
PRIMO SHLLAKU/
Kur erdhi për publikun shqiptar Zef Zorba, në atë fillim të vjetëve ’90, askush nuk e njifte këtë njeri. Shkodranët e njifnin për fytyrë si bashkëqytetar, disa ma të vjetër e njifnin që kishte qenë familje tregtarësh e njerëzish të leçitun. Zefin e mbanin mend që në fillimet “kur kishte hy partia” (ky ishte termi i rëndomtë historik që shenonte ardhjen e eksperimentit komunist ndër ne); ishte marrë me punë kulture e me teatër e mandej, Zefi ishte kthye në hije në qytetin e vet. Kishte krijue familje dhe punonte diku llogaritar në nji punishte tullash me teknologji mesjetare. Ishte burrë i gjatë, me kostum shik, këmishën e bardhë e kravatat e lidhuna me nyje të vogël. Mbante syze të errta dhe ecte gjithnji me hap të qetë si njeri i nisun për askund. Përshëndeste rrallëherë dhe ndalohej edhe ma rrallë. Jepte përshtypjen e nji njeriu të izoluem, introvers dhe që u rrinte larg dritave dhe kontakteve. Qyteti i tij ishte qytet gazmor, gazmor deri në guinplenizëm. Ai qytet kishte pësue tragjedinë e kryepremjes dhe, megjithatë, kishte vendosë me mbajtë me gazmore e me humor pjesën tjetër të kombit, tue tregue sesa larg ishte shpirtit tragjik dhe zisë permanente. Me shtatin e naltë që dukej se e bezdiste, dhe me gungën e lehtë në shpinë, hapin e ngathët e ritmik e figurën përjetësisht të ngrysun, Zorba dukej se nuk ishte i racës së komikëve që kaq e rëndomtë ishte në qytetin e tij të lindjes. Dhe libri i tij “Buzë të ngrira në gaz” erdhi për ta përforcue këtë të vërtetë.
Asokohe në Shkodër askush nuk dinte se në heshtje të plotë dhe, bile, në konspiracionin ma të plotë, shkruhej gjithsesi nji letërsi. Asnjeni nuk e dinte se tjetri shkruente dhe secilin prej tyne e nanuriste nji ndjenjë vezulluese egoizmi se ishte ai vetëm që shkruente ksisoj. Këtë ndjenjë e rriste përbind edhe ideja e terrorit të sprovuem mbi krena të sa e sa njerëzve që, ndër të tjera, u ishin gjetë edhe shkrime dhe gjyqtarët ia kishin shtue dënimit edhe fajin për shkak të ndonji shkrimi a vjershe që nuk kishte qenë fort e kjartë ose fort optimiste. Kështu që na të gjithë e dinim se me shkrue për vete ishte e kundërligjshme dhe se, po të binin ata shkrime, në dorë të pahirtë, belá e madhe e gjente autorin.
Stefan Çapalikut, mik personal dhe komshi i familjes Zorba, fill mbas 1990-s i ranë në dorë – me gjasë prej vetë autorit – poezitë e tij dhe ai u entuziazmue pa masë. Mori përsipër botimin, i kuroi dhe i pajisi edhe me ndonji shenim, me parathanie e të dhana biografike rreth autorit, i cili shkoi i plasun (them unë, ai thotë ndryshe) pa e pa librin e vet të parë dhe të vetëm. Ardhja e Z. Zorbës në fushën njingjyrshe të letrave shqiptare prej vetiu shkaktoi bujë. Mbas tij dhe rreth e qark tij nxorën krye dhe panë dritën e botimit edhe libra të tjerë autorësh të panjoftun – të gjithë përmbi 40-vjeçarë e pa rini botuese – me tituj të çuditshëm e atipikë, gjithsesi sugjerues dhe spiritualisht të ngarkuem. Bashkë me Zorbën u botuen poezi të Sandër Gerës nën titullin mistik “Via lucis” (“Udha e dritës”), nji vëllim me poezi i A. Çefës me titull “Dritarja e një klithme”. Për nji kohë të gjatë qarkulluen dorë më dorë poezi të Ernest Përdodës, kurse Muhamet Ademi i botoi shum ma vonë dhe tashti po përgatitet nji vëllim rreth 300 faqesh me poezinë e tij integrale. Autori i këtij punimi arriti vetëm në vjetin 1994 me botue nji tufë prej njiqind poemash nën titullin “Lule nate”.
Siç shifet, mbas liberalizimit të jetës shpirtnore dhe ndryshimit të regjimit, erdhi në evidencë pothuejse e kujdesun prej nji brezi tjetër e gjithë letërsia klandestine ose “e nëndheshme”, siç e ka quejtë me të drejtë Visar Zhiti. Kësaj poezie i binte me qenë motra ilegale e RS-së, por motër vetëm sa i përket bashkëkohësisë së krijimit, por jo e asnji të dhane tjetër që kishte lidhje me formën e mesazhet e saj.
Dalja e kësaj lloj letërsie dhe buja që bani ajo si letërsi “subversive”, por sigurisht kualitative i tronditi themelet e RS-së, i cili, masëpari, kishte pësue humbjen e humnerët të lexuesit. Tashti autorët e saj ngadalë po humbnin edhe alibinë e mosrezistimit të tundimit me pasë lexues. Po në këtë pellg kohe ishte nisë – ngadalë, por sigurt – e po vinte Martin Camaj, me nji vepër kolosale e të panjoftun që, për disa, u quejt si autor i “shkollës shkodrane”, kurse për disa të tjerë si autor diaspore. Me gjithë respektin që kam a priori për mbajtësit e këtyne mendimeve, mund të them se që të dyja palët kanë nji qëndrim përbuzës për këtë letërsi dhe bajnë përpjekje jo të padukshme për ta minimizue. Shkaqet janë përshkrue prej meje në studimin tim për Camajn “Nji Uliks që s’mbrriti kurr në Itakë”. Por nji ndër ta dhe, ndoshta, ma i madhi e, ndoshta, ma djegësi, ka qenë se këta autorë shkruen përgjithësisht në gegnisht, vazhduen traditën e qytetit të vet e të krejt letërsisë së madhe shqiptare para eksperimentit të letërsisë skorbutike të RS-së.
Me thanë të drejtën, asht shum e vështirë me grupue poezitë e Zorbës në tufa që kanë të përbashkëta tematikën. Vjershat e tij, në përgjithësi, janë kaq heterogjene e kaq të shkapërderdhuna tematikisht, sa edhe nji zelltar i vemendshëm nuk mundet me ba bashkë ma tepër se dy. Ky fakt ka spjegimin e vet dhe këtu asht vendi që të spjegohet. Simbas datave që ka mujtë me vu, simbas deklaratave të veta e, në fund, simbas kujtimeve e reminishencave të të bijave, Zorba e shkroi këtë libër që, në ma pak se 180 faqe, për saktësi, përmban rrumbullak 67 poezi. Vetë Zorba na deklaron se në këtë vëllim poemash “është shtrydhë e koncentruar një periudhë katërdhjetëvjeçare”. Mendoj se rreshtimi i poezive të tij ka qenë ma së forti i rendit kronologjik. Edhe pse autori ynë nuk e ka pasë vijë pune vumjen e nji date pranë çdo poeme të vetën, mendoj se ato poezi janë rreshtue simbas nji rendi kronologjik, pra, simbas radhës së krijimit. Ndër to, ato ma të hershmet, shofim përshtypje shum të gjalla nga jeta në burg. Por nuk jemi të sigurtë, nëse poeti i ka shkrue në burg dhe, me lirimin prej andej, t’i ketë marrë msheftas me vete, si puna e Arshi Pipës. Motivet e burgut enden kudo në poezitë e para, fryma e lodhjes dhe e traumës – e poshtnimi, me siguri. Por kemi ma vonë nji metamorfozë të hollë të kësaj ndjesie që do të transformohet deri në të paidentifikueshmen.
Pse kjo te Zorba? Efekt shlyes i kohës apo diçka tjetër? Si me thanë, estetika e tij e distilimit të naltë deri në të panjoftshme e produktit artistik me hipostazën e vet faktike?
Ndihet vërtet nji shije e stërhollueme e së tërthortës në kuptimin që merr kjo fjalë në teknologjinë e transformimit artistik të përjetimeve në landë të kulluet poetike. Por ai ka shum shkaqe që përpunon të tërthortën dhe distilimin. Këta shkaqe janë harmonikë, sepse ekzaltojnë artin dhe njikohësisht e ruejnë edhe autorin prej nji tjetër fatkeqësie. Kështu, të paktën, mendon ai, mbasi ia ka hy kësaj pune, dhe ka vendosë me i pa tue u rritë fletët e poezive dhe të shkrimeve që përherë e ma shum e rrisin rrezikun “me hjedhë në erë” autorin e tyne.
Megjithatë, due të them se periudha e parë asht e nji “esencialiteti” dëshmues dhe filtrat e artit i kanë kalue mjaft imazhe reale dhe konstatime shqisore. Ajo që ma vonë do të kontribuojë në shkrimjen e dhimbjes fizike dhe sublimimin e saj në ankth mendor, kuptohet, do të paraqitet nën nji formë tjetër, ndoshta ma precioze e aristokratike.
Pra, të mendosh se mbrenda 40 vjetësh Zorba ka prodhue, simbas vetë gjykimit përzgjedhës autorial, vetëm 67 poema, domethanë, as ma pak, as ma shum se luksi i nji frekuence prej ma pak se dy vjershash në vjetë. Si homolog i tij në rreshkun e poezisë, unë e kam dijeninë se poezia asht send i naltë cilësor, por sado cilësore që të jetë, por sado cilësore qoftë, ajo ekziston edhe si sasi. Por kjo nuk don me thanë se mungesa e sasisë e prish ose e komprometon cilësinë, por ky shpërpjestim sasi-cilësi asht pasqyrë e nji dukunie tjetër që do spjegim dhe mund të japë spjegim.
A ishte Zef Zorba poet? Po e rrezikoj këtë pyetje me ndërgjegje të plotë. Po ta krahasojmë këtë poet me homologët e tij jashtë e mbrendë historisë sonë letrare, shum shpejt do të shofim se poetët, të mëdhej e të vegjël, kanë lanë mbas me mija vargje, të botueme ose jo, me dhjeta libra, të botuem ose jo. Poezia për ta ishte nji aktivitet i përditshëm, nji pasion djegashpirt, nji sekrecion madhor i mendjes e shpirtit e mbrenda ktij produkti, flente e vezullonte bërthama e tyne antologjike, e cila, ma vonë, mund të botohej edhe si ekstrakt i përzgjedhun, me faqe pak e me artikuj pak. Por korpusi ishte korpus, voluminoz e shterues, tematik, i ndjeshëm dhe përcjellës ndaj krajatave historike. Veprat e poetëve dhe prozatorëve pjellorë janë si puna e portokallit: nga jashtë japin idenë e së tanës, por mbrendë kanë ndamje e vija që të lejojnë ta zmontosh simbas lobeve e rriskave. Poeti ynë në fjalë asht monolitik gati, i pandashëm dhe i paklasifikueshëm. Studiuesi kosovar Sabri Hamiti asht i pari që e ka marrë në dorë seriozisht Zorbën – dhe ka meritë për këtë, sepse e shef si modernist ose si vijues të modernisë mbas Migjenit e Lasgushit. Edhe ai e ka të vështirë nji klasifikim tematik a përmbajtësor. I përmbahet klasifikimit të vetë autorit në “pasqyrën e landës”, i cili, simbas mendimit tim, përveç poetikës së naltë nuk na ndihmon shum në gjetjen e perdeve të mbrendshme të veprës. Pra, as të gjejmë kryesubstancat e nji lande poetike të mbajtun nëpër duer për katër dekada, as edhe për të hetue fazat e zhvillimet e mbrendshme të poetit si krijimtar.
Te “Fugat e fundit” dhe “Mbresat e rrugëve”, Zorba ka nji zgjim estetik ma tepër. Tue qenë muzika arti ma i kulluet dhe ma intuitiv, autori tenton martesën e fjalës si tingull me tingullin si intuitë. Dhe këtu jemi plotësisht në terren kroçean. Përpjekja kishte me qenë që fjala të kthehej në intuitë dhe mesazhi të fitonte edhe njiherë aq fluiditet dhe palandësi. Në këta dy grupe poezish, që vetë autori i pati grumbullue në nji përpjekje estetikisht aristokratike për t’ua evadue mesazhin prej detyrimit semantik kah nji fushë e re përmbajtje, ku sugjestioni i gjanë autorizon leximin krijues dhe zgjon edhe te lexuesi përveçmëninë (singularitetin), lançimi i poezisë drejt fushash limitrofe asht i pashembullt në letrat tona. Nji eksperiment kaq i guximshëm dhe impenjativ, por edhe nji sfidë për artin e vetë autorit ku remarket, treguesit e ritmit e të shpirtit të partiturës dalin në krye si tituj poezish. Sido që të jetë, të paktën ky ka qenë dhe mbetet kulmi i abstraksionit. Njoftës i mirë i muzikës klasike, si edhe i poezisë së mirë botnore të gjysmës së parë të shekullit XX, Zorba ndërmerr nji nismë estetike të pashoqe, po të kem parasysh gjuhën e vogël dhe traditën patrioto-këlthitëse të letërsisë sonë. Ai përpiqet ta ritmojë fjalën si imazh dhe ta veçojë semantikën në favor të ritmit, melosit dhe të lëvizjes. Sfida ka qenë e madhe, ideja mrekulluese, rezultati me risk, sepse landët estetikisht shpesh nuk ujdisin dhe harmonikat nuk gjenden aq lehtë e në qiell të hapët. Te “Fugat e fundit” gjykoj se vetëm dy poezi kanë prekë harmonikat dhe kanë mbërritë pikën e fuzionit sinestetik: njisia “Allegro” dhe “Allegro furioso”:
Përtërimjen ernat gjithnjë
çatrafillojnë
e shmangin çdo pikësynim
si dhe:
…e shpesh kam pa liqenin të shpupurishur:
kundër reve me shkreptina të dhunshme,
me kordha shkumësh të pareshtuna
………………………………………………………….
por shi vazhdoi me ra…
Këto përqasje fatlume na kujtojnë ma së forti ndonji Vivaldi, ose ndonji Grieg që patën bashkue imazhet e natyrës me onomatopetë muzikore, tue na sugjerue për vesh atë që shifet veç me sy.
Poezitë e tjera të këtij lloji e mbrenda këtij eksperimenti të hatashëm na paraqiten si ma pak tingëlluese e ma pak të arrituna. Ideja e Zorbës me futë në ta subjekte e personazhe e komprometon kalimin e imazhit në muzikë e anasjelltas. Ata janë elementë endemikë të letërsisë dhe nuk përkthehen në harmonika të displinave të tjera artistike.
Tue ardhë prap te pyetja nëse ishte Zorba poet apo jo, unë do ta rishtroj edhe njiherë pyetjen në terma ma konkretë. Poet pak prodhimtar, por poet distilatesh të mrekullishme, Zef Zorba ishte shërbtor i poezisë, apo poezia ishte shërbtore e tij? Pa e mohue litotën poetike si volum, pa e vu në dyshim cilësinë e dukshme të Zorbës si gjuetar i poetikes dhe i sinestezisë, poeti ynë nuk ishte shërbtor i poezisë dhe i shkrimit. Poezia ishte shërbyesja e tij dhe ai e thërriste në çaste kulmore e udhëkryqore për t’i dhanë kuptim jetës së tij, për ta justifikue[1]. Por kjo nuk ka të bajë me përmbajtjen e veprës së tij, por me vetë autorin, me të cilin do të merremi në vazhdim.
Sidoqoftë, asht krejt e dukshme se poezia e tij ka nji lidhje të pazgjidhshme me jetën e autorit. Kur themi kështu, kemi parasysh se kjo poezi nuk mund të kuptohet pa hulumtue sadopak në jetën e tij, në formimin e rrethanat e jetës së tij prej të rrituni, në qëndrimet e tij të lira e të studiueme ndaj establishmentit politiko-kulturor që e shoqnoi gjatë gjithë harkut të tij jetësor. Aplikimi i teorive strukturaliste që shofin vetëm tekstin dhe e mbajnë për të vdekun autorin, nuk mund t’i zgjidhë disa probleme themelore të letërsisë sonë ma të re. Ngjizja e thellë e veprës me jetën e nji autori asht nji e dhanë universale dhe nji e vërtetë që fillon e bahet e neglizhueshme vetëm ndër vendet me kultura të stabilizueme prej shekujsh dhe që zhvillohen në normalitet e pa ngjarje penguese politike. Problemet e kësaj lidhje mbeten gati gjithherë probleme të lirisë së individit dhe arti ka qenë arena e pakontrollueshme, ku individë të veçantë kanë zhvillue seancat e shëndetshme të gjimnastikës së tyne shpirtnore në veglat e lirisë. Prandej na erdhi e natyrshme pyetja nëse Zorba ishte poet profesionist apo poet ekzistencial, tek i cili poezia ose edhe arti në përgjithësi janë fusha e afirmimit suprem të vetes në nji kontekst historik, ku politikat dhe praktikat e tyne e shpallin tinëzisht anmik individin dhe universin e tij.
Poezia e Zorbës dhe e poetëve të tjerë me rrugë të nëndheshme dëshmitarie e krijimtarie ka nji lidhje speciale me qenien dhe ekzistencën e tyne. Ata nuk qenë kurr pjellorë a “qumshtorë”. Ata jetuen pak dhe litota e tyne shkrimore e ka shkakun tek sa jetuen ata. Ata nuk kishin hapë “dyqan shkrimesh” (madje, ndryshe nga kolegu i tyne i ballit të zyrtares, Kadareja, ata mendonin se nuk ishte “Koha e shkrimeve”, por, përkundrazi, koha e heshtjes) dhe as e kishin idenë se po jetonin në “kohë shkrimesh”, që të shkruenin për me jetue. Jo, ata kishin bindjen po aq të plotë se kjo ishte kohë e heshtjes dëshmitare, ata krijonin dhe e vetmja pjesë reale, e ndjeme, e jetueme, e konfirmueme dhe verifikuese e jetës së tyne ishte krijimtaria. Pjesa tjetër ishte jetë e shkueme dam, sepse poeti, vetëm mbasi krijon, revoltohet. Poeti nuk revoltohet për instinkt, ai revoltohet për dinjitet. Zorba i përket kësaj së dytës.
Prej çastit që na mund të pranonim se poezia e Zorbës nuk asht produkt zanati, por shprehje e nji përpjekje titanike për me jetue, për me u ndie gjallë, nji pickim i fortë me dorë i vetvetes në nji prej vendeve ma delikate e të dhimbshme, ashtu siç i vjen me ba nji të smundi që mpimja e gjymtyrëve e tremb se mos po paralizohet, çdo qasje formaliste e strukturaliste do të na jepte nji pamje të marrët e të mangët të Z. Zorbës dhe të çetës së tij të “urithave”. Sepse në këtë rast poezia kthehet në fushën ku shfaqet liria e rreziku i individit – poeti, jeta dhe thalbi i njeriut me emnin “poet” përqendrohen tek ajo dhe AJO, e vetmja, mban dëshminë ekzistenciale të kalimit të tij mbi këtë tokë. Kjo poezi e ky lloj arti zhvillohen në kushte krejt të rralla e të veçanta. Ai zhvillohet pa e ditë se kah vjen dhe se kah shkon. Ky art ka, pra, nji qenie tmerrsisht biologjike dhe gratuite. Ai nuk vjen si fakt kulture, ai vjen si klithmë, si ndjenjë urie, si sekrecion i langut gastrik në mullzën e nji qenie që i ka ardhë prap vakti të ushqehet. Ai asht nji sinjal shum i kjartë i botës, njeni prej sinjaleve, por fati i tij nuk asht i sigurt, ai duhet të kalojë nëpër labirintet e “zinxhirit të ushqimit”, të luftës për ekzistencë, të eliminimit të ma të dobtëve. Fakti kulturor, shkrimi dhe ngarkesa e natyrshme njerëzore, për të cilën asht shpikë, nuk përshkohet nëpër rrugën e kullimit të vlerave, të njoftjes e studimit, të pritjes e të mirëpritjes. Jo, ai ka lé si zog trumcaku ose si breshkëz e vogël caretta caretta që, sapo fluturon prej çerdhes ose del prej furrikut prej rane të nxehtë deri te destinacioni i parë, fluturimi ose freskia e valës së detit, fillojnë ekspozimin e tyne real e të tmerrshëm me botën. Këto tri foshnje që e fillojnë jetën e tyne të patëkeq mbrenda sqepit të ndonji skifteri, të ndonji albatrosi ose të ndonji censori, janë qenie të natyrës. Edhe poeti në diktaturë e fillon jetën e vet si qenie e natyrës, që ka anmiqtë e vet për vdekje, anmiq të specializuem me asgjasue racën e tij dhe thalbin e tij. Këtu fillon edhe anomalia e fateve dhe destinacioneve në diktaturë, ku skualifikimi anulon hymjen në instrumentat që bajnë analiza kritike dhe aksiologjike. Ajo vendos nji regjim Darwin-ian edhe në fushën e brishtë të kulturës, nji gjueti shtrigash dhe nji sistem të imtë sitash ku qeniet e njoma, të sapolindunat, duhet të trajtohen me ligjet e të rritunve. Bile, ka nji diagonalitet palindromik që dënimi “me zhdukje” i kanoset veprës për shkak të autorit dhe autorit për shkak të veprës. Asgja nuk mund të teprojë në gostinë gopçe të skifterëve, zgalemëve dhe censorëve. Diktatura sjell pështjellimin e fushave dhe kryqëzimin e sistemeve të dijes[2]. Në kulturë sjell për shtrimje ligjet e natyrës, të eliminimit dhe të së drejtës së ma të fortit, në nji kohë që kultura nuk asht natyrë, ajo asht produkti i madh i divorcit të njeriut si qenie intelektive me natyrën, me të cilën ka mbajtë vetëm marrëdhaniet fizike të ushqimit dhe të riprodhimit. Shum biologë dhe antropologë mendojnë se kultura filloi me e konkurrue natyrën qyshkur njeriu braktisi kanibalizmin. Kësaj i bie me qenë sikur me thanë se diktaturat risjellin ritualin dhe praktikat me reminishencë kanibaliste, nëse jo atë të njimendtin.
Megjithëse trajtimi ka qenë i njajtë, pra, si i natyrës ose, thanë ndryshe, ai i xhunglës, reagimi i rasteve nuk asht i njajtë. Natyra e ka ndërtue sistemin e shumëzimit nga dhjetë deri në 100 herë, në mënyrë që, megjithë firot, rastësitë, aksidentet, si dhe taksen e pashmangshme ndaj zinxhirit të ushqimit, specia të mos zhduket dhe jeta të tejçohet në të gjitha format. Te rasti i poetit duket se ndodh krejt e kundërta. Poeti prodhon pak, fare pak që të mos bjerë në sy, të mos ekspozohet, të jetë sa ma i lehtë dhe i zhdërvjellët në manovrën për shpëtimin e tyne, të ndihet sa ma pak i shtypun edhe prej peshës së tyne. Ai prodhon pak dhe mban pak, seleksionon “mineralin” dhe mban “metalin”, peshat esenciale. Në art, seleksionimi ndodh prej vetë species, si rrugë drejt përsosjes. Hymja e të tretëve në lojë, e censorëve pra, e kthen “peizazhin” në xhungël dhe në luftë të kulluet për ekzistencë, e kthen determinizmin kulturor në determinizëm biologjik.
Ka nji të vërtetë të madhe fort që duhet ta shqyrtojmë në shtrisinë e saj kuptimore te fjalët e Zorbës, me të cilat ai e përmbyll pasthanien e vet më datë 31 maj 1989. Ai thotë kështu fjalë për fjalë: “Nga ana tjetër, këto punime s’janë bërë për botim, sepse edhe botimi i tyne kurdo, më tremb pa masë.”. Në këtë pohim që shkoqitet dukshem prej krejt tekstit të kësaj pasthanie për “zbritjen e vrullshme” në tokë të poetit, dallojmë tre probleme të mëdha që poetin e shqetësojnë e që nuk ka arritë me i fashitë, edhe pse, me sa duket, i ka dhanë dorën e fundit librit të vet, dorë që zakonisht jepet para se të destinohet me përfaqësue nji individ-krijimtar përmes daljes ma në fund haptas në publik, pra, në prag të botimit.
Problemi i parë i madh asht pasiguria që ai ka nëse vjershat e veta janë diçka që mund ta përfaqësojnë si autor. Kjo pasiguri ka të bajë me idenë e madhe të përgjegjësisë së dikujt që i kanë mbetë në dorë nji grusht shkrime nga jeta e tij dhe mendon se shkrimet kanë edhe nji finalitet tjetër, botimin e tyne. I mbërritun në nji moshë bukur të shtyme (afër të shtatëdhjetave), Zorba qytetar e ka ndie ardhjen e çastit të testamenteve e, prej se nuk kishte se çka me lanë në mënyrë të specifikueme, sepse i paprona, ai duhet të jetë ndeshë me ndjenjën e fortë të pronës lidhë me shkrimet e veta, të cilat ai i kishte ruejtë me kujdes dhe i kishte “prekë” herë mbas here, po me kujdes. Çdo njeri i selitun e i përndritun ndër libra e prej librash e zhvillon nji sens të msheftë vetënjoftje[3], me të cilin takohet rrallë, të cilin s’e shpreh kurr, por as nuk e braktis kurr. Ai vetë na thotë se asht nji punë “katërdhjetëvjeçare”, pra, për të asht nji kapital, asht mundi i tij i jetës, nji trajtë konkrete dhe specifike e këtij mundi, i cili, për natyrën e vet, nuk ka kuptim t’u ndahet dy bijave të tij, si të ishte shtëpi apo truell ndërtimi, tokë apo kullotë. Ai ishte nji “vlerë” që duhej t’u ndahej sa ma të shumtëve, duhet të kthehet në shi dhe të lagë e të prekë mendjen e sa ma të shumtëve. Dhe për këtë lloj mirazi[4] nuk shkohet as në gjykatë, as në përmbarim, por në nji shtëpi botuese.
Pra, për Zef Zorbën pa rini botuese dhe diku në sprintin e fundit të jetës (realisht, mbas ma pak se katër vjetësh ai ndërron jetë) siguritë që i jep vetënjoftja janë prap të pasigurta. Të pasigurta sepse ai e ka mbyllë me të vërtetë procesin e shkrimeve. Ai e ndien se ka hy në klimaks krijimtarie dhe, imagjinarisht dhe se, po të dështojë me këtë dalje të stërvonueme në publik, ai do ta lozte prestigjin e tij: o qafa, o nafaka. Pra, Zorbën e hymë në menopauzë poezishkrimi e kërcnonte pa masë ideja e mosmundësisë së rimarrjes dhe të rikuperimit. Këtej edhe fjalët “pa masë” të tij. Metaforikisht, Zef Zorba ishte nji plak që po mendonte me e çue në luftë djalin e vet të vetëm, i bindun se, po iu vra, ai do të mbetej kërcù e qyqar në votër.
Arsyeja e dytë na duket se mund të jetë ma e gjurmueshme përmes shejash që markuen kohën e përpilimit të kësaj parathanie, epokën dhe momentin historik. Me këtë parathanie na ndiejmë se Zorba ka pa dritë në fund të tunelit (!), mbas plot “katërdhjetë” vjetëve, ka pa dritën e papërmendun në baladën e tij të famshme me përkushtimin “Për Lalin” dhe disi asht trimnue. Asht trimnue, sepse ai po e ndiente se rrugës së tij të nëndheshme po i vinte fundi dhe se fundi i kësaj rruge të errët e të pashpresë po bashkohej me rrugën e madhe legale të botës, ku kishte vend për ecjen e të gjithëve. Nuk e di nëse e priste ma ardhjen e këtij çasti, apo, sikurse njeriu i Montales, nuk kishte ma asnji shpresë për shpëtim. Por fakti asht se u trimnue. U ul të sistemonte poezitë e tij simbas nji skeme, i ndau në kapituj me emna fort trimoshë e fort të rrezikshëm. Këtë punë kishte ba edhe nji tjetër bashkëqytetar i tij, shkrimtar edhe ai, Lec P. Shllaku, i cili nja 18 vjet ma vonë se ai, i mbërritun në moshën e bardhë të 86-ave, ditën e asaj nate që do të vdiste, punoi mbi katër orë në makinë shkrimi, me entuziazmin e sistemimit të veprës, tue thanë se “aritmetika e moshës nuk na lejon mos me pasë ngut”[5].
Mbasi u dha strukturën, mendoi edhe për nji titull dhe u vuni nji titull sugjestionues, me gjasë produkt i nji përjetimi të përsëritun qysh nga fëminija e deri në moshën e tij 47-vjeçare, kur duhet të ketë provue nji tronditje tjetër të fortë, por të heshtun në të gjithë mozaikun e vjershave të tij, atë të mbylljes së kishave. Ndryshe prej studiuesit Hamiti, unë mendoj se vendosja e datave pranë poemave të tij asht ma shum e qëllimtë kur ato data mungojnë sesa kur ato shfaqen krejt sporadikisht dhe vetëm në vjershat e fillimit. Por, do të kishte qenë gjithsesi nji shërbim i madh për studiuesin, po qe se autori do ta kishte ndie dëshirën dhe nevojën me kronologjizue në vija të trasha udhëtimin e tij poetik në këtë apné.
[1] Korsivi shpreh nji term të mendimit ekzistencialist të Sartre-it dhe gjendet në tekstin tim me kuptim identik si në punimin e tij për Baudelaire-in me titull “Baudelaire”. Shif J-P. Sartre, Baudelaire, Gallimard, 1963, fq. 19 (…il se fond avec l’absolu, il est justifié.).
[2] Karl Jaspers, “Εισαγωγή στη Φιλοσοφία” (Einführund in die Philosophie), Εκδόσεις Δωδώνη, Αθήνα, 1970, f. 67.
[3] Nikolai Berdjajew, “Selbsterkenntnis (Vetënjoftja): Versuch einer philosophischen Autobiographie” (Sprovë për nji autobiografi filozofike), Holle Verlag, Darmstadt und Genf, 1953.
[4] miraz-i, ndamje e pasunisë, pjesa që të bie si trashëgimi.
[5] Simbas dëshmisë gojore të nanës sime që i qëndroi pranë deri në fund këtij autori.