-Informacion i Policisë së Kosovës lidhur me veprimet policore për fletë arrestet e lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe lidhur me protestën e paparalajmëruar-
Prishtinë, 18 nëntor 2015/ Policia e Kosovës bëri të ditur se me 17.11.2015, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar 4 fletë arreste, për 4 deputetë lidhur me veprat e tyre penale që ngarkohen, e të cilët janë: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.
Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e fletë arresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot me 18.11.2015 pas orës 08:00 të mëngjesit ka filluar me realizmin dhe zbatimin e fletë arresteve.
Njësitet relevante policore kanë shkuar në adresat e banimit të personave të kërkuar me fletë arrest, për t’iu prezantuar fletë arrestet dhe të njëjtit për t’i sjellë në Prokurori, ashtu siç parashihet në fletë arrestet e lëshuara.
Deri më tani, në vendbanimin e saj është takuar deputetja Donika Kadaj-Bujupi, të cilës i është prezantuar fletë arresti dhe e njëjta ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë. Bazuar në fletë arrest ajo është sjellë në Prokurori.
Policia e Kosovës bën të ditur edhe se është në realizim e sipër edhe të fletë arresteve tjera për personalitetet tjera që kërkohen dhe në momentet kur takohen të njëjtit do të sillen në Prokurori ashtu siç parashihet në fletë arreste.
Rreth orës 11:30, disa protestues prej rreth 150 personash, përfshirë edhe disa deputetë, janë mbledhur për të protestuar para objektit të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Lidhur me protestën e paparalajmëruar, Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet relevante policore për të ofruar siguri dhe për të kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Protestuesit fillimisht kanë qenë të qetë, mirëpo rreth orës 12:00 kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme, të rrezikshme, shishe me ngjyrë, përfshirë edhe koktej molotovi drejt njësiteve policore dhe objektit të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Njësitet policore, pas shfaqjes së dhunës nga ana e protestuesve, janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e ligjshme policore, me qëllim të shpërndarjes së protestuesve dhe parandalimit të dhunës dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit e dhunshëm.
Policia e Kosovës, bazuar në planifikimet operacionale, ka vazhduar me monitorimin e situatës së krijuar nga protesta e dhunshme dhe me veprimet e saja ligjore për të arritur ta menaxhojë dhe ta vë situatën nën kontroll.
Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policorë të lënduar ka arritur në 4 deri më tani, ora 14:15.
Njësitet policore deri tani (14:15) kanë arrestuar 13 protestues të dhunshëm, si dhe kanë konfiskuar në vendngjarje një çantë të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.
Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në prona publike, duke përfshirë edhe uniforma dhe pajisje policore.
Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës dhe pas saj po i ndërmerr në konsultim dhe bashkëpunim me prokurorin kompetent, përfundon njoftimi./