• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TOKA E DARDHAVE NË MUZG

August 20, 2016 by dgreca

1 sinan Kamberaj2

TOKA E DARDHAVE NË MUZG/

Nga: Sinan KAMBERAJ/
_________

Sapo të kesh arritur në Tokën e Dardhave/
Mbyll sytë për një çast dhe mbaj frymën:/
Do të dëgjosh një trokëllimë të pafundme/
Dhe një hingëllimë të çartur që çan qiejt …/

Janë kuajt e harlisur nga magjia e zezē/
Që shkelin gjithçka që u del përpara:/
bjeshkë, njerëz, varre, lumenj, ara …/

Hapi pakëz sytë dhe shih jelët e tyre/
Gërsheta të shthurura lulezezash –
Tek fshikullojnë horizontin e vrarë reje
Që s’dihet ndan a bashkon tokë e qiell.

Sa shumë lulezezat paskan çelë
Cep e m’cep Tokēs së Dardhave!
Farmaku u rrjedh trungut deri në rrenjë …

Këtu ende bie duhmë e qiellit të përglasur
Nga mullenjat që ikën në një buzmuzg ballkanik –
Dhe, hingëllimë e hamshorëve
Që mbyt zërin e engjujve të therur nga barbarët –
Në gji të nënave të dhunuara …

Sa vuajtje shkaktoka dergja e harresës –
Tokë e përgjakur e Dardhave!
___________
Prishtine,
20 gusht 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: NË MUZG, Sinan Kamberaj, TOKA E DARDHAVE

TE URA E IBRIT

June 24, 2016 by dgreca

Sinan KAMBERAJ/
_______
TE URA E IBRIT/

Si s’tu paska shtjerrë xhamadani -/
shoshë bâ plumbash/
te Ura e Ribnicës s’Karadakut?/

O, Hero!/

Njiqind vjet udhë/
deri te Ura e Ibrit!/

O, Is-o-o-o!/

Nxire shoke njanën, të shkretën, njiherë!
Për ne që na janë lbyrë sytë mjegulle
tu e kqyrë Boletinin së largu!

Dhe, tjetrën –
Për këta që t’i vjedhin edhe sumbullat e xhamadanit – për mësysh!

O Burrë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Sinan Kamberaj, TE URA E IBRIT

NJERIU QË DHA LAJME MBI DY DEKADA – SOT U BË VETË LAJM …

March 24, 2016 by dgreca

Nga Sinan KAMBERAJ/

Sulejman GASHI, i cili shpërndau lajme në eter nga New Yorku, për më shumë se dy decenie, duke ngritur shpresat dhe duke ngrohur zemrat e miliona  shqiptarëve në Ballkan, në orët më të liga të historisë së tyre, sot papritmas u bë vetë lajm.
Ai u bë lajm, të cilin familja dhe ne miqtë dhe kolegët e tij, nuk deshëm ta besonim, sepse ishte i rëndë. Sulejmani ishte goditur papritmas nga një sulm kardiatik dhe po përballej me sëmundjen e rëndë që ka mundur të të ndante prej nesh.
Ky lajm, padyshim i keq, e kishte një pjesë shpresëdhënëse: Sula e kishe sfiduar goditjen, duke u dhënë shpresa familjarëve dhe ne, të gjithë miqve të tij, se së shpejti do të kthehet midis tyre dhe midis nesh.
Në çastin e sëmundjes, Sulejmani gjendej me punë në Utah të Amerikës, ndonja katër orë fluturimi me avion nga New Yorku, duke shoqëruar si përkthyes një grup zyrtarësh nga Kosova.
Mësohet se mjekët bënë çmos t’ia shpëtonin jetën dhe, në saje të tyre, por edhe fatit – shpëtoi. Ndonëse relativisht larg shtëpisë, e shoqja dhe katër fëmijët e tij të mrekullueshëm, arritën t’i gjendeshin pranë në spital.
Familja njoftoi se Sulejmani ishte në një gjendje të rëndë, në shkallë komatoze. Këshillohej të transferohej nga Utah në New York për trajtim më të sofistikuar. Familja e kishte poashtu këtë dëshirë. Do t’i qëndronte pranë derisa ai ta merrte vetën, t’i kthehej jetës dhe punës. Falë shkathtësisë së fëmijëve, (e marr me mend fillimisht edhe ndrojtjtjen e tyre) – ata duke përfillur edhe sugjerimin e miqve të Sulejmanit, si dhe duke besur në njohjen e të të jatit nga shumë dashamirës të tij anëmbanë Amerikës dhe në Evropë – hapen një link në Face book, me kërkesë për mbështetje financiare për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, meqë sigurimet shëndësore nuk e bënin dot këtë punë.
Duheshin rreth 50,000 dollarë për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, me helikopter special, konform gjendjes së tij shëndetësore.

***
Dh, erdhëm te pjesa e tretë e lajmit për Sulën. Edhe kjo – pjesë e mirë e lajmit.
Për nëntë orë, qëkur në rrjetin e internetit familja bëri kërkesën për ndihmë dhe deri në çastin kur po i shkruaj këto radhë, miq e dashamirë të Sulës, shqiptarë e amerikanë, derdhën në llogarinë tij 58. 675 dollarë.
Familjes i takon për të falënderuar të gjithë donatorët, ata që po e mbështesin Sulën në këto çaste. Dhe, ajo po e bën këtë nga çasti në çast, në internet. Me telefonata … Po i falënderon të gjithë njerëzit zemërbardhë për mbështetjen financiare e morale.
Nuk është vendi as koha për ta elaboruar më gjatë këtë pjesë të lajmit
Megjithatë, nuk mund ta kaloj pa i thënë dy fjalë për solidaritetin e njerëzve tanë, ndonëse ky është një fenomen që kërkon një elaborim dhe trajtim më të hollësishëm..
Në këtë kohë të pakohë, kur për çdo ditë bombardohemi nga lajmet e këqia, që shpërfaqin katandisjen morale të shoqërisë shqiptare, – padyshim pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë që nga paslufta e këndej, LAJMI se për 8 orë mund të mblidhen mbi 50. 000 dollarë, ndihmë humantitare për një njeri në nevojë, është një LAJM i mirë. Dhe, këta njerëz janë donatorë nga të gjitha trojet shqiptare. Nga mbiemrat kuptohet se janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva…. Solidarë, bashkë, si para 1999 – tës. Para çlirimit të Kosovës!
Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë!
Ky është një lajm që rrit shpresën se Kosova duhet dhe do ta marrë vetën, sapo qeveritarët hajdutë që e kanë kapur vendin dhe po e rrjepin për së gjalli, duhet të hapin udhë. Të largohen.
Dhe, duhet të largohen.
Kosova ka qeveritarë milionerë, multimilionerë që s’e dinë Zotin hak dhe s’qajnë krye për fatkqinjtë.
Qeveritarët keqpërdorues, keqqeverisës, të padijshëm e injorantë, duhet të ikin nga skena politike, sepse mileti s’mund të ikë nga vendi. Dhe, s’ka kuptim të ikë.
Donjeta Demolli, një vajzë, sigurisht nga Kosova, ia dërgoi Sulës në akonto 5 dollarë ndihmë. Pesë dollarët e saj janë sa 58, 690 dollarët që i dhanë të tjerët për Sulën.
Ajo e meriton Kosovën, ashtu siç e ka zemrën!
*
Familjen e Sulejmanit, si dhe ne të gjithë miqve e kolegëve të tij, na mban shpresa se ai do ta përballojë edhe këtë sfidë dhe ai do t’i kthehet jetës dhe punës përsëri.
Sulës, që shpresoj se do ta takoj shpejt, kur të pimë kafe në Arthur Avenue, do t’i kërkoj “falje” që s’u durova pa e “politikëzezu” pak këtë shkrim timin.
Mbahu, Sulo! Të uroj shërim të shpejtë.

NEW YORK, 24 mars 2016

JU MUND TE NDIHMONI: https://www.gofundme.com/sulejmangashi

Filed Under: ESSE Tagged With: 2 dekada, Njeriu i Lajmit, Sinan Kamberaj, Sulejman Gashi

SHOK – u QË E THA PËR 20 MINUTA, ATË QË S’E THANË SHOKËT PËR 17 VJET

March 4, 2016 by dgreca

Nga Sinan KAMBERAJ/ New York/
Andi dhe Lumi flasin për Holly Woodin/
Ekipi i  fimit artistik kosovar SHOK u kthye mbrëmë nga Amerika në Kosovë.
Aktorët e vegjël, Lum Veseli dhe Andi Bajgora, thanë se ndjeheshin të lumtur që kishin marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së fituesve të çmimeve OSCAR, në Akademinë e Holly Wood-it në Los Angeles.
Filmi i shkurtër artistik SHOK, prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, me regji të anglezit Jamie Donoughue, për fat të keq, nuk arriti ta marrë OSCAR – in e synuar. Juria e shpalli filmin irlandez “Stutturer” si  filmin më të mirë në këtë kategori. Me meritë, pa diskutim.
Pavarësisht nga kjo, vetë nominimi i SHOK – ut kosovar për OSCAR në kategorinë e Filmit më të Mirë të Shkurtër Artistik, nga një Akademi prestigjioze botërore, është vetëvetiu një vlerësim i veçantë për Qendrën Kinematografike të Kosovës, për ekipin realizues të filmit, regjisorin Donoughue, aktorët kosovarë dhe sidomos artistët e vegjël, Lumin dhe Andin, që ia zbardhën fytyrën Kosovës.
Bindja që filmi SHOK do të nderohej me Çmimin OSCAR sforcohej nga vlerësimet që iu bënë Filmit, që nga çasti i nominimit, nga ana e kritikëve të famshëm të artit filmik, botuar në gazetat ose blogjet e revistave të mëdha amerikane e botërore, si New Yorker, Chicago Tribune, etj.
Edhe ky vlerësim i SHOK-ut nga kritika serioze filmike, dhe publiciteti që iu bë atij para ndarjes së Çmimit, është poashtu një nder i madh, si për vetë filmin, poashtu edhe për kinematografinë e “vogël e të varfër”  kosovare.
* Dy çunat e SHOK – ut, Lumi dhe Andi, që dukeshin të gëzuar në konferencën me gazetarë, sapo zbritën nga avioni në Prishtinë, nuk e dinin se ata tashmë, me rolet që interpretuan në mënyrë brilante në film, ishin më shumë se heronj filmi. Edhepse të lindur mbas lufte, (ishin me fat që nuk e kishin përjetuar Ferrin), këta  dy fëmijë artistë, duke përfaqësuar artistikisht të gjithë fëmijët e luftës, u bënë zëdhënës të tyre, të atyre mijëra fëmijëve të dëbuar nga Kosova, mijëra të tjerëve, që u vranë e u masakruan barbarisht, shumë prej të cilëve të zhdukur –  pa varr.
*   Miliona shqiptarë, të cilëve, në mbrëmjen e së dieles, do t’u jetë ngrirë shikimi në ekranet televizive, tek ndiqnin parakalimin e dy çunave aktorë nëpër Qilimin e Kuq të Akademisë së Hollywood-it, po të kishin  mundësinë t’ishin mbrëmë pranë tyre në Aeroportin e Prishtinës, do t’u thoshin çunave të SHOK – ut: Ju lumtë! Ju i treguat artistikisht botës çka ka ndodhur në Kosovë, jo pushtetarët tanë, që sorollaten nëpër botë si somnabulë, qe gati dy dekada, pa arritur të thonë qartë se Atdheu i shokëve të Andit dhe Lumit, në vitin 1999 ishte Ferr!
*  Në saje të këtyre dy aktorëve të vegjël, tashmë, qindra miliona artdashës në botë, të cilët mund ta kenë ndjekur Akademinë përmes Televizionit, do ta kenë më të qartë, përmes një vepre arti, çfarë ka ndodhur në Kosovë 17 vjet më parë.
SHOK – u i tha botës për 20 minuta, atë që SHOK – ët nuk ia thanë për 17 vjet!
Pushtetmbajtësit tanë ishin të zënë, duke na bindur, ne të pabindurve, që s’po marrim vesh as sot e kësaj dite, kush na paska pasë çliruar!
Fundi i fundit, me dërdëllisje nuk bindet bota.
Fjala artistike, në rastin e SHOK – ut, e shoqëruar bashkë me lojën skenike, dëshmoi magjinë e vet.
Këtë e bënë çunat tanë, Lumi dhe Andi.

New York, 3 mars

 

Filed Under: Editorial Tagged With: mesazhi i 20 minutave, Shok, Sinan Kamberaj

PDK – ME DY KANDIDATË PËR PRESIDENT, NJËRI – XHORDANO BRUNO I DYTË DHE NJË MESSZH ME ÇIFTELI

February 25, 2016 by dgreca

Nga SINAN KAMBERAJ/New York/
Portalet informative njoftojnë se Partia Demokratike e Kosovës do t’i nominojē dy  kandidatë për President të vendit – një real, pra Hashim Thaçin dhe njē tjetër fiktiv, sa për ta “djegur”, vetëm që të përmbushet një kërkesë formale kushtetuese.
Për kandidatin që do të “digjet”, s’di as vetë pse po ndjej një si dhimbje. Nē fakt, për Kushtetutën ia vlen tē digjet njeriu, por jo për kundërksndidatin, as Partinë, cilado qoftë ajo, madje as për atë që e kontrollon Kushtetuesen. Sepse, kur je mbi Kushtuesen, s’ka pse me të bâ syni vërr!
Kronikat dëshmojnē se edhe mē parë  është bërë kurban nga një kundërkandidat presidencial për një kandidat real, por “të djegurit” kanë qenë oponentë që vinin nga parti të tjera, të ndryshme nga ajo e “djegêsve”.
Suzana Noveberdali është “djegur” për Behgjet Pacollin, Naim Maloku është “djegur” nga Fatmir Sejdiu, Ramë Buja është “djegur” çpufff – nga Ibrahim Rugova.
Këtë herë Xhordano Bruno i Dytë vjen nga e njëjta Parti me Kandidatin Real prandaj “djegia” është e veçantë. Madje-madje është shumë e veçantë sepse, ky burrë që do të “digjet”, oh! vjen nga i njejti rajon, një fshat e kanë në mes me Kandidatin Real.
Akti i ndëshkimit të Xhordano Brunos me djegie, nga ana e Kishës në Mesjetë, ishte i qartë: heretiku Bruno e kishte kundërshtuar botëkuptimin dogmatik të Kishës Romake, ndaj, siç dihet, pas shqiptimit të dënimit nga Inkuizicioni, ai shkoi vetë drejt turrës së druve, pa u trembur, krenar që po i mbronte pikëpamjet e veta shkencore mbi botën ….
Fundi I fundit, ky Bruno i Dytë, që do të digjet vullnetarisht në “turrë të votave”, ndoshta  s’është për ta qarë. Do të dëmshpërblehet për “vetëdjegie” nga Nana Parti. Do ta bëjnë ambasador, ndoshta në Tiranë, ku i çojnë ata që kanë pasë shumë njisha në shkollë të mesme dhe ku dislekti gegë, ku hyn kosovarishtja, llogaritet si njohje e gjuhës së huaj.
Por, pavarësisht nga kjo mynxyrë, “vetëdjegia” po më duket makabre.
Ndoshta ky “therorizim” bëhet për një “Kauzë”, që, përveç kryeparlamentarit Veseli, që nuk “tyrprohet” kurrë, madje as kur i shan para mikrofinit me fjalë të ndyta çikat e gratë deputete, si dhe Grabovcit, zor se i bie kush në fije.
Për Kauzë.
Kauza?! Mua për vetën time,  kjo fjalë, në gojën e pushtetarëve gjysmëanalfabetë, më tingëllon si – Akuza!
Edhe opozita e ka Akuzën e vet. “Kauza” e Opozitës është e paketuar bukur estetikisht. Për Demarkacionin, është bukur e gjatë, me mija kilometera katrorë, sa pronat e feudalëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, që ua kishte dhënë me spin-of AKP e Tanzimatit. Kauza tjetër  është edhe më e kamufluar, edhe kjo është në gjuhës të huaj – asociacion, por meqë shqiptohet zorshëm, duhet t’i thuhet ashtu siç është, sllavisht – Zajednica.
Këto janë Kauzat, jo marrja e pushtetit me dhunë, siç thonë gojëkqinjtë.Këto Kauza tashmë duhet të thuhen, siç u thanë e u bënë më të qarta brëmë, në çadrat e ngritura para Pallatit të Qeverisë, me këngën “Oj Shypni mos thu’j marova!”, me një vijë melodike dramatike, nën tingujt e çiftelisë, instrumentit tonë tradicional me dy tela.
Mungonin vetëm krismat, ruajna Zot, të alltive: bam-bam-bam!
Teksti i kësaj kënge, që sugjeron “vdekje ballë për ballë” (me kë, tash, or jahu?!), në kontekstin e lirisë, i thënçin kështu kësaj derëbardhe, është anakronik.
Bile, ogurzi.
Nuk besoj që ua beson më kush jetën “këngëtarëve” të opozitës që ftojnë miletin fatkeq të shtërngojnë rradhët për “Kauzat” e tyre “shtetndërtuese”. Tashmë është e qartë: Ata as kanë pasur, as kanë Kauza, ashtu siç nuk kanë as sivëllezërit e tyre siamezë,  aktualisht në pozitë. Pseudokumandarët e pangopshëm, në pozitë e në opozitë, qē e kanë kapur dhe e kapin alternativisht e mizorisht shtetin çdo katër vjet, duke ankoruar gra e nipa e mbesa e halla e kunata e teze, nëpër borde e agjenci shtetërore, e kanë degdisur vendin deri në atë derexhe, sa, ka gjasë që, me këto banda në krye, pakkush e do më atë vend. Pushtetarët e sotëm, ashtu si edhe ata që po synojnë të vijnë në pushtet, bile vrap e vrap, para kohe, janë nervozë që nuk po arrijnë t’ia rrjepin edhe atë pak lëkurë që i ka mbetur Kosovës së shkretë, “bukuroshes … qosh e m’qoshe”, siç i thonë ata vajtueshëm.

Si duket, elektorati kosovar, ngaqë nuk u beson më koalicioneve të panatyrshme, si ka mbetur tjetër rrugë, veçse të rirreshtohet. Dhe, si çdo gjë që ka zgjidhje në këtë botë jallane, edhe puna e partive ka zgjidhje. Kur lodhet mileti prej tyre, vjen një ditë kur u thotë – mjaft është mjaft!
Partitë pseudodemokratike nuk kanë dhe nuk duhet të kenë jetë të gjatë. Edhe kjo dihet.
Hëpërhë, ky ngërç i rrezikshëm duhet tè kapërcehet me zgjuarësi, për hir të fëmijëve.
Sa për zgjedhjen e të Premtes, e trashë m’u duk “gjetja artistike” e përzgjedhjes së të Parit që përfaqëson unitetin, me dy kandidatë, nga partia e njëjtë, njëri prej të cilëve, “vetëdigjet”.    Kur të jetë zgjedhur, nëse çdo gjë shkon simbas planit  të Veselit, mbetet vetēm të komentohet verdikti i veçilëve të miletit, në Tupanin Klanor Televiziv, kur kryekomentatori i mirënjohur politik do të vë qershinë mbi tortë:
“Dikush nga jashtë, realisht, mund të thotë së kombinatirika e zgjedhjes së Presidentit nuk kaka më ajo që ishte , por, realisht, mund t’ju them se kaka dhe usht aja që usht dhe atu ku usht”.

Filed Under: Editorial Tagged With: dy kandidatet per persident, mesazh me cifteli, PDK, Sinan Kamberaj, Xhordano bruno

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT