• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Universitetet dhe objektivat europiane

February 24, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Artikuj të shumtë edhe në shtypin e huaj po i mëshojnë alarmit për pasojat e pariparueshme që solli dhe po sjell kriza ekonomike. Nga njëra anë shumë kushtetuta e garantojnë me ligj të drjetën për të studiuar, nga tjetra duket se programet e qeverisjeve po e kufizojnë këtë të drejtë. Natyrisht kriza lidhet drejtpërdrejt me mungesën e fondeve në planifikimet e buxheteve, për të mos folur për plane afatgjatë. Nuk po flasim për universitetet shqiptare në veçanti, por edhe për ato europiane, për ato që janë pranë nesh dhe deri dje ishin edhe qëndra të pritjes së shumë studentëve shqiptarë. Në një fjalim të presidentit amerikan Barak Obama, ai është shprehur se Amerika është e madhe, pasi ka universitete të shkëlqyera, që e thënë me fjalë të tjera do të thotë së nuk kanë konkurentë që ta ndjekin nga afër. Pra duhet kuptuar qartë se e ardhmja e një vendi lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me universitetet dhe nivelin e tyre. Ky disnivel ka kohë që ndihet në shumë vende europiane, prandaj po përpiqen që të ecin me hapa të sigurtë drejt kësaj konkurence që gjithmonë mbetet e hapur.

Në Itali të dhënat flasin për një rënie nga viti në vit të numërit të studentëve që regjistrohen në universitete : nga 338 mijë në vitin akademik 2003-2004, në 260 mijë, duke u bërë sfidë objektivave europiane në lidhje me arsimin universitar. Sipas zyrës së regjistrimeve në Ministrinë e Arsimit, shifër jo e plotë, numëri i studentëve që universitete po humbin është gjithnjë në rritje. Të dhënat flasin për një emorragji të pamohueshme, të ngjashme me një buletin lufte.

A do të arrijmë në privatizimin e Universiteteve shtetërore?

Sot bota e qytetëruar e ka të përcaktuar drejtimin e shkollave, ku shtetëroret janë primare dhe më të stabilizuarat. Tek ne si pasojë e dhënies së shumë liçencave për shkolla private, kemi arritur në absurditetin që nuk e ka asnjë vend, me 44 universitete private. Në konkurencën e hapur për cilësi universitetesh në botë, ne jemi të detyruar të qëndrojmë larg tyre, një betejë që kemi kohë që e kemi humbur. Gabimet politike në qëndrimet ndaj universitetit po i japin pasojat që askush nuk do t’i dëshironte. Në Itali ka kohë që po denoncohet “privatizimi i universiteteve” pasi privatët që sponsorizojnë po marrin edhe drejtimin e tyre. Vetë reformat qeveritare nga viti në vit po çojnë në reduktimin e të kurseve të diplomave dhe 57% e kurseve të diplomave është i programuar, një shifër në rritje dhe që po e largon Italianë nga mundësia që të arrijë objektivin me 40% të diplomuar deri në vitin 2020 në nivel europian. Ndërsa ne e kemi tejkaluar këtë objektiv me përqindje, ndoshta do të ishte një shifër e frikshme për nga përqindja, por që cilësia e diplomave është treguesi që nuk na fut dot në rangun e vendeve me universitete cilësorë.

A ka prirje studenti shqiptar sot drejt orientimit të tregut?

Në këtë pikë na duhet një planifikim i domosdoshëm i numërit të diplomuarve dhe mundëisë reale të punësimit, ndryshe kjo panoramë e pështirë do të vazhdojë edhe për shumë vjet. Të diplomuarit po dalin me shumicë dhe nuk ka asnjë tendencë nga ana e studentëve në lidhje me profesionin, pasi edhe regjistrimi i tyre në universitete bëhet i detyruar.

Sipas lajmeve në mediat e shkruara në Itali studentët i ndjekin tendencat e tregut së punës. Ka rrënie në kurset e diplomave të mjekësisë, me më shumë se 1%; në ato shkencore ka një rritje me 7.5%; në shoqëroret kanë një rrënie me 4.8%, të gjitha këto të krahasuara me vitin 2003-2004. Studentët e shkencave humane janë të vetmit që ruajnë një përqindje gati të pandryshuar. A është kjo një tendencë, shumë e rëndë, fryt i politikave të ndjekura dhe të së drejtës për të studiuar? – thotë presidenti i Unionit të universiteteve. Shihet qartë se aspiratave të studentëve u jep goditje kriza e gjatë ekonomike e dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Kjo ka sjellë si pasojë që në tre vitet e fundit fondi kombëtar për financimin e bursave të studimit të pakësohet në mënyrë drastike – nga 84% në vitin 2011 ka zbritur në 75%. Janë përjashtuar nga subvencionimet edhe këtë vit akademik mbi 60 mijë studentë. Shumë të rinj të aftë dhe që meritojnë të studiojnë, si dhe që duhet ta përfitojnë bursën nuk mund të përfitojnë nga këto mundësi. Ndërsa tek ne fondi ynë kombëtar duket se i harxhon financimet kot, kur këto mund të shkojnë shumë mirë në drejtime të tjera. A do të ishte e nevojshme që ky fond të përdorej për të rinj që nuk kanë aftësitë e duhura për shkollim në universitete? Viti 2014 është një vit vendimtar për të ndërmarrë reforma të fuqishme në lidhje me arsimin dhe në veçanti për universitetet. Në Itali të parët që nuk janë dakord me këtë situatë janë vetë rektorët e universiteteve që kryeministrit të ri Renci i janë drejtuar me një letër ku theksojnë se e drejta për të studiuar është e pamjaftueshme, 1 në 4 mund të studiojë në universitet. Duhet rikthyer e drejta për studime e parashikuar kjo shumë qartë nga Kushtetuta italiane.  Sipas konferencës së rektorëve ka katër emergjenca me të cilat duhet të përballen universitete italiane: -një plan i jashtëzakonshëm për të rinjtë më të mirë që të mos ikin jashtë, siç ndodhi me 10 mijë studiuesit që e braktisën përfundimisht Italinë. Duhet forcuar alenaca mes formimit dhe botës së punës në të gjitha zonat. Duhet thjeshtuar dhe dhënë më liri universiteteve të konkurojnë, duke kapërcyer çdo delir normativ pa logjikë që penfon çdo lëvizje dhe projektueshmëritë e reja. I njëjti guxim kërkohet edhe prej rektorëve shqiptarë që ta ngrenë zërin e tyre për këto probleme të mprehta, ta thonë hapur mendimin e tyre për nivelin e vërtetë të universiteteve dhe të hiqet dorë përfundimisht nga qëndrime deri vjet tepër të njohura ndaj ekzekutivit kur hartonte reformat për arsimin. Unë besoj se qeveria Rama e ka kuptuar ngërçin e universiteteve shqiptare dhe duhet të përballen me realitetin në të cilin notojnë ato. Një zgjidhje sa më e shpejtë e këtij problemi, na krijon mundësi të bëjmë hapa të duhura drejt cilësisë. Pa një universitet me mentalitet të ri, nuk mund të flitet për një rilindje të re kombëtare.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjana th Kallco, objektivat europiane, Universitett

Forumi BERZH, Fyle: Moment kyç që Ballkani të kërkojë investime

February 24, 2014 by dgreca

Gjergji Mima/ – Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane, Stefan Fyle, i pranishëm në forumin rajonal të nivelit të lartë për Investimet në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga BERZH në Londër, prezantoi qasjen e re të investimeve në këtë rajon.“Ndërsa Evropa tregon shenjat e para të daljes nga kriza, ky është një moment kyç për Ballkanin Perëndimor për të kërkuar për të tërhequr më shumë investime. Fakti që ekziston një grup i tillë i shquar i njerëzve të mbledhur këtu sot, duke sjellë së bashku krerët e rajonit, investitorët dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare aktuale dhe potenciale private dhe publike, tregon se rëndësia e investimeve është rritur për rajonin”, tha Fyle.

Duke paraqitur zyrtarisht për herë të parë qasjen e re të qeverisjes ekonomike, konkurrencën dhe rritjen e Komisionit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri Fyle, u shpreh  se “në Dokumentin  e Strategjisë së Zgjerimit tetorin e kaluar, ne njoftuam synimin tonë për të zhvilluar një qasje të re në ekonomitë e rajonit të zgjerimit. Sot, unë zyrtarisht nis këtë qasje të re, e cila ka të bëjë me ndërtimin e një mirëkuptimi të përbashkët mes liderëve të këtyre vendeve dhe investitorëve të mundshëm mbi prioritetet për reformën ekonomike”.

“Cili është qëllimi i kësaj qasjeje të re ? Ne duam që të vazhdojmë t’u mbështesim në përmbushjen e sfidave të krijimit të vendeve të punës, rritjen e aftësisë konkurruese dhe nxitjen e rritjes . Gjatë pesë viteve të fundit, ne jemi ballafaquar me sfida të njëjta në Bashkimin Evropian. Përpjekjet tona për të trajtuar krizën po sjellin rezultate. Ne kemi përvojë – ne duam që ju të përfitoni prej saj tashmë”, tha Fyle.

“Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është një ekonomi tregu funksionale. Papunësia në të gjithë rajonin është e lartë. Të rinjtë janë të prekur veçanërisht. Nivelet e defiçitit publik dhe borxhit janë rritur. Konkurrueshmëria pengohet shpesh përmes politizimit të vendimeve që duhet të jenë drejtuar nga tregu. Këto probleme duhet të adresohen nëpërmjet një axhende të reformave të besueshme, shoqëruar me fonde të bollshme nga sektori privat dhe publik”, tha Fyle.

“Reformat e financave publike dhe të institucioneve të tregut të punës dhe reduktimi i pengesave administrative për bizneset duhet të jenë prioritete. Investimet në arsim, aftësitë dhe hulumtim gjithashtu duhet të jetë e lartë. Sundimi i ligjit është veçanërisht i rëndësishëm në aspektin e sigurisë ligjore dhe të besimit të investitorëve dhe kështu, është kyç për reformën ekonomike”, theksoi Fyle.

Sipas Komisionerit Fyle, “investimet do të ndodhin vetëm nëse vendet përmirësojnë klimën ndaj investimeve, duke krijuar kushtet për një rritje të qëndrueshme, të nevojshme për të krijuar vende të reja pune; kushtet për të ndihmuar dhe për të tërhequr investime të huaja direkte; kushtet në të cilat bizneset mund të jenë konkurruese dhe të lulëzojnë, dhe kushtet që do të rindezin frymën e sipërmarrësve tuaja dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME)”.

Komisioneri Fyle inkurajoi të gjithë investitorët e pranishëm për të marrë këtë mundësi për të përcaktuar zonat në të cilat do të duan qeveritë të përqëndrohen për ta bërë klimën e investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor më tërheqëse.

“Unë gjithashtu dua të theksoj rëndësinë e qeverisjes ekonomike në ruajtjen e mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, tha Fyle duke u shprehur se “ne do të punojmë me ju për të arritur këto qëllime”.

“Së pari , ne kemi nevojë për stabilitet makroekonomik, fiskal dhe financiar. Ne tashmë kemi një dialog në programet makro – ekonomike dhe fiskale vjetore me të gjitha vendet me përjashtim të Kosovës. Ne duam të forcojmë këtë proces dhe të përqëndrohemi mbi reformat kryesore strukturore”, tha Fyle.

Ne, vijoi Komsioneri për Zgjerim, “do të mbështesim dialogun tonë mbi Programet Kombëtare të Reformës Ekonomike. Rezultati duhet të jetë për të rënë dakord së bashku në një grup të Vendeve të rekomandimeve specifike për të drejtuar reformat. Ne, së bashku me FMN-në, do të japim asistencë teknike për të mbështetur zbatimin e këtyre rekomandimeve. Vendet gjithashtu do të kërkohet të hartojnë planet e veprimit për menaxhimin e financave publike. Progresi këtu do të hapë mundësinë e mbështetjes buxhetore në sektorë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para – Aderimit (IPA) – IPA II”.

Së dyti, theksoi Fyle, “ne kemi nevojë për reforma sektoriale dhe investime në sektorë të caktuar, duke çuar në rritjen e eksporteve dhe më shumë vende pune. Komisioni do të ftojë vendet për t’i dhënë Pasqyrat (çdo vit të dytë, duke filluar nga viti 2015 ) e planeve të tyre për reforma strukturore në të gjithë sektorët më shqetësues, për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe rritjen, të tilla si transporti, energjia dhe arsimi.

Së treti, tha Fyle, “fonde të rëndësishme përmes IPA II do të mbështesin këtë proces dhe reformat pasuese me një fokus në veçantë në mbështetje të sektorëve. Dhe ne do të punojmë me të gjithë ju dhe me Institucionet Financiare Ndërkombëtare për të ofruar dhe financuar këto reforma. Vendet tuaja, të dashur Kryeministra, do të varet nga lidershipi juaj për të siguruar koordinim të të gjithë departamenteve të qeverisë tuaj për të siguruar që ju po punoni në reformat e dakorduara”.

“Nevojat për investime në rajon janë të konsiderueshme. Për këtë arsye unë kam qenë i kënaqur me marrëveshjen nëntorin e kaluar mes Evropës dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare që të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në investime kyçe në infrastrukturë, duke përfshirë transportin si prioritet dhe energjisë . Kjo do të bëhet përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Fyle.

Komisioneri për Zgjerim theksoi gjithashtu se, “vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të integruar ekonomikisht nëpërmjet Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Prandaj ka kuptim për të përgatitur së bashku disa reforma dhe të vlerësojmë zbatimin e tyre. Strategjia Evropa Juglindore e 2020 për Punë dhe Prosperitet në një Perspektivë Evropiane mund të jetë një pikë kyçe referimi për Komisionin dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare”

Filed Under: Rajon Tagged With: Ballkani, Berzh, Fyle, investime

TRE ARTISTË SHQIPTARË NGA MAQEDONIA EKSPOZUAN NË STUDION E FADIL BERISHËS

February 24, 2014 by dgreca

Studioja e Fadil Berishës  me 13 shkurt 2014 ishte nikoqire e prezantimit të punës krijuese të tre artistëve shqiptarë nga Maqedonia: Nehat Beqirit, Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit.

E kuruar si ekspozitë nga Nora Halimi, përzgjedhja e veprave shpërfaq varietet edhe mediumesh, edhe qëndrimesh artistike. Pavarësisht gjinisë dhe teknikës së përdorur, veprat e ekspozuara reflektojnë sa fragmente realitetesh personale, po aq edhe rrethanat sociale, marrëdhëniet e caktuara me shoqërinë, me botën fizike.

Le t’i prezantojmë të tre artistët: Neha Beqiri ka lindur në vitin 1967 në Tetovë. Ai u formua si piktor në Prishtinë, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore dhe më pas studime postdiplomike për fotografinë, i kreu po në Universitetin e Prishtinës. Punon si lektor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Tetovës.

Me punimet e tij ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita personale kombëtare edhe ndërkombëtare.

Edin Kurteshi ka lindur në vitin 1977 në Sarajevë. Formimi i tij arsimor u realizua fillimisht në Universitetin e Tetovës, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore për pikturë.

Është është përfaqësues  i një brezi të ri të artistëve figurativë në Maqedoni, ku vepra e tij i ka shfaqur në disa ekspozita personale dhe grupore.

Ngadhnjim Mehmeti ka lindur në vitin 1977 në Tetovë. Formimi i tij u realizua në Stamboll, Turqi, ku kreu studimet në Fakultetin e Arteve Pamore. Edhe studimet postdiplomike për udhëheqës dizajnit grafik i kreu po atje, në Stamboll, pranë Universitetit Marmara.

Ngadhnjim Mehmeti  është themelues i marketingut dhe agjenci reklamash EGGRA në Shkup dhe Tiranë, si dhe ka kryer një numër të fushatave në trojet shqiptare.

Nehat Beqiri u përfaqësua në këtë ekspozitë me një cikël pikturash vizualisht shumë të gjalla, pamje metaforike të ndërtuara me një gjuhë figurative që vë në lojë forcën e mendimit, lirinë imagjinative dhe përvojën e vet artistit.

Monotipite e Edin Kurtishit synojnë të transmetojnë atmosferën dhe përcjellin emocionin e një pejsazhi vazhdimisht të ndryshueshëm përmes optikës personale, duke përdorur zogjtë si entitet metaforik dhe qiellin si mjedis grafik.

Ngadhnjim Mehmeti me serinë e shtypit të portretit të Nënë Terezës ishte më social dhe më i drejtpërdrejtë në trajtimin e fenomeneve dhe situatave që ngjyrosin kohën në të cilën jetojmë, sic është ajo e identitetit dhe globalizmit dhe realiteteve të tjera të cilat janë sa lokale, po aq dhe globale.

Ne Foto: Dr. Skënder Murtezani me dy artistët, Nehat Beqiri dhe Nganjdhim Mehmeti

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit, Nehat Beqirit, NY, shqiptare nga maqedonia, Studio fadil berisha, Tre artistet

DY FJALË PËR ZONJËN FOTINI THANO

February 24, 2014 by dgreca

Nga KOZETA NUSHI –ALIKAJ/

“ M’u desh në jetë të kaloja shumë stuhi, shumë dimra të acartë…Po kuptova se pas çdo stuhie lind dielli dhe pas çdo dimri vjen pranvera. Kjo që unë po jetoj tani është pranvera ime…” – shkruan Zonja Fotini Thano, që gjithë kohën ka sfiduar shumë dallgë, shumë rrebeshe dhe si shqiponjë e vetme ka rritur 9 fëmijët e saj duke i ushqyer me dashuri për atdheun, për kulturën, për librat, për arsimin, duke pasur fatin e mirë t’i shohë të gjithë të shkolluar dhe me aktivitetet e tyre private.

Është 78 vjeçe dhe përdor internetin, facebook-un. Ecën në një hap me kohën dhe s’ka bir nëne që ta ndal dhe ta kthej mbrapsht, pasi energjia e saj është aq e madhe saqë shemb edhe malet.

Më ka bërë shumë përshtypje libri i saj i parë, i shkruar në moshën 75 vjeçe dhe që titullohet: “KOPSHTI I PRANVERËS  … KUJTIME NGA JETA”.

E lexova këtë libër të mrekullueshëm, plot me ndjenjë, plot me forcë, shumë dinamik, shumë bindës në vërtetësinë e jetës, e lexova brenda natës, pasi ditën që e mora në dorë isha e rrethuar me shumë miq dashamirës, që ngritën shumë dolli për nder të Zonjës Fotini dhe librit të saj, duke blerë trëndafila të kuq, në shenjë nderimi, pa i kursyer komplimentet e tyre për shembullin që zonja Fotini jep për gjith bashkëmoshatarët e saj. Shumë zotohen ta mbushin jetën e tyre me kujtime nga jeta, duke u lënë pas fëmijëve dhe nipërve të tyre një dhuratë shumë të çmuar.

Disa prej tyre arrijnë vërtet të shkruajnë kujtime të mrekullueshme që të lënë pa fjalë.

Mua si person libri i titulluar: “KOPSHTI I PRANVERËS” , më bëri aq shumë përshtypje, saqë mora zotimin se në një të ardhme të afërt, do t’ia besoj një mikut tim regjizor për ta bërë film. Mirëpo më parë duhet ta përkthej në italisht, pasi në Shqipëri s’njoh asnjë që mund të më ndihmojë për t’ia arritur këtij qëllimi.

Mbi të gjitha, plus librit më bën përshtypje parathënia e tij, e shkruar nga Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, një personalitet shumë i njohur për qytetin e Vlorës. Kjo parathënie më pëlqen deri në atë farë shkalle saqë më bën pak xheloze. Edhe pse xhelozia nënë e bijë lind natyrshëm, ndjehem krenare për suksesin e arritur nga mamaja ime, edhe pse për momentin më duket se më sfidon. Duke i lënë mënjanë vogëlsirat e momentit, bashkë me bashkëshortin tim dhe fëmijët e mi i dhurojmë  si shpërblim mamasë sime, vjehrrës së burrit tim dhe gjyshes shembullore të fëmijëve të mi pushime të mrekullueshme në DISNAY LAND PARIS, duke e respektuar edhe më shumë si shkrimtare.

Pa u ndalur shumë tek pushimet tona, ku djali im i vogël ÇEZARE(CESARE), merr duartrokitjet e para të përzemërta nga shumë turistë, me këngën e kompozuar, krijuar dhe kënduar nga ai :”Mami im” po ju bëj të njohur parathënien e shkruar nga Prof.Dr. Bardhosh Gaçe, për librin e Zonjës Fotini: – “KOPSHTI I PRANVERËS”

DY FJALË

Duke shfletuar rrëfimin dramatik të Fotini Thanos, jeta e saj, si Vjosa e harbuar nëpër brigje, shkumëzon për t’i rrëfyer kohës sonë dhe brezave të rinj fatin e saj në shoqërinë shqiptare të shekullit xx. Ligjërimi i saj shpirtëror nuk është gjë tjetër veçse Bibla e heshtur shqiptare, e cila përcjell natyrshëm dhimbjet, brengat e gëzimet e jetës së një gruaje stoike, për të mbajtur përherë ndezur zjarrin e saj të dashurisë në familje.

Jeta dhe fati i Fotini Thanos është pjesë e pandarë e jetës shqiptare, duke filluar që nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjer në kohët tona moderne, kur ajo, nga Vlora dhe Fitorja, udhëton nëpër hapësirat e emigracionit evropian pas fëmijëve, nipërve e mbesave. Mbi të gjitha, ajo, tashmë si gjyshe e urtë dhe e mençur, me fjalën e saj dritësore, di të rrëfejë me një mjeshtëri kalvarin e jetës së saj dhe përherë përcjell optimizmin e vet për të ngadhënyer mbi dramat e jetës e për të krijuar lumturinë e familjarëve.

Faqet e këtyre kujtimeve i ka shkruar shpirti i saj i bardhë e fisnikëria e saj, të cilat zbërthejnë natyrshëm ndonjë ngjarje, bëma e aspekte, që herë –herë të drithërojnë për botën e tyre emocionale, duke përcjellë një ligjërim të ngrohtë narrativ.

Mbi të gjitha, kujtimet e Fotini Thanos janë edhe një dëshmi e jetës shqiptare të kohës, nëpërmjet tyre mësojmë edhe vitalitetin e gruas shqiptare nëpër dallgët e ashpra të jetës./Prof.Dr. Bardhosh Gaçe/

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fotini Thano, Kozeta Nushi

PAVARËSIA E KOSOVËS U FESTUA EDHE NË NEW JERSEY

February 24, 2014 by dgreca

 NEW JERSEY : Festa e 6-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkuritit 2008,  është një festë që i mblodhi të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë. Kështu ndodhi edhe me Shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria dhe Maqedonia ndanë të njëjtin  gëzim, dhe te gjithe festuan së bashku Shpalljen e pavarësisë së shtetit më të ri Kosovës, e njohur deri tash nga 105 shtete nga mbarë bota. Albanian Culture Center(ACC), Qendra kulturore e shqipëtarëve në New Jersey, me rastin e kësaj feste organizoi një program festiv në sallën e shkollës Bergen Arts and Science Charter School. 

Kështu të paktën shkruhet në rrejetin social facebook të kësaj Qendre Kulturore Shqiptare ne New Jersey, e cila  njoftoi se fund javën që shkojë, ACC e organizoi mbrëmjen me rastin e pavarësisë së Kosoves. Të ftuar ishin intelektuale, biznesmenë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit Shqiptar nga zona e ashtuquajtur e Tri-Shtetshit –  New York , Connecticut dhe New Jersey. Në këtë festë mori pjesë edhe Professor Isuf Buxhovi si dhe Konsulli i Kosovës në New York Korab Mushkolaj.

Ka qenë himni kombëtar Shqipëtar si dhe ai  Amerikan dhe me melodia e shtetit të Kosovës, që çelën festën e Pavarësisë së shetit të Kosovës në këtë manifestim të bukur.

Më pas drejtori dhe një nga themelluesit e qendrës, z. Shaban Gjoka, mbajti fjalën e hapjes. Ai falenderoi fëmijët e qendrës si dhe stafin per punen e tyre te palodhur ne organizimin e programit. Gjithashtu ai falenderoi prinderit si dhe gjithe te pranishmit ne salle per pjesemarjen.

Manifestimi i pavarësisë së Kosovës u shoqërua me fjalime dhe një Performancë e shkëlqyer e fëmijëve të qëndres ACC në këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat, të cilat “korrën” një lumë duartrokitjesh të shumta nga të pranishmit, thotë njoftimi i kësaj qendre në facebook. Mbrëmja u finalizua me këngët e mrekullueshme live të këngëtares së mirënjohur të muzikës shqiptare Merita Halili dhe mjeshtrit të njohur të muzikës mjeshtrit Raif  Hyseni./ Beqir SINA/

 

Filed Under: Komunitet, Kronike Tagged With: Beqir Sina, ne Nju Xhersi, pavaresia e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT