Cikël me poezi
Nga Gladiola JORBUS/
Larg
Ika larg…
pa dorën tënde shtrënguar.
Përshkova mijëra kilometra
ëndrrash, puthjesh e premtimesh.
Ika larg…
përtej errësirës së shpirtit.
Mos më kujto në trishtim!
Buzëqesh me erën që të dhuron
aroma e rremë e pranverës.
Në zgavrat e thella të syve,
në dhembjet e mia,
në mimikën e ngrirë të ndjesive
lexohet malli për ty.
Buzë liqenit të dritës
dëgjohet murmurima e reve…
se dashuria, tutjemë fluturoi
dhe u fsheh ndër yje.
Net ëndrrash magjike
Net ëndrrash magjike
që ringjallen me tingujt e shiut.
Errësira ndriçon nga shkreptimat zigzage
që gjëmojnë mbi lutjet e mia.
Net ëndrrash magjike
si muzika, puthjet dhe dashuria.
Imazhet e zbehura nga koha
enden pas delirit të nostalgjisë
që zgjohet nga letargjia.
Liqeni
Dielli kukafshehti luan,
me liqenin nazeli.
Pas malesh struket – që të shfaqet,
i perëndishëm pakufi.
Buzëqesh liqeni në çdo valë,
në çdo frymëmarrje, drithërimë.
Praruar dielli rrezeartë,
mbi ujëra kridhet farfuri.
Nën pëshpërimën e liqenit,
agimi mbuz mbi shpirtin tim.
Qielli i purpurt buzëqesh,
me zogjtë e erës – cicërimë.
Zgjohet liqeni hijerëndë,
ditën fton në valëzim.
Si bulëza vese vezullojnë,
mbi male – retë në fluturim.
Kozmonaute
Çuditem se si mbi Hënë shkel,
Edhe pse nuk jam veshur si kozmonaute.
Dashuria ime prej letre,
me erën fluturon.
Dhe largohesh në heshtje…
veç pak nga ti, mbeti në shpirtin tim.
dhe venitem në heshtje…
duke mbyllur sytë, të shoh kaq pranë.
dhe ti nuk je…
krahët e tu nuk janë më oazi im.
dhe një mijë mendime treten në tym…
dot nuk shqiptojnë atë që në mua pulson.
dhe dita nis pa ty…
çdo çast jemi gjithnjë e më të largët.
dhe koha na ndan…
më shumë se përjetësia.
Balada, heshtje dhe lotë…
Sapo një rreze dielli më çik,
nata zbret sërish.
Dhe kozmodromi i fatit
Dyert ia mbyll lumturisë.