Shtetet e Bashkuara janë përfshirë nga dhimbja dhe tronditja që ka shkaktuar vrasja e pesë policëve dhe plagosja e 7 të tjerëve mbrëmë në Dallas. Reagime të forta bënë figura të larta politike, si demokrate, ashtu edhe republikane, duke bërë thirrje për unitet dhe solidaritet përballë kësaj ngjarjeje të dhimbshme.
Policët ishin në detyrë për të ruajtur rendin gjatë një proteste paqësore në qendër të Dallasit. Demonstrues ishin mbledhur për të protestuar pas vrasjes së dy afrikano-amerikanëve, në incidente që ishin komentuar si shembuj të përdorimit të forcës së tepruar nga policia kundër afrikano-amerikanëve.
Presidenti Barak Obama, i cili ndodhet në Varshavë për takimin e NATO-s, reagoi menjëherë pas ngjarjes, pasi ishte informuar nga ekipi i tij.
“Ajo që kemi mësuar është se ka pasur një sulm të egër, të mirë-llogaritur dhe të neveritshëm ndaj forcave të rendit. Policia në Dallas ishte në krye të detyrës, duke garantuar sigurinë e popullatës gjatë protestave paqësore,” tha presidenti.
“U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të luten për këta policë dhe familjet e tyre, t’i mbajnë në mendjet e tyre. Si komb, të shprehim të gjithë mirënjohjen tonë të thellë për djemtë e vajzat tona në uniforma blu, jo vetëm sot, por çdo ditë,” tha presidenti.
Në Kongres, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan dukej shumë i prekur nga ngjarja:“Jemi shumë të tronditur nga ngjarjet e mbrëmshme në Dallas. Jemi të revoltuar. Sulmi ndaj atyre që na mbrojnë është sulm ndaj të gjithë neve. Me zemër jemi pranë Departamentit Policor të Dallasit. Me zemër jemi pranë viktimave dhe familjeve të tyre. E kam të qartë se kur je bashkëshorti apo bashkëshortja e një polici, jeton me rrezikun e skenarit më të keq, por askush nuk do ta kishte menduar një tmerr të tillë”.
Zoti Ryan vazhdoi më tej me thirrjet për unitet përballë incidenteve të shpeshta me armë zjarri:“Do të ketë joshje që t’i hapim rrugën zemërimit tonë, që të thellojë dallimet mes nesh. Nuk duhet ta lejojmë. Do të ketë joshje që revoltimi që ndjejmë të na shtyjë më thellë në skaje larg njëri-tjetrit. Nuk duhet ta lejojmë. Ai skenar shkruhet lehtë, por nuk i dihet fundi. T’u bëjmë sfidë këtyre skenareve. Një numër i vogël keqbërësish nuk na përfqëson ne. Nuk na kontrollon. Faji bie mbi ata që kryen këto akte të shëmtuara, mbi askënd tjetër. Siç e tha me të drejtë presidenti, drejtësia do të vihet në vend. Por duhet të lejojmë vend edhe për shërim”.
Anëtarë të Grupit të Ligjvënësve për Çështje të Komunitetit Afrikano-Amerikanë folën sot në një konferencë për shtyp. Konferenca ishte organizuar që më parë për të ngritur shqetësimin për vrasjen e afrikano-amerikanëve në incidente me policinë. Dy incidente të tilla këtë javë ishin shkaku i protestave paqësore mbrëmë në Dallas. Në konferencën e sotme, kryetari i grupit, ligjvënësi G.K. Butterfield i bëri thirrje Kongresit të mos largohet për pushimet e verës pa hedhur në votë një projekt-ligj për të ulur dhunën nga armët e zjarrit. Nëse Kongresi nuk e ndërmerr këtë hap, tha ai, “do të jetë një verë e gjatë dhe e nxehtë”.
Dy kandidatët për president, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump kanë pezulluar aktivitetet për fushatë pas ngjarjes në Dallas.
“Mbaj zi për policët e vrarë dhe plagosur në krye të detyrës së tyre të shenjtë për të mbrojtur protestues paqësorë; mbaj zi për familjet e tyre dhe të gjitha ata që shërbejnë përkrah tyre” shkruan zonja Clinton në llogarinë e saj në Twitter.
“Lutje dhe ngushëllime për të gjitha familjet që janë prekur kaq rëndë nga tmerret që kanë tronditur vendin tonë,” shkruan kandidati Donald Trump në Twitter.(VOA)
Asllan Bushati says
Edhe une ndiehem shume i prekur nga kjo ngjarje e rende ne Dallas. Me cfare fjalesh mund ti ngushullosh femijet, bashkeshortet, prindrit dhe te afermit e te reneve ne krye te detyres? Me asgje. Mendoj se si shoqeri ka vend te shikojme me afer raportin e individit ne shoqeri dhe me ligjin, qofte ne kendshikimin: ligjor, rracor, fetar, pasuror, kulturor e hapsinor.Nje shoqeri demokratike e pranon heterogjenitetin, por askush s’mund te jete mbi ligjin. Sido qe te jete, personalisht ju deshiroj sherim te shpejte te plagosurve, dhe shpirti i te larguarve nga kjo jete u prehte ne paqe e qetesi te perjeteshme.