• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

ADEM DEMACI KERKON GARANCI NGA EVROPA PER BISEDIMET ME SERBINE

January 3, 2013 by dgreca

Nëse prapa këtyre bisedimeve qëndron Evropa, në të cilën, tash për tash, si po shihet, violina e parë është Gjermania atëherë nuk jam skeptik, por jam realist i cili mendon se bisedimet do të bëhen, diçka Serbisë do t’i lejohet që të mos ndahet e koritur në këto bisedime, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Adem Demaçi.

Zoti Demaçi, Kosova po e përmbyll këtë vit me bisedimet në nivel tjetër me Serbinë, bisedime këto për të cilat ka optimistë dhe skeptikë. Ju ku e gjeni veten, në cilën kategori përballë këtij procesi?

ADEM DEMAÇI-Sikur të ishte vetëm një bisedim që do të bëhej ndërmjet palës serbe dhe palës kosovare, do të isha skeptik, sepse serbët nuk kanë ndërmend të bëjnë ndonjë marrëveshje, ndonjë stabilizim, se nuk është qëllim i tyre të stabilizojnë, por qëllimi i tyre është të destabilizojnë.

Po vetëm të luajnë një rol sikur ja, ne jemi të gatshëm, por këta të Kosovës nuk po duan që të nxjerrin mundësinë për t’u lidhur me këto strukturat evropiane, sepse gjendjen ekonomike financiare, me borxhe, me zhvillime tjera, e kanë katastrofë dhe kanë nevojë për Evropën. Prandaj kanë nevojë t’i bëjnë lajka Evropës dhe t’i nënshtrohen diktatit të Evropës për bisedime.

Po nëse prapa këtyre bisedimeve qëndron Evropa, në të cilën, tash për tash, si po shihet, violina e parë është Gjermania dhe kjo me disa deklarata të fundit që i dha ambasadori gjerman në përkrahje të plotë të integritetit dhe të pavarësisë së Kosovës edhe në një mënyrë që të mos i bëhen lëshime Serbisë me kërkesa konkrete ndaj saj, atëherë nuk jam skeptik, por jam realist i cili mendon se bisedimet do të bëhen, diçka Serbisë do t’i lejohet që të mos ndahet e koritur në këto bisedime.

Mirëpo, nuk besoj se do të veprohet në mënyrën që Kosovës t’i dilet në krah ashtu si duhet, si mendojmë ne se është e drejtë si viktimë e krejt kësaj lufte, nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi.

Po si mendoni të zgjidhet kjo situatë e ngrirë në veri të Kosovës?

ADEM DEMAÇI-Askush nuk po tenton që të zgjidhet mbarë, që ata që kanë ardhur të kthehen në shtëpitë e veta, e ata që janë përzënë, të kthehen në pasuritë dhe shtëpitë e veta, por po mundohen që kjo situatë që po i thonë francezët “fait accompli”, domethënë një akt i kryer, të bëhet një realitet dhe nga ky realitet të kërkohet një zgjidhje, e cila do të ishte gjithsesi në disfavor të shqiptarëve.
Unë mendoj se nëse Evropa do të insistojë që të pranohet vetëm projekti i Ahtisaarit si bazë, përndryshe mund të them se ai projekt ka qenë masakër ndaj Kosovës. Të bëhen komunat me 1000-1500 banorë, komunat me 100 mijë banorë s’po mund të kalojnë si duhet, e jo më komunat me 1000 e 1500 banorë, e t’i jepet e drejta Serbisë të mund të manipulojë me ata banorë – t’ua paguajë me polici, me mësues, profesorë e mjekë, nga buxheti i vet, domethënë Serbia në mënyrë legale ta krijojë rrjetin e vet të, në daç thuaj të bashkëpunëtorëve, në daç thuaj të spiunazhit, a si të duash në një territor tjetër, në një shtet tjetër i pranuar nga Evropa, apo shumica e Evropës dhe gati nga gjysma e botës si shtet i pavarur – këtë e bëri vetëm Ahtisaari.

Kjo u bë me pretekst të gjoja se këto lëshime do ta detyrojnë ose do ta bëjnë që Rusia të lëshojë pe të largohet Rezoluta 12 44 dhe Kosova të dalë si shtet i pavarur dhe të mund të pranohet në Kombet e Bashkuara dhe të zhvillohen gjërat ashtu si e do rregulli i Kombeve të Bashkuara.

Kjo nuk ndodhi, me fjalë tjera shqiptarët edhe këtu u mashtruan dhe në këtë situatë kanë ardhur në një rrugë shumë të vështirë, të cilën mund ta çajë vetëm në qoftë se Evropa tregohet e vendosur dhe insiston edhe një herë fuqishëm që Plani Ahtisaari të jetë bazë për gjetjen e një marrëveshjeje, e cila do t’i kënaqte të dy palët, meqë shqiptarët e pranuan.

Ne, faktikisht, atë marrëveshje e bëmë me Evropën, nuk e bëmë me Serbinë fare. Serbia dihet se nuk e pati pranuar Planin e Ahtisaarit, dhe në këtë mënyrë besoj duke futur anekse që kanë të bëjnë me situatën dhe gjendjen e shqiptarëve që gjenden në Luginën e Preshevës duke kërkuar të njëjtat të drejta që u garantohen me Kushtetutën e Kosovës serbëve këtu, t’u garantohen të drejtat edhe shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Flitet gjithnjë për integrimet evropiane dhe përmbushjen e detyrave që Kosova duhet t’i bëjë në këtë rrugë. Kritikët thonë se me gjithë sukseset potenciale, rruga drejt BE-së, është e kushtëzuar, thënë kushtimisht, me rrugën që Serbia ndjek. Do të pajtoheshit?
ADEM DEMAÇI-Besoj që është kjo e vetmja mënyrë që Serbia të disiplinohet dhe ta kuptojë se ka ndodhur diçka që nuk ka kthim dhe për t’i lënë krejt këto çka janë arritur deri sot, ta kuptojë që ajo punë nuk bëhet dhe këtu janë ato fjalët e palës gjermane që thotë se rrota e historisë nuk kthehet prapa.

Edhe ambasadorja gjermane thotë gjithashtu se platforma serbe është një masakër e re që tentojnë ta bëjnë në Kosovë, është vetëm një copë letre, më jep shpresë që bota e ka kuptuar se kush është Serbia dhe çka është Serbia, pavarësisht se unë s’dua të identifikoj.
Kur them Serbia mendoj për këtë Qeverinë e Serbisë, dhe ata që janë në pushtet, e jo për popullin e gjerë serb, i cili nuk është në dijeni fare se çfarë po ndodh dhe ende s’e di se çka ka ndodhur me të vërtetë, si është bërë dhe pse është bërë kjo luftë, si dhe kush e ka shkaktuar atë – unë mendoj se kjo do të ishte rrugëdalja nga kjo situatë.

Shqiptarët në vitin 2012 shënuan 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë manifestimeve të ndryshme është përmendur shumë çështja e bashkimit kombëtar. Si e shihni ju këtë çështje?
ADEM DEMAÇI-E shoh si një proces të ligjeve të jetës, i cili gjërat i çon përpara. Bashkimin e shqiptarëve nuk mund ta ndalë asnjë forcë. Bashkimi i shqiptarëve do të dështonte vetëm sikur shtetet, të cilat e copëtuan korpusin, trupin, territorin dhe kombin shqiptar, sikur të mbërrinin t’i eliminonin shqiptarët, atë nuk arritën ta eliminonin, pavarësisht që kanë pasur deri diku sukses në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. f

Dhe, vetë qëndresa e shqiptarëve, mbijetesa e shqiptarëve, është faktori kryesor, i cili me kalimin e kohës do t’i çojë në bashkimin kombëtar, po me anë të futjes në Bashkimin Evropian, ku do të krijohet klima që ata të bashkohen pa e lënduar askënd, pa e shkelur askënd, dhe pa mundësinë që dikush ta pengojë një gjë të tillë, sepse të gjithë do të jemi brenda BE-së, nën kulmin evropian. Si të tillë, shqiptarët s’do t’i ndalojë askush që të qarkullojnë lirisht, të punojnë lirisht, të krijojnë ide, të marrin kredi, të kenë bashkëpunim edhe me njëri-tjetrin, po edhe nga bota tjetër që dëshiron të na ndihmojë.
Unë mendoj se bashkimin kombëtar ne duhet ta kuptojmë pak më ndryshe në këto rrethana dhe në këtë hapësirë dhe kohë, në të cilën gjendemi. Nuk është fjala ta thyejmë lëvozhgën e vesë, fjala është që atë të verdhë të vezës që gjendet brenda lëvozhge ta shndërrojmë në zog të gjallë. Në momentin kur ai zog merr shpirt, ai do ta shohë veten se është i kufizuar, se është i burgosur, dhe ai me sqepin e vet makinalisht do të veprojë dhe do ta thyejë atë lëvozhgë dhe del zogu, i cili është tri herë më i madh sesa kur ishte vezë dhe kur ishte brenda lëvozhgës.

Këtë mënyrë duhet ta përdorin shqiptarët, pra të punojnë ngadalë dhe në mënyrë sistematike, pa folur e bërtitur dhe mundar ta bëjnë veten patriot duke bërtitur se duam bashkimin kombëtar etj.

Bashkimi bëhet duke qenë të bindur dhe duke drejtuar popullin e vet që së pari të bëhet bashkimi në Kosovë si duhet, në Shqipëri ashtu si duhet dhe në të gjitha njësitë tjera, në të gjitha krahinat e tjera të bëhet bashkimi i krejt atyre çka është pozitive brenda kombit tonë dhe kriter i ndërtimit dhe përparimit tonë të jetë interesi kombëtar, atëherë do të arrihet ajo çka po duan disa e s’po ju pritet.

Nuk dua t’ju them që janë të paditur, por që s’po iu pritet, që po nguten ta bëjnë bashkimin duke thyer lëvozhgën. Po e theve lëvzhgën e lë të verdhën të zbrazët, ai më nuk mund të ngrohet, po mund veç ta hash, po të bëhet zog ai nuk bëhet.(Bisedoi Anton Konushevci- RADIO EVROPA E LIRË)

Filed Under: Interviste Tagged With: Adem Demaci, bisedimet me Serbine

150 vjet Proklamatë e Emancipimit

January 3, 2013 by dgreca

Dokumenti i rrallë që mban firmën e Presidentit Linkoln, u jep lirinë skllevërve të shteteve jugore/

Këtë vit Shtetet e Bashkuara shënojnë 150 vjetorin e Proklamatës së Emancipimit, një dokument i nënshkruar nga Presidenti Abraham Linkoln që u jepte lirinë skllevërve të shteteve të Konfederatës. Në atë kohë Konfederata kishte hyrë në luftë me Unionin për t’u shkëputur nga Shtetet e Bashkuara. Proklamata hyri në fuqi më 1 janar 1863.
Kohët e fundit Arkivat Kombëtare ekspozuan për publikun një kopie të Proklamatës së Emancipimit. Ky është një dokument tepër i rrallë, pasi është nënshkruar nga Presidenti Linkoln dhe mban gjurmë të vulës presidenciale.
Megjithëse dokumenti nuk arriti të lironte skllevërit në të gjithë vendin, Reginald Washington, një specialist i dokumentave historike në Arkivat Kombëtare, thotë se proklamata hapi rrugën për Amendamentin XIII, i cili e nxori jashtë ligji skllavërinë. Ai foli në një aktivitet për shtyp me rastin e ekspozimit të dokumentit:
“Proklamata solli ndryshime rrënjësore, thjesht me një lëvizje të penës së Linkolnit, duke e shndërruar në moment luftën për të mënjanuar ndarjen e vendit, në luftë për liri njerëzore. Për afro 4 milionë skllevër në zinxhirë, ajo shërbeu si simbol shprese dhe u dha forcë bindjeve të tyre se për ta lufta ishte beteja për të siguruar lirinë”.
Në rrugëtimin e Shteteve të Bashkuara drejt një bashkimi më të mirë dhe më demokratik shtetesh, proklamata mban një vend me peshë, shpjegon studiuesi Washington:
“Proklamata konsiderohet nga shumë historianë dhe studiues si një ndër dokumentat më të rëndësishëm në historinë njerëzore. Disa historianë e rendisin përkrah Deklaratës së Pavarësisë, si një ndër dokumentat më me peshë në historinë e Shteteve të Bashkuara”.
Ekspozimi i dokumentit është një mundësi e rrallë për të apasionuarit e historisë që duan të shohin një relike të Amerikës së shekullit të XIX. Ky dokument rrallë herë shfaqet para syve të publikut. Ndryshe nga Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta, apo Billi i të Drejtave, Proklamata e Emancipimit është shkruar në një letër të cilësisë së dobët dhe ekspozimi ndaj dritave dhe jashtë mjedisit të mbrojtur është shumë i rrezikshëm. Ajo shfaqet çdo vit, por vetëm për pak ditë për publikun, në mënyrë që të shmangen sa të jetë e mundur dëmtimet.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Histori Tagged With: 150, Abraham Lincoln, presidenti, proklamata e emancipimit

Sokol Demaku ne SOFREN POETIKE TE DIELLIT

January 3, 2013 by dgreca

NJË NATË/

Në plazhin e mbrëmje verore/
I dehur me verën e kuqe,/
Ledhatuar nga jeta,/
Në lojën moderne./

Ju më qendroni pranë,/
Butësisht dorën ma shtrini,/

Dhe doni të jeni engjulli im./
Dy shpirtrat e humbur,/
Që kanë gjetur njëri-tjetrin pran,/
Në shpërthim e padurim,/

Për jetën në vazhdim./

Kjo mbrëmje me freski deti,/

Që lan zhegun e ditës,/

Zhduk brengë e mall,/

E shpirtit i jep vullnetin./

Po, po është koha,/

Jeta të vazhdoj,/

Të ligën nga rruga,/

Ta largoj./

 

PAQE/
Një ditë, /

Unë pashë shumë njerëz,/

Njerëz jo të zakont,

Pashë njerëz me fytyrë të qartun,

Unë pashë kur këta njerëz,

Zemër nuk kishin,

Unë pashë kur këta njerëz,

Ishin të krisur.
Unë pashë kur këta njerëz,

Erdhën kalur,
Unë pashë kur këta njerëz,

Kundër njerzve u sulën,
Kundër njerëzve të mbetun,
Deri sa u sollën vdekjen .

Unë pashë mizori,

Në fytyra satrapi,

Se ata kishin fytyrë xhelati.

Eh,

Njerëz fytyrë qartun,

E shpirt prishur,

Zemër krisur,

Sot ke sa te duash,

Në botën e ndyrë,

Më shpirt prishur.

Te metunit kërkojnë mëshirë,

Paqën e duan shumë,

Të lodhun në shpirt,

Mallkojnë pse egzistojnë.

E duan lirinë,

Paqën ta gëzojnë,

Nuk duan zemër krisurit,

Jetën tua shaktërrojnë.
Paqë, paqë,

Në jetë kërkojnë.

 

 

PIKA SHIU

 

Re të ngrysura lëshuar mbi,

Një hije e zymtë,

Horizonti mbuluar me te.

Por qielli i kaltër,

Mbushë hapërsirën me fuqin e  tij,

Si mburojë qëndrese atje.

E ndjej ngrohtësin e pikave,

Trupi vrushkuj avulli lëshon,

E aroma joshëse shpirtin pushon.

Sa lehtë pushtojnë tokën,

Pika të shiut madhor,

E unë ndjehem krenar.

 

 

NATA

 

Në këtë natë të errët,

Që unë kërkoj ate,

Ku as gjumi pergjigje nuk ka,

Përpelitem si në ankth.

 

Kërkoj përgjigje,

Por nuk gjej,

Ato janë mbrojtje,

Në heshtjen që mbretëron.

 

Nuk gjejë arsye për,

Errësira deshmi nuk jep,

Asaj nuk mund ti zesh besë,

Se është e pamëshireshme në jetë.

 

Eh, natë mizore,

E shurdhër, e verbër,

Sa tinëzare që je,

Dua që të tëharr nga jeta që të mos je.

 

Është nata qe besë nuk ka,

Është e verbër, por sy ka,

Është më barrë,

Prandaj besë nuk ka.

 

 

KUR SHELGU I GJELBËR QAN

 

Kur shelgu i gjelbër qan,

Loti kristal rrjedhë,

E rrugëtimin e tij nuk ndal.

 

Rrjedhë ai kristal,

Me bardhësinë e tij,

Rrefen vuajtjen që man në gji.

 

Kur shelgu i gjelbër qan,

Gjethi i saj rënkon,

Vuajtjen e shpirtit tregon.

 

Një brengë në shpirt,

Brenguar në shumë anë,

Që kërkon brerimë.

 

Kur shelgu i gjelbër qan,

Brerorja shëndrit përqark,

Nga kurora e saj.

 

Nuk lejon kurornë që të fishket,

E do si lule Fistiku,

Si një vajzë te kolme.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: poezi, Sofra e Diellit, Sokol Demaku

DRITËSI FLAKE MBI UJË E NJË AJSBERGU KULTURE*

January 3, 2013 by dgreca

Nga Albert R. HABAZAJ/ Studiues, shkrimtar/

Kryetar i Shoqatës Patriotike Kulturore “Tërbaçi”, Vlorë/

 Pas prindërve, për mua, më të shtrenjtët janë mësuesit, sepse pa ata nuk mund të isha. Ata më bënë, më rritën dhe më edukuan të dashuroj Atdheun, jetën, kulturën e diturinë.Mësuesi është edukator, udhëheqës, që të merr për dore, me sy, me shpirt, me mendje drejt arsimimit të plotë, që pa ata nuk mund të arrihet dot. Ka mësues dhe MËSUES. Ka qenë, është dhe do të jetë një armatë e respektuar arsimtarësh që ndezin dritëza për filizat që rriten.

Të japësh mësim, rrezaton dituri. T’i japësh mësimit, kulturës, diturisë në tërësi, shndërrohesh në rreze drite…Këto kalova ndërmend menjëherë sa mbarova, jo së lexuari, por së studiuari, librin më të ri të shokut të babait tim-Selim Beqirit: “Humor dhe mençuri, Legjenda e Simbole Trimërie Tërbaçiote”-pjesa mbi ujë e ajsbergut: “Krijimtaria popullore tërbaçiote” fantazi, humor, fragmente simbolesh nga këngë epiko-historike.

Selim Beqiri është një nga bijtë e Tërbaçit, që me kapacitetin intelektual dhe dinjitetin njerëzor, e ka dhënë dhe po e jep kontributin vetiak për vendlindjen. Ai ka qenë mësues kur shkënditë u ndezën në qiellin tonë. Ai ka dhënë mësim dhe i  ka dhënë kulturës.

Nuk kam ndërmend të shkruaj për monografitë e tij aq të mirëpritura: për “Gjeneralin fisnik”, as për atë në nderim të bujarit-Resul Veliu,-që ka përmasat e një heroi vërtet vigan të Lirisë, as për “Banën”-kushtuar njërës nga trimëreshat e Tërbaçit, nënë Rabihanës së bardhë e të rrallë, as edhe për të veçantin libër-“Trashëgimia”, ku përfshihen dy pjesë: “Besa dhe besëlidhjet” dhe “Tërbaçi-Fjalorth historiko-gjeografik”, as për traktatin historik, edhe pse vetëm me 113 faqe kërkimore-shkencore-“Si u krijua e si mbijetoi Tërbaçi”, as për monografinë “Luftëtar brez pas brezi”-Merkoselimajt, të cilat autori i quan punime modeste edhe pse ato kanë sinqerisht vlera të çmuara kulturore e në respekt të zakoneve më të mira e të traditës së vyer që kemi trashëguar deri më sot.

Është një botim i ri dhe pikërisht libri: “Humor dhe mençuri, Fantazi e Simbole Trimërie tërbaçiote” që të thotë: NDERO VETEN!

Sipas Fjalorit Enciklopedik letrar me krijimtari popullore ose folklor kuptojmë veprat poetike e tregimtare të krijuara nga autorë popullor anonimë, që kanë kaluar gojë më gojë. Mund të përkufizohet shkurtazi letërsi gojore e popullit…

Të krijuara që në kohërat e lashta, ato kalojnë me anë të rapsodëve, bardëve dhe secili prej tyre i plotëson ose i ndryshon. Punimi me pasion i dr. Selim Beqirit, që e adhuron dhe e nderon kulturën popullore të ardhur deri më sot, na njeh që në fillim të librit me ato vlera kulturore, që i paraqiten lexuesit, në përgjithësi, kulturëdashësve dhe studiuesve, në veçanti.

Libri është pajisur me thesarë të vyer shpirtëror, të krijuara nga populli Tërbaçiot gjatë historisë së tij dhe të trashëguara brez pas brezi.

Vetvetiu buron një krijimtari e motivuar tek autori, sepse gjeografia e krijimtarisë është pikërisht treva jonë e dashur tërbaçiote dhe shpirti i thellë i Tërbaçit, në veçanti e i Labërisë në përgjithësi. Ndër botimet që u përçojnë brezave kulturën e përshtatshme popullore, si gurrat e vrullshme të maleve në pranverë, libri është një “dritësiflake”, në qoftë se mundem të përdor një shprehje nderimi burimore të poetit të njohur lab Agim Shehu.

Do të mjaftonte ky libër që Selim Beqiri të quhet një gjurmues, vjelës e studiues cilësor i kësaj veprimtarie krijuese, që e ka mbajtur të gjallë, të freskët e të shëndetshme shpirti i artë popullor.

Me botimin e këtij materiali lexuesi do të ketë në dorë një libër me fizionomi origjinale, shkruar me një stil të rrjedhshëm, me përmbajtje humaniste, sikurse është vetë Tërbaçi im dhe i autorit, burim energjie që papushim prodhon dashuri njerëzore. Jam munduar të jem sa më pak, mundësisht, por e pamundur aspak subjektiv, në vlerësimin tim për profilin e autorit, të cilin e plotëson faqe pas faqeje tek teksti që kam para syve të mendjes e të shpirtit. Autori ka mundësuar me stilin e tij një komunikim lirisht të kthjellët me lexuesin, që të bën ta lexosh pandërprerje.

Ky botim është një gur qosheli në ndërtesën e historiografisë shkencore, gjuhësore, letrare e historike të Tërbaçit, sepse plotëson një zbarazëtirë të ndjeshme në kulturën e shkruar.

Autori nuk është një regjistrues emocional i materialit argumentiv kulturor, por edhe vlerësues objektiv e kritik i tyre dhe model për t’u ndjekur nga disa shkrues hapaçelë, që edhe në malore, i fusin të pestin me botimet e tyre.

Me botimin e dhjetë legjendave të dëgjuara e me jehonë, me ato relikte të çmuara mbijetese, shpalosen vlera me interes për fushën etnofolklorike-tërbaçiote…

Humori miqësor që ka përzgjedhur autori në këtë libër është si sherbet për bakllava, ndërsa ato pakëz këngë të zgjedhura popullore, me motive trimërie, juanë tamam si ato hojet e mjaltit nga kosherja e gurrës popullore, aq gjëmimtare sa vetë emrat lavdimëdhenj të bijve vigan të Tërbaçit tonë me nderim sa dielli…1

________________

1-Origjinali i plotë ruhet në arkivin personal të S.Beqirit.

*) Ky material është parathënia e botuar në librin “ Humor e mençuri tërbaçiote” të autorit Selim Beqiri

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Abazaj, terbaxi, Vlore

FITORJA ESHTE GJYSMAKE SEPSE DIKTATURA NUK U PERMBYS

January 3, 2013 by dgreca

Mendime për veprën e P. Kullës JO GJITHE TE VDEKURIT PREHEN NE PAQE/

Nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. GJIKA/

Pëllumb Kulla, është një nga shkrimtarët tanë, që u dallua në vitet e diktaturës për nivel të lartë artistik, kurse mbas shkërmoqjes së diktaturës, po ecën jo në vijë orizontale ose zbritëse, por në vijë ngjitëse. Ashtu si Visar Zhiti, Fatos Kongoli, Roland Gjoza e pak të tjerë, Kulla po ecën drejt niveleve të reja gjithnjë e më të larta si krijues letrar dhe si studiues në fushën e historisë dhe të analizave politiko-shoqërore. Ai po shquhet mbi të gjithë këta për kurajon e tij civile lidhur me kritikën që i bën së sotmes, politikanëve rozë e blu.

Për vijën e tij ngjitëse dhe kurajon civile flasin vëllimi me skica humoristike Rrëfenja nga Amerika (2003), romani satirik Vdekja e Enver Hoxhës (2008), studimi i gjatë Teatri, kjo lojë magjepsëse (vëll.I-III më 2007 dhe vëll. IV më 2011), monografia shkencore Skënder Sallaku, ose si qeshnim në diktaturë (2002),. një mori e madhe artikujsh dhe vepra e re Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe (2012).

Kjo vepër është një studim historik mpleksur me analiza kritike të proceseve politiko-shoqërore nëpër të cilat kaloi shoqëria shqiptare në vitet 1943-2011. Aty janë dhënë me mjeshtëri portrete atdhetarësh e njerëzish të ndershëm të familjes Kulla, të cilët shteti diktatorial i pushkatoi, i vari, i vdiq në tortura e sipër, i dënoi me qindra vjet burgime e internime, ose i detyroi të merrnin rrugën e arratisjes e tani së fundi dhe rrugën e shpërnguljes. Të shumta janë portretet e bijve të kësaj familjeje të përshkruar me realizëm, që të ngjallin respekt e dashuri për bëmat e qëndresën e tyre. Jonuz Kulla plaku, Ajdini, Xheviti, Fehmia, Hodoja, Vedati si dhe disa të rinj, që po shkëlqejnë pas atdhesimit të ri këtu në Amerikën e largët si Gëzimi, Erbori, Enxhi, etj. Vepra mbyllet me riprodhimin e disa dokumenteve, për të mbështetur të vërtetat historike që ajo trajton. Tiparet e saj dalluese janë argumentimi logjik e faktik i ngjarjeve, konkluzionet e drejta, si dhe ndërtimi me një gjuhë sa shkencore po aq dhe artistike.

Duke qenë talent humoristik i lindur, Kulla u muar gjatë në teatrin e Fierit, për aq sa i lejohej, me trajtimin e temave aktuale, me goditjen e veseve, e zakoneve të këqia, e anëve të pamoralshme të shoqërisë. Rrahja në mënyrë të vijueshme e problemeve aktuale, e ka ndihmuar atë që në thelb të karakterit të tij krijues, të ketë mosarratisjen nga aktualiteti, pra luftën për t’i shërbyer së sotmes, kohës kur ai jeton e shkruan. Mesazhet e veprave të tij na ndihmojnë drejtpërsëdrejti për t’u kthjelluar lidhur me kuptimin e dukurive të sotme dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për nesër.

Si shumica e krijuesve dhe studiuesve të shquar edhe ai është qytetar me ndërgjegje të lartë që ka si parim themelor: Indiferenca është antihumanizëm, është krim, parim ky i cili i bën këta njerëz armiq me qeveritarët, sepse ata përpiqen t’i thonë popullit të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, kurse qeveritarët shpesh herë gënjejnë dhe duan vetëm duartrokitje e lavdërime. Qeveritarët dhe politikanët nuk kuptojnë se kritikat konstruktive sado të hidhura të jenë, ato janë shumë më të vlefshme se lajkat e duartrokitjet e servilëve. T’u mbash mëri e të mos i vlerësosh të paktën me një pension të vecantë, krijues dhe studiues si P. Kulla, do të thotë të mos jesh politikan i ekuilibruar, të jesh zemërak e qefmbetës.

Ahmet Zogu, kur i vlerësoi kritikët e kundërshtarët e vet, Faik Konicën e Fan Nolin, duke u propozuar poste të larta si ambasador të parit dhe kryepeshkop të kishës Orthodokse Shqiptare të dytit, u tregua diplomat e politikan i një niveli më të lartë se qeveritarët dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët nuk i honepsin kritikat e P. Kullës dhe të kritikëve të tjerë objektivë, të cilët përpiqen t’i lënë mënjanë, pa i vlerësuar. Për të kuptuar këtë lënie në hije dhe mos vlerësim të intelektualëve të shquar si P. Kulla, S. Repishti, L. Pervizi, E. Merlika, M. Korca, Gj. Gjolekaj, Ilir Dardani, I. Karanxha, A. Cefa, K. Trabohini, etj, etj, që punojnë në diasporë pa u servilosur qeveritarëve e as opozitarëve, mjafton të përmendim se asnjë prej tyre nuk merr pension special nga shteti shqiptar, asnjë prej tyre nuk u ftua në manifestimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe as që u përmend në ndonjë nga listat e 100 personave eksellece që shpallën qytetet shqiptare gjatë këtyre manifestimeve.

Për të kuptuar cilësinë e verës së një buti mjafton të pijmë disa gllënjka prej saj, kështu edhe Pëllumb Kulla për të na treguar karakterin pervers të diktaturës shqiptare, dëmet e mëdha që ajo i krijoi popullit tonë në plan moral, ekonomik e politik, ai i jep ato duke treguar shkatërimin e familjes së madhe atdhetare të Kulljave, vëllezërve dhe pasardhësve të Jonuz Kullës, të cilët i kishin shërbyer çështjes kombëtare si mbrojtës me armë në Kongresin e Manastirit, si luftëtarë të çetave kryengritëse kundës zgjedhës osmane, si bashkëpunëtorë të Themistokli Gërmenjit për krijimin e Republikës Shqiptare së Korçës, etj. Shkaku i kësaj rokopuje ishte fakti se intelektuali i shquar Ajdin Kulla, djali i vogël i Jonuzit, kishte qenë shok klase në Normalen e Elbasanit me Nevzat Haznedarin nga Tërova. Ajdini, si nxënës i shkëlqyer kishte ngjallur zilinë e Nevzatit, nxënësit mediokër, njeriut që veshi këmishën e zezë të fashizmit në vitet 1940-1942, kurse më vonë u lidh me forcat komuniste dhe për të fituar besimin e PKSH e të udhëheqësit të saj, bëri gjithfarë vrasjesh e krimesh me një zell të papërmbajtur. Mbas luftës ai u emërua prokuror e më vonë arriti gradën e gjeneralit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur ishte në pension ai vijoi të aktivizohej prej Ministrisë së P. B. për të torturuar e pushkatuar ish shokët e te luftës, viktimat e radhës, si Beqir Ballukun me shokë…

Ashtu si e pësuan prej Enver Hoxhës gjithë ata që dinin dobësitë e tij, po ashtu me dënime kapitale e pësuan edhe ata që dinin dobësitë e Nevzat Haznedarit, apo të besnikëve të tjerë të Enverit. Hakmarrës që nuk i kishte parë historia jonë e as ajo botërore, polli sistemi diktatorial komunist. Edhe pse nëna e vet i tha Nevzatit: Ki mëshirë dhe ndihmoi Kullat, se bukën e tyre e kemi akoma nëpër dhëmbët tona, ai dënoi e pushkatoi me dorën e tij shumë prej Kullave, midis të parëve, Ajdinin, yllin e karvanit të Kullave, sepse ai dinte dobësitë e tij. E arrestoi, e gjykoi dhe i dha dënimin me vdekje sepse kishte qenë ballist… koshient i Shqipërisë etnike. (Vlen të nënvizojmë këtu gjestin fisnik të Presidentit Topi, që në prag të lënies së detyrës së tij shtetërore dekoroi Ajdin Jonuz Kullën, me titullin e lartë “Nder i Kombit” duke përmbushur kërkesa të shumta për vlerësimin e këtij martiri të rrallë, i vizatuar në libër me dashuri e përpikmëri).

Për të justifikuar dënimet, njerëzit e krimit komunist krijonin një karakteristikë me pak fjalë për të ngjallur urrejtjen e popullit ndaj familjeve që duheshin persekutuar pambarimisht, në breza. Për Kullat u gjet formula: Ka strehuar Mbretin Zog gjatë largimit për në Greqi kur u sulmua Shqipëria prej Italisë Fashiste. Kjo karakteristikë i ndoqi Kullat brez pas brezi deri në fundosjen e diktaturës, madje edhe vetë autorin e librit…

Për t’i bërë më bindëse dhe më emocionuese ngjarjet dhe faktet, autori riprodhon të gjalla disa nga kujtimet e Kullave, si kujtimet e Sami Kullës, i cili ka qenë dhe nismëtari i kësaj vepre, grindjet e Vedatit me nëpunësin e emigracionit amerikan në Conecticut, etj, madje ai riprodhon dhe pjesë të tëra nga biseda imagjinare e Koço Devoles me Enver Hoxhën që gatitën Pëllumbi me Koçon dhe që e shfaqën me aq sukses këtu në Amerikë, etj. Në shërbim të këtij qëllimi është dhe shfrytëzimi i antitezës midis karakterit të lartë moral e atdhetar të bijve e bijave të Kullave dhe kundërshtarëve të tyre si Haznedari, që nuk rreshti së përndjekuri dhe dënuari Kullat; si dhe sekretarët e partisë në Zëmblak që nuk rreshtën së dërguari letra në qendër për t’i kujtuar partisë se Kullat ishin reaksionarë dhe tradhëtarë, etj.

E veçanta e Pëllumb Kullës, si thamë, është se ai nuk mjaftohet me vënien në dukje të krimeve gjatë kohës së diktaturës, ai shpalos me po aq vërtetësi e mëri edhe padrejtësitë e kohës së sotme, kohës mbas theqafjes së diktaturës, kur pritej përkrahja, rigjenerimi i familjeve të përndjekura, kthimi i dinjitetit të tyre, por forcat politike që erdhën në pushtet mbas 1991-it bënë pak në këtë drejtim…

Riprodhimi në kopertinë të librit i pamjes ballore të shtëpisë së Kullave në Zëmblak, ndërtuar madhështore më 1920, dhe e lënë pa asnjë përmirësim prej pushtetit lokal që e shtetëzoi gjatë diktaturës dhe që e mban edhe sot si një gjysmëgërmadhë, e krahasuar me shtëpitë e reja që kanë ndërtuar Kullajt e shpërngulur në Waterbury CT pranë parkut të këtij qyteti, shërben si një figurë pamore për të dëshmuar se diktatura shkatërroi, por edhe pasdiktatura nuk ndertoi atë që duhej.

Pronarët e vjetër të tokave dhe pasurive të tjera që i pati shtetëzuar diktatura, sot kanë marrë shumë pak, ato pasuri sot i kanë ndarë dhe po i gëzojnë komunistët e bijtë e nomenklaturës komuniste. Duke e vënë gishtin pikërisht në kjo plaga e fundit, autori mbërrin në përfundimet e veta të drejta: fitorja mbi diktaturën ishte një fitore e dhuruar, një fitore që nuk erdhi si pasojë e përmbysjes nga forcat e brendshme, shkërmoqjen e saj na e sollën rrethanat ndërkombëtare dhe forcat e jashtme. Në Shqipërinë e sotme nuk gjejnë dot hapësirë jetike forcat politike që vijnë nga radhët e të përndjekurve, ata që përbënin dhe përbëjnë forcat e vërteta opozitare të regjimit komunist. Ata janë degdisur me maryfete të ndryshme në diasporën e re, ose mbahen brenda vendit, por larg prej lojës politike. Në lojën politike pozitë – opozitë bëjnë pjesë vetëm ish komunistë, ish sigurimsa dhe bijtë e tyre, të cilët po e mashtrojnë popullin duke e shpallur veten të përndjekur, të shpronësuar, etj, etj. Me pak fjalë, Shqipërinë e sotme po e gëzojnë po komunistët me pasardhësit e tyre, ashtu si paratha Ramiz Alia, formuluesi i Katovicës shqiptare, para se të fillonin proceset e shpërbërjes së diktaturës.

Mesazhet e thella të veprës të nxitin të mendosh se gjatë Luftës Antifashiste paskej qenë më e lartë të ishe radhitur si antifashist në krahun e nacionalistëve të ndershëm, sepse gjatë asaj lufte dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të sundimit komunist, ish partizanët dhe komunistët e ndershëm u transformuan prej një grushti drejtuesish kriminelë në vegla qorre, në njerëz pa moral që ndiqnin, spiunonin, torturonin e vrisnin njerëz të pafajshëm, shqiptarë, që e donin atdheun po aq sa ata, në mos më shumë. E quajtura luftë e klasave ishte vetëm një parodi kriminale gjatë së cilës besnikët e partisë, të armatosur me pushtet, polici, Sigurim, gjyqe, burgje, kampe internimi, hartim biografish, etj, etj, luftonin për të mbajtur nën zap brez pas brezi njerëzit e paarmatosur, njerëzit që kishin ndonjë lidhje me kundërshtarët e dikurshëm të PKSH-së. E në këtë të quajtur luftë, besnikët e partisë varfëroheshin gjithnjë e më shumë nga tiparet e humanizmit, kurse të dënuarit i forconin këto tipare, për të cilat ka pasur dhe ka aq shumë nevojë shoqëria njerëzore.

Lidhur me të sotmen vepra të nxit të ndërgjegjësohesh, ashtu si është ndërgjegjësuar Pëllumb Kulla, ky ish simpatizant e përkrahës i zjarrtë i djeshëm PD-së dhe sot një kritik objektiv i saj. Qeveritarët e PD-së duhet të kuptojnë se sot nuk është më si në kohën e shpërthimeve romantike, koha e mbështetjes dhe e përkrahjes së tyre me tifozllëk të tepruar e viteve 1991-1997. Sot mbas 20 vjetësh nga shkërmoqja e diktaturës, populli kërkon që qeveritarët dhe politikanët demokratë të veprojnë si forcë e djathtë europiane dhe jo më si e djathtë e dalë prej partisë komuniste, ata duhet të përpiqen seriozisht për t’u shkëputur prej mendësisë së tyre të kaluar dhe të luftojnë për t’ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë, kurse vetes dhe qytetarëve t’u japin dinjitetin e merituar, sidomos njerëzve të artit e të shkencës që punojnë në fusha të vështira, ku janë bërë aq shumë shtrembërime nga kalemxhinjtë e diktaturës dhe forcat armiqësore të jashtme.

Qeveritarët dhe politikanët e sotëm të PD-së, duhet të luftojnë seriozisht për t’ua kthyer realisht, jo vetëm në letër, pronat pronarëve të vërtetë, t’ i gjallërojnë dhe afrojnë këta si forcë politike, tu japin qytetarëve, sidomos artistëve e studiuesve, dinjitetin e merituar. Përndryshe ajo gjysma e popullit që i ka votuar, në vend që të shtohet mund të pakësohet…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jo te gjithe te vdekurit, pellumb Kulla, prehen ne Paqe, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT