• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Shkupi 1924 te Shkupi 2026: Triumfi i gjeografisë mbi hegjemoninë

June 9, 2026 by s p

Për afro dy mijë vjet, qytete si Shkupi, Manastiri, Ohri, Dibra, Prizreni, Korça dhe Durrësi kanë funksionuar brenda të njëjtës hapësirë ekonomike dhe komunikimi. Tregtia, kultura dhe politika janë zhvilluar mbi bazën e kësaj rruge natyrore (Via Egnatia) që lidhte Adriatikun me brendësinë e Ballkanit. Nëse Beteja e Kumanovës e vitit 1912 shënoi fillimin e epokës së mureve, Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 nisi procesin e rrënimit të tyre. Përfundimi i Korridorit VIII pritet të përfaqësojë rikthimin përfundimtar të një rendi historik që për dy mijë vjet ka garantuar zhvillim ekonomik, shkëmbim kulturor dhe stabilitet relativ në këtë pjesë të Evropës.

Nga Prof.dr Skender Asani

Në historinë e popujve ekzistojnë ngjarje që, ndonëse në pamje të parë ndahen nga dekada apo shekuj, në thelb përbëjnë kapituj të së njëjtës vazhdimësi historike. Një rast i tillë paraqitet në ngjashmërinë e jashtëzakonshme ndërmjet Konferencës së Përfaqësuesve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e mbajtur në Shkup më 10 – 12 maj 1924, dhe Forumit Ekonomik Maqedoni e Veriut – Shqipëri “Përtej Kufijve”, të zhvilluar po më 12 maj, saktësisht 102 vjet më vonë.

Megjithëse të zhvilluara në rrethana krejtësisht të ndryshme politike, këto dy ngjarje lidhen nga një ide e përbashkët historike: rivendosja e korridorit natyror Lindje – Perëndim, i cili për më shumë se dy mijëvjeçarë ka shërbyer si arteria kryesore e komunikimit ekonomik, kulturor dhe politik ndërmjet Adriatikut, Ballkanit qendror dhe Lindjes.

Historia e këtij korridori është shumë më e vjetër se vetë shtetet moderne ballkanike. Në epokën romake, Via Egnatia dhe degëzimet e saj përbënin rrugën perandorake që lidhte Romën me Kostandinopojën. Siguria e garantuar nga legjionet romake krijonte kushtet themelore për zhvillimin e tregtisë, qarkullimin e mallrave dhe komunikimin ndërmjet qytetërimeve. Në Perandorinë Romake, rrugët nuk ishin vetëm infrastrukturë; ato ishin instrumente të zhvillimit ekonomik dhe të integrimit politik.

Ky funksion vazhdoi edhe gjatë periudhës bizantine. Për shekuj me radhë, Perandoria Bizantine e mbajti funksional boshtin Lindje – Perëndim, duke e shndërruar atë në urën kryesore të komunikimit ndërmjet Evropës dhe Azisë. Më pas, për afro pesë shekuj, Perandoria Osmane ruajti të njëjtën logjikë strategjike. Ndryshuan perandoritë dhe sistemet politike, por jo funksioni historik i korridorit: lëvizja e njerëzve, mallrave, ideve dhe kapitalit. Për afro dy mijë vjet, qytete si Shkupi, Manastiri, Ohri, Dibra, Prizreni, Korça dhe Durrësi kanë funksionuar brenda të njëjtës hapësirë ekonomike dhe komunikimi. Tregtia, kultura dhe politika janë zhvilluar mbi bazën e kësaj rruge natyrore që lidhte Adriatikun me brendësinë e Ballkanit.

Kjo vazhdimësi historike u ndërpre në mënyrë dramatike nga Lufta e Parë Ballkanike. Fitorja serbe në Betejën e Kumanovës në tetor të vitit 1912 nuk shënoi vetëm fundin e sundimit osman në rajon; ajo shënoi fillimin e një epoke të re të kufijve artificialë, pengesave politike dhe dominimit kombëtar. Për herë të parë pas shumë shekujsh, boshti natyror Lindje – Perëndim u fragmentua nga kufijtë e rinj shtetërorë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe më pas Konferenca e Versajës jo vetëm që i njohën këta kufij, por legjitimuan një rend të ri gjeopolitik të ndërtuar mbi copëzimin e një hapësire që historikisht kishte funksionuar si një tërësi ekonomike. Qytetet e sotme të Maqedonisë së Veriut u shkëputën nga lidhjet e tyre tradicionale me Shqipërinë. Rrjedhat shekullore tregtare u ndërprenë. Korridori ekonomik që kishte funksionuar për më shumë se dy mijëvjeçarë u paralizua.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe iniciativa shqiptare e vitit 1924. Dokumentacioni i Konferencës së Dhomave të Tregtisë në Shkup dëshmon qartë se elitat ekonomike të kohës e kishin kuptuar se stagnimi i rajonit ishte pasojë e drejtpërdrejtë e kufijve të mbyllur dhe e ndërprerjes së rrugëve tradicionale të komunikimit. Raporti i Dhomës Tregtare të Shkupit përshkruante me saktësi pasojat ekonomike të izolimit. Ai konstatonte se Prizreni, Gjakova, Dibra, Ohri dhe Manastiri po humbnin rëndësinë e tyre ekonomike për shkak të kufijve të mbyllur, mungesës së infrastrukturës moderne dhe pengesave administrative. Dokumenti propozonte ndërtimin e hekurudhave Manastir – Ohër dhe Ferizaj – Prizren, modernizimin e rrugëve, lehtësimin e qarkullimit tregtar dhe rikthimin e lidhjeve ekonomike me Shqipërinë.

Paralelisht me këtë iniciativë, qeveria shqiptare e vitit 1924 ndërmori edhe hapa të tjerë për të rikrijuar lidhje me trevat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Londrës. Dërgimi i komisioneve arsimore në viset shqiptare të ish – vilajeteve shqiptare synonte forcimin e vetëdijes kombëtare dhe mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe. Në thelb, bëhej fjalë për një përpjekje të gjerë për të rivendosur lidhjet natyrore ndërmjet Shkupit dhe Manastirit, dy qendrave të rëndësishme të ish vilajeteve shqiptare.

Ndërsa ekonomistët dhe tregtarët diskutonin për tregtinë, infrastrukturën dhe zhvillimin, politika zyrtare e Beogradit ndiqte një kurs krejtësisht tjetër: kolonizimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Për rrjedhojë, përpjekja për të rehabilituar korridorin ekonomik binte ndesh me logjikën e dominimit shtetëror.

Kjo gjendje vazhdoi deri më 9 qershorë të vitit 1999. Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar pas ndërhyrjes ajrore të NATO’s kundër Serbisë, shënoi fundin e rendit të krijuar në vitin 1912. Në aspektin historik, ajo simbolizoi kapitullimin e modelit hegjemonik që kishte penguar funksionimin normal të korridorit natyror të Ballkanit për gati një shekull.

Pas vitit 1999 u krijua një mundësi reale për rikthimin e këtij korridori në funksionin e tij historik. Megjithatë, edhe pse pa mundësi për ta ndalur drejtpërdrejt këtë proces, Serbia është përpjekur gjatë dy dekadave të fundit ta ngadalësojë atë përmes metodave të ndryshme. Përmes rrjeteve të ndikimit, instrumenteve politike dhe projekteve alternative gjeopolitike është tentuar të ruhet paradigma tradicionale e kontrollit mbi drejtimet strategjike të Ballkanit.

Megjithatë, faktet historike janë dëshmuar më të fuqishme se kalkulimet politike. Sot, Korridori VIII është realizuar në më shumë se nëntëdhjetë për qind të kapaciteteve të tij dhe është shndërruar në një proces historik praktikisht të pakthyeshëm.

Paradoksi qëndron në faktin se, pikërisht në prag të përfundimit të tij, në Maqedoninë e Veriut janë shfaqur që nga viti 2024 tendenca politike që synojnë pengimin e realizimit të plotë të këtij projekti, duke e mbajtur vendin të bllokuar në procesin e integrimit evropian. Koncepti i të ashtuquajturës “Botë Serbe”, i promovuar nga aktorë të caktuar brenda strukturave politike dhe institucionale, vazhdon të ndikojë në frenimin e këtij orientimi strategjik.

Por historia e korridoreve të mëdha nuk shkruhet nga qeveri kalimtare. Ajo diktohet nga nevojat afatgjata të qytetërimeve. Ashtu siç Perandoria Romake, Bizanti dhe Perandoria Osmane garantuan funksionimin e kësaj rruge për shekuj me radhë, sot NATO paraqitet si garantuesi kryesor i sigurisë së saj. Në këtë kuptim, Korridori VIII nuk është vetëm një korridor tregtar; ai është edhe korridori strategjik i NATO-s.

Nga perspektiva historike, ka një simbolikë të thellë fakti që më 12 maj 1924 elitat shqiptare u përpoqën të rivendosnin lidhjet ekonomike me Shkupin dhe Manastirin, ndërsa saktësisht 102 vjet më vonë, po më 12 maj, ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, organizoi në Shkup Forumin Ekonomik Maqedoni e Veriut – Shqipëri “Përtej Kufijve”.

Ky forum nuk ishte thjesht një takim biznesi. Ai përfaqësonte vazhdimësinë moderne të vizionit të artikuluar në vitin 1924. Mesazhi ishte i qartë: orientimi strategjik i Maqedonisë së Veriut duhet të mbështetet mbi zhvillimin ekonomik, sigurinë euro – atlantike dhe përfundimin e Korridorit VIII.

Kur ambasadori Meidani deklaroi se “gjeografia na ka bërë fqinjë, historia na ka afruar, ndërsa ekonomia duhet të na bëjë partnerë të pazëvendësueshëm”, ai përmblodhi në një fjali përvojën historike të dy mijëvjeçarëve të fundit. Po kështu, kur theksoi nevojën për më shumë lidhje, më shumë besim dhe bashkëpunim praktik, ai artikuloi formulën e vetme që ka garantuar stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në historinë e Ballkanit.

Ekonomisti maqedonas Branko Azeski nënvizoi domosdoshmërinë që dy shtetet të bashkojnë potencialet e tyre ekonomike dhe të ndërtojnë forma bashkëpunimi me vlerë miliarda euro. Ky qëndrim përfaqëson fitoren e logjikës së zhvillimit mbi logjikën e konfliktit. Përfundimi dhe funksionalizimi i plotë i Korridorit VIII do të shënojë shembjen përfundimtare të hegjemonive që kanë penguar rrjedhën normale të historisë në Ballkan për më shumë se një shekull. Ai do të hapë horizonte të reja për dialog ndërkulturor, bashkëpunim ekonomik dhe integrim rajonal. Mbi të gjitha, do të rrëzojë përfundimisht iluzionin se Ballkani mund ta ndërtojë të ardhmen mbi konfliktet, barrierat dhe ndarjet.

Nëse Beteja e Kumanovës e vitit 1912 shënoi fillimin e epokës së mureve, Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 nisi procesin e rrënimit të tyre. Përfundimi i Korridorit VIII pritet të përfaqësojë rikthimin përfundimtar të një rendi historik që për dy mijë vjet ka garantuar zhvillim ekonomik, shkëmbim kulturor dhe stabilitet relativ në këtë pjesë të Evropës.

Në këtë kuptim, Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt infrastrukturor. Ai përfaqëson kthimin e historisë në rrjedhën e saj natyrore.

Filed Under: Histori

Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit…

June 8, 2026 by s p

Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit për bashkim dhe përgjegjësi kombëtare dëgjohet sot përmes zërit të rinisë shqiptare, e cila kërkon drejtësi, dinjitet, zhvillim dhe një të ardhme më të bashkuar e më të lirë në trojet e veta.

Isuf B.Bajrami

Sot, 148 vjet pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët nuk përballen më me të njëjtat rreziqe që kërcënonin ekzistencën e tyre kombëtare në vitin 1878.

Nuk jemi përballë copëtimit të trojeve shqiptare siç ishin përballë Abdyl Frashëri dhe bashkëluftëtarët e tij.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sfidat e kohës sonë janë më të vogla.

Përkundrazi, ato janë më të ndërlikuara dhe kërkojnë po aq urtësi, vizion dhe përgjegjësi.

Nëse atëherë sfida ishte mbrojtja e tokës shqiptare, sot sfida është mbrojtja e së ardhmes shqiptare.

Nëse atëherë rrezikohej territori, sot rrezikohet kapitali më i çmuar i kombit: rinia e tij.

Çdo vit, mijëra të rinj e të reja largohen nga Tirana, Prishtina, Shkupi dhe qytete të tjera shqiptare në kërkim të mundësive që shpesh nuk arrijnë t’i gjejnë në vendin e tyre.

Ata nuk largohen sepse nuk e duan vendin e tyre.

Shumica largohen sepse duan të ndërtojnë një jetë me dinjitet, siguri dhe perspektivë.

Kjo është sfida e madhe kombëtare e shekullit XXI.

Një komb nuk dobësohet vetëm kur humbet territore.

Ai dobësohet edhe kur humbet energjinë krijuese të brezit të ri, kur humbet mendjet më të arsimuara, kur humbet besimin e qytetarëve te drejtësia, te shteti dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet.

Pikërisht për këtë arsye, përvjetori i Lidhjes së Prizrenit nuk duhet të jetë vetëm një moment përkujtimi historik.

Ai duhet të jetë një moment reflektimi kombëtar.

Duhet të pyesim veten se çfarë do të thotë sot të jesh i përkushtuar ndaj interesit kombëtar.

Çfarë do të thotë sot të mbrosh të ardhmen e shqiptarëve?

Çfarë do të thotë sot të veprosh me të njëjtën ndjenjë përgjegjësie që i bashkoi shqiptarët në Prizren në vitin 1878?

Përgjigjja nuk gjendet në konfliktet e përditshme politike.

Nuk gjendet në gjuhën e urrejtjes, në përçarje apo në rivalitetet e pafundme që shpesh konsumojnë energjinë e shoqërisë sonë.

Përgjigjja gjendet te aftësia për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të krijuar institucione të drejta, për të luftuar korrupsionin, për të investuar në arsim, shkencë, teknologji, kulturë dhe zhvillim ekonomik.

Kjo është beteja e brezit tonë.

Sot shqiptarët kanë më shumë shtete, më shumë institucione, më shumë mundësi dhe më shumë liri se në çdo periudhë tjetër të historisë së tyre.

Por liria nuk është një arritje që ruhet vetvetiu.

Ajo kërkon përgjegjësi.

Kërkon qytetarë aktivë. Kërkon institucione të forta.

Kërkon drejtësi.

Kërkon besim se puna, merita dhe ndershmëria duhet të shpërblehen më shumë se lidhjet politike apo privilegjet e pushtetit.

Në këtë kuptim, zëri i rinisë shqiptare meriton të dëgjohet.

Jo sepse rinia ka gjithmonë të drejtë, por sepse asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke injoruar brezin që do ta jetojë atë të ardhme.

Shqetësimet e tyre për arsimin, punësimin, korrupsionin, meritokracinë dhe mundësitë për zhvillim nuk janë çështje të një grupi apo një partie politike. Ato janë çështje kombëtare.

Prandaj, sot nevojitet një vizion i ri bashkimi.

Jo domosdoshmërisht bashkim politik në kuptimin formal të fjalës, por bashkim i energjive, ideve, potencialeve dhe aspiratave shqiptare kudo ku jetojnë shqiptarët.

Nevojitet më shumë bashkëpunim në arsim, shkencë, kulturë, ekonomi, teknologji dhe zhvillim njerëzor.

Nevojitet më shumë komunikim mes shqiptarëve dhe më pak paragjykime.

Më shumë projekte të përbashkëta dhe më pak ndarje artificiale.

Kushtrimi që vjen nga historia nuk është thirrje për konflikt.

Ai është thirrje për vetëdije.

Është thirrje për përgjegjësi.

Është thirrje për të kuptuar se e ardhmja e shqiptarëve nuk ndërtohet nga një individ, një parti apo një qeveri e vetme.

Ajo ndërtohet nga përpjekja e përbashkët e një populli që beson te vetja dhe te potenciali i tij.

Ashtu si burrat e Lidhjes së Prizrenit kuptuan se përballë sfidave të mëdha kërkohej unitet kombëtar, edhe sot shqiptarët duhet të kuptojnë se përballë sfidave të shekullit XXI kërkohet një vetëdije e re kombëtare.

Një vetëdije që respekton pluralizmin politik, por nuk harron interesat e përbashkëta.

Një vetëdije që respekton dallimet, por nuk lejon që ato të shndërrohen në pengesë për zhvillimin dhe përparimin.

Mesazhi që na vjen nga Prizreni pas 148 vjetësh është i qartë: kombet përparojnë kur dinë të bashkojnë forcat e tyre rreth qëllimeve të mëdha.

Sot qëllimi ynë më i madh duhet të jetë ndërtimi i një hapësire shqiptare më të zhvilluar, më të drejtë, më të ditur, më të lirë dhe më shpresëdhënëse për brezat që vijnë.

Ky është kushtrimi i kohës sonë.

Jo për luftë, por për dije.

Jo për përçarje, por për bashkim.

Jo për urrejtje, por për përgjegjësi.

Jo për largimin e rinisë, por për kthimin e shpresës.

Jo për të jetuar me nostalgjinë e së kaluarës, por për të ndërtuar me guxim të ardhmen.

Vetëm atëherë do ta nderojmë vërtet trashëgiminë e atyre që u mblodhën në Prizren më 10 qershor 1878.

Vetëm atëherë do të dëshmojmë se mësimi i tyre nuk ka mbetur thjesht histori, por është shndërruar në frymëzim për një të ardhme më të bashkuar, më të lirë dhe më të denjë për shqiptarët kudo që jetojnë.

Filed Under: Histori

“Lezha (Lisi) gjatë sundimit të mbretit të fundit ilir, Gentit (181–168 p.K.): Roli strategjik, ushtarak, politik dhe ekonomik”

June 4, 2026 by s p

Paulin Zefi/

Gjatë kohës kur në fron ishte mbreti Pleurati III (197 – 181 p.K.), Lisi përjetoi një zhvillim të madh ekonomik dhe vazhdoi të ruante vetëqeverisjen brenda Mbretërisë Ilire të Labeatëve. Mirëpo, vetëqeverisja u bë e vështirë, kur sundimtar i këtij shteti u bë i biri i Pleuratit III, Genti (181 – 168 p.K.) (1). Nga ana tjetër, zhvillimi ekonomik i qytetit arrin fazën e tij kulmore pikërisht gjatë kësaj periudhe (2). Kjo vihet re sidomos në vitin 169 p.K., kur mbreti Gent e mbajti qytetin si rezidencë provizore (3) dhe e ktheu atë në një qendër kryesore për ushtrinë e tij, duke i ndërtuar kazermat e ushtrisë mbretërore brenda murit rrethues (4). Kjo bazë e fuqishme ushtarake mund të akomodonte deri në 15.000 ushtarë me armatim të plotë (5). Efektivi i kësaj ushtrie përbën një tregues të rëndësishëm edhe për vlerësimin e potencialit demografik të qytetit. Nëse fortifikimi i Lisit, që rrethonte një sipërfaqe prej afërsisht 20 ha, kishte kapacitet për të strehuar deri në 15.000 ushtarë të armatosur, atëherë është e qartë se ai ishte konceptuar për të përballuar një përqendrim njerëzor shumë më të madh sesa ai i popullsisë së zakonshme urbane. Duke marrë në konsideratë praninë e familjeve, zejtarëve, tregtarëve dhe kategorive të tjera të popullsisë civile, mund të supozohet se numri i banorëve të përhershëm të qytetit gjatë shek. II p.K. duhet të jetë luhatur ndërmjet 5.000 dhe 8.000 vetëve.

Në rrethana të jashtëzakonshme, si gjatë konflikteve ushtarake ose mobilizimit të përgjithshëm të popullsisë së territorit përreth, numri i njerëzve të strehuar brenda mureve mbrojtës mund të arrinte ose edhe të tejkalonte shifrën prej 15.000 personash. Ndërkohë, pikërisht në shek. II p.K., kur përjetonte një nga periudhat e tij më të begata ekonomike dhe urbane, Butrinti, i konsideruar ndër qytetet më të zhvilluara të Ilirisë dhe një qendër e rëndësishme e Pellgut të Mesdheut, vlerësohet të mos ketë pasur më shumë se 3.000 banorë (6). Ky fakt e bën edhe më domethënës potencialin demografik të Lisit, duke sugjeruar se ai zinte një vend shumë të rëndësishëm në rrjetin urban të Ilirisë së Jugut dhe se fortifikimet e tij ishin projektuar për të përballuar jo vetëm nevojat e popullsisë së përhershme, por edhe kërkesat e mbrojtjes së një territori shumë më të gjerë.

Periudha e sundimit të Gentit përfaqëson edhe fazën e dytë të prerjes autonome të monedhave të qytetit (7), ku në faqet e këtyre monedhave u vendos portreti i Gentit, i cili mban në kokë një kapele të tipit “Kausia” dhe në anën tjetër të tyre paraqitet një anije ilire me legjendën “LISSI-TAN [ΛΙΣΣI-ΤΑΝ] (😎.” Kjo prerje e re e monedhave shënon edhe fazën fillestare të reformës së mbretit Gent në sistemin monetar, e cila bazohej në këto drejtime kryesore: A) Unifikimi i monedhave të prera nga dy qytetet e rëndësishme, Shkodra dhe Lisi, në një monedhë të vetme, duke i hequr kështu këtyre qendrave autonominë monetare; B)Vendosja e emrit dhe portretit të mbretit mbi monedha, për të afirmuar autoritetin mbretëror; C) Ruajtja e simboleve tradicionale të monedhave të mëparshme, që i siguronin monedhës së re vazhdimësinë dhe me të cilat popullsia ishte mësuar; D) Mbajtja e së njëjtës peshë dhe masë si monedhat ekzistuese, për të mos krijuar konfuzion në tregti dhe ekonomi (9). Gjatë gërmimeve arkeologjike dhe punimeve restauruese në muret antike të Lisit, si dhe në sipërfaqen e terrenit, janë gjetur mbi 200 monedha prej bronzi (10).

Nga studimi i tyre rezulton se në qytetin e Lisit janë prerë dhe vënë në qarkullim 6 tipe të ndryshme monedhash, një element që dëshmon qartë për një aktivitet të gjerë monetar (11). Duke analizuar ndikimin e kultit ilir mbi monedhat antike të vendit tonë, numizmati i parë shqiptar, H.Ceka, vëren se legjendat greke të përdorura në monedha, si “Hermes” dhe “Artemis”, mund të jenë thjesht “justifikime greke”, ndërkohë që figura hyjnore pas tyre ka të ngjarë të ketë origjinë ilirike. Ai argumenton se monedhat, të cilat mund të konsiderohen “greke”, janë në të vërtetë pjesë e një tradite më autoktone ilire, veçanërisht për qytetin e Lisit (12). Në rrjetin tregtar antik të Ilirisë së Jugut, Lisi shërbente si një nyje strategjike thelbësore, duke lidhur brendësinë me bregdetin dhe duke lehtësuar qarkullimin e mallrave përmes lumenjve dhe rrugëve tregtare natyrore (13).

Gjatë periudhës së mbretit Gent, Lisi u bë kryqëzimi më i rëndësishëm tregtar i Ilirisë së Jugut, pasi kontrollonte portin strategjik në Adriatik, lidhej me lumin Drin që e hapte drejt Dardanisë dhe rajoneve të tjera në brendësi të Europës Juglindore, shërbente si qendër tranziti, doganare dhe magazinimi, kishte prodhime zejtarie të zhvilluara dhe funksiononte si qendër import-eksporti. Krahas rolit të rezidencës mbretërore të Gentit në vitin 169 p.K. dhe kryeqendrës ushtarake të Mbretërisë Ilire, një shtet që I.Topich e cilëson si “l’Impero di Genzio (14)”, pra “Perandoria e Gentit”, Lisi shërbeu edhe si kryeqytet diplomatik.

Pasi kishin shkuar më parë në Shkodër (15), dy ambasadorë të mbretit të Maqedonisë, Perseut, të cilët ishin Adeu maqedonas dhe Pleurati ilir, erdhën dhe u takuan me mbretin Gent brenda mureve të Lisit, me qëllim që të lidhnin aleancë kundër armikut të përbashkët, Republikës Romake (16). Bisedimet filluan në Lis në muajin janar të vitit 169 p.K. dhe pasi u rimorën disa herë gjatë këtij viti, përfunduan në janarin e vitit tjetër 168 p.k., kur Genti e theu aleancën me Romën (17) dhe pikërisht në këtë qytet, në vitin 168 p.K., ai mblodhi forcat e tij për të luftuar me romakët (18). Gjatë Luftës së Tretë Iliro – Romake (168 p.K.), e cila zgjati vetëm 30 ditë (19), një luftë që Apiani i Aleksandrisë e zbret në 20 ditë (20), Lisi u bë pika e përqendrimit të ushtrisë mbretërore dhe baza kryesore operacionale e forcave tokësore dhe atyre detare, që niseshin nga ky qytet për të sulmuar romakët (21). Kundër mbretit Gent u angazhua komandanti romak, Lucius Anicius Gallus, i cili, duke ardhur nga Italia e Jugut, zbarkoi pranë Apollonisë me flotën e tij, madhësia e së cilës nuk dihet me siguri. Forcat e tij përbëheshin nga dy legjione romake, me gjithsej 10.400 këmbësorë dhe 600 kalorës, si dhe nga kontingjentë të aleatëve italikë, që përfshinin 10.000 këmbësorë dhe 800 kalorës. Këto trupa u përforcuan më tej nga një kontingjent prej 5.000 marinarësh, ndërsa kësaj force të konsiderueshme iu shtuan edhe 2.000 këmbësorë dhe 200 kalorës të fisit ilir të Parthinëve, aleatë të Republikës Romake (22). Mjafton përdorimi i një metode të thjeshtë krahasuese midis dy fuqive ndërluftuese për të kuptuar arsyet pse ushtria e Gentit nuk ishte në gjendje të përballonte numerikisht forcat e kombinuara të Lucius Anicius Gallus, si dhe pse përplasjet ushtarake ndërmjet tyre u zhvilluan brenda një periudhe të shkurtër kohore, që nuk i kaloi 30 ditë. Përplasja e parë me peshë ushtarake ndërmjet mbretit Gent dhe komandantit romak, Lucius Anicius Gallus, u zhvillua pikërisht në qytetin e Lisit, i cili përbënte një pikë strategjike kyçe në teatrin e operacioneve të kësaj fushate (23). Genti pësoi disfatë, qyteti i Lisit u pushtua me sulm nga ushtria romake, dhe një pjesë e konsiderueshme e mureve u shkatërruan (24). Pas fitores ndaj Gentit në Lis, duke e detyruar të tërhiqej drejt veriut, Lucius Anicius Gallus e ndoqi atë deri në muret e Shkodrës, ku mbreti ilir pësoi disfatën përfundimtare (25). Të njëjtin fat si Genti e pësoi edhe aleati i tij, Perseu, mbreti i Maqedonisë (26). Dy mbretërit e mundur, Genti dhe Perseu së bashku me familjet e tyre, me plaçkë dhe robër të shumtë lufte u dërguan në qytetin e Romës dhe në këtë mënyrë morën fund dy shtetet e fuqishme të Ballkanit, duke u krijuar mundësi romakëve, që ata të depërtonin lehtësisht me pushtimet e tyre nëpër krahinat e tjera të Ballkanit dhe të pellgut të Egjeut (27). Komandanti romak, Lucius Anicius Gallus, jo vetëm që fitoi luftën kundër Gentit, por bëri edhe një plaçkë të madhe, pasi mori me vete 54 okë flori (69.2 kg), 38 okë argjend (48.7 kg) dhe 123.000 copë monedha argjendi (28).

Këtu shihet shumë qartë se sa i pasur ka qenë mbreti Gent në ato kohë. Ushtarët romakë që morën pjesë në këtë luftë u shpërblyen gjithsecili me 10 monedha për person, prijësit dyfish më shumë, ndërsa kalorësit tri herë më shumë (29). Mirëpo, pjesa më e rëndësishme e plaçkës së sekuestruar në Mbretërinë Ilire të Labeatëve përbëhej nga 220 anije të flotës së saj madhështore, të cilat, me një dekret të posaçëm të Senatit Romak, iu dhuruan banorëve të Korkyrës, Apolonisë dhe Epidamnit. Mbreti Gent, me bashkëshorten e tij, mbretëreshën Etleva, bijtë Skerdilaid dhe Pleurat, si edhe vëllai i tij, Karavantius, u parakaluan në rrugët e Romës dhe u futën në Kapitol përpara karrocës triumfuese të pretori­t Lucius Anicius Gallus (30). Pas këtij poshtërimi publik, familja mbretërore u dërgua së pari në Spoleto (31) dhe më pas në qytetin Iguvium (Gubio), ku mbreti Gent jetoi dhe vdiq si rob (32). Nga ana tjetër, pushtimi i Lisit nga romakët nuk shënoi fundin e jetës në këtë qytet, por ai vazhdoi të jetonte, veçanërisht në brigjet e lumit Drin, ku kantieret e mëdha të anijeve ilire tashmë punonin për flotën romake. Pas fitores mbi Gentin, Republika Romake e ndau Mbretërinë Ilire në tri njësi të veçanta administrative (33) dhe njësia e parë, e cila përfshinte territorin midis lumit Mat dhe kufijve jugorë të Labeatëve, kishte si qendër pikërisht Lisin (34).

Njësia pseudoautonome e Lisit nën kontrollin e Republikës Romake, mendohet të ketë përfshirë territoret e bashkësisë së mëparshme ilire të Lisit, e cila mbulonte afërsisht trevat ndërmjet lumenjve Drin e Bunë në veri, duke përfshirë në lindje krejt Mirditën dhe Lurën e sotme, si dhe pjesën më të madhe të trevës së Matit, ndërsa nga jugu atë e ndante nga Parthinët lumi i Matit (35). Në përmbyllje, mund të thuhet se Lisi (Lezha) gjatë sundimit të mbretit të fundit ilir, Gentit, përfaqësonte qendrën e dytë më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekonomike të Mbretërisë Ilire, pas Shkodrës. Pozita strategjike e qytetit, sistemi i fuqishëm i fortifikimit dhe roli i tij në organizimin ushtarak të shtetit ilir dëshmojnë për peshën e veçantë që Lisi gëzonte në kuadër të politikës shtetformuese të Gentit.

Burimet historike dhe të dhënat arkeologjike tregojnë se Lisi nuk ishte thjesht një qendër urbane e zhvilluar, por edhe një nyje shumë e rëndësishme e kontrollit territorial dhe e komunikimit ndërmjet hinterlandit ilir dhe hapësirës adriatike. Megjithëse disfata e Gentit në Luftëb e Tretë Iliro-Romake (168 p.K.) shënoi fundin e pavarësisë së shtetit ilir, rëndësia e Lisit nuk u zbeh. Përkundrazi, qyteti vijoi të ruante rolin e tij si një qendër shumë e rëndësishme urbane edhe gjatë periudhës romake, duke dëshmuar se zhvillimi i arritur në epokën e Gentit dhe të mbretërve ilirë paraardhës, kishte krijuar themele të qëndrueshme për vazhdimësinë e jetës qytetare.

Në këtë kontekst, studimi i Lezhës së shek. II p.K. nuk ndihmon vetëm në kuptimin e organizimit politik dhe ushtarak të Mbretërisë Ilire, por edhe në vlerësimin e rolit që ky qytet luajti në historinë e hershme urbane të bregdetit lindor të Adriatikut. Për këtë arsye, Lezha mbetet një dëshmi shumë e rëndësishme e nivelit të zhvillimit shtetëror, ekonomik, ushtarak dhe kulturor të ilirëve në prag të pushtimit romak, duke zënë një vend të privilegjuar në historinë e Qytetërimit Ilir.

Filed Under: Histori

BEKIM FEHMIU (1 QERSHOR 1936 – 15 qershor 2010)

June 1, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Legjenda shqiptare që çau Perden e Hekurt dhe pushtoi ekranet e botës…Ka artistë që bëhen të famshëm në vendin e tyre. Ka të tjerë që arrijnë sukses ndërkombëtar. Por vetëm pak prej tyre shndërrohen në simbol të një kombi. Bekim Fehmiu ishte një prej atyre figurave të rralla që e tejkalojnë kohën, kufijtë dhe gjuhët.

Ai lindi 90 vjet me pare, më 1 qershor 1936 në Sarajevë, në një familje shqiptare me origjinë nga Gjakova. Ishte biri i hoxhë Ibrahim Fehmiut dhe Hedijes. Babai i tij ishte internuar në kryeqytetin boshnjak nga autoritetet e Mbretërisë Jugosllave për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare.

Më vonë familja u vendos fillimisht në Shkodër dhe më pas në Prizren, qytet ku Bekimi do të kalonte vitet e rinisë dhe do të formësonte identitetin e tij kulturor e artistik.

Në historinë e kinematografisë evropiane, Bekim Fehmiu zë një vend krejt të veçantë.

Ai mbetet aktori i parë dhe pothuajse i vetmi nga Europa Lindore që, në kulmin e Luftës së Ftohtë, arriti të thyejë kufijtë politikë dhe ideologjikë të kohës, duke depërtuar në qendrën më prestigjioze të industrisë së filmit botëror – Hollywood.

Në një epokë kur artistët e Lindjes jetonin nën kufizimet e Perdes së Hekurt, ai arriti të fitojë respektin dhe admirimin e kinemasë ndërkombëtare, duke u bërë një ambasador i talentit shqiptar në skenën botërore.

Gjatë karrierës së tij bashkëpunoi me disa prej emrave më të mëdhenj të artit filmik: John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shaw, Irene Papas, Dirk Bogarde, Claudia Cardinale, Candice Bergen, Charles Aznavour, Laura Antonelli dhe shumë yje të tjerë të ekranit.

Një nga cilësitë më të jashtëzakonshme të Fehmiut ishte aftësia për të interpretuar në shumë gjuhë. Ai luajti role në shqip, anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, turqisht dhe serbo-kroatisht, duke dëshmuar një fleksibilitet artistik që pak aktorë e kanë pasur në historinë e kinemasë evropiane.

Nga viti 1953 deri në vitin 1998 ai interpretoi në mbi 40 filma artistikë, duke krijuar një galeri personazhesh që mbeten edhe sot modele të aktrimit të nivelit të lartë. Veprat e tij më të njohura përfshijnë “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, “E dashura ime Libera”, “Prova speciale” dhe shumë të tjera, ku talenti i tij shpërtheu me një intensitet të rrallë.

Por filmi që e ngriti në panteonin e kinemasë botërore ishte pa dyshim “Mbledhësit e Puplave” (Skupljači Perja), realizuar në vitin 1967.

Ky film, i bazuar në jetën e komunitetit rom në Vojvodinë, trajtonte tema universale si dashuria, varfëria, dinjiteti njerëzor, konfliktet sociale dhe paragjykimet etnike. Interpretimi i Bekim Fehmiut në rolin kryesor u cilësua nga kritika ndërkombëtare si një nga paraqitjet më të fuqishme të kinemasë evropiane të pasluftës.

Filmi fitoi Çmimin Special të Jurisë në Festivalin prestigjioz të Cannes dhe u nominua për Çmimin Oscar si Filmi më i Mirë i Huaj, duke e bërë emrin e Bekim Fehmiut të njohur në të gjithë botën.

Por madheshtia e interpretimitp Bekim Fehmiu, nje vit me pas i dhuroi botes se filmit Odiseun me fytyrën e njeriut që kërkon atdheun

Ka shumë aktorë që kanë interpretuar Odiseun, heroin e pavdekshëm të Homerit. Por shumë pak kanë arritur ta bëjnë atë aq njerëzor, aq të prekshëm dhe njëkohësisht aq madhështor sa Bekim Fehmiu në serialin televiziv “Odisea” të vitit 1968.

Odiseu i Bekim Fehmiut nuk ishte thjesht luftëtari fitimtar i Trojës. Ai ishte njeriu i lodhur nga luftërat, i plagosur nga mungesat, i përndjekur nga fati dhe i etur për t’u kthyer në shtëpi. Në sytë e tij lexohej mall, krenari, dhimbje dhe një forcë e brendshme që nuk thyhej kurrë.

Fehmiu kishte diçka që pak aktorë e zotërojnë: praninë. Mjaftonte ta shihje në ekran dhe kuptoje se ai nuk po luante Odiseun; ai po jetonte brenda tij. Fytyra e tij e skalitur, shikimi depërtues dhe qëndrimi fisnik krijonin figurën e një mbreti që kishte parë gjithçka, por që nuk kishte humbur kurrë shpresën.

Ndryshe nga interpretimet më heroike dhe monumentale që janë bërë më vonë, Bekim Fehmiu i dha Odiseut një dimension thellësisht njerëzor. Ai nuk ishte një supernjeri. Ishte një njeri që vuante, gabonte, dyshonte dhe megjithatë vazhdonte rrugën e tij.

Në historinë e ekranizimeve homerike, shumë aktorë të mëdhenj kanë veshur mantelin e Odiseut.

Kirk Douglas, në filmin “Ulysses” (1954), krijoi një Odise energjik, luftarak dhe tipik për kinemanë epike të Hollywood-it të viteve pesëdhjetë. Ishte një hero i fuqishëm, plot dinamizëm dhe autoritet.

Armand Assante, në mini-serialin “The Odyssey” (1997), solli një Odise më dramatik, më të errët dhe më të trazuar psikologjikisht, duke e afruar figurën me ndjeshmërinë moderne.

Sean Bean, në “Troy” (2004), megjithëse në një rol dytësor, i dha Odiseut inteligjencën politike dhe dinakërinë strategjike që e karakterizon në poemën homerike.

Por Odiseu i Bekim Fehmiut kishte një cilësi që e dallonte nga të gjithë: ai dukej sikur vinte drejtpërdrejt nga vetë Mesdheu homerik. Në tiparet e tij kishte diçka arkaike, diçka ballkanike dhe mesdhetare njëherësh, që e bënte figurën jashtëzakonisht autentike.

Pikërisht për këtë arsye shumë kritikë evropianë të kohës e konsideruan interpretimin e tij ndër më bindësit e realizuar ndonjëherë për heroin e Homerit.

Në ekran, Bekim Fehmiu nuk ishte vetëm mbreti i Itakës.

Ai ishte simboli i njeriut që udhëton gjatë gjithë jetës për të gjetur shtëpinë e tij.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, më shumë se pesëdhjetë vjet më vonë, Odiseu i tij vazhdon të kujtohet. Sepse në atë interpretim nuk shihnim vetëm një personazh të mitologjisë greke.

Shihnim vetë njeriun, në kërkim të rrugës së kthimit.

Nëse roli i Odiseut e bëri të njohur në mbarë botën, ishin filmat e kinemasë evropiane ata që e shndërruan Bekim Fehmiun në një figurë të admiruar nga publiku i kontinentit.

Në vitet ’70 dhe ’80, ai ishte një nga fytyrat më karizmatike të ekranit evropian. Një aktor me elegancë natyrale, me një bukuri mashkullore të veçantë dhe me një intensitet interpretimi që e bënte të paharrueshëm në çdo rol.

Në filmin “E dashura ime Libera” (Libera, amore mio), përkrah divës së madhe italiane Claudia Cardinale, Fehmiu dëshmoi se nuk ishte vetëm një aktor epik apo aventurier. Ai zotëronte edhe ndjeshmërinë e hollë dramatike, aftësinë për të shprehur me një shikim të vetëm dashurinë, dhimbjen, zhgënjimin dhe dinjitetin njerëzor.

Në ekran, ai nuk përpiqej kurrë të dominonte partneren e tij artistike. Përkundrazi, krijonte një ekuilibër të rrallë, ku forca e interpretimit buronte nga natyrshmëria. Pikërisht kjo e bëri bashkëpunimin e tij me Claudia Cardinale një nga çiftet më elegante të kinemasë italiane të asaj periudhe.

Po aq mbresëlënës ishte edhe në serialin televiziv “Përgjithmonë Xhulia” (Per sempre Giulia), ku interpretoi përkrah një tjetër ikonë të ekranit evropian, Laura Antonellit.

Laura Antonelli konsiderohej një nga gratë më të bukura dhe më të adhuruara të kinemasë italiane. Megjithatë, në skenat e përbashkëta, Fehmiu nuk mbetej kurrë në hijen e partnerit Ai sillte një prani të qetë, aristokratike, pothuajse magnetike, që e bënte publikun të ndiqte me të njëjtin interes çdo lëvizje dhe çdo fjalë të tij.

Ishte një aktor që nuk kishte nevojë për gjeste të tepruara. Ai fliste me sytë, me heshtjen, me mënyrën se si hynte në një skenë apo si largohej prej saj.

Kritika evropiane e kohës shpesh e përshkruante si një ndërthurje të elegancës mesdhetare me forcën dramatike ballkanike. Ai kishte hijeshinë e aktorëve italianë, intensitetin e shkollës franceze të interpretimit dhe temperamentin e fuqishëm të Lindjes Evropiane.

Pikërisht për këtë arsye Bekim Fehmiu ishte një figurë unike. Ai nuk përfaqësonte vetëm një komb apo një kinematografi. Ai ishte një artist evropian në kuptimin më të plotë të fjalës.

Sot, kur shohim filmat e tij përkrah yjeve si Claudia Cardinale, Laura Antonelli, apo yjeve të tjerë të mëdhenj të ekranit, kuptojmë se ai nuk ishte thjesht “aktori shqiptar që pati sukses jashtë vendit”.

Ai ishte një nga aktorët e rëndësishëm të kinemasë evropiane të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Një burrë me fytyrën e një heroi antik, me shpirtin e një artisti të madh dhe me atë magnetizëm të rrallë që nuk zbehet as me kalimin e dekadave.

Megjithatë, madhështia e tij nuk qëndron vetëm te fama apo çmimet.

Bekim Fehmiu mbeti gjithmonë krenar për origjinën e tij shqiptare. Në një kohë kur identitetet kombëtare shpesh fshiheshin për arsye politike, ai nuk e mohoi kurrë prejardhjen e tij. Përkundrazi, e mbajti me dinjitet dhe krenari në çdo skenë ku interpretoi.

Sot, shumë vite pas largimit të tij nga jeta, Bekim Fehmiu vazhdon të mbetet një figurë unike: një artist me përmasa botërore, një pionier që hapi rrugën e aktorëve të Ballkanit drejt kinemasë ndërkombëtare dhe një prej emrave më të ndritur që ka nxjerrë kombi shqiptar në fushën e artit.

Ai nuk ishte vetëm një aktor i madh. Ai ishte një epokë.

Një fytyrë shqiptare që për dekada të tëra ndriçoi ekranet e botës.

Megjithatë, në zemrën e tij mbetën dy ëndrra që nuk u realizuan kurrë.

E para ishte të interpretonte Gjergj Kastriot Skënderbeun në një film të madh ndërkombëtar. Ai besonte se heroi shqiptar kishte përmasat e figurave më të mëdha historike të ekranit botëror dhe shpesh shprehte dëshirën që një ditë ta sillte në jetë me talentin dhe pasionin e tij. Por kjo ëndërr mbeti vetëm një projekt i parealizuar.

E dyta ishte edhe më e thjeshtë, por ndoshta më prekëse. Bekim Fehmiu, i lindur në Sarajevë për shkak të internimit të të atit, do të dëshironte që në certifikatën e tij të lindjes të shkruhej emri i një qyteti shqiptar. Shkodra, ku familja e tij jetoi për disa vite dhe ku ai ruante kujtime të hershme e të dashura, zinte një vend të veçantë në zemrën e tij.

Fati nuk ia dha as njërën, as tjetrën.

Por ndoshta jeta i dhuroi diçka më të madhe. Ai vetë u shndërrua në një simbol të kulturës shqiptare, në një figurë që i bëri shqiptarët të ndihen krenarë në skenën ndërkombëtare. Në mungesë të filmit për Skënderbeun, Bekim Fehmiu u bë vetë një lloj kalorësi modern i identitetit shqiptar. Dhe në mungesë të një certifikate lindjeje shqiptare, ai fitoi diçka më të rrallë: një vend të përhershëm në kujtesën dhe zemrat e shqiptarëve kudo që jetojnë.

Sepse atdheu i vërtetë i artistëve të mëdhenj nuk është vetëm vendi ku lindin, por edhe kujtesa e popullit që nuk i harron kurrë.

Filed Under: Histori

30 Maj 1913 – Njohja ndërkombëtare e Shqipërisë “Londineze”

May 30, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Traktati i Londrës u nënshkrua 113 vjet më parë, më 30 maj 1913, në përfundim të Konferencës së Londrës (1912–1913).

Ky traktat lidhej me armëpushimin ndërmjet palëve pas Luftës së Parë Ballkanike dhe me rregullimet territoriale në dëm të Perandorisë Osmane.

Traktati i Londrës i vitit 1913 përbënte një pikë kthese për Ballkanin, sepse shënoi fundin e dominimit osman në rajon dhe lindjen e Shqipërisë si shtet i pavarur, por gjithashtu la hapësirë për konflikte të reja, të cilat shpërthyen menjëherë me Luftën e Dytë Ballkanike.

“Personazhet” e Traktatit të Londrës ishin Liga Ballkanike, e përbërë nga Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi; Fuqitë e Mëdha (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia); si dhe Perandoria Osmane.

Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fuqishëm krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, për të frenuar ambiciet serbe dhe greke.

Rusia mbështeti pa rezerva Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar mbajtën një qëndrim më të rezervuar dhe kryesisht neutral.

Sir Edward Grey, Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve në St. James’s Palace në Londër, ishte figura qendrore që drejtoi diskutimet dhe ndërmjetësoi mes Fuqive të Mëdha.

Konferenca njihej si “Konferenca e Ambasadorëve”, sepse çdo Fuqi e Madhe kishte dërguar ambasadorin e saj në Londër:

• Austro-Hungaria – ambasadori Albert von Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein.

• Franca – ambasadori Paul Cambon.

• Gjermania – ambasadori Karl Max, Princ Lichnowsky.

• Italia – ambasadori Raffaele Guariglia (në atë kohë përfaqësues i Italisë në Londër).

• Rusia – ambasadori Alexander Benckendorff.

• Britania e Madhe – vetë Sir Edward Grey si kryetar, me mbështetjen e diplomatëve britanikë.

Delegacioni osman mori pjesë deri në janar të vitit 1913, por u tërhoq pas grushtit të shtetit të Enver Pashës në Stamboll. Pas kësaj, traktati u nënshkrua pa praninë e tij.

Delegacionet ballkanike ishin palë kërkuese, por vendimet përfundimtare u morën nga Fuqitë e Mëdha:

• Serbia – përfaqësues të qeverisë së Beogradit, që kërkonin dalje në Adriatik.

• Greqia – delegatë që mbronin pretendimet mbi Epirin dhe ishujt e Egjeut.

• Bullgaria – përfaqësues që kërkonin pjesën më të madhe të Maqedonisë dhe Trakës.

• Mali i Zi – delegatë që mbronin pushtimet në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe.

Ambasadorët e Fuqive të Mëdha

• Austro-Hungaria – Albert von Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein, ambasador në Londër. Ai ishte mbrojtësi më i fortë i krijimit të Shqipërisë, për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik.

• Franca – Paul Cambon, ambasador në Londër. Franca shpesh mbështeti interesat serbe dhe greke, duke e konsideruar Shqipërinë një shtet të dobët.

• Gjermania – Karl Max, Princ Lichnowsky, ambasador në Londër. Gjermania mbështeti Austro-Hungarinë në ruajtjen e ekuilibrit, por nuk ishte aq aktive në çështjen shqiptare.

• Italia – Raffaele Guariglia. Italia, ashtu si Austro-Hungaria, ishte në favor të krijimit të Shqipërisë për të frenuar Greqinë dhe Serbinë.

• Rusia – Alexander Benckendorff, ambasador në Londër. Rusia ishte mbështetëse e fortë e Serbisë dhe Bullgarisë, duke kundërshtuar shpesh projektin shqiptar.

• Britania e Madhe – Edward Grey, me diplomatë britanikë si Arthur Nicolson. Britania u përpoq të ruante ekuilibrin dhe të shmangte një konflikt mes Fuqive të Mëdha.

Roli i Kontit Leopold Berchtold (1863–1942), Ministër i Jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze në këtë periudhë, ishte vendimtar për njohjen e shtetit të ri shqiptar, por jo për ruajtjen e kufijve etnikë të tij.

Pa ndërhyrjen e tij dhe të Austro-Hungarisë, ekzistenca e Shqipërisë si shtet do të kishte qenë shumë më e rrezikuar.

Falë qëndrimit të Berchtoldit dhe diplomacisë austro-hungareze, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur në Traktatin e Londrës, më 30 maj 1913.

Ai arriti të bllokonte projektin serb për dalje në Adriatik, duke i lënë Serbisë vetëm territoret e brendshme, si Kosova dhe Maqedonia.

Berchtold këmbëngulte se dalja e Serbisë në Adriatik do të prishte ekuilibrin e Ballkanit dhe do të rrezikonte interesat e Austro-Hungarisë. Ai e paraqiti Shqipërinë si një “shtet tampon” të domosdoshëm. Gjithashtu, bashkëpunoi ngushtë me Romën, duke krijuar një front të përbashkët kundër projektit rus për ta shndërruar Serbinë në një fuqi detare.

Për të fituar mbështetjen britanike, Berchtold pranoi që Shqipëria të kishte kufij më të ngushtë, por këmbënguli që ajo të mos humbiste daljen në det.

Rusia dhe Franca dëshironin që Kosova dhe Epiri të mbeteshin jashtë Shqipërisë. Berchtold nuk arriti t’i mbronte këto territore, por siguroi që shteti shqiptar të mos zhdukej nga harta.

Personazhi më agresiv kundër Shqipërisë në Konferencën e Londrës 1912–1913 ishte, pa dyshim, Rusia, përmes ambasadorit të saj në Londër, Alexander Benckendorff.

Rusia e konsideronte Shqipërinë një projekt artificial të Austro-Hungarisë dhe Italisë, që synonte të pengonte daljen e Serbisë në Adriatik.

Benckendorff dhe diplomacia ruse këmbëngulën që Shqipëria të mos përfshinte Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe Epirin, duke i lënë këto territore Serbisë dhe Greqisë.

Rusia gjeti aleate Francën, e cila gjithashtu favorizonte Serbinë dhe Greqinë, duke e bërë frontin antishqiptar edhe më të fortë.

Alexander Benckendorff ishte figura më aktive kundër Shqipërisë, duke e konsideruar atë një shtet të panevojshëm dhe duke shtyrë për copëtimin e saj në favor të Serbisë dhe Greqisë. Pa kundërpeshën e Berchtoldit dhe Austro-Hungarisë, Shqipëria do të kishte rrezikuar seriozisht të mos njihej fare.

Është një turp i madh që në Tiranë ende nuk kemi një monument kushtuar Leopold Berchtoldit. Jemi mjaftuar me emërtimin e një rruge në një zonë periferike të kryeqytetit, që lidh Brrylin me rrugën “Ali Demi” (emërtim i vendosur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë), si dhe me një bust në Shkodër.

Anëtarët e Ligës Ballkanike ishin kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar dhe kërkonin ndarjen e territoreve shqiptare mes tyre.

Shqiptarët e kundërshtuan vendimin e Fuqive të Mëdha, duke e konsideruar atë një padrejtësi të rëndë kombëtare, pasi rreth 40% e popullsisë shqiptare dhe më shumë se gjysma e territoreve etnike mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri.

Kosova, Çamëria dhe vise të tjera shqiptare iu dhanë Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Sikur të mos mjaftonte kjo padrejtësi, përcaktimi i kufijve sipas Protokollit të Firences (17 dhjetor 1913) u kundërshtua nga një pjesë e popullsisë greke në jug të Shqipërisë, e cila u ngrit në revoltë dhe, me mbështetjen e plotë të kryeministrit grek Elefterios Venizellos, shpalli Republikën Autonome të Epirit të Veriut, të drejtuar nga Jorgos Zografi.

Kjo republikë u njoh si rajon autonom sipas termave të Protokollit të Korfuzit (17 maj 1914).

Megjithatë, këto dispozita nuk u zbatuan kurrë për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe u shfuqizuan nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1921.

Në Konferencën e Londrës 1912–1913, Shqipëria nuk pati një delegacion zyrtar të pranuar nga Fuqitë e Mëdha.

Delegatë shqiptarë u përpoqën të paraqiteshin në Londër për të mbrojtur kauzën kombëtare, por nuk u njohën si palë zyrtare.

Ismail Qemali, kryeministër i Qeverisë së Vlorës, dërgoi përfaqësues për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Mehmet Konica (vëllai i Faik Konicës) ishte një nga figurat që veproi në Londër për të lobuar në favor të Shqipërisë.

Turhan Pashë Përmeti, Rasih Dino dhe diplomatë të tjerë shqiptarë u angazhuan në kontaktet diplomatike, por pa status të barabartë me delegacionet e shteteve ballkanike.

Rasih Dino përfaqësonte interesat e krahinës së Çamërisë, e cila më vonë iu dha Greqisë. Ai ishte pjesë e një familjeje të njohur çame që u përpoq të mbronte kufijtë e Shqipërisë, por pa fuqi vendimmarrëse përballë ambasadorëve të Fuqive të Mëdha.

Shqiptarët ishin të pranishëm si zëra lobues, por jo si palë vendimmarrëse.

Komunistët shqiptarë, pas vitit 1945, si fitues të luftës, duke injoruar mësimet e historisë, u lidhën ngushtë ideologjikisht, politikisht dhe ekonomikisht me shtetet sllave, të cilat historikisht kishin qenë kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar.

Në vitin 1960, “vëllai i madh i popullit shqiptar” dhe “Qytetari i Nderit i Tiranës”, lideri sovjetik Nikita Hrushov, pas një takimi me politikanin dhe ish-kryeministrin grek Sofokli Venizellos, birin e Elefterios Venizellosit, i kërkoi Enver Hoxhës t’i jepte autonomi minoritetit grek.

Pavarësisht kundërshtive dhe padrejtësive, Traktati i Londrës njohu pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë që, me disa korrigjime të mëvonshme, përbëjnë bazën e kufijve të sotëm shtetërorë.

Prandaj, mund të themi se 30 maji 1913 është dita e Shqipërisë londineze dhe e njohjes zyrtare ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Shqipëria fitoi njohjen ndërkombëtare si shtet i pavarur, por humbi një pjesë të madhe të territoreve të saj etnike.

Vendimet e Konferencës së Londrës dhe më pas të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve (1913–1914) i shkaktuan Shqipërisë humbje të mëdha territoriale:

• Kosova dhe Sanxhaku i Novi Pazarit iu dhanë Serbisë.

• Maqedonia Perëndimore (Tetova, Kumanova, Gostivari, Struga dhe Manastiri) iu dha Serbisë.

• Çamëria dhe Janina iu dhanë Greqisë.

• Plava, Gucia, Tivari dhe territore të tjera shqiptare iu dhanë Malit të Zi.

• Shqiptarët e Shkupit dhe të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë.

Arsyeja kryesore pse Shqipëria humbi një pjesë kaq të madhe të territoreve të saj etnike pas Konferencës së Londrës 1912–1913 ishte balanca e fuqive ndërkombëtare dhe rivaliteti mes Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën interesat e tyre strategjike mbi parimin etnik dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 717
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, REPUBLIKA E SHQIPËRISË DHE REPUBLIKA E KOSOVËS – NJË ALEANCË E MIQËSI E PËRJETSHME
  • Shqiptarët në New York mund të votojnë në gjuhën shqipe
  • Në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut u nderua Ambasadori Blerim Reka
  • Revolucioni “Forca e të Vërtetës” – Fryma Perëndimore dhe Rruga drejt një Shqipërie Evropiane
  • 13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS
  • Kujtojmë me nderim albanologun e shquar francez Pierre Cabanes në ditën e ndarjes nga jeta
  • DRITA E PËRNDRITËSHME E SHÊJZAVE TË KOLIQIT
  • FAN NOLI, AT GJERGJ FISHTA, FAIK KONICA DHE AMERIKA NË 250-VJETORIN E SAJ
  • Fshirja e trashëgimisë kulturore dhe historike e Çamërisë dhe ndryshimet toponimike – shprehje e qartë e negacionizmit të qeverisë greke
  • KUR JETA BËHET DOKUMENT HISTORIE
  • SHQIPTARËT NUK DUHET TË LEJOJNË PËRMBYSJEN E SISTEMIT TË VLERAVE
  • TIRANA USHTON: POSHTË KOMUNIZMI!
  • Protesta “Made in Albania”…
  • JOHN FITZGERALD KENNEDY: PRESIDENTI QË E BËRI NJË BREZ TË BESONTE SE MUND TË NDRYSHONTE BOTËN
  • Gëzuar 114-vjetorin e VATRËS!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT