“Kërkojnë 48 mijë shoferë në Kanada!”
“Kërkojnë punëtorë në Gjermani”, “Gjermania kërkon rreth 1.8 milionë punëtorë nga Ballkani!”
Këto janë lajmet që qarkullojnë nëpër mediat shqiptare!
Janë fakenews? Shqiptarët nuk presin as pyesin që të marrin vesh nëse janë të vërteta apo gënjeshtra! Po ia mbathin!
Nga ana tjetër janë me qindra mijëra ata që mbushin formularë për Green Card apo marrin ikën ku të mundin! Janë me diploma dhe bëjnë punë të rëndomta.
Janë inxhinierë dhe punojnë nëpër restaurante apo pastrojnë zyra.
Mjekët ndërkohë i kanë hyrë gjermanishtes dhe nuk do të kalojë shumë e spitalet në Shqipëri do të mbushen me mjekë me diploma fallco apo diploma të shitura!
Sipas statistikave jo të freskëta gjatë këtij tranzicioni gati 30 vjeçar Shqipërinë e kanë lënë 3 milionë shtetas që tashmë kanë formuar diasporën e pas diktaturës, ndërsa në vendin e shqiponjave kanë mbetur 2.7 milionë, një pjesë e mirë të moshuar dhe pensionistë.
Truri ka fluturuar jashtë vendit, aty kanë mbetur ata që kanë marrë mastera dhe doktoratura të plagjatuara. Fenomeni brain drain, Human capital flight – ose fluturim i kapitalit njerëzor është një fenomen që nuk ndalet në Shqipëri.
Edhe pse dihet se shpresa vdes e fundit, rezulton që në Shqipëri shpresa është arratisur nga vendi. Shqiptarët nuk besojnë tek asnjëra palë politike, e kanë humbur shpresën për të nesërmen dhe ndërmarrin aktin final, heroik duke lënë vendin e tyre, aty ku balta është më e ëmbël se mjalta!
Sepse të ikësh, të lësh shtëpinë, të ikësh nga qielli yt që ke mbi krye është sikur të presësh rrënjët dhe me rrënjët kraheve të endesh nëpër botën ku s’të njeh dhe s’të pret akush për të gjetur një tokë skërkë, për t’i mbjellë rrënjët e vijuar jetën! Ky është një akt dramatik, epik, heroik! Për patriotizëm nuk bëhet fjalë, sepse kur nuk ke minimumin e ekzistencës që të siguron një jete me dinjitet, kur nuk ke punë e siguri, patriotizimi është i fundit që të vjen ndërmend.
Diaspora 3 milionëshe është shumë më sensibël se ata që kanë mbetur aty! Tanimë e ngulitur në Perëndim, diaspora është pjesë e Perëndimit, por ata që ikën nuk janë më të rinj, ndërsa ata që lindën tashmë të rinj, pjesa më aktive, janë vendosur shumë mirë, integruar për të mos thënë asimiluar! Megjithatë diaspora mbetet një burim i fortë shprese!
Sot mediat dhe portalet shqiptare e kanë të sigurt klikueshmërinë kur japin lajme të tilla si “kërkojnë 48 mijë shoferë në Kanada” apo “Gjermania kërkon 1.8 milionë punëtorë nga Ballkani” e më the të thashë. Këto lajme konkurojnë lajmet më pikante të kronikës rozë apo fotografive e videove hard!
Mediat në Shqipëri janë pjesë e establishmentit hajn e majmur në lluks që për t’i ruajtur privilegjet e pamerituara e ka ssi strategji largimin e shqiptarëve nga atdheu. Që pastaj aty të mbetet llumi politik me enturazhin e vet, plus pensionistët me pensionet të pamjaftueshme as për të mbajtur frymën gjallë. Establishmenti hajn ka bodyguard mafien dhe militantët e administratave plus shërbëtorët e llumit, guzhinierët, shërbyesit që u pastrojnë vilat, që u punojnë kopështet, që ata të farmakosin bio, parukeritë, sallonet e bukurisë, botokseve, kirurgjisë plastike, mani pediküre-et, eskortave me dokoratura me buzë, gjoks’ e të pasme të fryra me silikon dhe hostelet për qentë e macet e aristokracisë të llumit, krijuar këta 30 vjet, që për të siguruar ngulitjen e tyre ilegjitime i intereson çngulitja e shqiptarëve!
Por harrojnë se çngulitjet apo çrrënjosjet shoqërohen me kataklizma!
Vakuumet dhe zbrazjet mbushen!
E llogaritë nuk dalin gjithmonë!
A nuk do të ishte më mirë që të ndalet çrrënjosja e shqiptarëve dhe në vend të tyre le të çrrënjoset ky llum që natë e ditë përjarget në lluksin vanitoz por që e ka si objektiv të mbijetesës së tyre zbrazjen e Shqipërisë?!
A do të jetë rinia që do t’i ç’rrënjosë dhe zbrazë Shqipërinë nga ky llum?!
Le të shohim se çfarë do të na sjellë 2019!
Uroj më të mirën për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ndodhen!