri nga pasardhësit.”

E mbyll këtu këtë shkrim duke ftuar jo vetëm studiuesit dhe historianët që të merren më thellë me këtë çështje të cilën vetëm sa e kemi cekur por gjithashtu edhe gjithë shqiptarët e thjeshtë të cilëve nëse ju bie rruga në Romë të ndalen dhe ta vizitojnë këtë mrekulli të quajtur Shën Sabina dhe të pohojnë me krenari “që sjellësi i unitetit më të lartë mes Tokësores dhe Hyjnores” (Citoj këtu arkitektin e madh botëror Ludwig Mies van der Rohe) në këtë tempull të shenjtë mban mbiemrin e parardhësve të tyre; Pjetri nga Iliria!

                                                                                                                              © Melsen Kafilaj

Filed Under: Politike Tagged With: Melsen Kafilaj

The Philosophical Hour: Ju flet Arshi Pipa

September 12, 2021 by s p

 © Melsen Kafilaj

C:\Users\Admin\Desktop\Pipa-Blue.jpg

Në librin e tij “Tradhëtia e Intelektualëve” (1927) mendimtari francez Julien Benda duke folur “për kataklizmën e nocioneve morale të atyre që edukojnë botën” ngre gishtin e akuzës në drejtim të Intelektualëve, duke argumentuar se këta tradhtarë moral jo vetëm që e kanë braktisur kauzën e tyre por gjithashtu janë kompromentuar duke u përfshirë në lojën e ethshme të pasioneve politike dhe interesave materiale. Ky konstatim është mjaft aktual për pjesën dërrmuese të intelektualëve shqiptar të ditëve tona por ai nuk zë vënd në rastin e filosofit, kritikut  dhe intelektualit par excellence Arshi Pipa.

Arshi Pipa është modeli i intelektualit antikonformist shqiptar e me kartë të papërlyer morale i cili për asnjë çast nuk hoqi dorë prej vokacionit të vet, nuk e politizoi intelektin, nuk mori ndonjë anësi politike, nuk bëri kurrë kompromis me parimet dhe idetë e veta dhe mbi të gjitha e ruajti të shenjtë guximin për të qënë kritik dhe për ta thënë gjithmonë hapur të vërtetën. (Veritas) Nëse do të flisnim me gjuhën e Paul Tillich “Ai pati kurajon për të qënë Vetvetja, duke e ndarë mëndjen se përmes cilës rruge duhet të ecte.” 

Për Pipën, mendimi është atributi më themelor i qënies njerëzore (E mira ime absolute– do ta quante ai) i cili jo vetëm që e diferencon njeriun prej specieve të tjera por gjithashtu e ngre atë në një nivel më të lartë, duke i dhënë dinjitet dhe shtysë për progres.“Ndryshe nga të gjitha speciet e tjera që kanë tendencën për tu ruajtur, vetëm njeriu përpiqet që ta tejkaloj vetveten- shprehet Ai.Kjo i detyrohet pikërisht faktit se vetëm njeriu është i pajisur me mendimin”.Të mendoje brenda ferrit të burgjeve komuniste, vazhdon filosofi ynë i cili e pësoi vet një fat të tillë të hidhur në këto skëterra çnjerëzore ishte një akt lirie dhe gjithashtu një akt mbijetese. Kjo na kujton paksa neuropsikiatrin vjenez Viktor Frankl i cili teksa rrëfente vuajtjet e tij të tmerrshme në kampet naziste të përqëndrimit do të pohonte: “Ishte kultura e fituar e mëparëshme dhe të menduarit ato që pikërisht më mbajtën gjallë.”

Arshi Pipa kishte një marrdhënie autentike me lirinë.Në ditët tona po ndodh gjithmonë e më rrallë që të dëgjosh prej të ashtuquajturve “intelektualë” një frazë kaq domethënëse si ajo e tij:“Liria është fati ynë.Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj fatit tonë.”Aq më pak ti shohësh që e mishërojnë atë në jetën publike apo dhe atë private.Ndërsa Pipa ynë e mishëroi këtë vlerë të paçmueshme edhe në burg.Po ashtu si filosofi stoik, Epikteti ai pohonte me zë të lartë:“Kanë prangosur trupin tim por nuk kanë mundur të prangosin shpirtin tim.Dhe- gjë vërtetë e mrekullueshme- kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.” Të shkruarit përbën një akt lirie.Nuk duhet të na habisë fakti që traktati i parë i mirëfilltë filosofik shqiptar “Skicë e një konceptimi mbi jetën” (1955) është ngjizur pikërisht në zemër të Errësirës dhe ka dalë prej dyerve të privimit.

