Përgatiti: Gladiola Jorbus
Midsommar ose ‘’Mesi i verës’’ është një ndër festat më të vjetra dhe më të mirënjohura në Suedi. Kurora lulesh, vallëzime dhe një diell që nuk perëndon kurrë. Suedezët e jetojnë këtë ditë në harmoni të plotë me ritmet e natyrës.
Në qendër të festimeve tradicionale qëndron një shtyllë e lartë ‘’Midsommarstången’’, me dy rrathë të mëdhenj në krye, në formë kryqi për të cilën shumë njerëz besojnë se përfaqëson simbolin e pjellorisë. Të tjerë mendojnë se forma e Midsommarstången-it e ka origjinën në mitologjinë skandinave dhe mishëron një aks që lidh nëntokën, tokën dhe qiejt. Ai ngrihet në një vend të hapur ku vijojnë pareshtur vallet tradicionale, për kënaqësinë e fëmijëve dhe të të rriturve.
Vigjilja e Midsommar-it zakonisht festohet në fshat. Rrugët e zhurmshme të qytetit, befas braktisen dhe radhët e makinave shihen në distanca të gjata. Mesi i verës është një rast i mirë gjithashtu për të takuar të afërmit dhe miqtë. Familje të tëra mblidhen për të festuar së bashku këtë pikë kulmore tradicionale të verës.
Gjatë epokës nordike të bronzit, adhurimi i diellit u praktikua gjatë në Suedi. Disa nga vallet dhe ritet që vazhdojnë deri në ditët tona besohet se i janë kushtuar festimit të diellit dhe ruhen në gdhendje shkëmbore.
Dita e Verës është një festë popullore në Suedi, dhe përkujtohet një ditë të shtunë në harkun kohor midis 20 e 26 Qershorit.
Më parë, Midsommar-i festohej më 24 qershor, në ditën e Gjon Pagëzorit. Njerëzit shpesh e nisin këtë ditë duke mbledhur lule dhe duke thurur kurora për t’i vendosur në shtyllën me origjinë antike, e cila është një ndër protagonistet e këtyre festimeve.
Në Suedi dhe pjesët suedeze të Finlandës, njerëzit u gëzohen rikthimit të diellit dhe festojnë me gëzim ditët e gjata të verës dhe netët e saj të shkurtra, me muzikë e valle në natyrë, mundësisht buzë liqeneve, ku tingujt e muzikës jehojnë në anën tjetër të bregut.
Të gjithë vendosin kurora lulesh mbi flokë, pavarësisht nga mosha apo gjinia.
Sipas traditës suedeze, nëse dikush përzgjedh shtatë lloje lulesh (në disa pjesë të Suedisë nëntë) dhe i vendos nën jastëk, në gjumë do të ëndërrojë burrin ose gruan e ardhshme. Legjenda thotë se nata para kësaj feste është një kohë magjike për dashurinë.
Ky event i shkëlqyer është padiskutim në favor të dasmave dhe ceremonive të pagëzimit. Disa suedezë ende dëshirojnë të martohen në një kishë fshati, me një hyrje të harkuar me lule, me harqe dhe himne të bukura.
Festimi i solsticit të verës është një praktikë shumë e lashtë, e cila daton para krishterimit. Ai konsiderohej një festival i fertilitetit, me shumë zakone dhe rituale që lidheshin me natyrën dhe shpresën për të korra të mbara në vjeshtën e ardhshme. Në shoqërinë pagane, nata e Midsommar-it përfytyrohej e mbushur me fuqi magjike dhe qenie të mbinatyrshme..
Përsa i përket ushqimit, harenga është pjesa qendrore e tryezës së Midsommar-it. Ajo serviret në të gjitha format e saj: turshi, e tymosur, e fermentuar, me qepë, por nuk mungojnë gjithashtu as salmoni, apo patatet e ziera me kopër të freskët.
Gjithsesi në tryezat festive kryefjala është peshku. Dredhëzat janë gjithashtu një asortiment i rëndësishëm në menunë e Midsommar-it. Ato duhet të jenë ekskluzivisht suedeze dhe të shoqëruara me krem. Mund të themi se suedezët ndihen vërtet krenarë për varietetet vendase të dredhëzave.
Në kohët pagane, festimet e Midsommar-it në Suedi u mbajtën për të mirëpritur verën dhe sezonin e pjellorisë. Në disa zona njerëzit maskoheshin si “burra të gjelbër” dhe visheshin me fier. Ndoshta që në vitet 1500, ata dekoronin me gjethe shtëpitë e veglat e fermës dhe ngrinin shtyllën e lartë simbolike përreth së cilës kërcenin.
Fillimisht, Midsommar-i festohej kryesisht nga të rinjtë, por ishte popullor edhe në komunitetet industriale të Suedisë qendrore. Megjithatë, vetëm në vitet 1900, Midsommari (Dita e verës) u shndërrua në festën më autentike dhe tradicionale suedeze.