Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Në historinë botërore tashmë ka hyrë një datë e vecantë: 11 shtatori i vitit 2001, që sivjet i përkujtojmë 13-vjetorin, çka na bën të kemi dhimbje e nderim për tragjedinë e viktimave njerëzore të kësaj dite; formon një apel ndërkombëtar për luftën e pambaruar kundër terrorizmit në kohën e hapësirat e shfaqjes së tij; përbën një epope qëndrese të shumanshme amerikane e solidarizim shumplanësh të komunitetit ndërplanetar .
Kjo datë në paralelet dhe meridianet e globit tokësor nuk është start i një Lufte të Tretë Botërore të një lloji tjetër dhe nuk përbën as Luftën e 11-të të SHBA, por është një Luftë e Pambaruar për Paqe Botërore.
Kjo datë nuk e ka ndrruar Botën e sotme, por tregoi faktin se sa shumë ka ndrruar Bota në këtë Mijëvjecarin e Tretë.
Kjo datë dëshmoi edhe dicka tjetër: Kush është Amerika për Amerikën dhe kush është Amerika për Botën.
2.11 Shtatori tragjik i vitit 2001 është një histori e përseritur e Peal Harbor të 7 dhjetorit 1941 në ishujt Hauai të SHBA, me të vetmin ndryshim se para 13 vitesh Amerika u sulmua nga brenda hapësirës gjeopolitike të saj, ndërsa para 73 vitesh u sulmua nga jashtë territorit të saj.Po ka edhe dicka tjetër: Në rast se më 1941 kamikazët kishin për adresë një shtet të vetëm ndërluftues, tashmë ishte një armik i pa atdhe, i pa ngjyrë, i pa fe, i pa besë – terrorizmi ndërkombëtar i sofistifikuar pas emra organizatash e individësh, që në gjak kanë bomba e trurin e droguar për gjakderdhje.
Në të dy rastet Amerikën e sulmuan për t’ia humbur krenarinë e sovranitetin e saj dhe në të dy rastet Amerika fitoi në vetëvete e doli përtej vetëvetes për të ruajtur e lartësuar dinjitetin, paqen e lumturinë e Botës.
Sot Amerika është strategjike për Vetëveten dhe për Botën në të dy anët e saj: në Lindjen Atlantike për Europën dhe në Perëndimin Paqësor për Azinë, cka i ngjan një peshoreje graviteti ekonomik e ushtarak për këto dy kontinente, që aktualisht në lidhjet e saj anon nga ana europiane me Bashkimin Europian, Federatën Ruse e shtete te tjera mesdhetare e nordike, por në të nesërmen e afërt e të shpejtë mund të anojnë edhe nga ana aziatike me Kinën e Indinë të shumëpopulluara e të tjera shtete të kësaj hapësire…
Sot Bashkimi Europian, për nga ana e konsolidimit si Union, është 200 vjet pas Amerikës, ndërsa nga ana ushtarake, Amerika është 50 vjet përpara Europës..
Sot Amerika, për nga tregtia shumëplanëshe, mbulon 51 për qind të asaj botërore.
Pra, Amerika është Amerikë.
Ndaj 11 shtatori 2001 nuk e donte të tillë.
3.11 shtatori nuk është ngjarje tragjike e një date, por janë disa ngjarje të këtilla në Amerikë, të drejtuara kundër Amerikës, që cuan te kjo ngjarje tragjike: është vendosja e bombës në Uorld Trade Center në vitin 1993: është goditja terroriste me bombë në një pallat me zyra në qytetin Oklahama më 19 prill l995; është tjetër goditje në një pallat banimi në Khobar Touers; është akti terrorist në ambasadat amerikane në Kenia e Tanzani; ështeë goditja me bombë në USS Cole në vitin 2000.
4.11 shtatori Amerikën nuk e gjeti në gjumë, por Bota kishte rënë disi në qetësi, biles edhe pas goditjes në Kullat Binjake e në Pentagon shumëkush priste rënien e Amerikës dhe kundërgoditje ndaj terrorizmit të rishfaqur në mënyrën më cnjerëzore e me gjakderdhje të mijëra viktimave të pafajshme
Cuditërisht Jelcini në Pallatin e Bardhë në Moskë i fërkoi duart e trumbetoi se tashmë kemi vetëm “Shtetet e Shpërbëra të Amerikës” e nuk apelonte menjëherë për luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Sadam Hyseini ia shkelte brutalisht rezolutat e përseritura OKB-së dhe ia përzente inspektorët, ndërsa Pallati i Qelqtë në Nju York nxirrte rezoluta të reja e priste që djalli të bëhej ‘”engjëll”.
Gjykata e Hagës e linte të lirë kriminelin Milloshevic e oborrtarët e tij duarpërgjakur në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e së fundit në Kosovë e lëshonte deklarata e fletë-arreste të risigluara duke vënë në shpërblim për kapjen e tij miliona dollarë.
Talebanët në Afganistan i gjuanin me top portretet e Budës të skalitura në male duke i shkatërruar ato e budistët rrinin duke i vajtuar në mënyrë mediatike.
E shembuj të tillë mund të sjellim prapë, por duam të nënvizojmë se kjo qetësi e botës së vitit 2001 ishte kaq e cuditshme, burokratike e individualiste saqë lejoi e coi në faktin e ditën që në një pjesë të Globit, në Amerikë, në Tempullin e Demokracisë, në selinë e Organizatës Botërore të Tregtisë, terrorizmi të godiste kaq ashpërsisht e pabesisht.
5.Amerika e ka përgjegjësinë e vet që u goditë në Nju York e vecanërisht në Pentagon, por, për këtë, askush nuk mund ta paragjykojë, ta gjykojë apo pasgjykojë Amerikën, se përse u goditë e aq më tepër që Bota të largojë përgjegjësitë e veta në këtë histori, në këtë tragjedi, në këtë datë, në këtë ditë.
Oktapodi i terrorizmit ndërkombëtar duke sulmuar Amerikën kërkonte të gjunjëzonte Botën.
Po të rrëzohej Amerika në një ditë, në atë 11 shtator 2001, Bota do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, që të ringrihej deri në kapërcyell të shekullit tjetër, sepse botës do ‘i mungonte shembulli amerikan, sipërmarrjet ndërkombëtare amerikane, konkurimi ndërplanetar amerikan nga nëntoka e deri tek yjet e galaktikës sonë.
Amerika ka dëshmuar në këta shekujt e fundit se nuk rrëzohet nga lufta e me luftë, por vecse duke e konkuruar me vlera nivele larta, të cilat i ka në stadrritjeje, biles edhe me 11 shtator 2001 i tregoi botës vlera të saj të reja si në përballimin njerëzor e organizativ të kësaj tragjedie dhe në kundërpergjigjen ndaj terrorizmit ndërkombëtar.
6.Amerika gjithënjë e ka paralajmëruar Botën për rrezikun imediat e katastrofal të terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa Bota nuk e ndjente sa e sic duhej këtë rrezik real e me kosto tepër të lartë njerëzore, ekonomike e ushtarake.
U deshtë, ndoshta 11 shtatori 2001, kur terrorizmi ndërkombëtar sulmoi nga Qiejt e Amerikës, që njerëzit e shtetet e planetit të ecnin me këmbë në tokë e mend në kokë në luftën ndaj terrorizmit, qoftë në Afganistan e në Irak apo kudo gjendet ose shfaqet në hartën e Globit.
Amerika, edhe nga 11 shtatori 2001 e këtej, e ka kryer detyrën e lartë përballë kombit të vet e historisë, për kohën e sotme e të nesërme, duke luftuar me të gjitha format e mjetet, në krye të Koalicionit Botëror kundër Terrorizmit Ndërkombëtar.
Amerikën nuk do ta mbante Toka po të mos përgjigjej denjësisht kur iu sulmuan Qiejt e saj.
SERBIA DUHET T’I JAPË QARKUT TË KUKËSIT RRETH NJË MILIARDË USD DAMSHPËRBLIME PËR LUFTËN
Nga Ramiz LUSHAJ/
Kjo duhet të jetë çështje diplomatike, juridike e administrative e radhës edhe në takimin e pritshëm Rama-Vuçiç në këtë fundshtatori apo nëntor 2014
1. Agjensia Serbe e Lajmeve “Danas” ban me dije botnisht se në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrri ftesa e homologut të tij serb, 45 vjeçarit Aleksandër Vuçiç, për një vizitë të pritshme në Beograd në kit’ shtator 2014. Prej nga viti 1947 do të jetë i pari kryeministër i Shqipërisë Londineze që shkon në Beograd. Kjo vizitë mund të shtyhet si dhe një herë tjetër apo deri pas formimit e betimit të Qeverisë së re në Kosovë. Ndoshta edhe pas 1 nëntorit kur fillanis zyrtarisht detyrën e tij Jean-Claude Juncker si President i Komisionit Europian dhe do të vijë në BE një “Ashton” tjetër. Sidoqoftë, kryesore është çka do të çojnë në tavolinën e bisedimeve e nënshkrimeve kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Patjetër, “çanta diplomatike” e tij do të jetë mjaft e fryrë nga çështjet e problematikat e prejkohshme e të sotme ndërmjet dy vendeve tona ballkanike dhe (ar)mike. Gjithësesi mendoj se tashma ka ardhë ora e fundme kur të hapet sipari i bisedimeve dypalëshe për damshpërblimet e Serbisë ndaj Shqipërisë, përkatësisht ndaj Qarkut të Kukësit (Tropojë, Has, Kukës) për damet e shkaktueme gjatë e pas Luftës së Kosovës (1999).
2.Serbia e Millosheviçit përgjatë 79 ditëve të Luftës së Kosovës (mars-qershor 1999), përveçse përballjen me NATO-n, kishte edhe një tjetër “Luftë të (Pa)shpallur” me Shqipërinë Londineze.
Ushtria serbe në vitin 1999, e përqendruar edhe përgjatë 120 km të vijës kufitare Tropojë-Has-Kukës, ka gjuajt me 3.350 predha artilerie deri në 25 km në thellësi të territorit shqiptar sovran.
Serbia gjatë Luftës së Kosovës (1999) i minoi 102 zona në 39 fshatra të Qarkut të Kukësit: 14 në Tropojë, 14 në Has dhe 11 në Kukës.
Kjo zonë e minuar me mina antinjeri, antitank, municione të paplasura, etj. në tre rrethet e këtij Qarku përfshinte mbi 15 km2 apo, ndryshe, pothuaj sa tri herë sipërfaqja e ishullit gjeostrategjik të Sazanit në bregdetin e Vlorës.
3.Më 25 mars 1999, një ditë pas fillimit të Luftës së Kosovës, ndodhi aksidenti i parë i përgjakshëm në Qarkun verior të Kukësit, i shkaktuar nga ushtria serbe brenda kufirit të shtetit sovran të Shqipërisë.
Nëpër zona të minuara të Qarkut të Kukësit, në 79 ditë të kësaj lufte të madhe, u vranë 23 shqiptarë dhe u plagosën 68 të tjerë.
Nga gjuajtjet e artilerisë serbe në krejt Qarkun u dëmtuan 130 shtëpi, nja 1.000 objekte social-kulturore si shkolla, qëndra të komunave, kabina elektrike, etj., sistemi ujitës, infrastruktura rrugore, etj. Artileria e luftës e minat e hedhuna gjithandej u dëmtuan edhe 800 kokë gjedhë e njëthundrakë, 3.000 kokë bagëti të imta, 1.200 koshere bletësh, etj.
Këto ishin humbje të mëdha në ekonominë shqiptare e të këtyre tre rretheve Tropojë, Has, Kukës. Vetëm në sistemin ujitës shenjohen mbi 26 milionë USD.
4. Minat e hedhuna në fushëbeteja të luftnave, si në rastin e 39 fshatrave të brezit kufitar të Qarkut të Kukësit, janë “Luftë pas Lufte”.
Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës e pas saj, përgjatë vitit 1999, sipas të dhanave që i ka OKB e institucione të saj, pati 187 aksidente në mina. Në burime të tjera flitet për numër ma të lartë të aksidenteve të tilla. Sidoqoftë edhe viti 2000 pati shumë: 35 aksidente. Deri në vitin 2006, sipas të njëjtit burim të OKB-së, kemi 272 aksidente. Sigurisht janë edhe ma shumë, pasi kanë kalue plot 8 vite. Ka pasë edhe aksidente të tjera. Në ditën e parë të shtatorit 2014 në Krumë ndodhi një aksident tragjik me pasojë vdekjen. Të tjera aksidente priten të ndodhin në muaj e vitet e ardhshme. Shifra rritet çdo ditë. Ndoshta janë mbi 300 aksidente. Flitet edhe për mbi 60 të vdekur. Sidoqoftë priten saktësime në të ardhmen.
Nga 272 aksidente në Qarkun e Kukësit (1999-2006) numrin ma të madhe ka Tropoja: 133 prej tyre. Hasi ka 93 aksidente, ndërsa Kukësi 40 aksidente. Nga këto 272 aksidente (me listë emërore) i kemi 34 prej tyre me humbje jete: 14 Tropoja, 12 Hasi, 7 Kukësi dhe 1 nga Kosova.
Bota njeh 130 lloje minash. Serbia ka hedhur në Qarkun e Kukësit dhjetra prej tyre gjatë Luftës së Kosovës. Ato ishin edhe të formave të ndryshme si karamele, flutura, stilolapsa, etj. Sipas statistikave që kanë institucione të OKB-së del se nga 272 aksidente të ndodhura në vitet 1999-2006 janë 181 raste apo 67 për qind nga minat antinjeri të Serbisë. Kjo tregon se serbët kanë pasë qëllim kryesor të vetin vrasjen e shqiptarëve në anën tjetër të kufinit, në Qarkun e Kukësit të Shqipërisë Londineze. Vetëm 53 prej rasteve të aksidenteve apo 19 për qind e tyre kanë ardhë nga municionet e paplasura të lëshuara me artileri nga Serbia në rrethet Tropojë, Has, Kukës. Nga këto raste aksidentesh 72 prej tyre janë fëmijë.
Në këto aksidente janë plagosë e vrarë fëmijë, gra, të moshuar, barinj, fermerë, policë, ushtarakë, etj. Thuhet se një aksident kap shifrën mesatare rreth dy milionë USD për rast. Në koft se ecim sipas kësaj llogjike del se duhen shifra tejet të larta.
Minat kanë kosto të vogla në prodhim e të mëdha në dëmtime, për heqjen e tyre, etj. Një minë antinjeri për t’u prodhue kushton nga 3-30 USD, ndërsa për t’u heq nga toka ku është hedhur si në rastin e Serbisë në Qarkun e Kukësit, duhen 1.000 USD për një minë të vetme.
Serbia qyshse në vitin 1998 kur e minoi kufinin Shqipëri-Kosovë me fusha të minuara, grupe minash e mina të veçuara. Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës ka hedh me artileri 3.350 predha artilerie… Ushtria serbe nuk i dorëzoi asnjëherë hartat e fushave të minuara prej saj në Qarkun e Kukësit.
5. Shteti Shqiptar ka projektet e veta edhe në Qarkun e Kukësit, i ka llogaritë e veta për të saktësue damshpërblimet e Serbisë, janë strukturat përkatëse shtetërore për kryerjen e obligimeve të këtilla. Veçse duhet dit’ edhe kjo: në 15 vite kjo çështje është ngrit disa herë e nuk ka pasë rrugëzgjidhje astenjëherë.
Thuhet se damshpërblimi që ka për të dhanë Serbia për Qarkun e Kukësit, për tri rrethet Tropojë, Has e Kukës, shkon deri në një miliardë USD (rreth 1.000.000.000 USD). Sigurisht nuk janë pak. Këto rrethe janë në nevojë. Mjaft familje me të aksidentuar janë në kushte të varfërisë ekstreme.
Dihet se Qarku i Kukësit është ma i varfëri në të gjithë Shqipërinë Londineze e veçanarisht familjet që kanë pasë aksidente gjatë e pas Luftës së Kosovës, që iu kanë dëmtue pasuritë hipotekore, etj.Shqipëria Londineze, qoftë edhe me ndërmjetësi ndërkombëtare si Bashkimi Europian, etj., duhet të fillojnë bisedimet në Beograd e në Tiranë ose në Bruksel e gjetkë për damshpërblimin e Qarkut të Kukësit me rreth një miliardë USD. Tirana zyrtare, qyshse në takimin e parë Rama-Vuçiç duhet të ketë kushtet e saj ballore edhe në kit’ çështje tejet të madhe. Shqipëria Londineze duhet të ngrihet në lartësi diplomatike ndërshtetërore të Malit të Zi, që po iu vno kushte Kosovës e Hashim Thaçit tue e lidh njohjen e komunitetit malazez në Kosovë me vendosjen e selive të ambasadave të tyre në Podgoricë e Prishtinë dhe lejimin e Rrugës Deçan-Plavë, pas “demorkacionit” – vijës kufitare Mali i Zi- Kosovë, etj. Tjetër kusht i Shqipërisë ndaj Serbisë së Vuçiçit duhet të jetë bllokimi i hyrjes në Shqipëri të mallrave serbe (qoftë dorë e parë apo e dytë ose tretë në tregtimin e tyre), të cilat po e tejngopin e do ta groposin tregun shqiptar në Tiranë e Prishtinë.
Qeveria Shqiptare e Tiranës, kryeministri i saj Edi Rama, duhet t’i kërkojë Serbisë damshpërblimin me rreth një milionë USD dëmtime në njërëz e pasuri gjatë e pas Luftës së Kosovës. Tekefundja nuk ka randësi dhe aq të madhe shuma po akti shqiptar i Tiranës. Sot jemi të vonuar në këtë çështje. Nesër do të jemi të gjykuar nga historia e brezat tanë për mos kryerje të saj. Qarku i Kukësit pret damshpërblimin nga Serbia. Nëse nuk iu dha Çmimi Nobel ti jepet të paktën damshpërblimi që i takon prej mbi një dekadë, që e pret edhe nga Diplomacia e Drejtësia Ndërkombëtare e së parit nga Qeveria e vet.
Tiranë, 9 shtator 2014
ALEX SELIMAJ – I VËRTETI
Po tashti Alex u rikthye përkohor apo pa limit nga Amerika në qytetin e Gucisë dhe po e ringren aty moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit.Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes.Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj./
Nga Ramiz Lushaj/
1.Mjeshtri i fotografisë artistike, i nokshiqasi Alex Selimaj, banor i qytetit ilir të Gucisë, njëherash edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë shqiptare që sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar fillton prej nga viti 1991.
Alex Selimaj është njeri i thjeshtë e pikërisht në atë thjeshtësi i rrinë madhështia e emrit dhe e veprës në lartësi e rekorde të fotografisë mbarëkombëtare shqiptare.
Sivjet, 175 vjet nga liçensimi prej Akademisë së Shkencave të Francës (1839) i shpikjes fillestare e plotore të fotografisë nga dy francezët Niepce-Daguerre, përndryshe, edhe 155 vjet pas çeljes ma të pares studio fotografike shqiptare ”Marubi” në Shkodër, shenjojmë se Alex Selimaj, është një ndër “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”.
Unë, me bindje të plotë do të thoja se disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Manhatani i Nju Jorkut, etj. më përngjasojnë me pikturat e Rembrandtit, Da Vinçit, Kolë Idromenos etj.,
Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi atëherit për Alex Selimaj nuk vjen në pyetje as vendi i tretë e as i dyti, po vetëm i pari. Ai është tashma në krye të vendit e të rendit, aq sa meritor edhe përkushtimor.
Sigurisht, në dy shekujt e fundit, pas mjeshtërve shqiptaro-amerikanë të fotografisë si Gjon Mili (1904-1984) Dhimitër Mborja, K. Sotiri e Fadil Berisha, hyn në pesëshen medalioniane Alex Selimaj, një emër që ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit të vet amë.
2.Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj me fotot e tij nga albumet e reja të viteve të fundit apo fototeka e pasur e dixhitalizuar deri edhe me uebsajte në internet dhe nga disa ekspozitat të tij na japin një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre. Sigurisht, është i Vërteti me fotot e tij. Këndi i shikimit është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.
Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike. Fotot e tij kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.
Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.
I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë.
3.Artisti talent rrallë i fotografisë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën e vet etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, krejt Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e kudo në botë.
Alex Selimaj ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “In Toch Magazine”, “New York Daily News”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, etj. dhe në media të tilla në shtete, treva e diaspora shqiptare si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Amerikë, Londër, Zvicër, Kanada, etj. Në disa libra të kohëve të fundit gjen gjithato foto dokumentare ilustruese të fototekës së tij.
Alex Selimaj ka hapur pesë ekspozita fotografike në Nju Jork (SHBA). Ma e fundit ishte ajo e shkurtit 2013 në mjedise të Ambasadës të Republikës së Kosovës në Nju Jork me foto të tij nga dita historike e Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës më 17 shkurt 2008, pasi ishte i vetmi fotoreporter nga Nju Jorku pjesmarrës në këto festë të madhe në Prishtinë.
Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, me sa di, ka një ide me ecuri mbi dyvjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij, njëmendësisht, mund të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj.
Çdo kush mund të kqyrin fototekën e tij të madhe, me galeri të fotove të tij plot art’ e dritë, si tek ëebsajtet e tij alexselimaj.com, etj., në facebook “Plavë Guci”, etj. Aty ka ba publike një pjesë nga thesari i tij vetjak e kombëtar.
Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare.
4.E gjithë krijimtaria e mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj ka një hark triumfi nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit. Po tashti është rikthye përkohor apo pa limit nga Amerika në trevën e vet etnike.
Alex Selimaj me fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqet madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve.
I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014”; tek pe-endja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.
Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në kit’ trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në kit’ shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e nga të paktit që i promovon gjithanshmërisht e gjithkah bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.
5.Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtar. Biznesmeni kombëtar, Shaban Mehaj i Hotit të Plavës më thotë se djemtë e derës së Bajram Selimajt të Nokshiqit janë punëmirë, puna nuk iu ik duarsh, i rrijnë asaj në kambë në çdo situatë.
Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit ligjendar ku u zhvillua Lufta legjendare e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo antike e Termopileve, ku u luftue kundër 7 krajlive të kohës të cilat kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi dhe, njëherash, kjo luftë legjendare e paraardhësve të tij ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës.
Alex Selimaj vjen nga visi nokshiqas i personaliteteve të shquara mbarëkombëtare shqiptare si: Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ish kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Fuqi tjetër e madhe intelektuale ishte prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. i cili në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash…”. Poeti, prozatori, përkthyesi e studiuesi Qerim Ujnaki Selimaj ka hyrë edhe në antalogji të kohës e botës së sotme.
Alex Selimaj ka një pasion të kahershëm: kangën. I bie edhe çiftelisë. Shumkush më thotë se a kanë antar i parë i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci.
Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort të dukshme. Ai, për dy vite mandatore (2011-2013), ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.
Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap ëebsajtin tematik e funksional. Para një dekade, kah vitet 2000, e ka çil ndër të parët një ëebsajt krejt të veçantë: Kosovasovrane.com në të cilën ndër vite flet haptë e flaktë për historinë e kulturën e lashtë e të re shqiptare, e ilustron me harta të hershme e me foto, me dokumenta arkivore e publike, etj.. duke i dhanë ndihmesë të vyer e të pashlyer Kosovës, Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Botë.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolisë me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkun që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.
Po tashti Alex u rikthye përkohor apo pa limit nga Amerika në qytetin e Gucisë dhe po e ringren aty moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit.Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes.Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij. Ai është kudo ku e thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.
PRURJE POETIKE NE “SOFREN E DIELLIT”
NE SOFREN E DIELLIT: LLEMANDO, SOKOL DEMAKU, Xhuli Spahiu, Asllan DIBRANI, Perparim HYSI, Ramiz LUSHAJ,Kristaq TURTULLI, Luan Çipi…./
Foto ilustruese: Pikturë nga Asllan Dibrani motiv një nxënëse kosovare që braktisi shkollën nga barbaria serbe dhe iku në kurbet!/
LLEMADEO – Bohum, Gjermani
TË SHTRENJTËS KOSOVËS MARTIRE
– Kushtim mikut tim, poetit Rrustem Gecit, me rastin e botimit të 3 librave të tij, “Heroika”, “Rogana”, dhe “Atdhetarët”
Krenar jam për ty o Mik Poet,
O ti që në zemër e ngjyen pendën
sa herë shkruan vargje për Atdheun,
dhe diellit ja merr rrezet për Heroikën…
tek me lot e dhembje e thur vargun tënd!
U pamë bashkë sot o Mik i mirë,
Dhashtë Zoti që të shihemi përsëri
dhe ashtu të gëzuar të buzëqeshur të pafsha sërish,
me librat e tu ndër duar,
dhe me gëzimin e suksesit në sy…!
Ti këndoj Atdheut sërish o Mik,
dhe ruaja tehun e mprehtë fjalës shpatë të vargut atdhetar,
se asaj ane kah rrjedhat e Danubit shkojnë përgjakur shekujve të Ilirisë…
nuk flejnë kurrë te pabesët e vjetër barbar…!
E në fjeteshin në punë të tyre, ti vargje të bukura thur përsëri,
këndoj asaj, të shtrenjtës Kosovë martire,
të shkuarës së paharruar dhe të ardhmes,
ashtu me mendimin tënd të mprehte, dritë dhuroju të mirëve…!
E diku Legjendave Iliriane do te shihemi bashke…
e atje ne hijen e Lisave te mallit do te rrime,
do tu këndojmë Zanave hyjnore për te përhirshmet Hire,
e do te ua përjetësojmë se bashku madhështinë…!
E vargu Gecian do këndohet nëpër kohëra
nder lëndinat e Kosovës nga të bukurat shtojzovalle,
e bijtë e së ardhmes do të thonë;
I këndofte zemra poetit, Rrustem Geci
të bukura ja paska lëne kohës këto vargje…!
Copyright-©LLemadeo
31 Gusht 2014
Germany
Sokol Demaku/
LUNDRA IME/
Notoj në thellësi uji,
Lundroj në msheftësin e detit,
Udhëtoj në errësirën e natës,
Fluturoj në krahët e ylberit.
Fluturoj si shqiponjë,
Dhe dukem në rrëpirë,
Kërkojë përrallën,
Që nuk arrijë ta di.
Kërkoj foton e ëndërres sime,
Me krahët e mi në fluturim,
Por trupi i mekun,
Krahët e mi nuk përballojnë këtë.
Udhëtoj mbi thellësitë e detit,
Në errësirtën e mesit të natës,
E me të zbardhur agu,
Me flakë e zjarrë në krahëror.
Kur unë mora përgjigjen time,
Se mund të jem në përqafimin tënd,
Besojë se lundra ime,
Do ankorohet në gjirin tënd.
DETI PLAK
Kjo lundër imja,
Udhëton në detin e trazuar.
Nëpër valët e zemruara,
Të detit plak.
O ti det, o zemrak,
I trazuar nga pak,
Kujdesu të lutëm,
Për mua se jam plak.
O det i kaltër,
Me shumë avaze,
Shumë vëllezer të mi,
Kërkova të mi falje.
Të bëra lutje,
Por jo me shkrim,
O det i hapur,
Kujdes shpirtin tim.
YLLI QË TI PRET
Ylli që ti pret,
Është yll fisnik,
Si zogu magjik,
Që jetës i jep dritë.
Ka marrë rrugëtim,
Me vargun magjik,
Kërkojnë sy shkruarën,
Që e mban në shpirt.
Rrugëton ylli,
Me vargun magjik,
Përballon dallgët e detit,
Kërkon sytë magjik.
Ulur në kopshtin e blertë,
Mes lulesh në blerim,
Aromë trëndafili,
Nga shpirti im.
Këtu ti gjënë atë që kërkon,
Dritën e syrit,
Shpresën e jetës,
Që për te lengon.
Të ndjej në çdo kënd,
E di se këtu je,
Ta njoh ngjyrën e zërit,
Aromën që ke.
Ky yll që bën dritë,
Që shumë kohë e ke prit,
Është dhuratë për jetën,
Për ëndërren në shpirt.
ZOG SHTEGTAR
Hijet errësohen,
Në terrin e natës,
Ylli pran yllit,
Shndritë nga lart,
Dhe një dëshirë të madhe,
Në këtë natë e ndjejë.
Në detin e ëndrrave,
Fluturon shpirti im,
Është zog shtegtar,
Fluturues pa pushim,
Larg në tokat e huaja,
Larg përtej detit,
I humbur në pa kthim.
Udhëtar i palodhur,
Si zog në shtegtim,
Me zemër të gjerë,
Plot admirim.
Ja së fundi,
Tani ka ardhur këtu,
Për ju,
Për jetën e re,
Për jetën në amshim.
ËNDËRRAT FLUTUROJNË
Shumë gjëra në jetë
Ndryshojnë aq shpejt
Por dashuria mbetet e njejtë.
Nëpër bregdetin e qiellit
Ndërtojë ëndërrat e mia
Në fluturim e sipër.
Endërrat fluturojnë
Shuajnë etjen time
Në ato thellsi magjepse.
Te atij lumi të kaltër
Të kopshti të gjelbertë
Ku të gjithë duan njëri tjetrin.
Ajo dashuri si valë deti
që në ëndërr me vjen
Besoj realitet të jetë.
Por jeta qenka e brishtë
E dobët shpirtërisht.
Êndërr, ëndërr
Por …
Moj Kosova Lindore, Sanxhak e Toplicë!
Nga Xhuli Spahiu/
Moj Kosova Lindore
Si të kanë lanë pas dore
Më mbyti malli për nënë e për baba
Motër vëlla e gjithë çka ka!
Malli për dashurën vatër
Malli për sofër e oxhak
Kam mallin për shtegtarët
Zogjtë e pranverës
Më kujtohen gjysh e stërgjysh
Oxhaqet e tymit që i skaliten
Pellazget,Ilirët në kullën e babait tim
Eh ta dini sa mall kam
Kam derdh lot sa një oqean
Me mungon ai qielli dhe lulet e tij
Vendlindjen e kujtoj si fëmijë
Ai vend mbeti nën Serbi
Me dhunë na ndoqën në fëmijëri
Jam në Kosovën e vogël që e prenë
Nga Sanxhaku e në Medvegje
Nga Nishi e në Preshevë
Atje koka më ka mbet
Një zë në gjumë po me thërret
Më zgjoj nga gjumi dhe më tha
Hej motër mallit i erdhi fundi
Eja shkojmë i takojmë njerëzit e tu
Në Preshevë Medvegjë e gjetiu
Varret e të pareve ti vizitojmë
Atje në Toplicë e Sanxhak
Zëri i zanës lëshoj kushtrim
Atë pjesë ta bashkojmë me Shqipërinë
Të valoj flamurin kuq e zi
Të lulëzojmë Shqipërinë
Ta mallkojmë Serbinë!
Gusht 29.08 .2014
Shkolla ime të kujtoj nga kurbeti!
Nga Asllan Dibrani/
Mendimet e mia për ju nuk pushojnë
As fillimi nuk ka as fund
Në mendjen time , ti je ngulitur
Kur kujtoj lotët e se kaluarës
Buzëqeshjet e mia në atdhe i kujtoj
Lotët e derdhur për ty shkolla ime s’me pushojnë
Duke lundruar e lodhur në fushën Iliriane
Ëndrrat me kaplojnë edhe në mesin e natës
Nuk do të kënaqem në vend të huaj
Lumenjtë dhe fusha të pa panjohura
Të gjitha majat e kodrinave në vendlindje
Ari atje mu kanë duk
Kujtoj vendin që kem lerë
Kujtoj lojërat me shokë e shoqe
E përgjakshme ishte ajo botë
Në këtë vend skam ku të shtrihem
Nuk më nxehë as dielli kam të ftohtë
Do të jetë varri im pa ty
Shkolla ime që të lash
Pa ta thënë lamtumirën
Atje na prisnin helme e vdekje
Nuk kam qeshur kurrë që nga ajo ditë
Që shkela në kurbet
Ti shkolla ime mu kujtove
Abc-në qe ma mësove
Ti qëndro pranë meje me admirim
Ma kujton vendin tim me plot gëzim
Shpirti lakuriq përpëlitet
Përmes lotëve ujis tokën time
Përjetësisht të dua nga larg shkolla ime
Shkruar 30.08.2014 Shtutgard
Thyhet vapa, thyhet gushti…
Nga Përparim Hysi/
Letër për Lejlanë
Isha në shkollë të mesme, në vitin e tretë
Ç’do lexoni më poshtë, është krejt e vërtetë.
Muhabetin fjollë me mua Lejlaja
Por, për pak fare, më gjeti belaja!!!
– Qasu tytje! Qasu nga unë!
(kuptohet që tani iu qasa më shumë)
Duartë mbi timin gjoks e më dha të shtymën
Sa gati nga e keqja, kapërceva mbështymën.
Po vërtet Lejlaja me mua çfarë pati?
Mu përmbi hundë më hipi inati!
Më pa një shok e me mua buzëqeshi:
– Nuk ke faj ti, po e ka dialekti!!!
Në Elbasan thonë qasu, d.m.th. largohu!
Ju nga jugu e kini për “afrohu!”
Ah, moj Lejla, që tani je bërë gjyshe
-Qasu, Lejla! Po veç ” toskërishte”…
22 gusht 2014
Klarita !
” Eh, Klarita! Klarita! Klarita!
Pse s’nis këngën e gëzueshme, Klarita?”
Këngë ruse
Aty mesviteve pesëdhjetë kish ardhur në Tiranë
Një ruse e bukur, me emrin Klarita!
Sa nur që kishte! Sa sharm!
E bukur qe rusja siç është drita.
Vinte mbrëmjeve tek bar “Sahati”
Se mbrëmjeve aty kishte muzikë
Nën tinguj tangoje, foksi a valci
Sytë tanë mbi ty nguleshin, e bukura Klaritë.
Se qe e bukur si një tulipan
Tek kërcente sikur shkelte mbi thua
Djemuria e Tiranës pas saj si në “alarm”
Ajo sikur thoshte: më vështroni mua!
Tek rri, nuk di pse më kujtohet
Ajo ruse e bukur me emrin Klarita!
Portreti i saj, sikur vjen e më afrohet
Se një kohë, djalërisë, dhe unë u mahnita.
Portreti i saj m’u bë si i gjallë
Sa dëgjova këngën për rusen e bukur
E dëgjova dhe, sado, tash, kokëbardhë
Si njëherë e një kohë, u bëra turbull.
19 gusht 2014
Thyhet vapa, thyhet gushti
Thyhet vapa, thyhet gushti; thyhet mosha dalëngadalë
Po s’më ndhet mua syrrushi, fët me sy, fët me qëpallë
Fët me sy, fët me qepallë dhe më fton mua në mejdan
Po më ha me sy të gjallë, sa mëdysh ky imi xhan.
Sos më fton në mejdan, po më bën dhe isharet
Sikur gjasme mua “s’ma mban” ( vallë ka faj ai që “vret?!!!”)
Nisem unë e përvesh mëngët, se beteja është e sertë
Ende unë vringëllij dhëmbët, për “atë punë” jam dreqi vet!
Vërtet që ajo është taze (unë “riosh” e mbi shtatëdhjetë)
I njoh mirë ato “avaze” (kam “licencë” e kam “patentë”)
Dhe filloi “dyluftimi” (“dyluftimi” trup me trup)
E ku pyet, Përparimi? Turpin unë kam ngrënë me bukë.
16 gusht 2014
RROK NIKÇI SI NJË YLL, ISHE BURRË, MBETE NJERI I MIRË
Nga RAMIZ LUSHAJ/
Edhe yjet shuhen ne Qiell
Po Rrok Nikçi mbetet Rreze
Bahet Prill…
Ishe Burrë,
Mbete Njeri i Mirë.
Lanë sytë me ujët e Limit e te Cemit
Rrok ‘ guret e maleve te Kelmendit
Të qesh syni skej Vermoshit e Plavës…
Të rreh zemra me të Jusuf Gërvallës.
Rrok Nikçi e hape kullën mes Nju Jorkut.
N’emër të Kombit, me të Drejtë të Zotit.
Aty hynin e dilnin misionarë si malet
Shqiptarët e klubit të Jusuf Gërvallës.
Idealistë pë Shqipërinë e të Nesërmes,
UDB-ja i kishte në maje të shënjestrës.
Kisha e madhërishme: Zoja e Mirë e Shkodrës
Po të pret për Meshën e dritës,
Po të përcjell tek Qielli, tek Yjet.
Po na ik si Burrë i Rrallë,
Kelmendas Vigan.
Me dy Flamuj Kombëtar: Shqiptar e Amerikan.
Njëri ka Shqipen, tjetri ka Yjet.
Në 100 vite me këto dy flamuj mbrojtëm vatrat,
Hodhëm hapat,
Ngritëm lartësi.
Mbajtëm Kosovë e Shqipëri.
Nga koha e Ismail Qemalit e Wilsonit,
Nga koha e Prek Calit e Klintonit…
Nga koha e Nanë Terezës e Bushëve e Obamës,
Në mes Uashingtonit e Nju Jorkut dhe Gucisë, Shkupit,
Preshevës, Tuzit, Prishtinës, Camërisë, Mitrovicës, Tiranës
Hark i madh Triumfi mbi Atlantik
Miqësia Shqipëri Etnike – Amerikë.
E nga Qielli po vjen një Yll,
Po kërkon ditë me Diell…
Ai erdhi…kurrë nuk iki..
Mirë se erdhe o Rrok Nikçi…
S’po të flenë syni e të rri zgjuar shpirti yt atdhetar.
Gurët e kullës po rrijnë si shkëmbinjtë e trollit amtar.
Kemi detyra pa krye për Kombin Shqiptar.
Tungjatjeta, Rrok Nikçi, Burrë i Kelmendit, yll i ri.
Jusuf Gërvalla i shekullit XXI.
Fjalë, vepra e jetë – dritë për Shqipëri!
KRISTAQ TURTULLI
E DASHUR…
E dashur…
Sa herë të ledhatoj,
Me flladin dhe erën luaj.
E dashur, sa herë…
Lag buzët në mushtin e puthjeve,
Tutje flak petkun e vjetër të viteve.
E dashur, sa herë…
Gishtat në gjinjtë e tu ngatërroj
shtegun e koraleve kërkoj.
E dashur, sa herë…
Me imazhin tënd hapësirave fluturoj,
Planetë të tjerë zbuloj…
ELEGJI PËR GJUHTARIN SHABAN DEMIRAJ
(Në motivin popullor)
Nga Luan Çipi
Nga krahu, o shokë, më mbani,
Më mbërtheni fort nga dora,
Shumë më pikëlloi Shabani
I Demirajve, nga Vlora.
Doktor profesor në grada,
Me karrierë akademike,
Hulumtues në shumë dekada,
Studjues gjuhësh ballkanike,
Shqipen ëmbël përpunoi
Me sintaks e gramatikë,
Gjini, emra e përcaktor.
Dhe leksikë e fonetikë,
Historian i gjuhësisë,
Për Shqipëri dhe Ballkan
Lidhjet, pleksjet e miqësisë
Gjurmë indoevropian.
Zbuloi rrënjët Pelazgjike,
Trakishte dhe Ilirishte,
Albanologjinë antike,
Ishujt gjuhsor që kishte.
Iku, na la, mençuria,
Shkencëtari, gjuhëtari,
I veçantë nga dituria
Nga urtësia, i pari.
Vlorë, më 31.08.2014
MIJËRA LIBRA SHQIP DHURATË PËR PLAVË-GUCINË
Nisma e Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë e presidentit të saj, historianit e koleksionistit, Shpëtim Sala/
Shkruan nga Plave- Guci: Ramiz LUSHAJ/
Një kërkesë vrellon nga Plavë-Gucia. Ing. Tahir Gjonbalaj, një nga personalitetet elitare të kësaj krahine etno-historike shqiptare në shekuj, sëbashku me disa shqiptarë atdhetar plavë-gucias, i përcjellin besimin e vet të plot’ e të sigurt Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH) në Tiranë për t’iu dhuruar libra në gjuhën amtare shqipe për bibliotekën publike të komunës së Gucisë. Nuk është hera e parë që ndihet një mungesë e nevojë e tillë, pasi kanë fol shpesh gazeta dore, portale në internet, e së fundit, edhe një televizion kombëtar shqiptar i Tiranës në një emsion të tij për kit’ trevë. Edhe vet e kam ngrit’ si problematikë. Këto ditë i kam shetitë me sy e kamb’ krejt qytetet Guci e Plavë me rrethina e kurrkund nuk kam pa astenji libër të vetëm në shqip. Asnjë gazetë apo revistë në shqip. Aty, në disa kioska, i gjen vetëm në serbisht (apo: malazeze, si i thonë këndej) e në boshnjakisht… Edhe librat shkollor në shqip janë të pakët, të mangët, të diskutueshëm…për orët e tyre të mësimit edhe në shqip si në 9-vjeçaret e Gucisë e të Plavës apo filloret shqipe në disa fshatra të trevës. Nuk po hy’ me rrëfye për varfërinë e tejskashme në libra shqip të bibliotekave komunare publike në Guci e Plavë e në shkolla. Plavë-Gucia, ndryshe nga çdo krahinë tjetër kufitare me Shqipërinë ose Kosovën, për të blè një libër në shqip në qytetet ma të afërta si Pejë apo Gjakovë ose Shkodër e Lezhë, iu duhen tek e pakta 4 deri në 6 orë rrugë me shkue e po kaq me u kthye në vendlindje. Një fëmijë 12 vjeç në një shtëpi u zgjue syskuqur në mëngjes, pasi gjithë natën kishte lexue një libër timin për Kosovën, mjaft i vështirë për moshën e tij. Pra, dashuria për librin është shumë e madhe. Kjo gjendje e jashtëzakonshme për shqiptarët e ndërkombëtarët, pasi ka të bajnë me vet praktikat shovene të asimilimit të shqiptarëve etnikë, të cilët në komunën e re të Gucisë janë 41 për qind e popullsisë së saj, ndërsa në disa fshatra të mëdha me qindra banorë si në Vuthaj, Martinaj, etj. janë mbi 98 për qind. Kjo gjendje është e patolerueshme për vet shtetin e Malit të Zi që po don me hy’ në Europën euro-atlantike, ka statusin e vendit kandidat për në BE, po synon antarësimin në NATO, hiqen si “kampion të demokracisë” në Ballkan (!)
Krahina e Plavë-Gucisë është një luftëtare e madhe e kombit shqiptar, pasi Lufta e saj e Nokshiqit (1879-1880) ishte ma e madhërishme se e Termopileve, ishte Parathënia e Shpalljes së Pavarësisë së Pambyllun të Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit. Plavë-Gucia është edhe e sakrifikuar për lirinë kombëtare deri në tragjedi që përbajnë genocid nga ma të mëdhenjt në botë, pasi në vitin 1913 Mbretëria e Malit të Zi të Krajl Nikollës i vrau 700 shqiptarë në varre masive.
Perandoria Otomane në krahinën e Plavë-Gucisë hapi shkollë serbe më 1868 dhe shkollë turke më 1878 po astenjiherë shkollë në gjuhën shqipe për shqiptarët etnikë. Vetëm Austro-Hungarezët në vitet e Luftës së Parë Botërore (“Koha e Nemces”) dhe italianët në vitet e Luftës së Dytë Botërore (“Koha e Shqypnisë”) hapën masivisht e cilësisht shkolla shqipe. Jugosllavia e Krajlëve, e Titos, e Millosheviçit e tashti Mali i Zi i Gjukanoviçit me shkollat shqipe kanë luajt lojë shovene “hap e mbyll”, etj. Sidoqoftë për aq kohë sa u hapën e mbyllen dhe aty ku u hapën e mbetën këto shkolla shqipe (apo paralele në shqip), prej atëherit e deri më sot, në rreth një shekull kohë, kanë luajt rolin e vet madhor e hyjnor për breznitë shqiptare të atyshme, të cilët u shkolluan për lart edhe në Prishtinë e Tiranë e ndokund tjetër. Nga krahina e Plavë-Gucisë, nga studimet me libra në gjuhën shqipe, kanë dalë fuqi intelektuale të kohës, të cilët janë të origjinës apo i kanë ende kulla e troje aty, si akademik Esad Mekuli – lind në qytetin e Plavës, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës; akademik Rexhep Qosja – lind në Vuthaj, ish drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës; akademik Jashar Rexhepagiq – lind në qytetin e Plavës, shkrimtar e studiues; akademik Rexhep Ferri, pedagog e piktor; prof. dr. Fehmi Agani, Ukshin Hoti, prof. dr. Isuf Dedushaj – lind në Vuthaj, ish ministër i Shëndetësisë i Kosovës; Hasan Mekuli – lind në Plavë, ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; dr. Liri Berisha e Rexhep Ramës nga Martinajt – Zonja e Parë e Shqipërisë (1992=1997), autore libri mjekësor, etj.; Zuvdi Hoxhiq –Berisha, lind në Guci, poet e shkrimtar; Rexho Mulliq – lind në Guci, kompozitor; Mimoza Ahmeti – poete, etj.; studiues e botues të veprave për historinë e kulturën e krahinës si Rexhep Dedushaj, Hasan Gjonbalaj, Ismail Ahmetaj (në Tiranë, në Amerikë), Elmaz Plava, Binak Ulaj, Idriz Ulaj, Adem Dervish Çelaj, Ali M. Ahmeti; Alex Selimaj – mjeshtër i fotografisë artistike; Sadri Ahmeti – piktor e poet; Avdyl Dedushaj – aktor; piktorët Zake e Musë Prelvukaj; Gëzim Mekuli – publicist; Adem Haxhaj – përkthyes; Fortuna Balidemaj – Mehaj – poete; e dhjetra të tjerë.
Veçojmë edhe ing. Tahir Gjonbalaj, kryeorganizator, nismëtar e kryefjalë i veprimtarisë tradicionale plavë-guciase “Alpet Shqiptare – Vuthaj”, i katër sesioneve shkencore (me kumtime të akademikëve të Tiranës, Prishtinës, etj.) për Plavë-Gucinë, e kryenegociator i nismës ma të fundit për pasurimin e bibliotekës publike të Gucisë më libra shqip tue koordinue me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (SHMKSH) në Tiranë, e cila ka për president historianin, koleksionistin e publicistin Shpëtim Sala, i dekoruar nga AFCES me çmimin “Frang Bardhi”, etj.
Shpëtim Sala është një “ambasador i kulturës shqiptare” në botë. Ai ka kryer veprimtari dinjitare, të shumta, të ndryshme: si ekspozita me koleksione relikore me libra të vjetër, flamuj, objekte, etj. si për Flamurin Kombëtar Shqiptar, për Skënderbeun, për shkollat shqipe, për ngjarje e figura historike, etj. E tillë ishte ekspozita në Budapest për 90 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Hugari, ekspozita në Trieste për shkollat e hapura nga italianët në Shqipëri. Veprimtari të kësaj natyre ka pasë edhe në Strugë (katër herë), Prizren (tre herë), Prishtinë e Ulqin (nga dy herë), Shkup (Maqedoni), Tuzi (Mali i Zi). Qendra (QMKSH) që e drejton prej një dekade ka një biografi të pasur pune, veprimtarie: mijëra koleksione të kontributeve shqiptare përgjatë historisë sonë kombëtare, dhjetra ekspozita (edhe në Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, etj) të ndjekura nga mijëra vizitorë; disa botime me interes shkencor, kanë hap’ librari të tyre në Tiranë, synojnë të çelin një muzeum etnografik kombëtar, etj.
Historiani Shpëtim Sala ka në CV e tij disa botime emblematike: vepra madhore shkencore “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” në dy vallime me 634 faqe (v. 2013); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (Tiranë, 2006, 2011), “Shkollat shqipe në vitet 1878-1944” (Muzeu Historik Kombëtar. Tiranë, 2014), “Letra të panjohura të Fan Nolit 1906-1913” (Botimet Franceskane At Gjergj Fishta, Shkodër, 2008), “Një perandor në Prizren” (Botimet Franceskane, Shkodër, 2008), “Maximilian Lambertz – Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund gushti 1916” (Përkthim nga gjermanishtja, botim i franceskanëve – Shkodër, 2011), “Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (QMKSH, 2011), “Këngë qytetare të kënduara në Shqipërinë e Mesme” (QMKSH, 2011), etj. Pesë veprat dorëshkrimore tejet të veçanta të historianit Shpëtim Sala kanë interes të jashtëzakonshëm kombëtar, si monografitë shkencore: “Kontribute të Shqiptaro-Amerikanëve në Çështjen Kombëtare Shqiptare” (mbi 500 faqe); “Klubet, shoqëritë, vëllazëritë, komitetet dhe lidhjet e krijuara jashtë Shqipërisë në vitet 1824-1912”; “Orkestrat frymore shqiptare 1878-1939”; “Shtypshkronjat, botuesit dhe libraritë shqiptare në vitet 1869-1944”, “Enciklopedi e fotografisë shqiptare shek. XIX-XX”.
Nisma ma e re, kjo e fundit për të dhuruar mijëra libra për Plavë-Gucinë, nuk është e para në veprimtarinë e historianit, koleksionistit, botuesit e publicistit Shpëtim Sala e Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë. Vet, i përkushtuari misionar i Çështjes Kombëtare Shqiptare, Shpëtim Sala, ndër vite, ka dhuruar mbi 3.000 libra për biblioteka, shkolla e institucione të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, etj.
Kjo nismë atdhetare kulturore e arsimore e Shpëtim Salës e QMKSH në Tiranë ka marrë vlerësime nga tëgjitha trevat shqiptarë në Ballkan e në mërgatat shqiptare në botë. I ndjekim disa komente të këtyre ditëve në rrjetin social facebook. Veprimtari i dimensioneve kombëtare, Tahir Gjonbalaj, shpreh mirënjohjen e tij: “I faleminderojmë të gjithë ata si e kanë marrë shumë seriozisht kërksën tonë për pasurimin dhe rritjen e fondit të librave në gjuhën shqipe në krahinat e Plavës e të Gucisë”. Historiani e koleksionisti Jaho Brahaj, autor i monografisë shkencore “Flamuri i Kombit Shqiptar”, etj: vlerëson: Nismë dinjitoze dhe fisnike. Ilia Karanxha e cilëson: aksion atdhetar e patriotik. Poeti e shkrimtari Kristaq Shabani nga Gjirokastra, president i LNPSHA Pegasi – Albania, prononcohet: një akt i lartë për gjuhën shqipe.Poetët, shkrimtarët e studiuesit pegasianë do të sjellin një fond të konsiderueshëm me librat e tyre”. Naser Vuçetaj nga Zvicra i shpreh përgëzimet e tij.
Gjithandej vijën komente tejet vlerësuese për nismëtarin prijëtar, personalitetin e veprimtarive me vlera kombëtare, Shpëtim Salën. Nga Amerika, të dy sëbashku, Mchaell sala e Hektor Sala e mbështesin nismen dhe, përveç kësaj, Hektori shkruan i entuziasmuar në fb: “Ju lumtë Shpëtim. Me punën tuaj aq të dobishme ti po i vjen në ndihmë popullit shqiptar kudo që jetojnë.Ti po nderon familjen dhe të gjithë kombin shqiptar. Marr’ shkas të sqaroj se kjo nuk është rastësi po një ndjenjë patriotike që po e trashëgon nga paraardhësit e tij, të cilët në koëra kur kombi i ka thirrur kanë qënë të gatshëm t’i përgjigjen pa kursyer dhe jetën. Historia nuk flet vetëm për një rast, por për gjenerata të tëra…Na nderova të gjithëve si familje!”. Atdhetari e koleksionisti i njohur Shkëlqim Gjoçuka shkruan nga Italia: “Shpëtim e ka emrine shpëtim është”. Njëjtësisht, shprehet edhe atdhetari vuthjan, Shaqir Gjonbalaj në Nju Jork: “Emrin Shpëtim po e përdor në vepra. Zoti të bekoftë!’.
Nisma “Libra dhuratë për Plavë-Gucinë” ka marrë përkrahje të madhe, tepër entuziaste, ka veprime konkrete. Deri tani janë grumbullue e premtue mbi 2.000 copë libra. Poeti për fëmijë. Fran Ukcama në Fier, komenton në fb: “Zogjtë e shpirtit tim – librat, do të fluturojnë drejt Gucisë”.
Ndër përkrahësit e parë kontributor me libra veçojmë: Shpëtim Salën, Emona Metaliaj, Vasfi Baruti, Shkëlqim Gjoçuka, Kristaq Shabani, Nikollë Loka, Frederik Stamati, Lulzim Ferati, e dhjetra të tjerë.
Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë parashtron rregullat e saj përparësor për të gjithë dhuruesit: pranon libra në gjuhën shqipe, libra albanologjik, shkollor, artistik, shkencor, po jo libra politik e fetar. Librat e dhuruar do të dorëzohen të gjitha në librarinë publike në komunën e Gucisë e, prej aty, komisioni përkatës vendor (kopjet e dyta, treta, etj.) do t’i ndajë në bibliotekën tjetër të Plavës e në bibliotekat e shkollave në Guci e Plavë. Gjithçka konkrete: nismëtari institucional Shpëtim Sala ka vendos në fb adresën e komunikimit: Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Rruga Don Boska. Nr. 29. Tiranë. Numri i telefonit celular: 068 21 88 499.
Në përmbyllje: kjo nismë, ky kontribut, që po jep Shpëtim Sala me Qëndren Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, nuk e kanë dhanë as shteti i Malit të Zi –jo se jo, po as shtetet shqiptare në Tiranë e Prishtinë me institucionet e tyre të politikave të jashtme, kulturore e arsimore.
Puna e tyre ka një kryefjalë: Kombëtare. Nga të gjithë po burimon ma e para fjalë: Nderim! Nisma e tyre është ftesë-hapur për të gjithë e ka një objektiv të lartë: Mijëra libra shqip dhuratë për Plavë-Gucinë!
Plavë-Guci, 20 gusht 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 14
- 15
- 16
- 17
- 18
- …
- 29
- Next Page »