• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ETËRIT FRAÇESKANË NË SHQIPËRI PËRGJATË TETË SHEKUJVE ZHVILLIMET E FURISHME HISTORIKE TË KËTIJ URDHËRI

October 29, 2022 by s p

Vula e Provinces Franceskane te Shqiperise-Maqedonise se vjeter
Shen Jeronimi

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Është bërë tashmë i njohur nga shumë studiues roli shumë pozitiv i Urdhërit të Françeskanëve në Shqipëri për ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturës dhe traditës shekullore shqiptare përgjatë sfidave 500-vjeçare të sundimit osman dhe më vonë edhe atij komunist. Shkollat e niveleve të ndryshme akademike në gjuhën latine në territoret shqiptare janë të njohura gjatë gjithë mesjetës, ndërsa mësimi edhe në gjuhën shqipe, sipas dokumenteve të njohura deri tani, në shkollat e hapura nga françeskanët daton që nga viti 1638 (Palaj, Mitologji …, 150). Natyrisht që studimet dhe kërkimet për këtë Urdhër duhet të thellohen, duke ballafaquar gojëdhënat, legjendat me dokumenta, dorëshkrime e burime të tjera që ruhen si në arkivin e Urdhërit Françeskan, ashtu edhe në arkiva dhe në biblioteka të tjera, natyrisht pa lënë mënjanë literaturën e shumtë të botuar nga anëtarët e Urdhërit dhe studiues e hulumtues të tjerët.

Sipas legjendës, françeskanët për herë të parë në Shqipëri i gjejmë që në fillim të Urdhërit të tyre, përkatësisht që në kohën e vetë shën Françeskut, i cili duke u kthyer nga Siria në vitin 1220, ndalet në Lezhë, dhe vë themelet e Urdhërit të tij në Shqipëri. Te Kuvendi i Zojës shën Mëri, në fakt, në gurin sipër derës së saj, ishte gdhendur mbishkrimi: Hoc templum Fratrum Minorum aedificatum est anno Domini MCCXXXX, gjë që të bën të mendosh se kisha është ndërtuar në vitin 1240, por sipas një dorëshkrimi nga viti 1720, të at Lorenzo-s, kjo kishë është më e vjetër sepse mbishkrimi fillimisht sipas tij duhet të ketë qenë në greqisht, e më vonë të jetë përkthyer e gdhendur edhe në latinisht. Po sipas legjendës, Shën Françesku mori me vete nga Lezha një fidan pishe të cilin e mbolli në Venedik në kuvendin Eremo. Kjo pishë, për shekuj me rradhë, u njoh me emrin “Pino di San Francesco”. (Shih Gubernatis, Orbis, lib. V, 414; Fabianich, Storia, v. II, 337; Sirdani, Françeskanët, 12; Gurakuqi, Françiskanët …, 88).

Nëse nuk duam të bazohemi në legjendën e sipërpërmendur,  por duam të argumentojmë në bazë të burimeve dokumentare, atëherë mund të themi që françeskanët e filluan veprimtarinë e tyre në Shqipëri të paktën në fillimin e vitit 1236. Këtë e vërteton bula e papës Gregori IX (1227-1241) e lëshuar më 22 maj 1236 (viti i dhjetë i pontifikatit të tij), në të cilën shkruhet se atje ka “disa rregulltarë të cilët tani vonë kanë shkuar në atë krahinë, me dëshirën e tyre” (Farlati, Illyricum Sacrum VII, 35; Marković, Dukljansko, 98-99). Megjithatë, të gjithë studiuesit dhe historianët që merren me historinë e këtij urdhëri janë të një qëndrimi se, së paku që nga viti 1240 Urdhëri i Françeskanëve ishte aktiv dhe vepronte në territoret shqiptare. (Civezzam, Fabianich, Gonzaga, Gubernatis, Holzapfel, Malaj, Sirdani, Šufflay, Thalloczy, Wading, etj). 

Figura e parë qendrore françeskane e njohur në Shqipëri është Gjoni nga Plano Karpini që ishte edhe kryeipeshkëv i Tivarit (1248-1252, Eubel, Hierechia…, v. I, 92). Kur Gjoni nga Plano Karpini u emërua nga papa Inocent IV (1243-1254) si kryeipeshkëv i Tivarit, ishte koha kur pas përpjekjeve të shumta për autonomi nga Raguza (sot Dubrovniku), Veriu i Shqipërisë po i piketonte ndjenjat e shqetësimit jo vetëm kundër Raguzës, por edhe kundër papatit, i cili për shkak te mosnënshtrimit ndaj kryeipeshkvisë së Raguzës kishte çkishëruar disa ipeshkvë të Tivarit. Në këtë kohë, të gjitha ipeshkvitë e Shqipërisë Veriore ishin sufragani të kryeipeshkvisë së Tivarit: Arbëria, Balleci, Deja, Drishti, Prizreni, Pulti, Shasi, Shkkodra, Shurdhahu, Ulqini, ndërkohë që sufragani të kryeipeshkvisë së Durrësit ishin: Kruja, Lezha, Stefanika, Kunavia, Vregu, dhe Vlora. Në këtë situatë Gjoni nga Plano Karpini kishte detyrën e vështirë që jo vetëm të përmirësonte marrëdhëniet e shqiptarëve me papatin por edhe t’i fitonte shqiptarët për papatin dhe t’i drejtonte ndjenjat dhe interesat e tyre kundër armikut të papatit. Shuflai thotë që Gjoni nga Plano Karpini ishte pararendës i një sistemi që më vonë nuk do të zbatohej në asnjë vend tjetër me aq efektivitet sa në Shqipëri: me ndihmën e selisë papnore, Tivari, dhe më vonë e gjithë Shqipëria, do të shndërrohej në një bazë operative të perëndimit kundër ortodoksisë dhe sllavizmit, dhe vetë Gjoni nga Plano Karpini u bë luftëtar i vendosur i të drejtave metropolitane të kryeipeshkvisë së tij.

Gjoni nga Plano Karpini, i zgjedhuri i kurisë papnore për të drejtuar kishën dhe kryeipeshkvinë e Tivarit në shek. XIII, është vërtetuar tashmë që mund të cilësohet pa frikë si një ndër diplomatët më të zotë të këtij shekulli. Kryeipeshkvia e Tivarit iu dha atij si shpërblim pasi kishte kryer me sukses një mision shumë të rëndësishëm diplomatik me mongolët. Këta të fundit, në shek. XIII, ishin ushtarakisht kërcënues shumë seriozë të Evropës. Fakti që kryeipeshkvia e pakonsoliduar e Tivarit u konsiderua dhuratë e denjë si shpërblim për një ndër misionet më të sukseshme të këtij shekulli, flet vetë për rëndësinë universale që kjo kryeipeshkvi kishte për katolicismin dhe më konkretisht për papatin. Ai në fakt kishte qenë vazhdimisht në kontakt me Romën, por papati kishte nevojë për një njeri krejt të besueshëm në krye të kësaj kryeipeshkvie që të mund ta përdorte Tivarin si bazë për të vepruar me sukses të sigurt në Ballkan. Durrësi do të kishte qenë po ashtu një bazë mjaft e mirë, por deri në shek. XIII, me gjithë lidhjet latente me Romën, ai ishte një kështjellë e fortë e ortodoksisë, dhe investimi aty nga ana e papatit nuk ishte krejt i sigurtë. (Lala, Roli i Kryeipeshkvisë…, nr. 26, f. 88-91).

Gjoni nga Plano Karpini (1182-1252) kishte lindur në Perugia, në Piano di Carpine (sot Magione) dhe ishte bashkëkohës i shën Françeskut prej Azizit, murg françiskan që luajti një rol të madh për përhapjen e urdhërit të françeskanëve në Evropën qendrore dhe lindore. (Šufflay, A. Alb. v. I nr. 191; nr. 222; Theiner, Mon. Slav. v. I, nr. 100; Farlati, Illyricum… v. VII, 36-41). Bashkë me Cesarius nga Speyer, ai shkoi në vitin 1221 në tokat gjermane dhe themeloi shumë kuvende franceskane atje. Ne fillim e zhvilloi aktivitetin e tij në Rheinland dhe Sachsen si themelues kuvendesh dhe organizator i urdhërit të françeskanëve dhe prej vitit 1228 udhëhiqte provincat e gjithë urdhërit në Teutoni dhe Saksoni duke e shtrirë aktivitetin e tij deri në kufijtë më në veri dhe në lindje. (Marković, Dukljansko, 189-190; Lala, Roli i Kryeipeshkvisë…, nr. 26, f. 88-91).

Misioni i Plano Karpinit nuk ishte më pak i lehtë në Tivar. Emërimi i tij në këtë kryeipeshkvi nuk ishte as i rastësishëm dhe as privilegj përsa i përket komoditetit. Tivari ishte ndoshta pika e dytë e nxehtë në politikën papnore, pas shmangies së përkohshme të sulmeve mongole. Gjeografikisht Tivari ishte pika më strategjike për luftën kundër ortodoksisë. Kjo ishte pika më jugore që do të mund të shërbente si bazë për aksionet katolicizuese të papatit në Ballkan. Tivari, pra, do të ishte grep për Ballkanin ortodoks, i cili njëkohësisht mund të ishte shumë lehtë i prekshëm nga sulmet e myslimaneve, dhe të bëhej një urë kalimi e tyre për në Evropën perëndimore. 

Në shek. XIII, vetë kryeipeshkvia e Tivarit ishte mjaft e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme që i kanoseshin qoftë nga kryeipeshkvia e Raguzës (Dubrovnikut), qoftë nga interesat e Serbëve. Kryeipeshkvia e Raguzës ishte e interesuar që Veriun e Shqipërisë ta mbante nën jurisdiksionin e saj dhe për këtë qëllim ajo ishte përpjekur vazhdimisht gjatë shekujve të fundit, dhe jo pa sukses, që të fitonte përkrahjen e papëve. Serbët e kërkonin Tivarin për shkak të pozitës së favorshme gjeografike që do t’u bënte të mundur daljen e drejtpërdrejtë në detin Adriatik. Forcimi i Republikës së Raguzës dhe i Kotorrit, po i detyronte sllavët e jugut që të kërkonin rrugë të reja më pak të kushtueshme për të dalë në Adriatik, dalje këto që në mesjetë ishin vitale për mbarëvajtjen e një vendi.  Përsa i përket interesave fetare, ortodoksët ëndërronin ta kishin Tivarin pikënisje të shtrirjes së autoritetit të tyre në Dalmacinë katolike dhe pse jo edhe në Evropë. Megjithatë ky interes i sapopërmendur nuk mund të artikulohej qartë për shkak të shpresave të pakta që linin zhvillimet pro-latine të interesave të kësaj zone. 

Duke qenë i emëruar nga vetë papa me një titull shpërblim, Plano Karpini pati gjithë mbështetjen papnore për ta ngritur kryeipeshkvinë e Tivarit me sukses në rangun e kryeipeshkvive shumë të rëndësishme. Ai vetë u bë një luftëtar i pathyeshëm për të drejtat e kryeipeshkvisë së tij. Si kryeipeshkëv i Tivarit ai arriti të mbledhë nën jurisdiksionin e tij poste të tilla si  primat i Serbisë dhe metropolitan me sufragani Ulqinin, Budvën, Shasin, Shkodrën, Drishtin, Pultin, Sapën, Danjën, Lezhën dhe Arbërinë. Përveç këtyre dioqezave ekzistonin edhe abaci benediktine, pothuajse po kaq të rëndësishme sa edhe ipeshkvitë, por që ishin të varura nga ipeshkvitë respektive. Abacitë benediktine ishin: shën Gjoni i Shtojit në dioqezën e Drishtit, shën Kolli i Bunës në dioqezën e Ulqinit, shën Maria e Rotecit në kryiepshkvinë e Tivarit, shën Mria e Ndërfandënës në dioqezën e Lezhës, shën Pali ose Shpali në dioqezën e Lezhës, shën Sandri i Malit në dioqezën e Lezhës, shën Sandri i Molendinës në dioqezën e Arbërisë, shën Shirgji dhe Baku në dioqezën e Shkodrës, shën Shtjefnit, e Pultit, shën Sofia e Danjës, të cilat i zhvilloi shumë si nga pikpamja e zellit fetar, ashtu edhe nga pikëpamja e ndërgjegjësimit për të drejtat e tyre. (Lala, Roli i Kryeipeshkvisë…, nr. 26, f. 88-91).

Pas vdekjes së Gjoni nga Plano Karpini (1 gusht 1252), në selinë e kryeipeshkvisë së Tivarit kemi në vazhdim edhe dy kryiepshkvë nga radhët e françeskanëve: Gufridon (1253-1254) dhe Laurentin /Hortanus de Portugalia/ (1255-1270), të cilët me sukses vazhdojnë rrugën e filluar nga pararendësi i tyre Gjoni. (Eubel, Hierachia…, v. I, 92; Gams, Series…, 393; Marković, Dukljansko, 190).

Që nga krijimi i kuvendeve të para françeskane e deri në vitin 1402, të gjitha këto i ishin bashkangjitur kustodisë së Raguzës, Provinca e Sllavonisë, me seli në Split përkatësisht në Zarë. Më 13 dhjetor të vitit 1402, papa Bonifaci IX (1389-1404), pas lutjes së provincialit të Zarës, Nikollës, i ndan nga kustodia e Raguzës, Durrësin Shasin, Shkodrën, Ulqinin dhe Tivarin duke themeluar Kustodinë e Durrësit dhe njëkohësisht për territoret të tjera ku vepronin misionarët françeskanë themelohet Provina e Maqedonisë, e cila nënkupton Shqipërinë. Nga viti 1464, pas kapitullit të mbajtur në Pashman të Kroacisë, territoret e kuvendeve të lartëcekura shqiptare, iu bashkangjitën kustodisë së Kotorrit, deri në vitin 1585, kur për territoret e Shqipërisë themelohet një Komesariat me autorizime të veçanta, [Malaj. Djelovanje…, 226], i cili  kishte edhe vulën e tij të veçantë me tekst: Sigillum Comissari provincae Ordinis Minorum Regula. Observancie. Lart ishte e shënuar AGP dhe figura e shën Mërisë, ndërsa poshtë S.B. dhe figura e shën Vllahut, shenjtit mbrojtës të Raguzës. [Shih ilustrimin dhe Gonzaga. De origine…, v. I, 53]. Si Komesariat i themeluar i urdhërit françeskan, ai ishte i 31-të me radhë, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të udhëheqësit të urdhërit /gjeneralit/ dhe kishte pesë kuvende: Sebastin, Lezhën, Rubikun, Mamlin, dhe Kepin e Rodonit. Pas pushtimit turk, Provinca e Maqedonisë /Shqipërisë/ për shkak të vështërsive të shumta dhe numrit shumë të vogël të kuvendeve, /kishin mbetur vetëm 5 të tilla/, shndërrohet në Kustodinë e Shqipërisë, [Gonzaga, De origine…, 624; Sirdani, Françeskanët…, 35], e cila në vitin 1592, kthehet përsëri në Provincë, me dekretin e papa Klementit VIII (1592-1605), të cilit i paraprijnë vendimet e Kapitullit të Përgjithshëm të Françeskanëve mbajtur në Napoli, në vitin 1589, që kishte një shtrirje territoriale mjaft të gjërë dhe madje përfshinte gjithë provincën e Bosnjës, të Dalmacisë, Dubrovnikut për të arritur deri në detin Jon e në Akajë. [Fabianich, Holzapfel, Sirdani]. 

Sipas Gubernatis (Orbis Seraphicus…, lib. IV, 414), më 13 dhjetor të vitit 1634, pas kërkesës së ripërsëritur të ipeshkvit të Sapës, Gjergj Bardhit, dërgohen në Shqipëri misionarë françeskanë, për shkak të mungesës së priftërinjve, sepse urdhërat e tjerë ishin larguar nga Shqipëria për shkak të përndjekjeve nga turqit. Mundësimi i qëndrimit të françeskanëve në Shqipëri ndoshta ka lidhje me një ferman të sultan Mehmetit II, një fragment të të cilit po e botojmë më poshtë edhe pse ne jemi të prirur ta shikojmë atë me rezervë. Arsyet për një veprim të tillë janë të shumta. Një ndër kryesorët është se tani për tani nuk disponojmë dokumenta dhe të dhëna të tjera burimore që do të mund të na bindnin për efektshmërinë, zbatueshmërinë dhe aplikimin real të këtij fermani në kohën kur është lëshuar, kur në anën tjetër janë të njohura dhuna, raprezaljet, vuajtjet dhe shkatërrimet në masë të ushtruara jo vetëm ndaj objekteve të kultit, por edhe ndaj klerikëve të të gjitha rangjeve në atë kohë. 

Fermani në fjalë, i sulltan Mehmetit II, është lëshuar më 28 maj 1463, origjinali i tij ruhet në Kuvendin Françeskan të Fojnicës, në Bosnje. Sipas këtij fermani, françeskanët gëzonin, të paktën në letër, një lloj të drejte dhe mbrojtje formale. Në ferman ndër të tjera thuhet: “Unë Fatih Sulltan Han shpall para gjithë botës se françeskanët e Bosnjës dhe Shqipërisë, për të cilët del ky ferman, janë nën mbrojtjen time dhe urdhëroj që as njerëzit, emrat e të cilëve shpallen këtu dhe as kishat e tyre të mos shqetësohen e të mos dëmtohen. Ata le të jetojnë në paqe e të qetë brenda perandorisë time. Të gjithë këta njerëz të rënë në gjendje refugjati le të jetojnë të lirë e të sigurtë. Le të kthehen ata në çdo pjesë të Perandorisë e të vendosen e të sistemohen pa frikë nëpër manastiret e tyre. Askush nga rrethi i nderuar i padishahut, nga vezirët dhe nga nëpunësit e mi, nga shërbëtorët dhe qytetarët e perandorisë nuk do të cënojë dinjitetin e këtyre njerëzve dhe nuk do t’i dëmtojë ata. Askush të mos cënojë jetën, pasurinë dhe kishat e këtyre njerëzve, të mos i shohë e trajtojë keq dhe të mos i rrezikojë ata.” [Përkthimi dhe redaktimi i tekstit të fermanit të Sulltan Mehmetit II është marrë nga Shqipëria Etnike. Shkodër, 4. VII. 2001, nr. 2. (http://www. shqiperia-etnike.com)]. 

Nëse kthehemi disa dekada më herët, p.sh. në shek. XIV, do të vërejmë se misionarët shqiptarë [por jo vetëm këta], shërbenin në tërë territorin e Dalmacisë dhe të Puljes. Sipas burimeve dokumentare vetëm gjatë shekujve XIV-XV, në territorin e Raguzës shërbyen më shumë se 30 priftërinj të urdhërave të ndryshëm benediktinë, domenikanë, françeskanë etj. Këta vinin nga territoret shqiptare si Balleci, Deja, Drishti, Durrësi, Lezha, Pulti, Sarda, Shasi, Shkodra, Tivari, Ulqini. [Šufflay, Jireček, Sirdani, Malaj, Lala, etj.]. Nga Urdhëri i Françeskanëve kanë shërbyer ndër të tjerë: Cipriani nga Tivari në vitin 1288, i cili shkoi te mbretëresha Helena si i dërguar i papës Nikolla IV; Shtjefni nga Shkodra në vitin 1300, i cili është vikar i kuvendit Male Braće në Dubrovnik; Luka nga Tivari më 1340; Ndreu nga Shkodra, guardian në Dubrovnik më 1347; Ndreu nga Durrësi, guardian në Dubrovnik, më 1348, 1371, 1382; Dhimitri ishte kustos në Dubrovnik më 1348, i cili më vonë u emërua ipeshkëv i Stefanikës më 1354 dhe pastaj kryeipeshkëv i Durrësit më 1363; Nikollë Marku nga Ulqini më 1349 dhe 1354; Gjini nga Arbëria më 1349; Minori dhe Sergji nga Durrësi më 1355 dhe 1384; Arnoldi nga Shkodra më 1362; Minori nga Durrësi, mësues i teologjisë dhe provincial i Dubrovnikut më 1377-1385; Gjergji nga Tivari misionar në Tokën e Shenjtë më 1382; Shtjefni nga Shkodra lektor i teologjisë më 1395; Nikolla de Samaxiis, më 1395, ambasador i Gjergjit II Balshës në Venedik, që njëkohësisht ishte dhe doktor i teologjisë; Margarizi (!) nga Drishti më 1406; Nikolla nga Durrësi provincial i Dubrovnikut më 1432, 1437, 1445; të cilit Senati i Dubrovnikut i kërkon në vitin 1432 që të kthente disa libra, që kishin qenë në pronësi të kuvendit të Male Braće; Mateu nga Tivari më 1434, i cili dëbohet nga Dubrovniku për pesë vjet; Ndreu nga Durrësi, doktor i shkrimit të Shenjtë, provincial dhe inkuizitor i Dubrovnikut në vitin 1438, më vonë ipeshkv i Senjit 1443-1456, i cili në vitin 1436, ishte dëshmitar me rastin e promovimit për doktor në Padovë të Gjon Gazulit (ky i fundit ishte për shumë vite rektor i kuvendit të domenikanëve në Dubrovnik), etj. [Malaj, Djelovanje…, 227]; Nikolla nga Arbëria më 1440, provincial i Dalmacisë. Këta priftërinj, në udhëheqjen e kryeipeshkvit, Ndreut nga Durrësi, (1388-1393) në vitin 1391, në Dubrovnik themelojnë “shoqatën” e tyre me emrin: “Sodalitas presbyterorum sub patrocinio S. Petri.” 

Me pëlqimin dhe këshillin e Urdhërave të Domenikanëve dhe Françeskanëve në vitin 1291, u rindërtuan dy dioqeza të pastra shqiptare, ajo e Shurdhahut dhe e Sapës. Por veprat bamirëse nuk kanë munguar asnjëherë prej dhe ndaj tyre. Si ilustrim sjellim dy shembuj shumë domethënës, për kohën dhe vetë personalitetet që bënë këto vepra. Helena, mbesa e Enrik Dandolës, dogjit të Venedikut, ishte martuar me Shtjefnin, zhupanin e madh të Serbisë (Stjepan Prvovjenčani); Helena tjetër, e martuar me Uroshin I, mbretin e Serbisë, ashtu sikurse edhe e para, shquhen për bamirësi dhe favore të ndryshme ndaj Urdhërit të Françeskanëve, në Shqipëri, ndër të tjera edhe për rindërtimin e kuvendeve, abacive, kishave dhe manastirve të ndryshme, p.sh. në vitin 1288, Helena, mbretëresha e Serbisë, së bashku me të motrën e saj, Maria de Chau, ndërtuan kishën dhe kuvendin françeskan të shën Mërisë në Shkodër, kuvendin e shën Markut në Ulqin, kuvendin e shën Françeskut në Tivar, etj. [Sirdani, Françeskanët, 16, 19, 66), dhe shumë institucione të tjera religjioze të cilët Balaan i numëron deri në 30.

Pas vitit 1677, misionarët françeskanë filluan të vepronin në katër prefektura apostolike. Në atë të Kosovës (Serbisë), Maqedonisë, Pultit dhe Kastratit. Sipas relacionit të V. Zmajeviqit, nga viti 1702, [Bartl. Quellen…, v. 20/II dhe AFP, SR. Albania, v. IV], provincial në Shqipëri, me seli në Kepin e Rodonit ishte at Martin Gjonima. Nga vdekja e këtij në vitin 1719 e deri në vitin 1827, Provinca humb autonominë e saj dhe provincialët emërohen direkt nga udhëheqësi i rendit, [Malaj. Apostolsko…, f. 268]. Gjatë kësaj kohe kemi 37 provincialë të ndryshëm, në mesin e të cilëve ishte vetëm një shqiptar, at Anton Kryeziu nga Lezha, më vonë edhe ipeshkëv i Lezhës.

Një gjendje e tillë zgjati deri më 3 tetor të vitit 1832, kur papa Gregori XVI (1831-1846) me Bulën e njohur: Felicis recordationis, e shndërroi këtë provincë në Mision Apostolik, i cili mandje ndahej në Prefektura. Me një dekret të udhëheqësit të përgjithshëm të Urdhërit Françeskan, at Luigj Lauer, bashkon më 31 janar 1898 tërë Misionin Apostolik Françeskan në Shqipëri nën një Komisar të Përgjithshëm Provincial “ad instar.” Këto misione ishin të ndara në këtë mënyrë: Epiri: me Durrësin, Lezhën dhe Sapën si dhe kuvendet në Bizë, Laç, Lezhë, Rubik dhe Troshan; Pulti në dioqezën me të njëjtin emër me kuvendet në Dushman, Kir, Nikaj-Merturi, Planë, Shalë, Shosh, Toplanë dhe; Kastrati, në kryeipeshkvinë e Shkodrës me kuvendet në: Bajzë, Grudë, Kastrat, Kuç, Podgoricë, Rapsh, Selcë, Traboin, Triepsh, Vukël, dhe; Maqedonia me seli në kryeipeshkvinë e Durrësit me kuvendet në: Bajzë, Bishkash, Lurë, Pëdhanë, dhe Janinën në Jug të Shqipërisë dhe prefektura e Serbisë me qendër iepshkvinë e Shkupit me kuvendet në: Gjakovë, Pejë dhe Zym afër Prizrenit. Gjatë kësaj kohe kemi 12 prefektë, nëntë nga Italia dhe tre nga Bosnja. Meqenëse Urdhëri Françeskan e kishte marrë veten mjaft mirë, me anë të një dekreti të veçantë të Selisë së Shenjtë, më 23 prill të vitit 1906 (i cili u zyrtarizua më 6 qershor 1906) Misioni i Françeskanëve në Shqipëri, përsëri shndërrohet në Provincë Misionare me emrin e vjetër SS. Annuntiationis. [Sirdani]. Provincial i parë shqiptar i kësaj province ishte at Pal Doda.

Në vitin 1638, françeskanët në Pëdhanë hapin shkollën e parë, për të vazhduar pastaj në vitin 1639 në Blinisht të Zadrimës; po në këtë vit (1639) hapet edhe një Gymnasium në të cilin mësohej gjuha shqipe. Këto vatra diturie u mbyllën nga turqit në vitin 1648. Në vitin 1698, në Shkodër, at Filipi, hap një shkollë tjetër, ku po ashtu mësohej veç italishtes edhe gjuha shqipe si dhe shkrim-lexim e katekizëm. Një pohim të tillë, mjaft domethënës e gjejmë edhe sot kur shkruhet: “… qenë pikërisht priftërinjtë dhe klerikët françeskanë … që hapën shkolla ku u mësuan njëkohësisht edhe italishtja edhe shqipja.” (K. Çefa, Të dhëna…, 2007, 18).

Kontribut të veçantë për Urdhërin e Françeskanëve në Shqipëri kanë dhënë edhe pjesëtarë të tjerë, joshqiptarë, të këtij Urdhëri, të cilët jetuan dhe vepruan në këto troje, duke ndarë të mirën dhe të keqen me popullin dhe besimtarët e devotshëm. [Për kontributin e françeskanëve shqipatrë të shihet studimi ynë në dorëshkrim për Urdhërin e Françeskanëve në pëgjithësi]. Për shkak të natyrës së këtij shkrimi, po përmendim vetëm disa më kryesorët, së bashku me ndonjërën nga veprat e tyre më kryesore, ndërsa për të tjerët do të flitet në studimin i cili është në dorëshkrim. Këta janë: Leo da Citadella. Dictionarium epiroticum. 1671; Bernardino Quintiano. Dottrina cristiana epirotica. 1675; Francesco Maria da Lecce. Dizionario italiano-albanese. 1702; i njëjti: Osservazioni gramaticali nella lingua albanese. 1716; Didaco da Desio. Gramatica albanese. 1722; Onofrio. Akte pagëzimi. 1739; Bonaventura Prucher. Manuale catechistico italiano-epirotico. 1752; Dario Bucciareli. Gramatica della lingua albanese, 1862; i njëjti: Udha e Krygjës. 1862; Dotrina e krishtenë. 1877; Francesco Rossi da Montalto Ligure. Regole gramaticali della lingua albanese. 1866; i njëjti: Vocabolario epirotico-italiano. 1875; i njëjti: Vocabolario italiano-epirotico. 1876, me 2.353 faqe; Leonardo de Mardino da Greci. Mundimi i Jezu Krishtit. 1875; i njëjti: L’arpa din un italo-albanese. 1881; Tommaso Marcozzi da Rapino. Kempis o t’oergiaamit e Jezu Krishtit nga Gersena. 1881; i njëjti: Moji i Majit i Nançe. 1881; Francesco Melchiori da Bieno. Sulle e rregulla e të Tretit Urdhën. 1896. 

Sprova jonë për këtë studim përfundon në fillim të shekullit XX, përkatësisht vitin 1906, kur aktivozohet përsëri Provinca e Shqipërisë. Natyrisht edhe pas këtij viti ka shumë ngjarje, personalitete dhe veprime të shumta të Urdhërit Françeskan, të cilat më vonë do të botohen në një studim të veçantë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Musa Ahmeti

DORËSHKRIMET E PABOTUARA PËR HISTORINË E SHQIPTARËVE TË AUTOËVE TË  ILLYRICUM SACRUM: RIÇEPUTIT, FARLATIT E KOLETIT

October 3, 2022 by s p

“Felix, qui potuit rerum cognoscere causas atque metus omnes”

Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra. Studiuesit, hisotrianët dhe biografët kan konstatuar se dorëshkrimet e at Riçeputit nuk janë botuar deri me sot, si rezulat i një ndryshimi përmbajtësor, tematik e konceptual të projektit të veprës Illyricum Sacrum nga ana e at Farlatit, por ato janë shpërndarë nëpër volume të ndryshme nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera dhe një pjesë tjetër është humbur pa lënë asnjë gjurmë.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria megjithëse shpesh e izoluar, ka qenë përherë në udhëkryqin e perandorive, qytetërimeve dhe civilzimeve të ndryshme. Në lashtësi, për shekuj me rradhë, ajo është gjendur në kufirin politik, ushtarak dhe kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në fillim midis Perandorisë Romake dhe qytetërimit helen, më pas në mesjetë, midis Italise katolike dhe Perandorisë Bizantine ortodokse. Më tej, deri në pushtimin e plotë nga Turqit, Shqipëria gjendej ne frontin midis Evropës së krishterë dhe Lindjes ortodokso-islamike.

Korpusi Illyricum Sacrum është një nga arritjet kryesore historiografike dhe burimologjike jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por në gjithë Europën e shekullit të 18-të. Edhepse e botuar në vitet 1751-1819, kjo vepër edhe sot e gjithë ditën ka rëndësi të dorës së parë si burim i të dhënave për historinë mesjetare të tërë Ballkanit, në veçanti të Ilirisë së lashtë. Historiografia e shekullit të XVII-të dhe të XVIII-të shquhet për ndërmarrje të mëdha botuese. Ajo ka nxjerrë në dritë vepra monumentale, që jo vetëm i kanë rezistuar kohës, por edhe u bënë udhërrëfyese për një sërë studimesh të mëvonshme, duke shërbyer si bazë për botime dhe editime serioze. Po përmendim vetëm disa nga këta editorë dhe kryeveprat e tyre kapitale si psh. R. Pirri, Ph. Labbè, J. F. Schannat, J. J. Stredovsky, M. le Quien, M Hansizio, D. Sammarthani, H. Florez, etj.

Një vështrim i përgjithshëm për këtë epokë nuk mund të fillojë pa përmendur atë që është konsideruar si themeluesi i historiografisë moderne kardinalin Caesare Baroni. Vepra monumentale e kardinal Baronit, në atë kohë prefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, dhe e grupit të tij të bashkëpunëtorëve, Annales ecclesiastici, (botuar brenda një periudhe prej 19 vitesh [1588-1607]), pasohet nga një seri veprash të tjera të kësaj natyre, siç janë veprat kapitale të autorëve të mëdhenj: Ferdinando Ughelli Italia Sacra, të cilën e botoi në vitet 1642-1648; pastaj seria hagjiografike, njëra ndër seritë më të rëndësishme të shekullit të XVII-të, me vlerë akoma të pakapërcyeshme,  Acta Sanctorum e Ioannes Bollandi-t. Të tre këta autorë përdorën metoda të reja për të shkruar historinë, duke inkorporuar tekste të nxjerra nga dorëshkrimet e dokumentet e shumta, të përshkruara me shumë korrektësi nga arkivat e bibliotekat e ndryshme, si dhe duke i shoqëruar ato edhe me citate të veprave të autorëve të nderuar, me komente në favor të argumentimit sa më të saktë të ideve dhe të mendimeve të parashtruara, duke i ilustruar me harta e tabela ndihmëse për t’i kuptuar sa më drejtë dhe sa më plotësisht ato.

Ishte pikërisht vepra e bollandistëve ajo që e frymëzoi projektuesin e veprës monumentale Illyricum Sacrum, Filip Riçeputin, për të nisur kalvarin e gjatë e të mundimshëm të mbledhjes, analizimit dhe përgatitjes për botim të burimeve dokumentare e jodokumentare që i përkisnin historisë së Ilirisë. Vlerësimi i bashkëkohësve për këtë vepër do të na përcillej me thënien e Tamburinit: “… La prima opera dopo quella dei Bollandisti, che in genere istorico e critico…”, thënie kjo me shumë kuptim, nën dritën e së cilës vlen të analizohet e gjithë vepra Illyricum Sacrum, sidomos nga ana e historiografëve, për ta kuptuar historiografinë e asaj epoke që vazhdon të jetë themel solid edhe sot e kësaj dite dhe qëndrimin kritik ndaj burimeve dhe dokumenteve burimore. Për vendet e Ballkanit Illyricum Sacrum ka një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm si njëra ndër veprat e para historiko-kritike, por edhe si vepra më e plotë burimore për këto hapësira.

Lënda burimore, dokumentare dhe literatura në korpusin Illyricum Sacrum janë jo vetëm për ilirët (por edhe për popujt e tjerë të trevave ballkanike), për shtrirjen e tyre gjeografike, jetën, organizimin shtetëror, (themelimin dhe ngritjen e qyteteve të rëndësishme iliro-shqiptare prej lashtësisë deri sot), por edhe për sukseset e disfatat: luftërat me grekët, romakët, bizantinët, anzhuinët dhe sllavët, duke trajtuar këtu edhe rezistencën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut kundër turqve, për të ardhur deri te fillimi i shekullit XVIII, përkatësisht Kuvendi i Arbërit dhe ngjarjet tjera që pasojnë në atë periudhë. Në mënyrë të veçantë në këtë korpus, trajtohet  historia e ungjillizimit të ilirëve, në periudhën apostolike në hapësirat e gjera të Ilirikut, përhapja e krishterimit, themelimi dhe shtrirja e kishave, kuvendeve, manastireve dhe katedraleve, ndarja administrative-kishtare, hierarkia katolike e provincave kishtare dhe e qendrave ipeshkvnore e kryeipeshkvnore, përfaqësimi i tyre që prej koncileve më të hershme e deri te ai Arbërit në vitin 1703, etj. Nga pikëpamja e rëndësisë së burimeve, Illyricum Sacrum mund të krahasohet me një arkiv më vete. Asnjë burim tjetër, i botuar apo i pabotuar, nuk do të mund të zinte vendin e këtij korpusi. Asnjë institucion, asnjë akademi, asnjë shtet, nuk ka mundur të bëjë një vepër të ngjashme për trashëgiminë kulturore-historike të popullit shqiptar prej kohërave të lashta e deri në mesin e shekullit XVIII. 

Ndër burimet e rëndësishme për njohjen e historisë së lashtë të Ilirisë janë veprat e historianëve dhe të gjeografëve grekë e romakë. Ilirët, duke qenë shekuj me radhë fqinjë të grekëve dhe romakëve, duke pasur marrëdhënie me ta, kanë tërhequr vëmendjen e autorëve të lashtë. Të dhëna, ndonëse të pakta, gjejmë duke filluar nga Homeri dhe Hesiodus në shekujt X-VI para Krishtit. Njoftime me interes na jep gjeografi grek Scylax, që i përket shekullit VI para Krishtit. Për shekullin e V para Krishtit, kemi njoftime më të shumta dhe më të rëndësishme nga autorët grekë si Herodotus, Hecataeus. Veprat e Herodotit dhe të Thucydides, i cili është quajtur i pari historian kritik i kohës së lashtë, kanë një rëndësi të veçantë për historinë e Ilirisë. Në “Luftën e Peleponezit” Thuqididi flet edhe për fiset ilire duke dhënë njoftime interesante mbi gjendjen e tyre në shekullin V para Krishtit. Për shekujt e mëvonshëm burimet bëhen më të shumta, më të pasura dhe më kritike. Një rëndësi të posaçme kanë njoftimet dhe gjykimet që na jep filozofi i madh grek i shekullit IV para Krishtit, Aristophanes, ndonëse të përcipta  për qytetet dhe fiset e Ilirisë, për rendin e tyre shoqëror dhe për sistemin e tyre shtetëror. Fragmente të vlefshme na kanë mbetur nga veprat e Theopompus nga shekulli IV para Krishtit, dhe të Agatharkidit nga shekulli II para Krishtit, të cilat flasin për rendin shoqëror të Ilirëve. Historinë e luftërave të Ilirëve me Romën në shekullin II para Krishtit, na e jep me hollësi historiani Polybius. Duke filluar nga shekulli I para Krishtit, burimet letrare greke plotësohen me ato romake. Krahas grekëve, Diodorus Siculus e Scymnus, njofime mbi Ilirët në shekullin I para Krishtit na japin Julius Caesar, Titus Livius dhe Pomponius Mela. 

Autorët e lashtë të shekullit I pas Krishtit, duke u mbështetur në veprat e shkruara para tyre, një pjesë e mirë e të cilave për ne janë të panjohura, bëjnë fjalë edhe për ngjarje të shekujve të kaluar. Nga këto, njoftime më të pasura dhe më të rëndësishme mbi ilirët dhe Ilirinë i gjejmë te historiani romak Appianus dhe gjeografi grek Amasenus Strabo. Historianët dhe gjeografët e tjerë të këtyre shekujve, që na japin burime të vlefshme për njohjen e historisë  së vjetër të Shqipërisë janë: Plini Plaku, Plutarchus, Dion Cassius, Flavius Arrianus, Claudius Ptolemaeus, etj, ndërsa Stefan Bizanti, i shekullit VI pas Krishtit, në fjalorin e tij na jep njoftime të autorëve antikë, veprat e të cilëve kanë humbur. Materiale për dyndjet e barbarëve gjejmë tek autorët e shek. V-VI pas Krishtit, si Amion Maecelini, Porpyrius, Procopius Caesariensis, etj.

Gjatë shekujve të shkuar Iliria kishte kaluar një lulëzim të qytetërimit latino-ilir, duke i dhënë Romës disa perandorë, në mesin e të cilëve edhe Aurelianin, Dioklecianin, Konstantin e Madh, etj. Në kohën e shkatërrimit të Perandorisë Romake, Iliria u sulmua shpesh nga popuj të ndryshëm si: vizigotët, hunët, ostrogotët, gotët, avarët, etj, të cilët territoret ilire i bënë arenë luftërash shkatërrimtare, duke pushtuar pothuajse tërë Gadishullin Ballkanik. Nga fundi i shekullit VI dhe fillimi i shekullit VII nga veriu depërtuan fise të popujve sllavë: bullgarët, serbët dhe kroatët, që për një kohë të shkurtër pushtuan pothuaj tërë Ilirinë përkatësisht territoret në mes Dravës, Moravës dhe Vardarit duke dalur deri në brigjet e detit Adriatik.

Ndërrimeve të pandërprera të pushtuesve të shumtë, ndarjeve fetare në mes të Romës e Bizantit në shekujt e mëvonshëm, si dhe coptimet teritoriale të trevave ilire [albane] në mes serbëve, bullgarëve dhe kroatëve, në shekujt pasardhës ju shtuan edhe pushtimet normane dhe venedikase, duke bërë kështu që bregdeti shqiptar, por edhe brendia, të shndërrohen në teatër luftërash të vazhdushme, ku popullsia vendëse çdoherë rrezikohej të zhdukej në forma të ndryshme, qoftë edhe me asimilim. Familjet fisnike të popullsisë vendëse, shqiptare, formuan principata të vogla lokale, duke ndihmuar edhe ato shkatërrimin e Perandorisë Bizantine. Në këtë kohë lindin shumë formacione administrative në vend të Perandorisë Bizantine, njëri nga të cilat është edhe ajo shqiptare,  Principata e Arbërit (fillimi i viteve 60 të shekullit XII) me kryeqendër Krujën, me një territor që shtrihej përafërsisht në mes të Lezhës-Durrësit dhe Ohrit. Duke qenë se Iliria, gjatë periudhave të ndryshme historike shtrihej në hapësira të ndryshme gjeografike, herë më të gjera e herë më të ngushta, autorët e veprës Illyricum Sacrum u përcaktuan për kufijtë gjeografikë të Ilirisë në kohën e perandorit Justinian. 

Pas regjistrimit dhe sistemimit të lëndës së mbledhur, të cilën Riçeputi e quante: “Bibliotheca manuscripta Illyricana” të gjithë së bashku ishin të mendimit se nuk ishte e mundur të botohej asnjë pjesë e Historisë së Ilirisë, pa u bërë krahasimet e duhura në mes të katër serive të planifikuara, për t’iu shmangur përsëritejve të shumta, në një apo në të gjitha seritë, të disa ngjarjeve, personaliteteve ose momenteve të ndryshme, që duhej të inkorporoheshin si njësi të veçanta. Psh. emri i një ipeshkvi mund të përsëritej në serinë e parë kur bëhej fjalë për ipeshkvët dhe ipeshkvitë, pastaj në të dytën kur bëhej fjalë për Sinodet kishtare, në të tretën kur bëhej fjalë për shenjtërit dhe në të katërtën ku ishin të renditur rregulltarët, etj.  Një gjë e tillë, do të vononte shumë fillimin e botimit të veprës, gjë që autorëve do t’u sillte kokëçarje të shumta, ngase ata të cilët prisnim me padurim botimin e veprës ishin në fund të durimit, ndërsa numri i kundërshtarëve të një botimi të tillë sa vinte e shtohej; në anën tjetër, autorëve u ofrohej mundësia që të vazhdonin me hulumtime dhe me studime të tjera, veçanërisht në veprën madhore Acta Sanctorum të cilën po e përgatitnin bollandistët dhe kishin arritur të botonin 50 vëllime në format in folio; pastaj të konsultonin veprat e shumta të autorëve antik historianëve e gjeografëve, të cilat më parë nuk kishin arritur ti shfrytëzonin si dhe botimet më të fundit, të autorëve të shumtë të fushave të ndryshme. 

Megjithatë kundërshtarët e Riçeputit ishin shumë aktivë, pos të tjerash, botuan edhe një broshurë kundër tij dhe punës që bënte. Në mesin e kundërshtarëve kishte njerzë të njohur nga jeta publike, intelektualë dhe prelatë kishtarë, veçanërisht të zëshëm ishin disa anëtarë të urdhërit të Jezuitëve. Gjatë kohës derisa mblidhte burimet dhe dokumentet për veprën e tij nëpër Dalmaci, Riçeputin e kundërshtojnë me forcë një grup intelektualësh dhe klerikësh dalmatinas, të cilët dërguan letra të shumta me akuza të rënda kundër tij, në: Dubrovnik, Riekë, Zagreb, Venedik, Padovë dhe Romë, por pa arritur ndonjë sukses. Kërcënimet arrinin deri aty sa kishte raste kur kundërshtarët kërkonin ta padisnin në gjyq ose shkonin edhe më larg në kërcënimet e tyre sa pohonin se do ta vrisnin fare nëse nuk do të hiqte dorë nga puna e filluar për të shkruar veprën Illyricum Sacrum. Shumë aktiv ishte edhe inkuizicioni venedikas dhe censura. Disa nga këto të dhëna, por edhe shumë të tjera, ruhen në korrespodencën e Riçeputit e cila tash ruhet e shpërndarë në Venedik, Firencë, Vatikan, Padovë, Zagreb, Romë, Friuli, etj. 

Në këtë kryevepër është mbledhur gjithçka që ka qenë e mundur të mblidhet sipas metodës dhe kritereve të shkencës hisotrike të asaj kohe. Shkencëtarët, hisotrianët dhe studiuesit, jo vetëm të asaj kohe, por edhe në shekujt e mëvonshëm si psh: Assemani, Sommervogel, Theiner, Valentinelli, Sufflay, Combi, Ljubić, Jireček, Katalinić, Šišić, Bulić, Patriaraca, etj, me respektin më të madh kanë pranuar punën rezulatet që kanë arritur autorët e veprës, duke e quajtur atë si një vepër e jashtëzakonshme historike, natyrisht, duke theksuar edhe lëshimet e natyrshme të kohës, si rrjedhojë e kushteve objektive, por edhe faktorëve të ndryshëm shoqëror, kultuor dhe politik.

Ç’është e vërteta, sikur për çdo veprë tjetër, edhe për Illyricum Sacrum ka mendime, vërejtje dhe shkrime kritike. Ndër më kritikët, ishte njëri nga vetë autorët e veprës, at. J. Koleti, i cili shkruante se në vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum kishte shumë liri në interpretime dhe shkrimin e hisotrisë, derisa në vëllimet e fundit mungonte hisotria dhe shqyrtimi historik; “alterum quod nimiae scribendi licentiae aliquando indulserit in prioribus Tomis, alterum quod in postremis jenjuna aliquando arescat historia”. Në vazhdim, at Koleti nuk e mohon mundësinë e ndonjë lëshimi apo gabimi të paqëllimshëm të at Farlatit, por thekson se ai ishte shumë kritik ndaj burimeve dhe dokumeteva me të cilat punoi gjatë tërë jetës së tij; “haud negavero, aliquoties Faraltum errasse … Nam quod ad artem critices spectat, hanc Daniel apprime novit”. Disa të tjerë, at Farlatin e kanë kritikuar për faktin se ka përdorur disa bula papnore dhe burime tjera kishtare; dokumente të sundimtarëve dhe princërve ballkanas, legjenda dhe tregime popullore, duke i konsideruar ato si origjnale, të sakta dhe burime të dorës së parë; që sipas kritikëve nuk ishin të tilla. Por, në të vërtet, as at Farlati, e as at Riçeputi, nuk kishin pasur mundësi që të hulumtonin saktësinë dhe origjianlitetin e burimeve, dorëshkrimeve, dokumenteve dhe të dhënave tjera, ngase në atë kohë, nuk ishte e hulumtuar dhe studiuar në një shkallë të lartë, [psh. sikur në ditët e sotme], hisoria e Ilirisë në përgjithsë dhe asaj kishtare në veçanti. Nuk kishte rrezultate të mjaftuara të gërmimeve arkeologjike; korpuset e dokumentave me me lëndë arkivore sapo kishin filluar të botoheshin apo nuk ishin botuar ende; mungonin studimet krahasimtare në shumë fusha të shekncës, por, edhe qëndrimet e autorëve në veprat e botuara që kishin në dispozicion autorët e Illyricum Sacrum, nuk përmbushin kërkesat më elementare të studimeve të thelluara shkencore me metoda bashkëkohore. Prandaj mund të pohohet se kryevepra Illyricum Sacrum, është një vepër e rëndësisë së dorës së parë, për vetë faktin se në të gjejmë një numër shumë të madh dokumetash, të cilët autorët të shumtën e rasteve, i sjellin komplet, të pashkurtuara, orignalet e të cilave sot janë zhdukur apo kanë humbur pa gjurmë.

Në kryeveprën monumentale Illyricum Sacrum, punuan tre gjenerata studiuesish: at Filip Riçeputi, at Daniel Farlati dhe at Jakob Koleti, të cilët, në një periudhë kohore prej 124 vjetësh [1695-1819], hulumtuan, mblodhën dhe studiuan burime të shumta dhe të shumëllojshme; dorëshkrime dhe dokumente; libra të rrallë dhe modernë të kohës, hartuan disa prospekte të veprës, përpiluan tetë vëllime me indeksa si dhe shkruan më shumë se njëqind katalogje të ndryshme, që përfundimisht nga viti 1751 deri në vitin 1819 të botojnë tetë vëllimet e kryeveprës së tyre Illyricum Sacrum, për të lënë në dorëshkrime me qindra vëllime dokumentesh dhe burimesh të dorës së parë, për historinë e Ilirisë ose thënë ndryshe të Gadishullit Ballkanik dhe popujve që jetuan dhe ende jetojnë aty.

Nga at F. Riçeputi është themeluar “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum” qëllimi i të cilit-ës ishte ruajtja e lëndës arkivore për shkak të rëndësisë që kishte për brezat e ardhshëm. Këtu ishte mbledhur pothuajse gjithçka që kishte të bënte me historinë kishtare dhe laike të Ilirisë. Ishte sjellur nga Illira, por edhe nga Italija, Vatikani, Austria, Shqipëria, Dalmacija, Gjermania, Hungaria, e vende të tjera, lëndë arkivore origjnale ose e noterizuar. Në këto burime trajtoheshin martirët, shenjëtorët, kronikat e ndryshme me të dhëna për historinë e urdhërave kishtare, portokole e letra të papëve, si dhe e tërë ato që autorët antikë dhe të kohës kishin shkruar dhe mund të shfrytëzohej për veprën Illyricum Sacrum. Pra, thënë shkurt, ajo me vërtet ishte një “thesar” dorëshkrimesh, dokumentash, librash dhe burimesh tjera, për shkak të rëndësisë hisotrike që përmbante në vete.

Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra. Më 30 dhejtor të vitit 1741, at F. Riçeputi përgaditi për Nuncin Apostolik në Venedik, katalogun e detajuar të bibliotekës së tij, “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum”. Një kopje e këtij katalogu ndodhej në Vis të Kroacisë, të cilin e kishte përshkruar studenti, Anton Nisiteo. Më vonë ky dorëshkrim i këtij katalogu kishte mbërritur në Bibliotekën e Gjimnazit të Zarës, ku ruhej në fondin e dorëshkrimeve me signaturën nr. 3915. E tërë kjo bibliotekë, u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të edhe dorëshkrimi i katalogut të at Riçeputit. Mbledhja, sistemi, hulumtimi dhe studimi i lëndës burimore, at Riçeputit i mori pjesën më të madhe të jetës së tij, dhe ky ishte një nga shkakqe që ai nuk arriti të botonte asnjë vëllim të Illyricum Sacrum sa ishte gjallë, por ai, në të vërtet përgaditi për shtyp disa vëllime të projektit të tij, dhe për vëllimin parë dhe të dytë mori lejen e cenzorëve. Mendimet e censorëve dhe prelatëve kishtarë që u bënë me shkrim për vëllimet e përgaditura të at Riçeputit janë vërtet të shkëlqyera.

Në bazë të hulumtimeve të bëra mund të pohojmë me sigurinë më të madhe se kjo gjendje e Musaeum Illyricum ose Bibliotheca manuscripta Illyricana, ishte në fund të vitit 1741. Pas këtij viti, është bërë një grumbullim i vazhduar i burimeve, lëndës arkivore dhe literaturës tjetër, si nga at Faralti ashtu edhe nga at Koleti, por, autorët e Illyricum Sacrum nuk na kanë lënë ndonjë regjistër, katalog, index apo çfardo shënimi tjetër për këtë. Ndërrimi konceptual i planit fillestar të Illyricum Sacrum nga ana e at Riçeputit, gjë që vërehet nga Prospectus-it e tij, ka bërë që e gjithë lënda e mbledhur të risistemohej, por nuk është pregaditur një regjistrim i ri.

Studiuesit, hisotrianët dhe biografët kan konstatuar se dorëshkrimet e at Riçeputit nuk janë botuar deri me sot, si rezulat i një ndryshimi përmbajtësor, tematik e konceptual të projektit të veprës Illyricum Sacrum nga ana e at Farlatit, por ato janë shpërndarë nëpër volume të ndryshme, pa shënuar vendodhejn e parë, fillimisht sipas konceptit të ri të veprës, që më vonë, një pjesë e tyre t’iu kthehen pronarëve të mëparshëm, një pjesë të shpërndahet falas nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera dhe një pjesë tjetër të humbet pa gjurmë.Kërkimet dhe hulumtimet për të zbuluar fatin e tërë lëndës së grumbulluar kanë dhënë rezultate të pjesëshme edhepse ato janë bërë nga specialist, arkivist, historianë dhe studiues të njohur, nëpër biblioteka, arkiva dhe institucione tjera, në shumë vende, duke filluar që nga fundi i shekullit të XVIII e deri në ditët e sotme.Për fatin e burimeve, dorëshkrimeve dhe literaurës tjetër, ishin interesuar disa shtete, institucione dhe persona derisa ishte gjallë vetë at Riçeputi, por edhe pas vdekjes së tij. Kështuqë, fillimisht, pronarët e dorëshkrimeve dhe dokumentave, insistuan që t’ju kthehen prapa ato që i kishin huazuar.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

JERONIM DE RADA NJËRI NGA RILINDËSIT E MËDHENJ FRYMËZUES PËR NGRITJEN E VETËDIJES KOMBËTARE

September 24, 2022 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Letërsia shqipe është sunduar për afro një shekull prej kultit të epopesë. Shkrimtarët e mëdhenj rilindës e shihnin veten përgjegjës ndaj epopesë kombëtare. Nga kjo përgjegjësi lindën vepra të rëndësishme prej më të mëdhenjve të letrave shqipe, që prej De Radës e Naimit deri tek Fishta. 

Edhe në periudhën postromantike, deri tek Migjeni, letërsia shqipe ka përjetuar një ndjenjë detyrimi ndaj epopesë. Naimi shkroi poemën e gjatë epike „Istori e Skënderbeut“, kurse De Rada mblodhi e botoi „Rapsodi të një poemi arbëresh”. Një lloj epopeje në stilin e vet është edhe „Qerbelaja“. Ndërsa “Lahutën e Malcis” disa studiues (M. Lambertz) e kanë konsideruar “epopenë e madhe” të shqiptarëve, duke e fqinjësuar me ciklin e kreshnikëve, si “epope e vogël”. 

Sikurse shumica e popujve europianë, shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e krijimit të epopesë gojore legjendare” qysh në kapërcim të mijëvjetëshit të parë a ndoshta më herët. Eposi legjendar me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare dhe bënte jetën e vet si art gojor. Por kjo epope do të mbetej jashtë vëmendjes kombëtare e ndërkombëtare deri vonë. Për herë të parë bëhet e njohur se ekzistojnë këngët epike legjendare të shqiptarëve në vitin 1896, prej një teksti të tejshkruar dhe botuar nga gjuhëtari G. Majer. 

Në konceptin për epopenë dhe qendrimin ndaj saj jemi të prirur t’i mbahemi mendimit klasik të shprehur nga Gëte e Shiler, se objekt i epopesë është e kaluara epike etnike, “e kaluara absolute”; që burim i epopesë është ndërgjegjja dhe kujtesa e bashkësisë, jo përvoja individuale e subjeteve të marrë veçmas dhe që epopeja është kulti i të parëve të fisit, në kuptimin e burimit etnik të një populli. 

Ky koncept përbën një referencë të rëndësishme për të vënë kufij terminologjikë ndërmjet prirjeve për të historicizuar epopenë, pa rënë në gabimin tjetër, të vjetërimit fiktiv (artificial) të saj. Kur kënga epike popullore doli prej stadit të gojëdhënës kombëtare, në lavdërimin e bëmave të heronjve të përveçëm, shekulli i epopesë u mbyll e në vend të saj nis të zhvillohej miti historik. Miti historik dhe miti legjendar qendrojnë përkundruall njëri-tjetrit si historia me prehistorinë. Me anë të miteve legjendarë popujt shkojnë në burimin e tyre, kurse me anë të mitit historik identifikohen përpikërisht në një mjedis. Në mitin legjendar ka kohë („hronos“), kurse në mitin historik ka kohë dhe „kohëtore“ („hronos“ dhe kronikë). 

Në kuadër të këtij koncepti, puna dhe lidhjet e De Radës me traditën e poezisë gojore mund të shihen në dy pikëpamje: si ndikim i folklorit në krijimtarinë vetjake të poetit dhe si kontribut i tij për mbledhjen dhe botimin e letërsisë gojore. 

Janë bërë shumë studime për të dyja këto aspekte, që prej Nikollë Jenos e Markianoit, deri tek Çabej e Shuteriqi, Kastrati e Varfi, Uçi e Sejdaj, Haxhihasani e Xhiku dhe studiues të tjerë më të rinj. Disa çështjeve u është dhënë zgjidhje teorike, disa të tjerave u është dhënë zgjidhje praktike. Një zgjidhje e tillë është ajo që zbatoi Instituti i Folklorit në Tiranë në vitin 1961, duke e përfshirë në tërësi lëndën e veprës “Rapsodi e një poemi arbëresh” në vëllimin e parë të “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”. 

Problemi është ndërlikuar disi nga fakti se, për nevoja të njohjes, vetë letërsia kulte e De Radës është prurë në shqipen e sotme nga disa autorë, në shumë variante; proces që ende nuk mund të quhet i mbyllur. Ekzistenca e saj në variante, sido që e shpjegueshme me shkaqe gjuhësore, formalisht shtron problemin e funksionimit të letërsisë sipas parimeve të qarkullimit folklorik. 

Eshtë për t’u vënë re se shpesh lidhjet e De Radës me folklorin janë vështruar si lidhje rrjedhimore, kryesisht si raporte të një poeti romantik me kulturën kombëtare. Madje ka pasur studime që i kanë teorizuar e funksionalizuar aq shumë këto lidhje, sa ta kushtëzojnë shpjegimin e tyre me çështjen homerike, me opozicionin e përjetshëm të unitarianëve dhe separatistëve dhe me çështje të tjera globale të historisë dhe të teorisë së letërsisë, veçmas të epit. 

Çështja që kërkon parashtrim është shumë e thjeshtë: vëmendja e De Radës ndaj folklorit, sidomos ndaj epopesë, ishte e vetvetishme, e lidhur me qenien e tij poetike, apo për shkak të frymëzimit të tij romantik? 

Përkundër disa vlerësimeve të njohura, duket se lidhjet e De Radës me traditën gojore nuk burojnë nga ndonjë teori dhe nuk janë aplikim, aq më pak thjesht një rrjedhim i romantizmit. Këto janë lidhje që do të mbeteshin të nënçmuara duke i kushtëzuar me teoritë dhe shkollat letrare, cilatdo qofshin ato, pavarësisht se nuk mund të mohohet ndikimi i tyre. 

Kulti i epopesë tek De Rada është pjesë e mitit të së shkuarës, e hyjnizimit të “motit të madh”. Nëse kjo çështje do të shihej në mënyrë teknokratike, atëherë do të duhej të pranohej se romantizmi i De Radës është romantizëm prapavajtës. Karakterizimi teorik i romantizmit si drejtim dydegësh, futurist-utopik dhe retrospektiv, do të bëhej pengesë për të kuptuar në tërësi veprën e tij. 

De Rada dhe poetë të tjerë të Rilindjes iu drejtuan epokës arbërore jo për ta arratisur veten dhe lexuesin në thellësitë e historisë, por pikërisht për të nxitur frymën e ndryshimit dhe besimin për një Shqipëri tjetër. 

Kulti i epopesë tek De Rada dhe tek disa shkrimtarë të tjerë të fillimeve të Rilindjes shfaqet gati-gati në formën e një ankthi. Nuk është se De Rada, siç ishte në modë tek romantikët, kishte ndonjë paragjykim letrar, se duke i paraqitur veprat e veta si traditë popullore do të fitonte më shumë lavdi. Shqetësimi për epopenë në thelb tek De Rada nuk është një shqetësim përjashtimisht letrar, por shqetësim që lidhet me pohimin e identitetit kombëtar. 

Nëse pranohet se romantizimi nuk përbën një arsye të vetëmjaftueshme për të shpjeguar vlerësimin dhe vëmendjen e De Radës për folklorin, rezulton i tepërt çfarëdo diskutimi nëse ai mistifikoi, manipuloi apo mashtroi, duke shërbyer letërsinë si folklor apo anasjelltas, duke ndjekur Merimenë apo Makfersonin, kur vendosi të botojë “Rapsodi të një poemi arbëresh” si një përmbledhje këngësh popullore, apo “Rrëfimet e Arbërit”. 

Që lënda poetike e “Rapsodisë shqiptare” është mbledhur nga këngëtarë popullorë dhe nuk është fabrikuar si imitim i saj prej De Radës, kjo është një çështje tashmë e provuar. Vetë De Rada pohon se një pjesë të këngëve të librit “Rapsodi e një poemi arbëresh” nuk i kishte mbledhur vetë, por miku i tij Engjëll Basileu (1834). Një pjesë tjetër e këngëve gjendet edhe tek “Shtojca” e “Gramatologjisë shqipe” të Kamardës. Nga studiuesit më vonë është bërë e ditur se një numër këngësh të kësaj përmbledhjeje janë të njëjtat me ato që përmban “Dorëshkrimi i Kieutit” (1737), i cili ishte mbledhur një shekull e ca më herët se botimi i De Radës. Motive thuajse përpikërisht analoge të këngëve të “Rapsodisë shqiptare” rezultojnë të jenë mbledhur jo vetëm prej veprimtarëve arbëreshë të letërsisë, madje më herët se De Rada, si Vinçens Dorsa e Zef Ferrari, por edhe nga Thimi Mitko, që përfundimisht është më i padyshimti për manipulim me tekstet e letërsisë gojore. Veç kësaj, sikurse është provuar prej breznive më të reja të mbledhësve të folklorit, duke përfshirë Ndon Belushin, ka shumë motive të tjerë që kanë mbijetuar në formë gojore deri në vitet 1960-1970 të shekullit të 20-të. 

Kulti i epopesë tek De Rada përjashton manipulimin me lëndën bazë. Ai shprehet kryesisht në përpjekjen për t’u dhënë teksteve gojore të mbledhura frymën dhe pamjen e një poeme, të një libri të pandashëm. Por a ishte ky një gabim i poetit? A kishte të drejtë De Rada ta kërkonte në popull epopenë dhe a sillte deformim në letërsi e në folklor krijimi, në vend të saj, i një epopeje imagjinare, me lëndë popullore? 

Kur De Rada nisi të punojë për përgatitjen e botimit të “Rapsodi të një poemi arbëresh” mbledhësit e folklorit ende nuk e kishin prekur eposin e kreshnikëve. Nga cikli legjendar i së shkuarës absolute nuk kishin gjë as Mitkoja, as Spiro Dine. Do të duhej të kalonin edhe disa dekada, derisa në vitin 1896 G. Majer do të botonte të parën këngë të ciklit të kreshnikëve dhe pak vite më pas do të shtohej diçka në “Gramatikën shqipe” të Gasper Jakova – Merturit. Në këtë kuptim, De Rada i dha formën e një epopeje përmbledhjes “Rapsodi e një poemi arbëresh”, në kushtet e mungesës së një epopeje të vërtetë legjendare. Kjo qe një punë mjaft e mundimshme, sepse, në konceptin e De Radës, ishte i qartë dallimi ndërmjet së kaluarës absolute dhe së kaluarës relative, të cilave në pikëpamjen letrare u përgjigjej epopeja legjendare dhe epopeja historike. 

Nuk e dimë nëse De Rada e kërkoi eposin legjendar tek këngëtarët arbëreshë. Dihet se gjurmë të eposit tek arbëreshët nuk u gjendën as atëherë, as më vonë; sikurse nuk u gjendën as tek arvanitasit, madje as të ngulimet relativisht të vonshme, si arbëreshët e Zarës e kelmendasit e Sremit. 

Eshtë një çështje e mprehtë, që kërkon shpjegim prej shkencës së etnologjisë,  pse tek shqiptarët e shpërngulur mbijetuan mirë lirika, kënga e dasmës, vajtimi, fondi i baladave, urimet dhe ngushëllimet, përshëndetjet dhe mallkimet, deri në një farë mase edhe epika historike, kryesisht ajo për Skënderbeun, kurse gjurmë të eposit nuk mbetën. Duke mos e vënë në dyshim arritjen e kësaj shkence në përfundimin se eposi shqiptar ishte mbyllur në kohën e fillimit të periudhës osmane, do shpjeguar pse nuk u ruajt në mjedisin e ri kulturor. Argumenti se popullsia e shpërngulur në mjediset e reja demografike (Itali, Greqi, Kroaci) nuk vinte prej “zonës së ciklit legjendar” jo vetëm që nuk është i mjaftueshëm, por, madje, mund të qortohet shkencërisht. Dihet se shpërnguljet e shqiptarëve kanë qenë stacionare. Në zonën bregdetare jugore të Shqipërisë përsëriten edhe sot emrat e mbiemrat tripjesësh karakteristikë të malësorëve të Shqipërisë së veriut (Gjidede, Gjipali, Gjonkutaj). Në poemat e De Radës dalin krahas njëri-tjetrit si toponime të të njëjtit mjedis Himara dhe Scutari. Të mos flasim për kelmendasit e shpërngulur në fillim të shekullit të 18-të e të vendosur në Srem dhe Hrtkovc, që gjithashtu nuk ruajnë gjurmë të epikës legjendare. 

Meriton të njëjtën vëmendje edhe fakti që, ndërsa në ngulimet e hershme shqiptare jashtë vendit kujtesa e eposit u errësua, përkundrazi, në hapësirën historike shqiptare mbijetoi eposi legjendar, por epika historike për Skënderbeun u shua dhe në traditën folklorike heroi kombëtar mbërriti në kohët moderne vetëm “mbas gojëdhanash”. Ndoshta teoritë letrare nuk do të mjaftonin për një shpjegim përmbyllës. Njëfarë ndihme mund të vijë prej teorive frojdiste e post-frojdiste, duke ditur që lirika është e lidhur kryesisht me ciklin e jetës njerëzore, “prej djepit në varr”, me dashurinë, martesën, lindjen dhe vdekjen, nocione që kanë kuptime të ndryshme nën censurë e mbi censurë, nën vetëdije dhe në vetëdije. 

De Rada i ka shprehur në mënyrë terminologjike raportet e veta si mbledhës dhe botues i përmbledhjes “Rapsodi e një poemi arbëresh”. Eshtë thënë se në titullin e kësaj përmbledhjeje fjala “rapsodi” ka kuptimin e këngës, kur dihet mirë se De Rada përdor fjalën arbëreshe “kangjelje” për “këngë”. Në përdorimin terminologjik fjala “rapsodi” ka kuptimin e bashkëlidhjes së rrëfimeve popullore. Në një kalkim prej greqishtes, të cilën De Rada e njihte, rapsodi do të thotë “qep, lidh”, nga rrënja “rapt” dhe “epe, rrëfime, këngë”, po nga greqishtja “ode”. Në të vërtetë De Rada bëri pikërisht punën e bashkëlidhjes dhe renditjes së këngëve popullore, sipas termit që zgjodhi, duke kryer detyrën e vështirë të bartjes së kumteve gojorë në kumte të shkruar. 

Shërbimi më i rëndësishëm që i bëri De Rada traditës folklorike shqiptare është identifikimi, përzgjedhja dhe botimi i këngëve popullore të ciklit të Skënderbeut. Bota arbëreshe është e vetmja që ruajti epikë historike gojore për Gjergj Kastriotin, duke e shpëtuar traditën folklorike shqiptare në përgjithësi nga një mangësi e madhe. Se sa burimore janë këngët e këtij cikli, kjo dëshmohet prej frymës dhe formës njëherësh. Në këngët e arbëreshëve të Italisë vdekja e Skënderbeut paralajmërohet si një gjëmë qiellore. Moti gjëmon nga vetëtimat dhe bubullimat, toka tronditet e çahet. Ky përfytyrim të sjell ndërmend përshkrimet evangjelike të kryqëzimit të Krishtit. 

Në mesin e viteve 1950, Stavro Skëndi, një dijetar shqiptaro-amerikan, duke u marrë me lidhjet e eposit shqiptar me eposin e bosnjakëve muslimanë dhe më gjerë me këngët epike sllave në përgjithësi, pa lënë jashtë kujdesit këngët akritike greke, pati vënë re me mençuri ndikimin e motiveve dhe figurave biblike në këngët e hershme historike ballkanike, në radhë të parë në ciklin e Skënderbeut tek shqiptarët dhe pastaj në ciklin e Krajleviq Markos tek sllavët. Skëndi bën një përpjekje që mund të vlerësohet e suksesshme për të theksuar “një frymë të krishterë” të këtyre këngëve. Vetë kjo frymë është një fakt që provon hershmërinë e këngëve të ciklit të Gjergj Kastriotit. Pa dyshim se arbëreshët u ndanë nga atdheu i tyre duke marrë me vete si kujtim lavdinë e kryezotit Skënderbe si heroi i besimit. Shkenca do të zbulonte më vonë heroin kombëtar. 

Tejshkrimi i kumteve gojorë në kumte letrarë është një proces i vështirë edhe sot, kur mjetet e teknikës kanë bërë të mundur ruajtjen e dëshmive zanore dhe matje të përpikëta fonologjike. Për këtë arsye folkloristët njohin tejshkrime me shkallë të vogël apo me shkallë të lartë gabueshmërie. Ky rrezik nuk ekziston për letërsinë. Prandaj shpesh për të dalluar tekstet folklorikë prej atyre letrarë kërkohen “lapsuset” dhe paqartësitë kuptimore. Të tilla mund të gjenden edhe tek „Rapsodi e një poemi arbëresh”. Eshtë me vend të përmendet se në ciklin e këngëve për Skënderbeun, siç ruhet tek arbëreshët, pikërisht në këngën për martesën e Gjergj Kastriotit, kur flitet për zgjedhjen e tij, thuhet: “Katar dërgoni tek zonja / te Donikë Marinëza”. Këtu emri i vajzës së princit të Arianitëve del si epinom, sikurse ishte ruajtur në gojëdhënat e arbëreshëve dhe sikurse del edhe sot tek shqiptarët e Bregdetit: “Skënderbeu u martua me Marinën, të bijën e Aranitit, princit të Himarës”. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një përdorim përkëdhelës të emrit “Maria”. Ndërsa leximi i këtyre dy vargjeve duket se ka shkaktuar keqkuptime pikërisht për shkak të tejshkrimit të gabuar të fjalës “kartë“ (“Kartë dërgoni te zonja / te Donikë Marinëza“), gabimisht e kuptuar si toponim, thuajse në të gjitha botimet (“Katar“). Këto “gabime“ në transkriptim janë pjesë e procesit të kalimit prej oralitetit në literalitet, prej gojshmërisë në letërsishmëri. 

De Rada kishte njohuri të thella gjuhësore dhe me ekzigjencë ka paraqitur jo vetëm vlerat fonologjike të arbërishtes, por edhe disa dukuri gjuhësore me burim të moçëm, si dyfishimi i zanores së theksuar dhe sidomos theksi tonik dhe, herë-herë, ai gnomik-topik, që kërkon leximin përkatës, leximin e kënduar. Identifikimi i këtyre arkaizmave gjuhësore, brenda ligjërimit arkaik të arbëreshëve, është shumë i rëndësishëm për të provuar burimin gojor të teksteve dhe për të vërejtur se në ç’masë vuri dorë poeti. 

Një çështje që nuk mund të shmanget në rastin e shqyrtimit të raporteve të De Radës me epopenë përgjithësisht e me “Rapsodi të një poemi arbëresh“ veçmas është nëse ai arriti ta çlirojë veten nga ankthi i ekzistencës së një epopeje kombëtare, një vlerë etnoformuese dhe etnoidentifikuese për atë periudhë. “Rapsodia shqiptare“ lejon të konkludohet se poeti arriti të krijojë një epope historike, me një Shqipëri ideale, të mbushur me bujarë, fisnikë, baronë, kontë, zotër e kryezotër, princër e dukë, familje të mëdha patronimike, peshkopë dhe klerikë të lartë, heronj dhe kryetrima. Me “Rapsodi të një poemi arbëresh“ De Rada u krijoi bashkatdhetarëve një atdhe shpirtëror dhe shqiptarëve një Shqipëri ideale. 

Epopeja që formoi De Rada me këngët e popullit ka një gjeografi dhe toponimi historike reale. E njëjta gjë ndodh edhe me emrat e përveçëm të zotërve arbër. Kjo është aq e vërtetë, sa autoriteti i toponomastikës letrare të De Radës u imponua edhe mbi toponomastikën që kishin krijuar arbëreshët në botën e tyre të vogël shqiptare përtej Adriatikut. Zor se mund të jetë përsëritur ndonjëherë që emri gjeografik letrar të ketë zënë vendin e emrit historik-real, siç ndodhi, pikërisht nën autoritetin e artit të De Radës, ndërrimi i emrit të “Piana dei Greci“ në “Hora e Arbëreshëve“. Kjo ndodhi edhe me heronjtë e këngëve të poemit arbëresh, duke përfshirë Pal Golemin me psherëtimën e tij gjëmëtare. Për shkak të fuqisë së këngës, me botimin në përbërje të “Rapsodisë“, prej shumë arbëreshëve konsiderohej një personazh historik. 

De Rada pati një vështirësi të madhe për të krijuar epopenë. Lënda popullore që gjeti në thelb kishte një problematikë homocentriste, kurse epopesë i duhej një lëndë etnocentriste. Lënda poetike popullore kishte heronj të idilizuar, pa trimërira të bujshme, pa epizëm deklamativ. De Rada arriti të krijojë një epope me folklorin që mblodhi duke e kërkuar fatin e bashkësisë tek fati i individit, përkundër rendit që do të kërkonte një epope. 

“Rapsodi e një poemi arbëresh“, duke qenë një përmbledhje këngësh që u ruajtën në një mjedis kulturor ishullor, ku zakonisht zhvillimet ngadalësohen dhe proceset ruajtëse përforcohen, merr një rëndësi të posaçme për krahasimin e zhvillimit të traditës gojore prej mesjetës në kohët moderne. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

RIBOTOHEN PËR HERË TË PARË KOMPLET INICIALET E VEPËRS ANTIKUAR TË MARIN BARLETIT HISTORIA DE VITA ET GESTIS SCANDERBEGI EPIROTARUM PRINCIPIS

September 19, 2022 by s p

Për herë të parë për studiuesit, historianët dhe lexueist shqiptarë, sjellim në një vend të gjitha inicilat (nistoret) nga libri antikuar i Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Vlerat e këtyre nistoreve, roli dhe përbajtja e tyre në vepër. Kur u botua vepra e Marin Barletit dhe kush është botuesi i saj me origjinë shqiptare, Bernardinus de Vitalibus?

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Hapja e debateve të reja shkencore, ose rizgjimi i atyre që konsiderohen si të mbyllura përgjithmonë ka qenë dhe mbetet një ndër misionet më të vjetra të shkencëtarit me qëllimin që këto debate të nxisin kontribute të reja në shkencë dhe të hapin dyer të reja për hulumtime. Shkencëtari për nga natyra është ai që shikon rrugë e mënyra të reja të trajtimit të një çështje dhe të hapjes së një problemi aty ku syri i një njeriu normal shikon një të vërtetë absolute që nuk ka nevojë dhe mundësi të vihet në pikëpyetje nga asnjë këndvështrim. 

I kësaj natyre është edhe datimi i veprës më të njohur deri më sot për Skënderbeun, dhe pikërisht i asaj të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Pavarësisht se asnjë nga ksomblat më të hershme të këtij botimi nuk kanë pasur asnjëherë deri më sot vit botimi, (nëse me këtë rast përjashtojmë ksomblën – inkunabulë nga Bilbioteka ELTE e Budapestit e cila në kolofon dhe në portretin e Gj. K. Skënderbeut ka të shënuar vitin 1493, me gjasmë duhet të jetë vepër falsifikat) është rënë dakord shumica e studiuesve dhe historianëve se botimi më i hershëm i kësaj vepre duhet të jetë bërë diku midis viteve 1508-1510. Debati për këtë datim është konsideruar i mbyllur me këtë aksiomë të pranuar pothuajse nga të gjithë, dhe çdo përpjekje për rihapjen e këtij debati ka dështuar deri më sot për mungesë “provash!”

Duke qenë se viti i botimit të njërit prej librave më të rëndësishëm të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka qenë një prej elementeve munguese në të gjitha ksomblat e njohura deri më sot të këtij libri, kjo gjë i ka çuar të gjithë studiuesit dhe historianët ta marrin me hamendësim këtë të dhënë duke e nxjerrë atë në mënyrë të tërthortë nga përmbajtja apo nga elemente të tjera të botimit të tij. Sigurisht që hamendësimet e ndryshme kanë çuar në rezultate të ndryshme disa më kryesoret e të cilave do t’i përmendim në vijim. 

Hamendësimet dhe mendimet kryesore që kanë mbizotëruar për vitin e botimit të veprës së Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis pluskojnë në periudhën kohore prej vitit 1502 [E. Çabej, Kastritotët. Në: Studime gjuhësore. (Botimi i dytë). Prishtinë, 1988, vëll. V, f. 328] deri në vitin 1521-1522 [Aurel Plasari, Arbëria e Skënderbeut dhe Burgundi i Filipit të Mirë. Në: Skënderbeu dhe Europa. Tiranë, 2006, f. 128, ref. 8]. Megjithatë, si vite më të përafërta, për të mos thënë të sakta, kudo janë konsideruar vitet 1508-1510. Kështu shkruhet viti i botimit i kësaj vepre edhe në pothuajse të gjitha katalogjet e bibliotekave evropiane që e kanë këtë vepër në fondet e tyre, megjithëse ka edhe nga ato biblioteka që shënojnë si vit të mundshëm botimi vitet 1506, 1508, 1510, 1520… etj.

Pavarësisht nga sa u tha më sipër, duhet të pohojmë edhe faktin që ka pasur edhe studiues të cilët vitin e botimit të këtij libri e japin jashtë kornizës së sipërpërmendur duke thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. Këtë informacion, e aktualizon historiani rumun, Francisc Pall, në studimin e tij: Marino Barlezio: uno storico umanista. Në: Melanges d’Histoire Generale. Cluj, 1938, v. II, f. 135-315. 

F. Pall, shkruan se Jovan Popović (Život i viteža kneza Epirskoga Đorđa Kastriota Skenderbega. Opisana Ioannome S. Popovićeme.  Budim, 1828, f. V), dhe Vilmos Fraknói, (A Hunyadiak es a Jagellok kora (1440-1526). Budapest, 1896, f. 667) shënojnë si vit botimi të këtij libri vitin 1493, por duke qenë se ata nuk sjellin ndonjë burim të caktuar për të mbështetur këtë datë, F. Pall e konsideron si gabim vitin 1493. Ky veprim i F. Pallit, deri diku mund të duket i arsyeshëm, sepse përveç këtyre dy autorëve të lartëcekur, të cilët veprat e tyre i kishin botuar në Hungari, të gjithë të tjerët kanë konsideruar si të më të përarfërta vitet 1506-1510. Natyrisht, ka edhe disa hamendësime të ndonjë autori, veçanërisht bibliografi, të pa mbështetura në ndonjë burim të saktë, se viti i botimit mund të lëvizë në mes viteve 1508-1522.

Në historiografinë shqiptare, studiuesi Aurel Plasari është i pari që është marrë seriozisht me analizimin e hamendësimeve për vitin e botimit të veprës të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, duke e vendosur datën e botimit rreth viteve 1515-1522. Pra, A. Plasari kishte shumë të drejtë për një ndërlikim të kufijve kohorë të botimit të librit të M. Barletit. Në fakt, nuk ishte i pari Norton (F. J., Norton, Italian printers, 1501-1520. An Annotated list, With an introduction by F. J. Norton, under-Librarian, University Library Cambridge. London: Bowes and Bowes, 1958) ai që shënoi në f. 104, të studimit të tij, vitin 1522, sepse një gjë tillë e kishte bërë shumë më herët, përkatësisht në vitin 1909, Prince d’Essling (Les Livres a figures Vénitiens de la fin du XVe Siècleet du Commencement du XVIe. (Études su l’Art de la Gravure sur bois a Venise). Seconde Partie. Ouvrages impromés de 1501 à 1525. FLORENCE: Libraire Leo S. Olschki 4, Lungarno Acciaioli; PARIS: Libraire Henri Leclerc 219, Rue Saint-Honoré, 1909), i cili në blenin e dytë të vëllimit të dytë të veprës së tij (vëll. II/2) f. 527, shënon si vite të mundshme botime periudhën kohore 1508-1522.

Inicilat (nistoret) në veprën antikuar të Marin Barletit: Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis

Iniciali (nga latinishtja initialis – nistore) paraqet grafemën e parë në fjalë. Në artin grafik, iniciali është grafemë që dallohet për nga madhësia, forma, stili, dekorimi dhe përmbajtja e cila zakonisht vendoset në fillim të kapitullit, të një kryerrreshti apo pjese kryesore të tekstit ose dorëshkrimit. Në tekst, është shenjë dalluese për nga madhësia sepse të paktën shtrihet në dy e më shumë rreshta, ndërsa për nga forma është krejtësisht tjetër nga grafemat e tekstit normal, sepse ka stil të veçantë dhe dekorime të ndryshme qofshin ato floreale, simboleve të caktuara, të njerzve, kafshëve, shpezëve etj të cilat domosdoshmërisht janë të lidhura me fjalën, fjalinë apo përmbajtjen e tekstit qoftë faqes apo kapitullit përkatës ku vendoset iniciali. Si dekorim stilistik dhe përmbajtësor është pjesë e pandashme e tekstit, ku së bashku me miniaturën, marginat dhe interpunktimin përbëjnë librat e iluminuar.

Deri me sot, iniciali (nistorja), më i lashtë i njohur (me elementet dhe përmbajten e tij sipas rregullave të njohura ndërkombëtarisht) është ai nga gjysma e parë e shekullit VIII nga një dorëshkrim që ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Rusi. Zhvillimi i inicialit është i ndryshëm varësisht nga kushtet dhe rrethanat përkatëse ku është krijuar qoftë dorëshkrimi apo libri i shtypur, i ndikuar edhe nga shkollat të cilat e kanë praktikuar atë në punën krijuese të veprimtarisë së tyre.

Inicilai është i njohur edhe në dorëshkrimet që u krijuan në territorin arbëror-shqiptar i cili ruan karakteristika të veçanta të kohës dhe shkollës e cila e krijo dhe praktoi atë. Poashtu, edhe te dorëshkrimet që u shkruan nga scribes të ndryshëm shqiptarë e jo shqiptarë jashtë Shqipërisë, në mesjetë,  iniciali është praktikuar dhe është pjesë e pandarë e tyre. Shembulli ilustrues më i bukur me këtë rast është dorëshkrimi i “Statuteve të  Drishtit” nga viti 1468, ku në fillim të dorëshkrimit në inicilain (nistoren) “P” është vënë portreti më i vjetër i njohur deri me sot i një figure të shquar shqiptare, ai i Pal Engjëllit.

Natyrisht edhe te librat më të hershëm të botuar, inkunabulat, që kanë për autorë shqiptarët Marin Bechicemi-n dhe Michael Marullus Tarchaniot-in etj, e deri te libri i Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, inicialt (nistoret) janë përdorur nga botuesit e tyre në funksion qoftë dekorativ, qoftë përmbajtësor apo stilistik ngjashëm me të gjitha veprat e kohës. 

Në vepërn e Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, botuesi-shtypëshkruesi ka përdorur gjithsej 15 iniciale dekorative. Nga këto 15 inicilae 3 na përsëriten në grafemat: “Q, P dhe D,” nga dy herë dhe janë krejtësisht identike, ndërsa inicilaet në grafemat “Q” dhe “P” gjenden edhe në një rast tjetër, por të ndryshme nga dy herët e para. 

Ndryshimi në dimensionet e inicialeve në ksomblat e librit antikaur të Marin Barletit, Histori e Skenderbeut, që kemi konsultuar deri me sot (gjithsej 34 të tilla) varion prej 0.5 cm deri në 1cm, gjë që  sipas mendimit të botuesve të sotëm, le të kuptohet, se kemi të bëjmë të paktën me tre botime të ndryshme të kësaj vepre. 

Nga 15 inicalet te vepra e M. Barletit, vetë iniciali i parë është origjinal, përkatësisht i botuar për herë të parë, kurse 14 inicialet e tjera janë të botuara në veprat e mëhershme të botuara nga shtypëshkruesi Vitalibus.

Dimensionet e inicialeve (nistoreve) të cilat i gjemë më së shpeshti te libri antikuar i M. Barletit, në 23 raste, janë:

  1. f. 1r: 5.3 x 5.4 cm
  2. f. 2r: 4.1 x 4.6 cm 
  3. f. 14r: 2.8 x 2.8 cm
  4. f. 28v: 3.2 x 3.2 cm
  5. f. 41r: 3.2 x 3.2 cm
  6. f. 52v: 3.4 x 3.4 cm
  7. f. 65v: 3.2 x 3.3 cm
  8. f. 74v: 2.7 x 2.8 cm
  9. f. 75r: 3.8 x 3.2 cm
  10. f. 98r: 3.2 x 3.3 cm
  11. f. 109r: 3.3 x 3.3 cm
  12. f. 122r: 3.3 x 3.2 cm
  13. f. 132r: 3.3 x 3.2 cm
  14. f. 151r: 3.3 x 3.2 cm
  15. f. 156r: 3.4 x 3.3 cm

Përmbajta e inicaleve në në librin antikuar të Marin Barletit: Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis

Në inicialin e parë (f. 1r /I./ është paraqitur i ashtuquajturi “Portret i Marin Barletit” me disa dekorime të varfëra floreale, por në sfond me një kështjellë. Në inicialet e dytë, f. 2r /II/ është paraqitur një moment biblik, përkatëisht një drague dhe tre figura engjush, njëri brenda grafesëm së “P”. Ndërsa në inicialin e tretë, f. 14r /XIIII/, që njëherësh është edhe iniciali me dimensionet më më të vogla në këktë vepër është paraqitur një engjëll brenda rrethit të grafemës “Q” ku e shoqërojnë kokat e katër engjujve tjerë. Dy inicialet në vijim ato të f. f. 28v /XXVIII/ dhe 41r /XLI/ kanë dekorime të thjeshta floreale. Iniciali në f. 52v /LII/, paraqet figurat e dy personave dhe është më përmbajtësori në vepër si për nga stili, porosia dhe dekorimet. Në të gjitha inicilat tjera në vijim, pos në ato të f. f. 109r /CIX/ dhe f. 156r /CLVI/ ku kemi pos dekorimeve floreale edhe paraqitjen e dy zogjve, ka vetëm dekorime floreale mjaft të varfëra. 

Kush ështëBotuesi i veprave të Barletit, Bernardinus de Vitalibus dhe kur e fillon aktivitetin botues 

Botuesi i veprës së Barletit ishte Bernardinus de Vitalibus, njëri nga vëllezërit de Vitalibus që ndryshe njiheshin edhe si Albanesoti. Hulumtimet shkencore për veprimtarinë e këtij botuesi na çuan në rishikimin e gjithë aktivitetit botues të vëllezërve de Vitalibus, (Bernardins dhe Matheus) dhe në gjetjen e fakteve të reja në lidhje me aktivitetitin botues të tyre në kapërcyellit të shek. XV dhe të fillimshekullit të XVI. 

Në të gjitha bibliografitë dhe katalogjet e specializuara të autorëve me eminentë botërorë thuhet se vëllëzërit de Vitalibus e kanë filluar aktivitetin e tyre botues jo më herët se në vitin 1494. Në shumë prej këtyre bibliografive dhe katalogjeve thuhet madje që ata e kanë filluar këtë aktivitet rreth vitit 1501. Me sigurinë më të madhe, ne mund ta korrigjojmë datën e deritanishme të fillimit të veprimtarisë botuese të Bernardinus de Vitalibus, nga viti 1494, si vit i fillimit të shtypshkrimit të librave nga ky botues në vitin 1480. 

Në vitin 1480, Bernardinus de Vitalibus botoi inkunabulën e autorit: Arnaldus de Villanova: Regimen sanitatis Salernitanum. Venetiis: Bernardinus de Vitalibus 1480, e cila ruhet në fondet e bibliotekës së Vienës “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ me signaturë JB 6402. Kjo është njëra nga 16 inkunabulat që ruhet në fondet e “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ dhe njëra nga gjashtë inkunabulat e kësaj biblioteke që janë shtypur në Venedik. Informacionin e parë për ekzistencën e kësaj inkunabule e kemi shënuar nga: Georgii Vvolfgangi Panzer, Annales typographici… Norimbergae, Bibliopolae, 1745, vëll. III, f. 158, nr. 464, për ta përforcuar me vonë edhe me linkun: http://www.b2i.de/fabian?Geschichte_Der_Medizin_(Wien) 

I përshkruam jo pa qëllim deri në hollësi informacionet për këtë inkunabulë, edhe pse në dukje duken jo shumë e rëndësishme për ne! Rëndësia e veçantë e këtij konstatimi dhe konfirmimi është se botuesi i veprës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ishte tashmë një botues me shumë përvojë kur botoi veprën e Barletit. Ai e kishte filluar aktivitetin e tij botues që në vitin 1480, dhe para vitit 1494 kur mendohet nga historiografia e deritanishme të ketë filluar këtë akvititet ai kishte botuar edhe dy inkunabula të tjera. Inkunabula e dytë është ajo e John Estwood, Summa astrologlae judiclalis. Venice: Bernardinus de Vitalibus, 1489, (për më shumë informacion shih: Stillwell, R. 72.), ndërsa inkunabula e tretë është me autor: Fran Lucijan Gundulić, Baptistinus. Venetiis: Bernardinus de Vitalibus, 1490, dhe ruhet në Biblioteken Kombëtare dhe Universitare të Zagrebit, sektori i inkunabulave, dorëshkrimeve dhe librit të rrallë. 

Gjatë veprimtarisë së tij si shtypëshkrues-botues (tipograf), për 56 vite me radhë, B. Vitalibus botoi 152 tituj të njohur deri me sot. Për ta disponojmë të dhëna të sakta, si për vendndodhjen, bibliotekën, arkivin ose koleksionin privat të tyre, poashtu /signaturën/ dhe të dhëna të tjera, si titullin, kopertinat, frontespicet, kolofonët, ilustrimet, inicialet, gravurat, portretet… etj. Prej këtyre 152 titujsh, 74 janë inkunabula të botuara deri më 31 dhjetor të vitit 1500, dhe sipas vitit venedikas deri më 31 mars të vitit 1501. Të gjitha këto inkunabula si dhe pjesa tjetër prej 78 titujsh të librave antikuarë-rarae nga viti 1500 deri më 1536 (kur Vitalibus botoi edhe librin e fundit) janë të ruajtura në biblioteka e arkiva të ndryshme. 

Siç vërehet Bernardinus de Vitalibus ka botuar një numër të jashtëzakonshëm inkunabulash, 73 tituj, dhe diçka më shumë libra antikuarë, ku 4 nga këto nuk kanë vit botimi, por kanë vendin e botimit. Nëse shohim numrin e veprave të botuara sipas viteve, qofshin ato inkunabula apo libra të rrallë-antikuarë do të kishim këtë pasqyrë: trembëdhjetë herë boton nga një titull në vit, përkatësisht në vitet: 1480, 1489, 1490, 1493, 1513, 1514, 1517, 1518, 1523, 1524, 1526, 1532, 1534; ndërsa shtatë herë boton dy tituj në vit: 1495, 1506, 1509, 1522, 1529, 1533 dhe 1536; kurse tre tituj në vit ka botuar pesë herë dhe përkatësisht në vitet 1504, 1519, 1521, 1531 dhe 1535; ndërsa katër herë në vit botoi katër tituj: në vitet 1503, 1505, 1507 dhe 1525; po ashtu shtatë tituj ka botuar katër herë në vitet 1494, 1499, 1502 dhe 1508; ndërsa tetë tituj ka botuar vetëm një herë, në vitin 1501. Vitet më të frytshme të veprimtarisë botuese-shtypëshkruese të B. Vitalibusit kanë qenë viti 1500 kur boton njëzetë e gjashtë inkunabula dhe kulmin e arriti në vitin 1498 kur botoi njëzetë e tetë inkunabula, ndërsa për katër tituj siç cekëm më lart, nuk dihet viti i botimit. 

Megjithatë ka pasur vite kur Bernardinus de Vitalibus nuk ka botuar asnjë titull. Të marra së bashku këto vite shtrihen në periudhën nga viti 1480 deri në vitin 1536 dhe janë gjithsej njëzet e dy vite, të cilat janë si vijon: 1491, 1492, 1496, 1497, 1510, 1511, 1512, 1515, 1516, 1520, 1527, 1528 dhe 1530. Nuk kemi ndonjë informacion për arsyet e mungesës së aktivitetit botues në këto vite, por mund të supozojmë se njëra ndër pengesat për këtë kanë qenë lëvizjet e shpeshta nëpër qytete të ndryshme italiane ose shtërngesat financiare, edhe pse Bernardinus de Vitalibus, botonte vepra të autorëve shumë të njohur të kohës së tij, apo vepra të autorëve klasikë.

Në të gjithë titujt e inkunabulave dhe librave të rrallë-antikuarë që kemi konsultuar ne, por edhe nga literatura e shumtë e shfrytëzuar, kemi saktësuar mënyrën se si firmoste B. Vitalibus në librat që shtypte vetë. Këto forma janë: B. de Vitalibus; B. V.; Bernardin di Venezia; Bernardin Vinitian; Bernardini de Vitalibus; Bernardino da Veneto; Bernardino da Venezia; Bernardino de Vidali; Bernardino di Vitale; Bernardino di Vitalli; Bernardino Veneto de Vitalibus; Bernardino Veneto; Bernardinus Venetus; Bernardino Veneziano; Bernardinus de Vitalibus; Bernardino Vitale; Bernardino Vitale; Bernardinus Albenesotus; Bernardinus de Vitalibus; Bernardinus Venetus de Vitalibus; Bernardinus Venetus; Bernardinus Vitalis dhe në vitin 1498 firmoset: Bernardinvm et Mathevm Venetos. Qvi vvulgo dicvntvr li Albanesoti... Përveç firmosjes me grafema, ne shume raste, B. Vitalibus, firmoste edhe ane te simboleve-figurave të veçanta. Deri tani na janë të njohura 6 mënyra të tilla të firmosjes, tre në inkunabula dhe tre të tjera në libra të rralle-antikuare.

Ecejaket e B. Vitalibusit nga Venediku në Romë e anasjelltas dhe në qytete të tjera italiane janë të dokumentuara saktësisht. Siç e cekëm edhe më lart, veprimtaria botuese Bernardinus de Vitalibus, filloi në vitin 1480 në Venedik, ku mesa duket shtypi të gjitha inkunabulat e tij. Në vitin 1493 ka mundësi të ketë qenë në Romë për pak kohë, por në nëntor të po atij viti kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në korrik të vitit 1507; në shtator të vitit 1507 e gjejmë përsëri në Romë, ndërsa në nëntor po të vitit 1507 kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në qershor të vitit 1508; në fund të qershorit të viti 1508, kthehet në Romë ku qëndron deri në fund të nëntorit, për të shkuar në dhjetor po të vitit 1508 në Napoli; në shkurt të vitit 1509, kthehet prapë në Venedik për të qëndruar aty deri në dhejtor të vitit 1515. Në Romë e gjejmë po ashtu gjatë vitit 1516, përkatësisht nga janari deri në dhjetor. Ndërsa në fillim të vitit 1517 e gjejmë në Venedik, ku qëndroi deri prill të vitit 1521. Në Rimini e gjemë në dhjetor të vitit 1521, ndërkohë që në Romë qëndroi gjatë tërë vitit 1522, përkatësisht nga fillimi i janarit e deri në fund të dhjetorit. Përfundimisht kthehet në Venedik në janar të vitit 1523 ku qëndroi derisa vdiq në vitin 1539. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

ZBULOHEN DORËSHKRIMET AUTOGRAFE TË VËLLËZËRVE GRIM

September 12, 2022 by s p

Dr. Musa Ahmeti 

Center for Albanian Studies – Budapest

Në botën e shkencës, kulturës dhe gjermanistikës, lajmi për gjetjen e nëntë vëllimeve të botuara të “Deutsches Wörterbuch” me shënime dhe plotësime autografe të vëllezërve Wilhelm (1786-1859) dhe Jakob (1785-1863) Grimm ishte sensacional dhe përbënte një ngjarje të jashtëzakonshme. Dorëshkrimet arriti t’i zbulojë studiuesi i gjermanishtes, Alan Kirkness nga Zelanda e Re, pas një pune kërkimore prej mëse 30 vjetësh.

Vëllimet me dorëshkrime u zbuluan në sektorin e dorëshkrimeve dhe të librit të rrallë, në Bibliotekën Jagiellone të Krakovit, në Poloni, bibliotekë kjo shumë e pasur, me mëse katër milionë libra dhe dorëshkrime të ndryshme në shumë gjuhë të ndryshme.

Të nëntë vëllimet e “Deutsches Wörterbuch” ishin botuar nga botuesi Salomon Hirzel, në dy kolona për një faqe, ku secila kolonë kishte numrin e saj, me margina të gjëra, të cilat ishin lënë qëllimisht autorëve /vëllëzërve Grim/ për të bërë korrigjime dhe plotësime, pasi këto ishin exemplarët e parë të kësaj kryevepre, për të cilën për vite ishte menduar se ishin të humbur. /Si ilustrim sjellim dy raste që kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar, atë të tetë vëllimeve të “Illyricum Sacrum” të cilat po ashtu me shënime në margina me autografë të Jakob Koletit, ruhen në Bibliotekën Marciana të Venedikut dhe rasti tjetër, dy vëllimet e  “Acta Albaniae…” me autografe të Millan Sufflay, ruhen në Arkivin Shtetëror Kroat të Zagrebit/.

Që nga viti 1898, vëllimet e “Deutsches Wörterbuch” ruheshin në Bibliotekën Shtetërore të Prusisë në Berlin. Nga frika e shkatërrimeve të luftës së dytë botërore, vëllimet e “Deutsches Wörterbuch” së bashku me dorëshkrime dhe libra të tjerë të rrallë, dërgohen për ruajtje në manastirin Grüssau, ndërsa pas vitit 1945, qeveria polake i shpall ato si pronë shtetërore, duke i bartur në Bibliotekën Jagiellone të Krakovit, ku ruhen edhe sot.

Nga shënimet në margina të cilat janë autografe të vëllëzëve Grim, priten mendimet e studiuesve, shkencëtarëve dhe gjermanistëve, veçanërisht të leksikografëve për vlerën dhe rëndësinë e këtyre shënimeve të bëra nga dy themeluesit e gjermanistikës moderne.

Nuk ishte i vetmi studiuesi Alan Kirkness në kërkim të vëllimeve të dorëshkrimeve të vëllezërve Grim. Gjermanistë, studiuesë e historianë të shumtë, kishin kërkuar për vite të tëra në biblioteka të Gjermanisë, sidomos në Bibliotekën Kombëtare të Berlinit, por edhe në biblioteka e arkiva të ndryshme, pa pasur rezultate konkrete. Megjithëse bashkëpunimi midis studiuesve që kërkonin dhe predispozitës për të ndihmuar nga bibliotekat dhe arkivat ishte maksimal. Në mënyrë krejt të papritur, në shtator të vitit 2005, një bashkëpunëtore e Bibliotekës Jagiellone të Krakovit bëri të ditur se vëllimet me dorëshkrimet aq të kërkuara mund të shfrytësoheshin nga gjermanistët, studiuesit dhe historianët, pasi ishte bërë restaurimi i tyre dhe se ato ruheshin në “Sektorin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Jagiellone.” Biblioteka Jagiellone lajmëroi zyrtarisht të gjitha institucionet e interesuara në Gjermani, si p.sh. Bibliotekën Kombëtare në Berlin, Qendrën Kulturore të Prusisë, Museun e Vëllezërve Grimm në Kassel etj. në lidhje me këtë gjetje kaq të rëndësishme të këtyre dorëshkrimeve.

Dihej tashmë që më parë që Wilhelmi dhe sidomos Jakob Grimi i kishin përdorur exemplarët e parë të vepërs së tyre “Deutsches Wörterbuch” si model pune, duke bërë në to shënime dhe ndryshime në marginat e faqeve. Nga këto shënime mund të zbulohet lehtë metoda e tyre e punës në leksikografi. Kështu të nëntë vëllimet mund të shërbejnë edhe si një përgatitje e dytë për botimin e “Deutsches Wörterbuch.” Ajo që është befasuese në këto shënime, është që bien poshtë disa hipoteza që ishin krijuar për shkrimin që përdornin vëllezërit Grim. Në përgjithësi Wilhelmi përdorte shkrimin latin /grafemat latine/, por krahas tij ai përdorte edhe shkrimin gjerman /grafemat gotike/ kur dëshironte të shënonte fjalët që do të dilnin në kursiv me rastin e  botimit të fjalorit. Një surprizë tjetër është që krahas dorëshkrimit “autograf” të Wilhelmit, në dorëshkrim gjenden edhe dorëshkrime të disa duarve tjera, njëri prej të cilëve është ai i botuesit Salomon Hirzel. Nga prania e këtyre dorëshkrimeve të disa duarve të tjera /disa scribes-ve/, mendohet që në dorëshkrim duhet të kenë punuar disa persona.

Të nëntë vëllimet e “Deutsches Wörterbuch,” fillimisht kishin qenë në Bibliotekën Mbretërore të Berlinit, ku ishin dorëzuar në vitin 1898 nga djali i Wilhelm Grimit, Hermani, me informacionin që dy vëllimet më me shumë faqe, ishin dorëshkrimi “autograf” i Wilhelm Grimit, ndërsa shtatë vëllimet e tjera ishin dorëshkrim “autograf” i Jakob Grimit. Sistemini në vëllimet e Wilhelm Grimit është sipas katalogjeve të vjetër të Bibliotekës Kombëtare të Berlinit, nga A deri në C = vëllimi I, nga D deri në E = vëlllimi II. Vëllimet e Jakob Grimit janë gjithashtu sipas të dhënave të katalogjeve të vjetër: nga A deri në FROMM, dhe mungojnë vetëm disa pjesë të vogla të fundit që ai i ka përpiluar më vonë.

Për të shmangur konfuzionin për të identifikuar cilat janë vëllimet për të cilat bëhet fjalë si exemplarë dorëshkrimesh, më poshtë sjellim disa shënime identifikuese me numrat e faqeve – kolonave përkatëse ku janë bërë korrigjimet dhe shënimet nga ana e vëllëzërve Grim:

Exemplari dorëshkrim i Wilhelm Grimmit: 

Vëll. I, A-C 

kolona 33-36, 769-770, 769-770, 1-10, 41, 44-48, 57-64, 49-92, 94-95, 97-1552, 1557-1560, 1553-1556, 1561-1824, 1-612, 609-612, 613-640 + 1 fletë ms. para kolonës 7692).

signatura: Libr. impr. c. not. ms. fol. 33. 

Vëll. II, D-E

 kolona: 641-780, 777-780, 781-784, 781-784, 777-968, 961-964, 961-968, 965-1000, 1101-1124, 1025-1712, 1-96, 89-1096, 1053-1060, 1105-1208 + 3 fletë ms.: në fillim, pas kol. 964 -1496).
signatura: Libr. impr. c. not. ms. fol. 34.

 
Exemplari dorëshkrim i Jakob Grimmit: 

Vëll. I, A- Biermolke [Leipzig 1854]

kolona: I-XCII, 1097-1100, 1-912 + 1 ilustrim. + 9 foto dorëshkrim në fillim pas kolonës: 

LXXXIV, LXXXVIII, 4, 212, 376, 604, 724, 913-1824. 

signatura: Libr. impr. c. not. ms. fol. 35. 

Vëll. II, Biermörder-Decher [Leipzig 1860]

kolona: I-XVIII, 1-880 + 3 fletë, dorëshkrimi pas kolonës 332, 696, 836, 881-1776. 

signatura: Libr. impr. c. not. ms. fol. 37.

Vëll. III, E-Forsche [Leipzig 1862]

kolona: I-VIII, 1-36, 1 fletë. 37-944 + 1 fletë, dorëshkrimi pas kolonës 116, 234, 266, 345, 1116-1640.

signatura: Libr. impr. c. not. ms. fol. 39.

Filed Under: ESSE Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit
  • “VENDI IM” 5th Anniversary Concert Event
  • Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj arriti fitoren e 15-të pa asnjë humbje
  • Një cikël poetik antologjik me autorë të së njëjtës gjenealogji
  • “ENDRRA SHQIPTARE” E RIPOPULLIMIT DHE VOTA E DIASPORES
  • TURP per Kryetarin e Bashkise dhe Keshillin Bashkiak te Tiranes!
  • “Barleti i hershëm”, magjepsja e re Nadin -Plasari!
  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë
  • MIRËNJOHJE KOSOVË, FALEMINDERIT Z.FITIM GLLAREVA
  • Platoni mbi edukimin

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT