• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

HESHTJA E IDIOTËVE

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Dimal Basha/

Kosova është shumë keq. Ndoshta Kosova është mirë, por populli që jeton në këtë vend është keq. Është keq sepse qe rrafsh 14 vjet është udhëheq keq e kjo udhëheqje vjen si pasojë e përbashkët nga disa që kanë zgjedh keq dhe disa që kanë zgjedhur mos me qenë pjesë e kësaj të keqe duke injoruar të drejtën e votes për të votuar. Tash të dy palët janë keq, por ma keq janë ata që janë në këtë gjendje të keqe për shkak të përzgjedhjes së keqe të tjetrit.

    Njëri ushtron të drejtën e votës dhe prap hjek keq, mirëpo ky gjithmonë ma pak keq sepse vota e tij ka raste kur shpërblehet, kurse ai që zgjedh me injoru të keqen është idiot që i imponohet e keqja pa zgjedhjen e tij dhe rrallëherë shpërblehet.  Prandaj më së keqi janë idiotët. Nuk flas për idiotët që në psikologji cilësohen personat me të meta mendore, këtu kemi teë bëjmë me idiotë që në Greqinë antike janë quajtur personat që nuk kanë marrë pjesë në zhvillimet politike. Shkurt, një njeri që nuk ka votuar për shembull është quajtur idiotë dhe këta idiotë në Kosovë janë më së keqi duke refuzuar të participojnë dhe vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj zhvillimeve politike. Injoranca e idiotëve prandaj është gjithashtu shkaku për gjendjen që sot të gjithë qytetarët e Kosovës e gëzojnë dhe ka sjell Kosovën në një finale të mbijetesës. Aty ky nuk luftohet për progres e zhvillim, por për mbijetesë dhe degradim. Progresi dhe zhvillimi që ju servohet nga lartë është “zhvillimi ekonomik më i miri në rajon dhe gati jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk jemi ndikuar nga krizat botërore” sepse këtu me qëllim konfuzohet opinioni duke konsumuar progresin selektiv si fitore. Në shikim të parë, duket mahnitëse! Sikur të kishim një jashtëtokësorë dhe t’i ofronim këto të dhëna me siguri se do të mbetej i impresionuar. Kjo ngjarje edhe mund të mbetej bindëse me kusht që jashtëtokësori  të na besoj se këto të dhëna janë e vërteta absolute dhe të mos lejohet të ketë qasje për botën që na rrethon.

     Në të njejtat kushte jashtëtokësori kishte me u impresionuar edhe në Afganistan sepse Afganistani, prej vitit 2003 deri në vitin 2012 ka pasur një rritje ekonomike me mesatare 9.3% kurse në vitin 2012/13 ky zhvillim ekonomikë ka ngritur në 11.8%. Janë statistika që dokumentojnë se zhvillimi i ekonomisë në Afganistan ka pasur ngritjen më të lartë në botë në 10 vitet e fundit. Mirëpo kjo mbetet gjithmonë impresionuese vetëm për jashtëtokësorët në kushte të izoluara ngjashëm sikur në kohën e komunizmit kur propaganda e Enver Hoxhës ishte i vetmi mjet informimi dhe në izolim u thoshte popullit se Shqipëria është një kopsht me lule kurse e gjithë bota vdes urie. Kurse për ata që dëshirojnë ta kuptojnë kafshatën që po e kapërdisin ka më shumë se atë që ju servohet. Për shembull raporti i UNICEF-it të vitit 2010 tregon se papunësia për të rinjtë nën moshën 25 vjeqare është 73%. Sondazhi i QKSS-së tregon se 1/3 e popullsisë deklarohet se dëshirojnë të shpërngulen nga Kosova dhe mbi 20% shprehen se gjendja ekonomike është përkeqsuar. Sipas Business Inisder, nga 25 vendet më  të mjera në botë Kosova zë vednin e nëntë. Ata që i keni zgjedhur të ju udhëheqin ju kanë shpërblyer juve dhe idiotët me një sistem gjysëm-autoritarë, siç e cilëson raporti i fundit nga Freedom House. Ju jetoni me një vend ku, sipas sondazheve, mbi 40% e qytetarëve nuk kanë besim në Kuvendin e Kosovës që përmban deputetë milionerë. Sipas sondazhit të UNDP-së, mbi 65% e qytetarëve të moshes 18-30 vjeq janë të pakënaqur me drejtimin e zhvillimeve politike. Kurse nga 176 vende, Transparency International na rendit në pozitën e 105 nga vendet më të korruptuara në botë në të njejtin nivel me Gambinë, Malin, Bolivinë.

         Prandaj, të gjitha këto të dhëna do duhej ta pozicionin qeverinë si një force të zhveshur pa gëzuar ndonjë legjitimitet. Megjithatë, marshi vazhdon dhe 14 vjet pas çlirimit të vendit që dikur e mendonim se do ta bëjmë një kopsht me lule, kemi një pjesë që zgjedh të marr rrugët e botës për të siguruar kafshatën e gojës, një pjesë që vazhdon të zgjedh të keqen dhe pjesa tjetër janë idiotët që vazhdojnë të mbesin indiferent ndaj zhvillimeve në vend.

    Dhe çka mbetet enigmatike është se pas gjithë kësaj skamje dhe degradimi pushtetarët ende mbesin më të uritur se populli.Sigurisht se një ndër fajtorët kryesorë janë idiotët që sikur zgjedhin të flasin me hije duke menduar se bota përfundon në shpellën e Platonit.Megjithatë, heshtja e juaj inkurajon edhe më shumë gjendjen ku jeni dhe forcon sistemin semi-autoritarë duke lënë të kuptohet se ata në krye po bëjnë një punë të mirë. Nuk kanë sesi të mendojnë ndryshe kur kanë një turmë që i votojnë dhe një tjetër që kanë zgjedhur të mos zgjedhin ndryshe që përkufizohet nga karakteri i Pogos që thotë “ne kemi takuar një armik, dhe ai armik jemi vet ne.”

    Është e arsyeshme që mungesa e alternativave në sistem ju lë të mbeteni idiotë mirëpo keni një solucion të vetëm që të ndëgjohet zëri juaj.Kjo mbetet hapësira dhe sheshet publike ku mund të shprehni paknaqësitë tuaja me anë të protestave paqësore pa ju bashkuar asnjë partie politike.Aty ku sot me miliona njerëz nëpër botë kanë zgjedhur të kundërshtojnë regjimet që nuk përfaqsojnë intereset e qytetarit dhe nuk kanë prioritet mirëqenien e tyre. Duhet të jetë e natyrshme ngritja e zërit kundrejt padrejtësive sepse edhe foshnja vajton kur ndjehet e uritur dhe britmat shpeshherë ndihmojnë sadopak në lirimin e dhimbjeve që përjetojmë kur truri na e shkëput vëmendjen, që së paku për momentin, na jep hapësirë të mos mendojmë për dhimbjen.

      Ekonomia në Kosovë edhe mund të ketë pasur rritje por dinjiteti dhe humanizmi në këtë vend ka degraduar. Të dhënat e ngritjes ekonomike mbesin impresionuese për ata që pranojnë të shofin botën përmes vrimës së qelësit, përndryshe, të gjitha raportet tjera dhe faktet në teren dëftojnë se ky vend është duke u përdhunosur. Ju mbeteni të konfuzuar duke konsumuar progresin selektiv si fitore.

            Ata që janë përgjegjës për të keqen e përbashkët dhe që përjashtojnë veten nga drejtësia që e kërkojnë nga unë dhe ti nesër do të amnistohen. Duke pa që fleni gjumë, kanë zgjedhur që krimin ta pastrojnë me amnisti në të gjitha hapësirat me afat të pacaktuar dhe nëse ti zgjedh të mbetesh idiotë dhe nuk kundërshton të keqen e përbashkët nuk mban asnjë të drejtë të fajësosh përzgjedhjen e së keqes së tjetrit por vetëm heshtjen tënde sepse zgjedhja, çfardo qoftë ajo, gjithmonë triumfon ndaj heshtjes. Nëse mendoni dhe nuk e ngritni zërin prap mbeteni përjashtimi i definicionit të eksitencës i formuluar nga René Descartes i cili e përkufizon ekzistencën me “mendoj prandaj jam” sepse ju ndoshta mendoni por nuk ekzistoni.

Dimal Basha/Twitter: @dimalbasha

www.dimalbasha.com

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dimal Basha, heshtja e idioteve

Bëni si t’ju them unë, por mos bëni si bëj unë

July 9, 2013 by dgreca

Reagim nga Hajro Çini M.A. Economics/

Lexova me vëmëndje shkrimin e Zoti Skënder Buçpapaj, dhe, edhe pse shumë miq të mi të mënçur më sugjeruan ta injoroja, si shkrim që merret kryesisht me personin tim se sa me opinionet e mija, por duke menduar se është një shkrim që është shkruar nga një njeri, të cilit i kam pas çmuar urtësinë, vendosa ti përgjigjem. Për etikë unë, ndryshe nga ai, nuk do të merrem as me anën e tij personale as edhe me atë familjare, por do të sqaroj disa pika ku ai edhe pse njeri i urtë, dukshëm është irrituar shumë dhe kjo ja ka errësuar disi arsyetimin deri në perceptim jo të drejtë të shkrimeve te mia të mëparshëm në disktutimet me Zonjën Elida Buçpapaj.

Zoti Buçpapaj shkruan se unë mëtoj t’ia imponojë kësaj gazete politikën botuese. Kjo fjali është shumë larg të vërtetës, që për një gazetar profesionist, siç kanë dëshirë të paraqiten bashkëshortët Buçpapaj, duhet të jetë e pacënueshme. Pse?

Unë nuk i kam kërkuar kurrë askujt në jetën time ti imponoj diçka, aq më tepër një gazete, por në respekt të vetë Gazetës Dielli, të themeluesve të saj si dhe të lexuesve, jam shprehur se cilësia e disa shkrimeve të Zonjës Buçpapaj, ku në shkelje të plotë të etikës dhe profesionalizmit ajo denigron çdo kënd që nuk i shkon pas fillit, shkel konfidencën e këtyre njerëzve duke publikuar pjesë nga jeta krejt personale e tyre që nuk janë në interes publik. Konkretisht Zonja Buçpapaj shkruan:

“Më bëri përshtypje një koment nga Enver Bytyci për « replikën » e z. Çini i cili shkruan: «Une nuk e njoh autorin e ketij shkrimi. Por ky shkrim eshte profesional, ne nivelin e shkrimeve te gazetareve perendimore. Zj Bucpapa ne deklarimet e saj nuk shfaq ate profesionalizem, te cilin e shohim ne shkrimin e z. Cini.“ Nëse ky Enver Bytyçi është ai që njoh unë, po ju tregoj një histori. Rreth viteve 2003-2004, Enver Bytyçi shkon në Gjermani për të kërkuar statusin e azilantit politik dhe sa vendoset aty i dërgon një letër Skënder Buçpapajt, kryeredaktor për dhjetë vite i gazetës Bota Sot, që t’i krijohej mundësi bashkëpunimi dhe Skënderi për ta mbështetur e pranon menjëherë. Tani po na thotë se nuk e njeh këtë z. Çini, por i duket profesionist dhe ndërsa për mua nuk thotë fare më njeh a s’më njeh, punë e madhe fort, porse shkrimi im nuk i duket profesionist! Që më njeh, nuk ka dyshim, sepse kur Enver Bytyçi kërkonte të bashkëpunonte tek Bota Sot, unë botoja gati për çdo ditë editoriale, pra ai e di shumë mirë orientimin tim politik, dhe se si gazeta Bota Sot, me një tirazh prej 200 mijë kopje, e mbështeste opozitën e Shqipërisë dhe liderin e saj Sali Berisha! Ndërkohë nuk më intereson fare se çfarë mendon Enver Bytyçi për profesionalizmin tim” – See more at: https://gazetadielli.com/replike-me-te-gjithe-ata-qe-i-konsiderojne-lideret-shqiptare-te-pagabueshem/#sthash.Zw7WD9G1.dpuf

Për mua ky është nivel i papranueshëm etik, apo intelektual dhe për këtë unë jam shprehur:

Në liri e drejta e shprehjes, e drejta e përzgjedhjes, e drejta e vlerësimit, apo jo, dhe shumë të drejta të tjera janë vlera kaq themelore sa që ti imponohesh dikuj, qoftë edhe me dashamirësi, është e jashtkohshme. Kështu edhe me letrën që një djalë 16 vjeçar, plot ëndërra, i lutet Dr. Berishës të mos largohet nga politika dhe Dr. Berisha me shumë kulturë përgjigjet. Një akt i tillë ka shqetësuar jo pak një zonjën Buçpapaj, që e mban veten për gazetare, dhe përpiqet ti imponohet të tjerëve që të mos e lexojnë atë këmbim. – Apo Së fundi, të marrësh atributet dhe statusin e gazetarit, duhet në rradhë të parë duhet, mendoj unë, të mos jetë ithtar politik i cilido krahu qoftë, apo më keq, kur të prishen pazaret, të hidhet nga ithtar në kundërshtar të rreptë. Një rast i tillë tregon shumë edhe për integritetin professional apo etik të gazetarit dhe sipas standardeve ndërkombetare të gazetarit profesionist, të skualifikon direkt nga ai status. – See more at: https://gazetadielli.com/votimet-me-te-mira-te-organizuara-ndonjehere-ne-shqiperi-dhe-qejf-mbetja-gazetareske/#sthash.g4BsjO6g.dpuf

Për të cilin Zoti Buçpapaj, që e ka reputacionin e njeriut të urtë, por që në rastin konkret i mllefosur shprehet:

“shpreh pakënaqësinë prej arroganti ndaj shkrimit të zonjës Buçpapaj” – See more at: https://gazetadielli.com/sevdallinjte-manjake-te-partive-diversion-edhe-kunder-mediave-online/#sthash.aud5kTgv.dpuf

Lexues të nderuar ju lutem shikojeni qartë se kush është profesionali apo etiku dhe kush është arroganti.

Zoti Buçpapaj, duke mos e kontrolluar dot mllefin, e trajton shkrimin tim si diskutim organizate partie, duke më quajtur edhe sevdalli manjak. Shopenhauer është shprehur:

“Every man takes the limits of his own field of vision for the limits of the world.”

Njeriu e mat tjetrin me kutin e vet. Ndryshe nga Zoti Buçpapaj, që ka një ekperiencë të gjatë në mbledhjet e organizatave të partisë, nga ajo e PPSH, para 1990, tek PD 1991-2005, në pritje të ndonjë oferte të rradhës, dhe natyrisht jo të fundit, unë nuk kam qënë asnjë ditë antar i PPSH-së, as një ditë antar i PD-së dhe për integritet personal dhe intelektual nuk kam ndëmend të aderoj në asnjë parti politike. Asnjë nga prindërit e mi nuk kanë qënë kurrë antar të ndonjë partie.

Kam mbështetur Dr. Berishën, sepse e kam konsideruar zgjidhjen më të mirë kombëtare ashtu siç kam mbështetur në Kosovë Dr. Rugovën. Gjithnjë kam akuzuar PS, (dikur PKSH dhe PPSH) si një parti të themeluar nga Beogradi dhe me agjendë antikombëtare. Konsekuent i qëndrimeve të mia politike dhe kombëtare, ndryshe nga ata të Zotit Buçpapaj, kam qënë kritik ndaj ish Presidentit Topi, që në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë, e kishte kthyer Presidencën në një partiçkë politike në favor të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Asnjëherë nuk e kam takuar personalisht Zoti Topi, as edhe kam komunikuar ndonjëherë me të, kështu që arsyet personale që aludon zoti Buçpapaj, janë vetëm haluçinacione të një njeriu që i mat të tjerët me kutin e tij.

Zoti Buçpapaj i jep të drejtën vetes të masë edhe aftësitë e mia profesionale në fushën ku unë kam studiuar, fushë që kam mbrojtur me sukses në Universitetin e Torontos edhe Titullin “Master of Arts”, që atë e ka shqetsuar deri sa edhe ta përmëndi në shkrimin e tij. Nuk i vë faj. Ai mund të ketë parë plagiaristë që i vjedhin punimet shkencore të tjerëve për ti paraqitur si të tyret. Kam pasur dikur një shok, që ka shërbyer edhe si ambasador ne Washington, të cilit ja morën punën shkencore me preteksin e redaktimit për të mos ja kthyer më. Por problemi nuk është këtu. Ai nuk arrin të kuptojë kodin elektoral të Shqipërisë, edhe pse e citon në favor të ish presidentit Topi. Ai nuk e kupton se numri i zgjedhëzve është përcaktues në numrin e deputetëve vetëm kur plotësohen disa kritere të tjera specifike. Unë jam shprehur se PS ka më pak deputetë se më 2009 edhe pse e pa konsumuar nga pushteti. Më 2009 PS arriti të marrë 66 deputetë, sot nuk arrin më shumë se 63, sepse 3 në listën e saj janë të LSI – së. Ai nuk kupton, nuk arrin të dallojë midis organizimit të zgjedhjeve, proçesit të votimit, numurimit të votës me shpejtësi dhe saktësi, për të cilat u arritën standarte të lartë dhe të respektuara në Perëndim, dhe shitbjerjes të votës, që u bë nëpër shtëpia, nëpër klube, në rrugë e kudo. Edhe pse kjo ishte dhunë finaciare mbi zgjedhësit, kjo nuk cënonte meritën e qeverisë në organizimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri. Kaq ishte detyra e qeverisë. Ajo nuk mund të kontrollojë integritetin e çdo votuesi. Kjo është pjesë që duhet parë nga organet e hetimit.

Zoti Buçpapaj shprehet: “që në kuadrin e ndryshimit epokal që po pritet të ndodhë në Shqipëri” (rikthimit të komunistëve në pushtet – shënimi im) shpreson që të ndikojë edhe në “emancipimin” e mendësive të mia që unë të mos merrem më me Zonjën Buçpapaj. Qesharake. Unë nuk jam marrë për asnjë minutë me Zonjën Buçpapaj, por me mungesën e profesionalizmit, etikës dhe saktësisë së shkrimeve të saj.

Së fundi Zoti Buçpapaj e mbyll shkrimin:

“Ndërkohë, mendojmë se gazetari asnjëherë nuk duhet të konfondohet me lexuesin. Kjo lidhet me etikën profesionale dhe morale. Sepse nëse gazetarët guximtarë do t’i sulmonim rregullisht me taborret e militantëve, atëherë do t’ia marrim shpirtin së vërtetës. Zoti Çini është ekonomist, ai për arsyet e tij personale nuk i pëlqen shkrimet tona. Ok. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Për të shprehur mendimet e tij, ai ka spazion e komenteve si lexues, ku le të thotë çfarë mendon, pa fyer dhe pa cënuar integritetin e gazetarëve dhe të mediumit ku ata i botojnë shkrimet.

 – See more at: https://gazetadielli.com/sevdallinjte-manjake-te-partive-diversion-edhe-kunder-mediave-online/#sthash.aud5kTgv.dpuf

Ju lutem shikojeni edhe një herë inkonsistencën llogjike. I jep të drejtën vetes dhe së shoqes të sulmojnë personalisht këdo, dhe kërkojnë që të tjerët të mbyllin sytë para inkonsistencës llogjike, përpara mungesës së etikës, saktësisë, profesionalizmit dhe të vërtetës.

Hajro Çini M.A. Economics

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Hajro Cini, reagim

KOLË MIRDITA- MIRDITORI ATDHETAR QË ME GJAKUN E TIJ I DHA DRITË KOSOVËS

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Mr.sc. Nue Oroshi/

Mirdita historikisht është njëra ndër krahinat më të njohura shqiptare ku u ruajt tradita, besa burrëria, feja dhe çdo gjë e bukur dhe e madhërishme që i takon kombit shqiptar. Mirditasit përveç besës dhe burrërisë, ata, janë shquar edhe për luftëtarë të fortë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Po e jap vetëm një rast gjatë një periudhe historike, me rastin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lidhje e cila kishte gjithsejtë rreth 18.000 luftëtarë, e, prej të cilëve 10.000 ishin Mirditorë që udhëhiqeshin nga komandanti i tyre suprem Prenk Bib Doda, i cili ishte edhe Kapidan i Mirditës, që, llogaritur në përqindje del se 60% të forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përbëhej nga Mirditorët. Mirditorët historikisht janë udhëhequr nga Dera e Kapidanit të Mirditës, derë e cila u shqua për një qëndresë të gjatë historike dhe një sakrifikim sublim për kombin dhe atdheun e robëruar.

Mirditorët gjatë periudhave historike patën edhe lëvizje të ndryshme. Një pjesë e Mirditasve u vendosen edhe në Kosovë, kryesisht në rrafshin e Dukagjinit, ky ishte edhe një shkas për Prenk Bib Dodën që në Konferencën e Londrës t’i kërkoi lordit Beconsfild një zonë të gjerë te Mirditës, e cila do të përfshinte 58 bajraqe, domethënë edhe komplet Dukagjinin. Në këtë frymë kombëtare të ruajtjes së zakoneve të të parëve me tiparet e besës dhe burrnisë duke u bazuar në moton “Komb e fe, besë e Burrni”, u kalitën edhe shqiptarët Mirditorë të cilët ishin të vendosura në zonën e Lugut të Drinit, ku edhe në këto vise edhe pse larg Mirditës mirditorët e Kosovës ishin të lidhur ngushtë me Luftëtarët e tjerë Mirditorë të cilët u shquan në luftëra të ndryshme.

Edhe Lugu i Drinit, siç quhej zona ku ishin të vendosur mirditorët, u shqua nëpër periudha të ndryshme historike, ku spikatë formimi i qetës së Fandit me 400 luftëtarë e të cilët udhëhiqeshin nga Pjetër Qeli- Luka, Zefi i Vogël, Zef Gjidoda, Pjetër Ramaja e shumë luftëtarë të tjerë kombëtarë të cilët me bekimin e Don Luigj Palajt iu bashkuan qetave të Isë Boletinit dhe u shquanë në Beteja historike e sidomos me vendosjen e flamurit Kombëtar shqiptar në qendrën shpirtërore të shqiptarëve në Shkup.

Më pas, në Lug të Drinit e kemi qëndresën e luftëtarit të Shqipërisë Etnike, Ndue Përlleshit me shokë, i cili me luftërat dhe qëndresën e tij bëri që Lugu i Drinit të ishte një vatër e qëndresës antikomuniste, pa harruar edhe shumë e shumë luftëtarë tjerë të kësaj ane të cilët e bënë “dekën si me le”, dhe, të gjithë luftëtarët e Shqipërisë Etnike e kishin komandën e tyre në Mirditë që udhëhiqej nga Kapidan dr. Mark Gjon Marku komandant i përgjithshëm i luftës antikomuniste në të gjitha viset etnike shqiptare.

Edhe familja e Kolë Gegë Mirditës gjyshit të dëshmorit të kombit Kolë Mirdita ishte vendosur nga Spaqi i Mirditës në Ranoc të Lugut të Drinit. Kolë Mirdita duke trashëguar gjenin e pastër kombëtar nga të dy anët, pra nga ana e gjyshit Kolë Gegë Mirdita dhe ana e Dajës Pjetër Jaku pa harruar atdhetarizmin, besën e burrninë që me shekuj e kanë trashëguar Mirditorët atdhetarë, e, ai në vend të jetës rinore në robëri, zgjodhi luftën për liri, edhe pse i ri atë asnjëherë nuk e mashtroi jeta e një të riu, por me virtyte të larta kombëtare ku me pushkë në krah flamur në gji e uratë në dorë mori rrugën e daljes zot tokës së Arbrit. Kjo të kujton betimin që atdhetarët nacionalistë të Shqipëri Etnike gjatë përgatitjes për çlirim e bashkim kombëtar e jepnin betimin në Flamur, revole dhe në Bibël e Kuran, për t’i dalë zot tokës së Arbërit. E, me siguri edhe nëna e Dëshmorit Kolë Mirdita do të ketë pasur njohuri rreth këtyre betimeve të nacionalistëve shqiptarë se, si bijë e atdhetarit Pjetër Jaku, do të ketë parë dhe dëgjuar betimin e atdhetarëve të Shqipërisë Etnike, dhe djalin Kolën e përcjell me flamur e uratë, si në balada të vjetra shqiptare ku thuhej “Biri i Lokës paqe uratën”, “ti la pranë penën dhe shpatën”. Kola e la penën për ta rrokur armën derisa ra heroikisht me 9 Korrik 1998 te Rrasa e Zogut në kufirin shqiptaro shqiptar ku ranë edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë.

Trupi i dëshmorit Kolë Mirdita i bëri rojë atdheut edhe pas rënies heroike, e ku si në balada të lashta shqiptare bashkëluftëtarët gjëmojnë e nuk vajtojnë për dëshmorin e rënë për liri, ata e gjetën trupin e tij ku iu ndihmoi urata që e mbante si testament në besimin hyjnor dhe flamuri kombëtar në betimin se, deri në pikën e fundit të gjakut do ti dal zot tokës Arbërore. Rënia e Kolë Mirditës në moshën 22 vjeçare për lirinë e Kosovës është një rënie e një idealisti atdhetar, gjaku i të cilit i bën dritë Kosovës, kushtrimi i tij për liri është kushtrim brezash për të mbrojtur tokën e Arbrit, aty ku bukës i thuhej bukë e ujit ujë, ku nënëloket tona me ninullat e tyre na kanë rritur duke na kujtuar, se nga vijmë, kush jemi dhe nga jemi, ndërsa babëlokët tanë nëpër odat e burrave kanë treguar ngjarje historike, dhe, kështu që brez pas brezi dhe djalë mbas djali janë trashëguar nëpër brezni, duke iu lënë amanet brezave për të vazhduar luftën për liri aty ku e kanë lënë të parët.

E aty ku e kishin lënë Prenk Mirdita e Pjeter Jaku të cilët, që të dy, ishin pushkatuar nëpër periudha të ndryshme historike, nga forcat pushtuese serbe, e kishte vazhduar dëshmori i kombit Kolë Mirdita, i cili me qëndresën heroike u bë shembull i sakrificës sublime se si duhet të luftohet, punohet e vdiset për atdhe. Gjaku i Kolë Mirditës dhe trimave të tjerë u bë shkëndija drite për lirinë e Kosovës, liri e cila fatkeqësisht po keqpërdorët nga tregtarët e flamujve. Por koha e tregtarëve të flamujve është kohë kaluese, kurse gjaku i Kolë Mirditës dhe trimave të tjerë do të mbetet përgjithmonë i pashlyer në gjurmët e historisë, ku emrat e dëshmorëve të kombit janë kalitur në faqet më të ndritura të historisë tonë shqiptare. E në këto faqe të historisë në panteonin e figurave kombëtarë është shënuar me shkronja të mëdha edhe një emër. Kolë Mirdita, Mirditori atdhetar që me gjakun e tij i dha dritë Kosovës.

 

 

 

Filed Under: Histori

Mbreti i shqiptarëve dhe historia e “keshtjelles” ne Long Island, NY

July 9, 2013 by dgreca

“Kështjella” e Zogut në Nju Jork – Monument Kulture, mbrohet nga shteti Ajo ishte blerë në vitin 1951 nga Mbreti Zog i Shqipërisë, i cili kurrë nuk ka jetuar atje. Me kalimin e kohës ajo ishte vandalizuar, dhe pastaj shkatërruar përfundimisht./

Nga  BEQIR SINA, New York/

Knollwood, Long Island, NY: Ahmet Zogu mbreti i shqiptarëve është i vetmi mbret në botë që është betuar mbi Kuran dhe Bibël. Ai është mbreti që në historinë e mbretërve ka një histori të larmishme dhe shumë interesante.

Jeta e tij u nda mes Shqipërisë dhe emigrimit të tij në disa vende të Europës…… Mbreti i shqiptarëve Zogu, fillimisht përkohësisht qëndrojë në Egjypt, si mik i mbretit me origjinë shqiptare të Mbretit Farruk. Më pasë ai dhe familja e tij ndrrojë disa vende. Familja mbretërore shqiptare jetojë disa kohë në Angli si në “The Ritz” në Londër. Në vitin 1941 u vendosë në Sunninghill, Berkshire, pastaj në Parmoor House, Parmoor, afër Frieth, në Buckinghamshire Ai dhe familja e tij ishin mysafirë të evenimenteve aristokratike në Claridge’s në Brook Street – Mayfair.
     Tek vetë shqiptarët pas një periudhe gjysmë shekullore izolimi është thënë e shkruar shumë pas zhvillimeve demokratike për mbretin të shqiptarëve Ahmet Zogun. Megjithse deri athere nuk kanë munguar të shkruajn historian, dhe studiues të njohur botëror, por ekzistojnë ende mistere të pazbuluara mbi jetën e tij dhe njërëz të tjerë janë duke “gërrmuar” të pa njohurat e mbretit Zog dhe familjes së tij.

    Një temë interesante shkruan një studiues anglez janë gjashtë vitet e tij në Angli, ato janë anashkaluar deri më tani, thjesht duke e përmendur si fakt, pa hyrë në detaje. Mirë po kjo ndoshta nuk ka për të zgjatur shumë!. Mbasi ka njerëz , studiues “underground” të pasionuar mbas historive të mbretërve që kërkojnë të nxjerin në shesh gjëra të reja.
     Njeri prej tyre është dhe ky njeri që kërkon të na sjell të reja mbi mbretin tonë, Mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogun dhe familjen e tij. Ai është një anglez i pasionuar pas historisë së shqiptarëve, dhe i dhënë shumë pas mbretërisë. Ai quhet sipas një shkrimi më të fundit nga Londra, Neil Rees, që ka ndërmarrë një mision “zbulimi” mbi jetën e mbretit Zog në Angli. “Së shpejti, pas këtij studimi ndoshta  ithtarët modernë të Mbretit dhe kundërshtarët e tij, do të kenë shumë më tepër “municione” për të ndezur debate të vjetra”, ka thënë Neil Rees.

 

    “Unë kam “rrëmuar” të gjitha dokumentet arkivore, dosjet sekrete të shërbimeve informative, por të gjitha këto do të jenë në plan të dytë. Ajo që më intereson më shumë janë vetë dëshmitarët; ata që jetuan në atë kohë dhe që qenë pranë Mbretit. Për fatin tim disa prej tyre janë ende gjallë dhe përbëjnë një thesar që duhet të shfrytëzohet tani. Koha nuk pret”, – thotë Neil Rees. Në dhomën e tij të pritjes, ai tashmë ka varur një flamur kuq e zi, dhuratë nga studiuesi shqiptar me banim në Angli, Bejtullah Destani. Në zonën e Buckinghamshire, ku ai jeton, një “ushtri” e vogël janë mobilizuar për ta ndihmuar në projektin e tij për të hedhur në libër atë pjesë të historisë së Ahmet Zogut në Angli.Të gjithë ata studiues që janë marrë me biografitë dhe historitë e mbretërve vazhdimisht shtruan pyetjen se :” A nuk ishte një lajm intersant ky agjensisë zyrtare të lajmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Asociatted Press (AP) se ish kandidati për president, dhe Sekretari i Shtetit John Kerry (Xhon Kerri), është me gjak mbretëror shqiptar.

  Ky fakt se Ish kandidati demokrat për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot Sekretari i Shtetit John Kerry, ka një linjë trashëgimie që rrjedh përmes gjakut të nënës, mes të tjerave dhe nga familja Mbretërore Shqiptare. Lajmi është publikuar disa vite më parë nga Asociatted Press, agjensia zyrtare amerikane e lajmeve, e cila fliste për një lidhje gjeanologjike, nëpërmjet Nënës Mbretëreshë Geraldine, me prejardhje nga një familje e famshme fisnike e Hungarisë.

    Sipas atij lajmi thuhej se ” John Kerry, ka gjak blu(RD600), e rrjedhur veç të tjerash edhe nga familja mbretërore e Shqipërisë.” Lajmi interesant për shqiptarët, është publikuar nga agjensia zyrtare e lajmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Asociatted Press (AP) duke iu rferuara librit të geneoligjisë Amerikane(300 MAJOR HISTORICAL FIGURES Who Appear in RD 600 (2006 Edition)Genealogy Pointers 8-24-10.pdf – Genealogical.com, www.genealogical.com/newsletters/genealogy_pointers_8-24-10.pdf? – Aug 24, 2010 – politicos to be found in RD600 include Howard Dean, John Kerry, Ted Kennedy Geraldine, Countess Apponyi de Nagy-Appony, Queen of the Albania).Lajmi, i është referuar studimit disa mujor të, të mirënjohurit në fushën e geanalogjisë, Harold Brooks- Baker, Drejtori i Burke’s Peerage, një lloj bible për aristokracinë britanike. I cili thotë se :”Kështu që pas zellit tonë të njohur, për të gjetur lidhjen e figurave më të shquara të të gjitha fushave në botë, me Shqipërinë dhe shqiptarët, këtë radhë duket se lajmi ka vlerë zyrtare: John Kerry( Xhon Kerri), njeriu që pretendonte që pas kandidimit të 2004, të drejtonte SHBA, dhe aktualisht Sekretari i Shtetit, duket se ka në dejet e tij, edhe gjak shqiptar, të trasheguar nga nëna. Gjak mbretëror madje.” thotë Harold Brooks- Baker

    Sipas AP, “John Kerry ka gjak blu dhe atë e ka të trashëguar nga të gjithë Familjet Mbretërore të Europës. Madje, këtë lidhje e ka edhe më të madhe se lidhja e sih Presidentit George H. Bush”. Lajmi është bërë i njohur në media, duke i’u referuar Burke’s Peerage. I njëjti burim, që është i famshëm për kërkimet në fushën e gjenealogjisë, ka thënë se edhe ish kandidati republikan për në Shtepinë e Bardhë, Howard Dean ka një linjë trashëgimie, që rrjedh përmes gjakut të së jemës nga Shtëpitë Mbreterore të Shqipërisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës, Rusisë, Bizantit, Persise (Iranit) dhe Francës.

Ndoshta nga ky fakt edhe vdekja e Nënës Mbretëreshë Geraldina Appony, vetëm në SHBA, pati faqe të tëra gazetash, e informacionesh të të gjitha formave.

    Në disa raste dukej se ato mburreshin, se ajo kishte gjak të lidhur me kombin amerikan. Kështu dukej edhe tek gazeta New York Times, e cila me atë titull të madh hapte dhe faqen “metropol” në gazetë. Thuajse të gjitha mjetet informative amerikane dhe ato nga me presitigjozet në botë, i kushtuan shkrime të tëra “Cinderelles Shqiptare”, Nanës Mbretëreshë Geralidina de Appony.

    Çfarë nuk shkruan ato!?!. Me fjalët më të bukura e kanë përshkruar ato jetën e kësaj gruaje: të zgjuar, të bukur, bujare e fisnike. Geraldina e Shqipërisë, siç u pëlqen atyre t’a thërasin atë, qe si gruaja e Mbretit Zog, e cila për një vit ishte dhe e para zonjë Evropiane me gjak Amerikan. Geralidina vdiq në Tiranë. Ajo ishte 87 vjeçare. Jeta e asaj ishte si një fantazi nga ato të filmave të Hollivudit, shkruan gazetat më të mëdha Amerikane, prej nga New Yorku, Kalifornia, Çikago, Bostoni, Uashingtoni e tjera..

   Një tjetër gazetë e madhe amerikane e shtetit federal të Floridës, “Miami Herald”, ka shkruar se: “Mbretëresha Geralidinë e gjatë dhe e bukur, megjithë propozimet e saj nuk pranoi asnjëherë që ajo të luajë në filma, pasi pati oferta nga kinematografitë e njohura boterore si Hollivudi. Një muaj në Kështjellën e Versait, një muaj tek pallati mbretëror në Egjipt, kur ishte gjallë Mbreti Farruk, dhe ai me gjak shqiptari, ishin për familjen mbreterore në egzil, për t’u prezantuar.” “Los Angels Time” e Kalifornisë, shkruan se: “Geraldine Apponyi u lind ne Budapest më 6 Gusht 1915. Babai i saj ishte aristokrati Kont Gyula Apponyi de Nagy-Appony dhe mamaja e asaj ishte Gladys Virginia Steeart, nga një familje e vjetër në Virginia. Familje, e cila është nga të parat në këtë vend, ndaj shteti federal Virginia edhe sot e kësaj dite mban këtë emër, nga që ka marrë emërin e kësaj familje fisnike e mbretërore europiane. Ndërsa, revista e njohur “Time”, theksonte se :” Geraldina nga lidhja e gjakut bie kushuri i tetë me ish-presidentin Nikson. Gjyshi i Geraldines, sipas Time, ishte një oficer i madh në oborrin mbretëror, Hapsburg.

    Por, në atë kohe mbretëritë e Evropës Qëndrore, po vinin më në fund mbas humbjes se fuqisë. Pasuria dhe prestigji i mbretërive mbas Luftës së parë Boterore ra shumë. Babai i Geraldines vdiq në 1924, dhe e ëma pas vdekjes se të shoqit, u martua me një oficer Francez. Familja e edukoj Geraldinën dhe dy motrat e saj në shkollat hungareze. Kur ajo ishte 17 vjeçe, fotografia e Geraldinës u bë simbol i bukurisë tek monarkistët hungarezë. Një nga ato fotografitë e cila ka mbrritur origjinale edhe në ditët e sotme përdoret në shumë revista e kartolina.

Një ngjarja interesante e Mbretit të shqiptarëve Mbretit Zog i Parë, në Amerikë, jo shumë e ditur më parë

     Kjo është mbase një ngjarje dhe që ka mbetur enigëm, është ajo e vitit 1951. Kur Mbreti i shqiptarve Zogui Parë, bleu një kështjell në një zonë turistike, e cila quhet Knollwood në Muttontown, New York, përafërsisht për 102,800 dollarë amerikanë. Kështjella 550 hektarë kishte 60 dhoma, dhe mendohet se do të përdorej si pallati Mbretëror Shqiptarë, ku mbreti Zog i Parë, kishte në plan të sillte familjen dhe të gjithë anëtarët e oborrit mbretëror. Tash flitet se autoritetet lokale të ishullit kanë bërë gati restaurimi i vilës së mbretit Zog në SHBA, të hapin dyert e saj për turistët.

     “Knollwood”, prona që mbreti Zog, bleu në vitet 51′, në Long Island  New York pritet të restaurohet, dhe ruhet nga shteti si monument kulture duke u vizituar nga një numër i madh turistësh. “Knollwood”,  në Long Island  New York është e përfshirë në guidën turistike të ishullit Long Island – NY.

     Prona me një shtëpi gjigande, nga e cila tashmë ka mbetur vetëm disa muret e mermerit të ndërtesës, kopshtet “magjike” në mes një gjelbërimi të mahnitshëm, gjendet në fshatin Mutontoun në zonën që i përket ishullit të Long Island – Nju Jorkut.

     Gazeta lokale “Northender” shkruan vite më parë se ky lokalitet është i interesuar në rinovimin e asaj, çka quhen “King Zog’s Gates”, si e vetmja gjë që ka mbetur nga ajo çka e lidh Long Island-in, me një prej figurave më të çuditshme të Evropës së shekullit të njëzetë.

      Sipas një punonjëses të zyrës së këtij lokaliteti, Vivian Van Vagner, ideja e restaurimit të portave hyrëse është prezantuar gjatë një takimi administratës së fshatit. Kjo administratë i ka dërguar kontesë një studim të zonës. Ajo pati deklaruar se  “Unë kam kontaktuar me Departamentin e Kontesë për Parqe dhe po presim për një përgjigje”, ka qenë shprehur  zonja Van Vanger. Gazeta,  vazhdonte  më tej duke shkruar se sipas të thënave në popull mendohet se Mbreti Zog synonte sjelljen e familjes dhe të oborrit të tij – mbretëror në “Knollwood”, por që kurr nuk ia arriti, për arsye që ende nuk janë bër të qarta.

     Kjo gazetë pati shkruar se ky version i historisë gjithashtu shkon më tej duke pretenduar se zyrtarët amerikanë të doganave e shkatërruan këtë plan, duke kufizuar numrin e patriotëve që Mbreti Zog mund të merrte në fshatin e vogël, ku sapo kishte blerë pronën.

     Sipas tyre Mbreti Zog e bleu pronën e quajtur “Knollwood” në vitin 1951. Ajo ishte një pronë e ndërtuar sipas tipit të “Erës së Artë të Bregut”, erë kjo që nisi në vitin 1891 kur të pasurit filluan të ndërtonin shtëpi me arkitekturë që binte në sy në Long Island. Kështjella në “Knollywood”, ishte ndërtuar fillimisht për manjatin e rrugëve Charles Hudson. Bëhet fjalë për një kështjellë të ndërtuar në vitet 1906 -1907, me 60 dhoma të derdhura në mermer dhe të skalitura me madhështi. Pasi mbreti Zog e braktisi përfundimisht pronën, kishte zëra rreth e rrotull zonës se ai kishte fshehur në muret e kështjellës thesare. Mbase, kjo ishte arsyeja pse shumë shpejt ndërtesa u sulmua nga grabitës të ndryshëm, çka shkaktoi dhe shkatërrimin gradual të kësaj prone me domethënie historike, shkruante shtypi lokal.

 

Filed Under: Histori Tagged With: historia e keshtjelles, Mbreti Zog I, ne Long Island

NATO IA NJEH MISIONIN FORCES SE SIGURISE NE KOSOVE

July 9, 2013 by dgreca

Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet i njëjtë sikundër ishte gjithnjë: ndërmarrja e operacioneve të mbrojtjes civile dhe mbështetja e autoriteteve civile në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencave të tjera.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kumtoi të martën vlerësimin e Këshillit të Aleancës, se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.
Kështu është thënë në një komunikatë të lëshuar nga selia e NATO-s në Bruksel.
Rasmussen ka përgëzuar anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe pjesëtarët e KFOR-it që ishin përfshirë në ngritjen e kësaj force, derisa në komunikatë thuhet se misioni i KFOR-it mbetet po ashtu i pandryshuar: të sigurojë mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.

Nga ana tjetër, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar sipas planeve dhe misionit aktual, në mënyre që të arrihen kapacitetet operacionale.
“Jemi duke punuar ngushtë me ekipet tona e ndërkombëtare për rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe jemi duke punuar që deri në fund të vitit besojmë që Qeveria do të dalë me rekomandimet se çfarë force i duhet Kosovës për të ardhmen. Forca e Sigurisë do të vazhdojë t’i ngrejë kapacitete e veta trajnuese, profesionale, operuese që të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Kastrati.
Kurse, anëtarët e opozitës në Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, theksojnë se institucionet e Kosovës nuk kanë vullnet politik dhe nuk po duan që Forcën e Sigurisë së Kosovës ta shndërrojnë në ushtri.
Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, konsideron se heshtja e qeveritarëve për ushtrinë është njëra prej të këqijave që vijnë prej procesit të bisedimeve me Serbinë.
“FSK-ja, ka kapacitetet njerëzore dhe kapacitetet teknike, ushtria do të mund të krijohej për shkak se buxheti i Kosovës do ta përballonte një gjë të tillë. Ajo çka po mungon në këtë rast është vullneti politik i ndërlidhur me disa rrethana tjera që për mua janë të panjohura”.
“Por, si do që të jetë, ky vullnet politik për ta bërë FSK-në ushtri po mungon, sidomos në kohën më të rëndësishme, kur po vazhdojnë bisedimet me Serbinë. Së paku tani do të duhej që institucionet politike të insistonin që Kosova të ketë ushtri”, tha Selimi per Radion Evropa e Lirë.
Por, ekspertit i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë Ramadan Qehaja mendon ndryshe.
Ai konsideron se të gjithë janë për formimin e ushtrisë së Kosovës, si institucionet, po ashtu edhe qytetarët, dhe se sipas tij nuk mungon vullneti politik.
Qehaja thotë se zyrtarët e institucioneve të Kosovës duhet të jenë më këmbëngulës në këtë drejtim tek autoritetet ndërkombëtare.
“Të gjithë janë për atë që ushtria e Kosovës të formohet dhe do të dalë nga FSK-ja. Por, ndoshta për shkak të momentit aktual politik që gjendemi karshi Serbisë, sikur është një drojë që mos të irritohet ajo për qëndrmet që do t’i marrim. Unë kujtoj se është gabim. Duhet në mënyrë të qartë, gjithnjë të potencojmë, dhe haptas ta themi se ne jemi për këtë, pra jemi për një ushtri”, tha Qehaja.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.
Ngritja e kësaj force të cilën shqiptarë e shohin si bërthamë të ushtrisë së Kosovës, është kundërshtuar nga Beogradi.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku kishte deklaruar në fillim të këtij vitit se 2013-ta është viti i ushtrisë së Kosovës.(Kortezi: Anton Konushevci)

Filed Under: Kronike Tagged With: e FSK, NATO, njej misionin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT