-Ky lajm i mirë vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare/
PRISHTINË, 22 Korrik 2016-B.Jashari/ Kosova mori sot njohjen e 112-të që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008./
Suriname është shteti më i ri që e njeh Kosovën, bëri të ditur pasditen e sotme ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj.“Faleminderit presidentit Dési Bouterse, të cilin pata kënaqësi ta takoj javën që shkoi në Gajana dhe qeverisë të këtij vendi”, shprehet ai për njohjen më të re të shteteve anëtare të OKB.
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se, “ky lajm i mirë vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.“Ky vendim i dha një mbështetje të fuqishme shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe konfirmoi legjitimitetin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Republika e Kosovës tashmë është njohur nga 112 shtete të botës”, shprehet kryeministri kosovar.
Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: lëgjitimimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesëë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e GJND-së.Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.
Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, duke nisur nga 19 tetori 2012. Raundi i fundit ishte në 27 janar 2016.