• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEPRIMET DESTRUKTIVE TË BEOGRADIT NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË RREZIKOJNË PAQEN NË RAJON

November 9, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është e tensionuar. Pas kësaj krize të radhës në BH, si gjithmonë, qëndron Serbia. Që nga themelimi i saj, Republika Serbe ndjek politikë qendërikëse. Veprimet e Millorad Dodikut, i cili është në listën e zezë të ShBA-së, janë në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit. Me synimin e këtij entiteti fantomik për ta krijuar ushtrinë e vet, ky entitet aspiron shkëputjen nga shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkëngjitjen Serbisë. Këto veprime të Serbisë, jo vetëm që e destabilizojnë BH-në, por shpijnë edhe në shpërbërjen e saj. Këto veprimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë do të nxisin edhe reagimin e Zagrebit. Ndryshimi i kufijve në BH nuk do të kishte kaluar pa një konflikt të përgjakshëm, si ai i viteve 1991-1995. 

Rrjedhimisht, kriza e krijuar në BH, mund të ketë reperkusione për mbarë rajonin. Pas kësaj, kërkesat e veta kolonialiste Serbia do t’i intensifikonte edhe ndaj Kosovës. 

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. BH-ja përbëhet pre tre popujve konstitutivë: boshnjakëve (myslimanëve), serbëve dhe kroatëve. Krizën permanente në BH e shkakton Republika Serbe, e cila kurrë nuk iu është bindur organeve të pushtetit qendror. 

Nga kjo flakë e konfliktit nuk do të kursehej as Maqedonia e Veriut, një e treta e popullsisë të së cilës janë shqiptarë etnikë. Kësisoj, i tërë rajoni do të rikthehej në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, periudhë kjo e përshkuar nga gjakderdhja dhe gjenocidi serb në Kroaci, në BH dhe në Kosovë. 

Krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë krijim të entitetit serb në të. Me fjalë të tjera, në Kosovë do të kishim një dodik republikë e cila sapo të krijohej, do të vepronte për t’u shkëputur nga Kosova dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Këtë e tregon qartë kriza permanente në BH e cila tani duket sikur ka arritur kulmin. 

Me politikën e vet klerofashiste, Beogradi synon krijimin e Serbisë së Madhe. Duke qenë satelite politike historike e Rusisë, Serbia dëshiron ta sjellë Rusinë në rajon, pikërisht në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova aspirojnë integrimin në strukturat euroatlantike.

Nëpërmjet Serbisë si dhe forcave të tjera proruse në rajon synon, Rusia synon të krijojë në Ballkan sferën e saj të ndikimit dhe zonën e vet të interesit. 

Para pretendimeve ruse për t’u penetruar në gadishull Fuqitë e Mëdha perëndimore nuk duhet të rinë duarkryq. Fuqitë perëndimore duhet t’i ndërpresin investimet ekonomike në Serbi. Ajo duhet të vihet nën sanksione ekonomike të botës perëndimore. OKB-ja duhet të miratojë rezolutë me të cilën Serbisë duhet t’i vihet embargo për shitjen e armëve. Me fjalë të tjera, asnjë shtet, përfshi Rusinë dhe Kinën, të mos ketë të drejtë t’i shesë armë Serbisë. Militarizimi i Serbisë mund të nxit armatosjen e mbarë rajonit të varfër. 

Me politikën e saj anakronike, retrograde, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste, Serbia është penguesja kryesore e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. 

Kundër kësaj murtaje të zezë të Ballkanit – Serbisë së Madhe, duhet të reagojnë sa më parë Uashingtoni, Londra dhe Berlini. Destabilizimi i rajonit, në kohë të pandemisë Covid-19 dhe të krizës energjetike, rrezikon paqen dhe qëndrueshmërinë edhe në kontinentin e vjetër.

Është momenti i fundit që Fuqitë e Mëdha të Perëndimit të pushojnë ta konsiderojnë Serbinë si të përkëdhelurën e tyre.     Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

FAKTORI POLITIK SHQIPTAR DHE VMRO-ja

November 8, 2021 by s p

Xhelal Zejneli/

Që prej vitit 1991 deri më sot, faktori politik shqiptar ka qeverisur me të dyja partitë politike sllavo-maqedonase, d.m.th. edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-në. Vitet e fundit, LSDM-ja e drejtuar nga Zoran Zaevi u duk sikur u reformua. Ky subjekt politik iu përkushtua procesit të integrimit në organizmat euroatlantik. 

Partia tjetër ndërkaq, VMRO-ja hiqej si parti sllavo-maqedonase – nacionaliste. Gjatë gjithë periudhës së pluralizmit apo të tranzicionit, ky subjekt politik ka synuar të ndërtojë një Maqedoni:

– sllavo-maqedonase;

– unitariste; 

– monoetnike; dhe 

– centraliste. 

Ideologjia kombëtare e VMRO-së ka qenë dhe mbetet nacionaliste, retrograde dhe anakronike. Diskursi politik i kësaj partie ka qenë dhe mbetet romantike dhe ksenofobike, ndërsa retorika politike e saj ka qenë dhe mbetet e llojit të shekullit XIX, antidemokratike dhe antihistorike. 

Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, ky subjekt ka qenë dhe mbetet parti politike thellësisht antishqiptare. Nga ideologjia politike e kësaj partie, i bie që shqiptarët të jenë qiraxhinj në troje të veta.

Sipas VMRO-s, trashëgues të shtetësisë së Maqedonisë janë vetëm sllavo-maqedonasit. Mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë vetëm sllavo-maqedonasit. Shqiptarët nuk janë veçse minoritet apo pakicë kombëtare, njësoj si vllehtë, romët, turqit … 

   Ideologjia nacionaliste e VMRO-s, nuk i zgjidh problemet e Maqedonisë, as në planin e brendshëm dhe as në atë rajonal. Përkundrazi, i thellon ato. 

Pa i zgjidhur çështjet e hapura, si ato të brendshme, ashtu edhe ato rajonale, Maqedonia nuk mund të integrohej në strukturat euroatlantike. Nga kjo rezulton se VMRO-s nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson as sot çështja e integrimit, as në NATO as në BE. 

Në planin e brendshëm, pala sllavo-maqedonase duhej t’i zgjidhte çështjet që ndërlidheshin apo që ndërlidhen me shqiptarët, ndërsa në planin rajonal – çështjet që kishin të bënin apo që kanë të bëjnë me Greqinë, përkatësisht me Bullgarinë.  

Nuk ka qenë dhe nuk është në interes të shqiptarëve të presin pafundësisht integrimin e këtij vendi në NATO dhe në BE. Integrimi i Maqedonisë në organizmat euroatlantikë, për shqiptarët është interes mbi interesa, është kryeinteres.    

Ideologjia politike e VMRO-s e largon Maqedoninë nga familja perëndimore, nga bota demokratike. Ideologjia e saj, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, e çel rrugën për penetrimin e Rusisë në Maqedoni, e sjell ndikimin rus, e shndërron Maqedoninë në zonë ruse të interesit dhe në sferë ruse të ndikimit. 

Me VMRO-në, Marrëveshja e Prespës sot e kësaj dite nuk do të ishte arritur, nuk do të ishte nënshkruar. Rrjedhimisht, Maqedonia do të vazhdonte të mbetej jashtë aleancës politike ushtarake të NATO-s. 

Me VMRO-në, askush s’e di se kur mund të arrihet një kompromis me Bullgarinë. Nga kjo del se rrugët e Maqedonisë për në BE do të jenë të mbyllura. E mbetur pafundësisht jashtë Brukselit, Maqedonia do të lëngojë ekonomikisht. Jashtë Unionit, qytetarët e këtij vendi do të mbeten pa perspektivë. Si pasojë, tendencat e të rinjve për t’u shpërngulur drejt Gjermanisë do të intensifikohen. 

VMRO-ja është parti politike e pareformuar. Është po ajo VMRO e fillimit të pluralizmit. Kjo parti funksionon me idetë romantike të shekullit të kombeve – shekullit XIX. 

VMRO-ja kurrë nuk u distancua prej atyre që brohorisnin:

– shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur;

– dhoma gazi për shqiptarët;

– indianë (kështu i quajti shqiptarët ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska e radhëve të VMRO-së);

– Avio-impeks (Aludim për aeroplanin Jak 40 të kompanisë ajrore Avioipex që u përplas në kodrën e malit Trojan, në afërsi të aeroportit të Ohrit, më 20 nëntor 1993, në orën 23 e 45 minuta, me ç’rast humbën jetën 115 udhëtarë, kryesisht shqiptarë, të cilët udhëtonin në relacionin Gjenevë-Shkup). 

Kjo parti kurrë nuk u distancua prej atyre të cilët nëpër manifestime sportive përdornin fjalë dhe shprehje degutante, e fyenin dhe e shanin femrën shqiptare.

VMRO-ja kurrë nuk e njohu zyrtarisht Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, përkundër faktit se këtë marrëveshje ndërkombëtare e kanë nënshkruar kryetari i shtetit Boris Trajkovski si dhe kryeministri Lubço Georgievski, që të dy të asaj partie. 

Në janar të vitit 2004 duhej të zyrtarizohej Universiteti i Tetovës. Për ta parandaluar apo për ta penguar themelimin e këtij institucioni arsimor, deputetët e VMRO-s në Kuvend, mbanin fjalime maratonike që zgjatnin deri në orët e para të mëngjesit. Në çastin e votimit, u binin me lugë tenxhereve.

Më 27 korrik të vitit 2005 hyri në fuqi Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive. VMRO-ja bëri çmos që ta pengonte nxjerrjen dhe miratimin e ligjit të sipërthënë. U kanos edhe me Gjykatën Kushtetuese.  

Më 11 janar të vitit 2018 u nxor Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili hyri në fuqi më 13 janar të atij viti. Duke qenë se ky ligj bënte të mundur që gjuha shqipe të përdorej në institucionet e pushtetit qendror, përkatësisht vendor, VMRO-ja bëri çmos që ta parandalonte nxjerrjen dhe miratimin e tij. U kërcënua edhe me Gjykatën Kushtetuese edhe me Komisionin e Venecias. 

VMRO-ja kurrë s’e njohu Marrëveshjen e Prespës, të nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, e që hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019. Njësoj si Marrëveshja e Ohrit, edhe kjo e Prespës është ndërkombëtare. Pas të dyjave qëndron Uashingtoni (dhe Brukseli).

Nga sa më sipër del se çdo kërkesë primordiale të shqiptarëve, VMRO-ja e ka pritur në teh të shpatës. 

VMRO-ja nuk donte të dëgjojë që kryetar i Kuvendit të Maqedonisë të bëhet një shqiptar, nuk donte të dëgjojë që ministër i Mbrojtjes, i Financave apo i Punëve të Jashtme të bëhet shqiptari. Kjo tregon se kjo parti ka qenë dhe vazhdon të jetë e kapluar nga obskurantizmi mesjetar. Koha e tregoi se Universiteti i Tetovës s’i bëri dëm askujt. Përkundrazi, aty kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë edhe studentë sllavo-maqedonas. 

Më 9 tetor 2008 Qeveria e Maqedonisë e njohu pavarësinë e Kosovës. Po atë natë, të njëjtën e bëri edhe Qeveria e Malit të Zi. Kjo u arrit, jo me dëshirën e kryeministrit Nikolla Gruevski, por me urdhrin e Uashingtonit. 

Në zgjedhjet parlamentare të para ca viteve, Gruevski u bëri thirrje qytetarëve sllavo-maqedonas që ta votojnë në mënyrë masive VMRO-në, në mënyrë që kjo parti, kur ta themelojë qeverinë, të mos varet prej votave të partive politike shqiptare. Kjo ishte një thirrje antievropiane, antidemokratike dhe antihistorike. Një apel i turpshëm. Të gjithë e dinë, i madh e vogël se pa shqiptarët s’ka Maqedoni. Tendenca për të krijuar qeveri pa shqiptarët, e shuan këtë shtet si flluskë sapuni.    

Më 27 prill të viti 2017 ndodhën ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë. VMRO-ja kurrë nuk u distancua si duhet kjo dhunë barbare. Kjo i ngjante një tentative për grusht shteti. Por, forcat nacionaliste sllavo-maqedonase duhet ta dinë se puçet ushtarake apo grushtet e shtetit sot nuk ndodhin as në Afrikë apo në Amerikën Latine, e jo më në një vend evropian, që synon integrimin në familjen perëndimore. 

Shqiptarët nuk duhet të humbin kohë me të ashtuquajturën Levicë. Nga sa më sipër del se midis këtij grupi dhe VMRO-së nuk ka ndonjë dallim thelbësor. Në Perëndim grupet parapolitike me pikëpamje të skajshme dhe ksenofobike, nuk lejohet të vinë në pushtet, madje edhe kur i fitojnë zgjedhjet, siç ishte rasti me politikanin ultra-djathtist austriak, lider i Partisë së Lirë (Freedom Party of Austria), Jorg Haider (Jörg Haider, 1950-2008). 

*   *   *

Në zgjedhjet vendore të 17 tetorit, përkatësisht të 31 tetorit të vitit në vazhdim, VMRO-ja fitoi 42 bashki, me 228,374 vota apo 444 këshilltarë bashkiakë, ndërsa LSDM-ja 16 bashki, me 187,883 vota apo 375 këshilltarë. Si pasojë e kësaj humbjeje të thellë, kryeministri Zoran Zaev s’kishte si të mos jepte dorëheqje. 

Zaevi humbi ngase:

– arriti kompromis me Athinën dhe e solli Marrëveshjen e Prespës;

– nacionalistët sllavo-maqedonas e fajësonin se gjoja lëshuaka pe para kërkesave të shqiptarëve.

Duke qenë se nacionalistët sllavo-maqedonas e shpallën tradhtar, Zaevi nuk pranoi më të arrinte një marrëveshje edhe me Bullgarinë. Pas një kompromisi me Sofjen, do ta shpallnin edhe kryetradhtar. 

Në anën tjetër, përkundër Marrëveshjes së Prespës, ndryshimit të emrit të shtetit dhe hyrjes në NATO, Brukseli nuk ia çeli Maqedonisë dyert e integrimit në BE.       

*   *   *

Maqedonia është shtet dyetnik: shqiptar dhe sllavo-maqedonas. Faktori politik shqiptar – Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare kurrë nuk duhet të heqin dorë nga mbrojtja e interesit shqiptar.

Arritjet e shqiptarëve këto tri dekada dikujt mund t’i duken pak. Por, mos të vijë puna që edhe këto arritje të nëpërkëmben. Interesi kombëtar është mbi interesin partiak, është interes mbipartiak, mbi interesin e grupeve, të koniunkturave dhe të nomenklaturave. Politika nuk është punë e militantëve partiakë, nuk është punë e shtabeve zgjedhore të lagjeve të qytezave. Politika kombëtare nuk është punë e injorantëve dhe e analfabetëve universitarë me ambicie të sëmura. Hapësira politike shqiptare nuk duhet të shndërrohet në teatër beketian.     

Kërkesat e shqiptarëve këto tridhjetë vjet, nuk kanë qenë kërkesa territoriale. Kanë qenë kërkesa për barazi me palën tjetër. Barazi, jo në dëm të tjetrit, në dëm të askujt. Barazia e shqiptarëve e forcon Maqedoninë e Veriut, e forcon paqen dhe qëndrueshmërinë e saj. Dhe të rajonit. 

Faktorët politikë të këtij vendi duhet ta dinë se nuk ka qëndrueshmëri, demokraci dhe shtet ligjor pa zhvillim ekonomik. Po qe se Maqedonia e Veriut i shmanget rrugës së integrimit, atëherë tranzicioni i saj do të zgjasë pafundësisht.       

  Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I POEZISË “DITËT E NAIMIT”

October 27, 2021 by s p

Çerek shekulli poezi

Xhelal Zejneli 

Prej 21–24 tetor 2021, u mbajt në Tetovë Edicioni jubilar i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Festivalin e hapi drejtori i tij Shaip Emërllahu.  

Në të morën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kama Syvor Kamanda (Kongo), Nivedita Lakhera (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Chad Norman (Kanada), Jorge Medina (Kolumbi), Jona Burghart dhe Esteban Charpantier (Argjentinë), Erling Kitelsen (Norvegji), Rati Raksena (Indi), Mohamed al Amroi (Maroko), Metin Çengiz (Turqi), Atila F. Balazs (Rumani), Triin Somets (Lituani), Tobias Burghart (Gjermani), Mehmet Ismail (Azarbajxhan), Endre Kukureli (Rumani), Agneshka Herman dhe Alicja Kuberska (Poloni), Rosana (Bullgari), Olimbi Velaj dhe Viola Isufaj (Shqipëri), Naime Beqiraj dhe Shqipe Malushi (Kosovë), Marta Markoska, Salajdin Salihu dhe Isuf Sherifi (Maqedonia e Veriut),

Në orën e madhe letrare Globi poetik, 25 poetë i lexuan poezitë e tyre me prezencë fizike, ndërsa 7 poetë në mënyrë virtuale.

Juria e përbërë nga Prof. Dr. Ymer Çiraku, Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Xhelal Zejneli laureat të çmimit “Naim Frashëri” e shpalli poetin Kama Kamanda, ndërsa drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia akordoi titullin “Anëtar Nderi”. 

Në ditën e dytë të programit, poetët vizituan qytetin e Strugës dhe të Pogradecit. Në odeonin e bukur buzë liqenit mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”. Në ditën e tretë u hap ekspozita me fotografi e titulluar “25 vjet Ditët e Naimit”, ndërkaq me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së poetes Silke Liria Blumbah, u dha filmi dokumentar i Narta Emërllahut, “Një vit pas vdekjes sime”. 

Në kuadër të programit, u bë edhe përurimi i pesë titujve të Sh.b. “Ditët e Naimit”: “Tash dhe këtu” i laureates maqedonase Lidija Dimkovska, libri me punime shkencore “Naim Frashëri dhe atdheu”, i studiuesve të huaj dhe shqiptarë, antologjia me poezi e poetëve pjesëmarrës “Simfonia e erës” e përgatitur nga Shaip Emërllahu, vëllimin me poezi “Frymë” i poetit Isuf Sherifi dhe libri poetik dygjuhësh, shqip dhe anglisht “Fjala e gjymtë” i poetit Bujar Plloshtani.

Me rastin e Edicionit jubilar të 25-të u mbajt Konferenca shkencore ,,Ditët e Naimit, Naim Frashëri dhe Silke Liria Blumbach”, me ç’rast studiues dhe poetë shqiptarë e të huaj lexuan dhe depozituan kumtesat e tyre, si: profesori dhe laureati amerikan Xhorxh Vallas nga SHBA, Xhuzepe Napolitano nga Italia, Mr. Jasmina Salija nga Sllovakia, Prof. Dr. Ymer Çiraku, Prof. Dr. Olimbi Velaj, Prof. Dr. Begzat Baliu, Prof. Dr. Myrvete Dreshaj, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prof. Dr. Flamur Shala, Dr. Izmit Durmishi, Prof. Dr. Jeton Kelmendi, Mr. Ndue Ukaj, Prof. Arjan Kallço, poetja Puntorie Muça Ziba, Prof. Xhelal Zejneli, poeti Remzi Salihu, poeti Iljaz Osmani, poeti Bujar Plloshtani, etj.

Në mbrëmjen e natës së tretë u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, ku lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Çmimi letrar “Ditët e Naimit”, që jepet për karrierë letrare iu dha poetit norvegjez, Erlin Kitersen, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit turk Metin Çengiz, çmimi letrar ‘Oeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetes nga Kosova, Naime Beqiraj, çmimin letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë e mori poetja, Viola Isufaj, ndërsa çmimi letrar “Silke/Liria” që jepet për shprehjen poetike iu dha poetes polake, Alicja Kuberska.

*   *   *

Njëzet e pesë vjet me radhë vijnë në qytetin rrëzë Sharit, krijues artistikë, poetë nga të gjitha anët e rruzullit, nga të pesë kontinentet e botës. Që nga fillimi i këtij festivali e deri më sot, kanë ardhur ndër ne rreth 500 krijues të artit të fjalës. Është një manifestim madhështor, festë e vërtetë për adhuruesit e artit poetik. Koncert i vërtetë poetësh, të pritur me zemër nga publiku artdashës. 

Vijnë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga mali i Zi, nga Maqedonia. Vijnë dhe poetë çamë. Vijnë krijues artistikë arbëresh nga Kalabria dhe Sicilia. 

Vijnë poetë të njohur të rajonit të Ballkanit, të kontinentit evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Amerikës Latine, të Izraelit, të botës arabe, të Afrikës, të Tajvanit të largët, të Australisë, të Indisë, të Evropës Lindore.

Në aeroportin e Shkupit poetët e meridianëve të botës priten nga drejtori i festivalit  –  Shaip Emërllahu. Gjatë qëndrimit katërditor në Tetovë, mysafirët i vizitojnë monumentet historike, kulturore dhe arsimore të qytetit: teqenë Arabati, Universitetin e Tetovës, Universitetin e  Evropës Juglindore, Kodrën e Diellit, kalanë ilire të qytetit. 

Në ditët në vijim, poetët e botës përcillen në Strugë, në Ohër, në Shkup, ku mahniten me përmendoren monumentale të Gjergj Kastriotit. Bëjnë homazh para përmendores së Nënë Terezës së Shenjtë. Vendosin lule dhe fotografohen. Të frymëzuar, shumë prej tyre i nxjerrin fletoret dhe thurin vargje për dy figurat gjigante të kombit. Vargje lirike për nënën e gjithë njerëzimit.

Gjatë qëndrimit të tyre në Tetovë, krijuesit letrarë përcillen për në Kosovë. Me këtë rast ata e vizitojnë kryeqytetin – Prishtinën dhe Prizrenin. Të entuziazmuar, e vizitojnë muzeun historik të Lidhjes së Prizrenit. 

Bordi i festivalit, nuk lë pa i dërguar poetët e botës në Shqipëri, për ta parë Pogradecin, qytetin e lirikut të madh, Lasgushit. Vizitojnë kryeqytetin, Tiranën. Që andej shkojnë në Krujën historike. Atje blejnë suvenire me motive kombëtare shqiptare. I marrin me vete për t’ua dhuruar të dashurve të tyre në vendet nga vijnë. Nuk harrohet as Korça, qyteti i serenadave. 

*   *   *

Hapja e festivalit bëhet në mënyrë solemne, në orën 19.00, para Pallatit të kulturës në Tetove, aty ku ngrihet hijerëndë përmendorja e bilbilit të gjuhës sonë, Naimit të Madh, apostullit të shqiptarizmit. Hapja solemne përcillet me këngë e valle popullore të shoqërive kulturore artistike të qytetit. Në ceremoninë e hapjes marrin pjesë qindra qytetarë, adhurues të poezisë. Midis tyre nxënës, studentë, mësues, arsimtarë, profesorë, drejtorë institucionesh arsimore, krijues artistikë, poetë. Me këtë rast, Naimit që duket i gjallë, i vihen lule të freskëta. Pas kësaj, qiellin e Pollogut dhe Sharrit e ndriçojnë fishekzjarrët shumëngjyrëshe. 

Deklamimi i poezive nga poetët e botës, në sallën e madhe të Pallatit të kulturës, është pjesa më e shumëpritur e publikut. Çdo artist lexon ose deklamon në gjuhën e vet. Ka poetë që recitojnë, ka të tillë që gjatë recitimit, edhe aktrojnë. Poezia ka vetëm një gjuhë, atë të fjalës artistike. Gjuhën e tyre e kupton çdo pjesëmarrës në këtë eveniment artistik. Deklamimet përcillen edhe me duartrokitjet e publikut. Në këto çaste të rralla, fjalët e së përditshme sonë banale, zëvendësohen me poezi. Poezi bëhet edhe dialogu. Poetët e meridianëve të rruzullit, me vargjet e veta sjellin jetë dhe sa më shumë vargje të ketë, aq më tepër poezia hyn në jetën tonë, depërton në ne, për të na fisnikëruar dhe për të na mbrojtur nga banaliteti dhe thjeshtësia e përditshmërisë. Poetët manifestojnë emocione artistike, forma dhe ritme, metafora befasuese të dala nga thellësitë e nëndheshme, të ardhura nga larg. Tani, në këtë festë të shpirtit pushojnë kundërthëniet, urrejtjet, përplasjet, konfliktet, zënkat, betejat dhe luftërat. Mesazhet janë njerëzore, porosi paqeje. Çdo gjë zhvillohet në frymën naimiane. Mbizotëron urtia, afria, komunikimi dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit. Prej vendeve nga vijnë, poetët sjellin me vete fragmente jete, tablo me plot surealizëm, preokupime ekzistenciale, dëshira, dhimbje, dëshpërime, vuajtje, zhgënjime,  pikëllime, lëndime, plagë, mbi të gjitha, sjellin dashuri, paqe dhe pajtim. Publiku i përcjell me vëmendje, me përqendrim maksimal. Çdo poezi, aktori i Festivalit i deklamon edhe në shqip. Të duket se po krijohet një Tetovë e re, e shkundur nga pluhuri i së shkuarës, nga barra e mendësisë provinciale. Tani në qiellin tonë të ngrysur ndriçon hijerëndë flaka e valëzuar e qiririt legjendar. Është natë e mirëkuptimit, e lartësuar në dashuri njerëzore dhe hyjnore. Rinë pranë njëri-tjetrit poetë, popujt e të cilëve janë në konflikt shekullor. Palestinezi pranë një hebreu, indiani pranë pakistanezit, greku pranë turkut, kurdi pranë turkut, serbi pranë kroatit. Këtu shtiza s’ka. As bajoneta. Emocionet poetike përcillen nga arsyeja, nga rezoni. Vargjet bëjnë thirrje: “Në këtë njëmendësi, vend ka për të gjithë. E drejta për jetë, për ekzistencë është e patjetërsueshme. Ajo as falet, as dhurohet, as mund të ndalohet”. Gjatë këtyre netëve, rretë e zeza mbi qiellin e Sharrit, zhbëhen, s’janë gjëkundi. Se ku treten nga forca magjike e filozofisë së dashurisë. Njerëzit s’e durojnë dot njëri-tjetrin ngase nuk njihen – thotë shkrimtari kroat Mirosllav Kërlezha. Poetët flasin ndër vete, komunikojnë, njihen, këmbejnë mendime, ide, afrohen me njëri-tjetrin. Drita mbulon terrin, errësirën, besimi i ndërsjellë ia shkon mosbesimit, dashuria ngadhënjen mbi smirën dhe urrejtjen, e sotmja dhe e ardhmja lë pas të shkuarën e largët, plot gjakderdhje. Poeti është ai që, si orakull, edhe në kohët më të pashpresë, synon të ruajë baraspeshën njerëzore të patjetërsueshme. Me fjalën e tij të figurshme i sjell kënaqësi dhe mirësi individit, i sugjeron paqe njerëzimit. Me gjuhë të figurshme i bën ballë luftës, kundërshton të keqen, tiraninë, despotizmin, shtypjen dhe dhunën. Me gjuhën metaforike dhe simbolike del haptas kundër ligësisë, padrejtësisë dhe shfrytëzimit. Metafora është arma e vetme e tij me të cilën mbron të vërtetën. Poeti, me stuhitë përplaset, me vetëtimë i mpin sytë, mu si albatrosi i Bodlerit në lartësitë qiellore. Te “Ditët e Naimit”, tribunë kjo e artistëve, secili është i mbrojtur, i sigurt, i barabartë dhe i respektuar. Ndër artistë s’ka pabarazi, padrejtësi as diskriminim. Këtu shuhen dallimet, ngjyrat, shtresat, ideologjitë. Poezia i ul flamujt e grindjeve, të përplasjeve, të përçarjeve. Duke qenë shpirt fisnik i njerëzimit, poeti dhe poezia mbajnë lart flamurin e mirësisë, të së bukurës. Poetët ndjehen të lirë. Liria është ajo për të cilën treten gjatë gjithë jetës së tyre. Liria është sinonim i poezisë. 

Manifestimi i sipërthënë ndikon fuqishëm në transformimin e shoqërisë sonë, të bashkësisë njerëzore, ngre vetëdijen tonë qytetëruese. Në momente të caktuara historike, poeti është edhe misionar i kombit. I tillë ishte Naimi me qiririn e tij. Të tillë ishin rilindësit tanë. Me vargjet e tyre s’kërkonin dot asgjë më shumë se liri, liri për të gjithë. Poetët që vijnë te “Naimi”, kërkojnë një botë re, ku të ketë jetë për të gjithë, një botë pa uri, pa sëmundje, pa racizëm dhe ksenofobi. Kjo është ajo që i bën të fisme “Ditët e Naimit”, ngase vetë poezia është e fisme në hierarkinë e vlerave njerëzore. Ajo prore bën thirrje për lirinë e ndërgjegjes, për ngadhënjimin e së bukurës, për ndërtimin e raportit human ndërmjet objektit dhe subjekti. Pa poetë, pa artistë, bota do të ishte e zbrazët dhe e varfër, shumë më e varfër se ç’është. 

Në “Ditët e Naimit” marrin pjesë poeta laureatus, d.m.th. krijues letrarë të mëdhenj të lauruar për krijimet e tyre poetike me çmime ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës. Midis tyre ka edhe poeta vates (poet-profet), të tillë që profetizojnë fatin e popujve të vet. Shumë prej tyre, me formën shprehëse të poezisë dhe me synimet emocionale dhe ideore të kthejnë në epokën e simbolistëve, te Bodleri, Malarmeja, Verleni dhe Remboja. Në vend të vargut me ritëm të matur me përpikëri, përdorin vargun e lirë. Por ka prej tyre që i zbatojnë edhe format e vargut të përdorura në të kaluarën. Elemente themelore të gjuhës së tyre poetike janë metafora, ritmi, dhe muzika. Forcën e shprehjes poetike të poezisë së tyre e përforcon zgjedhja e fjalëve, renditja e tyre në varg, përsëritja, pauza. Në lirikat e tyre ata japin pasqyrën e jetës më të plotë dhe më përmbajtësore, të përpunuar me imagjinatën poetike, duke zbuluar kësisoj thelbin e botës dhe duke mundësuar njohjen më të thellë të saj. Ka raste kur ndonjë prej këtyre krijuesve poezitë e veta i ndërlidhin me muzikën dhe me vallëzimin. Motiv i poezisë së tyre është çdo gjë që e shqetëson ndjeshmërinë e njeriut. S’ka kurrfarë kufizimesh ngase edhe dukuritë më të parëndësishme në jetën e poetit, aq sa edhe ngjarjet e mëdha dhe tragjeditë njerëzore, mund të shkaktojnë shqetësime të papritura dhe atmosferë të përshtatshme për veprimtari krijuese. Këta poetë i ripërtërijnë format e hershme lirike por krijojnë edhe forma të reja. Edhe poetët modernë i përdorin format e hershme dhe të vjetra, p. sh. ditirambin, rapsodinë, epitafin, elegjinë, baladën etj. por duke ua dhënë domethënien e vet, duke ruajtur tonin themelor. Me gjuhën poetike të kthejnë edhe te lirikët e lashtësisë, te Alkeu, poetja Safo.              

Poetët e botës informohen, mësojnë për ne. Duan të dinë shumëçka për vlerat tona, për krijimtarinë tonë popullore, letrare artistike, për krijuesit tanë. Janë kureshtar të dinë çdo gjë për ne. Gjuhën tonë, folklorin, krijimtarinë popullore, etnografinë, historinë, heronjtë kombëtarë. Të gjithë, pa përjashtim dinë për Gjergj Kastriotin, për Nënë Terezën, për Ismail Kadarenë. Por kjo sikur nuk u mjafton. Duan të na njohin më shumë. I çmojnë lartë virtytet tona, besën, mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë, trimërinë. E çmojnë lartë lashtësinë e gjuhës sonë, prejardhjen tonë ilire, autoktoninë. Disa prej tyre nuk janë pa informata për ne. Poetin tonë kombëtar, Naimin shumë prej tyre e dinë. E dinë rolin dhe misionin e tij, për të na bërë dritë që të dalim prej territ, prej errësirës mesjetare, prej obskurantizmit. 

Me t’u kthyer në vendet e veta, shumë prej tyre botojnë shkrime për mbresat nga pjesëmarrja në festivalin tonë. Thurin vargje për ne, për nënqiellin tonë, për njeriun tonë, për publikun, për ngjarjen poetike. Shkrimet e veta i përhapin anembanë rruzullit, ndër poetë të tjerë. Kësisoj manifestimi, i bërë vendtakim poetik, shndërrohet në urë që të çon në një zemër tjetër, në zemra të tjera. Nga impresionet e fituara lindin krijime poetike për ne, të cilat në vendet e tyre shndërrohen në vëllime artistike 

Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit” ndan çmime. Laurohen poetët më të mirë, artistët e vërtetë. Kjo detyrë komplekse i përket jurisë treanëtarëshe: njëri nga Shqipëria, tjetri nga Kosova, i treti, nga Maqedonia. Vlerësimi i krijimeve letrare artistike të poetëve bëhet kryekëput me kritere estetike. 

Në festivalin e sipërthënë, tanimë të shndërruar në institucion, kanë marrë pjesë emra të njohur të letërsisë shqiptare, si Ismail Kadareja, Visar Zhiti, Ali Podrimja, Agron Tufa, Azem Shkreli, Adem Demaçi, Abdylazis Islami, Murat Isaku, Basri Çapriqi, Abdullah Konushevci, Primo Shllaku, Mario Bellizi, Rudolf Marku, Kujtim Shala, Ledia Dushi, arbëreshja Kate Xukaro dhe shumë të tjerë.    

Festivali “Ditët e Naimit”, duke e bërë realitete profecinë naimiane, rregullisht ka botuar antologji poezish, poezi nga bota, në gjuhë të ndryshme, tani të sjella në shqip, në gjuhën e perëndisë, siç e quante autori “Fjalëve të qiririt”. Duke përkthyer poetë nga vende të ndryshme të botës i afron shqiptarët me letërsitë, kulturat dhe qytetërimet e afërta por edhe të largëta. Duke organizuar takime poetike, tribuna diskutimesh, promovime vëllimesh me poezi dhe duke bërë prezantime Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit” i afirmon ndër ne dhe në planin ndërkombëtar, vlerat universale më të çmueshme. Mbështetja e veprimtarisë së këtij festivali, me peshë kombëtare dhe shoqërore të jashtëzakonshme, nga institucionet publike  përkatëse, është në dobi të përgjithshme.    

Xhelal Zejneli 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Xhelal Zejneli

ZGJEDHJET VENDORE NË MAQEDONI

October 3, 2021 by s p

Xhelal Zejneli 

  Në zgjedhjet vendore të 17 tetorit të vitit në vazhdim, në komunat me shumicë shqiptare, marrin pjesë kandidatë të shumë partive politike. Ka edhe kandidatë të pavarur. Numër të madh kandidatësh garojnë madje edhe nëpër komunat më të vogla. 

Pjesëmarrja në zgjedhje e shumë kandidatëve shqiptarë në një komunë të caktuar, ndikon në shpërndarjen e votës së qytetarëve të kësaj bashkësie etnike. Shpërndarja e votës së shqiptarëve, mund të ndikojë që në komuna të caktuara të mos fitojë kandidati shqiptar. 

Në komunën e Kërçovës, gjithmonë ka mundësi që drejtimin e saj ta fitojë edhe ndonjë kandidat sllavo-maqedonas. Kjo thekson nevojën që në komuna të caktuara, siç është ajo e Kërçovës, shqiptarët të dalin në zgjedhje, jo me dy apo tre kandidatë, por vetëm me një të përbashkët. Sikundër dihet, faktori politik shqiptar nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje që në këtë komunë të dalë me një kandidat të përbashkët. Po qe se në komunën e lartpërmendur do të shkohet në raundin e dytë, gjë që me siguri do të ndodhë, atëherë mbetet që partitë shqiptare të arrijnë një marrëveshje të re për kandidat të përbashkët. 

Në këto zgjedhje janë krijuar koalicione edhe midis partive shqiptare dhe atyre sllavo-maqedonase. Me fjalë të tjera, një parti shqiptare lidh koalicion me një parti sllavo-maqedonase. Kandidatët që garojnë nuk duhet të mbështeten gjithaq te votat e partnerëve të koalicionit. Asnjë lider partie nuk i ka në xhep votat e votuesve të vet, që t’ia japë njërit apo kandidatit tjetër. Ai mund t’u bëjë thirrje votuesve të vet të votojnë për ty, por askush s’e di sa për qind e votuesve do t’i përgjigjen apelit të tij.           

Komunat me shumicë shqiptare janë specifike edhe për diasporën e vet. Me fjalë të tjera, shumë shqiptarë të këtyre komunave jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Në zgjedhjet vendore të para katër vjetëve, kryetari i komunës së Kërçovës u zgjodh në saje të ardhjes së shqiptarëve që punojnë nëpër vende të Evropës dhe në ShBA. Është vështirë të dihet saktë nëse do të vijnë edhe këtë herë dhe sa do të jetë numri i tyre.

Karakteristikë e pushteteve vendore janë: punësimet fiktive, korrupsioni, nepotizmi, partizimi dhe politizimi i administratave komunale, politizimi dhe partizimi i arsimit dhe i shëndetësisë. Ndër votuesit shqiptarë ka të zhgënjyer apo të dëshpëruar. Është rritur edhe numri i shpërnguljeve, i braktisjes së vendlindjes. 

Në këto zgjedhje fushata paraelektorale duket pak më e zbehtë dhe më anemike se herët e kaluara. Partitë dhe kandidatët e tyre fushatën parazgjedhore e zhvillojnë nëpërmjet studiove televizive dhe mediumeve elektronike. Në ato që i quajnë takime me qytetarët, qytetarë ka pak. Në të ashtuquajturat takime me qytetarët, liderët partiakë dhe kandidatët e tyre flasin me vetveten, për arsye se qytetarë ka pak, për të mos thënë fare. Edhe shtabet partiake nuk funksionojnë si dikur. Nëpër takimet me qytetarët marrin pjesë kryesisht një pjesë e anëtarëve të partive apo militantë partiakë. Edhe militantët nuk sillen si dikur. Janë zbutur. 

Të ashtuquajturave platforma zgjedhore partiake, askush s’ua varr veshin. Këto platforma apo programe, në hapësirat ballkanike nuk çojnë shumë peshë. Letra duron çmos, ndërsa shumë premtime mbeten të parealizuara. 

Në aneminë e fushatës ndikojnë rrethana të caktuara, si:

– Koronavirusi Covid-19:

– Tranzicioni në Maqedoni zgjat që nga viti 1991, d.m.th. tridhjetë vjet;

– Tranzicioni në Maqedoni ende s’ka përfunduar;

– Qytetarët apo votuesit janë të lodhur nga premtimet e partive politike apo të kandidatëve – pjesëmarrës në fushatë;

– Premtimet e partive apo të kandidatëve, qytetarët i konsiderojnë si premtime boshe dhe pa mbulesë. 

Një përqindje e caktuar e qytetarëve:

– Janë shpërngulur d.m.th. kanë ikur nga ky vend dhe kanë vajtur në Perëndim;

– Janë të zhgënjyer nga puna e faktorit politik shqiptar;

– Kanë pritur më shumë, ndaj nuk janë të kënaqur me arritjet e deritanishme;

– Nuk shohin perspektivë në këtë vend, kështu që synim i tyre është largimi nga vendi.

Edhe pas tridhjetë vjet tranzicioni dhe pluralizmi politik, shqiptarët merren me çështjen e ujit të pijshëm, me ndotjen e mjedisit, me ajrin e ndotur, me problemin e depozitimit të hedhurinave, me rrugët plot gropa, me mungesën e rrugëve të reja, me qarkullimin rrugor të ngarkuar, me mungesën e hapësirave të gjelbra, me mungesën e bibliotekave, me varfërinë e jetës kulturore, me mungesën e arsimit cilësor, me mungesën e sistemit shëndetësor cilësor, me mungesën e parkingjeve – tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore, me mungesën e këndeve për fëmijë, me mungesën e çerdheve apo të kopshteve, me mungesën e qendrave sportive, me mungesën e pedonaleve, me mungesë shkollash në zona të caktuara. 

Edhe pas tri dekadave, shqiptarët në Manastir, në fshatrat e Prilepit apo të Velesit, në Resnjë, në zonën e Prespës, në Krushevë – mbeten të diskriminuar.    

Megjithëkëtë, ka edhe gjëra që nuk mungojnë: 

– Ka me tepricë korrupsion, mitë, ryshfet, papunësi, nepotizëm, punësime fiktive, administratë të stërngarkuar, zyra të mbushura me nëpunës të pasistematizuar apo të sistematizuar në mënyrë fiktive; 

– Ka individë apo persona që janë në lista dhe marrin paga duke ndenjur në shtëpi; 

– Papunësi ka, por asnjë fëmijë i pushtetarëve nuk është i papunë; 

– Probleme sociale ka, por asnjë familje e pushtetarëve, e nomenklaturës apo e establishmentit nuk ballafaqohet me vështirësi të tilla; 

– Shpërngulje dhe dyndje popullsie ka, por pushtetarët apo fëmijët e tyre shpërngulen më pak, për të mos thënë fare;

– Studio dhe shtëpi televizive ka, siç ka edhe mediume elektronike, por s’ka mendim të lirë, mendim kritik, shtyp të pavarur;

– Rrugë dhe rrugica ka sa të duash, por vetëm një numër simbolik i tyre mbajnë emra të figurave dhe të personaliteteve nga historia dhe nga kultura kombëtare shqiptare; 

– Shkolla – fillore dhe të mesme ka – por fare pak shkolla të mesme mbajnë emra figurash dhe  personalitetesh të historisë dhe të kulturës së kombit shqiptar; 

Në anën tjetër: 

– Art të mirëfilltë s’ka, mirëpo kiç dhe shund ka sa të duash; 

– Kulturë elitare s’ka, mirëpo ka me të madhe kulturë masive dhe telenovela, ndërsa reality shou vërshon nga të katër anët;

– Biblioteka s’ka, mirëpo ka me tepricë bastore, pijetore, taverna dhe kazino;

– Arsim cilësor s’ka, mirëpo ka shitblerje notash, diplomash, titujsh akademikë, magjistraturash dhe doktoratash;

– Hulumtime, zbulime, shpikje, gjurmime, kërkime nëpër biblioteka dhe arkiva s’ka, mirëpo ka me tepricë tituj akademikë, magjistra, doktorë shkence;

– Shkencë nuk ka, mirëpo inflacion titujsh akademikë ka sa të duash;

– Pedonale s’ka, mirëpo ka me tepricë trotuare dhe hapësira të zaptuara prej ushqimoreve (pilarave), çajtoreve, byrektoreve, ëmbëltoreve, bozaxhinjve, bukëpjekësve, kafeterive, restoranteve, tregtarëve, shitësve nëpër tezgjah, basmaxhinjve, dyqanxhinjve;  

– Thertore s’ka, megjithëkëtë ka mishshitës dhe kasapë që therin bagëtinë në rrugë, si në vende të caktuara afro-aziatike.  

*   *   *

Kërkesat e qytetarëve sot 

Në zgjedhjet vendore nuk dilet me ide të mëdha. Dilet me programe konkrete, të harmonizuara me potencialet financiare reale të komunave që pretendohen. Ndryshe, fjalët e thëna gjatë fushatës parazgjedhore, mbeten premtime pa mbulesë. Politika moderne nuk është retorikë e zbrazët as sentencë moralizuese.  

Para qytetarëve duhet dalë me çështjet që kanë të bëjnë me infrastrukturën e qytetit dhe të viseve rurale. Këtu duhet kushtuar rëndësi asfaltimit të rrugëve, çeljes së rrugëve të reja, ndërtimit të shtigjeve për biçikleta, ndërtimit të pedonaleve, ndërtimit të parkingjve, planit urbanistik, ndërtimit të stacioneve hekurudhore të reja, ndërtimit të tregjeve të gjelbra të reja, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, ndërtimit të kopshteve apo të çerdheve, ndërtimit të këndeve të fëmijëve, zgjidhjes së çështjes së depozitimit të hedhurinave, mirëmbajtjes së shportave të hedhurinave, ruajtjes së mjedisit, ndërtimit të pritave apo të digave për parandalimin e vërshimeve, depolitizimit dhe departizimit të administratës komunale, depolitizimit dhe departizimit të sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, dhënies fund punësimeve mbi baza partiake dhe të farefisnisë, vlerësimit të individëve në bazë të aftësive morale dhe profesionale dhe jo mbi baza të përkatësisë partiake, zhvillimit të turizmit malor, ndërtimit të zonave të lira ekonomike, krijimit të kushteve për sjelljen e investimeve të huaja, marrjes së granteve, shfrytëzimit të fondeve të jashtme, siç ka qenë fondi IPA, mbështetjes së veprimtarisë kulturore, dhënies së bursave nxënësve dhe studentëve të dalluar, mbështetjes së zhvillimit të bujqësisë, të blegtorisë, të hortikulturës, sigurimit të ujit të pijshëm cilësor, pajisjes së shkollave me mjete mësimore bashkëkohore, pajisjes së shkollave me kabinete dhe me laboratorë, trajtimit human të qenve endacakë.

Pjesë e programit të tyre duhet të jenë edhe marrja e masave për ndaljen e shpërnguljes së të rinjve drejt Perëndimit si dhe angazhimi për kthimin eventual të atyre që kanë ikur qëmoti, madje edhe përtej deteve dhe oqeaneve, deri në Amerikë, në Kanada e mbase edhe në Australi. Krijimi i mundësive për qytetarët që punojnë dhe që jetojnë jashtë vendit, të kthehen dhe të investojnë në hapësirat shqiptare. Në veçanti duhet marrë masa për ndaljen e ikjes së trurit. 

Po ashtu, duhet kushtuar rëndësi edhe ruajtjes së rendit, të paqes dhe të qëndrueshmërisë në shkallë komunash dhe më gjerë. Duhet kushtuar rëndësi edhe kultivimit të marrëdhënieve ndëretnike. Aty ku ka zënka, mbi çfarëdo baze qofshin, nuk ka përparim. Pra, kjo është ajo që u intereson qytetarëve, sidomos të rinjve, në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI dhe jo e kaluara apo historia. Historinë e shkruajnë historianët. Ajo mësohet në shkolla. Veprimi politik është akt racional dhe jo aventurë kalorësiake e epokës së Miguel Servantesit. As ëndërr romantike e shekullit XIX. Shoqëria kërkon një jetë më të mirë. Kjo arrihet me punë të ndershme dhe jo me fjalë.

*   *   *

Është nihilizëm të thuhet se asgjë s’është punuar, se asgjë s’është bërë, se asgjë s’është arritur. Sot në skenën politike janë përfshirë edhe të rinjtë. Brezat e vjetër shpejt do të dalin nga skena. Në vend të tyre do të vijnë të rinjtë. Është koha e të rinjve, e njerëzve pa hipotekë. 

Të zhgënjyerit, të dëshpëruarit, të demoralizuarit apo të deprimuarit thonë: “Të gjithë janë njësoj. Si njëri, tjetri. Kushdo që të vijë, do të jetë njësoj. Kushdo që të vijë, ndryshime s’do të ketë. S’kemi të bëjmë me asgjë tjetër, përpos me synimin për të ardhur në pushtet, për të rrëmbyer pushtet. Edhe këta që pretendojnë të marrin apo të rrëmbejnë pushtet, do të abuzojnë dhe do të jenë njësoj si pararendësit e tyre”. 

Të gjithë këta që sot janë në skenë apo që veprojnë në skenë, pothuajse pa përjashtim, kanë qenë pjesë e pushtetit vendor apo e pushtit qendror, kanë qenë në parlament, kanë qenë në qeveri, kanë qenë në organet qeveritare, kanë qenë pjesë të partive “të vjetra”, kanë dalë prej partive të vjetra, kanë ndërruar nga disa parti, kanë kaluar nga një parti në parti tjetër, kanë pasur ambicie politike, kanë qenë karrieristë, kanë dalë ose nga PPD-ja, ose nga PDSh-ja, ose nga BDI-ja, kanë qenë funksionarë të ndonjërës prej tri partive të lartpërmendura; disa prej tyre nga partia mëmë, nuk janë larguar për shkaqe parimore, por për arsye karrieriste. Në botën demokratike, fraksionet që lindin brenda një partie apo ndarja më dysh e një partie, janë dukuri normale dhe demokratike.   

*   *   *

Kryetarët e partive politike duhet t’u thonë kryetarëve të komunave: “Mos punësoni nëpër zyrat e komunave as edhe një person të vetëm, asnjë anëtar, veprimtar apo militant partie”. Veprimtaria dhe angazhimi partiak gjatë fushatës parazgjedhore nuk duhet bërë për të zënë një vend pune apo për të marrë vendim pune. Asnjë komunë nuk mund të funksionojë me trysninë që u bëhet kryetarëve të komunave, duke u thënë: “Më punëso ngase unë kam vrapuar për ty”. 

Xhon Kenedi ka thënë: “Mos pyet se ç’bën shteti për ty, po ç’bën ti për shtetin”. Gjithsesi duhet pyetur se ç’bën komuna për qytetarët, por edhe qytetari duhet ta pyes veten se ç’bën ai për komunën. Qytetari, në përputhje me ligjin, duhet t’i shlyejë detyrimet komunale, t’i paguajë faturat e ujit dhe të hedhurinave, t’i shlyejë detyrimet e tatimfitimit, të tatimit mbi pasurinë dhe pronën. Po të mos e paguash rrymën, telefonin celular, internetin, transmetimin televiziv kabllor – të shkyçin përnjëherë. Po s’e regjistrove veturën një herë në vit, s’mund ta ngasësh atë. 

*   *   *

Në komuna të caktuara, si për shembull në atë të Kërçovës, garojnë edhe kandidatë të pavarur. Kandidatët e pavarur s’e kanë lehtë të ballafaqohen me kandidatët të mbështetur nga partitë politike, sidomos nga partitë që kanë, edhe pushtet vendor, edhe pushtet qendror. Kandidatët e mbështetur nga partitë që kanë pushtet vendor, përkatësisht qendror kanë sasi më të mëdha mjetesh për të zhvilluar fushatë zgjedhore apo për t’i promovuar programet e veta. Përpos kësaj, kandidatët të mbështetur prej partive politike, qofshin ato në pozitë apo në opozitë, kanë pas vetes një makineri të tërë politike, partiake, financiare dhe mediatike. 

Po ashtu duhet theksuar se një kandidat i pavarur, edhe sikur t’i fitojë zgjedhjet vendore, në një kohë kur pjesë e pushtetit qendror është partia oponentë, atëherë kandidati i pavarur has në obstruksionet e pushtetit qendror. Si i tillë, gjatë qeverisjes së komunës ballafaqohet me vështirësi të mëdha.

*   *   *

Edhe këto zgjedhje, sikur ato para këtyre, do të jenë të qeta, pa incidente dhe pa ndonjë problem të theksuar. Është mirë që në votim, duke i respektuar masat kundër koronavirusit Covid-19, të dalin që të gjithë. Me daljen në votim, shqiptarët e dëshmojnë vitalitetin e vet, potencialin politik dhe nivelin politik. 

Ajo që dihet saktë është fakti se qytetarët rëndom kërkojnë dhe duan ndryshime. Duan risi, ide të reja, programe të reja, drejtësi, korrektësi dhe jo abuzime, nepotizëm apo amoralitet. Gjithmonë ka vend për pakënaqësi nga qytetarët.

Në zgjedhjet parlamentare të fundit, qytetarët e Kosovës votuan për të tashmen dhe për të ardhmen, pra jo për të kaluarën. Lufta ka hyrë në histori. Tani bëhet politikë. Është kohë e politikës, e luftës për zhvillim ekonomik dhe social. Asnjë punë nuk bëhet pa mjete financiare. 

Pjesëmarrja në zgjedhje e një numri të madh kandidatësh e fragmentarizon votën shqiptare dhe e ul peshën e saj. Kandidatët duhet të zhvillojnë fushatë të mençur, pa fyerje, pa ofendime dhe pa denigrime. 

Kodi etik i traditës së lashtë shqiptare, që nga koha ilire deri më sot, nuk e lejon fyerjen e tjetrit, sidomos jo, fyerjen e femrës. Kodi etik shqiptar, që nga lashtësia deri më sot, integritetin dhe dinjitetin e femrës e mbron në mënyrë të prerë. Cenimi i integritetit dhe i dinjitetit të një femre paraqet fyerje për çdo femër. Fatmirësisht, në çdo parti të hapësirave politike shqiptare, femrat janë pjesë e procesit politik. Para se të jenë politikane, ato janë para së gjithash nëna, bashkëshorte, motra, bija të prindërve të tyre. Nuk është karakteristikë e shqiptarit të fyejë femrën. Gjatë shekujve, shqiptarja ka lëvizur dhe ka ecur vetë, në të gjitha trojet kombëtare, pa i ndodhur gjë.   

Pretendentët që janë në proces duhet të luftojnë politikisht për çdo votë, të tregojnë urti, maturi dhe modesti. Duhet të angazhohen që në votim të dalin sa më shumë qytetarë. Rregullat dhe normat zgjedhore duhet t’i respektojnë me përpikëri. Epilogu i fundit i këtyre zgjedhjeve do të varet nga raundi i dytë dhe nga koalicionet me partitë e tjera.   

Johan Volfgang Gëte thotë: “Fitorja i përket atij i cili çdo ditë shkon në luftë për të”. Me fjalë të tjera, liri ke aq sa lufton për të. Të rinjtë, perspektivën e tyre duhet ta kërkojnë dhe ta gjejnë këtu, në vendlindje. Për një perspektivë të ndritshme duhet luftuar, duhet punuar dhe duhet vepruar. Politika shqiptare në Maqedoni dhe në rajon, ka qenë dhe është paqësore, stabilizuese dhe euroatlantike. Është koha që Maqedonia e Veriut dhe i gjithë kombi shqiptar të dalin nga periudha e tranzicionit. Nuk është kohë mitesh dhe legjendash. S’fitohet dot lufta me patriotizëm folklorik. Luftërat dhe konfliktet në Ballkan kanë marrë fund. Vetëm Serbia mendon ndryshe. Sakrificat dhe luftërat e shqiptarëve të tridhjetë vjetëve të fundit, kanë hyrë në histori, kanë zënë vend në histori. Luftë nuk bëhet kur t’i kujtohet dikujt.

Të rinjtë sot, me të drejtë duan zhvillim ekonomik, drejtësi, demokraci, shtet ligjor. Asgjë nuk vjen nga qielli. Këto vlera fitohen në beteja politike, me mjete demokratike. Asnjë nga problemet e sipërthëna nuk është i pazgjidhshëm. Reformimi i sistemit politik dhe i partive politike është proces i ngadalshëm, por i pandalshëm. Shqiptarët duhet të dëshmojnë se posedojnë potencial intelektual për ndryshime. Shqiptarët duhet të provojnë se shoqëria shqiptare posedon determinues historikë dhe sociologjikë. Pa këta determinantë, politika mbetet të jetë ambicie e karrieristëve mediokër, pa kurrfarë morali, ideje, ideologjie dhe vizioni. Mbetet të jetë në duart e oportunistëve, të konformistëve, të poltronëve dhe të demagogëve. Të rinjtë nuk duhet të shpërngulen në Evropë. Evropën duhet ta sjellin këtu. Duhet t’i evropianizojnë këto hapësira. Kjo nuk është e pamundur.               

Xhelal Zejneli 

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

KOSOVA DHE PËRMASAT TRONDITËSE TË KRIMEVE SERBE 

September 20, 2021 by s p

Xhelal Zejneli 

Gjatë luftës në Kosovë të vitit 1999 Serbia bëri krime. Ndonëse që atëherë kanë kaluar 22 vjet, shumë pyetje kanë sot e kësaj dite kanë mbetur pa përgjigje.   

Ushtria, policia, njësitë paramilitare apo falangat serbe:

– kanë kryer vrasje;

– kanë vrarë civilë;

– kanë vrarë fëmijë; 

– kanë vrarë njerëz të pafuqishëm;

– kanë ekzekutuar civilë;

– kanë kryer përdhunime;

– kanë dëbuar popullsinë civile nga shtëpitë e veta;

– kanë krijuar varreza masive;

– kanë djegur kufoma;

– kanë hedhur kufoma në lumë;

– i kanë humbur gjurmët e viktimave;

– kanë djegur shtëpi;

– i kanë shkatërruar pronat e popullsisë civile;

– kanë shkatërruar pasuri të tjera të Kosovës.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, vrasjet e sipërthëna konsiderohen dhe përkufizohen si krime lufte, apo si krime kundër njerëzimit. 

  Sipas organizatës Fondi për të drejtën humanitare, të prezantuara në “Librin e kujtimit të Kosovës” (LKK), gjatë luftës së vitit 1999 janë vrarë ose janë zhdukur 10.812 shqiptarë. Shifra e sipërthënë është nxjerrë nga analiza e 31.600 dokumenteve burimesh të ndryshme. Të dhënat burojnë edhe nga deklaratat e viktimave dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës. 

Gjatë luftës së Kosovës, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë vrarë 1133 fëmijë shqiptarë.  

Numri i civilëve shqiptarë të vrarë nga ushtria, nga policia dhe nga njësitë paramilitare serbe sipas komunave: në Gjakovë – 1.022 vetë; në Skenderaj – 984 vetë; në Gllogoc – 804 vetë; në Rahovec – 724 vetë; në Pejë – 561 vetë; në Prishtinë – 466 vetë; në Prizren – 464 vetë; në Vushtrria – 451 vetë; në Suharekë – 434 vetë; në Mitrovicë 417 vetë.  

Me gjithë këtë numër të evidentuar të personave të vrarë nga forcat serbe të sigurisë, edhe 21 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, 1227 civilë shqiptarë konsiderohen të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet gjë.

*   *   *

Në një raport të organizatës së OKB-së për refugjatët (UNHCR) thuhet se në periudhën prej 23 marsit deri më 9 qershor të vitit 1999 nga Kosova u larguan 862.979 refugjatë. Në një raport të OSBE-së thuhet se ndërmjet marsit dhe qershorit të vitit 1999     u dëbuan nga Kosova 863.000 civilë. Amnesty International thekson se deri në fund të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, më shumë se gjysma e popullatës civile të Kosovës jetonin në kampe refugjatësh në Shqipëri dhe Maqedoni.

*   *   *

Në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në Komisionin për persona të zhdukur – të qeverisë së Kosovës, në bazë të kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste personash të zhdukur. Këta persona evidencohen si të pagjetur. Tragjedia e shumicës prej tyre është zbardhur, por për 1.647 persona, sot e kësaj dite nuk dihet asgjë.

Autoritetet e Kosovës, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth 80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç. Pjesa tjetër janë të moshës 41 deri në 60 vjeç. Duhet shtuar se ka pasur edhe raste  rrëmbimesh dhe zhdukjesh të personave të moshës mbi 60 vjeç.

*   *   *

Pas përfundimit të luftës, në Kosovë dhe në Serbi u zbuluan një numër i madh varrezash masive. Në dokumentet e Tribunalit të Hagës shihet se në aktakuzat ndaj të akuzuarve për krime lufte të kryera nga pala serbe, prej marsit të vitit 2000 janë identifikuar 529 varreza masive. Pjesa më e madhe e tyre janë në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

*   *   *

Pas luftës së Kosovës, në Serbi u zbuluan disa varreza masive. Sipas burimeve të Beogradit, në Serbi ka shtatë varreza masive. Në to janë gjetur trupat e shqiptarëve që ishin vrarë në Kosovë. Varreza më e madhe masive u zbulua në Batajnicë afër Beogradit. Në këtë poligon të njësive speciale të Serbisë u zbuluan mbetjet mortore të rreth 930 shqiptarëve. Sipas të dhënave të UNIMK-ut të vitit 2001, në varrezën masive të Batajnicës janë zbuluar 744 mbetje mortore shqiptarësh të vrarë. Po atë vit, në varrezën masive në Petrovo Selo të Serbisë lindore u gjetën 61 mbetje mortore shqiptarësh. Në vitin 2001, në liqenin Peruçac u zbulua një varrezë masive me 84 trupa. Në vitin 2013, në Rudnicë që ndodhet në afërsi të vendkalimit kufitar të Kosovës dhe Serbisë – në Jarinë, u gjetën mbetjet mortore të 52 personave. Në vitin 2020 një varrezë masive u zbulua në Kizhevak afër Rashkës me mbetjet mortore të 17 personave që besohet se janë shqiptarë të Kosovës. Siç shihet, varreza masive e Kizhevakut zbulohet 21 vjet pas përfundimit të luftës. 

S’ka dyshim se për lokacionet e varrezave masive autoritetet serbe kanë pasur informacione, por për to kanë heshtur qëllimisht. Për publikimin e varrezave masive ka munguar vullneti politik. Çdo agresor gjatë historisë i ka fshehur krimet e kryera ndaj popullsisë civile të vendit të sulmuar dhe të pushtuar.  

Për vrasjet, për rrëmbimet dhe për zhdukjet e civilëve në Kosovë, të periudhës prej 15 qershorit të vitit 1999 deri në fund të dhjetorit të vitit 2000 flet edhe drejtorja e FDH– Natasha Kandiq. 

*   *   *

Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, llogaritet se ka pasur rreth 20.000 viktima të dhunës seksuale të kryera nga ushtria, nga policia dhe nga falangat serbe ndaj femrave shqiptare. Për këtë ka folur para Kongresit amerikan edhe ish-kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Për përdhunimet e kryera në Kosovë nga pushtuesit serbë, sot e kësaj dite nuk është  përgjigjur askush. Deri në vitin 2018, për verifikimin e statusit të personit të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, kanë parashtruar kërkesë 1050 femra. Këtu janë përfshirë abuzimet apo dhuna seksuale të kryera brenda periudhës prej 27.02.1998 deri më 20.06.1999.       

 Të dhëna për dhunën seksuale në Kosovë të kryer në periudhën e lartpërmendur jep Komisioni për njohjen dhe për verifikimin e statusit të personave të dhunuar, i themeluar pranë qeverisë dhe që zyrtarisht e ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Po kështu, vepron edhe Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës. Shumë raste të dhunës seksuale janë trajtuar më herët edhe nga organizatat joqeveritare. 

*   *   *

Shkatërrimi i pronave civile nga forcat jugosllave, përkatësisht serbe në 1999 konstatohet edhe në një raport të Human Rights Watch të pasluftës. Duke cituar një sondazh të UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, kjo organizatë raporton se rreth 40 % e  shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar plotësisht. 

Nga gjithsej 237.842 shtëpi, 45.768 sosh u dëmtuan rëndë, ndërsa 46.414 u shkatërruan. Serbët dëmtuan edhe shkolla dhe objekte fetare. Sipas vlerësimit të dëmeve të kryer nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në Kosovë, më shumë se një e pesta e tyre ishin dëmtuar rëndë dhe më shumë se 60 për qind ishin shkatërruar plotësisht.

*   *   *

Përgjegjës për shtyllën IV që kishte të bënte me rindërtimin dhe me zhvillimin ekonomik, ishte Bashkimi Evropian. Pas luftës, në kuadër të misionit të UNMIK-ut, për një periudhë prej tre vjetësh, për të rindërtuar Kosovën e shkatërruar nga lufta, kishte vlerësuar një kosto prej të paktën 4 miliardë dollarë. Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës duhet të jetë pjesë e rëndësishme e dialogut që rifilloi në vitin 2020. Në këtë dialog duhet biseduar me ngulm edhe për personat e pagjetur. 

*   *   *

Sipas studimeve të ekspertëve ekonomikë të Kosovës, gjatë luftës Serbia i ka shkaktuar Kosovës dëme në një shumë prej rreth 22 miliardë eurosh. Këtu janë përfshirë dëmet e shkaktuara në sektorin publik, në atë privat, në fondin e pensioneve. Janë përfshirë edhe depozitat e qytetarëve etj. 

Gjatë luftës, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në sektorin privat. Beogradi dhe Uashingtoni e Berlini duhet t a dinë se prona private është e paprekshme dhe e mbrojtur edhe me Konventën për të drejtat dhe liritë e njeriut. Me sa më sipër duhet të njihen edhe Uashingtoni, Berlini dhe Londra.  

S’ka normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, s’ka fqinjësi të mirë me të, derisa Beogradi të mos e zbardhë çështjen e të pagjeturve, të mos kërkojë falje për vrasjet dhe ekzekutimet, të mos pendohet dhe të mos kërkojë falje për fëmijët e vrarë dhe të ekzekutuar, të mos i paguajë dëmet e luftës apo reparacionin e luftës. S’ka normalizim marrëdhëniesh, as Ballkan të hapur derisa Serbia të mos e njohë sovranitetin e Kosovës, tërësinë tokësore dhe pavarësinë e saj. S’ka fqinjësi të mirë me Serbinë, derisa Beogradi të mos i japë fund politikës klerofashiste të saj.   

*   *   *

Historia e lavdishme e Kosovës, qëndresa heroike e saj gjatë tërë shekullit XX përballë pushtuesve dhe kolonialistëve serbë, lufta për jetë a vdekje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroike, epike dhe legjendare duhet të mësohen dhe të studiohen – vite me radhë – nëpër të gjitha shkollat dhe universitetet e kombit shqiptar në rajon.    

Xhelal Zejneli 

Filed Under: Analiza Tagged With: Krimet Serbe ne Kosove, Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET
  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT