Nga Mevlide Saraqi/
E lindur mes shkreptimave të vitit 1968, vitit të kthesave të mëdha historike ndaj padrejtësive shekullore mbi shqiptarët, autorja Rezmije J. Zekolli vjen me librin e saj më të ri me titull “Vite të stuhishme”.
Në një libër mund të gjejmë të përmbledhura dhjetëra romane në miniaturë. Remzija me modestinë e saj, me punën përkushtuese, angazhimin e fuqishëm në të gjitha periudhat e zhvillimeve të rëndësishme shoqërore ka arritur që më në fund të na dhurojë në formë të shkruar një pjesë të përjetimit, të gërshetuar në kapituj e tituj, në një libër të veçantë i cili erdhi si shpërthim i emocioneve të saj.
Vërtetë Remzija është shumë e fuqishme ashtu seç e gjejmë edhe në shkrimet e saj. Ajo që nga lindja, në vitin historik të kthesave kombëtare por edhe të sakrificës e pati fatin që të rritet bashkë me kërkesat e drejta kombëtare, të zhvillohet dhe të rreshtohet aty ku e kërkonte nevoja por edhe si prijatare e shumë proceseve bashkë me miq e kolegë.
Jeta private e Remzijes i ngjan jetës kolektive, sepse çdo përjetim i saj lidhej me atdheun. Përkrahja e madhe nga familja është pjesa më e fuqishme e përshkruar në këtë libër ngase aty mori hov edukimi atdhetar, zhvillimi shpirtëror dhe intelektual, socializimi, humaniteti dhe lufta për të drejtën, për jetën.
Në një familje ku zhvillohen mijëra ngjarje dhe sakrifica po aty zhvillohen edhe shkëndijat e rezistencës duke marrë parasysh angazhimet e autores në një moshë relativisht të re, rreth përkujdesjes për nënën e sëmurë dhe të palëvizshme, ndërkaq që nga i ati kishte një shtytje dhe mbështetje heroike.
Asgjë nuk ka ardhur rastësisht në jetën e Remzijes. Janë vlera si trashëgimi brezash dhe vazhdimësi e angazhimit atdhetar.
Ishin kohëra të vështira për të përballuar vështirësitë për njerëz të rritur e të pjekur e lëre më për një vajzë si Remzija, megjithatë ajo me vetëdije sakrifikoi të gjitha ëndrrat dhe dëshirat individuale për ta bërë realitet aspiratën kombëtare.
Remzija i dha shkëlqim edhe gjeneratës së saj, shpalosi virtytet dhe guximin e shokëve dhe shoqeve studentë, në vitet e vështira dhe të rënda për Kosovën dhe veprimtarinë e tyre në përkrahje të kërkesave të drejta të protestuesve por edhe minatorëve grevistë, të cilat e tronditën botën.
Autorja e këtij libri ka përshkruar ngjarje dhe data historike që kanë shkëlqimin e vet në raport me kohën dhe hapësirën duke paraqitur me modesti edhe veprimtarinë e saj në raste dhe momente të ndryshme gjatë proceseve historike kombëtare.
Mbase ata që e njohin autoren në përditshmëri e gjejnë të tillë edhe në librin e saj, sepse aq natyrshëm ka shënuar dhe përshkruar gjërat sa që mund të themi se është modesti e tepruar. Ajo nuk ka dëshirë të flet shumë për veten e saj por pasi ka lënë dhe po lë gjurmë të pashlyera në historinë më të re të Kosovës konsideroj se duhet të zgjerojë rrëfimet e saja dhe ngjarjet e përshkruara, mbase edhe libri i saj jetëshkrim mund të jetë edhe si një projekt i fuqishëm dhe paralajmërim për botime të reja të cilat mund të dalin nga kapitujt dhe titujt e paraqitur në këtë libër.
Remzija edhe në jetë edhe në këtë libër është atdhetare, modeste, madhështore, intelektuale e guximshme, humanitare, profesioniste, njohëse e mirë dhe luftëtare e pa epur e të drejtave të njeriut.
Remzijen e kam njohur në kohëra të vështira dhe fuqinë e guximin e saj e kam parë në sytë e saj, jam bindur gjatë angazhimeve të pandalshme, në rrugëtimin e saj duke kaluar nëpër barrikada kriminelësh, të cilat asnjëherë nuk kanë mundur t’ia ndërprenë aktivitetin.
Në jetë njeriu mund të ketë sukses kur e di çka do dhe kur ka guxim të punojë në atë drejtim. Këto virtyte e karakterizojnë autoren e librit “Vite të stuhishme”, Remzije J. Zekolli.
Ajo është personazh real, në të gjitha përshkrimet në librin e saj jetëshkrim del madhështore, sepse gjithmonë vë në pah të tjerët.
Kjo është Remzija, e cila si në rininë e hershme, në kohërat e okupimit, në luftë, në fazën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës por edhe tani nuk ndalet por punon me përkushtim dhe dashuri ndaj atdheut.
Përveç anës profesionale ajo reflekton përmes poezisë dhe shkrimeve në prozë përmes së cilave njihet si krijuese dhe poete që depërton suksesshëm në letrat shqipe.
Uroj që Remzija të na gëzojë edhe me tituj tjerë të rinj të cilët padyshim që lexuesi i pret me padurim.