• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKODRA NUK DO HISTORI FALLCO

September 16, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI:

Kam njoftë në vitin 1956 Prof. Kol Alimhillin, i cili më thonte atëherë se: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958). Ndoshta, sot kjo asht arsyeja që vazhdojmë mos me pasë histori të shkrueme sakt! 

Një dijetar thotë: “Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”. 

Asht shkrue e do të shkruhet e prap, do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëherë kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue vetem arkivat e mbulueme nën dhé.

“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”.

Tue u nisë prej këtyne parimeve që theksova ma nalt, a duhet kuptue drejtë sot mbas 75 vjetësh  “Lëvizja e Postribës” e 9 Shtatorit 1946 ?!

Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët, jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.

Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, klerikë,  deputetë, intelektualë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e ma shumë të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë që deri pak ditë para kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen nga diktatura komuniste “demokracia”?  

Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.

Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku,  Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj., që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne. 

●Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:

●Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)

●Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të  tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…”

●Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të  Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!”

●Don Nikoll  Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje.”

***

Kam lexue edhe nga publicisti Don Lazer Shantoja, me pseudonimin Y: 

“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në Botë” “Zani i të dekunit”   Melbourne, 14 Shtator 2021.               

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, shkodra

Shkodra nën ujë dhe rilindja urbane

February 13, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot Shkodra është totalisht nën pushtetin e ujit. Më shumë se një 1 muaj. Dhe parë në aspektin e shtetit është një dështim total, jo i Edi Ramës por i gjithë shqiptarëve. Edi Rama është zorraxhiu i radhës që ka fillur të praktikoj luftën frontale me vendet e Europës a Komunitetit Europian. Identike siç edhe bënte Enver Hoxha me vendet kapitaliste. Me shefat a vendet që nuk i vinin pas midesë.

Kur një stacion televiziv kombëtar del me ulërima mbi shkresa, mendje mbushur se ka bërë zbulimin që Europa është xheloze me ne për shkak të raporteve të mira me Amerikën, ndaj nuk na jep ndihma etj., mos prisni progres social. Një individ i cili në 2013-tën garantonte futjen në Europë brenda vitit, duke u çarë veshët shqiptarëve se fajin e ka gjyshi Saliu, sot pas plot 8 vjetëve, i ka kthyer ata në shqiptarët e viteve 70-80 kur përballonin bllokadat. Referuar rubrikave video që i keni me shumicë në internet, kthejeni nga të doni, është dështim total i konceptit që kemi në raportin shtet qytetar. Eshtë dështim edhe për ata që përmendin një fakt se përse nuk përmbytej Shkodra në kohën e qeverisë komuniste. Nuk mund të risjellësh me qejf komunizmin e mencave dhe punës vullnetare. Bonifikimi nuk u shpik nga komunistët por nga nevojat. Ndryshe vende nën nivelin e detit si Hollanda, do ishin sot modeli i internacionalistëve proletarë. Problemi jonë qëndron në suportimin e teknikave për shkak se edhe ato teorizohen. Problemi jonë qëndron se presim gjithnjë me sytë nga bota. Kur duhet të jenë raporte të ndërsjella dhe të parashikueshme, në mënyrë që dëmi të mos jetë i pariparueshëm. Kur themi faji jonë është pjesë atij informaliteti skuthësh në në raport me ato pak fonde a donacione. Merreni me mend vetëm një fakt të thjesht, ndërhyrja në qëndrat historike të të gjithë qyteteve të Shqipërisë. Apo Rilindja urbane. Sot qëndrat janë me plot gojën një vaposje prej guri dhe një ekstazë vijëzimesh duke shkelur brutalisht mbi të shkuarën. Sikur ato fonde t’i adresoheshin infrastrukturës së bonifikimit, argjinaturave, rrugëve në zonat e thella ku plot shqiptarë janë kthyer të investojnë etj., Shkodra dhe Lezha nuk do të ishin nën ujë. Por që janë dhe është normale që një mbret i informalitetit dhe i dështimit të mos duket për plot 1 muaj në rrethinat e nën Shkodrës. Madje ka luksin të jap intervista denoncimesh, gjumashësh, kazanësh, europianësh xhelozë, investime dhuratë nga turqit duke i bërë shqiptarët invalidë pa pension. Shkodra është një nga perlat e Shqipërisë. Do me Liqen, e do me det apo e do me lumenj. E do me malësi apo e do me fushëri. Një aset kombëtar gjeografik, pa përmendur historinë e madhe. Duhet të ishte nj basen të ardhurash kombëtare e një turizmi katër stinor. Por nuk është. Madje të jeni të bindur se sot nën ujë mund të jetë kthyer edhe një fushë e trafikut të drogës me gomone dhe kamuflazhe ushtarake. Dëmet janë kolosale…., një tokë nën ujë për 5 javë qelbëzohet. Ta gëzojmë rilindjen urbane, rroftë kingu i dështimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, shkodra, Shkodra nen Uje

100 VJETORI I PROF. ARSHI PIPA DHE NJË MESAZH PËR DIELLIN NGA VIRXHINIA

March 11, 2020 by dgreca

Një ndër lexuesit e rregulltë të gazetës “Dielli” z. Loro Stajka me banim në Virxhinia, i shkroi ditën  e djeshme një email editorit të Diellit, ku veçonte artikullin e shkrimtarit Anton Çefa “Të kujtojmë Arshi Pipen në 100-vjetorin e lindjes”.

I nderuar editor Greca

          Në gazetën Dielli online lexova shkrimin e zotni Anton Çefa për të kujtuar Profesor Arshi Pipën në 100 vjetorin e Lindjes. Më pëlqeu fort. Të ndjerin Arshi Pipa e kam pasë njoftë personalisht dhe kam pasë nderin që ta kisha në shtëpi dhe kemi  hang’ nji kashatë bukë në shtëpinë time.

Po Ju dërgoj nji vjershë të Arshi Pipës, që më pëlqen fort. E ka titullin”Shkodra”. Po ta shifni të arsyeshme botojeni në Dielli. Vjersha asht shkrue herët dhe asht botue për të parën herë në të përmujshmen Letra-Kulturore”FRYMA”, Viti I, Nr.2, Fruer 1944.

Shumë të fala

Loro Stajka.

***

Poezinë e sjellë në fletë të scanuara nga z. Stajka, e rishkruam duke ruajtur origjinalin dhe për kënaqësinë e lexuesëve po e publikojmë.

***

ARSHI PIPA

SH K O D R A

O Shkodër, prrallë e lashtë e pakufishme,
ku fiken shekujt tue t’këndue te djepi,
mandej te vorri, kangen e lavdishme
perandore të shojtun heu sa shkrepi!

Kur delshin nga liqeni i qartë anizat
t’lehta porsi nga çerdhja zogjt e ujit!
Valvitej flamuri mbi t’arta shtizat
e larga pushteti i yt i shkodte t’huejit!

O nanë ilire! Hyjnore si Zane
ujnash ishte Rozafa atherë kur gjîn
muroi pa shum ankime përmbi kodër!

E qumshti e gjaku përnjiheri rînë
themelet e tua! për lumnin, o Shkodër
e kshtjellit ngrehun mbi nji zêmër nane!

II

O vala e Drinit, ti madhnin tregona
t’asaj qi Zojë qe mbi shoqet e smira,
tregò sa gjaku i ngjei valat e dlira
ndër luftat e pareshtuna e sa frona

mbretënsh u-rrokullisën nga dëshira
t‘falisuna kur deshtën trojet tona
me prekun e qortueshëm brodh jehona
anash gjith dheut prej malevet të lira!

Prej gjinit t’Ohrit ku Sentona kishte
banesat e nënujshme e te liqeni
tjetër ku Galateja erdh nga Heleni

djepin për me i kërkue Yllit ferishte,
prej lugjevet t’Metojës ku e amshueme
rrin bora e i ep ushqip lumit binjak,

o Drin, ndër valat tua brohorija
e mbarë nji fisi ndalej kur lavdija
shkëlqei te Rozafati përmi prak!

III

Ma vonë ma vonë t’ u-turbullue ty uji,
kur vala e jote bajti lundra t’reja,
kur përmbi altarin e atdheut i hueji
dhunoi nën thêmër çka shêjtnue pat beja.

O vaj! E kot kunorë, o Shkodër, t’hishme
t’endin ty malet kur jetim asht djepi
qi pat përkundun fatet e lavdishme
kur çveshun gjethsh asht lari i yt plepi!

E sot, sot çka teproi nga fara e moçme?
Sot koha jote e meritueshme asht nata:
mundesh me qá pa droje se korite!

Për ty vajton liqeni e Buena e ngrata
e ledhet e tua, o Shkodër, vorret e tua,
shpoti e hishun e namit t’nji dite!

Filed Under: Opinion Tagged With: Arshi Pipa, Leter Editorit, shkodra

13 DHJETOR 1990- SHKODRA THIRRI: “POSHTË ENVER HOXHA !”

December 13, 2016 by dgreca

13 DHJETORI 1990 ASHT NDER DITËT MA TË SHENUEME TË NJË RILINDJES SË DEMOKRACISË SË RE, NË QYTETIN MARTIR TË SHKODRES…/

*Rinia Shkodrane shgulë njëherë e përgjithmonë para Prefekturës së qytetit, një nga figurat ma të urryeme të Historisë së Popullit Shqiptar, diktatorin tiran Enver Hoxha!/

*Populli i Shkodres Heroike thërret me zanin e zemres: “Poshtë Enver Hoxha!”/

Nga Fritz Radovani/

Mbas ditës së Ringjalljes së Fesë në Rrëmaji, pikrisht pranë Zallit të gjakosun të Kirit, ku Don Simon Jubani shpartalloi dyertë e ferrit komunist, në muret e Rozafës plakë rane edhe njëherë rrezet e një dielli që kishte perëndue që me 29 nandor 1944… E shtergata e asaj dite të kobëshme kishte ly me Gjakun e Popullit të Shkodres krejtë Veriun…

Male e fusha nuk dalloheshin fare se ishin të mbytuna në lumenjë të skuqun që vlonin per 47 vjet nga plumbat e tradhtarëve t’ Atdheut, vrastarë të pashpirtë e pa burrni…

Pabesia e “yllit kuq partizan” kishte rroposë perdhe edhe Kështjellat shekullore!

Drapen e çekani stalinist vazhdonte me korrë lulen e Rinisë Shqiptare… “Perandorët” e një mbretnije vrastare vazhdonin me mbulue me zallin e Adriatikut gjurmët e qytetnimit Europjan Perëndimor, të skalitun nga universitetet ma të njohuna të Demokracisë!

Ishte vrastari i pashpirtë Enver Hoxha, që per kolltukun e vet vriste me kusht: “Me dijtë vullnetin e fundit të viktimave që betonin bunkerin e robnueme nga sllavokomunistët!”

Edhe skilja Ramiz Alia ishte me pushkë e kazem krah’ e qafë, i ndjekun nga kobra e pashoqe e vendeve të helmatisuna e gjakprishuna Nexhmije Hoxha, vejusha…  

Të gjithë Shkodranët i mundonte vetem një mendim që i grryente trunin per 47 vite: “Deri kur ky surrat i këtij qen’ e bir qeni, perballë Prefektures së Shkodres ?!”…

Atë ditë Dhjetori gurt’ e Rozafës shkelqenin ma fort se kurrë!

Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit Enver Hoxha, e nder të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë perpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”.

I madh e i vogel nuk ngopej kur shihte një djalë të rij “mbi koken e Enverit…”

Askush nga “ata” poet… që e vajtuen me 11 Prill 1985, nuk u frymzue nga Rinia ynë!!…

Sesi mu kujtue Poeti Don Ndre Mjedja:

“Oh, zbrit nder ne, mbretnore

Shqipe, edhe ‘j herë, si zbrite

 Kur përmbi ball, madhnore

  Të Madhit Kastriot’ i shndrite,

  Të binden barbart e ri

  Per Djelm qi ke Shqipni.”

Melbourne 13 Dhjetor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: 13 Dhjetor 1990, Fritz radovani, poshte Enver Hoxha, shkodra

SHKODRA ME SYTË NGA ALPET

August 11, 2016 by dgreca

Nga cikli «Ikona të turizmit shqiptar»/

1 xhevair-lleshi-zyre

Ese nga Xhevair Lleshi/

 Shkodra ime, e bukura e jetës, më e hollë se cipa e vesës… Jemi duke vajtur në Shkodër, apo jo? Seferi tundte kokën, me leshrat e lëshuara, rregulluar prej dorës së erës. Duket i krisur mendsh dhe aq i lezet­shëm, seksi, me një hije të trallisur, i dëshiruar të kë­putet në mes nga kënaqësia. Dhe qeshte si i dehur, pa objekt përpara, duke iu dridhur qerpiku. Po të kishte para vetes një femër, nga ato belhollat që treten në duar, do ta përpunonte si metal të çmuar dhe pady­shim do të këndonte duke e përzier zërin e ngrohtë me musht jete, me pak mjaltë dhe drithërima merr rrugën për në qiell…

Ej, Sefer, Luftë, jemi në Shkodër, boll bëre si i çartur. S’ta kemi ngenë. Doje të ishe ciceron edhe në Shkodër? Ja, pra, ku jemi! Udhëtojmë në rrëzë të Rozafës dhe po hyjmë në qytetin e mahnitshëm që ka pikturuar Edu­ard Liri, aty ku projektonte emancipimin e Ballkanit zonja e madhe angleze Edith Durham, aty ku eshtrat janë themele dhe ujërat e ububushëm e rre thojnë si me magji. Ngre kokën – syri të bie mbi male, ul kokën – syri bëhet hon i liqenit, i Drinit dhe i Bunës, shikon pak në horizonte dhe vështrimi bie mbi det. Fushëtirë e argasur nga djersa e puna, Taraboshi që vrojton diku më tej duke sogjetuar shtigjet për të hedhur në Anamal e në Krajë. Liqeni hesht dhe bigëzon natyrshëm sytë e kthjellët duke murmuritur këngë dashurie për zanat dhe malet. Seferi bën të njëjtën gjë dhe thotë se Shko­drës, or mik, i kanë ngelur sytë nga Alpet: në Tamarë, në Cem, në Vërmosh, në Radohimë e nën Jezercë, mbi Cukal e në Theth, i ngujuar në Razëm, në dëborë e në erë. Kaq afër me njëra tjetrën dhe nuk ndihen kurrë të qeta, kurrë në armiqësi. Kush vjen me mua këtu nuk e mban vendi. Kërkon medoemos të jetë në mal dhe sheh ujërat e kristalta të Drinit që të merr mendjen. Kap vala valën dhe krijohen ngjire të përfytur natyr­shëm. Në Drin ka edhe ujë Selishte, nga Selishta ime dhe unë sigurisht që rrëqethem. Nuk di ç’të bëj me këtë emocion që s’më lëshon, saqë edhe turpërohem. Më duket se do dal nga vetja dhe do shpërthej. Ku t’i çoj më parë turistët e mi dhe më i vështiri syresh më dukesh ti, miku im. Se, andej këtej edhe kemi bërë llogje, por këtu duhet ta shtrëngosh mirë rripin. Kë– tu–të–ta–llin–merr–vesh! Po kush të tall? Oo, nuk e ditke? Këtu të varin teneqenë malet, ata të egrit fare, ata që kanë qeleshe resh dhe era të përvëlon shpirtin. Më bëre si veten. Po flas me këto lloj fjalësh edhe unë. Qenka sëmundje ngjitëse, më duket. Ec, dalim tani, se ata, po presin. Ku ta mbajmë frymën? Në Razëm? Apo në udhën e re të Tamarës? E pse t’mos shkojmë në Theth? Mirë do të ishte të shohin nga lart poshtë Cemin dhe të mos mungojnë pa parë kataraktet e Ce­mit në Mal të Zi, Niagarën shqiptare, aty ku kapet peshku me dorë dhe, ndërsa peshku hidhet në tigan, dora ngrin nga uji i ftohtë në pisk të vapës! Hajde o të plastë cipa! Qenke derkë pe derke! Na doli edhe si korçar tani, ndërsa ne çajmë rrugën e re për t’u ush­truar në Tamarë. Një plak i vogël i tharë si në tym (janë të rrallë pleqtë me këto përmasa këtej!) mban fort lahutën, shtrëngon me një dorë shaminë e kuqe lidhur pas qeleshes (plisit) trekëndësh dhe të bëhet si­kur nxiron. Fjalët i kanë humbur në shpellën e gjoksit dhe nuk po i gjen dot. Ka qenë të djeshmen në Ulqin dhe atje ka kënduar boll këngë. Ia mbante një nuse e re prej Kraje dhe zëri i saj shponte qiellin, ndërsa gjinjtë e fryrë pikonin qumësht mbi buzët e plakut që u ndërkre. Ndërsa tani u bënte hije mendimeve, duke u endur buzë fundit të shtegut anash liqenit. Më tej, matanë vijës treguese të rrugës së re, një nga djemtë e Malësisë së Madhe duke rendur bri makinës humbur mes pemëve dhe me hijen që i zgjatej sipas momen­tit. Shikonte me sytë e kaltër (më të kaltër se qielli, diçka si gurkali e smerald i ndritshëm!) sy shprehës që tërbonin vajzat e ngrata. Seferi s’po duronte më. Sytë e tij bojë qielli të butë e të shkruar nxitonin mbi fytyrat e turistëve të mahnitur. Mbaje këtu. Këtu! E pastaj turma vërsulej poshtë në greminën e mahnitur të Cemit, mes një simfonie të hareshme zogjsh dhe uji. Uji që bie nga lartësitë dhe krijon një melodi që duket se po të përmbyt gjoksin, po të zë frymën. E ti ndi­hesh i mekur dhe çuditshëm plot jetë. Më pas të rrëm­ben një melodi që ngrihet nga thellësitë e hatashme të shpirtit. Ku t’ia gjesh rrënjët shpirtit? I kërkon me frymë, të ndihmon edhe era, i kërkon me duar dhe ato varen poshtë e më poshtë greminës më të hijshme në botë. Edhe ulërima më e kobshme bëhet si një melodi mahitëse. Ku do të jetë hoteli? Ku do të pimë ujë dë­bore? Ku janë dhitë e egra? Ku janë rrëqebujt? Si dalin burimet nga shkëmbi? Ku lëbyren sy të?… Më luajtët mendsh, ulërin Sefer Bodini dhe zë veshët me duar. Më duket sikur kërkoni eshtrat e gjeneralit. Ju kujto­het «Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur? Ja, pra, unë jam gjenerali. Dhe qesh si skizofren i bukur…

Një vashë! Sikur doli një sorkadhe pylli. Ç’nur! Ç’dritë! Zot i madh! Të pikonte në zemër. Turistëve iu verbuan sytë. Fekste rruga dhe mali, shkëmbi dhe gremina. Të bëhej se do gjeje Tringën e Norën. Zanat e malit. Ndoshta? Ej, mos u budallepsni, nuk është zanë, është çikë Malësie! Mos bëni si të trembur. Sefer, Lufta! Bërtiti njëri nga mesi. Ne jemi me paqen, por na pëlqejnë shumë çikat e vogla! Janë si qershizat! Janë si… Turisti ngeci. Ia kishin mësuar këto fjalë shqip. Thuaji asaj çikës se do dalim fotografi me të! Jemi në merak të madh! Shqi–pë–ri–a–ka–va–jza–të–bu–ku– ra! E pashë si i çonte goja ujë dhe prapëseprapë po këndonte. Mbahu he burrë! Ngriti zërin Sefer Bodini. Se mos bëni ndonjë shaka se koqen e plumbit në ballë e keni! S’të fal njeri këtu! Mos e kruani kot, se pastaj, ku të ha e ku të djeg. Ja edhe pak mbërrijmë. Brinja e kthyer nga era, balli nga veriu dhe shpina në jug. Kjo porosi duhet mbajtur në mal. Me erë të gjejnë këtu, ta dini. Më kujtohet një plakë që, në Razëm, ku do jemi pas një ore, bënte pushimet si shumë të tjerë. Tregon­te historinë e saj. Burri ishte ndodhur në dhomë me vajzën dhe ishte trazuar shpirtërisht. I kishte mbetur mendja për të! I pat hipur në kokë, thoshte. Për femër, më kuptoni. Aty–aty, tregoi gruaja, dhe më afrohet mua. Më kapi fort për mjekre. Shqeva sytë dhe zërin. Mbylle, tha. Me kë e ke zënë vajzën? – pyeti. Me… Me kë, të pyes, se më ndolli. Të ndolli? Po. Mos më vono. Duhet ta di patjetër, tani, se me kë e ke zënë! Dhe ia tregova se me kë e kisha. Si ajo punë. Ndenjëm mot­mot buzëplasur, por ai gufoi nga marazi. Vdiq. Ja, a s’të thashë, që këtej e gjejnë edhe me hundë se me kë e ke pasur djalin apo vajzën? Sidomos çikën. Sytë e Sefer Bodinit të tmerronin. Ore, këta lloj janë burra es­nafi. E gjejnë, pasha Zotin, e gjejnë…

Në Razëm hoteli ishte me katër yje. Aq numëro­heshin. Aty ishte hotelieri me gruan dhe me dy vajzat. Vitin e kaluar ishim në Paris me ta. Dhe kërkonin kudo që hynin gjilpërën në kashtë. Bari i njomë, shtig­jet që të çonin në bjeshkë. Drurët, livadhet, shkëm­binjtë që kullonin ujë, ajri i qiqërimtë mbuluar me një mjegull të lehtë buzëmali. Dhe heshtja që notonte mbi notat muzikore të frymës dhe të shpirtit. Janë jone të lakmueshme që të dehin dhe ta mbushin jetën me një ngashënjim të tepruar dhe gati të përlotur. S’di ku dhe kujt t’i fshihesh. Kjo është veç magjia e Razmës. Turistët heshtin, mezi ngopen me frymë. Ju thashë? Po? E, pra, mbahuni fort dhe prisni. Tani do të keni të papritura jo aq të këndshme. Befas moti u err. Re të dendura, Kërcëllima. Vetëtima që shigjetonin këdo rreth e qark me një tërbim të hatashëm. Në tërë atë katrahurë era kuiste me një fishkëllimë që dukej sikur endej nëpër këmbë. Pikat e shiut binin mbi trup dhe shpatulla e kurrizi ngrinin. Akull. Dhe… pas një ore shndriste dielli. Shakatë e motit në mal. Gajaseshe së qeshuri. Edhe në Theth nuk është më mirë. Razma e Thethi janë vëlla e motër. Nga një bark kanë dalë, nga një çark dhe bërtasin. Tej në mjegullën e hollë oshtinte thellë Liqeni. Ç’mrekulli! Një nga zonjat turiste sikur u këput dhe u ul më gjunjë. Kjo bukuri e llahtarshme e bënte gati të vdekur. Nuk i fshihej dot natyrës dhe përbrenda ndiente një ngacmim të allasojtë. Afrohet te veshi im Seferi, sikur t’u fshihej turistëve. Por jo, e mblodhi veten. Ata që s’bëjnë dot fëmijë mjafton të flenë një natë në Razëm dhe hop! Natë magjike! E ka bekuar i madhi Zot. Edhe malet po të pyesësh ashtu të thonë. Edhe era ta pëshpërit në vesh! Edhe uji teksa gurgullon ashtu t’i thotë fjalët. Mos përtoni. Me siguri fëmija që do të lind, i konceptuar në Razëm, do të ketë sy bojëqielli, paksa të shkruar nga era, me një hije të rëndë mali. S’ka, s’ka fëmijë e njerëz më të bukur se ata që janë ngjizur në Razëm! Dhe çiftet pleq të tur­istëve qeshnin më fort se të rinjtë. Ndoshta. Ngrinin supet…

Kujdes, mund të këputet këmba e malit! Mos shi­koni ashtu si të trembur. Me këtë thirrje, Sefer Bodini do të nisej për udhë. Fjetja e mirë, ajri i pastër, ujët i ftohtë, një freski madhështore përpinte çdo lloj mërz­ie. Ja, pra, mërzia të lë pa udhë… Erdhën mbrëmë Zanat e malit? Jo? Se mos i pe ti! Ia ke këputur gju­mit për shtatë palë qejfe! Sikur ta di! Kur vijnë zanat ndizen qirinjtë e shpirtit dhe bien këmborë e zile sa tundet dynjaja, po ama vetëm çifti i dashuruar i dë-gjon… Zanat e malit e zënë veten në çark nëpër bu­ronja. Aromë bliri, gjurmë ariu, afsh i vetëtirë nga një dritë e jeratisur për qejf. Shpërthen njeriu i gjorë teksa vëren dashuri zanash. Këtu në log. Aty më tej ndizet shpirti i malit. Se Zanat tundin dheun me hapat e padukshëm e të tmerrshëm, aq sa këputet në mes edhe mali nga dashuria! Eej, mendje, profesor, këto janë figura. Ec tani se i luajtëm mendsh turistët e mi. Kam frikë se do t’i kenë mësuar në shqip gjithë ato mençuri që u thanë. Dhe, s’ka, të pritet koromania. Ku do t’i çosh? E ku tjetër? Në Shkodër? Do t’i shëtis buzë Drinit, po, se më duket i hardallosur. E pastaj? Pastaj në det, aty ku derdhet Buna dhe në këmbë nëpër shëtitoren e Adriatikut. Pikërisht në një si lagunë, që në projektet e fantazuara nga Xhevahir Ngjeqari, mes kodrinave do të bëhet edhe port i madh detar! Si? Deri këtu arrin puna? Po more, flije mendjen! Se aty ku ka shëtitur Kleopatra me Cezarin. Kanë bërë dashuri të çmendur ata të dy. U hipnin kuajve të tyre të Pegasit dhe s’dinin të ndalnin. Hu e purtekë. Dhe ku të kam, pastaj! Lemeri e madhe! Kleopatra dhe Cezari në bre­gun e Velipojës, merr vesh? Para tyre gaforret e men­çura duke ecur mbrapsht për të humbur drejtimin e dashurisë. Paska qenë e mahnitshme Velipoja, ç’thua! Pi ujë deti si i marri dhe zbukuron varret e të parëve, ja, kështu duke kënduar, baritore, me dritë e lezet, si Adami dhe Eva, si Ademi dhe Havaja, prej mishi e praj gjaku, gjak që s’prishet… Ah pleqëri e mallkuar. Si nuk e gjeta dot atë plakun që vinte në jetë thënien e moçme se nga plaku del edhe gjaku. Jo more? Kë gën­jen ti? Me viagra? Jo, të betohem, por mos harro, se thuhet «del edhe gjaku»! Atë «edhe» ku e le?… Sevda-llinj të djegur nga flaka e moshës! Pini viagra, pini!… Viagra të bën të sajdisur. I pitë mbrëmë në Razëm? Jo? Mos! Si paska qenë e mundur? I kishte harruar në hotel, në Tiranë… Po ato në Razëm duheshin, se në Tiranë të mbyt vapa!… Vapa! Nxehtësi tjetërsoj ajo e Tiranës, kujt i thua! Kthejeni tani nga një kupë vere prej Kallmeti… Është gjak i Krishtit, ua them unë që për perëndi njoh Muhametin. Edhe Muhamet Mesi, ai matematikani nga Shkodra, shok me Qatip Marën, po të ishte do kishte plasur nga të qeshurit.

Ikim më mirë në një shtëpi fshati, andej nga «Mrizi i Zanave»? Atje ku këndonte Gjergj Fishta dhe zanat i vinin «tan në lesh». Mund ta lësh lahutën mënjanë tavolinës dhe të ngjitesh aty sipër në kalldrëmet ku vërshon vera e derdhur nga fuçitë e hardallosura, përrenj–përrenj, në një pyll lisash e manash me pjer­gull, të ulët e të lartë, i përkulur ose në këmbë, nën bistakë të mëdhenj, të kuq e të zinj, mbuluar nga një cergë bryme. Allah, Allah! Fe tjetër kjo. Edhe Selishta ime nuk i këndon kështu gjërat. Kthehemi prapë në Shkodër? Ata, malulët, duan të shohin teatër! Ç’të them! Teatër me gjakmarrje! E shohim, si thua? Po mor. Mirë që do e shohim, por atyre, u ka mbetur mendja në Razëm, ta them unë. Plaça. Harroji bletët që zhabullojnë mbi lule. Mendja është te dashuria. E, pse, nuk u del kjo te «Mrizi»? Kurrë! Ata lënë mendtë për Razmën. Blejnë viagra në Shkodër dhe marrin malet. Se Shkodra andej i mban sytë për vete, nga malet, duket sikur vënë breroren e tyre mbi krye dhe nisen për rrugë. E ç’rrugë, thua? Sefer Bodini qesh nga e papritura. I kapet gafil fjala. O bari drite! Ur-dhëro, përgjigjen malet. Do ju flas për shpirtin sonte… Se malet dinë dhe flasin më bukur se të gjithë. Gjoksi si katana. Busti prej shkëmbi. Uji, krahët, mesi, kënga dhe britma majëkrahut. Qenke bërë i çuditshëm Se­fer Bodini! Je i papërmbajtshëm. Mos ke marrë edhe ti viagra? Ç’thua! Unë s’jam dem race! Ja kështu është puna. Sa di mali për shpirtin aq di edhe unë… Turistët qeshin pa u ndjerë. E kuptojnë dhe hedhin një vello turpi (turp i thënçin!) përsipër.

Kthehemi në Shkodër. More, si, ishim afër Kakariqit dhe s’u ndalëm te Shkëmbi i tij? Shenjë jo e mirë. Aty, mo, te shkëmbinjtë e thellë që e ndajnë me Rencin, aty edhe ulërijnë Sirenat e detit. Cilat? Ato të Uliksit? More? Ç’të ketë ndodhur me ty? Këtij vendi s’i thonë Itakë, as Trojë. Këtu ka ulërima e oshtima allasoj, por të gjitha vijnë prej erës që fryn nga deti dhe ujit që bie nga mali. Edhe një gur të hedhësh! Të ishte ndryshe në këto gërxhe e lirishta do ishte akoma Çirçja dhe zanat e saj. Hajde kokë, hajde! Po ai kosovari që luan Uliksin, Bekim Fehmiu de, si, do të vinte dot këtej dhe të mos binte në gjunjë në tokën e të parëve? Sot të gjithë e dinë se ai është Odiseu i paepur. E bija e Kadri Roshit, ajo që ishte bashkë me ne në Barcelonë, mezi e mbante të qeshurën. Mos, se na shastise! Paske qenë flamë…, i tha dikush Seferit. S’i mbyllej goja. Bënte edhe Ciceronin edhe Çirçen. E ç’punë kanë ata të dy? I bashkon legjenda romane. Era pëshpërit fjalët me turp. Dhe pastaj e kap histeria e të qeshurës…

Tani do ndjekim Bunën. Anës Bunës, anës Spresë, po vajtoj pa fund pa shpresë… Vargjet e Nolit. Shko­dra kridhet në qetësi sublime. I kam marrë masat, thotë Seferi. Do ngremë kamping në Grykën e Bu­nës, në Deltë. Ta shohësh si shfryn. Pastaj në ishu-llin e Franc Jozefit. Deri aty ishte kufiri i Perandorit të Austro–Hungarisë. Më tej vemi edhe në Adë. Në Adë, thashë dhe jo në Had. Le të shkojë kush të dojë në Had! E, që thua ti, miku im, në Adë do kapim një dem të egër, do ta lodhim, do ta presim, do ta rrjepim dhe do ta pjekim. Tre kuintalë. Dhe katër burra nga ne do ta pjekim në hell, si ata të lashtët që kemi parë në filma. Jo, jo, as kec e as qengj. Ç’ne! Nuk llogaritet fare. Demin do ta pjekim në hell! Merr vesh? Po. Ja kjo është. Patë ndonjë orgji nga këto, andej nga brodhët nëpër Evropë? Kë–tij–i–tho–në–tu–ri–zëm! Dë–gjon? I bie fyellit, ti? Jo. As çiftelisë? Jo. Po pse rri me ne, pastaj? E ke parë çiftelinë time? Me dy tela e kam. Kurse Lahutën me një tel. Për kokë të axhës. Axha i satam! Jo, s’ke ku të shkosh! S’e ke atë të drejtë. Kam pre dëllinjat e kodrës së Mujit, për të bërë një çifteli! Nuk e beson? Kurrë mos besofsh! Paske qenë jezit! Ta them unë, që ta thëntë perëndia në rrëzë të veshit! Dëllinja e ka drurin si mishi i çikës dhe vetëm ai bëhet çifteli, kurse lahuta do dru lisi. Çiftelia asht vashë, Lahuta asht gru! Nigjon? Jo? Atëherë më ndin?… Të dyja mërdhijnë pa zjarrin e burrit. E para asht zanë, e dyta asht frut. Frut vjeshte. Të këndon shpirti kur je vashë, të gërryen zjarri kur je gru! Kaq e madhe asht dashnia! S’ka tingull më të bukur se ato. I vajttë shpirti në xhenet atij që e shpiku ilaçin që s’e blejmë dot. Kokrra–kokrra! Si ta ban mishin druri i dëllinjës. Zot–Zot!

Do t’i jap shpirtin tim kampingut në grykëderdhjen e Bunës, filloi sërish Seferi, pasi i la mënjanë pëshpëri­mat e zjarrta të dy burrave. Verë, mish demi të egër, zjarr, këngë, valle. Mëngjesi na gjeti në gjumë. Kur shkrepi dielli, dy burrat që na kishin ndihmuar e që flisnin maja–maja me njëri–tjetrin, na kthyen me sytë nga malet, larg në thellësi të kaltërsisë. Heshtja tingë-llonte e rreme. Edhe ne, si Shkodra, i mbajmë sytë nga malet. Atje në atë madhështi janë kryet. Atje edhe ne. A t’ka pikë tavani, he burrë?

Një dritë tjetër më mbiu në sy dhe xiglimi i saj më mbeti në duar…

Filed Under: ESSE Tagged With: ME SYTË NGA ALPET, shkodra, Xhevair Lleshi

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT