
Arben Iliazi/
Mjeshtri i mirënjohur i skulpturës, Ilmi Kasemi Beati, të cilin dikur e kam mbiquajtur “Mikelanxheloja shqiptar”, në një interpretim mitologjik të një variacioni metaforik, që përcjell koncepte komplekse, emocione ose mesazhe historike, e quan të famshmin Osman Taka, valltarin e papërsëritshëm çam, “Kërcimtar i Anteut”. Është sa legjendë, aq dhe e vërtetë që luftëtari dhe valltari O. Taka, simboli i mishëruar i dashurisë për jetën, fuqinë për të larguar vdekjen e mori nga Toka. Beati na jep një O. Taka pagan, një hero të shenjtë, të ngjashëm me figurat e lashta njerëzore, edhe pse ai është një kryengritës i Rilindjes Kombëtare si edhe një valltar i shquar i shekullit të 18-të.
Beati është një artist “gnostik”, që e lë shpirtin të lirë dhe nuk e tërheq poshtë te materia, duke punuar me projeksion astral, për të dëshmuar histori dhe civilizime të shenjta në tokë. Punimet e tij, në të shumtën e rasteve, ndikohen nga frymëzimet e larta heroike shpirtërore, si rrjedhojë e lidhjes së thellë e tepër frymëzuese me rrathanat shoqërore të fisit dhe bashkësisë, me frymën që i jep trajtë imagjinatës, duke na lënë një Testament të Ri artistik në kohët tona.
Valltari që kërcen me shpinë në sipërfaqe të botës nuk është një marifet i yshtjeve magjike, por është një alter ego e imagjinuar, një reflektim i absolutes mbi shpirtin e pavdekshëm të njeriut-artist, që është i aftë për të shkaktuar gjëra të mrekullueshme, duke thyer ligjet e natyrës. Kjo magjepse e kryemjeshtrit Beati, me një aureolë drite dhe reflektimi, qëndron denjësisht përballë kryeveprave botërore. Sikur t’i kisha këto imazhe kur shkrova dramën Osman Taka, në vitin 2023, ndoshta do të kisha një tjetër frymëzim e kahje dramaturgjike, një triller efektiv të simbiozës Taka-Anteu.