• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAQEDONIA DHE PRANVERA E PRAGËS

April 12, 2016 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/

Kjo që ndodh në Maqedoni, nuk mund të ndodh në asnjë vend të rajonit. E sikur të ndodhte, atëherë populli i atij vendi do të dilte në rrugë dhe do të protestonte, deri në rënien e pushtetarëve. Në Maqedoni, përkundër një qeverisjeje autoritare dhe abuzimeve të pushtetarëve, nuk kemi reagim përkatës të shoqërisë.

Në vende të caktuara ku pushtetarët e kanë keqpërdorur pushtetin, nëpërmjet një puçi ushtarak apo grusht shteti, ka reaguar ushtria. Puçe ushtarake apo grushte shteti, në vendet evropiane nuk ndodhin apo ndodhin shumë rrallë. Në Turqi për shembull, kur politikanët nuk kanë qenë në krye të detyrës, shpesh ka ndodhur të reagojnë qarqet ushtarake.

Në vendet evropiane, në rast krizash politike, ekonomike dhe sociale reagojnë: partitë opozitare, populli, organizmat e shoqërisë civile, shoqatat joqeveritare, sindikatat. Reagimet bëhen nëpërmjet protestave apo mosbindjes civile – pasive ose aktive. Pas revoltës qytetare, pason dorëheqja e kryetarit të shtetit ose e kryeministrit. Ka raste kur bie qeveria dhe shpërndahet parlamenti.Në vendet me demokraci të konsoliduar nuk ndodh rënia e qeverisë, as shpërndarja e kuvendit. Në ato vende jep dorëheqje pushtetari. Pas kësaj vepron ligji, veprojnë organet e rendit dhe të drejtësisë. Pushtetari që ka keqpërdorur pushtetin merret në përgjegjësi ligjore, politike dhe etike.

Në Maqedoni ndërkaq, përkundër krizës së thellë politike, ekonomike dhe morale, nuk ndodh asgjë.

  • Nuk ka revoltë apo protesta masive të qytetarëve,
  • Opozita politike nuk ka potencial politik të organizojë protesta masive,
  • Nuk reagojnë organet sindikale.

 Shoqëria civile dhe organizmat e saj, nuk janë të organizuar sa duhet, as të përkufizuar sa duhet. Të tilla janë edhe mediumet. Me një fjalë, organizmat e shoqërisë civile   dhe mediumet, si sllavo-maqedonase ashtu edhe ato shqiptare, janë:

  • të varura, dhe
  • jo mjaft profesionale.

Organizmat e shoqërisë civile dhe mediumet, qoftë sllavo-maqedonase, qoftë shqiptare, i shërbejnë çdo kujt dhe askujt. Janë në shërbim, sa të pushtetit, aq edhe të opozitës. Preokupim kryesor i mediumeve, në tregun e konkurrencës, është mbijetesa.

Një pjesë e mediumeve në Maqedoni është nën kontrollin e rreptë të pushtetit. Ndërkaq, mediumet që hiqen të pavarura, luftojnë për ekzistencë. Disa medium janë me potencial profesional të kufizuar. Ka edhe të tilla që nuk e kanë të përkufizuar politikën redaktuese. Si të tilla, ato i shërbejnë gjithkujt dhe askujt.

Në një vend me opozitë politike të dobët apo të pakonsoliduar, mediumet e kanë vështirë ta përkufizojnë politikën redaktuese.

Përse në Maqedoni, përkundër krizës së thellë politike, nuk ndodh asgjë?! Janë shumë arsye:

– Maqedonia është vend dyetnik, shqiptaro-sllavomaqedonas, ndaj homogjenizimi bëhet mbi baza etnike dhe jo mbi baza politike, ekonomike apo sociale;

– Populli sllavo-maqedonas është i ndarë më dysh, në proserb dhe në probullgar,

– Faktori politik sllavo-maqedonas është i ndarë në faktor politik proserb dhe në faktor politik probullgar;

– Shoqëria në Maqedoni është provinciale, ka mendësi provinciale dhe funksionon me kritere provincial;

– Maqedonia nuk ka kurrfarë traditash demokratike;

– Maqedonia është shtet social ku çdo individi i intereson, ose të ruajë vendin e punës, ose të zërë një vend pune, ose të sigurojë një ndihmë sociale;

– Inteligjencia sllavo-maqedonase nuk ka potencial intelektual të mjaftueshëm dhe është nën nivelin e inteligjencies së rajonit;

– VMRO-ja me politikën e saj nacionaliste, populiste, sociale dhe antishqiptare, opozitës politike – LSDM-së, ia ka ngushtuar hapësirën e veprimit;

– Faktori politik ndërkombëtar nuk lejon një destabilizim të Maqedonisë.

Duke qenë se sllavo-maqedonasit injorohen prej fqinjëve bullgarë, serbë dhe grekë, VMRO-ja mendon se nacionalizmi i saj është i arsyeshëm dhe është në funksion të ndërtimit të identitetit të këtij populli. Rrjedhimisht, politikën e LSDM-së e konsideron si antimaqedonase dhe në favor të shqiptarëve.

Politika e VMRO-së, ndonëse nacionaliste, në thelb është antimaqedonase dhe kundër interesave strategjikë dhe afatgjatë të Maqedonisë. Një politikë e tillë është retrograde, anakronike, në kundërshti me frymën e kohës, në kolizion me tendencat evropiane dhe euro-atlantike.

Gjatë kësaj krize politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni, faktori shqiptar dhe subjektet politike të tij, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë plotësisht të paorganizuar, të pakonsoliduar, të papërgatitur dhe pa kurrfarë vizioni apo ideologjie kombëtare.

Ideologjitë politike kombëtare dhe vizionet apo platformat politike kombëtare nuk janë çështje individësh apo grupesh politike – të padefinuara, të pakonsoliduara, të paorganizuara.

Krizën në Maqedoni e ka shkaktuar VMRO-ja, me ndihmën e shërbëtores së saj  të dëgjueshme dhe të devotshme – BDI-së. Rënia e VMRO-së, nënkupton automatikisht edhe rënien e instrumentit të saj, BDI-së. Ata që e kanë shkaktuar krizën e thellë politike, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes së saj. Shkaktarët e krizës politike duhet të ballafaqohen me përgjegjësi politike, morale dhe ligjore, e jo të synojnë mbetjen në pushtet. Mbetja në pushtet e abuzuesve përmasash galaktike, ndodhte vetëm në vendet e Amerikës Latine në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Në vendet me demokraci të konsoliduar kurrë s’ka ndodhur një gjë e tillë.

Vitet e fundit, Partia Demokratike Shqiptare nuk ia doli të luante rolin e opozitës në hapësirën politike. Askush nuk mund të veprojë politikisht, derisa është nën hipotekë. Grupet politike shqiptare – LR-PDSH, RDK dhe Lëvizja Besa nuk janë veçse segmente dhe fragmente të padefinuara, të pakonsoliduara dhe të paorganizuara që dalin nga zhguna e dy të parave – PDSH-së dhe BDI-së, të cilat janë nënprodukte të PPD-së së dikurshme.

Sot çështje shqiptare nuk ka. Nëse kauza shqiptare nuk u zgjidh me luftën e 2001 shit, atëherë është utopi të mendohet se këtë do ta bëjnë grupet politike të sipërthëna. Sidoqoftë, dalja e tyre në skenën politike është hap pozitiv, për t’i dhënë fund monopolit politik të BDI-së – të ngulfatur nga joprofesionalizmi, të zhytur në korrupsion, të tronditur nga skandalet e përgjimeve dhe peng i hipotekave.

Aeroplani i liderit të BDI-së ka kohë që endet mbi hapësirën politike, pa itinerar dhe pa destinacion të përcaktuar. Bashkimi i opozitës politike shqiptare, këtë fluturake pa pilot që endet e çorientuar, do ta detyronte të aterojë.

Kauza kombëtare nuk është punë partish apo grupesh politike. Kauzat kombëtare janë çështje e marrëveshjes historike midis dy popujve. Marrëveshjet e tilla nuk arrihen kur t’i kujtohet ndokujt. Ato ndodhin njëherë në pesëdhjetë vjet. Pët t’i imponuar palës sllavo-maqedonase një marrëveshje historike, nevojitet që i tërë faktori politik shqiptar në Maqedoni të krijojë një front unik dhe të ripozicionohet në hapësirën politike shqiptare. Kjo nënkupton injorimin e institucioneve të pushtetit vendor dhe qendror të shtetit, deri në arritjen e një marrëveshjeje historike. Mirëpo, partitë politike shqiptare, të etshme për pushtet, rendin pas pushtetit pa pushtet, me arsyetimin se këtë e kërkojnë ndërkombëtarët dhe qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana me Prishtinën. Krejt kjo, për hir të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Pjesë e kësaj klisheje, ç’prej kohësh banale, është edhe sintagma: politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese.

BDI-ja dhe PDSH-ja që me vite kanë qenë në pushtet, nuk kanë kredibilitet të duhur, as politik dhe as moral, për të imponuar një marrëveshje politike të re. Madje përgjegjësia e BDI-së është shumë më e madhe, për arsye se:

– është parti e dalë nga lufta e 2001-shit;

– ka pasur pas vete pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar;

– ka pasur 19 deputetë në kuvendin e këtij vendi;

– në pushtetin vendor ka qeverisur 14 komuna me shumicë shqiptare;

– prej vitit 2002 deri më sot, disa mandate është pjesë e qeverisjes, me një përjashtim prej dy vitesh.

 

Interesat dhe privilegjet personale dhe koniunkturale janë në mospërputhje me interesin e përgjithshëm. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar: BDI-ja e çorientuar dhe e pareformuar, PDSH-ja që hiqet si opozitare dhe grupet politike të padefinuara – LR-PDSH, RDK dhe Lëvizja Besa – nuk janë në nivelin e momentit historik. Po qe se BDI-ja nuk reformohet, do ta pësojë fatin e PPD-së. Ndërkaq, kur të fillojë procesi i reformimit, atëbotë klanet e saj do të shndërrohen në fraksione.

Në shtetet ku vepron ligji, edhe kryeministri vihet para përgjegjësisë, siç ishte rasti me ish-kryeministrin kroat Ivo Sanaderin. Në Maqedoninë e paligjshme, s’ka kush i nxjerr para drejtësisë Gruevskin, Mihajllkovin dhe Jankullovskën. Madje as Prokuroria speciale. VMRO-ja duket sikur kanoset: Nxjerrja para drejtësisë e Gruevskit, do të shkaktojë protesta masive të vmro-istëve. Kjo të përkujton skenarët e Millosheviqit në kohën e jogurt-revolucionit. Qeverisja autoritare e VMRO-së, e mbështetur verbërisht nga BDI-ja, i diskrediton edhe angazhimet shumëvjeçare dhe të pakursyera të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes për ndërtimin e një sistemi demokratik dhe multietnik në Maqedoni.

