• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERMBYTJA… NË ZJARR…

January 12, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: 1944 Buna shkapercen kufinjt’ e vet…/

 Ishte viti 1944… Vjeshtë. Ishim në Dajç të Bregut Bunës tek daja im, Don Kolec Prennushi, që sherbente prift n’ atë fshat prej të cilit, ruej edhe sot kujtime të bukra. …Binte shi pa pushue n’ atë vjeshtë, që edhe pse ishe i vogel atëherë, vetem 4 vjeç, kam kujtime të pashlyeshme. Buna kishte shkapercye çdo kufi…Ajo kishte perbytë të gjitha fshatrat tue fillue nga Ura e Bunës, e deri në daljen në det. Damet nuk llogariteshin.

            Kam pasë rasen me lexue perpjekjen e Mark Kakarriqit, per me i shpetue të gjitha ato zona nga permbytja, tue kanalizue lumin Buna, me një shoqni angleze menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë, po shumë tregtarë dhe antarë të Bashkisë së Shkodres, nuk u pajtuen me mendimin e Markut, se “po na sjellë kaurrin, me ‘ata’ që do të drejtonin ata punime per kanalizim…”. Sa vështirë asht me besue çka shkatrron fanatizmi…

            Uji kishte ardhë deri afer çelës së vjeter, dhe vetem oborri i Kishës dukej si stom, mbasi të gjitha rrugët perrreth asnjena nuk shiheshin nga permbytja. Shtëpijave afer të Lac Gjushit dhe Harapëve, uji u kishte shkue nder shkallat e hymjes. Ishte edhe ftohët. Shenjat e motit që njihen nga fshatarët tregonin se shiu do të vazhdojë. Zot bane mirë!

            Të nesermen me 29 nandor, ishte permbytë edhe gardhi rrethues në kufi me një rrugë që na lidhte me shtëpinë e Lacës, me të cilin daja, kishte miqësi të madhe…

            Laca i kishte tregue dajës, se pritej ardhja e disa vetëve tek Kisha, që partizanët i kanë kapë në një barkë tue lundrue në drejtim të detit per me ikë në Itali. Dhe vertetë, aty nga ora 11 para dreke, zbriten me lundra rreth 200 vetë në oborrin e Kishës, ishin të çarmatosun dhe të lidhun me litarë, të lagun per palcë, dhe me nga një strajcë në dorë…

            Ishin fëtyra të panjohuna…thohej se ishin ballista e “tradhëtarë” që donin me ikë. Disa partizanë i trokitën derës së çelës, hyne në dhomen ku ishte daja, biseduen me té, dhe dolën me vazhdue me ruejtë grumbullin e të kapunëve në ikje. Mbas pak erdhën prap partizanët me tre a kater vetë prej tyne, dhe daja u dha dy sheke djathë dhe bukë, ndersa, gjyshja filloi me gatue bukë tjera per ta. Né fëmijëve na kishte kapë një frikë që nuk dinim ku me hy… Kishim harrue edhe me luejtë me lojnat tona!

            Këta ishin ata “partixhanët”, me emnin e të cilëve na friksonte gjyshja, kur donte me vue qetsinë e rregullin nder mbramje kur né fëmijët shkonim me fjetë…

            Nga dritaria e kuzhinës, që ishte mbas çelës, po shikonim né fëmija dy vetë prej “tradhëtarëve”, që rane në ujë dhe vazhduen me notue mbas mollarëve të sanës, kur dy nga partizanët vazhdonin me i ruejtë derisa ata dy, të kryenin nevojët personale… Filloi pushka, dhe alarmi i “zjarrit” mbuloi fshatin me virrma e krizma mitralozësh…

            Ikën…ikën dy “tradhëtarë”… Zjarr! Kontrolloni ku janë futur! Ndigjohej gjithkah.

            Pushkë e mitraloza me virrmat e egersinave “na sollën çlirimin atë ditë nandori”!

            Një grup partizanësh bash si egersinat, shperthyen deren e qelës me armë në dorë dhe filluen me kontrollue qelen deri nder hatlla… Një grup tjeter moren dajen dhe ikën me kontrollue Kishen, mos u kanë hy aty… Gjyshja, u trondit aq fort sa gati na dukej se po humbte edhe frymëmarrjen nga frika, se, “mos ia moren djalin me e pushkatue”!..

            Nuk ishte asgja e papritun nga bishat e maleve me “yllin e kuq” në ballë!

            ***

            Asht kenë një shprehje që perdorej nga Populli Shqiptar: “Na ruej Zot prej ujit, zjarrit e zabitit…” Data 29 Nandori 1944, na i solli mbrenda një dite “permbytjet, zjarret dhe zabitët partizanë” që me tradhëti të pashoqe të organeve të sigurimit të shtetit, nuk na u hoqen per 47 vjetë! Ishin pikërisht ata tradhëtarë, që nen drejtimin e Enver Hoxhës, i sherbyen me armë në dorë pushtuesëve jugosllavë, grekë, rus, kinezë dhe të gjithë atyne që dishronin humbjen e Hartës së Shqipnisë në Ballkan, permbytjen e Popullit Shqiptar nen zgjedhen sllave, zharitjen e Atdhetarëve tanë, dhe me zabitet ma të poshter që ka njoh Historia ynë, zhdukën, vranë dhe varrosen pavarre mbi 50.000 Shqiptarë në hetuesi, burgje, kampe shfarosje e perqendrimi, në male, fusha dhe brigje lumejsh…

            Viti 1944 asht viti i pushtimit sllav, viti i shpronsimeve, plaçkitjeve, vrasjeve, interrnimeve, …Dhe me plot gojë robninë e Titos dhe të Stalinit, Enver Hoxha me të gjithë pasuesit e tij tradhëtarë e vrasës e quejtën “çlirim”…

            Mekenëse, sot në këte 70 vjetor të mnershem të Popullit Shqiptar, jemi edhe po vazhdojmë me kenë edhe “antar” të “Konferencës Islamike”…një dëshirë e vjeter e bash atyne terroristëve Enver Hoxha e Ramiz Alia me pasuesit e tyne “vllezër gjaku me turq”, po ua uroj këte vit të 70 vjetorit me vargjet e At Gjergj Fishtës, kushtue “Gjaksorëve”:

                                      “Atje nen vapë t’ Saharës,

  Nder luaj e pardha jeten

  Mizuer, kush don me e shkimun

                              Në gjak t’ vllazenve etjen,

  Atjé, pa kenë vajtue,

Mbaroftë i namët per lak…*”

 

Shpjegim: *Mbaroftë i namët per lak – mallkim: Gjaksit i ardhët vdekja e tmershme në shkretinë i vetem dhe pa njeri pranë…

 

Melbourne, Janar 2014.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Buna, Fritz radovani, ne zjarr, Permbytja, Permbytja ne Shkoder, shkodra

Me krenari dhe mburrje: SHKODRA!

December 27, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

E sigurt ishte që Porta lart, qëllimisht kishte zgjedhur hapësirën e Gjakovës, Malësinë së saj, Shkodrën e deri në det për të treguar qëllimet e saj dhe sajimin e një “tampon zoneje” të tmerrit, ngase përherë aty ishin thyer lindja dhe perëndimi në paraqitjen e fuqisë së tyre”… shkruante Gjon Nikollë Kazazi i Gjakovës (1702-1752).Po kush nuk e zgjodhi kete zonë ,ku thyheshin e ende thyhen lindja me perëndimin? Turku ,serbi ,komunizmi e të gjithë ata që kalun këndej pari. Ose, ”Nga të gjithë elementët e padisiplinuar në Perandorinë Turke, pak mund të ketë pasur, që të mund të sillnin aq shumë trazira sa shqiptarët. Për të dënuar grupet e pabindura duhet të dërgoheshin ekspedita ushtarake njëra pas tjetrës. Edhe pse Shqipëria është veçse pak më e madhe se sa Vermonti dhe me zor sa i bën një milionë banorë, ajo është një qendër cikloni e Ballkanit, nga e cila mund të lindin probleme të rënda. Rajoni i liqenit të Shkodrës në kufirin verior është një zonë problematike ku interesa konfliktuale nuk mund të ndahen paq, përveçse nga ndonjë proces i gjatë negociatash dhe rregullimi “Bota e re, problemet e gjeografisë politike” – libër i pabotuar ndonjëherë në shqip (Bowman, Isaiah, The new world; problems in political geography (1921), Yonkers-on-Hudson World Book Co, 1921, Chapter Seventeen; The Albanian Mountaineers, f. 306-312).” Ose“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët ( E.Durham, Londër 1920).

Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet [7] të jetë vendi ku shkon Drini (Shiko Drinon), kur erdhën turqit në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet dëshmojnë për më të vjetër. Nga ky ambjent dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi [8], që me veprat e tyre nxitën në futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazulli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639″. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se “akademia” kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas shekujve e shekujve At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.

Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme; Thuhet që njëfarë Shtjefni nga Shkodra pruri nga Venediku dhe ngriti një shtypshkronjë dhe në vitin 1563 shtypi një libër kishtar. Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Johann Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë[9].

Oboti shtrihet në jug-perëndim të Shkodrës dhe është i vendosur në të djathtë të Bunës. Administrativisht i përket komunës së Oblikës, kurse etnografikisht e historikisht i përket zonës së Bregut të Bunës.Sipas gojëdhënave, Oboti është ngritur njëkohësisht me kishën e shna Prendes në Shirq (shek. XIII-XIV). Për herë të parë emri Obot gjendet në dokumentet venedikase të shek. XV.

Sipas traditës gojore, popullimi i kësaj zone njihet para 700 vjetësh. Fiset e para, sipas gojëdhënës, ishin fiset Çemeraj e Gjekaj. Mund të ketë pasur edhe të tjerë, por që u shuan nga sëmundja e murtajës. Kështu fisi Mark Gjekaj erdhi nga Shestani, fisi Çulaj nga trevat etnike nga Mali i Zi, po ashtu edhe fisi i Koçobashve dhe fisi Pemaj, kurse ai i Bumejve nga Mirdita, etj. (shih. Gjovalin Muzhani, “Oboti” Kumbona e së diellës” nr. 12, 1994)

Oboti ka qenë qendër relativisht e re me një farë veprimtarie ekonomike. Në të kaluarën ka patur liman ose stacion lumor ku ndaleshin barkat me tonazh të madh, të cilat nuk mund t’i afroheshin qytetit, meqë prurjet e lumit Buna e kishin mbushur shtratin deri tek skela e Shirqit.

Në shekullin e kaluar ky liman ka pasur hane, depo, magazina, dyqane, qendra postale. Në Obot kanë qëndruar edhe vaporë të firmave të mëdha tregtare shkodrane, si Muzhanët, Darragjatët, etj. Më 10 gusht 1913, në Obot dhe në Anën e Malit u ngrit flamuri shqiptar pas kaq shumë vitesh robëri. Kjo ditë u kthye në një ditë feste e entuziazmi, me batare pushkësh, për banorët e vendit. Kisha e parë e Obotit u ndërtua me tepricat e gurëve të kishës së shën Premtes, në Shirq! Pra, pasi u kryen punimet, ajo që mbeti u mbart dhe u soll në Obot, duke përfituar edhe nga afërsia e këtyre dy fshatrave. Për këtë ka mbetur në formë gojëdhëne shprehja: “E patët ‘baft’ ndërtimin e kësaj kishe”.

Shkodra është qyteti që prej shekujsh njihet si djepi i kulturës dhe civilizimit të lartë brenda trojeve etnike shqiptare. Historia e saj është e mbushur me ngritje dhe ulje ndër shekuj. Ajo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë historisë kombëtare shqiptare. Shkodranët kanë qenë ndër shekuj nderi dhe lavdia, të parë në të gjitha këndvështrimet, duke zënë në këtë mënyrë një vend nderi në histori. Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronzit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë. Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera, që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.K. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis, sot Shkodra. Në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullit II para Krishtit, në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja. Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i papushtuar.Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan, humanisti At Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Evropë në vitin 1504. Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shekullin XV, me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII-XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe më vonë kinemaja dhe energjia elektrike. Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Iliria e jugut kalon nën kontrollin e Bizantit, por vazhdoi të varej nga Kisha Katolike e Romës.

Kështjella Rozafa është monumenti historik më i vjetri, e cila filloi të ndërtohet në shek V-IV para Krishtit, ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Në shekullin V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit, në një lartësi 130 m.

Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.

Prof. Giuseppe Gelcich, nji nder studjozt ma te çenshemt e ma me autoritet te vjetersive shqyptare, tuj fole permbi zhvillim tone kulturar, para te XV shekull, thote: “Shqytari i pajisun prej natyret me ‘i kuptim te forte e me i shijim te bukur, kishte stolise gjytetet e veta me permendore (monumenta) artistike fort te çmueshme e, deri qi kto gjytete ran rrash per toke prej zjarmit e pezmit t’ anmikut, s’pran tuj dergue me shumice rraqe argjanti, fildishi, kureli, kriri (zadefi), si edhe shkallme, arme e ene remi te punueme me mjeshtri e hollim te madh gjithkund neper Ballkan e nder vise, kndej e andej detin. Petkat mandej te qendisuna n’ ar per bukuri, qi u perdorshin asokohe ne Ballkan per stoli shtati e shpije, vishin edhe kto prej andej. Arti rromanesk ne Dalmacje pat shkasin ma te madhi e te paret apostuj prej Shqypnije.

Kta ndodhte sa mbretnote paqa ne vendin tone, pse, si nisen m’ u dynde shqyptaret katolike, gjith perparimin, kulturen e influksin e tyne kah Dalmacija, Gelcich e permbledhe me kto fjale:

“Sa familje, qi sot thirren dalmate, rrjedhin prej te hikunve t’ atyne kohve! Sa sende, qi sot shumica i mban per arte e vepra dalmate, nuk jane tjeter veç krijime e vepra te daluna prej mjeshtris e zhenis shqyptare!”

Prap Prof.Gelcich, tuj rí ne bisede me P. Gjergj Fishten permbi arte te hershme ne Shqypni, dishmoi, se veç mbrenda nji shekullit te vetem, tuj nise gjate Bregut te Bunes e deri ne gjytet te Djokles afer Podgorices, njitfeshin 82 piktora me za, te cillve u dihej edhe emni.”

Po kush nuk e zgjodhi kete zonë ,ku thyheshin e ende thyhen lindja me perëndimin? Turku ,serbi ,komunizmi e të gjithë ata që kalun këndej pari.

Gjakovë.Dhjetor 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xharra, me krenari dhe mburrje, shkodra

ÇKA THA AMBASADORI TURK PER SHQIPTARËT ?…

February 25, 2013 by dgreca

100 vjetori i rrethimit të Shkodres…/

Nga Fritz RADOVANI/

Shkodra, flitet, por sa asht e vertetë nuk e dij, thonë se asht rrethue disa herë por sa herë asht vështirë me e percaktue!.. Ka historianë që i fillojnë rrethimet e saj para Krishtit. Ka edhe që i vazhdojnë edhe mbas Krishtit… Kishe me thane se ky lamsh historik i “Rrethimit të Shkodres” e ka burimin tek mospercaktimi i saktë se: “Shkodra vazhdon me kenë edhe sot e rrethueme!”.

          Po kush e ka “Rrethue Shkodren” ?… – Gojdhanat dhe gojkëqijtë kujt nuk ia lanë fajin!?

Disa thonë se Shkodra u rrethue nga turqit… Disa të tjerë ua lanë komshijëve… Disa që janë konsiderue edhe historianë të zotët, thonë se Shkodren e kanë rrethue vetë shqiptarët…

Kujt me i besue?!.. Nuk di njeriu kujt me ia prishë as kujt me ia lanë mbarë!?

Një liber e ka lanë per këte punë Don Marin Barleci, një prift që e ka shkrue aty nga viti 1504…”punë boshe”, se mos di kush me thanë të verteten. Kush ia beson Atij prift sot këto
fjalë: “Tashti pra Otomani, tue marrë parasysh se Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të krishtenëve, ushqeu një shpresë shumë të madhe per me e shti në dorë…” (“Rrethimi i Shkodres”fq. 31).  Ai sot asht pak i besueshem!

Ma vonë aty nga fillimi i shekullit XX, njëfarë Don Ndoc Nikaj ka shkrue një tjeter liber per rrethimin e Shkodres nga malazezët…edhe ky si i pari, “punë priftnish”. Ka shkrue prap edhe një frat i quejtun At Justin Rrota, po per rrehimin e Shkodres së 1912 – 13, po nuk permendet gati prej askujt, perveç prej atyne që e dijnë se shkrimet e Tija i ka pervetsue “prof. dr. dekan…” Jup Kastrati, po as “ata” nuk flasin se “nuk asht mirë me tregue se ky ‘prof. dr.’  i vdekun ishte hajdut veprash”!.. Të gjitha këto vepra janë edhe “pa vlerë”, mbasi janë shkrue edhe Gegnisht.

Per fat këta vepra u mblodhën dhe nuk u dogjën si shumë të tjera, dhe mbasi iu ba njëfarë seleksionimi po i themi nen kujdesin e disa “prof. dr.”, u kthyen në gjuhë e “njësuar” tue i vue në kopertinë edhe emnin e adaptuesit. Dikund nëpër té shkruente edhe një frazë ose dy kunder klerit katolik, që e bante të mundshem botimin e saj. Pak kohë para Jupit këte punë e filloi Dhimiter Shuteriqi, ndersa ma vonë kjo u ba “modë”. Një pjesë që erdhën deri në ditët tona tashti ia kanë fillue me shkrue në gazeten “Drita Islame”, edhe pse karrieren e kanë fillue tek “Rruga e Partisë” në vitin 1967, kur i udhëzonte “rahmetlia” Ramiz Alia në “Revolucionin Kultural” në Shkoder.

Per çudi shumë dorshkrime që u patne plaçkitë nder bibliotekat dhe muzeumet e qytetit të Shkodres në vitin 1946 nga jugosllavët dhe u derguen nga Bosnja nëper rrugen e Koplikut, nuk dihet fare fati i tyne mbasi nder valixhet e lidhuna me litar ka pasë edhe disa dorshkrime të At Gjeçovit, At Fishtës etj., që njiheshin edhe nga ish nxanësit e tyne që kanë jetue deri vonë.

Vlera ma e madhe e atyne thesareve asht kenë ajo e fushës së shkencave historike, mbasi si gjithmonë klerikët katolik shqiptarë perpara se me shkrue një shkronjë në leter, janë kenë disa herë të sigurtë se ashtu asht e verteta e atij dokument per të cilin kanë shkrue. Ata nuk i kanë lejue vetes asnjëherë me shkrue dishka të pasigurtë ose të diskutueshme. Kjo ngjante se kishin seder per çka shkruenin dhe nuk i lejonin emnit vet me u diskutue per pasaktësi. Me ngja dishka kështu emni i tyne fshihej nga revistat e kohës. Këte e verteton revista e tyne “Hylli i Dritës”… Ndersa sot ngjet që po i njajti autor që nuk ka lanë gja pa thanë per At Fishten, me paturpësi edhe guxon me u krenue me veprat e At Fishtës, që deri dje kje “fashist” apo “i padijtun” në shkrime.

Kjo fatkeqësi e kishte burimin tek karakteri i dobët dhe mungesa e personalitetit të atyne që shkruenin per me i ba qejfin diktatorit dhe rrethit të tij, që ishte edhe ai si diktatori.

Vetë Enver Hoxha fliste e shkruente pa asnjë kontroll të logjikës. Ai ishte gjithnjë në të gjitha fjalimet, deklaratat dhe “veprat” i pakorrigjueshem, kështu u mësuen me kenë edhe ata që i rrinin perrreth tavolinës së tij. Ai të pakten e justifikonte këte me ruejtjen e kolltukut të vet, per të cilin sakrifikonte gjithshka tue fillue nga burri i motres së vet Bahri Omari, që kushedi sa herë u strehue edhe vet Enveri në shtëpinë e tij me shpetue koken…E në fund, e pushkatoi!

Sot ka nga pasuesit e tij që mundohen me e imitue në mos me fjalë, me vepra. Harrojnë se bota ua lexon letrat në xhep! Ata ua rrahin shpatullat derisa këta karagjozë punojnë per ta!

Unë do të shkruej një fakt që ka ngja në Tiranë në vitin 1964, mu në pallatin e Brigadave, apo të karagjozit tjeter Ahmet Zogollit, pikrisht, me “fanarin ndriçues të marksizem-leninizmit” në botë, atëherë kur Nikita Hrushovi, pat mendue “me ba Shqipninë një kopësht të lulzuem të socializmit në Ballkan, si shembull per të gjitha vendet islamike!!..”

Në banketin e shtruem per festat e nandorit Enver Hoxha foli edhe per pavarsinë tonë nga turqit, tue vue theksin se “menjëherë shqiptarët u zgjuan dhe nuk vonoi e formuan PKSh, e cila solli lirinë dhe fitoren e socializmit, të cilin do ta ruajmë të paprekur nga armiqtë tanë…”

Sigurisht, të pranishmit e “duartrokiten” me ovacione… Nder ambasadorët e pranishem që ndodheshin aty e mori fjalen ai i Turqisë, i cili vuni në dukje “miqësinë e popullit shqiptar me popullin turk nder sa shekuj dhe cilsoi, se po mos t’ ishte pushtimi shekullor turk, Shqipnia nuk do të konsiderohej si vend islamik nga Aleatet fitues të Luftës së Dytë Botnore, kështu ajo nuk do të lejohej me kenë nën influencen e vendeve komuniste. Si pasojë sot ju nuk do t’ ishi një nga vendet socialiste po mos t’ ishit të okupuem nga Turqia, prandej asaj duhet t’i jeni mirnjohës!”

Edhe ambasadori turk u “duartrokit”, por pa ovacione…

Mbas pak ditësh, në pragun e festës së Republikës me 11 Janar 1965, kur ambasadorët që ishin në Tiranë shkonin në Ministrinë e Jashtme dhe banin urimet e tyne, tue shenue në protokol edhe praninë e tyne aty, Enver Hoxha thrret ministrin e jashtem Nesti Nase (i cili e ka tregue këte ngjarje kur u arrestue), dhe e porositë: “Kur të vijë tek ju per urime ambasadori turk pyete se a e ka lexuar kryeartikullin e sotem në gazeten ‘Zëri i Popullit”, pastaj më trego çfarë tha?”

Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit” ishte shkrue nga vetë Enver Hoxha, që i prekun nga fjalët e ambasadorit turk, kryesisht se “të gjitha fitoret e luftës dhe të socializmit ishin të tijat dhe se ai po ndriçonte aso kohe gjithë vendet e mbrapambetuna me idetë marksiste-leninste” e kishin zemrue Enverin, aq sa nuk lente gja pa thanë per atë që kishte errësue figuren e tij…

Në oren e caktueme per ambasadorë në Ministri të Jashtme erdhi edhe ambasadori turk. Ministri Nesti Nase e pyeti: “A e ke lexuar sot kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit” ? – Po, iu pergjegjë ambasadori, dhe vrejta se artikullshkruesi kishte dashtë me më dhanë pergjegjen e asaj që unë kam thanë atë natë në banketin e festave tueja të nandorit. Me siguri, ju keni per t’i tregue dhe mendimin tim atij që e ka shkrue artikullin prandej, ju lutem i thoni: “Kaq të mbrapambetun i keni udhëheqësit tuej ju shqiptarët, sa edhe disa pashallarë që kemi pasë shqiptarë nder disa krahina tona në Turqi, ato krahina edhe sot janë ma të mbrapambetunat e Turqisë moderne!”

Shpesh, ambasadorët dijnë ma shumë se edhe vetë ata që drejtojnë shtetin e tyne!

Ndoshta, ambasadori i Turqisë sotme, e ka “ndryshue” mendimin…

Melbourne, 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadori turk, Fritz radovani, shkodra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT