• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Rikthimi i duhur i Kolonel Tomsonit…

July 26, 2013 by dgreca

Shkruan: Dorian KOCI/

Shqiptarët si komb kanë një problem të njohjes së historisë së krijimit të shtetit të tyre. Për shkak se për 50 vjet  ideologjia komuniste kërkoi dhe zhvilloi një paradigmë mendimi që nënkuptonte krijimin e shtetit shqiptar nga vetë shqiptarët duke mohuar çfarëdolloj kontributi të të huajve në këtë proces, mesa duket për t’ia përshtatur ideologjisë së vet të ndërtimit të socializmit me forcat e veta, shumë personalitete të huaja u përmendën kalimthi apo si zakonisht nëpërmjet kriterit të fillit të kuq që duhet të përshkruante aktivitetin e tyre politik. Mirëpo Shqipëria Politike që gëzojmë sot nuk është vetëm kontribut i patriotëve shqiptarë por dhe i një sërë dashamirësish e miqsh të Shqipërisë që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të ndërtimit të shtetit të ri shqiptar. Mes tyre shquan Koloneli holandez Tomson i ardhur në Shqipëri sëbashku me administrastën e Princ Vidit për të themeluar xhandarmërinë shqiptare. Në krye të misionit të vet që përbehej nga 80 oficerë holandezë , Tomsoni u mundua që të organizonte mbi baza moderne rendin publik në Shqipëri , përpjekje e cila nuk do të rezultonte e lehtë dhe atij për fat të keq do ti kushtonte dhe jetën. I gjendur në mes të rebelimit haxhiqamilist të Shqipërisë së Mesme që me kërkesat e veta absurde kërkonte të zhbënte pavarësinë e Shqipërisë , misioni holandez me në krye Kolonel Tomsonin nuk e braktisi Shqipërinë por i doli zot administratës së Princ Vidit dhe bashkë me të dhe Shqipërisë së porsalindur.

 Kjo ishte një nga arsyet që shqiptarët e njohën që herët kontributin e Kolonel Tomsonit jo vetëm duke i dhënë vendin që meritonte në historinë e ringjalljes së  Shqipërisë por duke e nderuar veprën e tij dhe në monumente të fjalës së shkruar dhe të artit plastik. Fan Noli dhe Skënder Luarasi kanë krijuar poezi dhe monografi për të, por nderimi kryesor iu dha nga qyteti i Durrësit që me taksat e veta më 1923 i ngriti bustin duke shënuar kështu jo vetëm mirënjohjen e shqiptarëve ndaj Kolonel Tomsonit  por duke shënuar në të njëjtën kohë dhe monmentin e parë publik të realizuar në Shqipëri. Busti përkujtimor i Kolonel Tomsonit ka qenë vendosur në vendin ku sot është busti i Mujo Ulqinakut, madje topat me zinxhirë dhe kolona mbi të cilën rri busti, i përkasin monumentit të vjetër. Busti i Kolonel Tomsonit ishte i pranishëm në Durrës deri nga filimi i viteve 50’ , kur rregjimi komunist në kuadër të sterilizimit të kujtesës historike dhe vlerësimit të simboleve të veta, e hoqi dhe më vonë e zëvendësoi me bustin e Mujo Ulqinakut. Ky veprim, për të cilin dhe vetë heroi i popullit Mujo Ulqinaku po të ishte gjallë nuk do ta pranonte, përveçse shprehte mentalitetin mohues të vlerave historike që nuk ishin të lidhura me komunizmin synonte të fshihte çfarëdolloj kontributi evropian në ndërtimin e shtetit shqiptar.

Tashmë që kohët kanë ndryshuar dhe shqiptarët prej kohësh janë njohur me burime të ndryshme historike për kontributin e miqve të Shqipërisë për të krijuar shtetin shqiptar, dhe për më tepër viti që vjen do të jetë 100 vjetori i rënies së Kolonel Tomsonit , do të ishte në nderin e bashkisë së Durrësit që në emër të vlerësimit të drejtë të historisë por dhe të kontributit të këtij miku të shqiptarëve, ta anullojë vendimin e mbrapshtë të heqjes të bustit të Kolonel Tomsonit dhe të marrë vendim për ta rivendosur sërish në pidestal. Një komb që harron martirët e vet apo akoma më keq nuk shpreh mirënjohjen për miqtë që e kanë ndihmuar në kohë të vështira e ka shumë të vështirë të mbijetojë në dallgët që historia dhe fati njerzor ndërthur, ndaj për tu përsosur dhe për tu zhvilluar është mirë që para se të ndërtojë monumente mirënjohje për luftën e afërme të Kosovës, të nderojë dhe ata që kontribuan në krijimin  hershëm të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci, i Kolonel Tomsonit, rikthimi i duhur

Letra E Ahmet Zogut per Nolin-KUR NOLI DHE AHMET ZOGU ISHIN MIQ

July 26, 2013 by dgreca

Letër e Ahmet Zogut dërguar Fan S Nolit/

I dashur mik Mgr. Fan S Noli-Në Romë/

Që posa mora Letrën e parë të Z. Suej, i pagova të hollat të zot të shtëpisë edhe shërbëtorit tuej ashtu siç më shkruanit në letër, duke ju marrë dëftesat e duhura.

 Sa për punën e mobillavet, kemi pyetur në Doganën e Durërsit, por asgjësendi nuk ka ardhur. Gjithashtu edhe për të quajturin Nasi Laze  kam për të bërë hetime ku është arrestuar, se këtu në Tiranë nuk ndodhet nëj emër i atillë.

  Gëzohem që kurdoherë të jinni mirë edhe që përçpejti u bashkofshim këtu!

                 Dyke ju çuar përshëndetjet e mia, mbetem

    Juaji me besë.

   Zogu

Tiranë, 15-VII-1922

Filed Under: Kronike Tagged With: Letra e Zogut, per Nolin

FAIK KONICA MË 1911-1912 – VITET E HARVARDIT DHE TË VATRËS

July 26, 2013 by dgreca

Nga Agron Alibali*/

 I. Hyrje/

 Për jetën e Konicës gjatë periudhën studimore në Harvard gjatë viteve 1911-1912 nuk është ditur shumë. Arkivat e Universitetit të Harvard, të shfrytëzuara për herë të parë nga studiuesi Efthim Dodona, si dhe arkiva e tij private, japin informacion të vyer për jetën dhe veprimtarinë e Faikut gjatë studimeve në Harvard dhe më tej.

Dihet se Faik Konica shkeli në Boston për herë të parë më 9 tetor 1909 me anijen Ivernia.  Ai i shkruante Fan S. Nolit se “do të mbërrinte në Boston i veshur me kostum popullor shqiptar”.Madje edhe vetë veprimi i zbritjes në tokën amerikane i veshur me fustanellë do të kishte kuptim të madh simbolik mbasi, sipas fjalëve të Nolit, synimi ishte që “ta botonte foton e vet në gazetë për ta përdorur për propagandimin e çështjes së kombit shqiptar, që mbeti edhe pasioni i tij gjatë gjithë jetës””. Menjëherë Fan Noli i dorëzoi Faikut drejtimi e Diellit, por ky i funditu largua nga pozicioni i Kryeredaktorit pas disa mosmarrëveshjes me punonjësit.  Fill paskëtaj ne e gjejmë Faikun disa mijë kilometra larg, në qytetin St. Louis të shtetit Missouri në vitin 1911, ku ai botoi për pak kohë një fletore rivale, “Trumpeta e Krujës” para se të kthehesh në Boston mbas një ndalimi të shkurtër në Michigan dhe Chicago. 

 II.Periudha studimore e Konicës në Harvard

 Arkiva e Harvardit jep informacione të tjera të rëndësishme për jetën dhe arësimin e Konicës.  Çdo student i atij universiteti pajiset me dosje e cila mbledh të gjitha informacionet themelore për jetën profesionale të studentit deri në vdekje.  Dosja e Konicës pëmban kartën e studentit, korrespondenca të ndryshme, formularin apo kërkesën e pranimit, një kopje të nekrologjisë, etj.

Pas kthimit në Boston, më 10 Gusht 1911 Konica bëri kërkesë për të studiuar për gradën shkencore Master of Arts [A.M.] në Familjen e Gjuhëve të buruara nga Latinishtja (Romance Languages) në Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave në Universitetin e Harvardit.  Vendimi i pranimit u mor vetëm dy ditë më pas, me 12 gusht 1911, me kusht që ai të provonte aftësitë e tij në gjuhën gjermane. Konica u regjistrua zyrtarisht në shkollë me 25 shtator 1911. Të nesërmen, me datë 26 shtator, Konicën e mori në intervistëpersonalisht Prof. J. Ford, i cili deklaroi më pas seFaiku “nuk kishte kurrfarë vështirësie për të punuar me libra në gjuhën gjermane.” Prof. Ford shkruajti më tej në raportin e vet se Faiku “kishte lexuar jo pak traktate në gjermanishte që lidheshin me punën e ti studimore në shqipe, dhe ai njeh mjaft mirë Grundriss-in e Grüber-it.  Unë nuk do ta detyroja atë që të merrte kursin e gjermanishtes.”  Kësisoj, parakushti u hoq pa patur nevojë që Konica t’i nënshtrohej provimit.

Faiku kërkoi që të regjistrohej në amzën e Harvardit me emrin Faïk Konitza, ose, Faïk Bey Konitza, “nëse – siç shkruante vetë – nuk ndalohen titujt e fisnikërisë”.Sikurse do të shpjegohet më poshtë, Faiku hoqi dorë nga përdorimi i dy emrave të mesëm që, sikurse pranon ai,  “i kishte vënë vetë në rininë më të hershme”.

Synimi ambicioz i Faikut ishte marrja e diplomës brenda vitit.  Edhe Harvardi e miratoi në parim objektivin e Konicës, duke theksuar se “nëse ju do të kryeni studime të avancuara, të miratuara nga katedra për notë të lartë dhe këto do t’i kryeni me vlerësime maksimale, kjo pa dyshim do t’ju sigurojë marrjen e diplomës brenda vitit”.

            Gjatë vitit studimor në Harvard Konica studioi në kurs të rregullt lëndët e Letërsisë së Krahasuar, Frëngjishten I dhe II. Ai mori edhe kurse të pjesshme në Letërsi të Krahasuar II, Frëngjishte III, dhe Filologji të Gjuhëve të buruara nga Latinishtja (Romance Languages).  Në të gjitha këto lëndë Faiku mori notën maksimale.Kësisoj ai ia arriti pikësynimit për t’i përfunduar studimet pasuniversitare brenda vitit dhe u diplomua në vitin 1912.Në kursin pasuniversitar të Letërsisë së vjetër Frënge, të Prof. Edward S. Sheldon, Konica zuri miqësi me Henry Grattan Doyle, i diplomuar në Kolegjin e Harvardit më 1911.  Ata ishin të vetmit studentë në kurs.  Miqësia e tyre zgjati për shumë vite, madje edhe gjatë kohës kur Faiku shërbente si Ministër Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara.  Doyle e përshkruante Konicën si “një xhentëllmen e studiues, si dhe diplomat dhe mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara” i cili “kishte shumë miq këtu”. Duke iu referuar pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, Doyle shkruan se “zhdukja e përkohëshme e vendit të tij nga familja e vendeve të pavarura ishte një grusht i rëndë” për të”.Në korrespondencën e vet me Harvardin, Doyle përfshiu edhe nekrologjinë eKonicës, ndofta të botuar në gazetën The Washington Post.  Kurse e fundmja adresë e banimit të Faikut jepej 1530, Sixteenth St., N.W., Washington, D.C.Nekrologjia e shkurtër përmendte se përveç shqipes, Konica “mund të lexonte edhe në italisht, spanjisht, rumanisht, portugalisht, turqisht, gjermanisht, greqisht, hebraisht, arabisht, frengjisht dhe anglisht”.Nekrologjia përmend edhe se Konica “u dënua me vdekje nga autoritetet otomane për veprimtarinë e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, dhe se ndikimi i tij ishte vendimtar për të bindur Mbretin Zog që të adoptonte një reformë të gjerë agrare në vend”.

 a. Karta e studentit

 Çdo student i Universitetit të Harvardit ka në dosje edhe një kartë ku përfshihen të dhënat themelore biografike të jetës së studentit. Sipas saj, studenti Faik Konica u lind në mars 1876 në qytetin e Konicës, i biri i Shahin Beut dhe i Zoña Lalia (Delvina) Konica, dhe vdiq në 15 dhjetor 1942 në Washington, DC.Me interes është fakti se, më vonë Konica e jep ditëlindjen e vet vetëm si për muajin prill. Kjo ndofta lidhet me ndryshimet në kalendaret e zbatuara në atë kohë dhe më pas. Vendlindja e tij tek karta e studentit jepet Konica, Turqia e Europës..Karta tregon se Konica i plotësoi studimet pasuniversitare më 1911-1912, se ishte i punësuar me qeverinë shqiptare si Ministër në SHBA dhe se adresa e tij e fundit e njohur zyrtare ishte The Mayflower Hotel, Washington, D.C.  Bashkëngjitur me kartën është edhe nekrologjia e shkurtër nga një fletore e Bostonit, ku jepen edhe informatet për varrimin si dhe shërbimet përkatëse.

 b. Kërkesa apo Formulari i Pranimit

Një tjetër dokument i rëndësishëm arkivor është formulari i pranimit të Konicës në Universitetin e Harvardit i datës 4 gusht 1911. E veçanta e këtij dokumenti është se informatat  personale janë dhënë prej vetë Faikut. Kështu për shembull, Konica e shkruan emrin e vet në trajtën frënge Faïk Konitza, trajtë që e ruajti gjatë gjithë jetës së vet duke e përdorur edhe në të gjitha dokumentet zyrtare, shkrimet, letrat dhe korrespondencën e tij.

 Emri dhe Vendlindja

 Emri i plotë i Konicës në diplomën frënge dhe vendlindja e tij janë:  “Sieur Schich’go Konitza, Faïk, Suavi, né à Konitze, (Albanie-Turquie) le Mars 1876, Ka mendime se trajta “Schich’go” lidhet me fjalën shqipe “shishko”.  Nuk është e qartë nëse ky ishte mbiemër i familjes ose i referohej thjesht një fëmije të shëndetshëm.  Mirëpo Konica deklaron se përdori emrin e mesëm ekstravagant dhe të çuditshëm [“fanciful”]Schisch’go si kompozitë e emrit të shkrimtarëve Schiller dhe Hugo. Ja se si e shpjegon vetë Faiku këtë gjë në shënimin përkatës të Formularit të Pranimit në Harvard:Në Shqipëri ka një rrëmujë të madhe sa u takon emrave të përveçëm, pasi turqit nuk kanë mbajtur regjistra zyrtarë të gjendjes civile deri kohët e fundit.  Kur mbusha formularin për provimin tim të parë bëra një çilimillëk: pranova përdorimin e dy emrave të çudtshëm të mesit, që afroheshin fonetikisht me emrat e Schiller-it dhe Hugo-it, dy poetëve që unë i admiroja më shumë.  Sigurisht, sot unë nuk do të doja që kjo shaka të përjetësohej.”

Po ashtu, Faiku e shënon vendlindjen e vet si “Konitza (Albania)”, natyrisht duke i qëndruar besnik gjeografisë politike dhe etnike të asaj kohe.  Kurse Regjistri i Studentëve të Diplomuar të Harvardit i vitit 1913 jep për Faikun këto të dhëna: Konitza, Faïk [g. 1911-1912 A. M.; B. ES. LETTRES, Univ. Dijon (France) 1895.] Janina, Albania, Turkey- in-Europe.  Kuptimi i të dhënave lakonike të Regjistrit është se studenti Faik Konica ndoqi Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave gjatë viteve 1911-1912; u diplomua me gradën shkencore Master of Arts; ka qenë i diplomar me diplomë të nivelit universitar në Letërsi në Universitetin e Dijon-it në Francë më 1895; tash jeton në Janinë, Shqipëri, Turqia Evropiane.

 Arsimi

 Arkiva e Harvardit jep të dhëna të tjera interesante për formimin arësimor të Faikut, të paraqitura prej vetë atij në Formularin e Pranimit.Duke iu referuar etapave të hershme të arsimit të vet, Konica shkruan se ai “kishte nxënë nga mësues privatë,” pa identifikuar gjithsesi shkollat e ndryshme që kishte ndjekur, të cilat përmenden tjetërkund.Aty konfirmojmë se Konica i filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux, (Normandie); më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne (jugu i Francës) ku studioi deri më 1894, duke u përqëndruarnë studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e Kompozicionit në Frengjisht dhe në Përkthimet Latine.Konica i përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie)në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) në 16 Nëntor 1895, pikërisht 115 vjet më pare. Sprova e tij “Për Shoqërizimin e Ideve” u vlerësua në provim prej Prof. Charles Adam si “eseja më e mirë”.Interesat studimore të Konicës ishin shumë të gjera dhe përfshinin Historinë, Filozofinë, Arsimin, Artet e Bukura, Astronominë, Fizikën, Kiminë, Botanikën, Zoologjinë, Gjeologjinë, Stilistikën ose Artin e të Shkruarit të Eseve.  Sikurse u përmend më sipër, Konica kishte talent të veçantë për gjuhët e huaja.  Ai kishte kryer studime të avancuara në greqishte (7 vjet), latinishte (nëntë vjet), frengjisht (12 vjet), anglisht (letërsi dhe kompozicion), italisht, si dhe kishte studiuar për dy vjet privatisht gjuhën dhe letërsinë gjermane.

Në vitin 1895-1896 Konica filloi studimet pas-universitare tekCollège de France në Paris, duke u përqëndruar në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”, lëndë që jepeshin nga Profesorët Gaston Pâris and Gaston Boissier.  

 Të dhëna të tjera tek Formulari i Pranimit

 Në rubrikën “Punësimi i Tashëm” të formularit Konica deklaronte se ishte “pedagog dhe redaktor letrar”[“Lecturer and Literary Editor].”Ndërsa pyetjes 13, se “në cilën fushë do të dëshironit të shqyrtoheshit si kandidat për diplomim? Shpjegoni me hollësi përvojën tuaj të përpashme në lidhje me temën”, Konica jep informacionin e më poshtëm biografiko-arsimor, të riprodhuar të plotë:

Frengjisht (me pjesëmarrje të rëndësishme në Anglisht)

Kam marrë me sukses provimet e letërsisë të kërkuara prej ligjës frënge për diplomën universitare (Bachelor); më pas, kam ndjekur për disa vjet si student i lirë kurse në Frëngjishten e Vjetër në Collège de France, dhe Letërsi Frënge në Sorbonne.  Kam shkruar edhe punë origjinale në fushë, siç dëshmohet prej sprovës “Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale”, (“Essai sur les Langues naturelles et les langues artificielle”) botuar preje meje në Bruksel me 1904 nën pseudonimin Pyrrhus Bardyl”i.”

           Kjo vepër prej 147 faqesh e Konicës u botua nga shtëpia Kiessling et Ciemë 1904.  Gjindet, ndër të tjera, në Bibliotekën Widener të Harvardit, në Bibliothèque Royale de Belgique në Bruksel, si dhe në shërbimin e internetit Google Books.  Vepra duket se u zbulua për herë të parë për botën e letrave shqipe prej studiuesit Luan Starovadhe më pas u analizua edhe prej studiuesit Artan Puto. Mund të shtojmë, pra, se pretendimi se Konica nuk ka lënë deri më sot asnjë vepër të plotë nuk qëndron.

Natyrisht, bagazhi veçanërisht i gjerë dhe i fortë arsimor i Konicës ia hapi me lehtësi atij dyert për në Universitetin e Harvardit.

 c. Kërkesa apo Formulari i Punësimit

 Tjetër dokument i rëndësishëm i cili nuk gjindet në arkivën e Universitetit, por u zbulua në arkivën private të Konicës me 13 mars 2006 është Kërkesa për Punësim, e paraqitur pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit.  Konica u regjistrua tek kjo zyrë me14 mars 1912, d.m.th gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor.

Këtu Konica na jep të dhëna të tjera të rëndësishme për jetën dhe synimet e tij për të ardhmen.  Ai synonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romanse, kryesisht frengjisht dhe italisht”.  Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A. dëshironte të punonte ai iu përgjigj: “Më 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasme kudo”.  Synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy vieteve në kuadrin e organizatës VATRA.  Sa i takon nivelit të pagesës, Konica shënon se do të parapëlqente të ardhura “në masën $1000-$1500 dollarë”. Natyrisht që bëhej fjalë për pagë vjetore, që në me vleftën e sotme do të vërtitej rreth 22,000-33,000 dollarë.

Në listën e e botimeve të tij, Konica shënon këto periodikë, libra dhe artikuj:

(1) periodiku “Albania”, 11 blenj “ku kam shkruar mëse 1500 shtylla me artikuj në frengjisht, si p.sh. “Relations entre la France et l’Albanie, d’apres des Manuscripts inedits per connu”;

(2) Essai sur la Langue naturelles et les Langues artificielles, …e komentuar me shumë lëvdata për stilin e autorit tek “Mercuri di France”, tek “Revu des Idees”, etj.”(Dielli-arkiv))

Filed Under: Kulture Tagged With: agron alibali, dhe Vatres, Faik Konica, vitete e Harvardit

Nihat Bakalli, vazhdues i veprës së Mid’hat Frashërit

July 26, 2013 by dgreca

Nga Uran BUTKA/       

Si i arratisur politik, Nihati, fillimisht u lejua të ndiqte studimet e larta për albanologji, e mandej për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Por, për veprimtari kombëtare shqiptare, tok me mjaft shqiptarë të arratisur në Jugosllavi si Anton Çeta, Hasan Kaleshi, Abullah Zajmi, Ali Alia, Agim Vicrri, Murat Isaku, Elez Ndreu, Skënder Kastrati, Zyhdi Baja etj, Nihati u burgos nga UDB-ja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Gerovës, ku vuajti jashtëzakonisht bashkë me të burgosurit e tjerë nga Shqipëria e Kosova

 Nihat Bakalli ka marrë pjesë në të gjitha tubimet dhe demonstratat e Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare në SHBA dhe Europë, përpara institucioneve ndërkombëtare për çështjen shqipare, por edhe për të protestuar për krimet e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës që po e mbyste popullin shqiptar dhe po e mbyllte krejtësisht Shqipërinë.

Nihat Bakalli është një përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, veprimtar dhe kryetar i Ballit Kombëtar për Diasporën, vazhdues i denjë i veprës së Mid’hat Frashërit, intelektual i spikatur, qëndrestar antikomunist, demokrat i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe i ditëve tona.

U lind në Shkodër më 12 janar të vitit 1931, në një familje patriote dhe qytetare shkodrane. I ati, i përndershmi hafiz Ymer Bakalli, që kishte studiuar për teologji dhe psikologji në Turqi, ishte një patriot i njohur, pjesëmarrës në luftën e Koplikut dhe në mbrojtje të Shkodrës në vitet 1918-’20 kundër pushtuesve serbo-malazes. Antizogist i burgosur, pjesëtar i opozitës demokratike të viteve ’30, antifashist dhe antikomunist i vendosur, ai e urrente më së shumti komunizmin, që prishi fe dhe atdhe. U burgos dhe u internua në kampin famëkeq të Tepelenës nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës.

Nihati i mori mësimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes. Qysh nxënës, mori pjesë në lëvizjen studentore antikomuniste në vitet 1947-1948 në Shkodër, bashkë me Bardhosh Danin, Mark Cacajn, Ibrahim Dërgutin, Hilmi Hoxhën, Ferid Myftiun etj., duke bërë propagandë antikomuniste dhe protesta. Nihati kujton në librin e tij me kujtime “Nga një vit në tjetrin”: “Në këtë grup, veprimi më i madh ka qenë kur unë dhe Bardhoshi kemi shkruar një parrullë antikomuniste në një faqe të murit të gjimnazit: “Poshtë komunizmi! Jashtë rebelët”! Për t’iu shmangur regjimit të egër, u ndamë u organizuam në grupe të vogla prej tre vetësh, ndërsa mbledhjet i bënim në shtëpinë time…”

Por, grushti i egër i pushtetit ra mbi studentët: Bardhosh Dani, Ibrahim Dërguti dhe Mark Cacaj u vranë gjatë orvajtjes për t’u arratisur, ndërsa Ethem Bakalli, Ahmet Bushati, Mërgim Dani, Viktor Luka dhe Njazi Uruçi u burgosën. Nihati dhe Zyhdi Baja u arratisën në vitin 1950 nga Shqipëria, për t’i shpëtuar arrestimit.

Si i arratisur politik, Nihati, fillimisht u lejua të ndiqte studimet e larta për albanologji, e mandej për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Por, për veprimtari kombëtare shqiptare, tok me mjaft shqiptarë të arratisur në Jugosllavi si Anton Çeta, Hasan Kaleshi, Abullah Zajmi, Ali Alia, Agim Vicrri, Murat Isaku, Elez Ndreu, Skënder Kastrati, Zyhdi Baja etj, Nihati u burgos nga UDB-ja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Gerovës, ku vuajti jashtëzakonisht bashkë me të burgosurit e tjerë nga Shqipëria e Kosova.

Nihati u arratis nga kampi i përqendrimit dhe kaloi në Trieste, në kampin e “Santa Bara”, mandej në Strasburg, për të vazhduar studimet universitare për drejtësi, si student në Kolegjin “Evropa e Lirë”. Nga Franca u transferua në Romë, ku u bashkua me refugjatët e vjetër të Ballit Kombëtar: Vasil Andoni, Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, Zef Pali, Dom Zef Shestani, etj., me të cilët bashkëpunoi ngushtë. Në Romë, punonte dega e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ku Nihati dha kontributin e tij, sidomos në kapërcimin e mosmarrëveshjeve midis grupimeve politike të djathta. Ndërkohë, vazhdoi studimet universitare për drejtësi, të cilat i përfundoi në Neë York të SHBA, ku emigroi si shumica e shqiptarëve të mërguar nga Shqipëria. Atje vijoi përpjekjen e Ballit Kombëtar për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike, të integruar në botën e lirë Perëndimore.

U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar në Diasporë në Kongresin VII në Detroit dhe bashkëpunoi me udhëheqësit kryesorë historikë të nacionalizmit shqiptar: Vasil Andonin, Abaz Ermenjin, Hasan Dostin, Zef Palin, Sulejman Meçon, Qazim Prodanin, Jani Dilon etj.

Si publicist, bashkëpunoi me fletoret “Flamuri” dhe “Besa”, si edhe me revistat “Albania” dhe “Shërbestari i Shqipërisë”, ku botoi një sërë arikujsh me vlerë kombëtare . Ka mbajtur për mëse 30 vjet, si drejtor dhe si folës, radion e Ballit Kombëtar “Zëri i Shqiptarëve të Lirë”, prej vitit 1965 e deri në vitin 1993, kohë në të cilën u përmbys diktatura komuniste në Shqipëri. Radioja “Zëri i shqiptarëve të lirë” ka mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmës, ka mbrojtur çështjen shqiptare në botë, ka demaskuar regjimin gjakatar të Enver Hoxhës dhe ka mbështetur çdo lëvizje që zhvillohej nga Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare në SHBA dhe Europë. Nihat Bakalli drejtoi radion dhe kumtoi idetë e lirisë, të nacionalizmit shqiptar e të antikomunizmit, pa iu lodhur dhe pa iu trembur kërcënimeve të armiqve të kombit e të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, Nihat Bakalli dhe radioja e tij, kanë mbrojtur dhe ndërkombtarizuar çështjen e Kosovës,, luftën e saj për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë, sipas parimeve të pavdekshme të Shqipërisë Etnike të të madhit Mit’hat Frashëri.

Nihat Bakalli ka marrë pjesë në të gjitha tubimet dhe demonstratat e Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare në SHBA dhe Europë, përpara institucioneve ndërkombëtare për çështjen shqipare, por edhe për të protestuar për krimet e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës që po e mbyste popullin shqiptar dhe po e mbyllte krejtësisht Shqipërinë. Ja ç’thotë ai në librin “Nga një vit në tjetrin”: Mund të përmend Konferencën shkencore kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Skënderbeut, si edhe tubimin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” më 1978. Seancën e parë e drejtoi dr. Ramazan Turdiu, seancën e dytë, dr.Nihat Bakalli… Për këtë është shkruar e botuar një libër i posaçëm… Mund të zë në gojë edhe dy kuvende, njëri kushtuar Lëvizjes Studentore kosovare më 1981, tjetri Kryengritjes Antikomuniste të Malësisë së Madhe, prirë nga patrioti e luftëtari i lirisë, Preng Cali…”

I zgjedhur kryetar i Komitetit të Ballit Kombëtar për Diasporën, Nihat Bakalli, luftoi edhe më tepër për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e Kosovë, si edhe për të siguruar ndihmën e madhe të SHBA për Shqipërinë dhe për çlirimin e Kosovës, po ashtu edhe për të ndihmuar Ballin Kombëtar në Shqipëri, bashkimin e tij, veçanërisht Partinë e Ballit Kombëtar Demokrat, për të pasur një përfaqësim të denjë dhe aktiv në politikën e sotme shqiptare. Ndërkohë, ai ka mbështetur përpjekjet e të djathtës shqiptare, të partive të traditës nacionaliste dhe ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë demokratike, por ka kritikuar edhe gabimet e politikës shqiptare në tranzicion, sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjen tonë kombëtare dhe integrimin euro-atlantik.Nihat Bakalli ka trajtuar e promovuar historikisht, por edhe në librin e tij “Nga një vit në tjetrin”, një sërë figurash madhore të Ballit Kombëtar si Mid’hat Frashëri, Vasil Andoni, Abaz Ermenji, Zef Pali, Sulejman Meço, Halil Maçi, Luan Gashi, Dom Zef Shestani, Jani Dilo, Hafiz Jusuf Azemi, Dr. Vasil Dhimitraj, Martin Camaj, Arshi Pipa etj, si edhe ngjarje të rëndësishme kombëtare e politike.Le të shënojmë këtu disa rreshta nga shkrimi i Nihat Bakallit për Zef Palin, një nga figurat e shquara të Ballit Kombëtar: “Udhëheqësit tanë, që nuk i kemi ma në mesin tonë, udhëheqës të kalibrit të Mid’hat Frashërit, të Zef Palit, Hysni Lepenicës, Safet Butkës, Skënder Muços, vëllezërve Kazazi, Haki Tahës, Preng Calit, Mark Sadikut, e të vargut të gjatë të Dëshmorëve e të punëtorëve të Lirisë, këta udhëheqës, pra, na e kanë lanë amanet se, në qoftë se kemi një pikë gjaku shqiptar në dej, në qoftë se nuk duam të shkrihemi e të mbarojmë në harresë, në qoftë se na dhimbset kombi i shtypun e i coptuem, atëherë le ta sjellim kokën kah historia dhe le të kundrojmë aty sesa ka vuejtë kombi ynë nga kamba e të huajve”.Në SHBA, ka punuar në Bankën amerikane, i specializuar në lidhjet bankare ndërkombëtare, deri në qershor të vitit 1996, kur doli në pension.Është nderuar me titullin “Qytetar nderi i qytetit të Shkodrës”.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Komente Tagged With: Mit'hat Frasheri, Nihat Bakalli, Uran Butka

KUJTIM I NJE TANGOJE

July 26, 2013 by dgreca

            Tregim nga Hasan Kostreci /                                            

 Astriti i mbështetur  tek sedilja e vet, ishte duke shikuar në televizionin e vogël përballë, një film italian. Ora katër e mëngjesit dhe dritat brënda në  avionin  ‘Al Italia,’ akoma nuk ishin ndezur. Pothuajse  të gjithë pasagjerët po flinin, vetëm tek- tuk ndonjë si puna e tij që nuk kishte gjumë dhe shikonte televizor ose dikush tjetër që nën dritën e vogël sipër kokës, lexonte ndonjë libër. Por kishte edhe si puna e kësaj vajzës që për gati një gjysëm ore, bënte xhiro  poshtë e përpjetë midis rreshtave dhe sa herë që avioni lëkundej, ajo mbahej tek krahu apo këmbet e ndonjë që i mbledhur kutullaç dhe i mbuluar me batanije deri tek koka, ishte ne gjumin e thellë të mëngjesit. Astriti ngriti kokën dhe i hodhi asaj një vështrim, per t’i dhënë të kuptojë, se po bëhej ca e bezdisshme dhe ajo sikur ta kishte marë vesh reagimin e tij,  shkoi  për të marrë kafe në fund të avionit dhe më nuk u kthye.Per çudi, mënyra e të ecurit të saj, forma e supeve nga mbrapa dhe gjatësia, atij i shëmbëllyen me dikë, prandaj fshiu sytë, sepse mendoi mos ishte përgjumësh, u ngrit dhe e ndoqi vajzën deri në fund të avionit, ku ishte ndaluar dhe po bisedonte me stjuardesat. Priti atje gjatë mos ndoshta  ajo kthehej me fytyrë nga ai, por dikush nga mbrapa e preku  lehtazi dhe kur u kthye, pa nje grua trupmadhe, te gjatë edhe nja një pëllëmbë më shumë se ai, që dukej se ishte në ngutje për në banjë.

– Are you going to the bathroom? – E pyeti ajo dhe dhe meqënëse kalimi aty ishte mjaft i ngushtë, Astriti  u detyrua të kalojë ne rreshtin tjeter, erdhi përqark dhe u ul përsëri në sediljen e vet,

‘Do e shikoj më mirë, kur të kthehet’, mendoi dhe për çudi në moment ndjeu emocione.“Ajo ishte tamam Antonieta” i tha vetes.

“Po ti harron, se kanë  kaluar gati dyzet vjet qysh  atëherë,”e kundërshtoi.“dhe Antoneta, ashtu si edhe ti, tashti është plakur”

“Atëhere ka shumë mundesi, që kjo të jetë e bija,  konkludoi, nëqoftëse edhe përballë ka vërtet tiparet e saj” prandaj drejtoi trupin, fiku televizorin sepse nuk po kishte dëshirë të merrte vesh përfundimin e filmit që pati ndjekur dhe provoi që të flejë.

   Kishte kohë që nuk e pati zënë në gojë atë emër dhe pati kujtuar se koha kishte bërë të vetën dhe e kishte fshirë gjithçka nga kujtesa, prandaj dhe u habit me vetëveten për këto reagime gati të pa kontrolluara, që po bënte. U ngrit përsëri dhe nisi të kontrollojë aq sa mundej neper rreshta. Qetësia iu prish dhe nuk po mundej të qëndronte dot në një vend. Shkoi edhe një herë  deri në fund të avionit dhe u kthye.

“Mos ndofta ka kaluar  nga ana tjetër dhe nuk e pashë”, qetësoi veten, por njerëzit në këtë kohë filluan që të lëvizin dhe ai po behej i bezdisëshëm.

– Excuse me, Sir! – i foli tek veshi përsëri  e njejta grua, por këtë rradhë i erdhi nga ana e kundërt.

Ajo bllokoi gati të gjithë kalimin dhe Astriti u detyrua që të ngrihej në majë të gishtërinjve, deri sa i hapi asaj rrugë të kalonte.

   Por për çudi, në këtë çast ai nuk donte ta imagjinonte Antonetën të plakur si ç’ishte edhe vetja e tij. Emocionet, që iu krijuan ishin për atë që pa tani: E gjatë me supe të drejta, mesin e hollë dhe flokë kaçurrela, të prera shkurt. Tamam si Antonetën që kish njohur kur ajo qe vajzë. Do të donte që ta shikonte Netën të re dhe të freskët ashtu  si  dikur.

U orvat t’u binte edhe një herë rreshtave përqark, se mos ndoshta e shikonte të ulur, por ishte akoma errësire dhe pjesa më e madhe e pasagjerëve flinin. 

    “Në qoftë se është ajo, që mendoj unë, do ta takoj me siguri ne aeroportin e Romës, në Fiumiçino” – e qetësoi se fundi veten dhe u ul, mbylli sytë dhe   kujtimet e disa dekadave më parë filluan ta ngacmojnë ….

 Ishte viti gjashtëdhjetë  e gjashtë; Astriti, në atë kohë, ishe njëzet e katër vjec dhe punonte si mësues në fshatrat e Gramshit.

– Këtë vit do kesh për drejtoreshë një vajzë nga Korça, që porsa  ka mbaruar Institutin – e ngacmoi nje shok, qe u takuan ne restorantin e vogël të qytetit  – Ishte goxha vajzë, ja ke për ta parë nesër në mbrëmjen që do bëjnë arsimtarët me rastin e fillimit të vitit – i tha ai dhe i luajti syrin –  Lum ti!

 Të kombinuarit me një kolektiv të mirë për një vit të gjatë shkollor, për mësuesin, ishte diçka shumë e rëndësishme dhe ata mezi e prisnin listën e emërimeve, që zakonisht dilte nga mesi i Gushtit.

 Astriti mbahej si një djalë i qetë dhe i përmbajtur, kishte shoqëri edhe me vajza të bukura nga Elbasani apo edhe nga Korça, që patën ardhur kohët e fundit, por për çudi për këtë  që ia përshkroi shoku, po ndjente emocione dhe mezi po e priste ditën e nesërme që ta takonte.

 Mbrëmja e arsimtarëve u organizua jashtë, në lulishte, sepse edhe koha ishte e ngrohtë dhe e bukur. Astriti u ul në tavolinë sëbashku me një mësues të moshuar, porositën të dy nga një gote birrë, një pjatë me mëlçi te ngrohta dhe filluan të pijnë. Orkestra e hapi me një tango të qetë dhe arsimtarët që ishin në pritje për të goditurën e parë të tastjerës së fizarmonikes, u sulën drejt vajzave që i patën piketuar që më parë.

U deshën disa sekonda që grumbuli i madh në qendër të sistemohej dhe në pistën e vallzimit mbetën ata më të shkathtit që kishin zënë për mesi damat e tyre dhe po kërcenin, ndërsa të vonuarit u kthyen në tavolinat e tyre të mërzitur.

 Papritur, një vajzë e panjohur  u afrua tek ata dhe e ftoi Astritin për të kërcyer.

– Është detyra ime – i  tha ajo me të qeshur – që të njihem me mësuesit, me të cilët do të punoj këtë vit shkollor.

Astriti u turbullua, sepse nuk e priste që prezantimi me drejtoreshën  të bëhej në këtë mënyrë. Por më shumë e turbulloi edhe pamja e saj që për çudi, ishte ashtu siç e kishte imagjinuar; E gjatë si vajza që pa pak më parë, me flokë të shkurtëra, të dredhura dhe   fytyrë ëmbël.

 – Po të kërkoja sot paradite. – shtoi ajo duke kërcyer –  sepse më kanë folur mirë për ty dhe isha kureshtare që të njhnja.

 – Edhe unë gjithashtu. – iu përgjigj ai duke i u marrë pak fryma dhe më gjatë nuk mban mënd se çfarë biseduan, por vetëm di që atë tango e shijoi shumë  dhe ndjeu disa emocione të vecanta, që nuk i pati provuar ndonjëherë.

  Mbrëmja tradicionale  e arsimtarëve per të, ishte vetëm ajo tango.

   U permënd nga ato kujtime të shumë viteve të kaluara, kur pa se kishte aguar dhe stjuardesat po sillnin me karrocë mëngjesin. U ngrit më këmbë, shikoi edhe njëherë përqark për  vajzën, por  nuk ia zuri syri asgjëkundi.

 Sa mbaruan së ngrëni, kapiteni nga qëndra e zërit njoftoi se po uleshin në Romë.

Astriti zbriti shkallët e avionit, mori autobusin urban dhe u ul në sallen e pritjes në Fiumiçino. Hodhi edhe një herë sytë rreth e rrotull dhe përvec shqiptarëve, pa edhe mjaft të huaj që shkonin në Shqipëri për biznes apo turizëm. Vuri valixhen e vogel midis këmbeve dhe nxori të lexoje gazeten ‘The New York Post’, që e pati marrë me vete që kur u nisën.

 “Me duket, se paskam gabuar” arsyetoi, “Ajo vërtet ngjante me atë që mendoj unë, por kjo nuk do të thotë që…..

   Mendimi iu ndërpre, kur befas drejt tij po vinte vajza e gjatë simpatike, që pa në avion, duke mbajtur për krahu një grua të moshuar. Ato u ulën në një ndënjëse fare pranë dhe  Astriti u ngrit që  t’i ndihmonte, por  ato nuk e vunë re respektin e tij. 

 “Sa paska rënë! ,tha me vete, kur dalloi Antonetën e vërtetë që iu duk jo vetem e plakur, por ndofta edhe e sëmurë. I erdhi mjaft keq dhe pa dashje, e krahasoi me vajzën në krah, e cila ishte ajo që i ngacmoi imagjinatën dhe e lidhi me ato kujtime të hershme.

 “Ka kaluar shumë kohë dhe  sigurisht që gjithçka është harruar’, i tha vetes.

 – Nëna bëri para nje jave një operacion të rëndë në Amerikë – po i shpjegonte vajza një shqiptareje aty afer.

 – Si duket ai e paska lodhur mjaft të shkretën, sepse nuk ta jep përshtypjen, se është edhe aq e vjetër – i sugjeroi bashkëfolësja.

 –Nëqoftëse bëhet më mirë, kemi qejf që të shtunën t’ia festojmë në Tiranë gjashtedhjetëvjetorin – vuri buzën  në gaz e bija dhe hodhi syte nga e ëma, që vazhdonte të rrinte akoma me sy të mbyllur.

“Unë pra, e kam njohur atë kur ishte jo me shumë se njëzet e dy apo njëzet e tre vjeçe” mendoi Astriti, që i kapi veshi bisedën, “Afërsisht, aq sa mund të jetë  vajza e saj,  tani’.

   Ndjeu në shpirt  një trishtim ndofta për gjithë këto vite që kishin kaluar dhe u drejtua  tek bufeja për  të pirë diçka, por bashkë me kafen, u kujtua dhe pagoi edhe për një kartolinë, që e zgjodhi tek vitrina në ballë. U ul përsëri në  stol dhe po mendonte tekstin, se si do ta shkruante; “Të uroj ditëlindjen dhe të shëroheni sa më shpejt. Nga një mik i hershëm i rinisë tënde!”  Poshtë i vuri emrin e tij.

 Iu afrua vajzës së re që ishte duke parë një revistë dhe përpak sa desh i thirri ‘Antonetë’.

 – Dëgjova pa dashur, se nesër nëna juaj ka ditëlindjen – i tha dhe u emocionua akoma më shume kur ajo u ngrit dhe i qëndroi atij përballë, tamam si dikur e ëma që e ftoi atë për të kërcyer atë tango –  A ka mundësi t’ia jepni, kur të zgjohet, këtë kartolinë urimi nga unë? – E pyeti dhe për momentin iu duk sikur ajo do afrohej dhe do i vinte dorën e saj tek supi i tij për të kërcyer.

Vajza me mirësjellje ia mori kartolinën dhe e falenderoi, por pak e habitur për gjestin e këtij burri të moshuar dhe për më tepër të pa njohur. E përcolli atë me sy deri sa ai mori valixhen, që e kishte lënë pak me tutje dhe me hap të ngadaltë, u largua.

 Mbas pak filloi  hyrja dhe avioni i vogël, që u mbush  shpejt, nuk vonoi që të ngrihej. Astriti mbështeti kokën në dritare dhe po shikonte poshtë kaltërsine e detit Adriatik, që vënde – vënde ishte i mbuluar nga mjergulla……..

   Miqësia e tyre, qysh në javët e para mbas fillimit të atij viti, filloi të trashej dhe ai po ndjente për të ashtu si edhe ajo, çdo ditë e më shumë. Ishte vajzë  e mirë, e dashur, e edukuar dhe komunikimi i tyre sa vinte e po bëhej më i këndëshëm. Bile, Antoneta, nuk u shqetsua edhe aq, kur mori vesh biografinë e tij jo të mirë, ndërsa për Astritin ajo ishte një problem i madh, që një ditë me siguri do u krijonte atyre hendeqe në të ardhmen. Bile ajo filloi e para ta urrejë atë, kur ndjeu dhe kuptoi  shkëputjen dhe ftohjen e ngadaltë të tij, gjë, që pikërisht donte të arrinte edhe Astriti  pavarësisht,  se ajo ishte kundër  dëshirës dhe ndjenjave  të tij.

 Avioni bëri disa lëkundje të zakoneshme dhe ai u pëmënd, por meqënëse edhe një natë më përpara nuk kishte fjetur mirë,mbylli grilën anësore, mbështeti kokën dhe fjeti. 

    U përmënd nga zhurma e udhëtarëve, që ishin duke qëndruar  në rradhë  për të zbritur Pra, kishin mbërritur në aeroportin’ Nënë Tereza.’ dhe ai  shpejtoi hapin  të priste për një çantë të madhe, që e kishte futur në bagazh. Në sallë kishte mjaft pasagjerë, që po drejtoheshin për tek dalja. Ktheu kokën dhe  midis tyre, pa Antonetën plakë te  ulur në karrocë me kartolinen që i dhuroi ai në dorë dhe nënë e bijë hidhnin sytë rreth e përqark duke kërkuar për dikë.

– Do ta takoj. – tha se fundi i vendosur dhe po priste për bagazhin, që i erdhi pak me vonesë. Çau me zor njerëzit, që i kishin zënë rrugën dhe sa doli përjashta, e trëmbi boria e një taksie, që i kaloi gati tek këmbët. Ngriti i revoltuar sytë për t’i folur shoferit të pakujdesëshëm, por u step kur në krah të tij pa Antonetën, mikeshën e tij të vjetër dhe mbrapa nje burrë të moshuar sëbashku me “Antonetën” vajzë.

  Ngriti pa vetëdije dorën që t’i ndalonte, por asnjë nga ata nuk e vuri re; Makina mori kthesën me shpejtësi dhe doli jashte aeroportit.

Ndejti  aty gjatë pa levizur duke shikuar tymin e bardhë që makina la mbrapa dhe kur u përmënd, pa se përqark ishte qetësi dhe aeroporti pothuajse ishte boshatisur.

“ Duhet ta kisha takuar! – tha me vete – Ne kemi qënë vërtet miq të mirë bashke”

  Hodhi çantën e rënde krahëqafe dhe me hap te ngadaltë, u drejtua  nga autobuzi i linjës, që po priste udhëtarët e fundit që shkonin për  Tiranë…..

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hasan Kostreci, Kujtim i asaj tangoje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT