• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

META: “Epoka e Skënderbeut” ishte përcaktuese jo vetëm për Shqiptarët, por edhe për vetë fatin e Europës

November 8, 2018 by dgreca

7 Nëntor 2018 Fjala e Presidentit Meta dhe fjala e Presidentit Mattarella në veprimtarinë e përbashkët në Shën Mitër Korona/

Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta në veprimtarinë e përbashkët me Presidentin italian Mattarella në Kolegjin e “Shën Adrianit” të Shën Mitër Koronës të Kalabrisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut:

I nderuar President i Republikës së Italisë, Sh.T.Z. Serxhio Mattarella,
Të nderuara autoritete vendore,
Ministri Majko, deputetë,
Të dashur motra dhe vëllezër arbëresh,

Jam shumë i lumtur të jemi sot së bashku me mikun e shqiptarëve dhe të arbëreshëve, me Presidentin Mattarella, këtu në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona, në djepin e arsimit dhe kulturës arbëreshe.

Faleminderit i dashur President Mattarella për vëmendjen e veçantë që ju i kushtoni këtij komuniteti dhe marrëdhënieve tona.

Jemi pikërisht këtu në gjurmët dhe trashëgiminë e të madhit De Rada, i cili ishte mësuesi i parë i “Katedrës së Gjuhës Shqipe” dhe një nga themeluesit e “Rilindjes Shqiptare” këndej dhe andej Adriatikut.

Popujt tanë nuk i bashkon vetëm deti, por historia jonë e hershme dhe moderne. Dëshmia më e gjallë dhe modeli më i mirë i kësaj bashkëjetese të përjetshme janë arbëreshët, për të cilët jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës.

Në udhëtimin e përbashkët historik mijëra vjeçar, kemi një moment kulmor të marrëdhënieve tona që përkon me “Epokën e Skënderbeut”, e cila ishte përcaktuese jo vetëm për fatin tonë si popull dhe komb, por edhe për vetë fatin e Europës.

Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për 25 vite me radhë, jo vetëm mbrojti lirinë e kombit tonë, por u bë dhe mburojë për mbarë krishterimin dhe qytetërimin europian.

Ky kontribut i mirënjohur është dokumentuar edhe në marrëdhëniet e tij diplomatike, ushtarake e miqësore me Mbretërinë e Napolit, me Papatin dhe me Republikën e Venedikut.

Fatkeqësisht, me vdekjen e tij 550 vjet më parë, pushtimi otoman solli edhe “eksodin e madh” të arbëreshëve drejt brigjeve të Italisë.

Gjithë dhimbja për largimin nga Arbëria, mëmëdheu i tyre i dashur, nga varret e të parëve, arratia nga pushtimi, braktisja e vatrave, shtëpive, ndarja nga të afërmit etj. janë shprehur më së bukuri në vargjet:

Atje kam unë zotin At/ atje kam unë zonjën Mëmë /atje kam dhe tim vëlla / të gjithë mbuluar nën dhe/ Ah e bukura More…

Largimi ishte i dhimbshëm, malli dhe nostalgjia për mëmëdheun e lënë mbrapa, akoma më i madh.

Por, për fatin e tyre të mirë, atdheu i ri ku mbërritën, i mirëpriti duke ju dhënë mundësinë të krijonin fshatrat e tyre dhe komunitetin Arbëresh.

Edhe pse larg mëmëdheut të tyre, komuniteti Arbëresh krijoi dhe mbajti gjallë identitetin e vet kombëtar, i cili edhe sot pas 550 vitesh, ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat e besimin fetar.

Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të arbëreshëve është në simbiozë unikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane.

Vargjet e ëmbla të Vincenzo Stratigò-it, fisnik arbëresh nga Lungro e pasqyrojnë këtë ndjenjë më së miri:

E dashur Itali, E bukura Itali/Ti më strehove si një motër/ Në gjirin e ëmbël të të bukurit vend.
Jam Shqipëtar.

Një fakt kuptimplotë i kësaj bashkëjetese shekullore është dhe kontributi i qenësishëm i komunitetit arbëresh në bashkimin e Italisë. Shumë prej patriotëve arbëresh dhanë jetën për të krijuar një Itali të bashkuar, një e të pandarë, duke u pagëzuar nga Garibaldi si “luanët e betejave”.

Poetët arbëreshë edhe Garibaldin e quanin Skënderbe këmishëkuqi ynë me flet / Skënderbeut tonë i ngjet!

Shumë prej tyre ishin iluministë dhe intelektualë me ide liberale dhe kulturë shtetformuese.

Ata ishin arsimuar në Kolegjin “Corsini” të San Benedetto Ullano dhe më pas këtu në Kolegjin e Shën Adrianit, të Shën Mitër Korona, duke krijuar kështu plejadën e elitës arbëreshe të Kalabrisë.

Shumë shpejt Kolegji i Shën Adrianit u bë qendra e përqasjes së ideve të reja liberale dhe revolucionare, duke promovuar shumë mendje të ndritura të Rilindjes Italiane, si Domeniko Mauro e Paskuale Skura.

Në këtë institucion u edukua dhe më pas dha mësim Jeronim De Rada, një rilindas dhe patriot i madh, i cili mes të tjerëve, pati nxënës edhe të riun Luigj Gurakuqi, atë që do të bëhej më pas njëri prej korifejve të mëdhenj të pavarësisë sonë kombëtare.

Ndërkohë që luftonin për bashkimin e atdheut të tyre të dytë, Italisë, arbëreshët filluan të mendonin sesi të mund të bënin të njëjtën gjë edhe me atdheun e tyre të origjinës, Shqipërinë.

Me në krye Jeronim De Radën, ata iu dedikuan gjuhës shqipe dhe mësimit të saj, ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë kulturore dhe të mendimit, si dhe nuk reshtën përpjekjet e tyre në luftën për pavarësinë e Shqipërisë.

Patriotët dhe intelektualët arbëresh kanë dhënë një kontribut të paçmuar në nivel politik dhe diplomatik për çështjen shqiptare dhe për shpalljen e pavarësisë.

Mbi të gjitha, ne u jemi mirënjohës pafundësisht arbëreshëve për kontributin më të çmuar që kanë dhënë për kombin tonë: përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut ndër shekuj.

Kur u larguan nga atdheu i tyre, arbëreshët morën me vete në shpirt e në zemër të gjithë mishërimin e figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilën po me aq dashuri e rikthyen gjatë periudhës së Rilindjes Shqiptare, si frymëzimin e bashkimit të të gjithë kombit tonë.

Skënderbeu na bashkon të gjithë ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohje të pakufishme ndaj motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën për shekuj këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij.

Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij patën folur gjashtëqind vjet më parë.

Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore.

Ndërkohë, një falënderim të madh ia kemi Italisë dhe popullit italian, për mikpritjen, por mbi të gjitha për mbështetjen e pakushtëzuar që ju ka dhënë dhe vazhdon t’u japë arbëreshëve të Italisë, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre.

Është në interesin e dy popujve dhe vendeve tona të promovojmë këtë komunitet të vjetër dhe me vlera unikale, si pjesë e pandashme e trashëgimisë historike shqiptare, italiane dhe europiane.

Të dashur miq,

Shembja e diktaturës së egër komuniste në fillim të viteve 90-të provokoi një eksod tjetër masiv për shqiptarët. Dhjetëra mijëra qytetarë vërshuan me anije të mbingarkuara, në kërkim të lirisë, fatit dhe të një jete më të mirë në Italinë fqinje.

Shteti dhe populli mik italian hapi dyert për t’i mirëpritur, ashtu siç kishte bërë 5 shekuj më parë me arbëreshët tanë. Italia mbetet mikpritësi i njërit prej komuniteteve më të mëdha e më të mirëintegruara të emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut.

Italia ka qenë pranë nesh në të gjitha momentet kyçe të historisë sonë.

Edhe sot, ne vazhdojmë t’i jemi mirënjohëse Italisë për mbështetjen e gjithanshme që na ka dhënë e vazhdon të na jep në rrugëtimin tonë drejt integrimit europian.

Italia është partner strategjik i Shqipërisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor në të gjitha proceset demokratizuese, në konsolidimin e shtetit ligjor dhe në zhvillimin ekonomiko-social të vendit.

Arbëreshët dhe emigrantët shqiptarë të pas viteve 90-të kanë një kontribut të pamohueshëm edhe për vetë zhvillimin ekonomik dhe progresin e shoqërisë italiane.

Ne jemi krenarë kur dëgjojmë histori dhe modele suksesi të arbëreshëve dhe shqiptarëve të njohur në Itali, qofshin këto në jetën akademike, në botën e biznesit, apo në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

Nga ana tjetër, nuk mund ta fshehim kënaqësinë që aktualisht janë mbi 25 mijë qytetarë italianë që kanë zgjedhur të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë në Shqipëri. Kjo ishte e paimagjinueshme 27 vite më parë!

Jemi të vetëdijshëm që komuniteti Arbëresh meriton më shumë vëmendje dhe vlerësim nga Shqipëria, prandaj jam këtu me Ministrin e Diasporës Majko, me deputetë të mazhorancës dhe opozitës, dhe do të jemi te të gjitha komunat arbëreshes.

Kemi nevojë që brezat e rinj të një gjaku, në dy anët e Adriatikut e të Jonit të njihen më shumë, të komunikojnë më tepër, të shkëmbejnë eksperienca dhe të ndajnë aspirata të përbashkëta si qytetarë europianë.

Do të bëjmë përpjekje maksimale jo vetëm në nivel qëndror shtetëror, por edhe në nivel rajonal dhe lokal për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona, në realizimin e projekteve ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike, ndaj kemi rënë dakord me Presidentin e Rajonit të Kalabrisë dje për marrëveshje shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Kalabrisë .

Po kështu jam i bindur se kjo vizitë e përbashkët me Presidentin Mattarella nuk shënon veçse një fillim të ri të angazhimit të përbashkët në emër të dy vendeve për ruajtjen e kësaj trashëgimie unike që ju përfaqësoni për të dy vendet tona dhe për Europën.

Të dashur motra dhe vëllezër Arbëreshë,

Shqipëria dhe shqiptarët do t’ju jenë mirënjohës për rolin tuaj të pazëvendësueshëm si faktor i identitetit tonë kombëtar.

Ju na ruajtët emrin si popull i vjetër e i lavdishëm: Arbër Arbëresh, Arbanë, Arbën e Albani janë fjalë që ekzistojnë prej jush.

Sepse ju jetuat me mitin e të parëve në shpirt dhe lavdinë e pavdekshme të Skënderbeut.

Prandaj ideologjia jonë kombëtare lindi së pari këtu tek ju.

Ndaj shqiptarët kudo që jetojnë sot e në të ardhmen nuk do të harrojnë se në momentet më kritike të përgjumjes së kombit tonë, nga këtu kumboi thirrja e De Radës, patriotit dhe rilindasit tonë të madh që zgjoi ëndrrën e fjetur.

Erdhi Dita e Arbrit!
Lavdi të përjetshme kombit tonë dhe Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut!
Rroftë miqësia vëllazërore italo-shqiptare!
Rrofshin arbëreshët!

Fjala e Presidentit të Republikës së Italisë, Sh.T.Z. Sergio Mattarella në veprimtarinë e përbashkët me Presidentin Meta në Kolegjin e “Shën Adrianit” të Shën Mitër Koronës të Kalabrisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut:

Zoti Presidenti i Republikës së Shqipërisë, mik President Meta!

Përshëndetje Presidentit të Rajonit, Kryetarit të Bashkisë, dhe nëpërmjet tij bashkëqytetarëve të tij, Presidentit të Provincës, kryetarëve të bashkive të tjera të pranishëm që dëshmojnë sa e përhapur është prania arbëreshe në shtatë rajone të Italisë.

Një përshëndetje të veçantë delegacionit që shoqëron Presidentin Meta.

Do të doja të falënderoja shumë Prof. Altimari për prezantimin interesant dhe të plotë të fakteve historike dhe dy studentët për përshëndetjet dhe reflektimet e tyre.

Do të doja të falënderoja gjithashtu edhe korin e të rinjve, që kënduan me të njëjtën përfshirje himnin kombëtar shqiptar dhe himnin kombëtar italian dhe korin që më parë në oborr na ofroi dy këngë arbëreshe: e para ishte një këngë malli për Mëmëdhenë.

Të gjithëve një përshëndetje shumë dashamirëse, mirëdita, falem, mirëmëngjes!

Për mua është një kënaqësi të jem me ju sot – së bashku me Presidentin Ilir Meta – në Shën Mitër, njëra nga qendrat më aktive të kulturës arbëreshe në Itali. Një vend domethënës, në të cilin të gjithë – shqiptarë, italo-shqiptarë, italianë – mund të ndihemi me të vërtetë në shtëpi.

Pasardhësit e Arbërit, kanë rrënjë në një Vend të afërt, mik dhe aleat, përveç se për Italinë me të vërtetë një partner i rëndësishëm strategjik.

I dhashë mirëseardhjen në Itali Presidentit të Republikës së Shqipërisë në korrikun e kaluar, me rastin e vizitës së tij të parë zyrtare jashtë vendit, dhe iu bashkova me kënaqësi propozimit të tij për tu takuar sërish, në një kornizë që do të na lejonte të shprehnim, në mënyrë veçanërisht të qartë, lidhjet e thela historike dhe kulturore, përveç se politike dhe ekonomike, që bashkojnë Vendet tona dhe sidomos popujt tanë.

Në një kuadër të lashtë marrëdhëniesh të ndërsjella, afërsi dhe interesa të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, arbëreshët përfaqësojnë njërin nga shembujt më autentik të raportit të vëllazërimit mes dy popujve tanë.

Shqiptarë për nga origjina dhe italianë prej më shumë se 500 vjetësh, kanë ruajtur me krenari traditat e lashta, ritet fetare, gjuhën e të parëve, duke dhënë, në të njëjtën kohë – me kurajë dhe nëpërmjet idealeve të tyre – një kontribut të rëndësishëm lindjes dhe bashkimit të Vendit tonë.

Kolegji italo-shqiptar i Shën Adrianit, që na pret sot, dëshmon mbi rëndësinë dhe kuptimin e këtij gërshetimi, mbi këtë përzierje të thellë e të frytshme.

Nën këto mure u formuan patriotë të flaktë, nxitës kurajoz të motove kalabreze të 1844 e të 1848, eksponentë të ndritur të Rilindjes italiane, e më tej të asaj shqiptare. Këtu studioi, ndër të tjerë, Jeronim De Rada, poet dhe themelues i L’Albanese d’Italia – e para gazetë ne gjuhën shqipe në botë, – që dha kontributin e saj në pavarësinë italiane dhe shqiptare si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm studimeve të rrënjëve të popullit shqiptar.

Nga ky Kolegj janë edhe disa studentë, ardhur nga Quarto me trupat e Garibaldit, bashkë me “të mijtë” të cilët besnikë i qëndruan çështjes kombëtare dhe përkujtohen në lapidarin e mermertë të vendosur në hyrjen e këtij kompleksi sugjestionues.

Me origjinë arbëreshe ishin edhe Francesco Crispi dhe Antonio Gramsci, protagonistë të historisë së vendit tonë dhe të rrugëtimit drejt bashkimit kombëtar, të identitetit të tij.

Përfshirja e pasardhësve shqiptare në (Mëmëdheun e ri) krijoi një lidhje të ngushtë, të pandashme të ngjarjeve historikeve të dy vendeve tona. Një gërshetim që frymëzoi poetin Zef Serembe i cili shkruan “një luftëtar i madhërishëm me këmishë të kuqe barazohet me tonin Skënderbe). Heroi Kombëtar Shqiptar është quajtur shpesh dhe “Garibaldi i Shqipërisë”. Ngjashmëri që e bën këtë përkujtim edhe më kuptimplotë. Si Garibaldi për Italinë Skënderbeu nuk qe vetëm protagonist i bashkimit kombëtar, por me kalimin e kohës u kthye në simbol të krenarisë kombëtare. Një simbol në të cilin “populli i Shqiponjave” identifikohet, edhe jashtë kufijve shqiptare. Ai mbrojti pareshtur vlera dhe parime, të cilat ruajnë dhe sot një aktualitet të patundshëm: pranimi i diversitetit, respekti i identitetit të individit, si pikënisje për ndërtimin e një identiteti kombëtar që përcillet në breza dhe përfshin, duke vlerësuar specifikën e gjithkujt.

Prejardhja e tij nga prindër me prejardhje fetare të ndryshme, dhe eksperienca e tij prej një fëmijë i rritur si mysliman , dhe me pas konvertuar ne katolik, në krye të një ushtrie shumëetnike dhe disa fetare, diti të veshë interesin e përbashkët i cili përfshin dhe përmbledh përkatësi etnike dhe fetare.

Figura e tij na përcjell një mesazh të një rëndësie të veçante, jo vetëm për Shqipërinë, vend i disa kulturave dhe disa besimeve fetare, në të cilin sipas poetit Vaso Pasha e vetmja fe është shqiptaria, por edhe për Italinë, për Ballkanin dhe për të gjithë kontinentin europian.

Trashëgimia më autentike dhe aktuale që ky strateg i aftë dhe i ndjeshëm, diplomat dhe politikan na le pas është një model i formës së shtetit që bashkëlidh dhe di të respektoje diferencat. Një mesazh që na ndihmon të orientohemi dhe të veprojmë në një epokë në të cilën duket sikur shumëzohen dhe mbivendosin e mbivlerësojnë artificialisht tensionet, ashpërsimi i përplasjeve, evidentimi i diferencave, ngritja e kufijve ideologjike ndarëse, të cilat nënkuptojnë një përballje të përhershme me “tjetrin”.

Mesazhin e Skënderbeut, Arbëreshët ndër shekuj e kanë promovuar dhe përcjellë. Diaspora shqiptare, që me heroin kombëtar identifikoi fillin lidhës, me anë të të cilit vijoi të mbajë fort lidhjet me mëmëdheun, tej e më tej, duke vijuar ndërkohë integrimin në zona të ndryshme të Italisë.

Një përvojë që përbën dhe më jep kënaqësi të veçantë që ta rikujtoj – një shpalosje konkrete të parimit përmbajtur në nenin 6 të Kushtetutës tonë, dedikuar mbrojtjes së pakicave. Një parashikim që përfaqëson një çështje të rëndësisë të veçantë, lidhur ngushtë me unitetin dhe pandashmërinë e Republikës tonë, me njohjen dhe vlerësimin e kulturave të ndryshme kombëtare. Një parashikim që vendoset në bazat e pluralizmit, pikë kyçe e demokracisë dhe element i pandashëm i një sistemi që nuk synon asimilimin e diferencave, por njohja e tyre vlerësimi dhe respektimi i tyre si një detyrë.
Arbëreshët përbëjnë një histori integrimi dhe mikpritje që ka pasur sukses të plotë, një shembull se si njohja dhe respekti reciprok i kulturave sjell rritje për territoret dhe Shtetet ku jetojnë komunitetet e ndryshme. Ruajtja e origjinës së lashtë, ndikimi reciprok, përzierja harmonike e gjuhës, kulturës dhe traditave, kanë qenë për shekuj dhe janë ende “vlera e shtuar” e këtyre komuniteteve. Realitete që luajnë një funksion thelbësor lidhës midis dy “popujve përballë”, siç u referohemi shpesh shqiptarëve dhe italianëve.

Zoti President,
Autorite,
Të dashura bashkëqytetare dhe të dashur bashkëqytetarë!

Kësaj amalgame historik i është shtuar, duke e pasuruar dhe përforcuar, kontributi i shqiptarëve që, në kohë më të afërta, kanë zgjedhur të vijnë në Itali për studime ose punë. Një komunitet me rreth gjysmë milioni njerëz që kanë kërkuar dhe gjetur në këto vite mundësi për integrim. Këtë e dëshmojnë, ndër të tjera, 112 000 nxënësit shqiptarë në shkollat italiane, 10 000 studentët universitarë të angazhuar në universitetet tona dhe dhjetëra mijëra veprimtarive e sipërmarrësve, të ndërtuara nga qytetarë shqiptarë.

Italianët me origjinë shqiptare dhe shqiptarët e Italisë janë dy anët e një medalje të çmuar. Ajo përcjell kontributin e jashtëzakonshëm që gjatë 500 viteve të fundit ka ardhur nga Shqipëria për zhvillimin social, civil, kulturor dhe ekonomik të Italisë. Një kontribut që, në mënyrë reciproke, shfaqet edhe me anë të pranisë gjithnjë e më të rëndësishme italiane në “Tokën e Shqiponjave”, vend i mundësive të reja për qytetarët italianë që shkojnë atje në numër të madh.

Zoti President,

Trashëgimia e jashtëzakonshme që Skënderbeu ka lënë nuk duhet të humbet, sot po ndihmojmë ta ruajmë atë dhe kjo duhet të bëhet pikërisht nga gjeneratat e reja të vendeve tona. Në këtë drejtim, dëshiroj të përgëzoj Gjimnazin e Shën Mitrit për nismat e tij largpamëse, që kanë për qëllim nxitjen e shkëmbimeve të frytshëm midis nxënësve shqiptarë dhe italianë nëpërmjet udhëtimeve studimore dhe projekteve për alternancën shkollë-punë, të tillë si ai i kryer, disa javë më parë, në Shqipëri.

Vetëm nëse ushqehemi me rrënjët tona, duke shoqëruar këtë me respektin dhe hapjen ndaj atyre të të tjerëve, mund të vazhdojmë me vendosmëri dhe qetësi rrugën drejt së ardhmes.

Një e ardhme në të cilën – jam i bindur – Shqipëria do të jetë gjithashtu pjesë përbërëse e Bashkimit Europian, pas hyrjes në komunitetin euroatlantik. Ky është një qëllim, i rëndësishëm për të gjithë komunitetin, dhe që Italia mbështet me bindje dhe vendosmëri të mëdha.

Na bashkon, mbi të gjitha, vokacioni i përbashkët për të ndërtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes europiane, një kontinent të bashkuar, të integruar dhe paqësor.

Nëntor 2018 Presidenti Meta viziton Universitetin e Kalabrisë në Kozenca

Kozenca, Itali

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Universitetin e Kozencës në Kalabri ku u takua përzemërsisht me Rektorin Gino Mirocle Crisci, me studentë arbëreshë dhe shqiptarë, me pedagogë, si dhe me stafin akademik.

Pasi u njoh me një prezantim të detajuar të Universitetit kalabrez (UNIQAL) dhe me funksionimin, strukturën e mjediset e tij, Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e madhe të Universitetit për shkollimin e të rinjve italianë, arbëreshë dhe nga Shqipëria, sidomos kontributin për studimin e gjuhës shqipe, forcimin e marrëdhënieve me vendin tonë dhe shkëmbimin e përvojës së vyer akademike.

Presidenti i Republikës në fjalën e Tij, u shpreh:

“I nderuar prof. Gino Crisci, Rektor i Universitetit të Kalabrisë,
Të nderuar profesorë, akademikë, studiues, studentë,
Zonja dhe zotërinj,

Universiteti i Kalabrisë për vendin tim dhe për mua personalisht nuk është si çdo universitet tjetër.

Me këtë universitet është e lidhur fort tradita e promovimit të identitetit arbëresh, i cili është një identitet “sui-generis” (shqiptaro-italian) që bashkon e ndërlidh dy anët e Adriatikut.

Me këtë universitet lidhet historia e albanologjisë, historia e mendimit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës shqiptare.

Ne u jemi mirënjohës kolegjeve e seminareve italo-arbëreshe, që i paraprinë Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, me idetë iluministe dhe me pasionin për arsimin dhe kulturën europiane, si frymëzim për jetën dhe veprën e shumë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë.

Nëse interesimi për gjuhët e vendeve të vogla e të palëvruara nis me enciklopedistin dhe filozofin gjerman Lajbnic, Italia e Jugut ka meritën historike si vendi i themelimit të së parës katedër të gjuhës shqipe në botë.

Pesë shekuj më parë në këto treva emigruan dhjetëra mijë, ndoshta dhe qindra mijë arbëreshë, që nuk e duruan sundimin e huaj dhe e lanë me dhimbje vendin e të parëve.

Italia e Jugut u bë atdhe i dytë jo vetëm për arbëreshët, por edhe për grekët e sllavët, për të gjithë ata që historia i njeh si levantinë.

Këtu bashkëjetuan gjuhë, besime, liturgji, tradita e kultura të burimeve të ndryshme. Dhe kjo tolerancë multikulturale është para së gjithash vlerë dhe meritë e shumicës, sepse pakica është ajo që ka nevojë të tolerohet ashtu si edhe në demokraci.

Mirënjohja jonë i drejtohet para së gjithash kësaj tolerance e bashkëjetese, pa të cilat nuk do të mund të imagjinohej kjo mbijetesë gjuhësore, kulturore e identitare e të gjitha grupimeve pakicë, para së gjithash e arbëreshëve.

40 vjet më parë, kur ishte në këto anë e në këto vise, shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, pati thënë se: “Ju arbëreshët jeni bijtë dhe etërit tanë”. Kjo shprehje ka një domethënie të madhe. Duket si kundërthënie, por ka shumë mençuri dhe urtësi në thelbin e vet.

Ju jeni bijtë tanë, sepse jeni një degë e ndarë prej dheut të të parëve shekuj e shekuj të shkuar, ashtu siç shkruante Zef Serembe me vargjet e tij:

“Arbëria matanë detit na kujton,

Se ne të huaj jemi tek ky dhe”.

Por Dritëroi ka të drejtë edhe kur i quan arbëreshët “etërit tanë” sepse sa herë që duam të dimë si kanë qenë shqiptarët para se të bëheshin pjesë e një perandorie të huaj, që vinte nga Lindja aziatike, teokrate e ushtarake, ne i kthejmë sytë nga ju, nga arbëreshët.

Tek arbëreshët shohim ato vlera fisnikërie dhe identitare që na bëjnë krenarë edhe sot e kësaj ditë për prejardhjen dhe historinë tonë të lavdishme.

Mbijetesa juaj “në dhe të huaj”, siç thoshte Skiroi, është një meritë historike e kulturore e shpirtit të Arbërit. Është dhe mbijetesë e shpirtit të Arbërit andej, të shqiptarëve të sotëm.

Ju nuk e harruat epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit, të Gjergjit të Madh, me të cilin jeni identifikuar, të Kastriotit tonë, të cilit sivjet i nderojmë 550-vjetorin e ndarjes nga jeta, me Vitin Mbarëkombëtar, që na ka bashkuar e lidhur edhe më shumë.

Arbëreshët mbajtën gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe rrojtën prej nderit e lavdisë së tij.

Kur De Rada bëri thirrjen “Erdhi ditë e Arbërit”, Shqipëria dhe shqiptarët ishin ende në përgjumje.

“Arbëria e vjetër” ishte e robëruar, kurse në Itali zienin idetë e Rilindjes kombëtare. Poetët arbëreshë edhe Garibaldin e quanin “Skënderbe”:

“Këmishkuqi ynë me fletë / Skënderbeut tonë i ngjet”.

Këtu tek ju u ruajt gjuha dhe shkrimi. Ju ishit të parët që derguat misione për të rimëkëmbur gjendjen kishtare, historike e kulturore në Shqipërinë e vjetër.

I pari që guxoi t’i shkruante në shqip letra zyrtare Selisë së Shenjtë, ishte arbëreshi monsinjor Zef Skiro i parë. Prej arbëreshëve, prej De Radës, u themelua e para katedër e gjuhës shqipe në histori.

Prej arbëreshëve bota shqiptare u ribë pjesë e botës europiane dhe hyri në veprat e Hygoit, Delakruasë, Aleksandër Dymasê dhe shumë shkrimtarëve të tjerë.

Profesorët tanë të nderuar, akademikët Francesco Altimare dhe Matteo Mandala’, të cilët janë nderi juaj dhe nderi i kombit shqiptar, nuk janë lodhur së kontribuari për promovimin e lidhjeve historike e kulturore dhe urave të bashkëpunimit në dy anët e Adriatikut.

Sa herë që duam të gjurmojmë origjinën dhe trashëgiminë tonë europiane ne i kthehemi botës arbëreshe.

Nga bota arbëreshe kanë dalë emra të mëdhenj, që nga Lekë Matranga e Nikollë Keta deri tek De Rada, Gavril Dara, Zef Skiroi e Zef Serembe, Krispin e Terenc Toçi dhe shumë personalitete të tjera.

Shqipëria i ka gdhendur fort si gurë të çmuar këto personalite në memorien dhe identitetin e saj kombëtar.

Shqipëria ka qënë europiane dhe moderne shumë kohë para se të fitonte pavarësinë e saj.

Vitin e ardhshëm kemi 200-vjetorin e lindjes së Francesco Antonio Santorit. Ky është një rast për të evokuar së bashku për një epokë të re të iluminizmit kombëtar, siç ishte ajo e Rilindjes Arbëreshe.

Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për ju. Këtu kam parasysh mbi të gjitha mbështetjen e nismës që trashëgimia arbëreshe, së bashku me bartësit e vet, të regjistrohet në UNESCO. Për fat të mirë edhe autoritetet italiane e duan dhe e çmojnë këtë nismë.

Angazhimin e demonstruam shumë qartë dje me Presidentin Mattarella, i cili ma konfirmoi këtë vullnet dhe dëshirë.

Dua të shpreh një falënderim të përzemërt për Presidentin Mattarella, i cili e pranoi menjëherë ftesën për të vizituar së bashku komunitetin arbëresh, që siç edhe theksoi është një faktor i rëndësishëm i unitetit midis dy vendeve tona.

Ne e konsiderojmë Universitetin e Kalabrisë edhe si një universitet tonin.

Me energjinë e tij të pashterrshme, me mençurinë dhe intelektin dhe dashurinë për dheun e Skëndërbeut, akademiku ynë dhe profesori juaj Francesco Altimari, në gjurmët e Mjeshtrit Francesco Solana – që e donte me zemër Shqipërinë – e ka fuqizuar shumë degën e albanistikës, e ka zgjeruar regjistrimin e kandidatëve duke pranuar studentë të rinj nga gjithë hapësira historike shqiptare, si dhe ka krijuar ekipe akademike të suksesshme, me programe e projekte ambicioze.

Studiuesit shqiptarë i konsiderojnë akademikët Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà jo vetëm si modele të një rruge të re kërkimi shkencor, por dhe si shembëlltyra të bashkësive arbëreshe këtu e në Siçili.

Prandaj ne i adhurojmë ata dhe i çmojmë lart universitetet ku kontribuojnë, si asete të arta intelektuale të tyre.

Shpreh besimin se nga ky universitet do të dalin albanologë të rinj të suksesshëm, studiues të denjë të botës italo-shqiptare, të cilët do të japin një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për fuqizimin e miqësisë së përjetshme mes dy popujve tanë, por mbi të gjitha për progresin dhe të ardhmen europiane të shqiptarëve.

Ju faleminderit!”

Filed Under: Emigracion Tagged With: në Shën Mitër Korona, Presidenti Meta

Presidenti Meta- Ngjarja në Bularat, këmbanë alarmi për të parandaluar gjuhën e urrejtjes

October 30, 2018 by dgreca

Reagim i zëdhënësit të Presidentit të Republikës për vrasjen në Bularat të Gjirokastrës/

letrat per tavolina

Tirane, 30 Tetor 2018- Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi i pyetur sot nga mediat mbi ngjarjen e rëndë të Bularatit, nënvizon se:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar, e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.

Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke.

Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.

Filed Under: Komente Tagged With: koment, ngjarja ne Bularat, Presidenti Meta

META NE TROPOJE: PERULEM ME RESPEKT PARA VEPRES SE AZEM HAJDARIT

October 13, 2018 by dgreca

Presidenti Meta përshëndet veprimtarinë kulturore “Kcimet e Tropojës në UNESCO”/

Bajram Curri, Tropojë-13 Tetor 2018-Presidenti Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj e të zgjedhur të pushtetit vendor, Ambasadori i Japonisë Makoto Ito, zonja Mariana Graff, deputetë, përuroi një qendër sociale në qytetin e Bajram Currit, që do të strehojë 15 familje të pastreha dhe në kushte të vështira ekonomike, gjashtë prej të cilave i përkasin komunitetit rom.

Më tej Presidenti Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë kulturore “Kcimet e Tropojës në UNESCO”, ku performuan grupe të ndryshme artistike dhe Ansambli i qytetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta theksoi: “Ardhja për mua në Tropojë është një kënaqësi, përgjegjësi dhe emocion i veçantë! Është kënaqësi sepse kam shumë lidhje e miqësi të panumërta të krijuara në kohë dhe raporte të ndryshme! Është emocion, sepse Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete që i kanë dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për indentitetin dhe dinjitetin kombëtar, për politikën dhe diplomacinë, për arsimin dhe shkencën, për artin dhe kulturën.

Mbarë populli shqiptar i është mirënjohës popullit të Tropojës për atë çfarë i ka dhënë kombit. Ky vend është libër i një historie të madhe. Ky popull ka nxjerrë trima të pafund, mendimtarë të rrallë, politikanë të shquar, diplomatë të mprehtë, oratorë të zjarrtë, filozofë popullorë, rapsodë, gurrë të pashuar, artistë me famë.

Në çdo event të rëndësishëm të popullit dhe të kombit shqiptar është prania, kontributi dhe protagonizmi i tropojanëve.

Kjo, sepse tropojanët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve. Tropojanët u gjenden dhe kontribuan në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Lidhjen e Junikut, në Kuvendin e Vlorës, në Konferencën e Bujanit e në çdo ngjarje. Do të duhej një kohë e gjatë për të përmendur emrat e tyre me kontribute të paharruara për çështjen kombëtare si Haxhi Zeka, Bajram Curri, Binak Alija, Mic Sokoli Dervish Luzha, e shumë të tjerë.

Pesha që Tropoja dhe tropojanët kanë mbajtur në kapërcimin e jashtëzakonshëm nga diktatura në demokraci është e rrallë.

Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Po jo vetëm ata, edhe shumë të rinj të tjerë, edhe shumë personalitete të tjera, intelektualë si Besnik Mustafaj e shumë të tjerë, ishin pikërisht nga Tropoja.

Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë.

Tropoja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.

Bjeshkët e Tropojës kanë lidhur komunitetet shqiptare nga Kosova, Malësia e Madhe e Mali i Zi. Këto male të larta e të thepisura gjithëherë me borë nuk i kanë ndarë, por i kanë bashkuar shqiptarët e malsive tona kreshnike. Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ neve duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Se të bekuara janë vërtetë me bukuritë dhe pasuritë, me florën dhe faunën, me ajrin e ujrat kristale, me livadhet e pyjet shekullorë, me arrat, gështenjat, boronicat dhe mjaltin, që nuk gjenden askund më me shumicë dhe më me cilësi se sa në këto Bjeshkë të bekuara.

Është detyra e jonë dhe e gjeneratave që vijnë të lehtësojnë akoma më shumë lidhjen e komunikimin ndërbjeshkor midis shqiptarëve, por edhe lidhjen me fqinjët tanë të mirë. Alpet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi i lidhin aq mirë shqiptarët me njëri-tjetrin. Por kësaj lidhje natyrore e njerëzore ne duhet t’i shtojmë me investimet tona në infrastrukturë, rrugë, energji, telekomunikim, dixhitalizim dhe lehtësi të tjera, të cilat realizojmë një konektivitetet mbarëvjetor ndëmjet të tre vendeve tona. Ky zhvillim do i shndërrojë Alpet e Shqiptarëve në një mrekulli të jashtëzakonshme të trashëgimisë botërore.

Por, që ky zhvillim të arrijë këtë objektiv madhor neve duhet të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë.

Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor. Këtë ekosistem të krijuar nga natyra dhe të ruajtur si sytë e ballit nga populli ndër shekuj duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Për Bjeshkët ekosistemi është gjithçka. Si i tillë ky ekosistem duhet të mbetët i pacenueshëm nga askush, për asnjë çast dhe për asnjë arsye. Ne dhe brezat që vijnë vetëm duhet t’i shtrojmë vlerat Bjeshkëve tona.

Tropoja ka qenë dhe mbetet një krahinë me rëndësi të veçantë strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pikërisht për këtë Tropoja njihet ndryshe edhe si ‘Malësia e Gjakovës”. Kosova dhe Tropoja i kanë pasur vuajtjet dhe gëzimet së bashku. Prandaj mund të themi me krenari se në themelet e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës qëndron edhe gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të Tropojës si dhe sakrificat e mbarë popullit të saj.

Gjithçka e lidh Tropojën me Kosovën, asgjë nuk e ndan prej saj. Kjo lidhje Tropojë-Kosovë nuk është thjesht gjeografike. Ajo është historike, aktuale dhe perspektive, është etnike, kulturore e zakonore, është dialektore, shpirtërore dhe morale. Këtë lidhje të shumëfishtë tradicionale Tropojë-Kosovë ne duhet ta forcojmë përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta që shtojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve e të kapitaleve.

Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Folklori është një minierë pasurie të paçmuar në Tropojë. Ai qëndron në harmoni me gjithçka. Tek kordha e lahutës ndjehet jehona epike e Bjeshkëve; tek dy telat e çiftelisë përjetohet gëzimi jetës dhe cicërimat e zogjve; tek madhështia e sharkisë dëgjojmë gurgullimën e ujërave dhe mençurinë e kuvendeve të odave malsore; tek vallet e cikave shihen zanat shtatëhedhura e të lehta si flutura, ndërsa tek vallet e burrave ndihet rëndesa e shkëmbijve, por dhe fluturimi i shqiponjave; tek kostumet popullore vezullon diversiteti natyror shumëngjyrësh në një harmoni perfekte dhe tërësisht unikal.

Kjo trashëgimi kulturore na ka ardhur deri sot e pasur, unike dhe e pacenuar falë kontributit të madh të shumë personalteteve dhe unë do të përmendja disa, se ata janë shumë: Fatime Sokolit, Fatmira Breçani, Gëzim Nikaj, Skënder Haklaj e shumë të tjerë. Ne na duhet të bëjmë gjithë përkjekjet që këtë thesar ta shndërrojmë në brand kulturor aktiv, i cili sjell mirëqenie dhe jo vetëm krenari. Dikur thesari i Tropojës shkonte rrallë nëpër botë, por çmohej shumë. Tani që po vjen mbarë bota në Tropojë, ky thesar duhet të jetë patenta kulturore e Bjeshkëve duke gjeneruar vlerat e larta të identitetit kulturor shqiptar.

Shumë nga thesaret e trashëgimisë kulturore artistike të Tropojës duhet të promovohen nga institucionet tona më shumë e më mirë, nga ato lokale e deri shtetërore për të synuar që të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Arritja që kemi realizuar me Iso-polifoninë e Jugut në UNESCO duhet të pasohet edhe me zhanre të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës. Për këtë kërkohet një punë e kujdesshme dhe një paraqitje profesionale nga institucionet tona shkencore, kulturore e artistike.

Të dashur pjesëmarrës,

Tropoja po shndërrohet në një zonë turistike të mrekullueshme dita-ditës. Është me rëndësi vizioni që do keni të gjithë për këtë industri të tillë të madhe dhe komplekse. Çdo zonë turistike në botë, por edhe Shqipëria vetë zhvillohet mbi specifikat e veta. Për trevën e Tropojës është specifike në mëyrë të veçantë që ajo t’i mbajë të bashkuara të të pandara tre vlera: natyrën, agro-turizmin dhe folklorin.

Në Tropojë këto tre tipare përbëjnë një lidhje unike e të pandarë-një brand sintetik turistik Tropojan. Të tre këto vlera, natyra-agroturizmi dhe folklori duhet të jenë pjesë e kësaj industrie të mirëmenduar turistike Tropojane. Asnjëra nga këto vlera nuk duhet të mënjanohet e të nënvlerësohet. Turistët në Tropojë do kënaqen me natyrën përrallore, duke shijuar vallet mahnitëse dhe tronditëse; duke shijuar flinë, kaçamakun, mazën e zier, duke dëgjuar muzikën popullore; duke provuar troftat e kuqe, por njëkohësisht edhe duke u ëmbëlsuar me boronica me mjaltë gështënje duke iu shndritur sytë nga vezullimet e kostumeve popullore.

Tropoja është perla ku bashkohen mrekullisht natyra-agroturizmi, folklori. Ky është brandi i Tropojës. Duhet ta zhvilloni ju atë dhe të gjithë së bashku për të sfiduar tregun turistik rajonal, evropian dhe botëror. Ju, tropojanët i keni të gjitha mundësitë për të ecur drejt realiteteve të reja në zhvillimin e turizmit. Unë dua t’ju siguroj që do të bëj çdo gjë si President i Republikës duke nxitur të gjitha institucionet që të mbështesin këtë projekt madhor të shndërrimit të Tropojës, të kësaj treve unike mbarëshqiptare, në thesar të turizmit europian dhe botëror.

Në këtë ambicie në mënyrë të veçantë, unë u bëj apel fëmijëve dhe rinisë tropojane, që të luajnë një rol dhe një kontribut të jashtëzakonshmëm, pasi e ardhmja do t’i shpërblejë me një mundësi të jashtëzakonshme për t’i realizuar ëndrrat e tyre këtu në Tropojë dhe në Shqipëri në këto bjeshkë të bekuara!

Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës!”

Presidenti i Republikës vlerësoi disa personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe gazetarisë, të zonës së Tropojës, zotin Islam Lauka; zotin Ndue Smail Ukcamaj, zotin Skënder Zeqir Dezhlani, Murat Ali Hajdarin (pas vdekjes), zotin Skënder Ram Haklaj si dhe Xhevahire Elez Gashin (pas vdekjes).

Filed Under: Featured Tagged With: e Torpore, perulem para vepres, Presidenti Meta, se Azem Hajdarit

PRESIDENTI META: JU PËRGËZOJ PËR RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR!

September 24, 2018 by dgreca

Presidenti Meta mori pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”/*

2 Dom Pjetri e takon1 dom pjetri me salle1 Ilir1 flet1 Balaj Presid as1 shqoponja N Tereza4 salle1 prerja e Tortes

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi kishën katolike shqiptare të Hartsdale-t në Nju-Jork ‘Zoja e Shkodrës”, ku mori pjesë në meshën e shenjtë të së dielës, 23 Shtator 2018.

Ëshët pritur me duartrokitje prezantimi që i bëri presidentit të Republikës z. Ilir Meta dhe shoqëruesëve të tij, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.

Gjatë meshës famullitari Dom Pjetër Popaj tha se lutej për presidentin Meta, dhe për të gjithë udhëheqësit shqiptar, që ata t’i ndriçojnë rrugën dhe t’i shërbejnë me përkushtim Kombit tonë.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve dhe besimtarëve Presidenti Meta përshëndeti bashkatdhetarët e shumtë duke u shprehur: “Vetëm pak ditë më parë unë pata gjithashtu privilegjin dhe fatin të vizitoja Selinë e Shenjtë dhe të pritesha në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, pikërisht në prag të 4-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për t’u ritakuar me Atin e Shenjtë, por njëkohësisht edhe për të dëgjuar lutjet e tij, bekimet e tij për popullin tonë dhe për kombin tonë. Shenjtërimi i Nënë Terezës prej Atit të Shenjtë, lumturimi i 38 martirëve të kishës sonë katolike, lartësimi në dioqezë i Kishës Katolike të Kosovës pikërisht në ditën e Shën Terezës, emërimi i Dom Ernest Troshanit si Kardinal nderi i Selisë së Shenjtë dhe shumë vepra të tjera të jashtëzakonshme të Papa Françeskut kanë treguar vëmendjen dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të kombit tonë të popullit tonë në vlerësimin e figurave dhe personaliteteve tona ndër më të shquara të besimit katolik dhe jo vetëm.

Ashtu sikurse porosia e tij për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare, që është një shembull për të gjithë botën në këto kushte dhe në këto rrethana kur kjo harmoni është e domosdoshme për të forcuar paqen por edhe për të shmangur shumë konflikte, të cilat kanë në bazë spekulimin fetar dhe nxitjen e radikalizmit për qëllime politike.

Po ashtu porosia e tij e veçantë gjatë takimit, që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës, që t’i ruajmë të rinjtë, që t’i mbajmë në vendin tonë, që t’i edukojmë sa më mirë me vlerat më të mira të cilat forcojnë familjen, të cilat forcojnë komunitetin. Në mënyrë që të rinjtë tanë t’i mbrojmë duke i edukuar sa më mirë nga të gjitha ato varësi negative që i kërcënojnë ata, nga droga, nga alkooli dhe shumë vese të tjera. Në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë qëllime të larta në jetë dhe veset të mos ua humbasin këto qëllime dhe këto ambicie pozitive.”

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për gjithçka që shqiptarët në Amerikë kanë bërë në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar duke theksuar: “Në këtë drejtim, unë dua t’ju falënderoj edhe një herë për këtë punë të jashtëzakonshme që ju bëni këtu, duke i bashkuar të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata të besimit katolik, dhe duke u folur shqip, duke u lutur shqip, duke i mësuar edhe fëmijët me këtë edukatë të jashtëzakonshme, jo vetëm që i ndihmon për të krijuar besimin e tyre, por njëkohësisht edhe i ndihmon për t’i ruajtur gjithmonë të forta rrënjët e tyre shqiptare.

Në këtë kohë globalizimi vendet dhe kombet modeste siç jemi ne shqiptarët, kërcënohen në rast se nuk do t’i kushtojmë vëmendje forcimit të identitetit kombëtar, por njëkohësisht edhe nëse nuk do të forcojnë më tej bashkëpunimin me njëri-tjetrin, tolerancën ndaj njëri-tjetrit, për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë.

Ky është një vit shumë i rëndësishëm për ne shqiptarët, sepse është viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i këtij personaliteti të jashtëzakonshëm, të cilit shekuj më parë i ka kënduar poeti amerikan Longfellou e shumë personalitete të tjera, por njëkohësisht Selia e Shenjtë e cilësoi në kohën e tij si ‘Atleti i Krishtit’, si një mbrojtës i qytetërimit europian.

Dhe falë kësaj figure ne ekzistojmë si komb, falë veprës së jashtëzakonshme që ai kreu duke na mbrojtur nga asimilimi, dhe duke iu rikthyer identitetit të tij, i ka dhënë identitet përmes veprës së tij një kombi të tërë, që është identiteti ynë shqiptar dhe europian.

Dëshiroj t’ju falënderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë dhe vazhdoni të bëni, për gjithë këto vepra të mira, sepse kështu ju keni bërë të mundur ato që na ka lënë porosi Shën Nënë Tereza, e cila na porosiste se ndoshta jo gjithsecili prej nesh në jetë mund të bëjë gjëra të mëdha, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ju keni bërë diçka të madhe me dashuri të madhe! Faleminderit!

“Dhe më këtë rast do të doja t’ju ftoja të gjithë këtu që të lutemi për Papa Françeskun, që të ketë jetë të gjatë dhe shëndet! Gjithashtu që bekimet dhe lutjet e tij për kombin shqiptar të na japin sa më shumë forcë, dashuri dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin.” – përfundoi fjalën e tij përshëndetëse Presidenti i Republikës.

* **

PRESIDENTI META META  NE QENDREN”NENE TEREZA”

Një pritje e veçantë i është rezervuar presidentit Meta në Qendrën Kulturore Nëna Terezë, ku është shtruar dreka e traditës e gatuar nga amvisat shqiptare. Presidenti ka qenë i hapur për t’iu përgjigjur pyetjeve nga salla.

Grupi i valleve i dekoruar nga presidenca shqiptare me medaljen “Mjeshtër i Madh”, i përgatitur nag koreografja Angjelina Nika(Mjeshtre e Madhe) ka interpretuar valle tradicionale nga trevat shqiptare.

Një tortë e gatuar enkas për këtë ngjarje, mbi të cilën ishte stampuar Flamuri Kuq e Zi, u servir gjatë drekës.

*Per me shume fotografi shkoni Facebook (dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, IDENTITETI, Kisha"Zoja e Shkodres", Presidenti Meta

Veseli e Meta bëjnë thirrje për unitet politik për dialogun me Serbinë

September 12, 2018 by dgreca

1 Meta Veseli okKryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të cilin e ka informiar për zhvillimet politike në vend dhe për fazën finale të dialogut me Serbinë.

1 Veseli metaKryeparlamentari Veseli ka theksuar qëndrimin e Republikës së Kosovës se në fazën inale të dialogut Kosova synon njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB, NATO, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare.Veseli theksoi se në këtë proces Institucionet e Kosovës duhet të jenë të unifikuara dhe të ketë konsensus të gjerë nga forcat politike parlamentare.Ai tha se integriteti dhe sovraniti i Kosovës janë të pacenuar dhe të panegociueshme.Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi, të cilët po ashtu theksuan nevojën e arritjes së konsensusit të brenshëm për fazën finale të dialogut. Presidenti shqiptar Ilir Meta tha se Shqipëria po ndjek nga afër këtë proces dhe do të jetë e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fazat.Ai theksoi se në procesin e dialogut, shteti i Kosovës duhet të ketë konsensus të gjerë politik dhe me këtë rast tha se edhe partitë opozitare duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë platformë shtetërore dhe ekip për dialogun.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dialogu me Serbine, Kryeparlamentari Veseli, Presidenti Meta

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT