• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

MBRETI AHMET ZOGUDHE PAVARËSIA E BESIMEVE FETARE

August 23, 2013 by dgreca

Foto 1938-Nga e majta në të djathtë ;Kryeminstri Koço Kotta,imz.Anlonutti-delegat Apostolik në Shqipëri.Mbreti Ahmet Zogu I, Myftiu i Madh Bexhat Shapati,Kryegjyshi botëror i Bekatishinjëve Sali Nijazi Dede,dhe imz.Kristofor Kissi,Mitropolit i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare/

 Shkruan Eugen SHEHU/

 Në dritën e pakët të hedhur në këto vite,për rolin historik të Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu, në krijimin e të parit shtet modern shqiptar,ende nuk është konturuar i plotë porteti i tij.Politizimet vazhdojnë ende në këtë mijëvjeçar të ri,duke dashur të shmangin daljen në dritë të të vërtetave e për më tej,duke dashur të godasin drejtëpërsëdrejti në zemër të shkencës së historisë.Por sidoqoftë,tentativat e pseudohistorianëve mjeranë,janë kurdoherë të pafuqishme ndaj fakteve dhe dokumentave që ende vuajnë burgun e errësirës gjysëm shekullore komuniste.

Ashtu si në të gjithë rrafshet e tjera të ngritjes dhe fuqizimit të shtetit të parë modern shqiptar,roli i Ahmet Zogut do të mbetet i pakontestueshëm edhe në kuadër të besimeve fetare në Shqipërinë Mbretërore.I bindur në idetë e tij se besimi në Zot,ruan dhe forcon parreshtur ndjenjën kombëtare,biri i Matit,që në ditët e para kur duhej të merrte në duar e veta qetësinë dhe rendin në shetin amë ( në Shqipëri,në ditët e Kongresit të Lushnjës) u përpoq të hyje në lidhje të drejtëpërsëdrejta dhe të sinqerta me besimet fetare,duke dashur t’u sigurojë atyre një dimension jo vetëm institucional por edhe kombëtar.Dhe në këtë mision,idetë e Mbretit Zog kanë ngadhnjyer kurdoherë në kahje të nacionalizmit shqiptar.

Siç dihet në Shqipëri,në vitin 1921,një grup intelektualësh të besimit Islam,ndërmuarën nismën për t’u shkëputur nga Sheh-ul-Islam i Konstandinopojës dhe për të krijuar institucione të pavarura në këtë drejtim.Ndonëse puna e këtij grupi intelektualësh,nisi në fillim të vitit 1921,pati  mjaft debate dhe zvarritje,ndofta edhe për shkak të vështirësive objektive që paraqiteshin përballë qeverisë shqiptare.Fjala ime që kjo qeveri të ndihmonte sa më shumë në pavarsinë e institucioneve myslimane,duke ruajtur edhe raporte harmonike me konfesionet e tjera fetare.Ka qenë pikërisht vizita që këta intelektualë,i bënë në vitin 1922 kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu (asaj kohe 27 vjeçar) për ta uruar ate, e cila ka shërbyer si shtytje në realizimin e idesë së pavarsisë së komunitetit mysliman.Kryeministri i Shqipërisë Ahmet Zogu,i ka siguruar këta intelektualë se do të kenë kurdoherë vëmendjen e qeverisë që ai drejtonte.Për më tej,duke u njohur me procedurat e arritjes së kësaj autonomie,kryeministri shqiptar ndërmori edhe një varg takimesh me ministrin  e jashtëm me ç’rast u lehtësuan disa procedura burokratike.Duke qenë i njoftuar edhe për parapregaditjet e mbajtjes së Kongersit Mysliman Shqiptar,Kryeministri i Shqipërisë,27 vjeçari Ahmet Zogu,për befasinë e intelektualëve të besimit mysliman , ai u shpreh ; “,mosha, intelegjenca,dhe besimi tek i Madhi Zot,ma përforcon dhe më tepër bindjen,se me ndihmën  e të Madhit Zot,me pastërtinë tuaj morale dhe shpirërore si besimtarë dhe intelektualë,Shqipëria dhe Shqiptarët kanë një ardhmëri të ndritun.Aty ku besohet në Zotin,Atdheu është i siguruar dhe Kombi lulëzon,meqë këto janë nga duart e Zotit”.

Kongresi Mysliman Shqiptar,i zhvilloi punimet në Tiranë,në sallën e shoqërisë “Djelmëria Dibrane” nga data 24 shkurt deri më 12 mars 1923.Çdo prefekturë dhe nënprefekturë kishte dërguar aty përfaqsuesin e vet legjitim,i cili gëzonte të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.Ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi,ishte atdhetari i njohur Imam Vehbi Dibra.Ai duke përshëndetur të pranishmit dhe duke falenderuar qeverinë shqiptare për ndihmën e dhënë,që në fillim u shpreh për ndryshime e përsosje në besimin mysliman,veçmas në pikëpamje organizzative. Deviza e shpallur nga Imam Vehbi Dibra në këtë kongres , ishte : me ndrrimin e kohës ndrrojnë edhe gjykimet “.Se çfar vlersimi tregoi qeveria e atëhershme shqiptare,për këtë kongres,ndofta mund të shihet edhe në faktin se veç masave dhe mbështetjes së plotë organizzative, aty muarën pjesë edhe disa deputetë si : “Mehmet Polingu,,i deleguar i popullit të Krumës,Qamil Bala i deleguar i Kosovës,Sali Vuçitërna,i deleguar i Zerqanit,Halim Gostivari,i popullit të Kolonjës,Halit Roji i deleguar i Shkodrës,Ibrahim Xhindi i Vlorës,Banush Hamdiu i Pogradecit dhe Vehbi Dibra i deleguar i Dibrës “.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – fondi 882 , dosjet 16-17 fleta e parë).

Për më tej,kryeministri shqiptar Ahmet Zogu e përshëndeti kongresin mysliman me anë të përfaquesit të tij Qerim Çela,i cili ndonëse i ndoqi të gjitha punimet dhe dha mendime tejet të vyera,nuk kishte të drejtë vote.Përshëndetja e kryeministrit shqiptar,i siguronte kongresit mysliman se qeveria shqiptare i përgëzonte ata për nismën e marrë,duke qenë e sigurtë se akti i shpalljes së pavarsisë së xhamisë shqiptare,ishte vazhdim i natyrshëm i ideve dhe veprimeve pas shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë në vitin 1912.Fjala e të dërguarit të qeverisë,ka qenë ndërperë disa herë nga duartrokitjet falenderuese për qeverinë shqiptare.

E shoh të udhës të sjell në këto radhë,një prej vendimeve të Statutit Mysliman,të hartuar dhe miratuar unanimisht në ditët e këtij Kongresi( Pika të cilat më vonë hynë edhe në Statutin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare).Sipas këtij Statuti,Organi më i lartë mysliman në Shqipëri,ishte kryesia e Këshillit të Naltë të Sheriatit e cila drejtohej nga Myftiu i Përgjithshëm.Personi që do të vendosej në këtë detyre,përpara se të votohej nga delegatët e kongresit,duhej doemos të plotësonte këto kushte (  të propozuara nga Kryeministri Shqiptar Ahmet Zogu):

”1- Të ishte nënshtetas shqiptar dhe të dinte gjuhën shqipe. 2- Të gëzonte të gjitha të drejtat civile dhe politike. 3- Të ishte prej races shqiptare ose me origjinë shqiptare tre brezash. Këtë detyrë,nuk mund ta zënë persona që duke filluar nga 28 nëndori i vitit 1912,kanë luftuar kundër çështjes sonë kombëtare”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi 882,dosja 1 fleta 3 ).

Pa u zgjatur në rëndësinë e madhe historike të këtij Kongresi,i cili shpallte njëherë e përgjithmonë pavarsinë e xhamisë shqiptare prej Stambollit,mendoj se është me vend të ndalem në faktin që kryetari i Kongresit Mysliman Shqiptar i drejtohej kryeministrit shqiptar me një falenderim ku pos të tjerave e vinte në dijeni : “Me anën e kësaj shkrese kam nderin me ju lajmërue se Kongresi Mysliman Shqiptar sot mori fund me sukses të plotë tue ba zgjedhjet e antarëve të këshillit të naltë të Sherijatit,si mbas neneve 6-7 të statutit.Anëtarë të këshillit u zgjodhën : Vehbi Dibra,Hafiz Ali Korça,Vejsel Nailiu,Haxhi Adem Vata,Sheh Ibrahim Karabunara,Qamil Bala,Reshat Kokalari”.

( Arkivi  Qendror i shtetit – Tiranë – Fondi 882 , dosja 4 , fleta 7-8 ).

Natyrisht,vënia në dijeni e kryeministrit shqiptar mbi këto zhvillime të Kongresit Mysliman,nuk mund të ketë qenë e rastësishme.Ngjarjet që u zhvilluan më pas,rrëfyen se kryeministri shqiptar e më pas Mbreti Ahmet Zogu,i mbështeti fuqimisht reformat e shpallura në këtë kongres,që nga nxjerja e ligjit të posaçëm për vakëfet,në sobvencionimin e ndërtesave,shkollave fetare,xhamive etj. e deri tek krijimi i kushteve për të ndërtuar një besim Islam të kohës,të çliruar prej dogmave shekullore të mentaliteteve jocivilizuese.Duke qenë se në fëmijërinë e vet Ahmet Zogu,pat marrë mësime prej atdhetarit të shquar Dervish Hima,ai do të ndiqte me vëmendje gjatë gjithë kohës,ecurinë e proceseve të pavarsisë së besimit mysliman,në raportet e këtij të fundit me vetë shoqërinë shqiptare dhe qytetërimin evropian të kohës.

Nga ana tjetër,Ahmet Zogu, e konsideroi deri në fund,një mik të vyer,Imam Vehbi Dibrën.Jo rallë ata janë takuar së bashku dhe në çdo bisedë,fjala ka qenë në ate plazmin e besimit mysliman,tek ideja e madhe e unitetit dhe detyrimit të gjithësecilit ndaj atdheut,Imam Vehbi Dibra,në thirrjet e hartuara prej tij,me ç’rast këndoheshin në çdo Xhami të Shqipërisë, e vinte theksin pikërisht në kërkesën që sejcili të përpiqej të vinte në jetë detyrat që kishte ndaj atdheut.Këto lutje nuk duhen parë kurdoherë si dogma moralizuese por edhe si vlera jetësore dhe patriotike që lidhen ngushtë me fatet e kombit.Më saktësisht,diku Vehbi Dibra ka pas thënë ; “I Madhi Zot,ka me na e matë edhe temperaturën e dashurisë që kemi për atdhe.Të kemi kujdez vllazën,të mos gabohemi me ba ndonji tradheti kundra atdheut.Vini re vllazën,se tradhëtia kundra atdheut bahet shumë lehtë,Zot,na ruej ! Tue pa se Atdheut i drejtohet nji rrezik e me heshtë,edhe kjo asht nji tradhëti “.( Vehbi Dibra , ” Ç’urdhëron Kurani” faqe 44 ).

Por jo vetëm kaq meqë nuk duhet të harojmë se në vitet 1920-1921,kur Shqipëria nuk ka pasur më shumë se një milion e 100 banorë ( fjala është për banorët e shtetit amë,të Shqipërisë londinese),gati 250 mijë i përkisnin besimit bektashian.Në vitin 1920,në shtetin amë,janë numëruar më shumë nga 50 teqe,më të përhapurat në Krujë,Dibër,Përmet,Elbasan,Kolonjë e Gjirokastër.Në favor të përhapjes dhe zhvillimit të besimit bektashian erdhi një prej neneve të statutit të miratuar në Kongresin  e Lushnjës ku thuhej shprehimishtë se ; “Shqipëria,njeh dhe mbron baraz,synizmën,bektashizmën, ortodoksizmën dhe katolicizmën”.

Më 17  janar 1921,në teqenë e Prishtinës, u mbajt Kongresi i parë Bektashian.Aty muarën pjesë baballarë nga 37 teqe kryesore të Shqipërisë,të cilët përfaqsonin numërin e konsiderueshëm të bektashinjëve të asaj kohe.Në fillim,një komision i posaçëm hartoi statutin lidhur me drejtimet e mëvonshme,ky statut u diskutua dhe gjykua nen për neni.Ky statut i cili u quajt “Lidhja Bektashiane” në thelb,pasi shprehte organizimin dhe veprimtarinë e ardhshme,sanksiononte krijimin e Kongresit Bektashian Shqiptar.Përsa u përket lidhjeve të këtij komuniteti,me teqenë e madhe të  Haxhi Bektash Veliut në Turqi,ata u sanksionuan më tepër në rrafsh moral,ndërsa në thelb qoftë në Statut,qoftë në verpimet e tjera parashihej pavarësia e plotë e besimit bektashian.

Gjashtë muajt më pas,më 18 qershor 1921, në teqenë e Baba Xhemalit në Përmet,u mblodh kongresi i  dytë i klerit bektashian.E vërteta është se midis problemeve të tjera,aty u diskutuan edhe mënyra për t’u miratuar prej qeverisë shqiptare statuti “Lidhja Bekatashiane” i cili shprehtë pavarsinë e besimit bektashian.”Kongresin e drejtoi Baba Ahmeti.Në të mori pjesë edhe përfaqsuesi i qevreisë shqiptare… U vendos që nëpërmjet nënprefektit të Përmetit t’i kërkohej qeverisë të miratone statutin e përgaditur nga mbledhja e Prishtinës,për të vënë në veprim vendimet e këshillit të mësipërm që do të jepeshin mbi organizimin e teqeve”.  ( Arkivi  Qendror  i shtetit – Tiranë, fondi 252 , dosja 89 , fleta 8 ).

Në vitet e më pastajme,kur Ahmet Zogu u zgjodh kryeministër i Shqipërisë,teqet shqiptare patën një lulëzim të dukshëm.Nën kujdesin e drejtëpërsëdrejti të tij,u ngrit mësonjëtorja bektashiane e cila përgadiste kuadro të besimit bektashian,me ç’rast ata shpërndaheshin në krejt teqetë e Shqipërisë. Veçanërisht në momentet kur besimi bektashian u godit rëndë në Turqi , në Tiranë, u vendos Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,roli dhe ndihmesa e Ahmet Zogut janë të dorës së parë.Përfaqsuesi i qeverisë për besimin fetar,do të informonte rregullisht Ahmet Zogun si kryeministër, e më vonë Mbret i Shqiptarëve,për gjithshka që lidhej me organizimin e punëve në Kryegjyshatë,hallet dhe vështirësitë që kishin baballarët dhe dërvishët e teqeve të largëta. Me propozim dirket të Ahmet Zogut,më 1930 Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë i akordohet nga fondi i qeverisë 1000 franga ari,me të cilat u hodhën themelet e ndërtesës që ende sot shërbenë si Seli e Shenjtë e Kryegjyshatë.Ahmet Zogu kurdoherë do të gjente kohë për të biseduar me Kryegjyshin Botërorë,duke
kërkuar pos të tjerave që Dërvishë apo Baballarë të shkolluar në Shqipëri,të mund të shkonin të ushtronin ritet fetare,sidomos në trojet tona,të mbetura jashtë shtetit tonë amë si në Kosovë,Maqedoninë shqiptare e çamëri.Ai burrë i madh i shtetit,ishte i bindur se bektashizmi i zhvilluar në trojet shqiptare,do të jepte ndihmesë të madh drejt bashkimit të kombi dhe atdheut shqiptar ,ashtu sikundër e patën provuar ngjarjet kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit dhe shpallja e pavarsisë në Vlorë.

Dihet tanimë se në qershorin e vitit 1928,pas krijimit të qeverisë së re,Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu,dekretoi datën 5 gusht 1928,për mbledhjen  e Kuvendit Kushtetues,me ç’rast do të rishikoheshin ndryshimet e mundshme në Kushtetutë. Më 1 shtatorë 1928,në mënyrë unanime,Kuvendi Kushtetues,aprovoi ndryshimet në Kushtetutë,me ç’rast Shqipëria quhej shtet i pavarur me tërësi tokësore të pandarë,të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.Ajo shpallej Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme,me Mbret të Shqiptarëve Naltëmadhërinë e tij, Zogu i Parë. Gjithashtu kjo kushtetutë sanksiononte se “Shteti shqiptar do të kishte karakter laik, por fetë dhe besimet e ndryshme fetare gëzonin lirinë e ushtrimit të tyre që gëzoheshin me ligj,por s’do ndërhynin në punët e brendshme të tij”( “Shqipnija më 1937 “ faqe 7 ).Me këtë nen të Kushtetutës,Mbretëria shqiptare e atyre viteve,është radhitur ndër popujt e përparuar të Evropës ku besimet fetare janë vënë plotëisht në harmoni me lirinë personale të njeriut.Por nëse me besimet myslimane,katolike dhe bektashiane vështirësitë kryesore ishin kapërcyer,një gjë e tillë nuk kish ndodhur me kishën ortodokse shqiptare.

Historia e marëdhënieve të kësaj Kishe me ate të Fanarit,ka qenë mbushur me ngjarje të pakëndshme për të mos thënë me luftë të hapur ndaj njëra tjetrës.Është kjo arsyeja që Mbreti Zog,vetëm disa muaj  pas marrjes së këtij funksioni,ndërmori hapa konkrete edhe për pavarsinë e kishës ortodokse shqiptare.Kështu,në fillim të vitit 1929,në bashkëpunim edhe me krerët e lartë të hierarkisë kishtare,qeveria shqiptare shprehu mendimin për shkëputjen e kishës shqiptare si prej Stambollit,ashtu edhe prej Athinës.Madje për këtë,u dërgua në Stamboll edhe një përfaqsues i qeverisë shqiptare,anipse ky vendim nuk u pëlqeu as Athinës as Stambollit.Klerikët e lartë të Fanarit,dërguan disa kushte në Tiranë,të cilat jo vetëm nuk lejonin pavarsinë e kishës shqiptare,por e ndërvarnin akoma më shumë ate ndaj qëndrimeve të Fanarit.Në këto kushte Mbreti Zog nuk mund të rrinte duarkryq.Ai duke marrë edhe mendimet e atdhetarëve të tjerë shqiptarë,të të gjitha besimeve fetare,në një prej mbledhjeve të Këshillit të Ministrave,thirri të pranishëm imzot Visarionin duke e propozuar në funksionin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare,njëkohësisht edhe me detyrën e Peshkopit për Durrës dhe Tiranë.Nisur nga idetë,që udhëhiqnin Mbretin Zog për këtë propozim,Këshilli i Ministrave e miratoi poltësisht fjalën e tij,madje imzot Visarioni i pranishëm në këtë takim falenderoi nxehtësisht Mbretin lidhur me kujdesin e madh të tij ndaj besimtarëve ortodoks shqiptarë.

Kështu,më 18 shkurt të vitit 1929,mes një gëzimi të madh në qytetin e Korçës,u zhvillua ceremonia e krijimit të Sinodit të kishës shqiptare.Për herë të parë në histori,u mbajt një meshë në gjuhën shqipe,në mënyrë legale me pjesmarrjen e mijëra qytetarëve korçarë.Imzot Visarioni,nuk harroi të shprehte në fjalën e vet,në emër të besimtarëve ortodoks shqiptarë,mirënjohjen për Mbretin Zog i cili po vendoste themelet e pavarsisë së kishës  shqiptare.Po ate ditë është vendosur që edhe Korça,të ket pasur në gjirin e vet Selinë e shenjtë të kësaj kishe.Pas kësaj ka qenë vetë Mbreti Zog, i cili së bashku me diplomat e emërimit si peshkop,u dërgoi klerikëve të lartë shqiptarë,letër falenderimi nga ana e tij,ku vinte në dukje guximin e tyre për t’i shërbyer besimit fetar dhe atdheut. Ai shprehte bindjen se vepra e tyre në rrafsh të pavarsisë së kishës ortodokse shqiptare,do të çmohej kurdoherë jo vetëm prej besimtarëve ortodoks por prej krejt shqiptarëve.Ky qëndrim dhe veprim i guximshëm i qeverisë shqiptare të asaj kohe,do të shkaktonte fortuna të vërteta në strukturat e Fanarit.Ky jovetëm që nuk e njohu pavarsinë e kishës shqiptare,por mori një sërë masash që synonin në pengimin e ushtrimit të riteve fetare nga peshkopët shqiptarë.Për më tej,me dekret të posaçëm,Fanari  ç’kishtëroi peshkopët shqiptarë që kishin pranuar detyrën duke ua komunikuar këtë vendim të gjithë kishave ortodokse jashtë Shqipërie.Me tërë këto presione u njoh menjëherë qeveria shqiptare e cila,bënte atë ç’të mundëte që mekanizmi i pavarsisë së kishës ortodokse të funksiononte normalisht : “Mbreti Zog u kundërpërgjigjej duke dëbuar nga Korça mitropolitin Hierotheun, i emëruar nga Stambolli.Shtypi i Athinës e cilësoi veprën e qeverisë shqiptare si një padrejtësi ndaj pakicës greke,që gjoja po shkëputej me forcë nga Patriarkana e Stambollit,duke iu imponuar liturgji në gjuhën shqipe.Ndërsa zyra e shtypit e ministrisë së jashtme në Tiranë,i’u përgjegj se shteti shqiptar s’kish bërë tjetër,veç kish zbatuar parimin e njohur dhe aplikuar në tërë ballkanin,sipas të cilit çdo shtet i pavarur kish të drejtë të kishte kishën e vet kombëtare”.

( I . Ushtelenca “ Diplomacia e Mbretit Zog i Parë “- Tiranë 1996 , faqe 225 ).

Edhe Fan Noli më 1933,përshëndet guaimi e padiskutueshëm përmes një letra Mbretin Ahmet Zogun.Është i njohur fakti se pas këtij fakti,Patriarkana e Stambollit dhe kisha greke nuk njohën pavarsinë e kishës shqiptare,madje edhe për vite të tëra nuk pushuan luftën e hapur të tyre.Ndërsa kishat e vendeve të tjera e njohën pavarsinë e asaj  shqiptare dhe ndërtuan marëdhënie të mirëkuptimit të ndërsjelltë me të,mandej këto marëdhënie u shtrinë deri në dërgimin e priftërinjëve në ato dioqeza ku këta,në ato vite patën munguar.

Për vetë kushtet historike,në Shqipëri ç’prej shekujsh ishte zhvilluar edhe besimi Katolik.Ndonëse në dy tri enklave të përcaktuara qartë etnikisht si Mirdita,Kurbini e Shkodra,sigurisht që edhe ky besim u muar menjëherë në mbrojtje nga statuti i Mbretërisë Shqiptare.Gjithsesi,për shkak  se krerët e lartë fetare katolike,nuk kërkuan asnjëherë shkëputjen e tyre nga Vatikani,qeveria shqiptare e asaj kohe,nuk mund të ndërmerrte veprime konkrete duke mos dashur të cënojë lirinë e besimtarëve katolikë.Për më tej ishte po kjo qeveri, e cila mundësoi deri në pagesë,ngritjen e famullive të largëta,apo pasurimin e bibliotekave të qytetit të Shkodrës me literaturë katolike.E vërteta është  se pas shpalljes së pavarsisë së kishës shqiptare,(ku i jepej një goditje e rëndë helenizmit që donte të depërtonte në jugun e shetit amë) nisi të lëvize në mënyrë diplomatike edhe Italia,kishte marrëveshje të detajuar me greqinë,lidhur me zonat e influencës së kishave,ndaj ajo nuk priti mirë pavarsinë e kishës shqiptare.Është kjo arsyeja që nëpërmjet burimeve diplomatike,Italia ndërhyri pranë Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu,për të riparë marëdhëniet me kishën greke,por përgjigjja e burrit të Matit,ishte tejet diplomatike,ai u përgjigj se ato ishin objekt i mekanizmave fetare të qeverisë,por aspak shqetsime personale të tija.

Hapi tjetër i vendosur i Mbretit Zog,lidhur me besimet fetare,në Shqipëri,ishte institucionalizimi i Kodit Civil,ku këto besime jo vetëm mbroheshin por më së shumti zhvilloheshin nga shteti,duke ndaluar çdo dasi ndërmjet tyre dhe duke konfirmuar dhe inkurajuar vetëm tolerancën midis besimeve dhe besimtarëve shqiptarë.Posaçërisht për këtë problem,ku nënvizohej ideja që besimet fetare të konvergonin në dashurinë ndaj atdheut,shtypi shqiptar ka shkruar ; “Hyrja e kodit civil në fuqi,në vitin 1929, inaguroj hyrjen zyrtare në fuqi të Biblës sënjëshmërisë sonë kombëtare civile,të trashëguara nga stërgjyshërit tanë,Pellazgët ose Thrako-Ilirët.Autoqefalia e kishës ortodokse ,krijimi i Komitetit Mysliman,themelimi i Kryegjyshatës Bektashiane,atdhedashuria e klerit katolik në Mbretërinë Shqiptare kanë qenë … lëndët më të para,nga të cilat kombi po pret,me mbretin e madh,Zogun e vet në krye,ta shenjtërojë edhe fetarisht këtë “Njëshmëri” të bekuar nga Perendija vetë që e ka krijuar “ .(Gazeta “ Drita “ Tiranë më 21 mars 1937 ).

Duke inkurajuar tolerancën fetare ndër shqiptarët,në fakt,Mbreti Zog,risillte në kujtesën e popullit të vet,ate tolerancë të trashëguar tradicionalisht midis besimeve fetare në Shqipëri.Gjatë gjithë qeverisjes së tij,ai u kujdes që këto besime dhe religjionet përkatëse të gjenin repsektimin e plotë në qeveri,npërmjet ministrave të kabinetit,ai çoi më tej traditën e bashkëpunimit të religjioneve fetare,të nisur qysh me Lidhjen Shqiptare të Prizërenit.Duke marrë personalisht pjesë,në ditët e shënuara të besimeve fetare,në ritet por edhe shqetsimet e tyre,Mbreti Zog,respektonte Zotin, së pari si njeri e mandej si adhurues shpirtëror i besimit mysliman që ishte, por dhe të besimeve të tjera të kombit të vet shqiptar.

Në vitet 30 të shekullit të kaluar,atëhrë kur vende ballkanike  e përtej tyre,ishin përleshur dhe përlesheshin etnikisht për shkak të besimeve të tyre fetare,në Shqipëri mbizotëronte ideja e madhe e shqiptarizmës.Dhe kjo smund të ishte diçka kafshërore,ky unitet fetar nuk kish rënë nga qielli.Ai ishte edukuar dhe edukohej deri në shkollat e mbretërisë shqiptare.Udhëtarë të huaj që patën ardhur ato vite në Shqipëri shkruajnë tekstualisht : “Duke i dhënë fund udhëtimit në Shqipëri,theksojmë një Dekret Mbretëror të ri,i cili detyron mësimin fetar në shkolla të shtetit.Të gjithë edukatorët e kanë pritur me gëzim dekretin sepse ata nuk mund të mohojnë se detyra e parë e edukatorit është formimi i karakterit të fëmijës që u është besuar.Pra asnjë formim nuk është i mundur pa moral,ashtu siç nuk ka moral pa besim” .( Paul Goujon  “ La Tribune de Genere” më 9 prill 1937 ).

Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu  dhe mbretëria shqiptare u bënë shembull për shumë shtete evropiane.Kushtetuta Mbretërore ishte ndër më të përmendurat dhe ajo mbetet edhe sot e kësaj dite,aty  jo vetëm që rregullohet e drejta e besimeve fetare,por përmes tyre përcillen edhe mesazhet e dashurisë për Atdheun dhe Kombin shqiptar.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe ebsimet fetare, Mbreti Zog

Seminari albanologjik-kështjellë pa dritare

August 22, 2013 by dgreca

Nga Behar Gjoka/

Fundgushti sërish e gjen Prishtinën nën ethet e seminarit albanologjik. Shumicën e seminaristëve, që do të kryejnë ritin e leximit të kumtesave, e përbëjnë filologjikasit e dy anëve të kufirit. Shkëlqimi, ka gjasa vetë ekzistenca si mësimdhënës, në një farë mase, mëvaret nga mbajtja në këmbë e seminarit. Një mënyrë, që së paku, njëherë në vit të duken në krye të listës së njerëzve, që zyrtarisht bëjnë sikur merren me albanologjinë. Shkas për të hedhur një vështrim mbi bëmat e seminarit albanologjik të radhës u bë një shprehje e lëshuar në median e Tiranës nga Bardh Rugova, bashkryetari (me gjasë kjo detyrë është dëshmi unike e lidhjes së tij me albanologjinë), se kësaj here paskëshim pasur kritere të rrepta. Rrëmuan në adresën e seminarit, asgjëkundi ato nuk duken. Të kërkosh kriteret është si kërkosh qiqrrat në hell. Shpallja e mungesë së tyre, si kritere të rrepta, një mendësi e rrokshme burokratike, më solli në mend “rreptësinë” po kaq burokratike, të filologjikasve të Tiranës, veçmas të departamentit të letërsisë, e ushtruar me disiplinë të hekurtë, për të përjashtuar alternativat që nuk bëjnë fresk, sa herë i janë qasur letërsisë. Kështu vepruan edhe në vitin 2011, në 100 vjetorin e Migjenit, kur e rrëshiqtën trajtimin e figurës në binarët e vrakaçorizimit, pra të rrëmimit në gjurmim të shpalljes së poetit si serbo-malazes, madje duke e shitur para studentëve si arritje shkencore. Ky model i prezantimit të kritereve pa kritere, por edhe si kofini pas të vjeli, është marrë i gatshëm nga Shqipëria dhe vijon zbatimin e pikëpërpikshëm në trojet etnike. Model komunikimi, me psikologji pushtetare, me një vetëbesim licensuesish dhe censorësh, sikur kanë në dorë fatin e letërsisë, studimit dhe kritikës letrare. Kjo ndjesi vetëbesimi, buron nga fryma e klanit, që i kapërcen kufijtë, dijen dhe padijen, seksin dhe moshën, pushtetin dhe partitë, dhe po punon që në një të afërme të mos ketë fare mendim shkencor, por vetëm tituj dhe grada me shumocë. Përqark albanologjisë, as duhet ta shpiesh në mend që të avitesh, kur nuk ke lidhje me rrethakun e filologjikasve të përbetuar për të shkatërruar praninë e mendimit ndryshe, e mendimit të lirë, që nuk ka lidhje me çirakët e motshëm dhe eunukët e rinjë të studimtarisë së rrumpallës albanologjike. Emri i krijuar ndër vite, për seminarin e albanologjisë së Prishtinës, nuk pengon aspak që të vësh re, mjerimin ku ka rënë tash sa mote. Rrezbitja e lexueshme, në mënyrën se si grupohen e llafiten, po ato mësimdhënës të dy anëve të kufirit, nuk shpetohet nga shkëlqimi i dikurshëm i këtij seminari, që nuk është krijuar për të sunduar një klan, që e ka kthyer seminarin në një kështjellë pa dritare, pa hapësira komunikimi. Kujt i duhet një kështjellë e tillë, e cila vetëmsa mbledh mjeranët që i rren mendja se kumtesat e gushtit janë kulm shkencor. Mjerimi i seminarit, ka ardhur vit pa viti, por organizatorët e sivjetëm, në mënyrë të veçantë, kanë meritën e sojme që po i vënë kapakun, fundit të pashmangshëm, të një veprimtarie ku më shumë se sa kërkim shkencor, të fanitet me një peligrinazh djemkash, varzash dhe çfitesh të lumtura, që fundin e gushtit e kanë të garantuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës, të qeverisë dhe donatorëve të ndryshëm. Me ato para mundet të bëhej ndonjë vepër më humane, se sa të paguash për të konsoliduar mediokritetin e mësimdhënëseve, pavarësisht anës së kufirit. Gjithçka përsëritet, nën një ritëm monoton, po ato mendime, po ato fytyra të lodhura nga mësimdhënia e shterpëzuar, që lidhjen me shkencën e kanë administrative, parësisht, qoftë në mënyrën se si janë vetgraduar me tituj, me detyra shefash, me çmime dhe dokorata. Po ato kumtestarë që gjithnjë e më shumë, si filologjikas të betuar, seç me bie në mend fjala debatikas, që ka lidhje me përbetimin e hershëm, e kanë kthyer seminarin në një kështjellë prej rëre, ku shkundin puplat titujmbajtësit e lodhur nga bordet, shërbesa për pushtetin e radhës. Me shkencërimin, pa grimën e shkencës, që nuk habit më as ata vetë, seminari është shpërndërruar në një ngrehinë amorfe, burokratike dhe penguese e zhvillimit të shkencës, mbase do t’i shkonte me mirë, në një peligrinazh të dështuar në vapën e gushtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behar Gjoka, keshtjelli pa dritare, seminari albanologjik

JANULLATOSI FOLI GREQISHT PER ORTODOKSET SHQIPFOLES, PERFSHI VANGJEL DULEN

August 22, 2013 by dgreca

Kryepeshkopi i rikujtoi shtetit shqiptar marrëveshjen e firmosjes me Kishën Ortodokse për rikthimin e pronave

Patriarku i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, deklaron se protestat për të ashtuquajturën Kisha e Përmetit do të vazhdojnë. Në një mesazh të publikuar online, Janullatos flet për një sakrilegj dhe ndërsa bën historikun e godinës, i rikujton shtetit shqiptar se ka firmosur një marrëveshje me Kishën Ortodokse për rikthimin e pronave. Kisha Ortodokse do të vazhdojë të protestojë për Përmetin. E thotë Kryepeshkopi Janullatos, në një mesazh në greqisht të publikuar në Internet, ku nuk nguron të bëjë krahasime me myslimanet. SINK Në rast se një grup ortodoksësh , diçka që kurrë nuk mund të shkojë ndërmend nga mendja jonë që mund të ndodhë, të merrte kuranin e një xhamie dhe ta flakte në një kamion. Nuk do të ndodhte revolucion? Dhe, kjo do të bëhej me të drejtë dhe neve na thonë juve protestoni. Sigurisht që kemi për të protestuar. E përsëris që problem ynë nuk bën fjalë për një ndërtesë, por fakti është që kemi të bëjmë me një përdhosje. Janullatus shpjegon se nuk bëhet fjalë për një truall por për një vend të shenjtë që do të kthehet në salla bilardosh e kumara. “Nëse kishat tona ortodokse qenkan kundër qendrës kulturore, siç thonë ata, kush e ka kultivuar më shumë se sa ne arkitekturën, pikturën, muzikën, ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrit më shumë se sa kisha jonë. Pra, çfarë qytetërimi, kulture këta kanë ndërmend? Pra, që të vënë kumar dhe bilardo aty brenda. Këto janë ngjarje të idhta, dhe ne të gjithë e dimë që të gjitha ortodoksët në Shqipëri marrin pjesë në këtë fyerje që na është bërë”, tha ai. Patriarku grek I Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare pohon se historia e Kishës së Përmetit është e vjetër dhe nis në shekullin e XVII. “Historia zë fill qysh në shekullin XVII. Atëherë u ngrit në qendër të Përmetit kjo kishë. Shumë njerëz të tjerë bënë përpjekje që ta shkatërrojnë në kohë të ndryshme. Dhe e dimë shumë mirë se çfarë ndodhi në kohën e pushtimit gjerman, kur disa bashkëpunëtorë të tyre i ndihmuan për të bërë pikërisht këtë gjë. Faktet dhe ngjarjet janë të njohura. Pra këtë kishë të shenjtë e shkatërruan dhe thanë më pas të bëjnë një vatër kulture, një Shtëpi Kulture”, u shpreh Janullatos. Sipas Janullatos, në vitin 1998 Kisha pagoi edhe 700 mijë lekë të reja për punimet që ishin kryer nga shteti në ndertesë. Ndërkohë që duke iu referuar vendimit gjyqësor që ia riktheu godinën Bashkisë së Përmetit, kryepeshkopi flet për dëshmitarë të rremë. “Nuk duan të dinë se cila është e vërteta, nuk ju intereson. Ata jetojnë, lëvizin brenda gënjeshtrës. Dhe në vitin 2002 morën një vendim, por e dinin se kjo ishte diçka e gënjeshtërt. Dhe prandaj, për gjithë këto vite nuk guxuan ndonjëherë që të zbatojnë këtë vendim të tyrin të marrë në mënyrë të padrejtë. Dhe shikoni. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një truall. Nuk bëhet fjalë për disa ullinj. Bëhet fjalë për një vend të shenjtë, ku për shekuj të tërë kryhet mesha hyjnore. Dhe sikundër ka theksuar Asambleja e Kishave të Europës, që të gjithë vendet e shenjta, çfarëdolloj qofshin ato, kisha, xhami teqe, duhet t’u kthehen komuniteteve fetare që ju përkasin”, deklaroi Kryepeshkopi. Janullatos I kujton shtetit shqiptar se ka firmosur një marrëveshje ku  angazhohet t’I rikthejë të gjitha monumentet që kanë ngelur dhe që I takojnë kishës ortodokse. Dhe gjykatat, nënvizon kryepeshkopi, janë pjesë e shtetit.

Filed Under: Komente Tagged With: foli greqisht, Janullatosi, per ortodoksit shqipfoles

Letra e Leka Zogu I, kundër Janullatosit

August 22, 2013 by dgreca

Ankesë Patrikanës: Jeni tue ndërhy në të drejtat e Kishës Autoqefale Orthodokse./

Eminencës së Tij Arqbishop Vasalomeos I, /
Patriark në Istambul/
Rruga Sadriazën Ali Pasha, Istambul, Turqi/

Eminenca Juej,/
Na ka tërhjekë vëmendjen gabimi i madh që asht ba nga këshilltarët e Juej, kur sugjerojnë që Ju të emnoni Kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Me një veprimë të atillë Ju Eminencë, duhet ta dini se jeni tue ndërhy në të drejtat që i takojnë Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare.Një e drejtë e tillë vendimi i takon Mbretit në konsultim me klerikët orthodoksë shqiptarë.Prandaj, Na me respekt kërkojmë që Ju të rikonsideroni vendimin, para se të bahet nji incident diplomatik.Kisha Orthodokse Shqiptare, në nji të ardhme të afërt, ka me pas mundësinë me zgjedhë nga gjini i klerit ortodoks shqiptar, personin e merituam për atë detyrë. Të drejtat e garantuese me Kushtetutën e vitit 1928, në marrëveshje në mes Mbretit dhe Klerit Orthodoks Shqiptar janë të kjarta dhe Na nuk lejojmë Ndërhymjen nga jashtë mbi këto të drejta.Këshillate Jueja, do të jenë të mirëprituna si bashkvëlla i besimit me Kishën Indipendente Orthodoks Autoqefale Shqiptare, dhe na shpresojmë, që në të ardhmen, relata në mesin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare dhe Patrikanës së Instambulit kanë me qenë të përzemërta.
Johanesburg, Më 8 shtator 1992
Leka I – Mbret i Shqiptarëve

Pas ngjarjes së Përmetit, ku një ndërtesë është kthyer në mollë sherri mes Kishës Ortodokse dhe shtetit, dhe reagimeve të Athinës, që kanë reflektuar menjëherë në mbarëvajtjet e kalimeve në kufirin shqiptaro- grek, një përgjigje vjen edhe nga përfaqësues të diasporës shqiptare. Bëhet fjalë për një deklaratë të Skënder Zogut, nip i Mbretit Ahmet Zog, me banim në Francë, i cili përveç qëndrimit të tij në lidhje me këtë çështje, ofron edhe një dokument, që dëshmon protestën e familjes mbretërore shqiptare ndaj shugurimit si kryepeshkop i Kishës Shqiptare Ortodokse, Anastas Janullatosin, në vitin 1992. Skënder Zogu shpreh indinjatën e tij ndaj problemeve që po u shkaktohen bashkatdhetarëve tanë në Greqi, por sipas tij çështjet fetare nuk do të mund t’i përçajnë shqiptarët dhe se Shqipëria ka ditur të jetë gjithnjë një shembull sa i përket bashkëjetesës mes besimtarëve të të gjitha feve.
PROTESTA
“Mbas rrëzimit të regjimit komunist, shteti shqiptar pranoi me vend pluralizmin politik dhe lirinë fetare. Vetëm në këtë çështje shteti shqiptar gaboi dhe nuk e respektoi vendimin kombëtar që me veprën e Imzot Fan Nolit dhe me Kushtetutën e vitit 1928, që deklaronte zyrtarisht Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1992, i pari personalitet shqiptar që kundërshtoi Patrikanën e Stambollit për emërimin e Janullatosit, ishte Mbreti Leka I. Në Diasporë, shqiptarët i kanë mbajtur gjallë të tria fetë sipas lidhjes kombëtare dhe kanë vepruar vëllazërisht, pa nevojën e klerikëve të huaj”, shprehet Zogu. Për këtë ai sjell si shembull historik për diasporën datat 6-7 maj 1980, kur u shpall në Paris sheshi i Skënderbeut. Sipas tij, në ceremoni morën pjesë me qindra shqiptarë të tri besimeve, në krye të të cilave ishin patër Mark Shestani, Papas Sotir Ferrara, Imam Isa Hoxha, në Katedralen e Notre Dame të Parisit. Ishte Mark Lipa i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston, po ashtu kolonel Lazer Bojaxhiu (vëllai i Nënë Terezës) dhe zonja Nermin Vlora Falaschi. Sipas Zogut, tashmë është koha që në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse të vendoset një klerik shqiptar.
LETRA
Në shtator të vitit 1992, kur Patrikana e Stambollit kishte emëruar si kryepeshkop të Kishës Autoqefale Shqiptare klerikun grek Anastas Janullatos, pretendenti për fronin e Mbretit të Shqipërisë, Princi Leka I, i dërgoi një letër-protestë arqipeshkvit Vasalomeos I. Në të ai e quan gabim emërimin e Janullatosit, duke shkelur kështu të drejtat që i takojnë Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Të drejta këto të përcaktuara që me Kushtetutën e vitit 1928. Sipas tij, vendimi i takon Mbretit në konsultim me klerikët ortodoksë shqiptarë. Në këtë letër, ai shprehet se së shpejti Kisha Autoqefale Shqiptare do të ketë në krye të saj një klerik shqiptar.

(Kortezi:Alma Mile-Panorama)

Filed Under: Histori Tagged With: kunder Janullatosit, Letra e Leka zogut

KUKËSI DORËZOHET NË “QEMAL STAFA”, SKËNDERBEU SHPRESON

August 22, 2013 by dgreca

Ndeshja e zhvilluar të enjten e 22 gushtit 2013 në Stadiumin Kombëtar”Qemal Stafa” rrodhi përtej parashikimeve. Edhe pse Kukësi ishte i stimuluar me një premio të majme dhe i karikur për rezultat pozitiv, nuk mundi më shumë, aq ishin mundësitë. Duhen vlerësuar 25 minutat e para të skuadrës Kuksiane, që po lunate qetë dhe me vështrim nga porta e turqëve, pr do të mjaftonte një kundërsulm i turqëve dhe mbrojtësi Brahja, në tentativë për ta larguar topin nag zona e portjerit kuksian, në pozicion të rrëzuar e ka prekur topin me dorë dhe Bullgari që drejtonte ndeshje vërshëllen tek pika e 11 metrishit. Gjuajtja e lojtarit të Kombëtares bullgare Mierzejewski  nuk pritet nga portieri vlonjati i Kukësit. Rezultati:1 me 0. Kukësianët nuk dorëzohen , por hidhen në sulm për të gjetur golin e barazimit, ndërkohë që tifozëria reagon ndaj vërshëlliamve të njëanshme të gjyqtarit bullgar, duke hedhur sende në fushë, shishe plastike etj. Thirrjet e drejtuesëve të Kukësit për të ruajtur qetësinë, e ul paksa tensionin, që do të ngrihej disa herë gjatë ndeshjes.

Asgjë për t’u shënuar deri në mbyllje të kronikës të 45 minutave të pjesës së parë. Turqit e Trazansporit shkojnë të qetë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë nis me furinë e kuksianëve, por që para portës, duket se ka stepje. Kur të gjithë prisnin barazimin, turqit zbresin rrezikshëm; ka një gjujtje të fortë nga e majta brenda zonës, grushton Halilaj, rifutet topi me kokë nga sulmuesi i krahut të djathtë turk dhe po me kokë, braziliani Henrique ka çuar në 2:0 rezultatin e regjistruar në minutën e 68, duke e lënë në pozicion habie mbrojtjen kuksiane. Me këto shifra duket se Kukësi nuk ka gjë tjetër për të thënë, edhe pse e njohim formulën e futbollit se gjithçka mund të ndodh!

Kuksianët patën një premtim për t’u shpërblyer me 300 mijë Euro në rast se do të kualifikoheshin, ndërkohë qe klubi mund të fitonte 1, 3 milion Euro.

Nga ana tjetër ekipi i Skënderbeut të Korçës duket se i qëndroi ekipit të Odesës së Ukrainës, duke pësuar një humbje minimale 1:0.

Skënderbeu hyri në fushë me këtë formacion: Shehi, Arapi, Ademir, Radas’, Gvozdenovic,Orelesi, Tomovic(u zevendesua nga Bicaj) ,Orelesi, Lilaj, Abazi, Riba, Fagu. Goli i vetëm u shënua nga Gai në minutën e 75. Me gjithë presionin e vendasve të Odesës korçarët janë mbrojtur mirë dhe ia kanë dalë që në 45 minutat e pjesës së parë ta ruanin të paprekur rrjetën e Shehit.

Në pjesën e dytë ka vazhduar dialogu mes sulmit vendas dhe mbrojtes së korçarëve, ku muri i saj ka qenë i pakalueshëm deri në minutën e 75, ku Gai ka arritur ta mposhtë portierin Shehi. Kështu që shpresat për ekipin korçar, që ndeshjen e kthimit e ka në Qemal Stafa, mbeten të hapura. Le të presim duke bërë tifozllëk për korçarët!

Filed Under: Sport Tagged With: Kukesi dorezohet, ne Q Stafa, Skenderbeu shpreson

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT