Me rastin e 77 vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2020/
*Nga Ekrem Spahiu/
Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillen që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu.
Në kontekstin e Luftës së II Botërore, zogistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pat deklaruar përpara delegatëve se: “jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”.
Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.
Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetem shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.
Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanëshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike.
Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politik, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prillit 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, Hysen Meça, Xhemal Herri, etj.
Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit; etj.
Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çobën, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi.
Forcat luftarake zogiste në atë kohë ishin rreth 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 Prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Suçit, Krujës, Vorze -Shkalla Tujanit, Prezës, etj.
OKLL u shtri në Tiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë, etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numëra të gazetës “Atdheu” me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte, etj.
Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm me Mbretin Zog duke e informuar deri në detaje mbi situatën në Shqipëri. Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.
Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit, ishte atashuar misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike.
Ndërkohë, që organizatat me frymëzim kombëtar kërkonin gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi një luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.
Ky vendim ishte absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e të drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht. Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në nje shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pat deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte.
Mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejtë në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm.
Në këto kushte, bazuar në argumentet sa më lart, Legaliteti vijoi të mbështetej në dy kollona bazë, qëndresës kundër okupatorit dhe kërkesës për marrëveshje kombëtare. Nëse kjo marrëveshje, do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, sigurisht që Shqipëria do kishte patur tjetër rrjedhë duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy kollona nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.
*ish-deputet & kryetar i PLL
Major Abaz Kupi dhe Kolonel Bill Maclean