Zgjedhjet e 5 qershorit nuk do ta nxjerrin Maqedoninë nga kriza. Përkundrazi, kriza do të thellohet akoma më shumë. Maqedonia kishte nevojë për një revolucion të kadifenjtë, siç ishte dikur pranvera e Pragës.

Revolta të tilla mund të bëjnë vetëm popujt e qytetëruar.  

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE PRANVERA E PRAGËS, Maqedonia, Xhelal Zejneli

ADEM DEMAÇI, SIMBOL I QËNDRESËS SHQIPTARE

March 1, 2016 by dgreca

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes/

Nga Xhelal Zejneli/

Adem Demaçi lindi në Prishtinë më 26.02.1936. Është veprimtar për çështjen kombëtare në Kosovë, por edhe për të drejtat e njeriut. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd. Në vitet ’50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, vjersha dhe përkthime letrare.

U bë i njohur me veprën “Gjarpinjtë e gjakut” që u botua në vitin 1958 e që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim. Pas daljes nga burgu më 1961, vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari, në vitin 1964 u dënua me 15 vjet heqje lirie. Në gjyq mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur ndër shqiptarët në Jugosllavi. Më 8 qershor 1974 u lirua nga burgu, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990.

Për qëndresën e tij gjatë 28 viteve në burg, si disident në Jugosllavi, në vitin 1991, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg.

E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë detyrë e mbajti deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqje, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999).

Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Demaçi ka mbajtur ligjërata në Degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas ka ushtruar veprimtari shoqërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ndër shqiptarë, njihet edhe si baca Adem.

Është një ndër figurat më madhore të kombit shqiptar. Është i njohur edhe në skenën ndërkombëtare. Është simbol i qëndresës së shqiptarëve në Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të serbëve, të malazezëve dhe të sllavo-maqedonasve ndaj shqiptarëve. Ideal i bacës Adem ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, përkatësisht krijimi i Shqipërisë etnike. Ky atdhetar i dorës së parë është një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Është nderi dhe krenaria e kombit. Me një fjalë, është institucion në vete. Nuk është anëtar i asnjë partie dhe nuk voton për asnjë parti, edhe pse para rreth një viti e gjysmë ka deklaruar se e mbështet krahun e luftës. Nuk ka dashur të formojë parti politike, vetëm e vetëm që të mos shkaktojë përçarje në hapësirën politike shqiptare. E kanë quajtur Mandela i shqiptarëve.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Adem Demaci, ne 80 vjetor, Xhelal Zejneli

UMBERTO ECO, eruditi, enciklopedist i majave më të larta

February 20, 2016 by dgreca

In memoriam/

UMBERTO EKO (05.01.1932 – 19.02.2016)/

Nga Xhelal Zejneli/

Umberto Eko ka lindur në Alessandria/Piemont në vitin 1932. Është teoricien, kritik letrar dhe romancier italian. Ka diplomuar filozofinë në Torino. Ka qenë profesor universitar i estetikës, i semiotikës dhe i komunikimeve vizuale në Bolonjë. Ka ligjëruar në shumë universitetet të mbarë botës. Një kohë ka qenë anëtar i Grupit 63 neoavangardist. Ka jetuar në Milano dhe sistematikisht ka bashkëpunuar në revistat javore të botuesve prestigjiozë. Si semiolog dhe kritik letrar, fitoi mirënjohje me librat Vepra e hapur (Opera aperta, 1962), Apokaliptikë dhe të integruar (Apocalittici e integrali, 1964), Struktura e munguar (La struttura arsente, 1968), Përkufizimi i artit (La definizione dell’arte, 1969), Traktati i semiotikës së përgjithshme (Trattato di semiotica generale, 1975), Lector in fabula (aluzion për fjalën e urtë latine lupus in fabula, 1971), Mbi pasqyrat dhe ese të tjera (Sugli specchi e altri saggi, 1985), Kufijtë e interpretimit (I limiti dell’interpretazione, 1990).Derisa në Veprën e hapur veprën artistike e përkufizon si të hapur për një numër të pakufizuar interpretimesh dhe jep pasqyrën e evoluimit të teksteve letrare sipas hapjes së qëllimshme dhe të organizuar, në Strukturën e munguar, heq dorë nga strukturalizmi, për të theksuar në esenë Lector in fabula rolin e kontekstit, duke i vënë edhe kufizime të caktuara lirisë së lexuesve, gjë të cilën e përpunon në vijim në veprën Kufijtë e interpretimit.

Si romancier, i befasoi lexuesit me veprën e vonshme Emri i trëndafilit (Il nome della rosa, 1980), që është një roman kriminalistik, metafiziko-semiologjik, me një titull konotativ dhe me fabul mesjetare, të ngjeshur me inter-tekstualitet.

Duke bërë një lëvizje prej neo-avangardizmit drejt postmodernizmit, ky roman paralajmëroi një kapitull të ri në prozën italiane.

Romani i dytë Lavjerrësi i Fukosë (Il pendolo di Foucault, 1988) është strukturuar në gradacionin konceptual të shkencës sekrete kabalistike, në një distancë gjeografike prej Parisit muzeor deri në Brazilin okult, me aluzion për Italinë neorealiste – të lënë më një anë. Rrëfimi për templarët nëpërmjet lojës së tre fantastëve kalon në tragjedi dhe është një rrëfim i një realiteti të sfiduar dhe hakmarrës.

Romani i tretë Ishulli i ditës paraprake (L’isola del giorno prima, 1994) e lidh ekzotikën e lundrimit me temën robinsoniane (Robinson Kruso) të të vetmuarit, të dyzuar me pasqyrë “me unin tjetër”, me begati barokiene të çudirave të kohës së luftës dhe të kohës së paqes. Ngjarja zhvillohet në hapësirë dhe në kohë të relativizuar, me një monolog të brendshëm disi të tensionuar.

Ky erudit dhe enciklopedist i majave më të larta, është autor edhe i shumë veprave të tjera.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: enciklopedist, eruditi, i majave, UMBERTO ECO, Xhelal Zejneli

NOLI – KY VIGAN LIBERATOR

January 7, 2016 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/
Fan Noli (1882-1965) ose Theofan Stilian Noli, ishte udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane dhe figurë e shquar poliedrike e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe e politikës shqiptare. Lindi në fshatin Qytezë (Ibrik Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë evropiane, më 6 janar 1882. I ati, Stilian Noli, ishte një fetar i shquar dhe psalt në korin e kishës. Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene. Në vitin 1900 u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë si kopist, sufler apo aktor. Me një shoqëri teatrore të atjeshme vajti në Egjipt. Në vitet 1903-1905 punoi si mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, ndërsa në vitet 1905-1906 punoi si mësues në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu shkroi një numër artikujsh greqisht dhe e përktheu në greqisht veprën e Samiut Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?, të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në Egjipt u lidh me udhëheqës të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?/1844-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915).
Në prill të vitit 1906, me një biletë avulloreje u nis për në ShBA, duke kaluar nga Napoli dhe më 10 maj mbërriti në Nju-Jork. Pas tre muajsh qëndrimi në Bufallo, vajti në Boston. Këtu, botuesi Sotir Peci (1873-1932) e angazhoi si zëvendësredaktor në gazetën Kombi të Bostonit, ku punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Këtu i lidh me bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 themeloi në Boston shoqërinë Besa-Besën.
Në këtë kohë, shqiptarëve të Amerikës u humbte durimi nga ndikimi grek mbi kishën. Më 1907 Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve nga mbarë New-England. Këtu delegatët morën vendim të themelonin Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pra autonome, me Nolin si të parë. Më 9 shkurt 1908, Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 u shugurua prift ortodoks. Më 22 mars 1908, në sallën Knights of Honor të Bostonit, Noli 26-vjeçar, për herë të parë, mbajti kryelartë liturgji në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën Dielli, tribunë e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë, me ç’rast vizitoi kolonitë shqiptare në Kishinjev (kryeqyteti i Moldavisë), në Odesë, në Bukuresht dhe në Sofje. Me t’u kthyer në ShBA, më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën (1875-1942), i cili kishte ardhur në ShBA më 1909 – themeluan Federatën Panshqiptare Vatra, e cila u bë organizata më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Tani Noli ishte bërë i njohur si një prej udhëheqësve të bashkësisë shqiptare në ShBA, por edhe si shkrimtar dhe botues i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Pasi kishte mbaruar Universitetin e Harvardit, më 1913 u kthye në Evropë. Në mars të vitit 1913 ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes, të organizuar nga Faik Konica.
Në korrik të vitit 1913 Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe këtu, më 10 mars 1914, në prani të princit gjerman të një familjeje protestante Vilhelm Vid (1876-1945) kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe. Në gusht 1914 Noli vajti në Vjenë për t’u kthyer në ShBA në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 e deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri kryeredaktor i Diellit të Bostonit, tani gazetë e përditshme. Në korrik 1917 Noli u bë përsëri kryetar i Federatës Vatra e cila, përballë gjendjes së rrëmujshme në Shqipëri, zuri ta shohë veten si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 themeloi të përmuajshmen në gjuhën angleze The Adriatic Review, e cila u financua nga Vatra, për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ Noli e redaktoi në gjashtë muajt e parë, për ta vazhduar drejtimin e tij Kostandin Çekrezi (1892-1959). Për të propaganduar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, me fondet e Vatrës të mbledhura nën drejtimin e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u dërguan në Paris, në Londër dhe në Uashington. Më 24 mars 1918, Noli u emërua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në ShBA, kurse në korrik të atij viti, ndoqi në Mount Vernon, Virginia, një konferencë të popujve të shtypur, ku u takua me presidentin amerikan Vudro Uilson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Më 1920, tanimë i afirmuar si udhëheqës politik dhe fetar i bashkësisë shqiptare, si shkrimtar, orator dhe analist politik, Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua anëtare e kësaj organizate. Kjo ishte një arritje politike e jashtëzakonshme e Nolit. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment të saj të datës 23 korrik 1924, e cilësonte Nolin si “një burrë që në çdo vend do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist i politikës ndërkombëtare, polemist i zoti, që në fillim ai la mbresa të thella në Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas me një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglisht dhe në frëngjisht”. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri dhe nga viti 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin e Shqipërisë. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit (1880-1940), por pas ca muajve dha dorëheqje. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri, edhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozitë kryesore kundër forcave të Ahmet Zogut (1895-1961), të cilat mbështeteshin nga çifligarët feudalë dhe nga klasa e mesme. Më 22 prill 1924 u vra deputeti Avni Rustemi (1895-1924). Në varrimin e tij, Noli mbajti një ligjëratë të zjarrtë që e ndezi opozitën liberale. Kjo periudhë e Shqipërisë është quajtur Revolucion i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Noli u shpall kryeministër dhe pas pak kohe regjent i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua të përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që ishin tej mase të rënduara. Por programi i tij me 20 pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar për një vend pa tradita parlamentare. Në një letër dërguar një miku anglez, ai do të shënonte më vonë arsyet e dështimit të tij: “Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë ndeza zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba mbështetjen e masave fshatare”. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat e Zogut në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe kaloi disa muaj në Itali. Më pas Noli kaloi disa vjet në Gjermani dhe në Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e “Miqve të Bashkimit Sovjetik” në kremtimin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, ndërsa më 1930 u kthye në ShBA. Në Boston themeloi të përjavshmen Republika, që vetë me emrin e saj i bënte një kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 ishte shpallur Zogu I, Mbret i Shqiptarëvet. Kjo gazetë u botua edhe si opozitë ndaj Diellit, që tani e drejtonte Faik Konica, i cili ishte pajtuar me Mbretin Zog dhe ishte bërë ministër fuqiplotë (ambasador) i Shqipërisë në Uashington. Me përfundimin e afatit të vizës në ShBA, Noli u kthye në Gjermani, kurse gazetën Republika e mori në dorë Anastas Tashko, derisa u mbyll më 1932. Më 1932 Noli ia doli të kthehej në ShBA, kur iu dha edhe lejeqëndrim i përhershëm. U tërhoq nga jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 Noli u sëmur. Duke qenë se nuk qe në gjendje të përballonte shpenzimet e mjekimit, u detyrua të pranonte si dhuratë 3.000 franga ari nga Shqipëria, për ironi pikërisht nga kundërshtari i tij i betuar Ahmet Zogu. Ky gjest solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut dhe i zbuti marrëdhëniet shpesh të ndera me Faik Konicën. Më 1935 iu kthye pasionit të tij të madh, muzikës dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. I pakënaqur vetëm me detyrat ekleziastike, Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku më 1945, me një disertacion për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, mori doktoraturën. Në vitet e para pas përfundimit të Luftës II Botërore, Noli mbajti marrëdhënie deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si “peshkop i kuq” i bëri mjaft armiq ndër qarqet e mërgimtarëve në Amerikë dhe shkaktoi polarizime mes tyre. Më 1955, Federata Vatra i dhuroi atij një shumë prej 20.000 dollarësh, me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll, Florida, ku edhe vdiq më 13 mars 1965 në moshën 83 vjeç.
Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku ai bëri emër. Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe.
Veprimtaria letrare dhe shkencore – Drama në tre akte Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907. Është një tragjedi 48 faqesh e shkruar më 1902, që mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, histori e njohur e Samsonit dhe Dalilës. Kjo është një nga të rrallat pjesë teatrore shqiptare të kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi.
Noli ndjeu nevojën e teksteve liturgjike në gjuhën shqipe ndaj i hyri përkthimit të liturgjive dhe të ritualeve ortodokse që u botuan në dy vëllime: Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909 dhe Librë e të kremteve të mëdha të kishës orthodoxe, Boston 1911, me 315 faqe.
Pason studimi historik për jetën dhe epokën e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut: Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921, botuar në shqip, 285 faqe. Varianti anglisht mban titullin George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Nju-Jork 1947 dhe është fryt i disertacionit të doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945. Vjen studimi tjetër shkencor mbi figurat e mëdha të së kaluarës – Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe Napoleoni. Dashurinë për muzikën Noli e manifestoi me veprën Beethoven and the French revolution (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng) Nju-Jork 1947, 117 faqe.
Noli është edhe poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë. Ajo është përmbledhur në vëllimin me titull Albumi, Boston 1948. Vëllimi përmban poezi politike, që pasqyrojnë aspirata dhe frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Këtu janë edhe dy elegjitë, si Syrgjyn-Vdekur, poezi prekëse e shkruar në Berlin, kushtuar shkrimtarit dhe atdhetarit të madh Luigj Gurakuqit (1879-1925) të vrarë në Bari të Italisë më 2 mars 1925 nga një agjent i Zogut. Elegjia tjetër Shpell’ e Dragobisë i kushtohet Bajram Currit (1862-1925) të vrarë në Dragobi më 29 mars 1925 nga agjentët e shovinistëve serbë, të prirë nga Ceno Kryeziu. Në këtë vëllim janë përfshirë edhe poezitë prekëse me frymëzim biblik, si Moisiu në mal dhe Marshi i Krishtit.
Ndihmesa kryesore e Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, gjë që vihet re në përkthimet që bëri. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në dialektin e jugut, duke rreshtuar përkrah tij edhe Faik Konicën. Përvoja e Nolit si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e kulturës botërore, me anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten, me greqishten etj. i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen dhe ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
Përkthimet e Nolit – Përktheu katër tragjedi të Shekspirit (1564-1616): Otello, 1916, Makbethi, Hamleti dhe Jul Qesari, Bruksel 1926. Përktheu nga anglishtja dy pjesë të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906) Armiku i popullit dhe Zonja Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926. Pason përkthimi i fuqishëm në shqip i pjesës së parë të Don Kishotit të Miguel De Servantesit (1547-1616) nën titullin Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës, Boston 1932/1933. Pjesa e dytë e kësaj vepre u përkthye nga Petro Zheji (1929-14.03.2015) dhe u botua në Tiranë më 1977, bashkë me përkthimin e Nolit. Pason romani Kasollja (1921) (La tarraca, 1898) i romancierit spanjoll Visente Blasko Ibanjez (1867-1928). Rubairat, Bruksel 1924, Noli i përktheu nga varianti anglez i poetit Eduard Ficxherëlld (1809-1883). Përkthimin e Rubairave të poetit të madh dhe të matematikanit persian Omar Khajan (1048-1131), Noli e botoi me pseudonimin Rushid Bilbil Gramshi dhe ua kushtoi poetëve persianë Nizami (1140-1209) dhe Hafiz (1326-1390). Ky përkthim është ndër më të përkryerat e Nolit. Është një kryevepër krijuese, po aq e lartë sa edhe përkthimi në anglisht i Eduard Ficxherëlldit. Është i vetmi përkthim letrar i Nolit që nuk është yshtur nga synime didaktike.
Duke qenë poliglot, Noli përktheu poezi të autorëve evropianë dhe amerikanë të shekullit XIX, ndër ta poetin gjerman Johan Volfgang fon Gëte (1749-1832), dramaturgun, poetin dhe autorin e romaneve historike – skocezin Sër Uollter Skot (1771-1832), poetin gjerman me prejardhje hebreje Hajnrih Hajne (1797-1856), poetin dhe shkrimtarin francez Viktor Hygo (1802-1885), poetin romantik rus Fjodor Tjutçev (1803-1873), poetin dhe dramaturgut francez Aleksis-Feliks Arver (1806-1850), poetin amerikan, autor i poemës Skënderbeu – Henri Uotsuorth Longfellou (1807-1882), poetin amerikan, pararendës i simbolizmit Edgar Allen Po (1809-1849), shkrimtarin amerikan Herman Melvil (1819-1891), autorin e Albatrosit Sharl Bodler (1821-1867), poetin dhe eseistin francez, fitues i parë i Çmimit Nobel për letërsi Arman Syli Prydom (1839-1907) dhe simbolistin francez Pol Verlen (1844-1896).
Noli dhe Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në ShBA, nuk i kanë kushtuar një energji të madhe krijimtarisë letrare. Për arsye historike dhe politike, kulti i frymës kombëtare ndër shqiptarët e asaj kohe ka pasur përparësi ndaj kultit të së madhërishmes estetike. Ndonëse shkroi pak letërsi të mirëfilltë, Noli mbetet gjigant i letërsisë. Ai dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet të plotë letrar e krijues. Tanimë ishte krijuar një gjuhë letrare moderne.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ky vigan liberator, noli, Xhelal Zejneli

KONFERENCA E RAMBUJESË DHE BISEDIMET E BRUKSELIT

January 2, 2016 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/
Politika e përtashme e Serbisë në rajon është destabilizuese. Pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste të saj ndaj ish-republikave të Jugosllavisë, nuk kanë pushuar fare.
– Me Kroacinë – është në konflikt permanent;
– Në Bosnjë dhe Hercegovinë, në kundërshti me Marrëveshjen e Dejtonit, mbështet tendencat separatiste të Republikës Serbe;
– Në Mal të Zi nxit veprimet destruktive të elementeve proserbe që i konsideron si kolonë të pestë, duke synuar ta shndërrojë atë në vasal të vet;
– Maqedoninë synon ta mbajë nën sferën e vet të ndikimit, ndërsa sllavo-maqedonasit i nxit kundër shqiptarëve. Para do kohësh vendosi në kufi tabelën me mbishkrimin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, edhe pse e ka njohur atë me emrin kushtetues;
– Me shqiptarët është në konflikt historik;
– Ndaj Kosovës – ndjekë politikë agresive dhe luftënxitëse.
Serbia e sotme pra, ndjek politikë militariste. Ajo ka qenë dhe mbetet satelite politike e Rusisë dhe është përçuese e interesit rus në Ballkan. Një Serbi e tillë, e udhëhequr nga kryetari Tomisllav Nikoliq, nga kryeministri Aleksandër Vuçiq si dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ndjek politikë destruktive, destabilizuese, anakronike, retrograde dhe luftënxitëse.
Ideologjia kombëtare e Serbisë së sotme, është ajo e kohës së Ilija Garashaninit, e Vlladan Gjorgjeviqit, e Jovan Cvijiqit, e Vasa Çubrilloviqit dhe e Dobrica Qosiqit. Ideologjia kombëtare e Serbisë së sotme është ajo e Memorandumit të akademikëve serbë, të botuar në janar të vitit 1986, që u quajt nekrolog i Jugosllavisë së Titos.
Politika e sotme e Beogradit është vazhdim konsekuent i politikës serbomadhe, ekspansioniste dhe hegjemoniste të Nikolla Pashiqit, të karagjorgjeviqëve, të Aleksandër Rankoviqit, të Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit.
Më 1992 Serbia e nisi luftën në hapësirat e ish-Jugosllavisë: në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Në këto luftëra, serbët vranë mijëra vetë. Mijëra të tjerë u plagosën, ndërsa një pjesë e popullsisë joserbe u detyrua të shpërngulet.
Ndaj shqiptarëve në Kosovë, në periudhën e viteve 1877-1999, Serbia ndoqi politikë kolonialiste, politikë gjenocidi dhe politikë aparteidi.
Për krimet e kryera në hapësirat e ish-Jugosllavisë në periudhën e viteve 1989-1999, përfshi dhe pastrimin etnik të territoreve, Serbia nuk u dënua sa duhet dhe si duhet nga bashkësia ndërkombëtare.
* * *
Serbia nuk i njeh bisedimet e Konferencës së Rambujesë të mbajtur afër Parisit, më 16.02.1999 dhe as Planin e Ahtisarit për Kosovën. Bisedimet në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit:
– mohojnë bisedimet e Konferencës së Rambujesë;
– mohojnë Planin e Ahtisarit.

Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë bisedime me Serbinë në Bruksel, për arsye se:

– në kushtetutën e Serbisë, Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e saj;
– ato janë në kundërshti me bisedimet e Rambujesë;
– ato janë në kundërshti me Planin e Ahtisarit.

Plani i Ahtisarit parashikonte që serbët e Kosovës t’i kenë institucionet e tyre vendore dhe jetën komunale, me lidhje të vazhdueshme me Serbinë, por brenda kornizës së një Kosove multietnike. Me planin parashikoheshin edhe komuna të tjera me shumicë serbe – përfshi edhe Mitrovicën e veriut – me elemente të rëndësishme të vetadministrimit në lëmin e arsimit, të shëndetësisë dhe të çështjeve sociale, duke përfshirë edhe rolin në zgjedhjen e shefit të policisë vendore. Komunat do të kishin të drejtën e financimit të tyre, të bllokimit të granteve nga pushteti qendror dhe të financimit nga Beogradi. Mund të formonin asociacione me komuna të tjera, duke përfshirë edhe ato në Serbi. Serbëve në këto komuna u lejohej të jetonin në të njëjtën kohë, në Kosovë dhe në Serbi. Përcaktohej në hollësi edhe roli i pushtetit qendror të Kosovës ndaj Beogradit, rregullorja në fushën e arsimit etj. Me një fjalë, Plani i Ahtisarit, pakicave në Kosovë u siguron të drejta, duke përfshirë pjesëmarrjen në pushtetin qendror, vetadministrimin vendor, lidhjet ndërmjet komunave vendore me shumicë serbe si dhe lidhje me Beogradin.
Plani i Ahtisarit u implementua në jug të Kosovës, përfshi edhe disa komuna me shumicë jo-shqiptare. Veriu i Kosovës ndërkaq, mbeti jashtë institucioneve dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) ndaj plani aty nuk u jetësua.
Plani i Ahtisarit ishte një kornizë për zgjidhjen e konfliktit rreth veriut si dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe të sovranitetit të Kosovës. Me kërkesën e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon dhe me mbështetjen e pesë shteteve perëndimore (KUINT) – ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në periudhën e viteve 2005-2007, Planin e ndërtoi ish-presidenti i Finlandës – Marti Ahtisari.
Me gjithë këtë plan, serbët që përbëjnë rreth 5% të popullsisë së Kosovës, përsëri ishin të pakënaqur. Shqiptarët në Maqedoni përbëjnë rreth 30% të popullsisë së përgjithshme. Megjithëkëtë, gjuha shqipe vazhdon të jetë jozyrtare.
Degradimi i Planit të Ahtisarit filloi me lansimin e idesë Ahtisari plus, që nënkuptonte planin gjashtëpikësh të Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Kjo çonte në krijimin e një asociacioni serb në Kosovë, me të drejta dhe me kompetenca politike, juridike dhe ekzekutive.

Si mund të ketë bisedime me Serbinë në Bruksel:

– kur krerët politikë serbë vazhdimisht deklarojnë se ajo kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës;
– kur ajo bëri çmos për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO;
– kur anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, i dha dimension politik, edhe pse organizata e sipërthënë kryesisht ka karakter kulturor;
– kur ka rinovuar radarët e saj ushtarakë në Kopaonik, duke lëvizur kësisoj edhe vijën e kufirit që ndan Kosovën me Serbinë;
– kur në jug të territorit të saj ka përqendruar forca të mëdha ushtarake;
– kur gjatë krizës së Ukrainës, synon të sjellë Rusinë në Ballkan.

Krijimi i të ashtuquajturit asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, është projekt thellësisht antishqiptar, përkatësisht projekt kundër Kosovës. Me të cenohet tërësia tokësore e Kosovës dhe sovraniteti i saj. Pas një kohe të shkurtër, këtë farë asociacioni, Serbia do të tentojë:
– ta shndërrojë në entitet serb në Kosovë;
– entitetin serb ta shndërrojë më pas në një republikë serbe, si ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë;
– një ditë, këtë farë entiteti fantomik, ta shkëpusë nga Kosova dhe t’ia bashkëngjisë Serbisë.

Me një fjalë, Serbia e Nikoliqit, e Vuçiqit dhe e Daçiqit, synon ndarjen e Kosovës, përfshi edhe uzurpimin e minierës së Trepçës.
Sapo arrihej një marrëveshje në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit, Tirana zyrtare dhe opozita politike rendnin të dilnin me deklarata dhe me prononcime të llojit: “…përshëndesim marrëveshjen e arritur në Bruksel…”.
Mirëpo, protestat e bllokut politik opozitar të Kosovës – të Lëvizjes Vetëvendosje, të AAK-së dhe të NISMËS, të mbështetura edhe nga shumë qytetarë e Kosovës, tregojnë se jo çdo marrëveshje e arritur në Bruksel midis kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit, përkatësisht ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaçit, në një anë, si dhe Vuçiqit dhe Daçiqit, në anën tjetër, është për t’u përshëndetur.
Organet kompetente të Kosovës duhet t’i lirojnë të arrestuarit që i kundërshtuan marrëveshjet me Serbinë, përkatësisht me Malin e Zi që kanë të bëjnë me asociacionin dhe me demarkacionin. Protestat e opozitës politike të Kosovës dhe të qytetarëve të saj duhet të jenë të qeta dhe joviolente.
Nuk ka shqiptar në trojet etnike shqiptare në Ballkan, as edhe në diasporë, që e pranon të ashtuquajturin asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, fare nuk është dashur të pranojnë bisedime për një asociacion të tillë. Bisedimet për një çështje të tillë janë në kundërshti të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për një çështje të tillë nuk mund të organizohet as referendum. Për çështje të tilla nuk ka mandat të bisedojë apo të vendosë asnjë individ, qoftë ai kryetar shteti apo kryeministër. Çështjet e tilla janë punë kushtetute.
Rrjedhimisht, marrëveshja e Brukselit midis kryeministrit Isa Mustafa dhe atij serb Vuçiq për krijimin e këtij farë asociacioni, duhet të hedhet poshtë, të denoncohet, të abrogohet dhe të suprimohet. Me një fjalë, të mos miratohet, as të ratifikohet. Pas kësaj, nënshkruesi i marrëveshjes nga pala kosovare duhet të mbajë përgjegjësi politike, kombëtare dhe morale.
Serbia duhet t’i japë fund politikës së saj agresive ndaj Kosovës. Më parë se të kërkojë krijimin e një asociacioni serb në Kosovë, ajo duhet të lejojë krijimin e entitetit shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), të entitetit mysliman në Sanxhak, si dhe të rikthejë autonominë e suprimuar të Vojvodinës. Është bizare të kërkosh për vete atë, që nuk je i gatshëm t’ua njohësh të tjerëve.
Pushtetarët e Kosovës kanë gabuar edhe lidhur me shënimin e kufirit me Malin e Zi. Çështjet e tilla i tejkalojnë mundësitë e individit apo edhe të ekspertëve – jo mjaft të përgatitur profesionalisht. Të gjithë e dinë se shqiptarët në Ballkan kufizohen me vetveten. Me fjalë të tjera, kufijtë e tyre në rajon, janë kufij shqiptaro-shqiptarë.
* * *
Bisedimet e Brukselit midis Prishtinës dhe Beogradit dëshmojnë se faktori politik ndërkombëtar ka rënë nën trysninë e diplomacisë djallëzore, demonike apo satanike serbe – për bisedime shtesë, post Rambujesë. Beogradi ka marrë krah nga politika ekspansioniste pansllaviste e neostalinistit Vlladimir Putin. Beogradi duket sikur thotë: Do të mbrohen interesat serbe në rajon. Vice versa, do të keni Hanibal ante portas, d.m.th. Rusinë në rajon.
Duke e ulur udhëheqjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve në Bruksel, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, lëshojnë pe para diplomacisë agresive dhe politikës luftënxitëse serbe. Në këtë mënyrë, Uashingtoni synon ta dobësojë miqësinë midis Serbisë dhe Rusisë, ta parandalojë rënien e saj në sferën ruse të ndikimit, si dhe animin nga Moska.
* * *
Në anën tjetër, aleatët perëndimorë të shqiptarëve – për shumë arsye – janë të zhgënjyer me ta:
– Shqipëria, edhe pas 25 vjet pluralizmi politik, nuk ia del të ndërtojë shtet ligjor, shtetin e së drejtës, t’i zhvillojë proceset demokratike, të ndërtojë institucione demokratike, të bëjë çpolitizimin dhe departizimin e administratës publike, të organizojë zgjedhje të lira që nuk do të kontestohen nga pala humbëse;
– midis shumicës parlamentare dhe opozitës politike, edhe pas 25 vjet pluralizmi, mbizotëron një konflikt i ashpër politik, si në asnjë vend të rajonit;
– veprimet e paligjshme, abuzimet, korrupsioni, pasurimi brenda natës, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ndodhen në shkallë brengosëse;
– që nga viti 1991 e këndej, në hapësirat shqiptare në Ballkan, e sidomos në Kosovë, më shumë rëndësi iu kushtua ndërtimit të objekteve dhe të tempujve fetarë, sesa ndërtimit të fabrikave apo të ndërmarrjeve prodhuese, që do të zbusnin papunësinë dhe varfërinë dhe do të parandalonin tendencat për shpërnguljen masive të të rinjve.
– në vitet e fundit dhe pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, kudo në hapësirat shqiptare në gadishull, në segmente të caktuara të shoqërisë, filluan të paraqiten elemente të radikalizmit islamik. Një numër i caktuar shqiptarësh nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia, iu bashkëngjitën radhëve të shtetit islamik.
Të befasuar, aleatët perëndimorë shtruan pyetjen: Shqiptarët gjatë kohës së Millosheviqit, kishin probleme fetare, apo problemin e sundimit serb?! Preokupim kishin, fenë që s’ua ndalonte kush, apo kauzën kombëtare, d.m.th. çlirimin nga zgjedha serbe?!
Shqiptarët duhet t’ua bëjnë me dije qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes:
– se janë popull politik;
– se janë popull historik;
– se kanë kapacitet shtetndërtues;
– se janë popull properëndimor;
– se funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave;
– se aleanca me ShBA-në dhe me Gjermaninë është interes strategjik i tyre.
Perëndimi ndërkaq, duhet të pushojë ta shpërblejë Serbinë e cila vazhdon të preokupohet me të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, këtë murtajë të zezë të Ballkanit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bisedimet, e Brukselit, KONFERENCA E RAMBUJESË DHE, Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT