In Memoriam Fadil Hasa: Seriale turke & shtet kriminal ndaj Artit, Artistëve e Kulturës Shqiptare!/Nga Elida Buçpapaj/
U shua edhe një tjetër yll i humorit shqiptar i mbuluar nga heshtja dhe harrimi.
E vrau shteti përmes injorimit!
Na bënte të qeshnim e të harronim hallet e diktaturës dhe tranzicionit.
E qeshura thonë të zgjat jetën!
Edhe kur e ke barkun bosh, kur qesh e sfidon të keqen!
Fadil Hasa ishte lënë në harrim qëllimshëm nga shteti shqiptar, i cili po na shkombëtarizon, duke na kthyer në një kope bagëtish, pa identitet.
Në Shqipëri janë me dhjetra televizione, disa syresh të ashtuquajtura edhe kombëtare në të cilat ditën e natën shfaqen serialet turke, ndërsa s’ka vend as për historinë dhe as për kulturën shqiptare.
Nëpër televizionet e Tiranës shfaqen në mënyrë invaduese live oligarkët e politikës dhe serialet turke. E njëjta situatë edhe në Kosovë.
Qendrimi im nuk ka të bëjë me asnjë lloj ksenofobie apo turkofobie, por me të drejtat kushtetuese të një vendi, shteti i të cilit ka për detyrë që të përhapë dhe mbrojë kulturën, artin dhe historinë kombëtare.
Ekranet e Tiranës na japin nonstop seriale të historisë së Sulltanëve, të perandorisë turke prej ngjizjes, të haremeve, të sulltaneshave, eunukëve. Këto seriale Turqia i prodhon për turqit kryesisht, por që ka interes të bëjë invadim kulturor aty ku mund. Dhe mund në Shqipëri e Kosovë, ku qeveritë janë të kapura, dmth antishqiptare!
A do të lejonte zoti Tajip Erdogan që nëpër televizionet turke të shfaqeshin natë e ditë serialet shqiptare, ku nëpër këto seriale të vihej në epiqendër vepra heroike e Skënderbeut, se si ai i mundi dhe e shpartalloi hordhitë turke, se si e shpartalloi Sulltan Muratin e Sulltan Mehmetin duke i dhënë për çerek shekulli goditje mu në zemër Perandorisë Otomane ?!
Jo nuk e lejon.
Unë nuk them të veprojmë si Presidenti Erdogan. Unë them që vendin e kulturës shqiptare nuk duhet ta uzurpojë kultura dhe historia e një vendi të huaj.
Natyrisht që shqiptarët kanë të drejtë legjitime të shohin prodhimet më të mira të kinematografisë dhe televizioneve botërore, ku nuk përjashtohen as prodhimet turke, por jo kësisoj, një invadim të vërtetë në dëm të kulturës shqiptare, artit dhe artistëve shqiptarë.
Brezi i ri shqiptar nuk e njeh fare Fadil Hasen, nuk e njeh as historinë, nuk i njeh as krimet e diktaturës apo kulturën kombëtare, por harxhon orë të tëra duke parë seriale turke trash që shiten për dy lira ose që jepen falas!
Fadil Hasa deri sa e dha frymën e fundit kishte të drejtë që të ishte i pranishëm në skenat apo përmes ekranit në vatrat tona, por atij iu mohua kjo e drejtë.
Tri ditë përpara Fadil Hasës u shua operatori i shquar Ilia Tërpini i lënë po ashtu në harrim dhe i kujtuar veç ditën kur iku nga kjo botë! Kështu edhe me poetët, shkrimtarët. Kujtohen vetëm dy-tre të kohës së diktaturës dhe të tjerët varrosen edhe si kujtesë. Prandaj ky shtet është kriminal.
Edi Rama për shembull nuk ka harruar që t’i vejë emrin e të jatit Kristaq Rama rrugëve në Durrës dhe shkollave të Tiranës, ndërsa Poetin Kombëtar Gjergj Fishta e ka varrosur shtatë pashë përmes injorimit!
Ju lutem kërkoni emrat e Fadil Hasës në google dhe po ashtu të kryepolitikanëve shqiptarë të këtij tranzicioni kriminal. Do të gjeni miliona fajle, foto e video të kryepolitikanëve tanë që nuk vlejnë asnjë grosh ndërsa nga Fadil Hasa do të gjeni disa video krejt të një cilësie të mjerë.
Fadil Hasa ishte Mik në familjet tona, Mik i mirëpritur, por i larguar me dhunë nga shteti shqiptar. Prania nëpër shtëpitë tona e Artit, Artistëve dhe Kulturës shqiptare është e drejta jonë si spektatorë, teleshikues, qytetarë dhe shqiptarë.
Shikoni se çfarë qytetarësh na kanë katandisur! Ne na e mohojnë të drejtën e edukimit me historinë, artin dhe kulturën kombëtare, ndërsa përfaqësuesit e kulturës dhe Artistët i trajtojnë si skllevër, si lypsa ose i poshtrojnë përmes injorimit, ndërsa këtë boshllëk kombëtar e mbushin me seriale të rëndomta turke.
Turqia është vend mik i shqiptarëve. Erdogani përsërit shpesh “populli vëlla shqiptar”! Nuk e kuptoj se në çfarë konteksti, ndofta se në Turqi jeton një komunitet prej 20 milionësh shqiptarë, kryesisht mjerisht të asimiluar, apo se Qemal Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne ishte shqiptar apo se shqiptarët kanë luajtur një rol parësor në jetën e Perandorisë, pasi në Perandorinë Otomane ka patur të paktën 28 sadrazemë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare ?
Turqia është vend anëtar i NATO-s dhe padyshim ne jemi aleatë, por duke patur në themel respektin reciprok bilateral pa qene e nevojshme aspak që vendin e kulturës shqiptare ta zenë mallrat turke me shumicë.
Kultura shqiptare duhet të kthehet vendi që i takon, mohuar nga një klasë politike me banditë, si ky kryebanditi me atlete që ka 20 vjet që i ka shkrepur të shembë Teatrin Kombëtar duke i konsideruar Artistët shqiptarë askusha, kur është vetë hiçi i hiçit!
Në vend të buqetës me lule për ty i dashur Fadil Hasa, në vend të lotëve, po i shkruaj këto rradhë për t’i kujtuar shqiptarëve se ata janë stërnipat e Skënderbeut, se Skënderbeu bëri gjithçka jo që të pushtojë të tjerët, por që të mbrojë vendin e Arbërit!