Në prani të qindra mysafirëve nga vendi dhe diaspora, është bërë sot përurimi i Qendrës Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në Zajas të Kërçovës.
Në hapësirën prej 10 mijë metrash katrorë, ku ndodhen rreth 300 varreza të viktimave të Luftërave Ballkanike, u zbulua sot përmendorja e Nënës Shqiptare.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nën kujdesin e të cilit është zhvilluar manifestimi, ka thënë në fjalën e tij se vepra e tillë nuk është e drejtuar kundër askujt.
“Këto vepra kapitale nuk janë bërë për të nxitur hakmarrje, nuk janë bërë që të ushqejnë urrejtje ndaj popujve, sepse popujt nuk janë fajtorë për regjimet dhe gjenocidet që janë ushtruar mbi shqiptarët, para 100 vitesh dhe pas 100 vitesh nga Luftërat Ballkanike. Por janë krerët e tyre shovinistë dhe sot është 100-vjetori i masakrave më të mëdha që janë bërë në këto hapësira”, ka deklaruar Ahmeti.
Kreu i BDI-së ka thënë më pas se shtetet që kanë kryer masakrën dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të këtyre viseve duhet të kërkojnë falje.
“Sot është një ditë kur shqiptarët e këtyre viseve nuk kanë mundur as një lutje t’u bëjnë të afërmëve, sepse të gjithë kanë përfunduar në gropa dhe varre masive, të cilat ne pas 100 vitesh po i zbulojmë dhe po i vendosim aty ku e kanë vendin ata. Nuk është që në kthejmë pas të shkuarën, kjo që bëjmë sot është një apel, një thirrje, që të gjithë ata popuj, të gjithë ato shtete që kanë ushtruar gjenocid, që kanë shfarosur me fshatrat të tërë shqiptarë, të kërkojnë falje, sepse ne jemi ata që duam të ndërtojmë të ardhme të sigurtë për gjeneratat që vijnë pas nesh”, ka theksuar Ahmeti.
Ahmeti ka vijuar fjalën e tij, me një mesazh drejtuar bashkëqytetarëve maqedonas, duke kërkuar nga ata më shumë reflektim, sepse siç ka shtuar, “edhe ata kanë qenë viktima të dhunës e gjenocidit”.
“Ky rast le të shërbejë edhe për qytetarët maqedonas, sepse edhe ata kanë përjetuar dhunë e vrasje dhe ato i kanë pasqyruar në libra dhe në gazeta, në të kaluarën, por të jetë ky moment reflektimi edhe për bashkëqytetarët maqedonas, sepse edhe ndaj shqiptarëve që jetojnë dhe kanë jetuar në këto hapësira, është ushtruar dhunë, gjenocid e shfarosje. Lë të jetë një moment që të shohim bashkë të ardhmen, që siguron mirëqenie, dinjitet për shqiptarët dhe për bashkëqytetarët maqedonas”, ka vijuar Ahmeti.
Manifestimi zhvillohet me rastin e 101-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Ditës së Flamurit.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe zv.kryeministri për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferri, si dhe shumica e ministrave shqiptarë dhe e krerëve të komunave.(Kortezi:Bota Sot)