Çdo javë ndeshjet e kategorisë së parë, drejtpërsëdrejti dhe falas/
Nga Shpresa Ahmeti/*
Që prej disa muajve Televizioni publik Shqiptar po tenton të jetë një mik i mirë i familjeve shqiptare kudo që ato ndodhen, brenda dhe jashtë vendi. Tashmë ka trokitur në dyert e shtëpive tona. Mysafiri duket se është i mirëpritur. Televizioni Shqiptar është miku i vjetër i familjeve shqiptare, por fatkeqësisht, mbetur i harruar prej shumë vitesh. Tashmë duket se e ka gjetur udhën për t’u rikthyer te miqtë e vet. Ata u përkasin të gjitha moshave. Më të vegjlit presin të shohin filma për fëmijë e teatër kukullash, adoleshentët prezantimin me të panjohurat, studentët përvojën e njerëzve të sukseshëm, intelektualët debatin e vërtetë televiziv, adhuruesit e filimit, kinemanë në dhomën e tyre. Sigurisht, nuk është aspak e lehtë; njerëzit kërkojnë gjithçka që është e mundshme, madje deri në kufijtë e të pamundurës: humorin, këngën, dokumentarin, reportazhin, nostalgjinë, festivalin, kuzhinën, mjekun, psikologun, artistin, poetin e deri te njeriu që jeton te skajet më të largëta të vendit. Të gjitha këto do t’i gjeni te Televizioni publik Shqiptar. Projektet e fundit pritet të rrezikojnë audiencën e mediave të tjera vizive.
Transmetim ndeshjesh drejtpërsëdrejti, falas
Sporti gjithashtu, zë një vend të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Rrëmben të gjitha moshat: vajza e djem, burra e gra, të rinj e të moshuar. Mbetet spektakli më i ndjekur i të gjitha kohërave, ndoshta që nga përleshja e parë e toreadorit me demin, sfida ku njeriu përjeton ndjesinë e shumëpritur me çdo kusht të fitores dhe humbjen e padëshiruar njësoj sikur ai vetë të kishte qenë protagonisti i betejës. Familjes i jep çaste nga më të bukurat. Të gjitha këto do të jënë së shpejti në familjet tona. Ndodh për herë të parë kështu. Këtë risi e sjell Televizioni publik Shqiptar. Ndeshjet e futbollit të Kategorisë së Parë për sezonin e ri 2016-2017 do të transmetohen çdo javë. Drejtpërsëdrejti dhe falas. Kontrata 5-vjeçare u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Thoma Gëllci, dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Sipas të gjitha gjasave transmetimi i ndeshjeve do të vijojë edhe pas 5 viteve dhe gjithnjë falas. Projekti nuk u vjen në ndihmë vetëm adhuruesve të sportit, por edhe vetë futbollit, i cili, pa asnjë dyshim do të fitojë një vëmendje dhe statisfaksion tjetër, gjë që do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe bukurinë e lojës. Kështu u shpreh edhe presidenti i FSHF, z. Duka: “Projekti jo vetëm që do të përcjellë te të gjithë teleshikuesit në gjithë trevat e shqipërisë Kampionatin e Kategorisë së Parë, të patransmetuar asnjëherë, por besoj se do të ndikojë jashtëzakonisht, shumë pozitivisht, në kualitetin e në zhvillimin e futbollit në këtë kategori”.
TVSH-ja shton gamën e transmetimeve sportive
Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, nënshkrimin e kontratës e vlerësoi si një projekt të rëndësishëm për masivizimin e sportit. Madje kjo është një ndër arsyet që Televizioni publik Shqiptar do të rrisë gamën e transmetimeve sportive. Më konkretisht Gëllçi tha: “Kemi vendosur të shtojmë gamën e transmetimeve të çdo sporti në vend. Nuk duhet të mbetemi vetëm te garat elitare në futboll, por edhe në Kategorinë e Parë e gjithashtu edhe në sporte të tjera. Kjo marrëveshje nuk ka qëllim marketingu. Ne do të fokusohemi në ndeshjet që përbëjnë masivizim, jo vetëm në kategorinë e parë, por edhe në ndeshjet që kanë të bëjnë me grupmoshat, me shpresat, me të rinjtë dhe me klasat sportive, me të cilat Federata ka një projekt edhe me UEFA-n”. Numri i të interesuave për ndjekjen e aktivitete të tillë, prej të gjitha moshave, do të jetë patjetër i madh.
Falenderim për Drejtorin e Radiotelevizionit Shqiptar
Me rastin e nënshkrimit të kontratës. Z, Duka tha: “Së pari falënderoj drejtorin e TVSH-së për këtë projekt të ri. Transmetimi çdo javë i ndeshjeve të kampionatit të Kategorisë së Parë do të ndikoj në zhvillimin e futbollit të këtij niveli. Bëhet fjalë për një kampionat me një shtrirje të madhe gjeografike dhe sigurisht me më shumë lojtarë që marrin pjesë në këtë garë se Kategoria Superiore. Kemi firmosur një kontratë 5-vjeçare, pra një projekt afatgjatë, që besoj se do të vazhdoj edhe më shumë se kaq. Unë garantoj se përkushtimi i administratës së FSHF-së do të jetë maksimal për këtë projekt”. Në të vërtetë, Televizioni publik Shqiptar që prej disa kohësh po investon në rrëmbimin e vëmendjes së publikut, gjë që kjo tashmë po ndihet te të gjithë njerëzit kudo që ata ndodhen, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Larmia e programeve të shumta tashmë është e dukshme, por transmetimi i ndeshjeve të futbollit, duket se do të trondisë seriozisht audiencën e mediave vizive, brenda dhe jashtë vendit.
- E dergoi per Diellin bashkepunetori yne nga Shqiperia Vepror Hasani