Sokol Paja/
New York më 7 Maj 2023 – U festua me nderime e homazhe “Dita e Lirisë Shqiptare” në Kensico Dam Plaza – në Westchester. Kjo festë që bashkon komunitetin shqiptar në New York e më gjërë e ktheu “Ditën e Lirisë” në një ditë feste, nderimi dhe homazhi për qëndresën antikomuniste të familjes Mrnaçaj e të gjitha familjeve të persekutuara nga regjimi komunist në Shqipëri. Nën prezantimin artistik të Sokol Smajlaj dhe Valbona Preldakaj, miq, familjarë, media, patriotë, vatranë, veprimtarë të dalluar të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, veprimtaria e organizuar nga Shoqëria Kulturore – Artistike Kelmendi, Familja Mrnaçaj dhe Counti Ekzecutive Westchester si “Dita e Lirisë Shqiptare”, ishte mbresëlënëse dhe është kthyer tashmë në një traditë të veçantë. “Dita e Lirisë Shqiptare”, shndërrohet vit për vit në një aktivitet patriotik, social, kulturor e përkujtimor, që i kushtohet, simbolit të demostrateve antikomuniste Nik Marash Mrnaçaj e familjes Mrnaçaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë dhe Flamurin shqiptar, solli në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për persekutimin që ushtronte shteti komunist shqiptar ndaj familjeve nacionaliste shqiptare. Takimi përkujtimor filloi me këndimin e himneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë nga Mikela Nonaj dhe Diakon Marash Shkreli bekoi festivalin dhe u lut për shpirtin e Nik Marash Mrnaçaj. Programi artistik filloi më këngën: “Çikë Malsore” e kënduar nga Bashkim Vushaj, më pas kënga “O flamuri kuq e zi” nga Mikela Nonaj. Famullitari i Kelmendit Pader Vitor Demaj mbajti një fjalë përshëndetëse ku u fokusua te Nik Mrnaçaj dhe Kelmendi historik. Pas këngëve “Trashigohet kanga jonë” e kënduar nga Luigj Tinaj e Aleksandra Hysaj dhe kënga “Vimë në sofër të Nanës” nga Klevist, Kristofor Gilaj dhe Fjorentina Lumaj, u mbajtën dy fjalime mjaft emocionuese në nderim të kësaj dite nga Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj dhe mësuesja Lize Pllumaj. Programi i ngjeshur artistkiko-kulturor vazhdoi me këngët: “Dasma e shqipes” kënduar nga Lisa Bujaj, “Me fal” nga Pllumb Nacaj, “Atje ashe trolli i Prek Calit” nga Luigj Tinaj, “Kcim malsorçe” nga George e Sara Lumaj dhe “Pogonishte” nga Artoneta Bujaj, Amanda Ujkaj, Mikela Nonaj, Aleksandra Hysaj, Sara Lumaj. Djali i Nik Mrnaçaj, Majkëll Mrnaçaj në fjalën e tij falenderoi pjesëmarrësit për nderimin e babait dhe gjyshit të tij Nik e Marash Mrnaçaj. Majkëll Mrnaçaj theksoi forcën dhe fuqinë mendore fizike e shpirtërore të Marash Mrnaçaj në luftën kundër komunizmit dhe dhimbjen e rritjes pa babain e tij të dashur. Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit u zhvendosën në Sheshin Qëndor në Kensico Dam Plaza – në Westchester ku u bë ngritja e flamurit tonë kombëtar duke shënuar një ditë të paharruar respekti, nderimi, lavdie e krenarie kombëtare. Nderim i veçantë për Adem Belliun e Televizionit Kultura Shqiptare i cili prej 25 vitesh i është gjendur pranë ngjarjeve të komunitetit në mbulim të detajuar në çdo rast. Ky aktivitet do të transmetohet i plotë së shpejti në kanalin 26 të platformës Tv Alb. Mirënjohje çdo patrioti që nderon këtë ditë në respekt të familjeve shqiptare për kontributin e dhënë në luftën kundër komunizmit dhe zhvillimin e përparimin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Foto: Adem Belliu