Kulturologu i madh George Steiner në librin e tij “Pas Babelit” (1975) i mëshon faktit se intelektuali duhet të jetë një hulumtues i paepur dhe një pohues konsekuent i së vërtetës.Pipa jo vetëm që e afirmon këtë fakt me jetën dhe veprën e vet por gjithashtu ai ofron një këshillë të vyer për gjithë atë “aradhë intelektualësh” pa shtyllë kurrizore, pa kurajë intelektuale dhe të nënshtruar prej klientelizmit politik të cilët heshtin kur pushteti shtyp dhe bën padrejtësi, mbyllin sytë kur korruptohet arsimi, drejtësia, shëndetësia etj dhe i bëjnë temena autokratit të radhës…“Guxim pra! Duhet shumë guxim për ta arritur të vërtetën.Duhet guxim për ta kërkuar të vërtetën, ashtu siç duhet guxim për ta thënë apo për ta mbrojtur të vërtetën.Dhe a nuk është maksimumi i guximit që të pranosh gabimin tënd?Një element guximi është i domosdoshëm për ta ndërtuar të vërtetën.Guximi kërkon besim tek vetvetja.Besimi është kusht i guximit ashtu sikurse guximi është kusht i fitores.”

Si një mendimtar liberal dhe një intelektual me kulturë të gjerë evropiane Arshi Pipa është kategorikisht kundër dogmave dhe monopolizimit të së vërtetës prej Njëshit, Partisë, individëve apo grupeve të caktuara të cilët rëndom në ditët tona e pretendojnë atë, duke e shpallur prej amvonave të larta dhe duke kërkuar që ta imponojnë në popull si të vërtetë finale.Ja sesi do të shprehej Pipa ynë me tonin e një ithtari Volterian: “E vërteta nuk mund të jetë ekskluzive, në kuptimin se ajo duhet të jetë vetëm e imja ose e jotja dhe e askujt tjetër.Kush mendon se vetëm ai është zotëruesi i së vërtetës ndërsa gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ai gabohen, ai jep një provë intolerance.Mirëpo e vërteta është tolerante.Ajo asnjëherë nuk do ti kapërcej kufijtë e tolerancës për të kaluar në dogmatizëm.Dhe dogmatizmi është binjak me fanatizmin.Mendja që nuk arrin t’u njohë të tjerëve të drejtën e së vërtetës është e dënuar që të mos e prek kurrë të vërtetën e saj.”

Por filosofi ynë brilant Pipa ka edhe një “merak” tjetër për punonjësit tanë të administratës publike, të cilët instrumentalizohen, binden verbërisht dhe bëjnë “çka do Shefi”, pavarsisht se aktet e tyre mund të jenë në kundërshtim me interesin publik dhe të mirën e përbashkët.Për këtë qëllim ai kujdeset që ti udhëzojë ata përmes etikës deontologjike (të detyrës): “Nuk duhet të mendohet se njeriu duhet t’i bindet me servilizëm, me pëlqim të verbër këtij individi apo atij institucioni; ai do të zbriste kështu në pasivitetin kafshëror.Jo, njeriut i është dhënë arsyeja për të mos e pranuar në mënyrë pasive rregullin e gjërave, i është dhënë arsyeja që të mendojë, të kritikojë dhe po të jetë e nevojshme të korrigjojë, deri edhe të mohojë, në rastin më të skajshëm.”

Ndryshe nga “kolegët” e tjerë intelektualë të cilët e kanë braktisur kauzën dhe e kanë humbur besimin tek fuqia e Edukimit, Arshi Pipa e mban ende lart pishtarin e tij iluminist dhe kërkon që ta çoj shoqërinë drejt përparimit moral dhe progresit human.Ai beson se njeriu në thelb është i mirë dhe se “madje edhe tek njeriu më i degjeneruar ekziston një shkëndijë virtyti”. Ja sesi do të shprehej ai tek “Skica” (1955) :“Çdo njeri është i aftë që të jetë i virtytshëm, dikush për hir të një prirjeje të natyrshme, dikush tjetër për hir të edukimit.Të parin duhet të udhëheqësh, të dytin duhet ta riformosh ose ta ndryshosh.Unë i besoj edukimit, madje e theksoj, duke e bërë edukimin, në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit , po vet moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv, si pedagogji dhe politikë.Dhe nuk më shkurajon fakti se ligësia është aq e madhe në botë, saqë edukimi nuk merr shumë pah.Ne edukojmë kafshët, i bëjmë shtëpiake, i zbusim dhe i bëjmë më inteligjente; a nuk do të mund të edukonim veten tonë?Vetëm kush e vlerëson vetveten më poshtë se një kafshë, mund të mos ketë besim tek edukimi.Dhe pikërisht për arsyen se unë e kam këtë besim, mund ta respektoj dhe ta dua njeriun kështu siç është ai sot; sepse në fakt,unë dua dhe respektoj tek ai jo atë që është sot, por për atë që do të jetë nesër:më të mirën e tij,kuintesencën e tij njerëzore;unë dua dhe respektoj tek ai njerëzoren, dmth idealin tek i cili njeriu mund të arrijë dhe do të arrijë.”

Pipa, filosofi që nuk e njohim ende ofron edhe një gjerdan mendimesh të tjera të çmuara mbi kohën, hapësirën, shkencën, religjionin, poezinë, etj madje edhe një ide të tillë “futuriste” e vizionare, shpalosur 2 vjet përpara nënshkrimit të Traktatit të Romës (gur-themeli i BE) në Burgun e Burrelit: “Kombi, ky prodhim tipik i kulturës moderne vazhdon të jetë i gjallë, por jeta e tij është e pasigurtë.Fuqitë botërore të sotme e kanë tejkaluar qyshkur.Drejtimi i lëvizjes evolutive është drejt supershtetit, shtetit botëror.”Një ide që nëse i zëmë besë futurologut francez Jacques Attali ka gjasa që të nis aty nga viti 2030.

Por në fund, siç i pëlqente të shprehej dhe mendimtari ynë liberal: “E vërteta është personale” dhe gjithësecili është i lirë ta pranojë apo refuzojë këtë mendim.Tek e fundit, njeriu është masa e universit.Ju keni masën tuaj dhe unë masën time.

                                                                                                                              © Melsen Kafilaj

Filed Under: Featured Tagged With: Arshi Pipa, Melsen Kafilaj

Fryma patriotike në poezinë e poetit, mistikut dhe filosofit shkodran, Hamid Gjylbegu

August 31, 2021 by s p

C:\Users\Admin\Desktop\Hamid_Gjylbegu.jpg
Hamid Gjylbegu

    © Melsen Kafilaj

… Tregojnë se qysh kur ishte student në Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe i kalonte pushimet verore në Shkodër, gjatë vajtje-ardhjeve të tij Ai mbante përherë një plis të bardhë mbi krye në të cilën ishte shkruar: “Jam shqiptar.”

E pra, ky ishte poeti, mistiku, filosofi dhe patrioti shkodran Hamid Gjylbegu.I mëkuar me ndjenjën e dashurisë për Atdheun (Patria) dhe i udhëhequr nga ndjenja e detyrës për ta mbrojtur atë, ai e shfaqte këtë frymë të lartë qoftë me akte po ashtu edhe me vargje të fuqishme patriotike.Në poezinë e tij ndihen shqetësimet  mbi fatin e kombit, sesi mund të bëhet dhe përparoj ai apo edhe fenomene të tjera negative si: errësira mendore, tradhëtia ndaj kombit apo edhe shitja e interesit kombëtar, fenomene të cilat fatkeqësisht janë të pranishme mes nesh edhe në ditët tona.Ja sesi shprehet tek “Gjâma e Shqypes” me zemër të lëshuar dhe keqardhje Hamid Gjylbegu:

                                       Shqypnija, zoj’ e rândë,

                                       Mbet si gogla përmi ujë,

                                       Asht kah merret nëpër kâmbë

                                       Bâhet vegla e gjithkujt.

                                       Nuk ka faj Shqypnija e zezë,

                                       Por e kan do t’bijtë e saj,

                                       Me tradhëtina e kanë ndezë,

                                       E bânë qyqe që të qajë.

Ose kur me brengë në zemër i lutet Hyjit dhe Hyllit bashkë që ti zbardh ditën këtij kombi dhe ta nxjerrë nga Errësira e Paditurisë:

                                     Ti, o hyll, i bardhi hyll,

                                     Qi gjith botën e shtegton!

                                     Kah kalon nëpër kët pyll;

                                     Ti kët vend pse s’e ndriçon? …

                                     Ky vend ka nevojë për dritë

                                     Se mjaft muzgu e ka mbulue;

                                     Pret qi t’sbardhë e bardha ditë,

                                     Me t’vërtetë me u arsimue! …

Por Gjylbegu shprehet edhe me tone optimiste për përparimin e Kombit, duke e vendosur besimin tek Rinia e Mirëarsimuar, të cilën e quan “si shpresa më e gjallë e ardhmërisë së kombit tonë”.Prandaj Ai ia beson këtë mision qytetërues brezit të ri, duke e përqafuar krahapur dhe duke e këshilluar që të jetë një dashuronjës i përhershëm i Dijes dhe Virtytit.

                                       Pra n’çdo ças, çdo orë,

                                       Bashkë sikur pëllumba;

                                       Na me libra n’dorë,

                                       Lé t’mësojmë ndër trûma!

                                       Se dukë edhe hije,

                                       Pa virtyt, pa dije

                                       Nuk vlejnë as nji fije!

                                       Atdheu prej nesh,

                                       Pret dritën e lumnisë;

                                       Agimin e vet

                                       N’kulm t’qytetnisë!

Në botëkuptimin e Hamid Gjylbegut, E Mira, E Drejta, E Vërteta dhe E Bukura janë vlerat më të larta dhe pa këto vlera Qënia Njerëzore nuk mund ta përjetoj Ngjitjen e Madhe.Në këtë kuptim, ai është një idealist i cili kërkon që gur-themeli i shoqërisë shqiptare të jetë virtyti sepse veç falë tij dhe idealizmës mund të realizojmë ndërtimin dhe përparimin e Shqipërisë së Re! Ja sesi shprehet Ai tek poezia “Besa”:

                                     Ndër trojet e Skënderbeut

                                     Kur “Virtyti” t’ bâhet “Besë”

                                     Përparimi i këtij Atdheut

                                     “Ideal” i gjall do t’mbesë!

                                     Lidhni besë, e lidhni fe!

                                     Për liri, t’bukurën ide!

                                     O me vdekë, o ja me lé!

Por sa do të zhgënjehej poeti ynë kur me ardhjen e Komunistëve në pushtet libërthat e tij jo vetëm do të çensuroheshin por ajo ëndërr e madhe për Atdheun e tij të dashur, të lirë, të qytetëruar dhe të përparuar do ti pritej më dysh…Ai nuk do të shkruante më vargje poetike ndërsa Heshtja do ti vuloste buzët.Ndoshta një poezi vizionare, e shkruar prej tij në vitin 1943 do ta shprehte fare mirë këtë shqetësim dhe raportin e shqiptarëve me lirinë:

                                     M’ndihmo zânë se vetë s’po di,

                                     Lakureksi nuk sheh n’dritë;

                                     Se shqiptari kur del m’liri,

                                     Aq mâ tepër rri habitë!  …

                                      Kjo gjâ shpirtin ta mërzitë,

                                      Edhe shpresën fort t’a bjerr

                                      N’sa prej territ dalim n’dritë,

                                      Prap prej dritës fill biem n’terr!  … 

Dashuria e zjarrtë e Hamid Gjylbegut për Atdheun dhe fryma e tij përkushtuese deri në fund të jetës më solli befas ndër mënd poezinë patriotike të eruditit të madh të Filipineve, José Rizal  i cili përpara se ta ekzekutonin shkroi këto vargje:                                                                                                                                                                                                               

                                      Lamtumire, i dashur Atdhe                                                                                          

                                      tokë e Diellit Suprem,

                                      Ti perl’ e Detit te Lindjes, 

                                      i humburi im Eden…

Hamid Gjylbegu deri  në momentin kur do ti thoshte “lamtumirë” njëherë e përgjithmonë Edenit të vet, Shqipërisë do ta refuzonte Sistemin Komunist jo vetëm përmes heshtjes së tij patriotike por edhe me një akt kurajoz i cili na bën ta përnderojmë me respekt figurën e tij; për mosbindjen e tij civile. Ai nuk e legjitimoi kurrë me votë Padrejtësinë dhe Diktaturën! Ler ti ngremë një obelisk në zemrat tona poetit-luftëtar, i cili së bashku me një grusht njerëzish në historinë e këtij kombi ende na frymëzojnë dhe na bëjnë që të shqiptojmë posi një litani të shenjtë vargjet magjike:

                                     “Ti Shqipëri, më jep nder

                                       Më jep emrin Shqipëtar…”

                                                                                                                              © Melsen Kafilaj

Filed Under: Politike Tagged With: Filosofi Shkodran, Hamid Gjylbegu, Melsen Kafilaj

Kur Turqisë i jepnin dritë Shqiptarët: Poeti, Mistiku, Mendimtari dhe Politikani Liberal, Riza Tefik Bylykbashi

August 9, 2021 by s p

C:\Users\Admin\Downloads\229605380_341149724387286_6969380955945642573_n.jpg

 

© Melsen Kafilaj 

      (Studiues)

Nga gjiri i kombit shqiptar kanë dalë me dhjetra figura të shquara të cilat kanë bërë historinë e kombeve të tjera, qofshin këto në Orient apo Oksident.Njëri prej tyre është padyshim edhe Riza Tefik Bylykbashi ose i thirrur ndryshe edhe si “Filosof Rizai.”

I lindur në vitin 1869 në Bullgari prej një babai Dibran, Mehmetit dhe një nëne Çekreze, Mynires familja e tij do të largohej prej andej dhe vendosej në Stamboll.Filloren ai do ta kryente në Shkollën Hebraike “Sion” të Stambollit, që drejtohej nga Aleanca Universale Izraelite (Alliance Israélite Universelle) ku i ati shërbente si mësues i persishtes dhe arabishtes kurse gjimnazin në Gallata.Ndërsa përsa i përket arsimit të lartë, ai do të rregjistrohej fillimisht në të famshmen “Mekteb-i mülkiyye” por për shkak të temperamentit, “kokës së nxehtë prej shqiptari” dhe ideve të tij liberale do ta pezullonin prej andej për “thyerje disipline”. (Rizai kishte marr pjesë në një sërë protestash studentore, botonte ilegalisht një gazetë politike dhe lexonte gjithashtu një duzinë autorësh të ndaluar rreptësisht prej kësaj shkolle) Më vonë ai do të ndiqte Shkollën Perandorake të Mjekësisë (“Mekteb-i Tıbbiye-i Mülkiye-i Şahane”) ku do të dilte prej saj i laureuar në këtë fushë në vitin 1899.

Rizai kishte një interes të thellë për njohjen e botës njerëzore.Për këtë qëllim ai iu vu studimit të filosofisë, misticizmit, letërsisë, sociologjisë, etj.Gjithashtu ai ishte një poliglot i afirmuar.Krahas shqipes për të cilën krenohej se ishte gjuha e tij e gjakut, fliste turqisht, hebraisht (Ladino), spanjisht, italisht, greqisht, anglisht, frëngjisht, persisht, arabisht dhe armenisht.Ajo ç’ka vlen për tu theksuar është fakti se kontakti i tij me Sufizmin dhe misticizmin islam ishte mjaft i hershëm.Qysh në rininë e vet ai kishte frekuentuar disa rrethe sufiste midis të cilëve edhe “Dervishët Rrotullues” të Urdhërit Mevlana dhe i kishte lexuar “Masnavitë” e Rumiut në persisht.Më vonë ai u bë pjesë e Urdhërit Bektashi dhe mbante edhe titullin fetar “Baba”.Rizai ishte i famshëm për poezitë me tematikë mistiko-spiritualiste (tekke edebiyati) të cilat këndoheshin prej dervishëve të urdhërit në fjalë.Ai gjithashtu kishte përkthyer edhe “Rubaitë” e Khajamit në turqisht.Stili i tij poetik me kalimin e kohës do të ndryshonte, sidomos pas Lëvizjes për Literaturë kombëtare (1913) duke marr më tepër trajtë, ritëm, fjalor dhe frymë popullore.Madje një poezi e shkruar me këtë lloj stili, “Fluturoni zogj, fluturoni” (“Uçun kuslar, uçun”) tashmë është bërë mjaft e njohur si këngë në Turqi, falë edhe interpretimit mjeshtëror të këngëtarit Ahmet Kaya.

Në lidhje me botëkuptimin e tij filosofik pohojmë se ai kishte një natyrë sintetike.Filozof Rizai e njihte në mënyrë të përkryer historinë e mendimit filosofik perëndimor, atë lindor dhe misticizmin islam ndaj shkrirja, amalgamimi apo edhe mpiksja e këtyre elementeve në shkrimet e tij tregojnë për rolin e tij vizionar si urëlidhës kulturor dhe emancipues mendor brenda një Perandorie anakronike dhe konservatore.Madje ai e kishte zakon që të thoshte se  Parimi i Absolutes (një koncept qëndror në filosofinë e tij) është esencialist i njëjtë  si tek Ibn Arabi, Herbert Spencer po ashtu edhe tek Henri Bergson. Gjatë periudhës 1914-1922 ai kishte shkruar mbi 50 artikuj në këtë lëmi.Një vepër e shkëlqyer e cili e bëri atë të famshëm në rrethin e Orientalistëve Perëndimor është padyshim “Étude sur la Religion des Houroufis”, një studim ky i cili u kushtohej Hurufive, një sekt mistik gjatë Shek.XIV-XV dhe ndikimit të tyre në Poezinë Osmane.Një fakt interesant që do të doja të shtoja është se elemente nga doktrina mistike e këtij sekti vihen re edhe tek përmbledhja poetike “Lulet e Verës” e poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.

Filozof Rizai gjatë jetës së vet shkroi një larushi veprash filosofike, që varionin që nga metafizika dhe ontologjia e deri tek estetika, etika dhe historia e ideve.Eshtë me vend që të përmëndim këtu disa prej tyre. Kështu psh, “Felsefe Dersleri”(Leksionet Filosofike) është përmbledhja e materialeve që ai jepte si mësues i filosofisë në shkollën e mesme “Rehber-i Ittihad-i Osmani” në vitin 1913. “Darülfünun Ders Notlari” (Shënimet e Ligjeratave Universitare) përfshin 4 leksione të mbajtura nga ana e tij gjatë kohës kur ishte profesor i filosofisë në Universitetin e Stambollit. “Bergson Hakkinda”(Mbi Bergsonin) i kushtohet mendimit filosofik të këtij mendimtari të madh francez. “Ömer Hayyam’ın Felsefesi”(Filosofia e Omar Kajamit) është një tribut “për këtë kampion të mendimit të lirë” siç do ta quante Noli ynë. Ndërsa vepra e jetës, edhe pse nuk u përfundua dhe rreshti tek gërma “C” mund të themi me plotë gojë se është padyshim “Mufassal kāmūs-i- felsefe” (Fjalor i Detajuar i Filosofisë).Kjo vepër jo vetëm e shpërfaq atë si një figurë me kulturë enciklopedike por gjithashtu hedh bazat për njëhësimin e terminologjisë filosofike dhe shkencore në botën turke.

Por ndërsa jeta intelektuale e Riza Ishraqi-t (“Të Ndriçuarit”) qe më e qetë dhe më produktive, ajo politike do të ishte e stuhishme, e trazuar dhe me të përpjetat e tatëpjetat e saj…Në vitin 1907 ai do të bëhej pjesë e Komitetit për Bashkim dhe Përparim (“İttihat ve Terakki Cemiyeti”), ky i fundit i themeluar gjithashtu prej një tjetër shqiptari, Ibrahim Temos.Ai do ti ngjiste shpejt shkallët e politikës dhe pas mbështetjes së Revolucionit Xhonturk më 1908 do të zgjidhej në parlament si deputet i Edirnesë.Ai do të ishte gjithashtu njëri prej anëtarëve të Këshillit Suprem të të Nëntëve vendimi i të cilit çoi edhe në ngritjen e “Dritës së Madhe të Stambollit” (1909). Më 1911 Rizai do të largohej prej “Komitetit” dhe do të ishte në radhët e themeluesve të Partisë opozitare për Liri dhe Marrveshje (“Hürriyet ve İtilāf”) Me kryesimin e partisë së tij ai do të shërbente 2 herë si ministër; Ministër i Edukimit dhe i Postë-Telegrafit (1918-1919).Ndërsa gjatë viteve 1919-1920 do të ishte senator dhe 2 herë drejtues i Senatit Turk.Duke pasur këtë post, ai do të ishte edhe një prej firmëtarëve të Traktatit të Sevrës (1920) i cili do të vuloste ndarjen dhe administrimin ndërkombtar të Perandorisë Osmane.Duke qënë se Rizai ishte gjithashtu një kritik i ashpër i politikës së Ataturkut, ky i fundit duke e pasur kundërshtar e shfrytëzoi këtë rast dhe e vuri atë në listën e “150 të Padëshiruarve”, duke përdorur ostracizmin politik “ndaj tradhëtarëve të interesit kombëtar të Turqisë” siç i quante ai në një fjalim.

Kështu që nga viti 1922 deri në vitin 1943 kur do ti jepej amnistia, Rizai do të provonte bukën e hidhur të emigrimit në disa vende si Qipro, Hixhaz të Arabisë Saudite, Oman, Jordani, Liban, etj dhe ai që do ta nxirrte përherë nga balta do të qe intelekti i tij brilant.Kështu psh, gjatë qëndrimit të tij në Oman, Emiri Abdullah do ta emëronte si Drejtor të Arkeologjisë të Sulltanatit. Ndërsa në Jordani, Dinastia Hashemite do ti besonte atij Bibliotekën dhe Muzeun Historik Kombëtar.Ai do të ndahej nga jeta në Stamboll në vitin 1949.

Teksa Filozof Rizai nuk njihet ende në vendin tonë, mendova që të përcjellë sot atë lutje shqip që më bën prej vitesh: “Më lini të flas pak!” 

                            © Melsen Kafilaj 

                              (Studiues)

Filed Under: Histori Tagged With: Histori, Melsen Kafilaj, Riza Tefik Bylykbashi

ISUF LUZAJ- dhe Atdheu që i përbuz Mendimtarët

July 11, 2021 by dgreca

C:\Users\Admin\Desktop\Isuf Luzaj-Mendimtari.jpg

   “Eshtë detyra e Mendimtarëve që të mos mbajnë krahun e ekzekutorëve.” -Albert Camus/

  Shkruan: Melsen Kafilaj/                                                                                                                            

Tashmë është legjitimuar nga shekujt dhe historia njerëzore ajo shprehja që “Profetët dhe Mendimtarët ose i dëbojnë prej Atdheut të tyre ose i vrasin me gurë.” Dhe sa më i madh profeti, mendimtari dhe mesazhi që ai përçon, aq më e madhe përndjekja dhe aq më e ashpër për rrjedhojë edhe forma e dëbimit a ndëshkimit… Në rajonin e Evropës Juglindore ekziston një vend i cili tradicionalisht i ka përbuzur, linçuar, syrgjynosur apo vrarë mendimtarët e vet. Një fat të tillë të hidhur përbuzjeje dhe syrgjynimi (si gjatë Komunizmit, po ashtu edhe në Demokraci) e ka pësuar edhe njëri prej bijve më të shkëlqyer të këtij vendi; mendimtari Isuf Luzaj.

Ndërsa bluaja këto mendime në kokën time dhe ngjisja shkallët për ndjekjen e një aktiviteti kulturor, mu shfaq përballë një stendë gjigande me gërma kapitale: “Konferencë Shkencore për vetitë e shkëlqyera të lëngut të kërrmillit në trajtimet bio-estetike.” Konferencë për lëngun e kërrmillit?! Jo. Nuk isha në ëndërr. Të pranishmit në masë po ngjiteshin një e nga një dhe po i drejtoheshin sallës ku do të organizohej ky “event i madh shkencor”…U çmerita! Një shoqëri e cila është e angazhuar më tepër për të kuruar Fytyrën (Dukjen) dhe jo veset dhe të metat e saj (Natyrën) është një shoqëri e destinuar për faliment vleror.Një dorë e padukshme më kishte dhënë një shuplakë të fortë dhe e kishte revoltuar befas ndërgjegjen time. 

Fatkeqësisht, në Shqipërinë tonë të varfër (mendërisht akoma edhe më të varfër) të organizosh konferenca shkencore për heronj të tillë mendimi si Branko Merxhani, Kristë Maloki, Mehdi Frashëri, Arshi Pipa apo dhe Isuf Luzaj përbën një herezi të madhe. Një akt i tillë, i cili sipas logjikës së Pushtetit, “del kundër rrymës”, “prish status quo-në” apo dhe zgjon “tema me natyrë sensitive”… Ajme! Se kemi parë ende në sy diellin e Intelektit dhe jemi ende në fazën ku mendimtarët trajtohen sipas nocionit të “kampeve ideologjike”, duke i klasifikuar në “Ne dhe Ata”, duke u diferencuar, stigmatizuar apo edhe duke ju gjendur “cene” për ti diskretituar, por pa u marr në thelb me esencën dhe vlerat e botëkuptimit të tyre…Një problematikë të tillë e kam hasur edhe me mendimtarin Isuf Luzaj.

Ka të paktën disa vite që përpiqemi institucionalisht (në nivel universitar dhe akademik) për të organizuar një konferencë shkencore për nder të këtij mendimtari të madh por deri në këtë moment që shkruajmë këto radhë na ka rezultuar diçka e pamundur. Por kush kërkon që ta mbaj larg prej katedrave universitare dhe qarqeve shkencore shqiptare mendimtarin e përbotshëm Luzaj?! Cilët janë ata individë, instrumente dhe mekanizma që profesorin e nderuar nga 2 Amerikat dhe 2 Presidentë Amerikanë ta refuzojnë dhe përbuzin në Atdheun e vet, ndërsa veprat ia “çensurojnë” për të mos hyrë dhe për të mos u bërë pjesë e kurseve universitare ?! Cili Njeruc dhe Liliput ka frikë nga hija e madhështisë dhe pesha e mendimit të këtij titani Kaniniot ?! A do ta refuzojmë edhe për shumë kohë këtë kolos i cili Bergsonit, Borgesit, Maritain-it, Sartrit dhe plotë mendimtarëve të tjerë me klas botëror kur ju prezantohej, u thoshte me plotë gojë: “Jam Shqiptar?!”

Edhe për sa vite të tjerë me radhë një mëndje prodhimtare si ajo e Tij do të lihet në azilin e harresës ndërsa vepra të tilla me peshë filosofike (të cilat duhet të hulumtoheshin) si: “Ekzistenca dhe Boshësia”, “Sëmundjet e Shekullit Tonë”, “Filosofia e Bukurisë”, “Rindërtimi i Fuqive Shpirtërore”, etj përbuzen dhe nuk ju kushtohet interesi, respekti dhe serioziteti i duhur shkencor?! 

Mendoj që organizimi i një konferencë shkencore në nivel kombëtar për këtë intelektual “par excellence” është më e pakta që mund të bëjmë. Por pse të mos ketë gjithashtu edhe një katedër të studimeve humanistike në Shqipëri, e cila të mbaj emrin e nderuar “Isuf Luzaj ?!” Kemi një parti politike Social-Demokrate. Pse jo akademia e saj politike (nuk e di nëse e ka një të tillë apo jo) të mos ketë emrin e njërit prej themeluesve të saj të parë (1943), pra Isuf Luzajt ?! Luzaj qe gjithashtu edhe një lëvrues i shkëlqyer i esesë. Pse të mos kemi një konkurs në rang kombëtar dhe për esenë më të mirë letraro-filosofike të akordohet çmimi “Isuf Luzaj?!” Do të doja të vazhdoja edhe më tej me propozimet por kam frikë se Atdheu që i përbuz mendimtarët nuk reflekton dhe për rrjedhojë është i destinuar që ti përsëris sërish të njëtat gabime…

Luzaj kishte shpresë tek bërja e Rinisë Mendonjëse. Ai besonte se përmes saj ne mund ta bëjmë Shqipërinë e së Nesërmes.Profesori do të zhgënjehej shumë sikur ta thërrisja në medium dhe ti tregoja që Rinia Shqiptare tek e cila ai aq fort besonte, sot nuk është gjë tjetër veçse një Rini Tik-Toku dhe Instagrami, pa kurrëfarë patriotizme, vizioni a ideali…Do të zhgënjehej shumë edhe me mësonjësit dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët ai i kërkonte që të ishin të virtytshëm, me integritet, të pakompromistë dhe në shërbim të Mëmëdheut por që këto 30 e kusur vite demokracie nuk kanë dëshmuar gjë tjetër veçse se janë themel-prishës dhe matrapazë të zellshëm të Interesit Kombëtar. E megjithatë, jam i sigurt që Profesor Luzaj do ta mblidhte veten në mënyrë stoike prej të tilla lajmesh të mynxyrshme  dhe duke rrudhur ballin e gjerë prej mendimtari do të na këshillonte si komb me po të njëjtin ton optimist: 

“Gjithçka ndryshon.Vepro tani! E gjithë ndërmarrja varet veç nga ti !”

Filed Under: ESSE Tagged With: Atdheu qe perbuz mendimtaret, Isuf Luzaj, Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT