• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjermani: Shoqata “Kadri Zeka” suksesshëm kremtoi 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

March 3, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/

Në Kirchheim –Teck të Gjermanisë, më 1 mars 2014 solemnisht në praninë e disa qindra mërgimtarëve, morën  pjesë edhe Ministri i Diasporës z.Ibrahim Makolli, konsulli Faket Kajtazi me seli në Stuttgart, dhe shumë veprimtarë të njohur të çështjes tonë kombëtare.Programi u hap me tri valle nga trevat tona shqiptare, nga nxënësit e shkollës shqipe “Dardania” në Backnag, nën drejtimin e zonjës Miradije Gashi, arsimtare.

Pas këndimit të Himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, nga moderatorja Filloreta Shahini, të pranishmit u ftuan të qëndronin në këmbë, për të nderuar të rënët për liri dhe pavarësi, me një minutë heshtje.

Të pranishmit dhe mysafirët i përshëndeti nënkryetari i Shoqatës Selami Morina,si;  Ministrin e Diasporës z.Ibrahim Makolli, konsullin z. Faket Kajtazi,Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve,  Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar për Diasporë,Fran Tanushi, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar për Diasporë, Emin Fazlija, kryetar i Besëlidhjes Demokratike Kombëtare Shqiptare,Miradije Gashi, arsimtare dhe publiciste në Stuttgart, Maxhun Smajli, reporter lufte dhe veprimtar, Mentor Thaqi, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar për Gjermani, Tefik Ramadani, ish i burgosur politik, publicist dhe veprimtar, Asllan Dibrani, ish i burgosur politik, publicist dhe veprimtar,Jahja Gashi, Kryetar i Shoqatës,”Nëna Terezë” në Göppingen, Hazir Beqaj , Kryetar i Shoqatës,” Malësia”  në Hechingen, Abaz Imeri, kryetar i Këshillit Organizativ Kombëtar në Heilbronn dhe  Sabit Muli, arsimtarë në Mössingen.

Fjalën e rastit e lexoi Hasan Qyqalla, cili vërtet shkelqej duke treguar mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, e në veçanti dalloi kontributin e madh të presidentit të parë të Kosovës dr.Ibrahim Rugova dhe të Komandantit  Legjendar Adem Jashari, për vlerat e UÇK-së etj.

Ministri I.Makolli fillimisht foli për figurën e ndritur të heroit Kadri Zeka, të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të Enver Hadrit e të Vehbi Ibrahimit, të gjithë këta të vrarë nga UDB-a jugosllave. Makolli foli edhe  për ndërtimin e shtetit të Kosovës, kontributin e Diasporës, të Presidentit Ibrahim Rugova, të Komandantit Legjendar Adem Jashari, e të komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Fehmi e Xhevë Lladrovci-Krasniqi siç ceku    ndër të tjera etj.

Minsitri Ibrahim Makolli në shenjë respekti për kontributin e tyre kombëtar, nderoi z.Emin Falija dhe Xhafer Leci me nga një mirënjohje të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të nënshkruar nga Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe zyrtarë-nënshkrues  të tjerë të shtetit të Kosovës.

Edhe konsulli z.Faket Kajtazit përshëndeti të pranishmit duke ua uruar pavarësinë e Kosovës, dhe duke falënderuar mërgimtarët për kontributin e tyre, si dhe Shoqatën “K. Zeka”  për aktivitetet dhe veprimtarinë e tyre shumëvjeçare, si dhe për nderimin që i bëri Shoqata me këtë rast me ndarjen e Mirënjohjes…
Xhafer Leci, kryetar nderi i Shoqatës “K.Zeka” në shenjë respekti për kontributin e tyre kombëtar të dëshmuar me punë, ndjerës dhe mund, në emër të Shoqatës ua ndau dhe nderoi më 11 Mirënjohje, këta  njerëz te lëmive të ndryshme;

-Faket Kajtazi, Hasan Qyqalla, Miradije Gashi, Idriz Zeqiraj, Tefik Ramadani Martin Çuni, Maxhun Smajli, Neki Lulaj,  Mentor Thaqi, Agim Gashi dhe  Asllan Dibranin.
Tefik Ramadani ish i burgosur ,politik , me profesion doktor aktual në Manheim, në emër të atyre që u nderuan me mirënjohje, falënderoj Shoqatën “Kadri Zeka” kryesinë dhe anëtarësinë e zgjeruar,në krye me kryetarin e saj Taxhidin Bakiun, duke falënderuar edhe Xhafer Lecin, siç u shpreh ai për kujdesjen dhe nderimet që po ua bënë ai  gjithherë nëpër organizimet dhe aktivitet e zhvilluara në kuadër të Shoqatës “Kadri Zeka” vegimtarëve të çështjes tonë kombëtare, duke i përshëndetur, falënderuar e nderuar për punën e tyre të pa lodhshme për çlirimin dhe ndërtimin e vendit tonë.
Tefik Ramadani në pa mundësi për pjesëmarrje, solli përshëndetjet për pjesëmarrësit dhe Shoqaten “K.Zeka” të z.Idriz Zeqiraj ish i burgosur politik dhe të arsimtarit z.Çerkin Bytyçi. T. Ramadani çmoi lart edhe kontributin e Nanë Terezës, me ç’rast përmendi edhe vizitën e ish Presidentit Bill Clinton, duke u përkulur para varrit të Nanë Terezës në Kallkuta të Indisë,  Clinton i kishte pëshpëritur asaj para varrit: “E nderuara  Nanë Trereza, e kreva amanetin tënd, tash vendi dhe populli ytë Kosova është i lirë”!
Dhe tash Ju e dashur Nanë Tereza pushoni e qetë!

-Rapsodët e udhëhequr nga Osman Loku, u  prezantohen me dy këngë popullore.

-Recituan;  Mentor Thaqi, poet dhe Fran Tanushi, gazetar e poet, Tanushi përshëndeti të pranishmit duke ua uruar 6-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, dhe njëkohësisht falënderoi Shoqaten “K.Zeka” për organizimet e shumta e të suksesshme të saj mbi dy dekada.  Z. Tanushi, sekretar, në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë për Diasporë, me vete kishte sjellur edhe Vendimin e Lidhjes së Shkrimtarëve , Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, ku shkruante:

“VENDIM”   si ma poshtë në tekst:  Heroin e mërgatës shqiptare, “Kadri Zeka” ta shpallë anëtar nderi, post mortum! Për veprimtarinë e tij në fushën e gazetarisë, dhe në angazhimin e tij kolosal për çështjen kombëtare. Të nënshkruar dhe vulosur nga Kryetari i LSHAKSH-në Gjermani z.Hasan Qyqalla, Koblenc, shtator 2012.

Përsëri në skenë u paraqiten me disa recitime nxënësit e shkollës shqipe  me mësim plotësues “Dardania” në Backnag, të udhëhequr nga arsimtarja Miradije Gashi, këta nxënës të talentuar e të disiplinuar, duke recituar për heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë të të gjitha trojeve tona, u mirëpriten me duartrokitje të gjata nga pjesëmarrësit në këtë festë të madhe kombëtare.

Po shtoj edhe   fjalën e  zonjës Miradije Gashit  mesa vijon:Të nderuar kryesues të Shoqatës “Kadri Zeka” z. T. Bakiu dhe z. Xh. Leci ne emër të shkollave shqipe “Bashkimi Kombëtar” ju falënderoj për ftesën.
“Zonja dhe Zotërinj  mërgimtarë, krijues, gazetarë, prindër, nxënës dhe gjithë të pranishëm, jam e nderuar, që sot ju përshëndes për 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës martire e cila nëpër shekuj ka shkruar faqe të lavdishme me gjakun e bijve e të bijave të saj për të fituar gjënë më të shenjtë, lirinë, që ne festojmë sot bashkë.
Edhe pse larg, mërgata shqiptare, asnjëherë s’e ka ndarë shpirtin dhe zemrën nga Kosova jonë e shtrenjtë, por vazhdimisht ka qenë mbështetëse dhe pjesëmarrëse në krahë të luftëtarëve të UÇK-së, deri sa vendi ynë pa dritën e vërtetë të lirisë. Le të bashkojmë zërin me ta dhe të brohorasim për Kosovën e lire. Rroftë për jetë, Kosova jonë e lavdishme! Rroftë populli shqiptar”e përfundoj nder te tjera z. Miradije.

Programi vazhdoj deri në ora 24.00 me këngëtarët e njohur Silvana Dollapi,  Gazmend Kumanova, dhe instrumentistin Nazmi Aliu.

Siq na informoi z. Xhafer Leci, për këtë manifestim kontribuon ; anëtarët e kryesisë Kryetari Taxhidin Bakiu, nënkryetari, Selami Morina, sekretari Ramadan Zuka, arkëtari Fatmir Krasniqi, veprimtari Islam Shahini, dhe moderatorja Filloreta Shahini  e cila shkëlqeu me modelimin  e saj , duke folur rrjedhshëm gjuhen shqipe sikur të ishte lindur, shkolluar e rritur në Kosovë, e jo në Gjermani Kontribut në vete  dha edhe   fotografistja  Katarina Griser e cila   po  grumbullon     albume nga aktivitetet e shqiptarëve nëpër klube , festa ,  dhe aktivitete tjera.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: 6 vjetori, asllan dibrani, pavaresia, Shoqata Kadri Zeka

Pavarësia,ditë feste dhe reflektimi

February 16, 2014 by dgreca

Urime Kosovë, Familje e nderuar Jashari dhe gjithë bashkëkombësve,6 vjetori i Pavarësisë!/

Për shqiptarët kudo 28 Nëntori si datë e madhe kombëtare, mbetet përjetë shkruar me germa të arta në histori, përkrah të cilit në bashkërrugëtim për çlirim dhe pavarësinë e trojeve etnike, tash e 6 vite me radhë, shkëlqen edhe 17 shkurti i Pavarësisë së Kosovës.

Përvjetor me rëndësi ky i cili numëron vitlindjen e gjashtë, të njërës prej pjesëve më kryengritëse dhe vitale e të paepur të tokave tona në përgjithësi, të njohur edhe si shtëpia e fisit të lashtë dardan, e cila sivjet kujton me krenari edhe 15 vite çlirimi nga Serbia.

Për të ardhur deri këtu,nëse kihet parasysh fakti se zhvillimet historike kalojnë nëpër faza strategjish e kalkulimesh ndërkombëtare ku pothuajse gjithmonë,për luftën,paqen,humbjet dhe fitoret e popujve të vegjël,më tepër vendosin qëndrimet e fuqive të mëdha për balancim interesash, dhe jo dëshirat e të voglit për drejtësi, i cili si viktimë e pamundësisë çdo herë zgjidhet për barazim hesapesh ndërmjet fuqive vendimmarrëse,gjithandej planetit, shqiptarët kësaj radhe duke pasur krah Amerikën, ishin më me fat se kurdoherë më parë, ndaj edhe fituan këtë betejë historike për liri dhe çlirim.

Amerika e madhe, të cilën qysh pas luftës së parë botërore, njerëzimi e njohu si fuqi të re globale dhe mbrojtëse të denjë të popujve të vegjël,ngjalli shpresat për mbijetesë të shqiptarëve,kombi i të cilëve po mbytej pa asnjë ndihmë në detin e pafund të armiqve që e kishin vërshuar nga të gjitha anët. Të dërmuar e të  pa krahë ashtu siç ishin,ata zgjatën duart e vetmuara në drejtim të Amerikës, e cila jo vetëm se u përgjigj me ndihmë konkrete dhe dashamirësi, por SHBA disa herë doli hapur dhe me qëndrim të prerë,në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilën, komunistët padrejtësisht për kohë të gjatë, ngrinë njëanshëm të gjitha marrëdhëniet.

Megjithatë,duke iu falënderua luftës së shenjt të popullit shqiptar, heroizmit të Familjes Jashari,bijë e bijave më të mirë -heronj e dëshmor të kombit tonë, e veçanërisht presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i cili në emër të popullit shqiptar nën pushtim, me seriozitetin e një burrështetasi të kujdesshëm dhe qëllimin e mirë të një engjëlli shpëtimtar, jo vetëm se ripërtëriu e forcoi pashkëputshëm lidhjet e vjetra me mikun e sprovuar dhe më të madhin e të gjitha kohëve për vendin tonë të vogël- SHBA-të,por kësaj radhe bindi ato që më 24 mars të vitit 1999,për 78 dit me radhë, të fusnin edhe duart në zjarr për lirin e kësaj pjese të popullit shqiptar.

Ndaj,me këtë akt të lartë dhe të shenjt dashamirësie,që Amerika jo vetëm më 1999 me Presidentit Klinton por edhe 80 vite para kësaj ngjarje, përmes presidentit Wilson Wodrow,në Lidhjen e Kombeve më 1919, kishte bindur shqiptarët përfundimisht, se pa ndihmën e një aleati të madh si SHBA,para epsheve të shfrenuara të vendeve hegjemoniste fqinje të cilat gjithmonë gëzuan përkrahjen e Rusisë dhe shumicës së fuqive të mëdha të kohës, jo vetëm se ishte e pamundur të arrihej çlirimi i trojeve të mbetura etnike nën sundim të huaj, por do të bëhej shumë e rrezikshme, e vështirë e ndoshta edhe e pamundur, mbrojtja nga copëtimi edhe i asaj pak toke të mbetur brenda kufijve të gjysmështetit shqiptar.

Të njëjtat qëndrime, të po të njëjtave shtete hegjemoniste, të cilat nuk u pajtuan atëherë siç  nuk pajtohen as sot, për krijimin e një shteti unik kombëtar,bënë që shqiptarët ende të mos çlirohen tërësisht dhe të mos arrijnë që ti bashkojnë trojet e mbetura nën pushtimin sllav dhe grek deri më tani.

Copëtimi i tokave tona filloi po me nxitjen e Rusisë, qysh para 137, vitesh, në dimrin e madh të vitit 1877,disa muaj para nënshkrimit të së ashtuquajturës paqja e “Shën e Stefanit” arritur në mes të Perandorisë Turke dhe asaj cariste Ruse, më 3 mars të vitit 1878.

Serbia megjithëse në vitin 1830,jetonte vetëm një autonomi të pjesshme nga Perandoria turke,dhe nuk ishte shtet më vete,ajo qysh atëherë kishte filluar përgatitjet e planeve për zgjerim drejt jugut me zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Ndaj që në vitin 1844, Ilija Garashanini,kishte përgatitur platformën e ashtuquajtur “Naçertanija”që parashihte zhbërjen e elementit shqiptar  dhe u praktikua në Sanxhakun e Nishit, Toplicë dhe Kurshumli, të cilat më 1877,edhe do ti pushtonte Serbia.

Ndaj, e frymëzuar nga “Naçertania” apo plani për asgjësimin e shqiptarëve,qeveria serbe do të zgjidhte pikërisht dhjetorin,si muajin më të vështirë të atij dimri të madh, që të niste dëbimet masive të cilat nuk ishin asgjë tjetër, përveç se një dënim makabër për vdekjen kolektive të shqiptarëve,shumica e të cilëve do të ngrinin rrugës,nga të ftohtit dhe uria, pa arritur të kalonin gjallë në pjesët e brendshme të atdheut,që atëherë ishte Kosova e sotme.

Ky planë jo vetëm se nuk do të përfundonte shpejt por do të vazhdonte edhe për rreth 4 vite tjera përfshi vitin 1878,e deri më 1881,kohë kjo kur do të zhbëheshin hiq më pak se 700 fshatra shqiptare dhe ktheheshin në një tragjedi kombëtare për popullin tonë, përmasat e së cilës nuk i kishte përjetuar përgjatë gjithë historisë së tij,deri më atëherë.

Megjithatë,përveç ndonjë lëvizje sporadike siç ishte ajo e trimit Sefë Kosharja, i cili ishte kthyer nga shërbimi si oficer në ushtrinë turke, për të mbrojtur shqiptarët nga shfarosja dhe tokat e atdheut të tij me bashkëluftëtarët vullnetar, vetëm pas formimit të Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878,shqiptarët arritën të krijonin qëndresë të organizuar dhe kundërvënie me armë, Perandorisë Turke dhe  fqinjëve grabitqar.

Lufta dhe përpjekjet e popullit tonë do të zgjasnin mbi 34 vite pareshtur,deri më shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912,njohja e pjesshme e së cilës do të arrihej rreth 8 muaj më vonë,nga fundi i korrikut të vitit 1913,në Konferencën e ambasadorëve në Londër,por edhe aty do të pranohej pavarësia e vetëm gjysmës së trojeve tona etnike, si shtet kombëtar në Ballkan.

Atëbotë, përveç kundërshtimit të fort rus dhe shteteve hegjemoniste fqinje,mospajtimet më të mëdha do të vinin nga Perandoria Turke, e cila edhe në grahmat e fundit të ekzistencës së saj, jo vetëm se nuk do të pranonte shkrirjen e 4-ter vilajeteve tona në një shtet autonom shqiptar brenda kufijve të perandorisë, por edhe pas përzënies së forcave turke me luftë, nga trojet tona etnike si dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,ajo ende kundërshtonte me të gjitha fuqitë, krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Vetëm falë, konstelacionit politiko-strategjik të fuqive të mëdha dhe diplomacisë së vendosur Austrohungareze e cila arriti të fitonte edhe përkrahjen e Gjermanisë,duke i siguruar Shqipërisë edhe një princ (Princ Widin) për udhëheqës të përkohshëm,gjë që ishte e rëndomtë për kohën dhe kishte ndodhur më parë edhe me shtetet tjera ballkanike,si Greqinë,Rumaninë e Bullgarinë,sado dhembshëm që u përjetua,mbetja e hapësirave aq të mëdha të trungut kombëtar, jashtë kufijve të shtetit të ri, formimi i tij edhe aq sa ishte, duke mos pasur zgjidhje më  të favorshme, nga shqiptarët u pa si periudhë kalimtare drejt lirisë së pjesëve tjera të atdheut.

Kështu që, lufta dhe përpjekjet e filluara nga formimi i Lidhjes së Prizrenit më 10 Qershor të vitit 1878,vazhduan edhe pas 28 Nëntorit të vitit 1912,si dhe pas Korrikut të vitit 1913, me ç`rast një pjesë e mundit dhe sakrificave të  shqiptarëve,do të shpërblehej pas afro një shekulli, kur para 15 vitesh, me ndihmën e NAT-os, u arrit të çlirohet Kosova, e njohur si Ëma e Kryengritjeve Kombëtare,për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare.

Megjithatë,për fat të keq,vuajtjet,vrasjet dhe shpërnguljet e shqiptarëve,edhe pas përfundimit të luftës,as në Kosovën e lirë nuk do të pushonin, madje vite pas çlirimit dhe brenda vet territorit të saj edhe ashtu të ngushtuar,më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000,pas vrasjes së 10 shqiptarëve dhe plagosjes së dhjetëra tjerëve, nga bandat kriminale serbe, vetëm brenda dy-ditësh,do të dëboheshin me dhunë mbi 1564 familje me më tepër se 11370 shqiptar,për tu përsëritur këso vrasjesh makabre dhe përndjekje të ngjashme shqiptarësh edhe më 2004,po nga Veriu i Mitrovicës.

Ndaj, Kosova edhe këtë 17 shkurt, feston përvjetorin e 6-ashtë, të pavarësisë së saj, jo pa emocion e dhembje, si për ngjarjet e lartcekura edhe për shtypjen dhe padrejtësitë që vazhdimisht ushtrohen ndaj bashkëkombësve tanë në trojet e tyre nën pushtim,duke mbetur përherë me sy të kthyer nga pjesët e paçliruara të etnisë sonë.

Kështu që, përveç festimit e cila është gjëja më e lehtë, e arsyeshme dhe e dëshirueshme për tu bërë, shqiptarët duhet ti ruajnë me shumë kujdes e përkushtim miqtë e vërtetë, tolerancën e njohur dhe traditën vendore, ta duan të kaluarën e tyre, ngritin e lartësojnë heronjtë kombëtar,të krenohemi dhe kujtojmë me pietet të gjithë bashkë, ngjarjet e mëdha dhe të gëzojmë e festojmë me zemër datat e shënuara të historisë sonë.

Ndaj, ky përvjetor, përveç Urimit të sinqertë për Pavarësinë e Vendit, është edhe  një rast i veçantë krenarie për t’i nderuar, jo predikuesit antishqiptar si krasniqët, irfanët, ramiqët e ndonjë “iq” tjetër ,bashkëpunëtor e shpirtshitur të UDB-s, që kanë marrë kaq turr theqafjesh mbi çdo gjë kombëtare në Kosovën e lirë, por ata luftëtar e  heronj të merituar të kombit, pa të cilët ky vend dhe popull nuk do kish ç’të kujtonte as festonte sot as në të ardhmen,në këto troje,të vetëdijshëm se vetëm kështu ne mund të arrijmë bashkimin dhe urojmë e gëzojmë- përgjithmonë Pavarësinë!

Gani Qarri   Cyrih,17 shkurt 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dite feste, Gani Qarri, pavaresia, reflektimi

28 NËNTORI SHPALLJA E PAVARSISË DATË EMBLEMATIKE NË MEMORIEN E KOMBIT

November 27, 2013 by dgreca

Shkruan

Shkruan:Eugen SHEHU

  28 nëntori i vitit 1912,do të mbetet për ne shqiptarët si një kryedatë e pamortshme.Ajo do të shërbejë kurdoherë për ne si një tempull në pragun e të cilit,përpara se të hyjmë do të dëgjojmë sigurisht gjëmimet shekullore të historisë.Paskëtej pas trokitjes sonë në këtë tempull,do të na shfaqet e madhërishme ajo epope të cilën e quajmë ende sot “Mëvehtësia e Shqipërisë”. 28 nëntori i vitit 1912 tregoi tek e mbramja se populli ynë edhe pse i robëruar nëpër shekuj,nuk ishte pajtuar me këto robëri në dejet tonë zgjohej liria,në shpirt,kuraja dhe guximi i madh për sakrifica e sublime. Se sa është dimensioni i saj tek e fundit u provua me rastin e 100 vjetorit një hegjemonizim i paparë i kombit tonë , sikur tu rrëfente pushtuesve dhe armiqëve tanë që nga ajo kohë e gjerë më sot dhe në të ardhmen se dimensioni patriotik e atdhetar i shqiptarëve është i pashuar i një trupi që i mungojnë gjymtyrët e prera padrejtësisht dhe dinakërisht,ishin mesazhet e përcjella nga Vlora, Prizëreni e Shkupi se Kombi ynë nuk do ti flakë tapitë e përgjakura për pronat që na i ka falur Zoti.

 SHTEGU NGA VINTE DATA 28

 Mendoj se në këtë shteg,të parat hapa i hodhën burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Iljaz Pashë Dibra,Abdyl Frashëri,Jakup Ferri,Sulejman Vokshi,Ymer Prizëreni ideuan pavarsinë e trojeve arbërore.Guximi i tyre i pashoq,në thelb do të ishte zjarri i pashuar i shqiptarizmës,do të ishte klithma e lirisë në muzgun e gjatë.Hapat e tyre të parë,do të ftonin në këtë rrugë të gjatë e të vështirë,krejt ata shqiptarë në zemrat e të cilëve rilindete ideali i shenjtë i mëvehtësisë.Ata ishin të parët.Pas hapave të tyre ngarendën me mijëra që nga Plava në Prevezë,që nga Vlora e në Mitrovicë nga Shkodra e në Shkup.Gjaku i lidhte shqiptarët jo vetëm nëpërmjet shungullimave të historisë por sidomos në emër të së ardhmes që trokiste.Në qershorin e vitit 1911,në Gërçe u firmos prej krerëve të Malësisë së Shkodrës e Kosovës memorandumi i cili do të merrte më pas emrin e vetë Gërçes.Aty Ded Gjo Luli e trimat që e rrethonin,bashkuan gjokset dhe pushkët duke treguar tek e mbramja se ndryshimet e mëdha do të vijnë përmes ideve,shpresave por edhe flijimeve të mëdha. Kërkesat e memorandumit të Gërçes ishin ultimative dhe krejtësisht të shprehura për “Mëvetsinë e Shqipërisë”.Ato kërkesa suallën përshtjellime të mëdha në rrjedhat politike të Portës së Lartë e cila mbante peng lirinë e popullit tonë në saj të manipulimeve dhe qëllimeve të vërteta të Fuqive të Mëdha si edhe interesave të tyre në Ballkan.Por zgjimi me krisma tashmë kish pushtuar krejt Kosovën.Isa Bolentini në krye të trimave të tij,po merrte pëllëmbë për pëllëmbe tokën e shenjtë të Mitrovicës.Kalaja e tij,atje në Boletinin e largët ishte kthyer në bastion të patundur.Mbi supet e atyre kullave ranë rrëbeshet e topave dhe predhave të Xhavit Pashës.Muret u rrënuan po thmelet mbetën.Brenda imazhit të atyre themeleve,brenda atij zjarri dhe hiri të mbetur,gjalloi kurdoherë pema e lirisë.Sythet e kësaj pene kanë në farën e tyre hovet e jetës shqiptare.

Ndërkaq në Shkup,Hasan Pristina,Nexhip Draga,Sali Gjuka e Bajram Curri,kanë firmosurr një peticion ku i drejtohen Evropës se lufta e shqiptarëve nuk bëhet për hesap të askujt,veç të pavarsisë të trojeve arbërore.Tashmë edhe Evropa duhej të kujtonte se era e re e ndryshimeve që kish nisur të fryjë në Ballkanin e trazuar,nuk mund të kishte epilog tjetër veç lirinë aq shumë të ëndëruar si një Komb i shtypur dhe i sunduar. Dervish Hima dhe Faik Konica,me pendën e tyre i drejtoheshin forcave përparimtare të kohës që të mbështetnin moralisht Shqipërinë,ngase Rusia,Serbia,Greqia e Franca,hidhnin mjergull pa ndërprerë mbi të shkuarën dhe të ardhmen shqiptare.Fehmi Zavallani e Gjergj Qiriazi nuk munguan të ngrenë në trevat shqiptare të Maqedonisë,Komitetet e Shpëtimit duke propaganduar në popull idetë e mëdha të rilindjes sonë kombëtare.Ndërsa Luigj Gurakuqi do të ndërmerrte fushata në Rumani,Itali e Stamboll,duke i thirur ndërgjegjes së shqiptarëve të atejshëm që këta të grumbullonin para e të mblidhnin armë për kryengritjen që po trokiste.Ka qenë pikërisht kjo veprimtari e gjërë atdhetare që ka sensibilizuar atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë:kështu,në një letër që Françesko De Rada (nipi i Jeronin De Radës) i dërgonte Luigjit, thuhej ; “Sytë e botës janë sjellur nga ju dhe ,nëse do arritni të bëni një lidhje,Turqia pa tjetër do largohet”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi L. Gurakuqi,dosja 36,dok.74,letra 14 qershor 1911).

Në Shkodër e në Vlorë në Manastir e Ferizaj,deri në Korfuzin e largët,populli i revoltuar u ngrit në këmbë.Ai parandjente furtunën që do të niste.Ai kërkonte armë,ai u thoshte bijve të vet trima ; Përpara në udhëhiqni,aty ku do hidhet hapi i juaj,aty është besa e jonë,është ndera dhe jeta jonë ! Historia po thërriste këta burra.Shumë prej tyre u përgjigjën.Në shtator të vitit 1912,Porta e Lartë e thirri Ismail Qemalin duke i propozuar postin e Ministrit të Jashtëm të Perandorisë.Mirëpo burri i shqipërisë iu përgjigj ; “ Ju falenderës.Nuk mund të pranoj pse ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën”.Dhe burri i Shqipërisë,linte kolltukun gjithë ate nderë të Perandorisë, e merrte udhët e Evropës.Ai donte të bindëte këtë Evropë se shqiptarët vlejnë të fitojnë lirinë e tyre,meqë këtë liri ata askurrë se pritën si dhuratë nga askush por kurdoherë ngarendën drejt saj duke lënë prapa lumenj të tërë gjaku.Po ndërsa Evropa i fliste burrit shqiptar me gjuhë diplomatike, bashkëatdhetarët e tij i ngrinin moralin duke u  bashkuar me ide dhe veprime.Nuk mund të jetë e rastit që me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali nga Bukureshti,telegrafonte në Durrës ; “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim të plotë,ndë fatin e atdheut”(Arkivi Qendror i Shtetit fondi 245/1,dosja 1,fleta 14 ).

Bijtë e Shqipërisë erdhën nga çdo vis i largët për në folenë e tyre.Së thelli,në shpirt ata ndjenin drithërimat që u falte çasti i madh.Vinin lugjeve vinin maleve,herë në këmbë,herë në kuaj e në qerre,herë përmes pusive të ngritura.Se pusitë e errëta  nuk mund të duronin dritën që do të buronte pas asaj dite fatlume.Vinin të lodhur prej brengave,prej halleve por me besimin e madh në shpirt se këto brenga të tyre personale do të shëndroheshin një ditë në gazin madhor të nënlokes së tyre.Vinin edhe pse e dinin se plumbi mund t’ua merrte jetën.Por ata ç’prej bëlbëzimeve të para,ç’prej ninullave të para të djepit,jetën e tyre ja patën falur Shqipërisë.me këtë rast,revista “Ylli i Mëngjezit” do të citonte ; “ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë,ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij,ate mund ta gjykoje vetëm ai njeri që pa veprat e tij… Kur dualën nga Durrësi ishin 40-50 shpirt,të gjithë të armatosur me malihere.Udhës pastaj hasën në të tjera delegatë nga vise të largëme dhe u bënë qindra.Duke shkuar nëpër fushat e Myzeqesë në të cilat,veç ujrave dhe baltarvet kemi edhe vise të bukura që s’gjenden në botë,arritëm në 13 të vjeshtës së tretë,me 11 të natës allafranga në Vlorë “.(Revista “Ylli i Mëngjezit” faqe 198 – 30 nëntor 1913 )

Fund nëntori i Vlorës së vitit 1912,njëherazi do të shërbente si një ogur,i bardhë në kapërcyell të dy epokave.Këtë e parandjenë krejt shqiptarët dhe jo vetëm ata që ishin në Vlorë.Kudo në çdo vis të atdheut tonë,ndërsa vraponte lajmi për rrëzimin e mbrame të despotizmit osman sheshet gjëmonin nga thirjet për Flamurin.Mezi e prisnin bashkëkombasit e mij këtë ditë ngase me flamurin kuq e zi lidhje jo vetëm e sotmja e tyre por edhe  e kaluara e largët,e hidhur,e zezë si nata.Simbolika e Flamurit tonë,i kish kapërcyer prej kohësh kornizat e thata të ceremonialeve,kjo simbolikë ishte lidhur me një simbiozë të çuditshme me egzistencën fizike të shqiptarëve në trojet e tyre.Por,e parë në një rrafsh më të gjërë,data e 28 nëntorit e vitit 1912 pos të tjerave zbuloi edhe një mit të përgjumuar e të dhunuar të shqiptarëve siç ishte ai i bashkimit ndër vedi.Dhe kjo përgjumje ka arsyet e veta.Kur Turqit e vjetër e të rinj,kur carët e vjetër e të rinj,kur knjazët e vjetër e të rinj,nuk na i dualën dot me pushkë e me topa,ata përdorën njëmijë e një dredhi duke infiltruar ndër ne,përçarje fetare,fisnore e krahinore.Mirëpo duhet të pranojmë se jo pak gjak u derdh prej hakmarrjes së verbër e të imponuar, në udhët që të shpinin në kullat tona.Odat e tyre të larta e të ftohta e ruajnë ende në kujtesë klithmën e gjakut,klithmën e jetës së prerë në mes të vllaut prej vllaut. Vlora e vitit 1912,i mblodhi burrat shqiptarë,i brohoriti e derdhi lot dashurie për ta,ngase pa se flamuri kuq e zi vinte në duart dhe shpirtërat e bashkuar të tyre në agim të shekullit të ri,shqiptarët i flakin tutje mëritë,historitë mëkabre të gjakut duke dëshmuar rilindjen shpirtërore të kombit të tyre.Duart e shtërnguara të tyre flakin një të kaluar të nëpërkëmur në emër të një të ardhmjeje dinjitoze.

“Na u duk sikur dera e zotit e këputi zinxhirin e skllavërisë,sikur dullëm nga terri në dritën e bekuar të diellit,zemrat na u mbushën me gaz e shpresë.Qysh të mos lindësh këtë ndjenjë duke parë sqenën e prekshme të vëllazërimit : Myftiu i Dibrës Vehbiu që u përqafua me Ipeshkivin e Durrësit Don Nikoll Kacerrin,ortodoksi beratas Bab Dud Karbunara,mjekër – gjati,që puthi në ballë katolikun shkodran Luigj Gurakuqi, Isa Bolentini që puthi dorën Ismail Qemal Beut të Vlorës… A s’ishte për të derdhur lot gëzimi ? “. ( “Skënderbeu “ 1468 – 1968 – Boston , faqe 156 ).

 

 

 

VIZATIM PËR AKTIN MADHOR

 

  Ndërsa burrat e Shqipërisë,shkonin në Vlorë,të tjerë trima kishin nisur përleshjet me serbo-malazezët.Bajram Curri dhe Elez Isufi,shkruanin faqe të reja heroizmi në anët e drinit dhe Hasan Ferri në krye vullnetarëve të Plavës e Gucisë,kundërsulmonte forcat disa mijëshe të Knjaz Nikollës e Idriz Seferi tmeronte shkijet e krajlëve,derisa Isa Boletini përparonte drejt Vlorës.Porta e Lartë e Dyzuar në vendimet  e saj për pavarsinë e Shqipërisë,mbante të mbyllur në burgun e Kalemejdanit në Beograd,Hasan Prishtinën,Nexhip DragënDed Gjo Lulin dhe dhjetra luftëtarë e prijsa të Kosovës.Në rrafsh të Dukagjinit e në Pejë,në Drenicë e Tetovë,çetat e komiteteve shqiptare,në thirjet e tyre të dala shpirti kërkonin një orë e më parë që në qiejt shqiptare të valvitej flamuri Kuq e Zi. „E ëndëruar nga vjershtëtarët dhe e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve,që vuanin e digjeshin nëpër burgjet e errëta e që qanin e renkonin nëpër shkretinat e largëta,të ndjekun e dëbuem prej Atdheut të dashun,mëvehtësia e Shqipërisë na dukej të gjithëve si një dëshirë e paaritshme,si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë tonë,si një pemë e ëmbël dhe e shijshme“

(L.Gurakuqi,Mëvehtësia e Shqipërisë,“Përlindja e Shqipërisë“ nr.26 vjeshtë e tretë 1913 ).

Kësisoj po afronte ora e madhe.Disa kalorës dibranë lajmërojnë se për në Dibër duhen flamurë shqiptarë ngase serbët hidhen në sulm me preteks të turqisë.Disa dhjetra ushtarë serb mbërijnë edhe në Krujë por këtu,atdhetarët shqiptarë u dalin përpara me flamurin kuq e zi duke u treguar fqinjëve grabitqarë të tyre se ata vetë janë në luftë me Perandorinë.Serbët e kuptojnë nga ky moment se jetët e tyre s’kanë më vlerë..Në mesditën e 28 nëntorit,tellalli me një zë ndryshe nga ditët e tjera,lajmëronte nëpër rrugët e Vlorës se do të shpallet Shqipëria më vehte.Njerëzit mezi prisnin të mbaronte fraza e tij, e kapnin për supe e përqafonin,s’mungon t’i hidhnin edhe ndonjë lekë për lajmin e mirë që paraprisnin.

„ Kuvendi Kombëtar i përmbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë,u hap sot n’orën 4 pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Z. Ismail Qemal Beut si nisjator i parë i mbledhjes mori flaën e i tregoi delegatëvet qëllimin e kuvendit,domethënë që të përpiqen së bashku e të marin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë mag rreziku i madh ku ndodhet sot.Si e kërkon rruga e zakoni u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve emrat e të cilëve janë këta :

Nga Berati : z.z. Iljaz Bej Vrioni,Hajredin Bej Cakrani,Xhelal Bej Skrapari,Dud Karabunara,Taq Tutulani, e Sami Bej Vrioni,ky i fundit pritet të vije.

Nga Dibra :z.Myfit Vehbi Efendiu

Nga Durrësi: z.z.Abaz Efendiu,Mustafa Agai e Jahja Efendiu,i cili pret të vijë.z.Don Nikollë Kacerri nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për të Shqiptarët katolikë që ndodhen nën urdhërin e tij.

Nga Elbasani : z.z. Shefqet bej Daiu,Lef Nosi,Qemal Beu e Mid’hat Bej Frashëri.

Nga Gjirokastra me telegrame :z.z. Azis Efendiu,Veli Efendiu,Elmaz Efendiu.

Nga Ipeku (Peja,vrej.ime):z.z.Rexhep Beu,Bedri Beu,Sali Gjuka, e Mid’hat bej Frashëri.Këta zotërinj janë edhe delegatët e Gjakovës të Plavës e Gusinjës.

Nga Kruja : z.z.Abdi Bej Totani e Mustafa Asim Efendiu.

Nga Lushnja : z.z. Qemal Beu,Ferid Bej Vokopola,Nebi Efendi Sefa.

Nga Ohri e Struga : z.z. Xhemal Beu,Ymer Beu e Ibrahim Efendiu.

Nga Tirana : z.z. Abdi Bej Totani e Murat Bej Totani.

Nga Vlora : z.z. Ismail Qemal Beu , Zyhdi Efendiu ,Aristidh Ruci,Qazim Kokoshi, Jan Minga,Eqrem Beu…Si u mbaruan këto punë z. Rexhep Beu mori fjalën e tha që si Kryetar i Kuvendit të zgjidhet z.Ismail Qemal Beu,si shkronjës i parë z.Luigj Gurakuqi e si shkronjës i dytë z.Shefqet Bej Daiu. Delegatët e pëlqyen këte kërkim dhe emëruan të propzuarit me të përplasur duarsh “

( Gazeta “ Përlindja e Shqypnisë “ , viti i dytë , datë 31 janar 1914 ).

Pas kësaj,përfaqsuesit e krejt trevave shqiptare në këtë kuvend madhor,do të dilnin në ballkonin e shtëpisë,të brohoritur prej turmës disa mijëshe të popullit të Vlorës.Kësulat e bardha vlonjate tundeshin në ajër dhe thirrjet për flamurin përplaseshin me shushurimën e dallgëve të detit.I thellë posi deti,do të mbetej  gëzimi i këtij muzgu në memorjen historike të vlonjatëve.Sado që stuhitë u përpoqën për ta shkulur,valvitja e tij u ndje në gjoksin e shqiptarëve ashtu si klithma e pulëbardhës në gjoks të detit. Në ballkonin e shtëpisë dykatëshe,burrat vunë në mes kryetarin e sapo zgjedhur të Kuvendit.Me duar që i dridheshin prej emocioni,me zërin pothuaj mallëngjyes,plaku Ismail Qemali do të bënte që njerëzit të lotonin dersa kumtonte ; “ Vëllezër Shqiptarë !

 Oh sa të lumtur e ndjej vehten sot,që shoh,këtu në Vlorë,kaq burra shqiptarë të mbledhur tok duke pritur me kureshtje dhe padurim përfundimet e kësaj mbledhjeje historike për fatin e Atdhgeut tonë të dashur.Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi,pra,po dal këtu para jush që tju gëzoj me sihariqin e madh,se sot,edhe këtë minutë,kongresi spalli Mëvehtësinë e Shqipërisë,duke lajmëruar gjithë botën mbarë,për këtë punë e duke më ngarkue mua Kryesinë e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë së Lirë… Duke përfunduar,nuk më mbetet gjë,veçse t’i drejtojë një lutje Zotit të Madh,që bashkë me bekimet e Tij,që i lyp të na jap,për të qenë të denjë të kësaj dite,të pranoje që këtej e tutje të jem unë dëshmor i parë i Atdheut,ashtu si pata nderin e fatin që të jem i pari të puth e të bëj të valvitet i lirë Flamuri i ynë në Atdheun tonë të Lirë.Rroftë Flamuri,Rroftë Shqipëria !.

( Ismail Qemali , Kujtime , botuar në Toronto , faqe 254 ).

Askush më pas këtyre fjalëve nuk mund ta përmbante do vehten.Flamuri nisi të rrihte palët nën erërat e vjeshtës së tretë dhe shqiponja në te dukej nga çasti në çast  se do të niste fluturimin për në qiellin e lirë të Shqipërisë.Ndërsa delegatët kishin mbështetur duart tek njëri tjetri,në litarin e flamurit,prej  sheshit u shtuan thirjet : “Rroftë Flamuri i Shqipërisë,valoftë për gjithë jetë,sa të rrojë bota !.Një orë më pas,në portin e vogël të Vlorës,u ngrit një tjetër Flamur Kuq e Zi.Edhe pse u qëllua prej disa vaporeve të Perandorisë nga deti,Flamuri rrahu palët duke shtuar së tepërmi entuziazmin e njerëzve.Një javë më pas,duke nisur nga numëri i votave të fituara prej delegatëve,me votim të fshehtë,u formua Qeveria e cila përbëhej : “ Ismail Qemali – Kryeministër dhe i punëve të jashtme,Mehmet Pashë Kallkandelleli – Ministër i Luftës. P.Poga Gjirokastra – Ministër i drejtësisë.Myfit Bej Libohova – i Punëve të Brendshme. L.Gurakuqi – Ministër Ministër i Arsimit.Abdi Bej Totani – i financës.Pandeli Cale – i Bujqsisë.Mit’hat Frashëri i Punëve Botërore. Lef Nosi – i Postavet “.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi 71 , dosja 1 , documenti nr. 2-4043 ).

 

POST VLORE

 

  Lindja e shtetit të parë shqiptar do të gëzonte së pari vetë kombin.Ky akt i ngjante lindjes së një fëmije të bukur të një shtëpie të madhe ku sejcili don të shohë,ta prekë,t’i gëzohet.Dhjetra telegrame urimi mbërritën nga gjithë viset shqiptare,dhjetra fjalë zemre u nisën madje edhe prej kolonive shqiptare në mërgim.Në urimin e tyre,nxënësit dhe mësuesit e kolegjit të Shën Mitër Koronës shpreheshin :”Ju kini zbukurue shpirtin me virtyte patriotike e qytetënimi e ju lutemi me i shfaqun Qeverisë suej lavdat për veprën energjike”.(Arkivi i Institutit të Historisë,dok,historike 1924. nr. 11 faqe 339 ). Megjithatë ky entuziazëm qe fare i shkurtër.Fuqitë e Mëdha duke u ndodhur përpara faktit të këtyre,menduan të ridiskutonin mbi kufijtë e Shqipërisë.Në këtë riparje të tyre strategjike dhe ato të ditës.Nga ana tjetër,aleanca krishtere ballkanike nuk rreshtën invazionet luftarake duke dashur të mbysin që në djep  foshnjën e lindur.Flota luftarake greke e cila patrullonte disa milje larg Gjirit të Vlorës,nuk lejonte asnjë anije të huaj të ankërohej në portin e Vlorës,mandej në disa raste (kuptohet me porosi të Athinës) ajo godiste pa  asnjë shkak qytetin e bukur të Vlorës i cili skish mundësi me çfarë ti përgjigjej këtij agresioni. Edhe forcat serbe nisën sulme të rrepta sidomos në anët e Drinit duke mos kursyer as foshnjat  në djep.Qeveria e sapodalë nga kuvendi historik,filloi të organizojë ushtrinë ,xhandarmërinë,të çelë shkolla e të marë në duar pushtetin.Por arka ishte bosh,askush nuk ndihmonte,Europa plakë përkundej në mendimet e zeza se shqiptarët nuk dijnë të qeverisin.Plaku i urtë Ismail Qemali,së bashku me Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin,muarrën rrugët e Europës të shtyrë prej iluzioneve të bukura,por dinakëria Franko-Ruse kishte bërë të veten.

“Ne menduam se duhej të shpresonim që një popull që paraqiste vlera të veçanta për shkak të vjetërsisë,guximit dhe shërbimeve që i kish sjellë Evropa…do të lejohesh më së fundi që të bëhesh zot në shtëpinë e vet dhe do të ruante pavarsinë kombëtare”.(Ismail Bej Vlora, Kujtime,faqe 271).

Anipse u sulmua,dita e 28 nëntorit e vitit 1912,ajo ri ndezur e do të rijë ndezur edhe në ardhmërinë e kombit tonë.Kjo datë emblematike rezonon jo vetëm si simbol por si thirrje që nuk hesht kurrë për bashkimin dhe prosperitetin  e kombit tonë.Andaj kujtesa kombëtare vetëm mund të fyhet prej indiferencave të tilla konjukturale politike.Por gjithsesi ajo nuk haron të dënojë,28 nëntori,sot e nesër pret realizimin e saj.Për komunistët ma i rëndësishëm është 29.nëntori ditë që i bashkon me armiqët tanë shekullorë srbosllave që e quajnë si “ditë e bardhë” se sa 28.nëntori.i lavdisë kombëtare. Datat komuniste janë datat e zisë kombëtare,që duhen flakur një orë e ma parë.Urime 28.nëntori.për jetë të jetëve deri në realizimin e aspiratave tona Një Komb Një Flamur Një Shtet.

Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: 28 nentori, date emblematike, Eugen Shehu, pavaresia

“PAVARËSIA”-UNIVERSITETI I JETËS

May 27, 2013 by dgreca

Shkruan nga VLORA: Gëzim Llojdia/

Universiteti “Pavarësia” në jug të vendit përbënë aktualisht historinë e arsimimit shqip në këtë trevë jugore , në këtë kohe po ti quajmë cilësisht këto radhë kthjellime historike. Qyteti i Vlorës në jug të vendit është kryeqendra arsimore dhe kulturore e kësaj treve.Dallgëzimet e historisë këtu kanë pasqyruar treguesin barometrik, ngritjet dhe uljet të përkohshme por me tendencë asnjëherë shuarje . Nëse janë si dallgëzimet detare këto thërrmija godisnin brigjet dëshmitare . Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë dhe në areolën e qytetit ,nën syprinën e tij gjejmë këtu një vatër dijesh . Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda këtij qyteti në qendër të tij ndeshemi me një objekt arsimimi si i pari dhe një filiz për arsimin e lartë shqiptar,në jug të vendi .

Gërmëzimi i Samiut

Cili është ndërkohë instrumenti matës i valës arsimore por edhe të vuajtjeve për tu arsimuar në këtë qytete ,rrethinat e tij , te fqinjët qytete të vogla industrial, agrikulturor ? Ka pasur një kosto jo të vogël,që ka qenë produkt i mungesës së godinës së madhe, që atëbotë njerëzia e quanin njëherazi universitet .Një rilindës quhej Sami nga dera e Frashëllinjëve ka gërmëzuar fjalët për një universitet buzë deti. Mirëpo më ka munduar historikisht një pyetje e brendshme për një urdhër të patreguar, që këtu nuk do të kishte universitet dhe njerëzia e tij e rrethinave të tij do tu duhej të merrnin autobusin deri në stacionin e Fierit drejt një udhëtimi në Tiranë dhe më vonë te stacioni i trenit për një shkollim në kryeqendër të vendit . Kjo shkretinë solli një uri të paparë që me hapje të një universiteti publik në shkallët e tij dhe në auditorët e tij të riformoheshin radhët e dikurshme , por këtë herë nga studentët.Kjo uri arsimore është e pranishme edhe sot në këtë qytete,rrethinat e tij e më gjerë. Ka një numër të madh gjimnazesh private dhe ende kërkesa njeh rritje .Dhe të parin universitet privat me emrin që për shtat i shkon qytetit “Pavarësia”.Një universitet do të thotë : Dritë. Kahu i saj, agimi i paperëndueshëm . Ky ishte ndriçimi më i madh në errësira të largëta .Ashtu si në trung të një pemë çdo vit që kalon lëshon një rreth,ky universitetet në jug të vendit ka gjurmën” e vetë . Dhe ç’masë ,kjo përkufizohet thjeshtë :Më i miri në shkallë rajoni.D.m.th ‘sizmografi” që e përcakton këtë është edhe numri i madh i studentëve të kësaj qendre të re universitare, marrëveshjet me universitetet e tjera të botës,stafi i kualifikuar lektorësh ,aktivitete të fushës së kulturës dhe teknologjisë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, pavaresia, Universiteti, Vlore

Kadare dhe çmimi britanik i “Pavarësisë”

April 21, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/  Zvicer/

Pa dyshim se ky autor i çmuar, mbetet njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj kombëtar ,veprat e mirënjohura të të cilit jo vetëm se janë shumë të kërkuara kudo flitet shqip,por edhe janë përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme të botës.

Kadare,si krijuesi më i adhuruar tek lexuesit vendor dhe njëri nga më të adhuruarit në gjuhët e huaja,si në atë frënge,spanjolle, italiane e për më tepër në gjuhën angleze,i cili u nderua edhe me çmime ndërkombëtare, është dhe mbetet shkrimtar i madh!

Ndaj nisur nga ky fakt,shumë nga shqiptarët pyesin me të drejtë, se si asnjëherë deri më tani,këtij personaliteti kaq të spikatur kombëtar e ndërkombëtar, nuk i`u ofrua, asnjë nga postet ministrore,të paktën-bile ai i kulturës, pasi që Kadare edhe në ditët tona mbetet ambasadori më i mirë i njohjes së botës me kulturën dhe gjuhën shqiptare,për të cilin jo rrallë shkruhet në shtypin e huaj.

Pa dashur ta hiperbolizoj atë si personalitet,vet arritjet e admirueshme që ai me punë i ka siguruar, botimi dhe ribotimi i disahershëm i veprave të tij si dhe përkthimi i tyre në shumë gjuhë dhe vende të botës,vërtetojnë respektin ndërkombëtar dhe vlerësimin që atij i bëhet nga të tjerët. Kështu që ai për shumë vite me radhë,qëndron i sigurt jo vetëm në kulmin e arritjes së letërsisë sonë por që moti është bërë simbol i krijuesit edhe më gjerë në botë

Kjo u vërtetua edhe një herë më tepër, me vendosjen e emrit të tij të nderuar në listën e ngushtë të 6-t, kandidatëve kryesor për çmimet më prestigjioze evropiane dhe botërore si çmimi“The Indenpendent”, fakte këto të cilat flasin mjaft për arritjet e çmuara dhe kualitetet e ndritshme që ai si krijues i posedon.

Kur flitet për Kadarenë, nuk mund të kalohet pa u përmendur raporti i tij me kombin dhe historinë e popullit shqiptar si dhe shpjegimet me besnikëri që ai në librat e tij u bën traditave,dokeve, miteve dhe luftërave reale për mbijetesë të popullit tonë të vogël,rrethuar nga shtete fqinje hegjemoniste të cilat në momente vendimtare,neve si popull, ditën të na shkaktonin edhe vuajtje të mëdha.

Megjithatë, ai me intuitën e një shkrimtari të lartësive kulmore intelektuale,përpiqet që edhe atyre t`ua shtrij dorën e afrimit, paqes dhe miqësisë, për të mos i lënë armiq të përhershëm,me gjithë barrën e madhe të fajit dhe padrejtësive që ato mbajnë, duke ua kujtuar se në kohë dhe rrethana të vështira, popujt tanë kanë ditë ti bashkojnë forcat,përfshi edhe shqiptarët, për të luftuar kundër armiqve të përbashkët.

Veprat e tij, janë të përkthyera dhe vlerësuar lart kudo, ndaj sipas gazetës së njohur angleze “The Guardian në mesin e 6 shkrimtarëve botërorë,për çmimin, prestigjioz “The Independent Foreign Fiction Prize 2013″me të drejtë është përzgjedhur edhe Emri i nderuar i shkrimtarit tonë të madh.

Kjo duhet të na bashkoj si shqiptar dhe bëj krenar të gjithëve si popull, sepse vlerësimi i tillë i Kadaresë, në përmasa ndërkombëtare, na bën të kuptojmë se krijimtaria e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në gjuhën,kulturën dhe historinë e vendit që i takon por edhe në vende e kontinente tjera, kulturë dhe gjuhë të ndryshme të botës, që nga ajo angleze, franceze, italiane, spanjolle e dhjetëra gjuhë tjera kudo në botë.

Ai gjatë gjithë karrierës së tij të bujshme, qëndroi përherë i pa lëkundur në vijën kombëtare, i shkroi historisë sonë dhe besoi gjithmonë në forcën e popullit shqiptar, i cili sado i vogël,e i pa-krah që ishte,edhe në rastet më të vështira arriti të mbijetonte.

Kadare edhe tani del me vendosmëri në mbrojtjen e historisë sonë kombëtare nga mësymjet më të reja të sulltanëve bashkëkohor,për ndryshimin e saj, të cilës më së miri ai diti ti shkruaj dhe përjetësoj në veprat e mëdha që krijoi.

Emri i tij, gjen vlerësim të lartë kudo e sidomos në Angli, ku sivjet për herë të dytë është njëri nga kandidatët kryesor për çmimin “The Indenpendent”, me veprën “Darka e Gabuar”,përkthyer nga John Hodgson.Herën e parë Kadare pati konkurruar në vitin 2007, për këtë çmim, me veprën “Pasardhësi”,me ç`rast kryesoi listën e kandidatëve gati deri në fund.

“The Independent Foreign Fiction Prize”, është i vetmi çmim i madh britanik, themeluar në vitin 1990, nga gazeta“The Independent”,me të cilin nderohet vepra më e mirë letrare e një autori të huaj, përkthyer në anglisht,çmim ky për të cilin u përzgjodh edhe shkrimtari ynë,dhe fituesi i çmimit të parë “Man Booker International më 2005”, Ismail Kadare..

Ismail Kadare,me veprën“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në konkurrencë me 31 shkrimtarët më të njohur të 25 vendeve të botës,në mesin e të cilëve edhe shkrimtarë të përmasave botërore si Milan Kundera,më 24 qershor të vitit 2009,në Ovideo të Spanjës, pati fituar çmimin “Princi i Asturias” për Letërsi .

Ndaj,këtij shkrimtar të mirënjohur shqiptar me famë botërore, i cili kohë më parë ishte kandidat edhe për çmimin Nobël në letërsi,pas nderimit me çmimin prestigjioz “Man Booker International Prize”-më 2005,dhe “Princi i Asturias”- më 2009 në Ovideo të Spanjës,i urojmë me gjithë zemër që më 20 maj të vitit 2013, edhe pranë “Royal Institute of British Architects”, në Londër, të kurorëzohet me çmimin prestigjioz Britanik, “The Independent”.

Për shumicën e pjesëtarëve të kombit tonë të vogël, Ismail Kadare mbetet një simbol i madh frymëzimi letrar, por edhe një emër i nderuar i atdheut, i cili përmes përshkrimit besnik të këngëve, miteve legjendave,ngjarjeve dhe historisë reale, të rëndë por edhe të lavdishme të popullit që i takon, u bë një personalitet me shumë vlera,që për shumë kohë diti të rris ndjenjat patriotike tek të gjithë shqiptarët dhe prodhojë atdhedashuri me përmasa historike për kombin kudo,pa dallim ndarjesh e kufijsh të imponuar, në të gjitha hapësirat e shtrirjes sonë gjeografike.

Ndaj,duke u nisur nga këto dhe fakte tjera të cilat flasin në favor të shkrimtarit tonë,Ismail Kadare meriton përkrahjen e të gjithë bashkëkombësve kudo.Ai si simbol i letrave shqipe, gëzon më shumë popullaritet se cilido shkrimtar tjetër në vend dhe në botë,kështu që përkrahja jonë për Kadarenë, nuk duhet të mungoj as kësaj radhe,për të dëshmuar edhe një herë nderimin e merituar që atij i takon si personalitet i dalluar letrar e kombëtar tek të gjithë shqiptarët pa dallim.

 

Filed Under: Featured Tagged With: cmimi britanik, Gani Qarri, Ismail Kadare, pavaresia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT