• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT DHE PAVARËSIA E MAQEDONISË

September 10, 2021 by s p

Xhelal Zejneli

Sllovenia e shpalli pavarësinë nga Jugosllavia më 25 qershor 1991. Po atë ditë, pavarësinë nga Jugosllavia e shpalli edhe Kroacia. Prej datës 29 shkurt 1991 deri më 1 mars 1991 në Bosnjë dhe Hercegovinë u organizua referendum për shkëputjen e saj nga federata jugosllave. Për shkëputjen e BH-së u deklaruan shumica absolute e atyre që dolën në votim. Serbët e bojkotuan atë. Serbia ndërhyri ushtarakisht në që tria nga këto ish-republika jugosllave. 

Më 2 korrik 1990 delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën kushtetuese, të njohur si Deklaratë e Pavarësisë. Me të Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave. Më 7 shtator 1990 po ata delegatë miratuan në Kaçanik Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të njohur si Kushtetutë e Kosovës. Me këtë, ata edhe formalisht Kosovën e shpallën republikë.  

*   *   *

Më 8 shtator 1991, në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, u mbajt në Maqedoni Referendumi për shpalljen e pavarësisë nga RSFJ-ja. Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për një Maqedoni sovrane dhe të pavarur, me të drejtën për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”? Me po u përgjigjën 96,46% e votuesve, përkatësisht 72,16% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Me jo u përgjigjën 3.54%. Pjesëmarrja në votim  ka qenë 75,74% trupit zgjedhor. Referendumit të sipërthënë i parapriu Deklarata e pavarësisë që e aprovoi më 25 janar 1991 kuvendi i parë shumëpartiak i Maqedonisë.

Në kohën e mbajtjes së referendumit për shpalljen e pavarësisë nga federata jugosllave, një pjesë e sllavo-maqedonase ishin proserbë. Për këtë arsye pyetja e referendumit përmbante  edhe pjesën “me të drejtë për të hyrë në një federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Pikërisht për këtë shqiptarët e bojkotuan referendumin, d.m.th. nuk morën pjesë në votim. 

Kuvendi i Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 17 nëntor 1991 mori vendim për shpalljen e Kushtetutës së këtij vendi. Deputetët shqiptarë nuk e votuan kushtetutën. 

Më 11 dhe 12 janar 1992 u mbajt në Maqedoni Referendumi për autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Në të morën pjesë 383.539 shqiptarë. prej tyre, 360.928 votuan për. 

*   *   *

Sikundër shihet, Maqedonia, krahas Malit të Zi, u shkëput nga Jugosllavia pa luftë. Numri i serbëve në Maqedoni është i vogël ndaj Serbia nuk kishte si ta arsyetonte ndërhyrjen ushtarake të saj në Maqedoni, të cilën ideologët serbë të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX e quanin Serbi jugore.

Me shkëputjen e Maqedonisë nga amalgama jugosllave, sllavo-maqedonasit e konsideruan veten trashëgues të vetëm të shtetësisë dhe mbartës të vetëm të shtetësisë. Duke e marrë veten trashëgues dhe mbartës të vetëm të shtetësisë, sllavo-maqedonasit i shpërfillën, i anashkaluan dhe i injoruan shqiptarët. 

Në fillim të pluralizmit, d.m.th. në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, shqiptarët në Maqedoni nuk kishin potencial politik dhe intelektual të mjaftueshëm. Pa institucione të veta dhe të papërfshirë në institucionet e ekzistuese të shtetit, shqiptarët s’mund të kishin kapacitet politik dhe intelektual më të madh. 

*   *   *

Me Kushtetutën e vitit 1991, Maqedonia, përkundër përbërjes dyetnike, përkufizohej si shtet kombëtar i sllavo-maqedonasve. Shqiptarët ndërkaq u konsideruan pakicë. Ndonëse në shtëpi të vet, u quajtën dhe u trajtuan qiraxhinj. Pikërisht për këtë arsye, deputetët shqiptarë nuk e votuan kushtetutën e lartpërmendur. 

Nga kjo kushtetutë antishqiptare u ndërtua sistemi politik dhe juridik unitar, monoetnik dhe centralist. I tërë shteti ishte në duart e sllavo-maqedonasve. Shqiptarët kishin zero pushtet. Nëpërkëmbja e shqiptarëve tregon se faktori politik dhe inteligjencia sllavo-maqedonase e viteve ’90 të shekullit të kaluar: 

– ishte thellësisht antishqiptare;

– ishte e dobët dhe me njohuri të kufizuara;

– nuk kishte kulturë politike demokratike dhe evropiane;

– nuk donte të dinte se nuk ishim në vitin 1945 por në vitin 1991;

– nuk mund ta pranonte se ndikimit të Beogradit në Maqedoni i ka ardhur fundi; 

– nuk mund ta pranonte dhe të pajtohej se në Maqedoni dhe në rajon janë të pranishëm Uashingtoni dhe Brukseli dhe jo Moska;

– nuk e mori parasysh faktin se rajoni synon BE-në dhe NATO-n dhe Moskën.

Maqedonia ishte shteti më i nacifikuar në botë. E tillë, vazhdon të jetë edhe sot. 

Faktori politik sllavo-maqedonas duhej ta dinte se pa një marrëveshje historike me shqiptarët, Maqedonia:

– nuk mund të hyjë në strukturat euroatlantike;

– nuk mund të jetë e qëndrueshme.   

*   *   *

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, sidomos Uashingtoni e mbron Maqedoninë nga synimet hegjemoniste të fqinjëve – Beogradit, Athinës dhe Sofjes. Uashingtoni i mban shqiptarët nën kontroll, për aq për sa Shkupi synon NATO-n dhe BE-në dhe qëndron larg Moskës e Beogradit. Sikur Shkupi t’i afrohet Moskës dhe Beogradit, Uashingtoni sakaq do ta vinte në veprim faktorin shqiptar. Politikanë të caktuar sllavo-maqedonas deklaronin se Maqedonia do të ndjekë ndaj fqinjëve të vet politikën e ekuidistancës. 

Në fillim të viteve ’90 faktori politik ndërkombëtar i sugjeronin faktorit politik shqiptar 

të ndjekin politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese, ndërsa kërkesat e shqiptarëve t’i realizojnë në rrugën politike dhe me mjete demokratike. Është koha kur në Kosovë sundonte gjendja e jashtëzakonshme e vendosur nga Beogradi. Shqiptarët ngritën dhe ndërtuan sistemi paralel. 

Faktori politik shqiptar: 

– hyri në kuvend, dhe 

– hyri në qeveri, si në pushtetin vendor ashtu edhe në pushtetin qendror.

Kalonin vite, por çështja shqiptare nuk bënte dot një hap para.

*   *   *

Si VMRO-ja, ashtu edhe LSDM-ja, ndaj çështjes shqiptare kishin të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, Maqedonia është e sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq, nuk janë veçse pakicë, njësoj si vllehtë, romët etj. Cilado kërkesë e shqiptarëve, ndonëse e shprehur në rrugën politike dhe me mjete demokratike, pritej në teh të shpatës. 

Shqiptarëve nuk u mbetej tjetër, përveç se disa veprime t’i ndërmerrnin jashtë institucioneve të sistemit. Ndaj veprimeve të tilla pushtetarët sllavo-maqedonas reagonin me mjete violente. Ndaj shqiptarëve ndiqej politikë diskriminuese dhe restriktive. Ndaj shqiptarëve ushtrohej opresion. Policia një-etnike e shtetit unitar, monoetnik dhe centralist ishte në shërbim të sllavo-maqedonasve.  

Ekspeditat policore dhe ushtarake në trojet etnike historike shqiptare në Maqedoni:

– Dhuna në Bit Pazar – Më 6 dhe 7 nëntor 1992, në lagjen Bit Pazar të Shkupit ndodhën trazira të shqiptarëve. Si pasojë e ndërhyrjes së policisë, pati katër të vrarë dhe katërmbëdhjetë të plagosur. 170 qytetarë të tjerë shqiptarë u keqtrajtuan dhe ndaj tyre u ushtrua dhunë. Policia bastisi shtëpitë dhe shumë shqiptarë u arrestuan. 84 shqiptarë u dënuan për kundërvajtje;

– Dhuna në fshatin Ladorisht të Strugës – Më 15 qershor 1992 rreth 1000 policë sllavo-maqedonas, të pajisur me armatime të rënda u futën në Ladorisht, fshat ky i banuar me pothuajse 100% popullsi shqiptare. Banorët e këtij fshati mblidhnin nënshkrime për një peticion për rihapjen e shkollave shqipe, të mbyllura pas demonstratave të vitit 1991. Mbi banorët e fshatit u ushtrua dhunë. Shumë prej tyre u dënuan me akuzën: “thirrje për rezistencë ndaj pushtetit”. Shumë shqiptarë të Ladorishtit ishin dënuar me dënime drakonike edhe në kohën e pushtetit antishqiptar monist, d.m.th. në kohën e komunizmit apo të socializmit, që nga viti 1945 e këndej. Dhuna mbi ta nuk kishte pushuar as në kohën e demokracisë. Faji i tyre kishte qenë dëshira për liri, drejtësi, barazi dhe demokraci;  

– Afera e armëve – Në vjeshtë të vitit 1993 policia sllavo-maqedonase në aksionin e koduar “Baruti” arrestoi dhjetëra shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre ishin funksionarë të PPD-së. Ata u akuzuan si udhëheqës “të njësive paraushrtarake shqiptare”. Në pranverë të vitit 1994, në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkup, dhjetë të akuzuar u dënuan prej dy deri në 10 vjet heqje lirie;   

– Dhuna policore ndaj Universitetit të Tetovës – Më 17 shkurt 1995, në Universitetin e Tetovës filluan ligjëratat e para. Universiteti i Tetovës, i themeluar më 17 dhjetor 1994, i filloi ligjëratat e para më 17 shkurt 1995. Po atë ditë, në orët e pasdites, në afërsi të ndërtesës së universitetit në Reçicë të Vogël, ndërhynë forca të mëdha policore. Me këtë rast u vra Abdylselam Emini, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Themeluesit e universitetit, në krye me rektorin Fadil Sulejmanin, u arrestuan dhe u dënuan;

– Ngjarjet e përgjakshme në Gostivar – Më 27 janar të vitit 1997 organet komunale të Gostivarit morën vendim për ngritjen e  flamurit kombëtar para ndërtesës së komunës. Ky vendim nxiti reagimin e qeverisë. Më 21 maj 1997 Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë deklaroi se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit” dhe kërkoi heqjen e flamurit shqiptar. Më 8 korrik 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi një ligj me të cilin u lejua përdorimi zyrtar, i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, por vetëm në raste private dhe në ndonjë manifestim kulturor. Në orën 1 e 30 të mëngjesit të datës 9 korrik 1997, forcat speciale të policisë sllavo-maqedonase e hoqën flamurin shqiptar nga ndërtesa e komunës. Pas kësaj nisën protestat e shqiptarëve. Nga dhuna policore sllave u vranë tre shqiptarë, ndërsa mbi njëqind të tjerë u plagosën. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi edhe kryetarin e komunës, Rufi Osmanin si dhe kryesuesin e Këshillit komunal, Refik Dautin.  Në procesin politik të datës 16 shtator 1997 Gjykata themelore e Gostivarit e dënoi Rufi Osmanin me 14 vjet heqje lirie. Në shkallën e dytë dënimi iu zëvendësua me 7 vjet heqje lirie. Me Ligjin e amnistisë të vitit 1999, pas afro dy vjet qëndrimi nën arrest, R. Osmani u lirua. 

Flamurin e kishte varur në ndërtesën e komunës së Tetovës edhe kryetari i komunës, Alajdin Demiri. Edhe ky u arrestua dhe u dënua bashkë me kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexhetin;

– Nata e kristaltë në qytetin e alfabetit, Manastir – Në natën e 28 prillit 2001 një pogromnacht ndodhi edhe në qytetin e Manastirit. Si pretekst i sulmeve kundër shqiptarëve të pambrojtur shërbeu vrasja e tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Maqedonisë, që ndodhi më 28 prill të vitit 2001 në fshatin Vejcë të Sharrit të Tetovës. Katër prej tyre ishin nga Manastiri. Gjatë këtyre sulmeve të kryera nga turmat sllavo-maqedonase, u sulmuan shtëpitë, banesat, tregtizat dhe lokalet afariste të shqiptarëve të qytetit të alfabetit. Pogrome ndaj shqiptarëve u kryen edhe në Shkup dhe në Veles. Lidhur me ngjarjet e sipërthëna reagoi edhe Human Rights Watch: “Policia  nuk bëri përpjekje për të ndaluar turmat që shkaktonin trazira në qytetin e Manastirit të premten mbrëma. Madje pati policë që morën pjesë aktive në aktet e dhunës. Turmat dogjën dhjetëra shtëpi dhe dyqane të shqiptarëve”.

Lidhur me këtë masakër reagoi nga Brukseli edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana. Për qetësimin e situatës bëri thirrje edhe presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush, i cili kërkoi nga kreu shtetëror i Maqedonisë që dhuna mbi shqiptarët e pambrojtur të ndërpritet menjëherë;  

– Rasti Monstra – Më 12 prill 2012 ndodhi një vrasje në Smilkovë të Shkupit. Mbetën të vrarë pesë qytetarë sllavo-maqedonas. Katër prej tyre ishin të rinj, ndërsa njëri ishte një peshkatar në moshë. Për vrasjet e sipërthëna, pesë shqiptarë u dënuan me dënime të përjetshme. Asnjëri prej të dënuarve nuk e ka pranuar veprën;

– Pogromi mbi shqiptarët e Shkupit – Më 26 maj 2014, në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit turma sllavo-maqedonasish thyen dhe demoluan tregtizat, restorantet dhe lokalet afariste të shqiptarëve. Një restoranti iu vu edhe zjarri. Pretekst i këtyre veprimeve barbare ishte vrasja e një të riu sllavo-maqedonas nga një i ri shqiptar. Turmat kishin tentuar të hyjnë në fshatin Saraj, të banuar kryesisht nga shqiptarë, por organet e rendit i kishin parandaluar. Organet e rendit nuk kishin reaguar në kohë për ta parandaluar demolimin dyqaneve dhe të restoranteve të shqiptarëve.

Zbardhja e rrethanave në të cilat kishte ndodhur ngjarja tragjike është detyrë dhe kompetencë e organeve të hetuesisë dhe të gjyqësisë. Lidhur me rastin e lartpërmendur, turmat sllavo-maqedonase e morën drejtësinë në duart e veta, dolën në rrugë, i thyen dhe i shkatërruan lokalet afariste të shqiptarëve. Gjatë sulmeve kundër shqiptarëve dhe pasurive të paluajtshme të tyre, turmat sllavo-maqedonase përdorin edhe gjuhën e urrejtjes, kërkojnë vdekje për shqiptarët; 

– Rasti i Kumanovës – Më 9 dhe 10 maj 2015 ndodhi gjakderdhja në Lagjen e Trimave. Mbetën të vrarë dhjetë shqiptarë të armatosur dhe tetë policë të shtetit. Sipas të dhënave të caktuara, kanë mbetur të plagosur një numër pjesëtarësh të forcave të sigurisë të shtetit. Ndaj shqiptarëve pasuan dënimet drakonike: 7 vetë – me dënim të përjetshëm; 13 vetë – me nga 40 vjet heqje lirie; 6 vetë – me nga 20 vjet heqje lirie; 1 person – me 18 vjet heqje lirie; 2 vetë – me nga 14 vjet heqje lirie 2 vetë – me nga 13 vjet heqje lirie; 2 vetë me nga 12 vjet heqje lirie; 4 vetë u liruan, d.m.th. nuk u dënuan. Shqiptarët u dënuan me 746 vjet burg. 

Më 15 tetor 2015 policia arrestoi edhe shtatë të tjerë, të dyshuar si pjesë e logjistikës të grupit të Lagjes së Trimave. Më 28 tetor 2015 policia kryen bastisje në Kumanovë, në fshatin Hotle të Likovës dhe në Haraçinë. Operacioni u krye për t’i zënë të dyshuarit për të cilët prokuroria sllavo-maqedonase thotë se kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e 9 dhe 10n majit të vitit 2015, në Lagjen e Trimave të Kumanovës. 

Dënime të këtilla nuk ka pasur as në mesjetë.

*   *   *

Nga pogromet e sllavo-maqedonasve kundër shqiptarëve që ndërmerreshin kohë pas kohe, mund të konstatohej:

– hendeku i thellë që ekziston midis dy bashkësie etnike – shqiptarëve, në një anë, dhe sllavo-maqedonasve, në anën tjetër;

– mungesa e tolerancës ndëretnike;

– mungesa e gatishmërisë për bashkëjetesë midis dy popujve;

– ngarkesa e të rinjve sllavo-maqedonas me paragjykime dhe stereotipe ndaj shqiptarëve;

Me një fjalë, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni ishin të ndera dhe të tensionuara. Nuk ishte vështirë të konkludohet se në këto raste organet e rendit gjithmonë kanë reaguar me vonesë, d.m.th. pasi të jenë shkatërruar pronat e shqiptarëve. Mosndërhyrja në kohë e organeve kompetente të rendit për t’i parandaluar turmat sllavo-maqedonase, nxjerr në sipërfaqe dilema të ndryshme:

– sulmet e kohëpaskohshme ndaj shqiptarëve, janë spontane apo janë të orkestruara nga qendra të caktuara ultranacionaliste antishqiptare?!;

– në ç’frymë vallë edukohen dhe formohen të rinjtë sllavo-maqedonas në arsimin fillor, të mesme dhe në atë universitar?!

Ky vend dyetnik nuk do të mund të shndërrohet në shtet të qëndrueshëm dhe demokratik, po qe se të rinjtë sllavo-maqedonase do të ushqehen me gjuhën e urrejtjes, të mostolerancës dhe me paragjykime e stereotipe ndaj shqiptarëve. Shkollat nuk janë institucione për shpëlarjen e trurit të fëmijëve, të nxënësve apo të studentëve. Ky shtet dyetnik kurrë nuk do të stabilizohet përderisa pala sllavo-maqedonase, rininë e vet e ushqen me ksenofobi.

Sulmet ndaj shqiptarëve ishin në kundërshti edhe me synimet e Uashingtonit dhe të Brukselit për një Maqedoni demokratike, multietnike dhe multikulturore.

*   *   *

Në rrethana të mësipërme shpërtheu lufta e 2001-shit. Kjo luftë duhej t’i jepte fund Maqedonisë unitare, monoetnike dhe centraliste. T’i jepte fund këtij shteti të nacifikuar. T’i jepte fund politikës diskriminuese dhe restriktive që ndiqte ndaj shqiptarëve faktori politik sllavo-maqedonas, me në krye antishqiptarin Kiro Gligorov. Të gjithë ata që erdhën pas tij fare nuk ishin më të mirë se ai.   

Lufta e 2001-shit rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit. Ky është një dokument me vlerë ndërkombëtare. është zgjidhur ose çështja shqiptare me të, këtë do ta tregojë historia. Edhe pas kësaj marrëveshjeje:

– shqiptarët figurojnë si numër apo si përqindje dhe jo me emrin etnik të tyre;

– flamuri i shtetit është simbol i sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq fare s’kanë të bëjnë me të;

– flamurin e këtij shteti nuk e respekton asnjë shqiptar, përpos funksionarëve të cilët i detyron ligji;

– himni i këtij shteti është himn i sllavo-maqedonasve, ndërsa shqiptarët fare s’kanë të bëjnë me të; 

– asnjë shqiptar nuk e respekton himnin e këtij vendi, përpos funksionarëve nëpër ceremonitë apo protokollet zyrtare;

– ekonomia, banka dhe financat e Maqedonisë së Veriut 100 për qind janë në duart e sllavo-maqedonasve;

– industria e këtij vendi  99 për qind është në duart e sllavo-maqedonasve.

Duhet shtuar se në tri dekadat e kaluara të gjitha investimet kapitale janë realizuar në Maqedoninë lindore. 

Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve mbi shqiptarët ka sunduar një popull me identitet të diskutueshëm, me identitet të mohuar si nga Greqia ashtu edhe nga Bullgaria. Kisha serbe ndërkaq, nuk e njeh atë sllavo-maqedonase.

Asnjë marrëveshje nuk është e përhershme. Varësisht nga rrethanat historike globale, ato mund të ndryshojnë dhe të plotësohen. Faktori politik sllavo-maqedonas duhet ta vlerësojë politikën paqeruajtëse dhe stabilizuese të shqiptarëve.  

*   *   *

Vitet e fundit bie në sy sikur filozofia politike e LSDM-së ka pësuar njëfarë ndryshimi. Kjo parti dëshiron të promovojë idenë e një shteti qytetar. 

VMRO-ja ndërkaq vazhdon të jetë parti nacionaliste dhe antishqiptare, retrograde dhe anakronike. Ajo akoma ndodhet në shekullin XIX. Ajo duhet ta shohë se e ka shkelur koha. Duhet ta dijë se pa shqiptarë s’ka Maqedoni. pa shqiptarët, Maqedonia mund të zhbëhet si flluskë sapuni. Një Maqedoni pa shqiptarët shpie në një shtet me sistem paralel. Megjithëkëtë, koha e konflikteve apo e sistemeve paralele në rajon ka përfunduar. Ndryshe mendojnë vetëm Vuçiqi dhe Kisha Ortodokse fashiste Serbe.

Koncepti i shtetit qytetar nuk është në dobi të shqiptarëve. Në dobi të shqiptarëve është koncepti i shtetit dyetnik. Shqiptarët nuk kanë kërkuar ndarje territoriale por barazi. Këta s’të japin as territor, e as barazi. Këta të duan të nënshtruar. Këta duhet ta dinë se koha e nënshtrimit të shqiptarëve ka përfunduar. 

LSDM-ja dhe lideri i saj Zoran Zajev me Marrëveshjen e Prespës bëri një akt madhor. Kjo i mundësoi këtij vendi të bëhet anëtare e NATO-s. Ky është interes jetik i shqiptarëve. S’ka dyshim se Zajevi do të arrijë zgjidhje kompromisi edhe me Bullgarinë. As ky kontest nuk zgjidhet pa Uashingtonin. Asgjë në Ballkan nuk zgjidhet pa Amerikën. 

Marrëdhëniet e mira ndëretnike nënkuptojnë barazi të plotë midis dy popujve.

*   *   *

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit në Maqedoni kemi:

– korrupsioni në nivelet më të larta të shtetit;

– nepotizëm;

– administratë të politizuar dhe të partizuar;

– sistem gjyqësor kryekëput të korruptuar;

– diletantizëm aty ku kërkohet profesionalizëm;

– pasurim brenda nate të politikanëve;

– privilegje dhe favore të establishmentit;

– arsim të cilësisë së ulët në të gjitha nivelet; 

– sistem shëndetësor primitiv;

– stërzgjatje të tranzicionit; 

– dallime sociale të frikshme;   

– mitë dhe ryshfet në gjyqësi, në dogana, në spitale, në universitete, në administratat komunale, te ofiqari, në organet e urbanizmit, në shkollat e patentave të shoferit…

– lypës në udhëkryqet dhe në trotuaret e qytetit.

Kështu s’hyhet dot në BE. Mbi 50 për qind e punonjësve të zyrave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, marrin rroga kot. Ata janë tepricë që s’i duhen kujt. Ata s’punojnë gjë, s’kanë se ç’punojnë. Janë të pasistematizuar ose të sistematizuar rrejshëm. S’ka shtet në Evropë ku njeriu rri në shtëpi dhe merr rrogë.    

*   *   *

Dhuna shtetërore ndaj shqiptarëve është ushtruar në kohën kur në qeveri kanë qenë partitë politike shqiptare, PPD-ja dhe PDSh-ja. Dhuna shtetërore mbi shqiptarët ka vazhduar edhe kur në qeveri ka qenë BDI-ja. Në institucionet e sistemit, në organin ligjvënës apo në atë ekzekutiv kanë qenë pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare: PPD, PDP, PDSh, BDI, Besa, ASh, Alternativa. Me një fjalë, çdo parti shqiptare, që nga viti 1991 deri më sot ka synuar të hyjë në kuvend por edhe në qeveri. Partitë politike shqiptare – PPD-ja, PDSh-ja dhe BDI-ja kanë bashkëqeverisur, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO-në.

Gjatë dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve gjatë gjithë periudhës së pluralizmit, asnjë parti shqiptare nuk e la, as kuvendin as qeverinë. Nuk shkaktoi kurrfarë krize politike. Gjatë periudhës së lartpërmendur, si akt moral, nuk dha dorëheqje asnjë deputet apo ministër shqiptar. Nga kjo rezulton se në botën shqiptare mbizotëron një karrierizëm i verbët. Kjo tregon se shqiptarët janë të etshëm për pozita, për pushtet dhe për favore e privilegje.

Brenda tri dekadave të kaluara kauza shqiptare është përplasur nga skila në haribdë, kërkesat e shqiptarëve ndërkaq janë matur në shtratin e Prokrustit. 

Çdo popull ka qeveri siç është dhe vetë. Është ky popull që i voton këto parti politike. I varfëruar dhe me arsimim cilësie të ulët, ky popull nuk ka vetëdije, kulturë dhe potencial politik të mjaftueshëm. I varfëruar, ai nuk është veçse popull social. Ideal i tij është ekzistenca dhe mbijetesa. Për të është i mirë secila parti që i mundëson një vend pune, qoftë edhe me një pagë prej 200 apo 300 eurove të mjera.   

Të etshëm për pushtet  – pa pushtet – me partitë politike shqiptare nuk është vështirë të manipulosh dhe t’i përçash. Faktori politik shqiptar, i fragmentarizuar dhe në konflikt me vetveten nuk mund të ishte në krye të përgjegjësisë historike. Një faktor i këtillë, i dobët nuk mund ta zgjidhte kauzën kombëtare. Një faktor politik i përçarë dhe i copëzuar lehtë mund të bëhet vegël dhe instrument i faktorit politik sllavo-maqedonas apo edhe i shërbimit të shtetit.

Nuk është e rastit që shqiptarët të drejtat kombëtare nuk ia dalin t’i realizojnë në kohë. Kërkesat e tyre zgjasin pa fund. Duke pritur Godonë tri dekada, të rinjtë shqiptarë i morën rrugët pa kthim të Perëndimit.  

Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente Tagged With: Shqiptaret e Maqedonise, Xhelal Zejneli

KULTURA MASIVE, KULTURË DHE JO REALITY

September 7, 2021 by s p

Xhelal Zejneli

Kultura masive apo kultura e masës ndodhet kudo përreth nesh. Në shtëpi, në rrugë, në shkollë, nëpër qendrat tregtare, në salla të kinemave …Njerëzit janë të rrethuar me të, pa e kuptuar se ajo plotësisht e ka në dorë jetën e tyre. I konsumojnë prodhimet e saj, pa e ditur se kësisoj bëhen masë pa formë të cilën e udhëheqin nga ndonjë fron të panjohur për ta. Nuk e kuptojnë se ç’ndodh në të vërtetë, edhe pse ajo ua jep formën dhe bëhet shprehi pa të cilën ata nuk mund të jetojmë. E blejnë, vishen, pinë, gjykojnë dhe ecin në drejtimin që e dëshiron ajo, marrin vendime për të cilat mendojnë se janë të tyre, por në të vërtetë janë të huaja. Jetojnë sipas rregullave dhe shijeve të saj pa qenë të vetëdijshëm se e kanë zgjedhur rrugën që e devijon fatin e vërtetë të tyre, individualitetin, krijimtarinë dhe kreativitetin e tyre. Në vend që njerëzit ta dirigjojnë kulturën masive apo kulturën e masës, ata kanë lejuar që ajo t’i dirigjojë.              

Për ta kuptuar kulturën masive duhet ditur se ç’është ajo që e ka determinuar lindjen  dhe ngritjen e saj. Si mund të përkufizohet apo të definohet kultura masive?

  Kultura masive është bërë domosdoshmëri e botës bashkëkohore, sidomos e një pjese të madhe në të cilën mbizotëron koncepti materialist i marrëdhënieve shoqërore. Pa të, nuk mund të paramendohen strategjitë e rritjes dhe të zhvillimit, për arsye se pjesa më e madhe e njerëzimit mbështetet në prodhimin industrial dhe varet pre tij. Tregu botëror është synimi i çdo shoqërie dhe shumë kultura kombëtare shansin e vet e shohin në integrim, pa i bërë ballë globalizmit të shfrenuar, i cili ngadalë dhe në mënyrë tejet të sigurt i rrafshon vlerat kulturologjike autentike për t’u dhënë  tipare të masivizuara me karakter uniform të përhershëm.    

  Kultura masive përkufizohet shkurtimisht si një mori shfaqjesh, përkatësisht krijimesh materiale dhe jomateriale të punës njerëzore me të cilat plotësohen apo kënaqen nevojat e thjeshtësuara të njerëzve. Duke marrë parasysh faktin se ajo që quhet kulturë e lartë, e rafinuar apo fine është e dedikuar për një numër më të vogël njerëzish, përpjesëtimisht me aftësitë e tyre për perceptim përkatës, të kushtëzuar nga dituria dhe nga sensibiliteti specifik, mbetet që në kulturën masive të gjejnë strehim një numër i madh i njerëzve, d.m.th. masat të cilat nuk janë në gjendje për të konsumuar apo për të kuptuar forma artistike të ndërlikuara dhe të cilët fare nuk i tërheq përmbajtja artistike që kërkon angazhim mendor të veçantë. 

Duhet ditur se çfarë force përvetësuese apo pushtuese ka kultura masive dhe çfarë ndikimi ka ajo te njeriu bashkëkohor? Lloji i lidhjeve dhe i marrëdhënieve që është karakteristike për shoqërinë masive dhe për kulturën masive buron nga organizimi industrial dhe tregtar, institucioni themelor i të cilës është tregu kapitalist. Kjo është më e theksuar në kushtet e qyteteve të mëdha. Qyteti rrezaton me ndikime ekonomike, organizative, institucionale dhe intelektuale. Të gjitha marrëdhëniet në të, mbështeten në mekanizmin e parasë e cila në shoqëri bëhet mjet ndikimi i përgjithshëm dhe i fuqishëm. Në kushte të tilla as kultura nuk mund të qëndrojë larg tregut të parasë dhe nocionit të forcës. Pikërisht këtu qëndron edhe forca pushtuese e kulturës masive e cila bëhet edhe epiqendër e ndikimit mbi njeriun bashkëkohor i cili në radhë të parë kërkon jetë komode, argëtim të lehtë, forma dhe përmbajtje të thjeshta, të zakonshme apo të rëndomta. Të gjitha këto që do t’i konsumojë t’i kushtojnë pak.

Duhet ditur se kush janë kreatorë dhe konsumues të kulturës masive dhe kush janë idhujt e tyre.                 

Kulturën masive e krijojnë dhe e nxisin kompanitë shumëkombëshe të cilat tregun botëror synojnë të rrëmbejnë pozicion sa më të mirë dhe për këtë më së shumti u ndihmojnë mediumet masive. Duka marrë parasysh faktin se komercializmi është karakteristika kryesore, atëherë është më se e qartë se kjo kulturë e masivizuar mund të sigurohet po qe se i shpërndahet një popullate sa më të madhe. Një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur po qe se kërkesat për konsumim ngrihen në nivel më të lartë. Rrjedhimisht, kërkohet një mesatare, edhe për nga dituria edhe për nga arsimimi edhe për nga mundësitë e pagesës. 

Kultura masive krijon dhe plason në një treg sa më të madh produkte që kushtojnë pak pa kërkuar me këtë rast nga konsumuesit diç më tepër se prozaizmi dhe të qenët të sipërfaqshëm. Siç shihet pra, grup targetimi janë njerëzit të cilët me gjithë dëshirë do të konsumojnë coca-colë përkundër faktit se kjo pije mund të mos jetë e dobishme ose do të kënaqen në programet reality përkundër faktit se kemi të bëjmë me një paradë imoraliteti dhe kiçi. Në mesin e konsumuesve të produkteve të kulturës masive, ndonjëherë mund të gjendet edhe ndonjë intelektual që e ka humbur rrugën e që nuk ka mundur t’i frenojë pasionet e ulëta. Rastet e tilla nuk janë të shpeshta, sikundër janë të rralla rastet e konsumimit të përmbajtjeve elitare nga shtresat e ulëta të klasës punëtore.

Programe reality realizohen në shumë vende të botës. Reality programi Për’puthja ka bashkuar dhe ka gozhduar para ekranit shqiptarë anekënd botës, duke thyer çdo rekord të audiencës televizive. Ky reality show ka marrë në Youtube 600 milionë klikime.   

Sa i përket marketimit të idhujve që i prodhon apo që i krijon kultura masive, s’ka dyshim se ata janë persona të cilët janë në gjendje të tërheqin me ndonjë shkathtësi joproduktive, të profiluar në mënyrë argëtuese – këngëtarët e notave të lehta, artistët pa ndonjë identitet artistik të estetizuar, starletat, futbollistët, basketbollistët dhe vrapues të tjerë terrenesh, boksierët, madje edhe lojtarët e pokerit etj. Shkencëtarët, doktorët e shkencave dhe artistët e shquar, cilësia dhe vlera personale e të cilëve matet me kontributin për bashkësinë, s’do mend se nuk ndodhen në atë rreth idhujsh. 

Duhet ditur se me çfarë mjetesh dhe në ç’mënyrë kultura masive arrin te masat e gjera popullore. Njëherazi shtrohet pyetja përse ajo është aq tërheqëse dhe lehtë e kapshme? Tipi modern i urbanizimit bashkë me industrializimin që e determinon rritjen numerike të shoqërisë përbën parakushtin themelor të lindjes dhe të ekspansionit të kulturës masive. Përpos kësaj, rol të drejtpërdrejtë luan edhe progresi. Mjetet teknike të komplikuara nuk i nevojiten vetëm radiotelevizionit por edhe prodhimit dhe shpërndarjes masive të librave dhe të revistave. Fjala e shkruar është masivizuar vetëm pasi në procesin e shtypjes është vënë në përdorim makineria.

Vënia në përdorim e shtypit mekanik, me përkryerjen e vazhdueshme të teknikës ka mundësuar që kultura masive simbolike të zhvillohet, në fillim si kulturë e fjalës së shtypur. Mirëpo, këto ndryshime teknike të shpejta si dhe ndryshimet e tjera janë shoqëruar edhe nga procesi i përshpejtuar i urbanizimit elementar pa plan, që ka rezultuar me dyndjen në qytete dhe me rritjen e tyre. 

Ajo që është e rëndësishme për lindjen e kulturës masive janë pikërisht këto kushte të reja të jetesës, të shtresave mbizotëruese të popullsisë së qytetit të cilat nuk janë përputhur me zhvillimin spontan të krijimtarisë së re kulturore, me format e vjetra. Industrializimi përgjithmonë e asgjësoi kulturën popullore duke ia hapur rrugën një tipi të ri të kulturës. Prodhimi mekanik ofroi modelin e prodhimit të specializuar, masiv, të standardizuar të cilin mjetet e fuqishme të komunikimit shpejt e kanë shpërndarë në një hapësirë të madhe. Përveç kësaj, ritmi i shpejtë i punës së mekanizuar rezultoi edhe me rregullimin e ritmit dhe të cilësisë së jetesës të një mase të madhe të popullsisë punëtore. 

Duhet ditur se kultura masive ka efekte negative por edhe efekte pozitive. Negative është ajo se nuk kërkon mund ideor dhe gjykim kritik. Rëndom shpie në kiç dhe në shund, Në këtë mënyrë krijohen raporte kiçi dhe formohet njeriu-kiç. Profili i këtillë mund të jetë i dëmshëm për kultivimin e  nevojave dhe për ngritjen morale, shpirtërore dhe intelektuale të njeriut dhe të shoqërisë. Sa më i madh të jetë përqendrimi i kiçit dhe i shundit, aq më të pakta janë vlerat e mirëfillta, aq më e vogël është pasuria e shpirtit. Qëllimet humaniste ndërkaq janë gjithnjë më larg realizimit njerëzor fundamental dhe gjithnjë më afër zgjidhjeve institucionale sterile apo shterpe. Negativ është fakti se produkte të caktuara e shuajnë etjen për krijime origjinale dhe për kulturë të lartë, elitare. Po qe se shikoni një film të xhiruar sipas një vepre me vlerë artistike të madhe, për t’u njohur me origjinalin ju nuk do ta merrni në duar librin që paraqet një arritje letrare të etabluar dhe që jeton ndër shekuj. Negativ është edhe fakti se kultura masive, për t’ia bërë veprën origjinale të kapshme për masat, e shkurton, e ripunon dhe e homogjenizon përmbajtjen e saj, duke e përpunuar edhe mekanikisht. Në këtë mënyrë e zhvlerëson shpeshherë edhe vlerën e pakapërcyeshme të veprës. Për shembull, posteri i Mona Lizës me një çmim pre disa eurosh, Kryqi prej zirkoni në fanellë, fotografia e Koloseumit në magnetin për frigorifer, ikona e tatuazhuar në shpinë etj. janë dëshmi e degradimit të vlerave nën petkun e përdorimit masiv dhe me strategjinë e politikës përfituese. 

  Ndërsa pozitiv është fakti shumë produkte kushtojnë lirë dhe si të tilla mund të blihen nga shumica. Po ashtu, përkundër banalizimit të kulturës elitare, ndodh që përmbajtja e ripunuar e ndonjë vepre letrare, lexuesin që i takon masës ta çojë kah origjinali dhe t’i kultivojë nevojat e tij.    

Për përhapjen e kulturës masive më të merituara janë mediumet masive. Në këtë pikëpamje ato kanë luajtur rol të madh. Pikë së pari këtu bëjnë pjesë gazetat ditore të cilat paraqiten në fillim të shekullit XX dhe janë i pari medium masiv. Pas tyre shfaqen edhe radiot dhe televizionet. Paraqitjen apo shfaqjen e mediumeve të shtypura e shoqëron nevoja për shkollimin e përgjithshëm të popullsisë që është kusht për zhvillimin e mëtejmë të shtypit ditor.

Zhvillimi i mediumeve ndërlidhet edhe me zhvillimin e demokracisë ndërmjetësuese, me zhvillimin e qytetit, me sinkronizimin e veprimtarive të ditëpërditshme, me format e jetesës moderne dhe me komercializimin e zbavitjes. Mjetet e komunikimit janë zhvilluar në përputhje me nevojat e shoqërisë, të kanalizuara sipas vullnetit të elitës politike dhe ekonomike. Është më se e saktë se në zhvillimin e kulturës masive, në pjesën që ka të bëjë me administrimin dhe me zhvillimin e mediumeve si dhe me krijimin e porosive apo të mesazheve të tyre, luan rol subjekti shoqëror apo elita e shoqërisë. Për t’i zhvilluar me sukses mediumet si mjete të komunikimit masiv, ka qenë e domosdoshme të zbatohet procesi i standardizimit të porosisë: Ato i dërgoheshin individit bashkëkohor me njohuri mesatare dhe duhej të ishin të qarta, efektive dhe të thjeshtësuara. Gazetat ditore si medium masiv i parë raportonin për ngjarjet aktuale nga lëmi i politikës dhe i ekonomisë. Përmbanin kronika si dhe porosi apo mesazhe argëtuese dhe reklamimi. Mediumet ndodheshin në burimin e forcës apo të pushtetit manipulues. Ato krijonin informata, modele, mënyra të sjelljes dhe stil jetese. Ato u bënë promotorë të kultit të konsumit, të bukurisë, të dashurisë, të rinisë të cilat në mënyrë paradoksale korrespondojnë me zhvillimin e farmacisë, të kozmetikës, të industrisë moderne, të preparateve për rritjen e libidos apo të instinktit seksual, deri te roboti që buzëqesh.

Kultet e sipërthëna të kulturës masive vërehen në karakteristikat e saj që i vëren filozofi, kulturologu dhe sociologu francez i teorisë së informacionit Edgar Moren (Edgar Morin, 1921-) i cili kulturën masive e sheh si revoltë nda kulturës religjioze, metafizike. Morenoja kulturën masive e sheh si rezistencë ndaj përjetimit religjioz të botës. Në aspektin kohor, ajo karakterizohet me orientimin kah e tashmja, aktualja. Produktet e kulturës masive nuk kanë as të kaluar as të ardhme. Në themel të një karakteristike të tillë Morenoja vëren qëndrim antireligjioz. Njeriu modern aksionet e veta i projekton në të tashmen dhe nuk e shikon të kaluarën, të ardhmen, as botën e amshueshme apo botën tjetër. Ai i do të gjitha, këtu dhe tash. 

Duhet thënë se kultura masive i jep formë realitetit tonë. Ajo arrin te masat e gjera popullore duke e krijuar mënyrën e jetesës, duke i formuluar apo duke i përvijuar synimet, ëndrrat, mënyrat e sjelljes, mendimet, ndjenjat dhe veprimet e njeriut bashkëkohor. Dhe në këtë aspekt mund të thuhet se është e suksesshme. Ajo i krijon modelet kulturore të shoqërisë bashkëkohore, me ç’rast vijnë në shprehje snobizmi dhe provincializmi si frustracione statusore të shtresave të varfra, të ardhacakëve nga fshati në qytet, por edhe të atyre të cilët duan ta shohin veten në shtresat e larta të shoqërisë, duke u shfaqur – në mënyrë komike – të tillë siç nuk janë.

Në anën tjetër shfaqen përmbajtje që janë reflektim i jetës së masave, kultura popullore e popullsisë së qytetit dhe në kuadër të saj, subkultura e të rinjve. Duke mos pasur mundësi t’i plotësojnë nevojat e veta në periudhën e adoleshencës, ata nëpërmjet nënkulturës e shprehin në mënyrë simbolike identitetin, përkatësinë, subjektivitetin historik dhe rezistencën ndaj konvencioneve, qëndrimeve politike dhe idealeve etike dhe estetike.

Por produksioni masiv, edhe këto rezistenca simbolike i standardizon në korniza të pranueshme dhe ua shet masave. Heronj të kulturës masive bëhen panteonët bashkëkohorë, hyjnitë e kësaj bote, intimitetin e të cilëve mund ta vëzhgojmë pa u djegur. Me këtë janë ngarkuar tabloidet dhe gjahtarët paparaco, ndërsa konsumatorë janë vuajerët.                                         

Në vende të caktuara të rajonit dhe më gjerë, krijohet një lloj muzike që i ndez masat. Madje kjo nuk është çfarëdo ndezjeje. Është ndezje apo djegie me mbushje të shpejtë apo injektim karburanti në vëllimin me temperaturë dhe trysni të lartë. Përmbajtjet e këtij lloji të muzikës janë reduktuar në sferat instinktive të njeriut, ngase kur njerëzit i ulni në nivel biologjik, ju i keni eliminuar dallimet sociale, fetare, arsimore dhe etnike. Kësisoj keni mundësi që ta rritni publikun, përkatësisht tregun për shitjen e muzikës me përmbajtje të ulët. 

Niveli instinktiv është nivel i pasionit. Në rrafshin e grupit, ky është nivel i hordhisë apo i lukunisë. Njeriu lëshohet në instinkte, ndërsa bashkësia në gjak dhe tokë. Morali lëshohet në masën e lukunisë të cilës i njerëzit përkasin, duke u nisur nga ajo: “Çdo gjë që është e jonë, është e mirë, çdo gjë që është e huaj, është e keqe”. Pikërisht morali i tillë që matet me përkatësinë dhe jo me vërtetësinë dhe drejtësinë, ndikon që vrasësit t’i mbyllin sytë para krimeve që nuk janë parë në këtë pjesë të rajonit që nga Lufta e Dytë Botërore.  

Në këngët e tilla ndizet laiku, skeptiku, skolastiku. Tashmë seksualiteti nuk është spontan. Sikur puthja në film, në jetën reale ai riprodhohet nga format që i ofron kultura masive, e cila ka ndërtuar ideale estetike që janë në gjendje të shkaktojnë sëmundje siç është anoreksia, në të cilën femra është reduktuar në objekt seksual. Është paradoksale sesi në një botë lirish të mëdha seksuale shiten preparate impotence. Ky tregon më së miri sesa kultura masive i kontrollon nevojat e njerëzve, i ka imponuar standardet e bukurisë, të argëtimit dhe të kënaqjes – pothuajse të gjitha të komercializuara.           

Heronjtë e kulturës masive dhe të këtij lloji të muzikës vijnë nga masa. Ajo që i dallon është rruga për në statuset shoqërore të larta, rruga drejt shoqërisë së lartë. Midis tyre ndodhen çfarëdo yjesh moderne të botës së muzikës, të filmit, të sportit, por edhe të politikës, të nëntokës dhe të kontrakulturës. Krejt këtë, kultura masive  e përpunon, e shpëlanë dhe e shet. Duke filluar nga prezantuesja amerikane e talk show Opra Vinfri (Oprah Gail Winfrey, 1954-) e cila është shembull që tregon se shoqëritë perëndimore janë të hapura, afroamerikane e cila me aftësitë e veta ka arritur status shoqëror të lartë, futbollisti argjentinas Karlos Tevez (Carlos Alberto Tevez, 1984-), futbollisti portugez Kristiano Ronaldo (Cristiano Ronaldo, 1985-) deri te revolucionari marksist argjentinas Ernesto Çe Gevara (Ernesto “Che” Guevara, 1928-1967) apo gangsteri dhe biznesmeni amerikan Al Kapone (Alphonse Gabriel Capone, 1899-1947).     Kultura masive është e aftë t’i komercializojë edhe kryengritësit, duke shembur në këtë mënyrë çfarëdo rezistence. Lëvizja e hipive (hippie) ishte një rrymë e kundërkulturës. U shfaq në ShBA në vitet 1960 e këndej. Refuzoi vlerat tradicionale, stilin e jetesës të brezit të prindërve të tyre dhe shoqërinë e konsumit. Zhvilloi një luftë simbolike ndaj kulturës ekzistuese të shoqërisë globale të ShBA-së. Por në fund, në aranzhmanet e agjencive të modës dhe të hepeningut si dhe të produksioneve muzikore, u shndërrua në hipi stajling, hipi hepening, hipi kompilacion.  

Në epokën e hipive jetoi edhe këngëtarja amerikane Xhenis Xhoplin (Janis Lyn Joplin, 1943-1970). Në fund të viteve ’50 të shekullit XX jeta e saj u identifikua me “beat generation” dhe me epokën e hipive. Ishte figurë përcaktuese e kundërkulturës së viteve ’60 të qindvjeçarit të kaluar. E quajtën zëri i Lëvizjes për të drejtat qytetare. Vdiq nga doza e tepërt e heroinës dhe nga alkooli. Kësaj periudhe i takon edhe këngëtari amerikan Xhim Morison (Jim Dauglas Morrison, 1943-1971). Ishte këngëtari kryesor i grupit rok The Doors. Vdiq në Paris nga doza e tepër e heroinës dhe nga alkooli. E gjetën të vdekur në vaskë, më 7 korrik 1971. U varros në varrezat Père Lachaise Cemetery, në Paris. Varri i tij është një prej katër atraksioneve të Parisit. Tre të tjerë janë Kulla e Ajfelit, Notre Dame dhe Harku i Triumfit. Dikur, në përvjetorin e vdekjes së Morisonit, varrin e tij në Paris e vizitonin të rinj nga Amerika. Me atë rast ata bënin akte vandale – thyenin pllakën e varrit të ndonjë shkrimtari të madh francez. Organeve të rendit u thoshin: “Mbreti dhe Zoti ynë është Morisoni. Për Balzakun dhe Bodlerin, aq na bëhet. S’duam të dimë fare”.    

*   *   *

Në ç’mënyrë ky lloj i muzikës i imponohet një shoqërie? Po qe se në viset rurale ruhen strukturat joformale të fshatit, atëherë ato kanë mundësi t’ia imponojnë qytetit lojën e vet provinciale dhe snobiste. Një shteti monist, por të hapur, kultura masive perëndimore ia imponon format kulturore të konsumit, të argëtimit dhe shijen mesatare për krijimtari, ndërsa me prodhimin e vet akoma më shumë e delegjitimon pushtein dhe ideologjinë që imponohet si alternativë e kapitalizmit të zhvilluar. Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatorët e kanë arsyetuar izolimin e vendeve të tyre, duke thënë se mbrohemi nga ndikimet e huaja. Pas shembjes së sistemeve moniste në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, vendet e izoluara rezultuan me institucione shoqërore të rrënuara, me prioritete të çrregulluara, me sistem të rrënuar vlerash, me norma të nëpërkëmbura. Në disa prej këtyre vendeve shpërtheu lufta, konflikti, pati të vrarë, ikanakë dhe të përndjekur. Sakaq dolën në shesh qaforet prej ari, automjetet sportive, shampanja, pishinat, rekuizitat e notit, simbolet e statusit dhe të forcës. Dikush me probleme personale i pret venat, tjetri dehet, thyen gota, mallkon të ëmën. Këngë për plagët kombëtare. Ata është paraja, janë masat popullore, është politika por edhe shoqëria e reagimit politik.         

Konsumuesit e krijimeve apo e produksioneve që i takojnë kulturës masive nuk tregojnë interesim për vlerat artistike të mirëfillta. Shumë të rinj sot, fare pak dinë për klasikët e letërsisë, të artit, të filozofisë, të psikanalizës. Fare pak lexohen Homeri, Eskili, Dante, Servantesi, Barleti, Shekspiri, Molieri, Volteri, Hegeli, Kanti, Niçe, Gëte, Bajroni, Balzaku, Bodëleri, Pushkini, Dostojevski, Xhojsi, Kafka, Prusti, Frojdi, Jungu, Fromi, Oruelli, Heminguei, Hajdegeri, Sartri, Kamy, Beketi, Markezi etj. Këta krijues gjigantë kanë shënuar epoka. I kanë sjellë botës ndryshime, njerëzimit – humanizëm. Bota pa ta do të kishte qenë më e egër, më e padurueshme, më johumane. Veprat e tyre nuk mjafton të lexohen, por duhet edhe të kuptohen dhe kjo nuk është punë e lehtë. Krijimi artistik modern nuk është i kapshëm për lexuesin e rëndomtë.  

Zhvillimi i teknologjisë informatike akoma më shumë e zhvillon dhe e përhap kulturën masive. Çdo gjë është komercializuar. Kultura masive shfrytëzohet edhe nga politika dhe pushteti. Jepi popullit bukë e reality show dhe sundo mbi të sa të duash dhe si të duash. Argëtimet që i ofrojnë show programet e shmangin rininë prej problemeve politike, ekonomike, sociale dhe morale të shtetit dhe të shoqërisë. Këtë duan politikanët dhe pushtetarët e gjithë botës. Megjithëkëtë, show programet dhe reality show nuk mund ta ndalin shpërnguljen e të rinjve drejt Gjermanisë, Amerikës, Kanadasë, Australisë. Zbavitjet e lehta nuk do ta ndalin dhimbjen e rëndë të shpopullimit të trojeve shqiptare. Faji është i udhëheqësve politikë dhe vetëm i tyre.                

 Xhelal Zejneli

Filed Under: LETERSI Tagged With: KULTURA MASIVE, Xhelal Zejneli

BALLKANI PERËNDIMOR DHE DYERT E MBYLLURA TË BE-së

September 3, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli/

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes jetik i vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë. Po të mos jetë BE-ja, Ballkani do të kthehej një shekull para, do të kthehej në kohën kur gadishulli ka qenë fuçi baruti. Pa BE-në, gadishulli i sotëm do të rikthehej në kohën e bellum omnium kontra omnes. Pa një perspektivë integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rajon do të synonin të penetrohen Rusia dhe Kina. Në vendet ku ka popullsi të fesë islame, do të synonte të depërtojë Turqia.  Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende ndodhen në fazën kalimtare. Tranzicioni në këto gjashtë vende, i filluar në vitin 1991, akoma s’ka përfunduar. Tri dekada tranzicion. Tridhjetë vjet në fazën kalimtare. Janë do vende që kanë hyrë në BE pa i plotësuar standardet e Unionit. Një prej tyre është Greqia. Athina, jo vetëm nuk i respekton liritë dhe të drejtat e bashkësive etnike jogreke, por edhe fare nuk i njeh ato. Greqia është pranuar në BE si vend me popullsi të krishterë i cili ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë. Pa i plotësuar si duhet standardet, janë pranuar në BE të gjitha vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë në afërsi të saj. Domethënë vendet të cilave u kanoset rreziku rus. Vende të cilat nuk i plotësojnë standardet janë edhe Bullgaria me Rumaninë. Megjithëkëtë, ato ia dolën të bëhen anëtare. Vendet që kanë pasur lidhje historike me Gjermaninë apo me Francën, integrimin në BE e kanë pasur më të lehtë. Kroacia është bërë anëtare e Unionit në saje të mbështetjes së Berlinit. Sllovenia u bë anëtare e Unionit pa kurrfarë problemi. Asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i arrijë standardet e Sllovenisë. Brukseli nuk dëshiron t’i ketë me vete shtetet që janë në konflikt ndër vete. Këtu bëjnë pjesë disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Maqedonia e Veriut është në mosmarrëveshje me Bullgarinë rreth identitetit të sllavo-maqedonasve. Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e njeh autoritetin e pushtetit qendror. Në Mal të Zi, Beogradi e ka krijuar kolonën e pestë të vet. Me këso mosmarrëveshjesh nuk shkohet në Evropë. Nuk mjafton të thuhet: “Jemi evropianë, jemi pjesë e kontinentit”. Po qe se vendet e Ballkanit Perëndimor vërtet janë pjesë e kontinentit të vjetër, atëherë ato duhet të ndërtojnë standarde evropiane. Po qe se politikanët dhe popujt e gjashtë vendeve të sipërthëna vërtet janë evropianë, atëherë ata duhet edhe të sillen si evropianë. Uashingtoni dhe Brukseli e dinë mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor, pos integrimit në BE nuk kanë alternativë tjetër. Rusia dhe Kina nuk janë alternativë e BE-së as e aleancës dhe partneritetit me ShBA-në. Fajin për mbylljen e dyerve të BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kërkojnë në vetvete. Brukseli mund edhe t’i çelë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Me Serbinë dhe me Malin e Zi, Brukseli qëmoti i ka çelur bisedimet për anëtarësim, por më kot. Këto dy vende vazhdojnë të jenë jashtë Unionit.  Edhe pasi të çilen bisedimet për anëtarësim, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të presin me vite për t’u anëtarësuar. Edhe kur të hyjnë në BE, këto gjashtë vende do të jenë të shpërfillura nga Brukseli. Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë politikanët apo klasa politike dhe inteligjencia apo klasa intelektuale, që ndodhen në skenën politike apo në pozita, që nga viti 1991 deri në ditët e sotme. Tridhjetë me radhë. Përgjegjës për zgjatjen pafund të periudhës kalimtare janë kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, liderët politikë apo liderët partiakë, ministrat dhe deputetët. Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë edhe administruesit e pushtetit vendor. Për zgjatjen pambarim të kalimit nga monizmi në pluralizëm mban përgjegjësi morale edhe inteligjencia e gjashtë vendeve të lartpërmendura. Gjatë periudhës së tranzicionit institucionet arsimore dhe shkencore të vendeve këtij rajoni, nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë. Me fjalë të tjera, akademitë e shkencave, institutet pranë akademive dhe universitetet, gjatë periudhës kalimtare nuk e kanë luajtur rolin e tyre. Inteligjencia e gjashtë vendeve ka qenë oportuniste dhe konformiste. Preokupim i tyre ka qenë zënia e pozitave nëpër institucionet arsimore dhe shkencore – për interesa vetjakë. Për t’i arritur qëllimet personale, inteligjencia e këtyre vendeve, para pushtetarëve është treguar edhe inferiore. Një akademik, një dijetar apo një profesor universiteti ndjehet inferior para një pushtetari mediokër! Në Ballkan ka politikan me diploma universitare të blera apo të falura. Ky injorant e dirigjon dhe e shndërron në vegël, në mjet një drejtor shkolle të mesme, emëron dhe shkarkon rektorë universiteti! A thua një Ballkan i tillë e ka vendin në familjen demokratike!? Heshtja e inteligjencies dëshmon edhe mungesën e demokracisë. Gjithmonë gjatë historisë politikanët autoritarë dhe autokratë kanë synuar ta heshtin dhe ta frikësojnë inteligjencien. Ka raste kur i ndajnë në të përshtatshëm dhe në të papërshtatshëm. Të përshtatshëm i quajnë ata që flasin mirë për ta, ndërsa të papërshtatshëm – ata që i kritikojnë gabimet dhe abuzimet e tyre. Të keqen kanë për detyrë morale ta kundërshtojnë edhe krijuesit letrarë apo artistikë. Askush s’ka të drejtë t’i mbyllë sytë para të keqes. Politika e Ballkanit ka forma të ndryshme për ta neutralizuar shkrimtarin. Shkrimtarët e mëdhenj konsiderohen ndërgjegje e kombit. Të jesh indiferent ndaj një tranzicioni që zgjatë pambarim është akt i pamoralshëm. Intelektuali me integritet është zëri i kohës. Në kohë zezonash shkrimtarët e mëdhenj nuk janë mbyllur në kullën e fildishtë. E keqja dhe e pavërteta troket në ndërgjegjen e shkrimtarit dhe e trazon atë. Mediumet në Ballkan janë vegla, mjete dhe instrumente të pushtetarëve. Ato janë në shërbim të politikës dhe të pushtetarëve. Detyrë e mediumeve apo e studiove televizive është që nëpërmjet debateve të ditëpërditshme të bëjnë shpëlarjen e trurit të njeriut. Rolin e përpunuesve të trurit e luajnë analistët politikë. Mediumet e rajonit janë nën kontrollin e hekurt të politikës dhe të pushtetarëve. Nga kjo del se në këtë rajon apo në këtë pjesë të rajonit, nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Kjo është një utopi. Të ballafaquar me probleme financiare, mediumet e rajonit detyrohen të vihen në shërbim të politikës dhe të pushtetit. Kuptohet, ka edhe mediume që përpiqen të ruajnë mëvetësinë, të jenë më asnjanës, më objektiv dhe më të baraspeshuar. Vegla, mjete dhe instrumente të politikës janë edhe analistët politikë apo personat që krijojnë opinione. Për punën e pandershme që bëjnë, këta farë opinionistë shpërblehen prej punëdhënësve të tyre. Detyrë e këtyre mashtruesve të stërvitur është të shkaktojnë huti, të mbjellin mjegull, të krijojnë nebuloza, të pavërtetën ta paraqesin si të vërtetë. Në këtë pjesë të rajonit shkalla e demokracisë është në pikën më të ulët. Në këto gjashtë vende mungon mendimi kritik, mungon kritika politike, mungon mendimi alternativ, mendimi ndryshe. Mungon edhe kritika sociale. Edhe kur ka njëfarë kritike politike apo kritike sociale, ajo nuk është gjithaq objektive. Edhe ky lloj i kritikës politike është në funksion të politikës, por tani në shërbim të opozitës. Tranzicioni në këtë pjesë të gadishullit nuk zvarritet rastësisht. E keqja në këtë pjesë të rajonit është pjesë e politikës, është shndërruar në sistem dhe kjo nuk mund të luftohet lehtë. Në këtë moçal interesash të rretheve të privilegjuara, individi është i pafuqishëm.  Ndërkohë, popujt e këtyre gjashtë vendeve paguajnë çmim të lartë. Në vendet e Ballkanit Perëndimor kemi dyndje popujsh, drejt Gjermanisë dhe Amerikës. Trojet shqiptare në gadishull ballafaqohen me shpopullim të frikshëm. Për politikën shqiptare kjo trajtohet si çështje statistikore. Para kësaj tragjedie kombëtare inteligjencia është indiferente dhe indolente. Po t’i hapë Gjermania dyert, shqiptarët do të mbeten pa rini. Në Ballkanit Perëndimor, brenda tri dekadave, përkundër ngecjes, asnjë politikan, kryeministër, ministër dhe deputet nuk dha dorëheqje si detyrim moral. Secili prej tyre shikonte punët e veta dhe interesat e vet dhe jo interesin e përgjithshëm. Të keqen në gjashtë vendet e rajonit s’e has dot askund në Evropë. Ligësinë dhe shëmtinë në këtë pjesë të siujdhesës, mbetet ta krahasosh vetëm me vendet më të pazhvilluara të botës.   

*   *   *

Dyert e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të mbyllura ngase:

– këto gjashtë vende nuk ia dolën të ndërtojnë shtet ligjor;

– nuk ia dolën të ndërtojnë shtet demokratik;

– në këto vende nuk kemi reforma në drejtësi:

– reformat në drejtësi në këto vende janë vonuar;

– në disa nga këto vende sistemi i drejtësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë inekzistent;  

– në këto vende kemi politizim të skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë;

– në këto vende kemi politizimin dhe partizimin e të gjitha institucioneve të shtetit;

– në këto vende zënë pozita të larta politike edhe individë me të kaluar të dyshimtë;

– një numër i politikanëve posedon nivel arsimor ulët;

– administrata shtetërore e këtyre vendeve është administratë partiake;

– administrata publike e këtyre vendeve është në shpërpjesëtim frapant me nevojat e institucionit;

– rreth 50% e punëtorëve të administratës janë tepricë; 

– diletantizmi në këto vende sundon mbi profesionalizmin;

– përcaktimi partiak vlen më shumë se niveli profesional;

– militantizmi partiak vlen më shumë se vlerat etike të individit;

– oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi çmohet më tepër se integriteti moral;

– korrupsioni në këto vende ka përmasa dramatike;

– korrupsioni në këto vende i përfshin majat e shtetit dhe të politikës;

– nepotizmi në këto vende konsiderohet punë normale;

– nepotizmin në këto vende e zbatojnë politikanët dhe pushtetarët;

– në pozita politike dhe shoqërore emërohen dhe caktohen militantët partiakë;

– dallimet sociale janë si në kohën e Çarls Dikensit dhe të Uilliam Thekerit;

– në disa nga këto gjashtë vende, ka punëtorë me paga 150 deri në 200 euro;

– në këto gjashtë vende, për të kryer një punë në ndonjë institucion, duhet të japësh mitë dhe ryshfet;

– në këto gjashtë vende, asnjë punë nuk ka mundur të kryhet pa i dhënë nëpunësit ryshfet;

– ryshfet – në bashki apo në komunë, në administratë, tek ofiqari, korrupsion në gjykatë, në prokurori, në spital, në universitet, në dogana, në polici;

– korruptohen politikanë, ministra, zëvendësministra, deputetë, policë, doganierë, mjekë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish apo komunash;    

– në disa nga këto gjatë vende, vite me radhë mallrat kanë kaluar nëpër kufij dhe dogana, pa kurrfarë kontrolli;

– kontrabanda në këto vende është kryer me implikimin e personave zyrtarë, policëve, doganierëve, ministrave etj.;

– në disa nga këto gjashtë vende kultivimi i lëndëve narkotike, trafikimi dhe përhapja e tyre të përkujton vendet e Amerikës Latine;

– në disa nga vendet e rajonit zbatohet pastrimi i parave të pista njësoj si në vendet e prodhimit të lëndëve narkotike;

– në disa nga këto vende kemi trafikim armësh dhe qeniesh njerëzore;

– shoqëria civile në këto vende nuk është e organizuar sa duhet;

– disa nga këto gjashtë vende nuk tregojnë aftësi për të realizuar zgjedhje parlamentare apo zgjedhje vendore demokratike;

– politikanët e këtyre vendeve nuk dinë se ç’është përgjegjësia politike;

– diskursi, fjalori dhe retorika e politikanëve të këtyre vendeve ndaj oponentëve politikë është triviale, vulgare dhe parake;

– në disa nga këto vende vjedhjet, reketimet, rrëmbimet, plagosjet dhe vrasjet janë dukuri e përditshme;

– aksidentet rrugore në disa nga këto vende janë shndërruar në çështje statistikore;

– ndotja e mjedisit në disa nga këto vende është lënë jashtë kujdesit të shtetit;

– grumbujt e hedhurinave janë shndërruar në gjë normale;

– ndërtimet pa leje kanë përmasa të paimagjinueshme;

– ekonomia gri dhe informale lulëzon në të katër anët;

– në disa nga këto vende qytetarët nuk i kanë shlyer dhe vazhdojnë të mos i shlyejnë detyrimet tatimore, tatim-qarkullimin e mallrave, tatimfitimin; detyrimet për harxhimin e rrymës elektrike, të ujit, të depozitimit të hedhurinave; për klasifikim e hedhurinave as që mund të flitet; 

– në disa këto gjashtë vende është e përhapur në përmasa të frikshme dhuna në familje, e në veçanti dhuna ndaj grave;

– infrastruktura e shkarkimit të ujërave të zeza dhe e ujërave atmosferike e këtyre vendeve është primitive dhe e vjetruar; 

– në disa nga këto vende cilësia e arsimit është në nivel të ulët;

– shumica e udhëheqësve politikë të këtyre gjashtë vendeve janë politikanë autoritarë dhe autokratë, ndërsa në partitë politike nuk ka demokraci të brendshme; ku është dallimi ndërmjet këtyre partive të kohës së demokracisë parlamentare dhe partive të kohës së bolshevizmit!?

Krejt kjo nuk është as socializëm as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. 

*   *   *

Politikanët e Ballkanit Perëndimor, duke e vjedhur shtetin, janë pasuruar. Kanë krijuar pasuri marramendëse. Politikanë të pasur të vendeve të varfra, të popujve të varfëruar. Shtetet me politikanë dhe me qeveritarë të korruptuar nuk zhvillohen ekonomikisht. Askush nuk investon në shtete të tilla. Papunësia në ato shtete ka përmasa të frikshme. Çdo i dyti në ato shtete e ka në mendje emigrimin, ikjen, shpërnguljen.  

Çdo popull ka qeveri të tillë siç është vetë. Grekët e vjetër kanë thënë: ”Si është populli, e tillë qeveria”. Janë popujt që i votojnë këta politikanë, që i votojnë partitë e tyre. Popujt e Ballkanit Perëndimor nuk votojnë politikisht. Ata votojnë si popuj me probleme dhe me nevoja sociale. Ata janë shndërruar në popuj socialë. Ata votojnë për një vend pune, për një pagë apo për një rrogë. Ata s’bëjnë politikë. Janë të zhveshur nga çdo ideologji. Interesi dhe preokupimi i tyre është ta punësojnë djalin, vajzën, renë, vëllain. Këta popuj të rajonit rrezikojnë të humbin edhe aftësinë për ndryshime.     

*   *   *

Për shkak të problemeve të sipërthëna që mbizotërojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja nuk është e interesuar t’i pranojë ato në radhët e veta. Të ngarkuar me probleme, këto gjashtë vende do të ishin barrë për Unionin. Për të trokitur në dyert e mbyllura të Brukselit, këto gjashtë vende duhet ta ndryshojnë vetveten. Kjo rrugë është e gjatë. Po qe se nuk do ta marrin rrugën e ndërtimit të shtetit ligjor, ironia e politikanëve ballkanikë do të duket si vox clamantis in deserto.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: BALLKANI PERËNDIMOR, Integrimi Europian, Xhelal Zejneli

KIÇI DHE SHUNDI

September 1, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli

Kiçi është krijimtaria e nivelit të ulët. Ka për qëllim të jetë i pëlqyer nga një numër sa më madh i njerëzve dhe të shitet sa më shumë. Është një formë e degradimit të artit. Sot është shumë i përhapur, kështu që nuk është lehtë ta dallojmë. Çdokush ka qenë në kontakt me të. S’ka dyshim se edhe shtëpitë tona janë përplot me kiç. Krijimet kiç, d.m.th. krijimet pa vlera artistike, lindin si kopje të veprave artistike origjinale e që janë të pranuara nga kritikët letrarë artistikë kompetentë. Krijime dhe sende kiç mund të jenë zbukurimet e ndryshme, suveniret, rrobat, pikturat, seritë televizive, librat etj. Shundi është pjesë e kuçit që ka të bëjë me letërsinë. Këto dy nocione konsiderohen produkte kryesore të kulturës masive. Kiç e ka prejardhjen qysh nga periudha e revolucionit industrial në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore. Për shkak të industrializimit të hovshëm, një numër i madh i njerëzve të fshatit, vijnë në qytete. Ata kanë krijuar një shtresë të re të shoqërisë apo klasën punëtore. Me ardhjen në qytet u është krijuar mundësia të shkollohen dhe të pajisen me dituri. Por, për shkak të mungesës së kohës së lirë, një pjesë e madhe e arsimimit të tyre, nuk është realizuar. Si pasojë, kjo shtresë e popullsisë nuk ka mundur të njihet me kulturën dhe nuk e ka të përkufizuar vlerën. Është shfaqur nevoja për një art të ri që do t’i përshtatej shtresës së sapoformuar. Ky lloj arti duhej të ishte i kapshëm dhe i kuptueshëm për klasën punëtore. Me fjalë të tjera, me një art të tillë janë kënaqur të paarsimuarit të cilët edhe janë krenuar me të. Për shkak të rritjes së kërkesës, ky lloj arti është shndërruar në kulturë. Ky lloj arti është i lehtë për konsumim dhe nuk kërkon kurrfarë mundi intelektual apo shpirtëror. Në përkthimin e fjalëpërfjalshëm nga gjuha gjermane, kiç do të thotë të bashkosh, të lidhësh, të krijosh diçka, ndërsa shund do të thotë hedhurinë, tezgjere apo karrocë për hedhjen e mbeturinave. Për shkak të punës së rëndë dhe kaotike, ndër njerëz paraqitet nevoja për gjëra të thjeshta. Tanimë nuk u ka mbetur forcë për të menduar më thellë dhe për të kërkuar domethënien e gjërave. Për këtë arsye lind kiçi si diçka në të cilën njeriu gjen ngushëllim apo prehje dhe në të cilën i zbut ndjenjat e veta. Të gjithë e dinë domethënien e vërtetë të artit. Ndoshta nuk  e kuptojnë të gjithë, por dihet se roli i tij është ta paraqesë rëndësinë e vet tërthorazi dhe disi në mënyrë misterioze. Për t’u kuptuar, nevojiten interpretime dhe gjykime të shumta. Kur lexuesi has në një kryevepër, po qe se nuk është një fanatik i artit apo i letërsisë, rëndësinë dhe vlerën e saj s’ka për ta kuptuar  shpejt. Për shumë njerëz, veprat artistike më të mëdha të botës, janë të paqarta. Me një fjalë, ata nuk mund ta kuptojnë përse një vepër e tillë është aq i rëndësishëm. Duke qenë se numri i atyre që nuk e kuptojnë këtë është më i madh se i atyre që e kuptojnë, lind nevoja e paraqitjes apo e zhvillimit të kiçit. Tani edhe këta që nuk e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e artit të madh, do të kenë me se të zbaviten, të argëtohen apo të kënaqen. Çdokush mund të jetë krijues i kiçit, si ata që janë artistë, ashtu edhe ata që nuk janë. Edhe kiçi mund të konsiderohet art për arsye se është i kapshëm prej shqisave, por e meta e tij qëndron në faktin se ai është kopje apo falsifikim i veprave burimore. Kur një gjë është burimore, kjo do të thotë se ajo vjen nga pjesa më e thellë e shpirtit të njeriut. Vetëm ai e di vlerën e vërtetë të saj. Kur artisti krijimin e vet artistik e ndan me të tjerë, ndoshta ata do ta kenë vështirë për ta kuptuar, por pikërisht këtu qëndron qëllimi – vepra të mbetet si një intimitet  i artistit dhe me të, të identifikohen vetëm ata të cilit në shpirt janë të ngjashëm me autorin apo ata të cilët përjetojnë situata të njëjta si ai. Sendet kiç prodhohen në mënyrë masive. Qëllimi i autorit apo i prodhuesit është që atë të shiten sa më shumë, të arrijnë në duart e një numri sa më të madh njerëzish. Por, në këtë mënyrë përhapet edhe një shije e ulët, e nivelit të ulët. Një gjë e tillë shkakton efekt negativ ndaj kulturës dhe njerëzve ua topit shqisat apo ndijimet saqë një ditë ata nuk janë në gjendje t’i dallojnë vlerat e mirëfillta të veprave legjitime. Për këtë arsye, në vende të caktuara është rritur tatimi mbi prodhimin dhe shitjen e kiçit, ndërsa në do vende madje është ndaluar shpërndarja dhe përhapja e tij. Njerëzit sot gjithnjë e më tepër janë materialistë, e kjo është rrjedhojë e përhapjes dhe e shtrirjes së kiçit. Duke qenë tërheqës dhe lehtë i kuptueshëm dhe duke u gjendur kudo dhe në çdo kënd, njerëzit kanë nevojë për ta grumbulluar edhe nëpër shtëpitë e veta. Kur njerëzit shkojnë nëpër udhëtime të caktuara, blejnë suvenire, pa e ditur se ato farë suveniresh nuk janë asgjë tjetër përpos se kiç. Shpeshherë, këto suvenire reprezantojnë ndonjë përmendore, si për shembull magnetet me fotografinë e Kullës së Ajfelit apo figurat e Statujës të Lirisë, që në të vërtetë janë vetëm pjesëza të vogla të origjinalit. Ato u shërbejnë turistëve që një pjesë të veprës artistike ta marrin me vete dhe ta çojnë në shtëpi. Por ato nuk kanë vlerë. Ato duken si gjëra të vlefshme, megjithëkëtë nuk i ka krijuar dora e artistit. Ato janë falsifikime që i ka krijuar ndonjë zejtar që ka për synim sa më shumë të përfitojë. S’ka dyshim se çdo gjë që e krijon njeriu vetëm e vetëm për të përfituar, e humb vlerën e vet. Mu për këtë disa artistë refuzojnë t’i shesin veprat e veta, ngase me t’i nxjerrë në shitje, veprat e tilla do ta humbnin vlerën dhe rëndësinë parësore të tyre. Përpos sendeve dhe rrobave të ndryshme, përkatësisht gjërave materiale kiç, d.m.th. pa vlerë artistike, këtu bëjnë pjesë filma të ndryshëm, seritë televizive dhe reality programet. Njerëzit për çdo ditë shohin dhe ndjekin do seri që janë përplot drama. Seritë e tilla i joshin shikuesit t’i ndjekin episodet njërin pas tjetrit. Me këtë mënyrë të përcjellës së serive ka të bëjë termi “binge watching”. Seritë e tilla nuk kërkojnë kurrfarë gjykimi, nuk kanë shumë situata të ndërthurura apo të ngatërruara. Çdo gjë në to është e thjeshtë, e rëndomtë. Ngjarja sillet rreth një personazhi dhe jetës së tij. Në to vërtet ka dramë por kjo nuk do të thotë se ajo është e rëndë për ta kuptuar. Kur shikuesi i shikon programet e tilla mendja e tij është plotësisht e paangazhuar. Këtu shikuesi nuk sheh asgjë të keqe për arsye se atij i bëhet mirë që pas një dite pune, të gjatë dhe të mundimshme, të qetësojë pak shpirtin. Por, po qe se njeriu vazhdimisht shikon seri të tilla, mendja e tij dalëngadalë do të pasivizohet, ai më me vështirësi do t’i perceptojë gjerat, ndërsa funksionet logjike të tij mund edhe të shuhen. Nga kjo rezulton se seritë e tilla nuk duhet përcjellë pandërprerë, nuk duhet bërë rob i tyre. Ato duhet shikuar në mënyrë të kontrolluar. Për hir të serive të tilla, njeriu i lë pas dore filmat artistikë, nuk lexon vepra letrare, nuk lexon literaturë shkencore, literaturë filozofike, literaturë nga lëmi i psikanalizës. Ky lloj i veprave atij i duken të rënda dhe lodhëse. Madje, veprat e tilla dhe këtë lloj literature ai edhe fare s’e kupton. Sa më larg të qëndrojë nga veprat e mëdha, aq më të largëta bëhen edhe ato për të. Kjo lë pasoja te njeriu. Ia ul atij nivelin e kulturës dhe e shndërron në mediokër. Ai mund të jetë edhe i arsimuar, intelektual, por i shndërruar në rob të serive televizive apo i realiti programeve, ai shndërrohet në mediokër. Veprat artistike kapitale që kanë shënuar epokë dhe që kanë synuar për ta ndryshuar botën, për ta bërë atë më humane, kjo kategori e njerëzve as i ka lexuar as dëshiron t’i lexojë. Ato s’i kupton dhe i duke të rënda. Ka rrezik që nesër rrugës së nënave të ecin edhe fëmijët. Një ditë edhe ato mund të bëhen shikues të rregullt të programeve argëtuese që nuk i përçojnë shoqërisë kurrfarë mesazhi. Përkundrazi, në shumë raste ato përçojnë edhe mesazhe negative, johumane, për të mos thënë edhe amorale. Pikërisht për shkak të efekteve të këtilla ndaj njeriut, ka të tillë që e injorojnë kiçin. Të tillët përpiqen me të gjitha forcat që kiçin ta flakin nga jeta e tyre, por kjo nuk është aq e lehtë kur të kihet parasysh fakti se me të, njeriu është i rrethuar nga të katër anët. Kiçin mund ta gjejë njeriu edhe në fotografitë e bëra gjatë udhëtimeve apo shëtitjeve të tij, në fotografitë apo në fotografimet e bëra në raste të ndryshme. Duke qenë se ato fotografi paraqesin një çast të ngrirë të ndonjë ngjarjeje, ato s’ka sesi të jenë origjinale. Edhe pse ai vetë e ka bërë fotografimin, nga një kënd i caktuar, në një vend të caktuar, në një kohë të caktuar dhe askush tjetër në botë nuk mund të fotografojë një skenë të ngjashme, kjo fotografi mbetet kiç, kopje e asaj që kanë parë në atë çast sytë e të fotografuarve. Kryevepër e vërtetë është të vështrosh natyrën dhe mjedisin me sytë e tu dhe jo nëpërmjet objektivit të kamerës. Zhan-Pol Sartri thotë: “Njeriu, çdo rrëfim e fillon nga mbarimi”. Provincialisti, snobi dhe mediokri shpesh dëshiron të fotografohet me ndonjë person të njohur të lëmit të artit, të politikës, të biznesit, të sportit. Me një fjalë, të fotografohet me persona apo personalitete të njohura dhe me ndikim. Sapo e realizon një fotografi të tillë, ai e publikon diku për t’ia bërë me dije publikut se edhe ky është dikush.  Shundi është pjesë e kiçit dhe ka të bëjë me krijimtarinë letrare. Për nga domethënia, shundi është hedhurinë, vepër pa vlerë. Ashtu sikundër ekzistojnë seritë televizive kiç, po kështu ekzistojnë edhe libra kiç, përkatësisht vepra shund. Veprat e tilla i shkruan ndokush pa kurrfarë qëllimi madhor. Ai s’ka dot qëllim tjetër, përpos t’i  nxjerrë ndjenjat dhe mendimet e veta në letër, të bëjë ndoshta njëfarë drame apo diçka që duan të lexojnë njerëzit, të shkruajë histori dashurie, romane kriminalistike, me synimin për të përfituar diçka. Shembull i shundit mund të jenë edhe magazinat e ndryshëm apo revistat e ndryshme me të cilat përhapen thashethemet dhe problemet nga jeta e ndonjë personi të njohur. Kjo zgjon kërshërinë e shumë njerëzve, të cilët për tekstet e tilla hedhin para. Nga shitja e magazinave apo e revistave të tilla, pronari apo botuesi përfiton. Lexuesit e tillë, në vend që të përqendrohen dhe të preokupohen me problemet e veta, ata merren me problemet e të tjerëve dhe e shikojnë jetën e të tjerëve. Kiçi dhe shundi u shërben atyre për të ikur nga realiteti. Më lehtë është ta jetosh jetën e dikujt tjetër sesa jetën tënde.Përpos të metave të shumta që i kanë kiçi dhe shundi, ata kanë edhe ndonjë veti të mirë. Për shembull, po qe se shikojmë remake-n (rimejkun) e ndonjë vepre artistike, kjo mund ta motivojë njeriun ta shikojë filmin burimor apo ta lexojë veprën burimore në të cilën bazohet filmi. Apo kur dikush lexon ndonjë artikull të një amatori lidhur me ndonjë temë, ai mund të tregojë interesim më të madh për këtë dhe si rrjedhojë, lidhur me atë temë të lexojë diçka më serioze. Shënim: Remake (rimejk) është film, seri televizive, lojë videoje ose formë e ngjashme argëtimi që bazohet apo ritregon historinë e një produksioni të mëparshëm; version i ri i një filmi ekzistues.

*   *   *

Në këtë mënyrë, kiçi mund të ndikojë në përhapjen e kulturës. Kiçi mund të transformohet në ndonjë objekt më të rëndësishëm. Po qe se ndonjë person i admiruar të dhuron ndonjë kiç, ti me sendin e dhuruar do të krijosh një lidhje sentimentale dhe kjo do të ta përkujtonte personin e admiruar. Kjo tanimë assesi nuk mund të jetë kopje për arsye se tani, në atë send apo objekt ndodhen ndjenjat që ti i ke ndaj atij personi. Vetëm ajo kopje, ai ekzemplar e ka atë vlerë të çmueshme dhe kjo e veçon nga grumbulli.         

 Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE Tagged With: KIÇI DHE SHUNDI, Xhelal Zejneli

KONFLIKTI SHQIPTARO-SERB ËSHTË KONFLIKT HISTORIK

August 28, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli

Midis shqiptarëve dhe serbëve kemi një konflikt historik. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, shqiptarët kanë bërë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ndërsa serbët, të mbështetur nga Rusia, kanë bërë luftë pushtuese, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste. Gjatë konfliktit shqiptaro-serb, Serbia ka ushtruar dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera. Gjatë konfliktit shqiptaro-serb, Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, Serbia nuk ka mbajtur përgjegjësi asnjëherë. Dhuna serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera, ka qenë politikë shtetërore. Dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve, me ndihmën e Beogradit, kanë ushtruar edhe sllavo-maqedonasit dhe malazeztë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, por me një konflikt historik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kemi të bëjmë me një konflikt historik ndërmjet dy popujve. Kur është fjala për raportet me Serbinë, Shqipëria duhet të tregohet e matur. Tirana nuk mund të ndërtojë raporte me Serbinë jashtë kontekstit të konfliktit historik ndërmjet dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve. Kontaktet politike ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre serbë, duhet të jenë kontakte politikanësh të dy popujve ndërluftues. Në të vërtetë, kontaktet politike ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre serbë duhet të jenë kontakte të politikanëve të një populli i cili ndaj Serbisë zhvilloi luftë mbrojtëse dhe çlirimtare dhe të politikanëve të një populli i cili ndaj shqiptarëve historikisht zhvilloi luftë hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese dhe kolonialiste, duke kryer edhe gjenocid ndaj shqiptarëve. 

Gjenocid ndaj shqiptarëve kanë qenë: 

– “Naçertania” e Ilija Garashaninit e vitit 1844; 

– Libri “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile) i vitit 1913, i Vlladan Gjorgjeviqit;  

– Elaborati “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) i vitit 1937, i Vaso Çubrilloviqit.

Serbia sot ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Duke i margjinalizuar dhe duke i getoizuar shqiptarët e këtyre viseve, Beogradi synon të imponojë shpërnguljen e heshtur të tyre. Pas dhjetë apo njëzet vjetësh, numri i shqiptarëve të këtyre viseve do të reduktohet tej mase. 

Para kësaj tragjedie të dhimbshme, Tirana zyrtare hesht dhe i ka mbyllur sytë. Heshtin edhe institucionet shkencore dhe arsimore të kombit – akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës. Heshtin edhe institutet shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, si për shembull institutet e historisë apo edhe institutet e tjera.

Derisa Serbia pakicën serbe në Kosovë e mbështet politikisht dhe materialisht, Tirana dhe Prishtina s’bëjnë dot asgjë për t’i mbështetur shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevën, Bujanocin, Medvegjlën). Vizitat që ia bëjnë politikanët e Tiranës kësaj pjese shqiptare, një herë në tridhjetë vjet, nuk e përbëjnë kuintesencën e çështjes.     

Ndaj krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera, të kryera gjatë shekullit XX, Fuqitë e Mëdha historike të kontinentit të vjetër, kanë qenë indiferentë. 

Kancelaritë perëndimore kanë heshtur për krimet serbe ndaj shqiptarëve:

– në kohën e luftërave ballkanike, 1912-1913;

– gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitet 1914-1918; për raportet shqiptaro-serbe flet Xh. Shala në studimin “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 1990;

– në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, në vitet 1918-1941, d.m.th. gjatë qeverisjes së Nikolla Pashiqit dhe të mbretërisë së karagjorgjeviqëve;

– në periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1941-1944;

– në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur u riaktivizua elaborati i Vaso Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve drejt Anatolisë; 

– në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në viset e tjera Beogradi ushtroi dhunë nëpërmjet qeverisjes së Aleksandër Rankoviqit, të njohur në histori si rankoviqizëm;

– në vitin 1968, kur në Kosovë dhe në viset e tjera shpërthyen protestat popullore për liri, pavarësi dhe demokraci, Beogradi ndërhyri me ushtri dhe polici, me shkopinj gome dhe tanke, duke i mbushur burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë me intelektualë shqiptarë që thoshin: “S’jemi jugosllavë, jemi shqiptarë”, që nuk e respektonin himnin e Jugosllavisë “Hej sllavë”;

– në vitin 1981, kur në çdo cep të Kosovës dhe të viseve të tjera shpërtheu kryengritja për liri, pavarësi dhe demokraci, Beogradi nxori në rrugët e Kosovës ushtrinë dhe policinë, ndërsa aeroplanët bombardues të tipit MIG, fluturonin përmbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera; numri i ushtarëve serbosllavë në Kosovë u shumëfishua, ndërsa burgjet e Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, u mbushën me shqiptarë, të akuzuar për nacionalizëm, separatizëm dhe secesionizëm;

– në vitin 1985, boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) e nisi fushatën histerike ndaj shqiptarëve; sakaq, në janar të vitit 1986 doli në Beograd “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve; ky libër që doli anonim, parashikonte suprimimin e Kushtetutës së vitit 1974, që nënkuptonte shuarjen e federatës jugosllave, suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës dhe ringjalljen e politikës unitariste, centraliste dhe etatiste serbe me dominim serbomadh;

– frymëzues kryesor i nacional-socializmit serb në këtë kohë ishte shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore, Dobrica Qosiqi, i konsideruar pater patriae;

– në dance macabre apo në vallen e krimit që do të pasonte, ishin lidhur: Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse (fashiste) Serbe, mediumet serbe; mendimi kritik u shua pothuajse plotësisht; në Serbi mbizotëroi njëmendimi politik dhe ideologjik; shoqërisë serbe iu imponua homogjenizimi;    

 – fushata histerike antishqiptare e filluar në vitin 1985, rezultoi me daljen në skenë të nacional-socializmit serbomadh, me në krye Sllobodan Millosheviqin;  

 – përkrah Millosheviqit qëndronin kriminelët e luftës Vojisllav Shesheli, Vojisllav Koshtunica, Vuk Drashkoviqi; rreth Sheshelit sillej kryetari i përtashëm i Serbisë – Aleksandër Vuçiqi, ndërsa pranë Millosheviqit qëndronte Ivica Daçiqi;

– e ashtuquajtura Armatë Popullore Jugosllave dhe policia serbe u vunë nën kontrollin e Millosheviqit;

– në vitin 1991 Serbia e filloi agresionin në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë; gjatë agresionit ushtarako-policor në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, Serbia kreu krime lufte dhe gjenocid;

– në vitin 1998, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Serbia iu përgjigj me krime lufte, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore; në vitet 1998-1999 Serbia kreu gjenocid në Kosovë.

*   *   *

Në marrëdhëniet me Serbinë, Tirana zyrtare duhet t’i ketë parasysh krimet e sipërthëna serbe në Kosovë. 

Para Luftës së Dytë Botërore, Ahmed Zogu kishte krijuar raporte të caktuara me Serbinë, përkatësisht me kryeministrin Nikolla Pashiq. Nga raportet midis këtyre dyve rezultoi ajo që quhet “Marrëveshja Nikolla Pashiq – Ahmet Zogu, e gushtit të vitit 1924”, Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924. Marrëveshja përmban 16 pika. Në pikën e fundit, të 16-të, thuhet se ky traktat është sekret dhe se nuk mund të publikohet pa pëlqimin e palëve. Marrëveshja është arritur në këmbim të ndihmës që Serbia do t’i jepte Zogut për t’u kthyer në Shqipëri dhe për ta shembur qeverinë e Fan Nolit. Duhet shtuar se ka të tillë që e kontestojnë autenticitetin e marrëveshjes së sipërthënë.          

Më 23 qershor të vitit 1946, shkon për vizitë në Jugosllavi Enver Hoxha. Ishte ditë e diel. Enveri ishte kryetar i Qeverisë së Shqipërisë, ministër i Mbrojtjes Kombëtare dhe ministër i Punëve të Jashtme. Pjesë e delegacionit shqiptar ishin: gjeneralmajor Myslim Peza, nënpresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë; gjeneralmajor Bedri Spahiu; Manol Konomi, ministër i Drejtësisë; Nako Spiro, ministër i Ekonomisë; kolonel Nesti Nerenxhiu, zëvendësministër i Punëve të Brendshme; kolonel Manush Myftiu, drejtor i Drejtorisë Politike pranë Shtabit të Përgjithshëm; dhe nënkolonel Vasil Konomi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në aeroportin e Zemunit, qytet që sot kufizohet me Novi-Beogradin (Beogradin e Ri), Enverin e priti delegacioni jugosllav me në krye Josip Broz Titon.       

 Në nëntor të vitit 1997, në qytetin Iraklio të Kretës u mbajt samiti i vendeve të Ballkanit. I pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano. Përshëndetet me Sllobodan Millosheviqin dhe i propozon një takim kokë më kokë. Takimi midis tyre është mbajtur në një dhomë të katit të dytë të hotelit, të parashikuar enkas për takime të tilla. Ndonëse i parashikuar të zgjatë 45 minuta, takimi midis tyre ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta. Në samitin e Kretës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Paskal Milo. Për takimin Nano-Millosheviq, në opinionin shqiptar ka pasur reagime të ashpra. Duke qenë se takimi është mbajtur tête à tête, askush s’e di se çka kanë biseduar ata dy.         

Më 12 mars 2010 vajti në Beograd për vizitë dyditëshe zëvendëskryeministri, përkatësisht ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ilir Meta. Ai në Beograd u takua me zyrtarë të lartë të Serbisë. Në kuadër të kësaj vizite ai u ndal edhe në Preshevë dhe në Bujanoc ku u takua me udhëheqësit shqiptarë të pushtetit vendor. 

Më 10 nëntor të vitit 2014, kryeministri Edi Rama vajti në Beograd dhe u takua me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Takimi u mbajt pas ndeshjes së futbollit ndërmjet skuadrave përfaqësuese të Serbisë dhe të Shqipërisë, që u luajt në Beograd më 8 nëntor të atij viti. Në këtë ndeshje u lëshua në fushën e stadiumit harta e Shqipërisë etnike. Thuhet se ky takim qenkësh sugjeruar nga qarqet perëndimore. Pas këtij takimi të Beogradit, me eksponentin e ultranacionalizmit, të hegjemonizmit dhe të ekspansionizmit serb, Vuçiqin, Rama është takuar edhe herë të tjera. Më 21 dhjetor 2019, u mbajt në Tiranë “samiti” i shtetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të këtij Shengeni të Vogël ballkanik vjen në Shqipëri edhe Vuçiqi. Ardhja dhe qëndrimi dyditor i tij në Tiranë dhe në Durrës, nga një pjesë e opinionit shqiptar u prit me reagime të ashpra. 

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, ndodh 51 vjet pas vizitës së Enver Hoxhës. Kishte të tillë që vizitën e Ramës në Beograd e cilësuan si historike. Në të vërtetë, kjo nuk ishte kurrfarë vizite historike. S’ishte fare historike. Historike s’ishte as ardhja e Vuçiqit në Tiranë. Historike cilësohen takimet apo vizitat që rezultojnë me marrëveshje historike midis dy popujve. Këndej Edi Rama hiqet sikur shkrin akullin në raportet me Beogradin, Vuçiqi ndërkaq deklaron se “çështja” e Kosovës mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Me këtë nënkuptohet: “Një ditë Amerika do të dobësohet, ndërsa Rusia dhe Kina do të forcohen. Pas kësaj, Serbia – me ndihmën e Moskës – do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë”.    

*   *   *

Shqipëria e sotme nuk është ajo e vitit 1924, e kohës së Nikolla Pashiqit dhe e Zogut. Nuk është as ajo e vitit 1946 kur Enveri u prit nga Josip Brozi në Beogard. Nuk është Shqipëri e periudhës së monizmit dhe e diktaturës. Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në BE, kështu që  Beogradi nuk ka pse i duhet. Për dallim nga Shqipëria moniste, kjo e sotmja është shtet me sistem pluralist dhe demokratik. Atë e vizitojnë miliona turistë nga gjithë bota. Ata thonë se vend më të bukur se Shqipëria s’ka. Shkruajnë se popull më bujar, më fisnik dhe më mikpritës në rruzullin tokësor nuk kanë parë. Këtë e thonë të huajt. Rrjedhimisht, inferior përballë Tiranës le të jetë Beogradi dhe jo e kundërta. 

Të rinjtë shqiptarë e lënë vendin dhe i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit, jo ngase vendi i tyre s’është i mrekullueshëm, jo ngase bashkëkombësit e tyre s’janë fisnikë. Ata ikin nga pushtetarët dhe nga qeveritarët që nuk janë në krye të detyrës; nga pushtetarët dhe nga qeveritarët që i ka mbuluar dhe i ka verbuar nepotizmi, paaftësia politike, mjerimi intelektual dhe varfëria etike. Ata ia kthejnë shpinën, jo Arbërisë dhe shqiptarëve, por politikanëve të   korruptuar.      

Tirana zyrtare duhet ta dijë se kombi pret nga Beogradi:

– të njohë pavarësinë e Kosovës;

– të respektojë tërësinë e tokave të Kosovës;

– të respektojë sovranitetin e Kosovës;

– të miratojë një rezolutë me të cilën do t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet dhe gjenocidin e kryer që nga viti 1877 e deri në ditën e çlirimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të ndihmuar nga ShBA-ja;

– t’ia kompensojë Kosovës shfrytëzimin e egër kolonialist, që nga viti 1912 e deri në ditën e çlirimit, më 1999;

– t’i paguajë Kosovës reparacion lufte apo zhdëmtim;

– të japë njoftime për fatin e të pagjeturve:

– t’i dënojë kriminelët e luftës që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve,

– ta ndërpresë gjenocidin e heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);

– ta ndërpresë dëbimin e heshtur të shqiptarëve nga Kosova lindore, përkatësisht ta ndërpresë pastrimin etnik të heshtur të asaj pjese shqiptare të robëruar.

Gjenocidin serb në Kosovën lindore, Tirana duhet ta shtrojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet të kërkojnë nga Beogradi që t’i japë fund armatimit dhe militarizimit. Me fjalë të tjera, ata duhet të kërkojnë çmilitarizimin dhe çarmatimin e Serbisë.

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se në dialogun e Brukselit duhet biseduar vetëm për dy çështje:

– për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia; dhe

– për njohjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) ashtu siç i gëzon pakica serbe në Kosovë. 

Serbët në Kosovë përbëjnë 3% të popullsisë. Ata gëzojnë të drejta si asnjë pakicë në Bashkimin e Evropian.    

Tirana, Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të normalizohen pa i plotësuar Beogradi detyrime e sipërthëna. Pasi Beogradi t’i lajë mëkatet e lartpërmendura, që nuk lahen lehtë, duhet pritur edhe disa dekada që të shërohen plagët e shqiptarëve të burgosur, të torturuar, të dënuar, të plagosur, të vrarë, të përdhunuar, të pagjetur.       

Shqiptarët përballë Serbisë duhet të veprojnë, të reagojnë dhe të sillen, jo si Kosovë por si komb.  

       Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: Konflikti shqiptaro-serb, Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT