Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 tetor?

October 22nd, 2013


7historiL

Nga Astrit LULUSHI/

1867 – Franz Bopp, filolog gjerman dhe albanolog, vdiq në Berlin në moshën 76 vjeçare. Si profesor i gramatikës krahasuese sanskrite në Universitetin e Berlinit, në vitin 1854, Bopp vërtetoi teorinë e herëshme se shqipja i përket familjes se gjuheve indoevropiane – dhe paraqiti të gjitha faktet shkencore në dispozicion në mbështetje të kësaj teze. Pas këtij demonstrimi të Boppit, asnjë filolog deri me sot nuk ka mundur të sfidojë vendin e shqipes në këtë familje, ku bëjnë pjesë thuajse të gjitha gjuhet evropiane, me përjashtim të hungarishtes, turqishtes dhe finlandishtes. Pas zgjidhjes së kesaj çështjeje, në vazhdën e arsyetimit, Bopp iu përqas një tjetër problemi: Çfarë vendi zë shqipja brenda familjes indoevropiane? Pas shqyrtimit të thellë dhe krahasimeve të shumta, ai arriti në përfundimin se shqipja nuk ka lidhje me asnjë nga gjuhët indo-evropiane, por qëndron degë mëvete si greqishtja, persishtja, armenishtja dhe lituanishtja. Që nga viti 1860, kur Bopp doli me këtë përcaktim, studimet mbi shqipen – që tërhoqën linguistë nga më të shquarit e shekullit XIX, XX – u përqëndruan dhe vazhdojnë të përqendrohen në çeshtjen edhe më të vështirë; Cila është prejardhja e shqipes? Dhe për këtë ekzistojnë shumë  ide a supozime, por vetëm dy teza janë pjesë e diskutimit; A është shqipja pasardhëse e Ilirishtes apo trakishtes? Që nga vleresimet e Norbert Joklit, i cili aty nga vitet e fundit te jetes se tij në fillim të viteve1940 filloi të prirej drejt përfundimit se gjuha shqipe është njësoj e lidhur si me ilirishten edhe trakishten, debati vazhdon. Por, “më e argumentuar nga ana historike dhe gjuhësore është teza sipas së cilës Shqiptarët janë pasardhës të Ilireve dhe shqipja pasardhesë e ilirishtes”. (FESH)

1922 – Lindi në Shkodër, Marije Shllaku. Studio filozofi në universitetin e Romës, dhe zotëronte shume gjuhëve të huaja si italisht,latinisht, frëngjisht, gjermanisht, dhe greqishten e vjetër. Për një kohë, në vitet 1940 ajo punoi si sekretare e Xhafer Devës. Më 24 nëntor 1946, në moshen 23 vjeçare, Marije Shllaku u pushkatua me vendim të një gjykate në Prizren nën akuzat për bashkepunim me legjendarin Shaban Polluzha në përpjekjet me armë për një Shqiperi me shqiptarët të gjithë bashkë. Studiuesi shqiptaro amerikan Tom Mrijaj ka shkruar një monografi për Marije Shllakun, emrin e së cilës mbajnë sot disa rrugë e shkolla në Kosovë e Shqipëri.

1946 – Katër anije luftarake britanike dalin nga Porti i Korfuzit, kalojnë nëpër kanal dhe ndeshin në mina; 44 marinarë britanikë u vranë, mbi 40 të tjerë u plagosën dhe dy anije u dëmtuan (njëra përtej riparmit). Britania e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke e akuzuar Tiranën zyrtare se minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit ishin vendosur nga Shqipëria; ose Shqipëria kishte dijeni se kush i vendosi dhe nuk tregoi; apo rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kishin vendosur minat dhe për mos-ndërhyrje për t’i ndalur mbajnë përgjegjësi penale. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se Shqipëria ishte fajtore për incidentin dhe duhej t’i paguante Britanisë dëmet e shkaktuara. Qeveria shqiptare nuk e pranoi vendimin dhe qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i cili do tu shpërndahej proporcionalisht shteteve që Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare. Për dekada çështja mbeti ngërç dhe sasia e arit të caktuar për t’iu kthyer Shqipërisë, e bllokuar.  Në vitin 1990, ndërsa Shqipëria po përpiqej të dilte nga izolimi 45 vjeçar, bisedimet mbi zgjidhjen e këtij problemi filluan mes diplomatëve amerikanë e britanikë dhe atyre shqiptarë, edhe pse të dyja palkët nuk kishin marrëdhënie diplomatike.(Albania, New York University Press, M. Vickers, J. Pettifer). Në maj të vitit 1992, delegacionet britanike dhe shqiptare u takuan në Romë ku firmosën një memorandum mirëkuptimi dhe për çështjen u arrit një kompromis mbi kthimin e arit dhe çështjen e dëmshpërbilimeve.

1964 – Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet t’a lejojë veten që të shndërrohet në institucion”. Sartri (1905 – 1980) ishte filozof, dramaturg, novelist, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik arti. Në vitin 1946, fotografi i njohur shqiptaro-amerikan, Gjon Mili hapi një ekspozitë me fotografitë e tij në Paris. Zhan Pol Sartri, në rolin e kritikut e vizitoi ekspozitën dhe shkroi: “Para se t’a takoja Milin, kisha njohur vetëm fotografë që të nxjerrin në fotografi nisur nga një lloj zemërimi, si ai që vret. Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i qeshur. Të vret – më keq akoma – kërkon të robërojë…, të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij, dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete që të ç’armatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta sa edhe njerëzit. Nëse të ka zgjedhur për të përfshirë në koleksonin e vet, ai jo vetëm që do të ngulë me thumb në tabelën e specieve të tij, të gjitha si të gjalla, por do të vëzhgojë a shqyrtojë për të njohur thellë e më thellë.Thuhet se banorët primitivë të deteve të Jugut nuk pranojnë të fotografohen, sepse besojnë se mund të bëhen përgjithmonë robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre ju duhet vetëm të shikoni disa nga portretet e Gjon Milit.”
(marrë nga “Photographs & Recollections” by Gjon Mili, 1980)

1972 – Lufta e Vietnamit: Në Saigon, Henry Kissinger dhe presidenti i Vietnamit të Jugut, Nguyen Van Thieu takohen për të diskutuar një propozim për armëpushim që ishte hartuar midis amerikanëve dhe vietnamezo-veriorëve gjatë bisedimeve në Paris. Në fakt, projekt-amerrëveshja ishte përgatitur nga vetë Henry Kissinger, këshilltari kryesor për politikë të jashtme të Presidentit Richard Nixon, në bisedime sekrete në Paris me homologun vietnamezo-verior Le Duc Tho. Edhe pse veprimtaritë e shumta diplomatike krijuan spekulime rreth një fundi të mundshëm të Luftës së Vietnamit,  luftimet në terren vazhdonin me ashpërsi.

1997 – Vdiq arqipeshkvi i Shkodrës, Frano Ilia. Lindi në Juban, pranë Shkodrës më 1918; u shugurua meshtar më 1943; shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Kur Shqipëria komuniste u shpall ateiste më1967, Frano Ilia u arrestua; më 1968 u dënua me vdekje; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. 25 vjet pas këtij dënimi, do të shugurohej ipeshkëv nga vetë Papa Gjon Pali II. (shkoder.net). Dom Frano Ilia, ishte edhe etnograf. Më 1993, ai botoi librin me materiale të grumbulluara me ndërprerje e prej dekadash lidhur me të drejtën zakonore në krahinën e Kurbinit, dhe zonat për rreth të Shqipërisë mesme. Libri e quajti “Kanuni i Skënderbeut” sepse heroi kombëtar bëri disa ligje kanunore të veçanta në krahinat e veta apo nën ndikimin e tij, që përbënin Arbërinë, prandaj disa thonë se Kanuni i Skënderbeut mund të quhet edhe Kanuni i Arbërit.

2002 – Nëna mbretereshë e shqiptarëve, Geraldina vdiq në Tiranë nga një semundje në mushkeri dhe pas 3 goditjeve në zemër. Ajo ishte konteshë hungareze, para se të bëhej princeshë me 1937, kur u fejua me mbretin Zog; dhe mbretereshë nga prilli 1938, kur ata u martuan. Në dasmën e çiftit mbretëror morrën pjesë ose dërguan urime a dhurata shumë diplomatë dhe personalitete të larta të kohës, si Musolini e Hitleri – ky i fundit i dërgoi çiftit mbretëror automobil, model sport Mercedes-Benz. Por Geraldina, ose siç e quanin, “Trendafili i bardhë i Hungarise”, mbretëroi më pak se një vit – në prill 1939, së bashku me mbretin dhe djalin dy-ditësh, ikën. Mbreteria e saj ishte pushtuar nga Italia. Kështu i shkoi jeta, shpërngulje nga vendi në vend, pranë mbretit Zog, mes shqiptarëve të oborrit mbreteror. Kur mbreti Zog vdiq në Hauts-de-Seine, Francë, në vitin 1961, djali i tyre, Princi i Kurorës Leka, u shpall Mbreti Leka I nga qeveria monarkiste në mërgim dhe Geraldina filloi të quhej Nëna Mbretëreshë. Në qershor 2002, ajo u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pas shfuqizimit të ligji që i kishte ndaluar prej dekadash hyrjen në vend. Nëna Mbretëreshë Geraldinë vdiq pesë muaj më vonë, në moshën 87 vjeçare, në Tiranë, ku u varros me nderime të larta shtetërore.

Mendim i ditës
“Një betejë është e humbur kur mendon se e ke humbur”.
Zhan Pol Sartri

(Kortezi:VOA)

Tags: , ,

Leave a Reply