Nga Elida Buçpapaj & Skënder Buçpapaj/
Prologu/
Qyteti i Bazelit ka këtë vit një ngjarje të rëndësishme kulturore. Fondacioni Beyeler me një emër të shkëlqyer në botë feston 20 vjetorin. Por historia e tij ka nisur shumë më përpara. Ajo lidhet me emrin e Ernst Beyeler dhe Hildy Kunz, 80 vjet më parë.
Disa fjalë për Ernst Beyeler dhe Fondacionin Beyeler
Fondacioni Beyeler është një institucion i krijuar për vlerësimin e veprave të artit modern dhe bashkëkohor përmes Muzeumit të vet që ndodhet në Riehen, pranë Bazelit. Muzeu është vepër e arkitetit të njohur italian Renzo Piano.Fondacioni mban emrin e krijuesit të tij, Ernst Beyeler, biri i një nëpunësi të hekurudhës.
Ernst Beyeler njihet si një nga Art-Dealer, shit-blerës dhe koleksionistët më të mëdhenj të botës që pas luftës së dytë botërore. Koleksionet e tij kanë një vlerë prej rreth 2 miliardë $.
Ernst Beyeler lindi në Bazel në vitin 1921, studioi histori dhe ekonomi në Universitetin e Bazelit dhe që në moshë të re u punësua tek një librari antikuaresh me pronar Oskar Schloss, një refugjat gjerman që kishte ikur nga Gjermania për t’iu larguar persekutimit nazist si një diktaturë kundër çdo forme të autonomisë kulturore. Kjo periudhë ishte e rëndësishme dhe fondamentale për Beyeler sepse Schloss me një kulturë të gjërë intelektuale i transmetoi djaloshit të ri pasionin për letërsinë dhe filozofinë e artit.
Pas vdekjes të Schloss në 1945, Beyeler, që ndërkohë ka përfunduar studimet, bëhet pronari i dyqanit. Por nuk ishte e lehtë aspak. Në këto momente të vështira Beyeler u ndihmua financiarisht nga shoqja dhe bashkëshortja e tij e ardhme Hildy Kunz. Gradualisht prej 1952, libraria u shndërrua në galeri artesh.
Që në fillim Beyeler u dallua jo vetëm si galerist, por edhe si koleksionist. Shija e tij ishte e pagabueshme dhe bashkë me gruan ata filluan të administronin kryevepra të botës të artit. Ai krijoi lidhje me galeristë të njohur dhe muzeumet më të famshëm të botës.
Në zhvillimin e karrierës së tij, në fillim të viteve ’60 luajti rol blerja e 340 veprave të artit nga bankieri, industrialisti dhe koleksionisti amerikan G.David Thompson. Koleksioni përmbante vepra të Braque, Cézanne, Paul Klee, Léger, Matisse, Monet, Picasso, dhe Mondrian. Beyeler po ashtu bleu nga Thompson 70 punime të Alberto Giacometti-t që janë ndarë midis Muzeumeve të Artit në Zürich, Bazel dhe Winterthur. Me kalimin e kohës koleksioni i tij vendosi edhe fatin e së ardhmes për të krijuar një qendër muzeale për 250 vepra arti në pikturë dhe skulpturë të emrave të tillë si Van Gogh, Lichtenstein, Bacon, Monet, Braque, Picasso, Mondrian, Giacometti, Seurat, Klee, Rodin, Matisse, Calder, Degas, Chagall…
Muzeumi u krijua nga një arkitekt me emër të madh si ai i italianit Renzo Piano. Sikur tregon vetë Piano, midis tij dhe Ernst Beyeler u krijua një lidhje shumë e fortë, një lloj simbioze midis miqsh dhe artistësh. Muzeumi përfundoi në vitin 1997, pra 20 vite më parë. Ai është projektuar deri në detajet më të hollësishme për të përmbushur misionin. Në inaugurimin e tij, ata ishin të dy të pranishëm, edhe Ernst Beyeler edhe bashkëshortja e tij Hildy Kunz. Kunz e la këtë botë në vitin 2008, ndërsa Beyeler në 2010. Ata nuk patën fëmijë. Fëmija e tyre ishte pikërisht Fondacioni Beyeler me thesarin e vlerave të kulturës që ka fituar një emër kaq të madh sajë pasionit dhe përkushtimit të tyre për artin.
Kjo është historia e studentit Ernst Beyeler që e nisi aktivitetin e tij si ndihmës tek libraria me antikuare e Oskar Schloss-it, ndërsa sot me emrin e tij identifikohet dhe krenohet jo vetëm Bazeli, qyteti i tij i lindjes por edhe e gjithë Konfederata Helvetike.
20 vjetori i Fondacionit Beyeler hapet me ekspozitën e Claude Monet (14.11.1840-5.12.1926)
Edhe po të ishin gjallë Beyeler dhe Kunz, besoj se do të kishin bërë të njëjtën zgjedhje për të hapur kremtimet e 20 vjetorit të Fondacionit të tyre! Me një ekspozitë nga Claude Monet!Në hapjen e ceremonisë festive merrte pjesë edhe Voal, në kuadrin e APES në vijim të bashkëpunimit konstant me institucionet e Zvicrës.Me këtë rast Fondacioni Beyeler dha një konferencë shtypi që i priu përurimit të ekspozitës të njërit prej mjeshtrave më të mëdhenj të pikturës, sikur është Claude Monet. I ftuar special ishte Philippe Piguet, stërnipi i Claude Monet, një historian dhe kritik arti i mirënjohur që i kishte sjellë publikut veç kujtimeve të treguara nga nëna, edhe foto shumë të rralla të familjes të stërgjyshit të tij. Kolegu ynë Jean Musy, kryeredaktori i Radio Zones në Gjenevë i mori një intervistë ekskluzive.
Përmbajtja e ekpozitës në konferencën për shtyp, u paraqit nga drejtori i Fondacionit Beyeler Sam Keller dhe kuratori i saj Ulf Küster.Vërtet, nuk kishte paraqitje më përfaqësuese në 20 vjetorin e Fondacionit Beyeler se prania e Claude Monet, që u uronte mirëseardhjen vizitorëve në hyrje të ekspozitës me një portret gjigand, sikur përmasat e artit të tij. Ky portret, që në ekspozitë ka përmasa të superzmadhuara, është vepër e piktorit impresionist amerikan Theodore Robinson, mik i ngushtë Claude Monet. Piktori francez e priti Theodore Robinson në shtëpinë e tij në Giverny, që nën ndikimin e Monet, ishte kthyer në qendër të impresionizmit francez.
Ekspozita, që do të jetë e hapur nga 22 janari deri më 28 maj, është në vetvete një festë dritash dhe ngjyrash. Ajo i jep shpjegim artistik evolucionit krijues të njërit prej përfaqësuesëve më të mëdhenj të impresionizmit francez, duke nisur prej periudhës impresioniste deri në punimet më të vona të jetës. Në këtë ekspozitë gjenden peisazhe mesdhetare, ishujt e egër në Atlantik, rrjedha e Senës, fushat dhe livadhet e bleruara, plepat e lartë si fare perpendikulare, mullinjtë me erë, zambakët e ujit, katedralet apo urat e mbuluara nga mjegulla. Duke përzierë reflekset me hijet, Monet ka krijuar një atmosferë magjike. Claude Monet si një nga pinonierët e pikturës moderne, ka zbuluar çelësin e këtij kopështi sekret, duke i krijuar mundësi të tjerëve që të hapin sytë e të përballen e mrekullohen me vizionin e një bote të re. Claude Monet arrin që të krijojë mijra ngjyra në një tablo të vetme, duke përligjur atë që e përsëriste shpesh vetë se ngjyrat ishin obsesioni i gjithë ditës dhe i përditshëm, ishin gëzimi dhe tortura e tij.
Ekspozita e Claude Monet e hapur me rastin e 20 vjetorit të Fondacionit Beyeler, është një event botëror ku të jepet mundësia të shikosh të mbledhura së bashku kryeveprat më me emër të piktorit të madh. Event ishte edhe prania e stërnipit të tij që tregoi hollësi për jetën e artistit të madh, për miqësinë e tij të ngushtë me Auguste Renoir dhe me kryeministrin e Francës Georges Clemenceau, që të dy bashkë me Presidentin e SHBA Woodrow Wilson, ishin dy nga aktorët kryesorë të Traktatit të Versajës që i dha fund Luftës së Parë Botërore.
Ekspozita përmban 63 kryevepra të piktorit të madh francez të marra nga 15 koleksione prej Muzeumeve të artit më të famshme të botës, si Musée d’Orsay në Paris, Pola Museum në Japoni, Metropolitan Museum në New York apo Instituti i Artit në Cikago. Në këtë koleksion janë paraqitur gjithashtu edhe piktura të Monet të blera nga individë privatë që shfaqen për herë të parë.
Kur ndodhesh përballë një thesari të tillë kulturor, që është pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, kur ndodhesh përballë një koleksioni të tillë, mos u lodh të bësh analiza, por ndiq vetëm këshillën që Claude Monet u ka dhënë gjithë artdashësave të tij, të kohës kur jetoi, të kohës tonë dhe të kohës që vjen, që “të mos e vrasin mendjen për të zbuluar, se çfarë ka dashur të thotë autori”, magjistari i miliarda ngjyrave, por veç “t’i duan e të bien në dashuri” me pikturat e tij! Që janë kryevepra!
Sepse një dashuri e tillë nuk shterr kurrë!
Kunstmuseum Basel