Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka zgjedhor sot Kryesinë e re e cila përbëhet nga zyrtarë të PDK-së që janë rritur organikisht në këtë parti dhe emra të rinj që i janë bashkuar vizionit të PDK-së dhe kryetarit Memli Krasniqi. Kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi tha para anëtarëve të Këshillit Drejtues se Kryesia e re e PDK-së do të përbëhet nga njerëzit e devotshëm të saj që kanë qenë në PDK që nga themelimi por edhe nga gra e djem të rinj profesionistë që besojnë në vizionin e PDK-së. “Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë qenë shumë të rinj në fillet e PDK-së, e që si të rinj kanë besuar e kanë rrugëtuar me PDK-në deri sot, kur janë kalitur e janë të gatshëm për të zhvilluar betejat politike të saj. Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë përvojë në politikën kosovare jashtë PDK-së, e të cilët, tashmë janë të bindur se vetëm brenda PDK-së e me PDK-në, Kosova ecën në rrugën e duhur të zhvillimit e integrimit. Përvoja e të cilëve e plotëson mozaikun tonë gjithëpërfshirës e të pa alternativë. Dhe së fundmi, përbëhet po ashtu nga njerëz komplet të rinj, jo veç në PDK por edhe në politikë, të cilët janë vlerë e shtuar e që përbëjnë avantazh për ne, por që janë profesionistë, e njerëz kompetent me përvojë në fushat e tyre, të cilët sot na duhen e të cilët i kanë besuar vizionit tonë. Pra, një kryesi, që e lidhë çdo hallkë të PDK-së, të përvojës së saj, të identitetit të saj, të profesionalizmit dhe qeverisjes së saj, dhe të perspektivës së saj në të ardhmen”, tha Krasniqi. Ai po ashtu tha se anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk janë aty për kurrfarë privilegji, por për përgjegjësitë që i presin, dhe siç tha ai, këto përgjegjësi janë të mëdha. “Kjo kryesi e re, do të prodhojë orientimin politik të PDK-së. Do të prodhojë orientimin ideor të saj. Do të prodhojë organizimin e saj. Do të prodhojë aktivizimin e saj. Do të prodhojë alternativën e qeverisjes me Kabinetin e Qeverisjes së Mirë. Pra një kryesi e punës dhe angazhimit”, tha ai. Por, kush janë emrat e rinj që për herë të parë u bënë pjesë e lidershipit të ri të PDK-së? Profesoresha e njohur e Psikologjisë, Donika Shahini-Lami i nga sot është bërë pjesë e Kryesisë së PDK-së dhe anëtare e Këshillit Drejtues. Profesoresha Donika Shahini-Lami, më parë ka punuar për 10 vite në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, OSBE. Ajo po ashtu njihet për punën e saj si gazetare gjatë luftës në Kosovë si dhe ka punuar për Televizionin Publik Japonez, NHK si dhe ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare. Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Jakup Nura, bashkëpunëtor i ngushtë i Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Bernard Nikaj – profesor, diplomat, ish- ambasador i Kosovës në Bruksel, po ashtu i është bashkuar PDK-së në Kryesinë e re. Nikaj është i shkolluar në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore. Anëtare e re e Kryesisë së PDK-së ështe zgjedhur edhe Besa Kabashi-Ramaj, e shkolluar në Universitete Amerikane, dhe me përvojë mbi 10 vjeçare në fushat e sigurisë ndërkombëtare, politikat e mbrojtjes dhe menaxhmentit. Ajo ka punuar për shumë organizata e fondacione të njohura vendore e ndërkombëtare. Pjesë e Kryesisë së re të PDK-së është bërë edhe Bekim Çollaku. Ai është i shkolluar në Britani të Madhe, me përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka qenë bashkëpunëtor i afërt dhe shef stafi i kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi. Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Adri Nurellari, politolog, pedagog e publicist. Nurellari ka qenë më parë shef i kabinetit të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe keshilltar i ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Sekretar i përgjithshëm i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli. Kryesia e re e PDK-së me vendim të Këshillit Drejtues do të ketë pesë nënkryetarë dhe pesë sekretari. Nënkryetarë të PDK-së janë zgjedhur Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Ramë Buja dhe Enver Hoxhaj. Anëtarët tjerë të Kryesisë së PDK-së janë zgjedhur emra të njohur të PDK-së dhe zyrtarë të kësaj partie që janë rritur organikisht në PDK e ata janë: Blerand Stavileci, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi – Dragusha, Sokol Bashota, Rashit Çalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj – Gutaj, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtim Gashi, Safete Hadergjonaj dhe Donjet Bislimi.
Hoxhaj: PDK-ja u tregua e bashkuar në kohë të vështirë, VV t’i përmbush premtimet para qytetarëve
Prishtinë, 14 shkurt 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes konferencës për media, ka falenderuar të gjithë qytetarët që dolën sot në votime, duke thënë se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kanë dëshmuar se janë një demokraci e re.
Kryetari i PDK-së, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se procesi i sotëm zgjedhor, u bë shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.
Tutje, ai ka thënë se populli i Kosovës ka folur dhe vullneti i tyre duket respektuar.
”Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë. Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, në konferencë, ai e inkurajoi Lëvizjen Vetëvendosjen që të punojë dhe të angazhohet për t’i përmbushur premtimet e tyre para qytetarëve.
”Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.
Kandidati për kryeministër, ka thënë gjithashtu se Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë maksimumin që të sigurojë funksonimin normal të Parlamentit.
”Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.”, ka shtuat tutje Hoxhaj.
Ai, ka falenderuar të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit.
”Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.”, thotë Hoxhaj.
Tutje, ai ka thënë se është krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që kanë treguar përkrahësit e PDK-së, që janë angazhuar për fitoren e partisë dhe rimëkëmbjen e Kosovës.
”Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj tha se PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur.
”PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.”, është shprehur në fund kryetari Hoxhaj.
Fjala e plotë e krytarit Enver Hoxhaj:
Të dashur qytetarë,
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë.
Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.
Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.
E uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe i inkurajoj që të punojnë me përgjegjësi për realizimin e premtimeve të tyre para qytetarëve.
Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.
Dua që nga zemra t’i falënderoj të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë. Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.
Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.
PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.
Faleminderit!
PDK: KOSOVA LUFTOI PER LIRI, SERBIA ISHTE AGRESORI
-PDK mobilizon strukturat e veta në mbështetje të pastërtisë së luftës çlirimtare, Kosova do të dalë edhe më e fortë-
-Kjo sfidë nuk do të lejohet as ta ndalë, as ta ndajë, as ta dobësojë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në, do të mbesin prioritetet e përhershme të shtetit tonë dhe angazhimi i përditshëm i PDK-së-
Prishtinë, 27 qershor 2020 – Partia Demokratike e Kosovës, sot, ka mbajtur takimet me Kryesinë, Grupin e saj Parlamentar dhe kryetarët e degëve. Publikimi i paprecedent i pretendimeve për aktakuzë për dy nga themeluesit e UÇK-së, dy personalitetet kryesore të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryetarit të partisë, Kadri Veseli dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është veprim kundërthënës.
Veprimi i tillë është shumë negativ dhe shqetësues për mungesën e paanësisë së domosdoshme dhe abuzim i pushtetit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.
PDK është e bindur se populli shqiptar ka qenë në anën e duhur të historisë, se lufta e popullit tonë e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e drejtë, e pastër dhe një luftë mbrojtëse çlirimtare, prandaj edhe fitoi zemrat e gjithë botës perëndimore që u bashkuan në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi.
Nuk mund dhe nuk do të lejohet të ndryshohet historia. Serbia ka qenë agresore dhe kryese e krimeve makabre dhe gjenocidit në Kosovë.
Ky është një moment vendimtar për të siguruar një mbështetje gjithëpërfshirëse në realizim të nismës së Kryetarit Veseli për riaktivizimin dhe intensifikimin e përpjekjeve të Kosovës për drejtësinë tranzicionale, forcimin e memories kolektive dhe gjetjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të kriminelëve që kanë masakruar civilët shqiptarë.
Kjo sfidë nuk do të lejohet as ta ndalë, as ta ndajë, as ta dobësojë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në, do të mbesin prioritetet e përhershme të shtetit tonë dhe angazhimi i përditshëm i PDK-së.
Ne ju bëjmë thirrje strukturave drejtuese të partisë, anëtarësisë, qytetarëve dhe të gjitha partive politike që të shfaqin maturi dhe solidaritet, në mënyrë që së bashku ta mbrojmë luftën tonë të drejtë dhe interesin e shtetit tonë.
PDK – ME DY KANDIDATË PËR PRESIDENT, NJËRI – XHORDANO BRUNO I DYTË DHE NJË MESSZH ME ÇIFTELI
Nga SINAN KAMBERAJ/New York/
Portalet informative njoftojnë se Partia Demokratike e Kosovës do t’i nominojē dy kandidatë për President të vendit – një real, pra Hashim Thaçin dhe njē tjetër fiktiv, sa për ta “djegur”, vetëm që të përmbushet një kërkesë formale kushtetuese.
Për kandidatin që do të “digjet”, s’di as vetë pse po ndjej një si dhimbje. Nē fakt, për Kushtetutën ia vlen tē digjet njeriu, por jo për kundërksndidatin, as Partinë, cilado qoftë ajo, madje as për atë që e kontrollon Kushtetuesen. Sepse, kur je mbi Kushtuesen, s’ka pse me të bâ syni vërr!
Kronikat dëshmojnē se edhe mē parë është bërë kurban nga një kundërkandidat presidencial për një kandidat real, por “të djegurit” kanë qenë oponentë që vinin nga parti të tjera, të ndryshme nga ajo e “djegêsve”.
Suzana Noveberdali është “djegur” për Behgjet Pacollin, Naim Maloku është “djegur” nga Fatmir Sejdiu, Ramë Buja është “djegur” çpufff – nga Ibrahim Rugova.
Këtë herë Xhordano Bruno i Dytë vjen nga e njëjta Parti me Kandidatin Real prandaj “djegia” është e veçantë. Madje-madje është shumë e veçantë sepse, ky burrë që do të “digjet”, oh! vjen nga i njejti rajon, një fshat e kanë në mes me Kandidatin Real.
Akti i ndëshkimit të Xhordano Brunos me djegie, nga ana e Kishës në Mesjetë, ishte i qartë: heretiku Bruno e kishte kundërshtuar botëkuptimin dogmatik të Kishës Romake, ndaj, siç dihet, pas shqiptimit të dënimit nga Inkuizicioni, ai shkoi vetë drejt turrës së druve, pa u trembur, krenar që po i mbronte pikëpamjet e veta shkencore mbi botën ….
Fundi I fundit, ky Bruno i Dytë, që do të digjet vullnetarisht në “turrë të votave”, ndoshta s’është për ta qarë. Do të dëmshpërblehet për “vetëdjegie” nga Nana Parti. Do ta bëjnë ambasador, ndoshta në Tiranë, ku i çojnë ata që kanë pasë shumë njisha në shkollë të mesme dhe ku dislekti gegë, ku hyn kosovarishtja, llogaritet si njohje e gjuhës së huaj.
Por, pavarësisht nga kjo mynxyrë, “vetëdjegia” po më duket makabre.
Ndoshta ky “therorizim” bëhet për një “Kauzë”, që, përveç kryeparlamentarit Veseli, që nuk “tyrprohet” kurrë, madje as kur i shan para mikrofinit me fjalë të ndyta çikat e gratë deputete, si dhe Grabovcit, zor se i bie kush në fije.
Për Kauzë.
Kauza?! Mua për vetën time, kjo fjalë, në gojën e pushtetarëve gjysmëanalfabetë, më tingëllon si – Akuza!
Edhe opozita e ka Akuzën e vet. “Kauza” e Opozitës është e paketuar bukur estetikisht. Për Demarkacionin, është bukur e gjatë, me mija kilometera katrorë, sa pronat e feudalëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, që ua kishte dhënë me spin-of AKP e Tanzimatit. Kauza tjetër është edhe më e kamufluar, edhe kjo është në gjuhës të huaj – asociacion, por meqë shqiptohet zorshëm, duhet t’i thuhet ashtu siç është, sllavisht – Zajednica.
Këto janë Kauzat, jo marrja e pushtetit me dhunë, siç thonë gojëkqinjtë.Këto Kauza tashmë duhet të thuhen, siç u thanë e u bënë më të qarta brëmë, në çadrat e ngritura para Pallatit të Qeverisë, me këngën “Oj Shypni mos thu’j marova!”, me një vijë melodike dramatike, nën tingujt e çiftelisë, instrumentit tonë tradicional me dy tela.
Mungonin vetëm krismat, ruajna Zot, të alltive: bam-bam-bam!
Teksti i kësaj kënge, që sugjeron “vdekje ballë për ballë” (me kë, tash, or jahu?!), në kontekstin e lirisë, i thënçin kështu kësaj derëbardhe, është anakronik.
Bile, ogurzi.
Nuk besoj që ua beson më kush jetën “këngëtarëve” të opozitës që ftojnë miletin fatkeq të shtërngojnë rradhët për “Kauzat” e tyre “shtetndërtuese”. Tashmë është e qartë: Ata as kanë pasur, as kanë Kauza, ashtu siç nuk kanë as sivëllezërit e tyre siamezë, aktualisht në pozitë. Pseudokumandarët e pangopshëm, në pozitë e në opozitë, qē e kanë kapur dhe e kapin alternativisht e mizorisht shtetin çdo katër vjet, duke ankoruar gra e nipa e mbesa e halla e kunata e teze, nëpër borde e agjenci shtetërore, e kanë degdisur vendin deri në atë derexhe, sa, ka gjasë që, me këto banda në krye, pakkush e do më atë vend. Pushtetarët e sotëm, ashtu si edhe ata që po synojnë të vijnë në pushtet, bile vrap e vrap, para kohe, janë nervozë që nuk po arrijnë t’ia rrjepin edhe atë pak lëkurë që i ka mbetur Kosovës së shkretë, “bukuroshes … qosh e m’qoshe”, siç i thonë ata vajtueshëm.
Si duket, elektorati kosovar, ngaqë nuk u beson më koalicioneve të panatyrshme, si ka mbetur tjetër rrugë, veçse të rirreshtohet. Dhe, si çdo gjë që ka zgjidhje në këtë botë jallane, edhe puna e partive ka zgjidhje. Kur lodhet mileti prej tyre, vjen një ditë kur u thotë – mjaft është mjaft!
Partitë pseudodemokratike nuk kanë dhe nuk duhet të kenë jetë të gjatë. Edhe kjo dihet.
Hëpërhë, ky ngërç i rrezikshëm duhet tè kapërcehet me zgjuarësi, për hir të fëmijëve.
Sa për zgjedhjen e të Premtes, e trashë m’u duk “gjetja artistike” e përzgjedhjes së të Parit që përfaqëson unitetin, me dy kandidatë, nga partia e njëjtë, njëri prej të cilëve, “vetëdigjet”. Kur të jetë zgjedhur, nëse çdo gjë shkon simbas planit të Veselit, mbetet vetēm të komentohet verdikti i veçilëve të miletit, në Tupanin Klanor Televiziv, kur kryekomentatori i mirënjohur politik do të vë qershinë mbi tortë:
“Dikush nga jashtë, realisht, mund të thotë së kombinatirika e zgjedhjes së Presidentit nuk kaka më ajo që ishte , por, realisht, mund t’ju them se kaka dhe usht aja që usht dhe atu ku usht”.
Arrihet marrëveshja LDK-PDK, Shpërbëhet blloku
Me ndihmën e ambasadores Amerikane,u arrit marrëveshja LDK-PDK; Isa Mustafa Kryeministër/
Isa Mustafa do të udhëheqë me ekzekutivin në koalicionin në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Marrëveshja për koalicion në mes të PDK’së dhe LDK’së u arrit sonte me ndërmjetësimin e Ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Presidentes Atifete Jahjaga.
* * *
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sonte në një takim të përbashkët me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotëri Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zotëri Isa Mustafa, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. Në takim, me ftesën e Presidentes Jahjaga, mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, zotëri Thaçi dhe zotëri Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin lehtësues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Këshilli i LDK autorizoi negociatat me PDK-në për krijimin e qeverisë!
Votat u ndanë në këtë mënyrë: 65 vota pro koalicionit, 7 kundër, 5 abstenime/
Isa Mustafa deklaroi, se nuk hyjnë në qeveri me asnjë palë, parti, nëse nuk i jepet posti i Kryeministrit LDK-së! “Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, autorizoi kryetarin e LDK-së dhe kryesinë e LDK-së, që të kontaktojë dhe të bisedojë me tërë spektrin politikë të Kosovës lidhur me qeverisjen e ardhshme dhe natyrisht ti shter të gjitha mundësitë që koalicioni paszgjedhor i përberë nga LDK, AAK dhe Nisma e më vonë edhe nga Vetëvendosja, të arrijë që të fitojë shumicën në pushtet, mirëpo të mos kufizohet vetëm në këtë, por me prioritet maksimal të këtij koalicioni, sepse kemi krijuar mirëbesim dhe kemi krijuar një disponim politikë për ndryshime të domosdoshme të cilat duhet të bëhen në vend”, tha Mustafa.
Ne do të bisedojmë me të gjithë, sot nuk kemi marr vendim, por kemi marr vendim që të bisedojmë sepse në këtë fazë është e domosdoshme që të gjithë ne të bisedojmë mes vete dhe të gjejmë rrugë dhe alternativat më të mira që të konstituohen edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, por edhe qeveria sa më shpejt.
Ne propozojmë që javën e ardhshme të fillojë kjo procedurë në mënyrë që të mos prolongohet më tepër.
“Nominimi im për kryeministër nga partia është bërë para tetë muajve”, tha Mustafa.
“Diskutuam për qeverisjen e vendit mbi parimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, parimet e përmendura nga Presidentja dhe nga faktori ndërkombëtarë”, tha ai.
“Do të bisedojmë me të gjithë, nuk kemi marrë vendim për koalicione”, tha ai.
Mustafa tha se me askë nuk do të vihet në diskutim asnjëherë posti i kryeministrit. “Nominimi im për kryeministër ka qenë para tetë muajsh, ky nominim prapë është konfirmuar në Këshillin e Përgjithshëm, është konfirmuar disponimi edhe sot dhe LDK nuk pranon të hyjë në asnjë variant të qeverisjes së vendit nëse LDK-ja nuk do të jetë në krye të qeverisjes së vendit. Do të thotë ky është kushti i cili u vu nga Këshilli i Përgjithshëm, dhe s’do të bëjmë me askë debate dhe diskutime lidhur me postin e Kryeministrit. Ne do të ofrojmë dhe do të japim ofertën tonë që është ofertë e qeverisjes së mirë të vendit, ofertë e zhvillimit ekonomik, por që nënkupton se përgjegjësinë e merr LDK, vetëm nëse e merr përgjegjësin e qeverisjes së vendit”.
***
Pas një debati të gjatë afër katër orësh, të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, mes tensioneve dhe pakënaqësive më në fund ka dominuar ideja që pavarësisht të gjithave, vendimi më i mirë është ai që çon në krijimin e institucioneve, duke negociar me të gjitha partitë që e mundësojnë këtë, që i bie, se nga sonte janë të hapura negociatat
Sapo përfundoi mbledhja dhe Këshilli Drejtues e autorizoi LDK-në për negociata me PDK-në për krijimin e qeverisë!
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka marrë marrë vendim se si do të veprojë, ti thotë lamtumirë bllokut, apo që ta merrë në konsideratë mundësinë që të nis negociatat me PDK-në, për të formuar qeverinë e Kosovës, dhe për ti dhënë fund bllokut.
Zyrtarë të LDK kanë thënë se çështja më e nxehtë është ideja e koalicionit të mundshëm me PDK-në, përderisa shumica e anëtarëve të Këshillit kanë diskutuar në frymën se janë kundër koalicionit me PDK-në.
***
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së po e vazhdon mbledhjen, në një debat mjaft të nxehtë. Fatmir Sejdiu, ish presidenti i vendit i pari e ka lëshuar mbledhjen, duke refuzuar të votojë çfarëdo vendimi, pasi beson se kryesisë së LDK-së i ka kaluar legjitimiteti.
Sapo ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pritet të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbajë ky subjekt përballë situatës aktuale politike në vend.
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të sqarojë pozicionin e saj rreth marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA’n si dhe të marrë qëndrim rreth nominimit të Isa Mustafës për Kryeministër si një pozicion të ri të këtij subjekti përballë situatës aktuale.
Sot në orën 16:00 vetëvendos LDK-ja
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në ora 16:00 për të marrë vendim se a do të vazhdojë kjo parti të mbetet pjesë e koalicionit LAN sipas Marrëveshjes së 10 qershorit, apo të largohet prej tij.
Këtij takimi i ka paraprirë takimi i djeshëm i Kryesisë së Partisë dhe i kryetarëve të degëve të LDK-së.
LDK ka shprehur qëndrimin e saj, se në pamundësi për të implementuar Marrëveshjen e 10 qershorit të nënshkruar nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, si partia më e madhe e koalicionit LAN i takon që të marrë postin e kryeministrit.
Nga ana tjetër, AAK-ja, të cilës me Marrëveshjen e 10 qershorit iu nda ky post, kundërshton një gjë të tillë dhe ka bërë të qartë se kushdo që nuk e zbaton këtë marrëveshje, do të jetë fajtori për prishjen e Bllokut.
Por dje, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri tha se kur është nënshkruar marrëveshja më 10 qershor, LDK-ja ka bërë me dije edhe AAK-së edhe Nismas, që nëse kjo marrëveshje nuk do të implementohet në tërësi, atëherë është e nevojshme të bëhet një marrëveshje e re.
Gjykata Kushtetuese ia revokoi Isa Mustafës zgjedhjen si kryeparlamentar, duke marrë vendim, se PDK-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit.
Pas insistimit pesë mujor të Bllokut, se atyre u takon edhe kryeparlamentari, pasi që thirreshin në pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, liderët e LDK-së, AAK-së dhe Nismas, iu bindën vendimit të gjykatës.
Por, menjëherë pas këtij vendimi, LDK-së iu shtua apetiti për postin që sipas marrëveshjes së 10 qershorit, i takonte liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Këtu filli përplasja.
Përderisa, zyrtarët e AAK-së insistojnë se marrëveshja duhej të zbatohej, zyrtarët e LDK-së në anën tjetër këmbëngulin se marrëveshja duhet rishqyrtuar dhe se i nominuar për kryeministër nga koalicioni LAN duhet të jetë lideri i tyre, Isa Mustafa.(Kortezi Bota Sot)