Të shtunën në mesditë, 1 Shkurt 2020, në selinë e Vatrës, ishte për vizitë Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, enkas për të uruar kryetarin e ri të zgjedhur në mënyrë unanime nga Kuvendi i 19 Janarit në Michigan, z. Elmi Berisha.
Shoqata e Shkrimtarëve erdhi në Vatër pas veprimtarisë solidarizuese me Shkrimtarin Agron Tufa, ish drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), i kërcënuar politikisht dhe i vendosur në Zvicër, duke kërkuar atje azil politik për shkak të kërcënimeve të jetës së tij dhe familjes, për shkak të ushtrimit të detyrës. Kjo veprimtari u zhvillua në Kolegjin”Monroe” në Bronx dhe Vatra u përfaqësua me nënkryetarin e saj të dalë pas Kuvendit të Michiganit, Dr. Pashko Camaj, i cili përcolli atje solidarizmin e Vatrës me shkrimtarin Tufa.
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve, shkrimtari Mhill Velaj e uroi kryetarin e Vatrës, Elmi Berisha, në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe shprehu gadishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen. Vatra, tha ai është krijuar nga shkrimtarët( Është e vërtetë: Noli, Konica, Floqi, janë themelues), prandaj, ajo na takon ne më shumë se Ju! Velaj rikujtoi edhe Kuvendin e Vatrës që u zhvillua në Teqenë “Baba Rexhebi” në Michigan, duke vlerësuar mënyrën e zhvillimit të tij dhe kulturën demokratike që e përshkoi atë. Shkrimtari Mhill Velaj ishte delegat në Kuvend, përshëndeti në emër të Shoqatës dhe të vetin. Ai është pjesë e struktuarave të Vatrës të pas Kuvendit, duke u zgjedhur në listën e Këshillit Drejtues të Federatës.
Edhe Presidenti i shoqatës, poeti Adnan Mehmeti, i uroi sukses kryetarit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” duke shprehur edhe gadishmërinë për bashkëpunim, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën. Z. Mehmeti prezantoi edhe dy botimet më të fundit të Shoqatës së Shkrimtarëve: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë-Aktivitete dhe Krijimtari” përgatitur nga ai vetë si dhe numrin 7, botimi më i fundit i revistës”PENA”, revistë letrare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, kopje të të cilave ia dhuroi bibliotekës së Vatrës.
Kryetarin e Vatrës e uruan dhe i shprehën konsideratat pozitive, por përcollën edhe këshilla e bënë kritika për përmirësimin e Federatës: Nexhat Imeri, Ramiz Gjini, Luz Thaçi dhe Eleonora Gjoka.
Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha i falenderoi shkrimtarët për vizitën dhe urimet që i përcollën, natyrisht edhe për vërejtjet e këshillat. Ai premtoi se do të luftonte fort që duke ruajtur substancën historike të Vatrës, do ta bënte atë më aktive dhe do të çelte derën për Rininë shqiptaro-amerikane, për fëmijët tanë, siç u shpreh, që ta gjejnë veten në këtë Institucion -ikonë të Kombit tonë. Vatra, tha ai, do të ketë vizionin e shekullit, ku jetojmë.(Dielli)
*Per me shume fotografi shihni ne FB.