• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Kukullat me motive të humbura të Flutura Açkës

February 4, 2014 by dgreca

Esse-analizë rreth romanit “Kukullat nuk kanë Atdhe”/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

Shkrimtarja Flutura Açka konsiderohet ndër shkrimtaret më të rëndësishme dhe të admiruarat në letrat shqipe. Ajo është autore e një sërë romanesh, vëllimeve me poezi dhe publicistikë. Është mjeshtre e rrëfimit, me ndikim të jashtëzakonshëm në artin e të shkruarit, me frymë bashkëkohore, veçmas asaj në prozën moderne. “Kukullat nuk kanë Atdhe” titullohet romani më i fundit i shkrimtares Flutura Açka, i botuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, 2013. Dalja në dritën e botimit të romanit, pati jehonë për mesazhin e fuqishëm përmes ndërtimiit të ngjarjeve dhe personazheve me parafillesat, fillesat e mbaresat e tyre, dhe  për ndjeshmërinë se si e duam dhe e dëshirojmë Atdheun e vërtetë, dhe atë të realitetit të sotëm. Bota reale e Atdheut, është bota pa konvencionet e paemërta me ngjyrimet e turbullimet dhe modelet e saj të palexueshme. Atdheu real është alegoria dhe personifikimi që përshkon udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës, të kuptueshmen dhe jashtëzakonisht kuptimploten në këtë roman. Mesazh, që na kujton se sa nevojë ka shoqëria shqiptare për realitetin dhe të vërtetën, të cilët autorja Açka i përcjell aq mjeshtërisht, çka e ka bërë që, sot për sot, libri të vlerësohet nga më të mirë e zërit krijues dhe guximit qytetar e intelektual femëror në letërsinë shqipe.

“Kukullat nuk kanë Atdhe” është një libër artistik, publicistik dhe melodramatik, që  përshkruan histori e personazhe tronditëse nën mantelin gri,  ironik, satirik, komik, provokues e rrëqethës ndaj realitetit social-ekonomik-politik të një Atdheu të asfiksuar nga moderniteti ballkanik, ku dallohet qartë dhimbja, tronditja e brendshme dhe e jashtme, lufta për pushtet, frikë, izolim, vetmi, seks, skandale, vrasje, dhunë sociale e fizike, urinë dhe tejngopjen, mjerimin e trishtimin, vlerën e antivlerën, regresin e progresin, të varfër e të pasur, të moralshmen e të pamoralshmen, pesimistë e optimistë, grotesken, dëshpërimin dhe keqardhjen, lindjen e vdekjen, jetesën e mbijetesën – bashkudhëtarë të ngjarjeve dhe situatave të ndryshme dhe të pashërueshme për ndjeshmërinë e dashurisë për Atdheun e vërtetë.

Ky libër ka një efekt unifikues mbi lexuesin dhe demonstron teknikë të shkëlqyer narrative, mendim filozofik dhe  imagjinatë letraro-artistike të pazakontë të jetës, duke i përshkruar në distancë rolet e personazheve të veprës,  me mendime që dallohen për ironinë delikate, impulse të pazakonta dhe parandjellëse. Atmosferën misterioze dhe shijen e përkobëshme, autorja e mbështet në imagjinatën dhe aftësitë letrare të saj, tek e lartëson dobësinë madhore të vëzhguesit njerëzor, që  përshkohet në  shumë  nivele të rrëfimit dhe përdorimin e zakontë e të pazakontë të dialogut mes protagonistit dhe antagonistit, deviza kryesore e strukturës narrative, thriller që duket sikur del nga ekranet e “kinemasë” të farsave sociale.

Ndërsa rrekesh së lexuari nëpër faqet e romanit, e kupton se e gjen veten në çdo  rrëfim apo histori dhe e studion me kujdes atë që ndodh në rrjedhën e veprës, përfytyron dhe kupton gjithçka që rrëfyesja përshkruan me vërtetësi çfarë ka ndodhur, ekzistuar dhe ekziston. Autorja Açka mjeshtërisht artikulon idetë e trajtuara me veprimet e personazheve dhe implikimet e pasojave të tyre, peshën e konfliktit dhe kontrastet në vetvete për nga vlerat njerëzore dhe vështirësitë, që vjen më tepër nga diferenca e kulturës, profesionit dhe horizontit të personazheve. Në “Kukullat nuk kanë Atdhe”, shkrimtarja Flutura Açka na  paraqet kronologjinë e mendimeve, rreptësinë e parimeve me përqasjen e objektivit bazë. Nëpërmjet tyre autorja  shtjellon botën reale në disa etapa: parafillesa, fillesa, pragje (kapituj) edhe mbaresa -eksperimente të denja; paragrafë gjallërisht bindës në shumë aspekte të jetës së përditshme të personazheve që janë mirëvendosur me hollësitë dhe nuancat e tyre, nën efektin vital të përvojave jetësore, mes psikikes e shpirtërores.

 

Aftësitë letrare, mendimi filozofik dhe pena publcistike e Açkës penetrojnë në vetëdijen e  farsave sociale të realitetit prej rëre të shoqërisë.

 

Duke pasur parasysh se sa shumë personazhe do të hasim në krejt kapitujt paraardhës, autorja që në fillesë bën një paraqitje të shkëlqyer të personazhit kyç, Matronës, personazh dashamirës e mbresëlënës, dhe më e ndikuara në shtjellimin e rrëfenjës. Matrona, grua e vetmuar, e shëndetëshme, plot virtyte njerëzore, ndershmëri e sinqeritet, humane, tradicionale, butësi shpirtërore e brishtësi femërore, e hijshme dhe interesante, herë pesimiste e herë optimiste, me kuriozitetin e humbur dhe spontan, guxon dhe jeton brenda kontrastit dhe përplasjes mes dy realiteteve. Jeton brenda botës në apartamentin e saj, atij kontrastit fanatik të një bote të përciptë, patetike e spekulative, virtuale dhe reale, dhe dhunës verbale nga T, prej nga ku media, politika e  shoqëria ekspozojnë dhunën fizike e sociale, njerëzore, ngjethëse dhe e padurueshme, amorale dhe e qetë. Bota  jashtë apartamentit të saj – në rrugëtimin e jetës, përballimin e rezonancave dhe lidhjet të panumurta psiko-emocionale mes kukullave  të Matronës – peng i dy realiteteve brenda botës reale, “kjo është arsyeja pse Matronën me atë – botën jashtë – nuk e lidh veç dritarja e hapur. Të paktën këtë mbrëmje”. Dy realitete këto që e bëjnë rrëfimin mëse tronditës dhe të nënkuptuar në shumicën e situatave të kronikës së jetës së përditëshme.

Autorja Açka me mjeshtëri letraro-artistike, filozofike dhe përshkrime publicistike zhdërvjellese, vendos lidhjet mes Matronës dhe kukullave, pjesëmarrjen e tyre amatore me kuriozitetin e humbur në teatrin e madh jo harmonik të realitetit social-politik dhe shijeve  “përzgjedhëse” të shpërfilljes shoqërore; “Ajo, Matrona e lodhur, po i nxjerr nga jeta e saj. Në jetën e lirë. T’i bëjë pjesë të Atdheut të saj. Nëse Atdheu do të dijë t’i pranojë, nëse do të ketë bujari t’i pranojë. Nuk dëshiron të mendojë se kukullat nuk kanë Atdhe. Dilni, dilni, paci fat! Fat-mira a fat-nxira!” Me kënaqësinë, virtuozitetin dhe inkoshiencën e saj, në formën dhe ndikimin e konsiderueshëm, nëpërmjet monologut dhe dialogut rrëfyes dramatik, provokues   dhe dizajnit narrativ satirik, Açka krijon edhe lidhjet e mundshme e të pamundshme, të përballueshme e të papërballueshme, misteret dhe intrigat mes kukullave dhe protagonistëve  realë, ngjarjeve bashkëkohore dhe mënyrës si drejtohet shoqëria shqiptare, të cilat morfemojnë njëra-tjetrën dhe pikëpamjet e mprehta mbi realitetin me piroteknikën intelektuale, qytetare e guximin njerëzor.

Libri është i frymëzuar nga ngjarjet e vërteta të çdo aspekti të mundshëm të jetës dhe rizbulimin e brengave dhe traumave që gëlojnë brenda skenarit klishe e pushtetit të dështuar dhe ndjenjës naive të degradimit me vetëdijen e  farsave sociale në realitetin prej rëre të shoqërisë. “Tirana është tereni ku rehatohet Liria prej gati njëzet vjetësh. Shtrihet edhe më përtej, por në Tiranë shquhet. Por ka ca kohë që ka filluar të shqyhet prej shtriqjes së tepërt. Tërheqja nga akrobacitë e shpeshta. Parodi e madhe e lirisë po na bën të ndihemi pa Atdhe, pasi po heshtim nga cënimi i lirisë, mu prej ngopjes nga liria. Liri do të thotë edhe të mos heshtësh, duke heshtur ndërtojmë një Atdhe të frikshëm,” shkruan Açka që në krye të Pjesës 12, në faqen 222. Me lojën e bukur e të thjeshtë të sarkazmës e marazit, groteskes e anekdotave, ironisë therëse, autorja të 100 kukullave të saj “iu ngjyros numër në kurriz”, dhe në heshtje tre T-të – Trupin, Talentin dhe Trurin – Kukulla nr.6 (gazetare), nr.13 (pianiste), nr.24 (juriste), nr.30 (bisnesmene e modës), nr.31 (shkrimtare), nr.33 (stiliste), nr.66 (Biodance), nr. 69 (gazetare e pavarur) nr.71 (modele), nr. 107 (gazetare e pavarur), etj., duke iu përshtatur profesionet brenda mjedisit të realitetit shqiptar, duke prekur në mënyrë të qartë personazhe befasues në jetë, rrëfim për njerëz të zakonshëm, shkrirjen e disa grave të vërteta për të gjetur zërin e tyre të jetës. Gra-kukulla, dhe liria që ato synojnë shpesh duket si e çoroditur për jetën e me jetën mbi kuptimin dhe arsyen, logjiken dhe psikologjiken, veçmas inferioritetit maskilist. Kukulla me motivet e humbura në jetë, janë pjesëza të njerëzores dhe të universit social, ekonomik e politik. Personazhe që sjellin kënd-vizione pikërisht aty në Tiranë ku mpleksen vlera e antivlera, kotësia e shpresa, dhimbja e dashuria, dhuna e shtypja seksuale, që lindin çdo çast polemika, thashetheme, frika nga pasojat, debate me butësinë dhe agresivitetin e rotacionit të koncepteve dhe përmbysjeve të dogmave në përshpirtje të tranzicionit të lodhshëm, të stërmunduar e të stërgjatur i kohës dhe i realitetit  që jetojnë.

E guximshme, e vullnetshme, e hekurt, inteligjente, e talentuar, idhnake, e qartë dhe e kthjellët në atë që shkruan e shpreh, Flutura Açka guxon – përtej guximit të marrëzisë, gënjeshtrës, falsifitetit  e hipokrizisë, prek plagët e dhimbshme e të ndjeshme të dramës social-ekonomike dhe politike të ngërthyer  nga veset, gjykon atë realitet që rrallëkush guxon ta thotë mbi çdo vullkan urrejtjesh, etjes dhe rrezikut për hir të pushtetit, pasurisë dhe histerisë klanore, me një prekshmëri të pamohueshme mbi politikën që ngrihet syhapur lehtësisht, ngushëlluese e triumfuese ndaj diversitetit, ambicjeve, bindjeve e principeve njerëzore dhe kockës qytetare e intelektuale. Historia është më shumë për shtresat sociale të  shoqërisë. Nuk janë stereotipe “shpëtimtarë” të zotit – politikanë e deputetë të përfaqësuar në roman nga Vokërr Delia, oportunistë, aventurierë, mashtrues dhe provokatorë të drogës dhe krimit, besnikëria e të cilëve është e gjithëpranueshme, ideokracija e tyre bazë: skllavëro të tjerët për të sunduar! Personazhe banalë dhe figura të përbuzura për moralin e personalitetin e tyre të dyzuar, por që  gdhihen të varfër e ngrysen milionerë në këtë realiet të dhimbshëm.

“Morali është diktaturë”, shkruan shkrimtarja Marta Marti, që do të thotë: triumfi i moralit të pistë merr kuptimin e tij gradual, të frikshëm e të politizuar, urë zjarri feminist për të kontrolluar gjithçka. Ngopja e mosngopja për seks e para, liria e femrës dhe hija e famës: “Fama dhe femra, i kujtohet Lolita, janë dy motra siameze”! Kukullat ballafaqohen me  lirinë dhe rolin e tyre në shoqëri, zakonet dhe moralin e ngritur prej shoqërisë dhe me autoritetin e urisë mashkullore, dhunës e shtypjes seksuale, që politikisht është larg dhe i sofistikuar në monotoninë e shoqërisë dhe pikëpyetjes së vërtetës faktike.

Një nga virtytet më mjeshtërore e Açkës me përkushtimin krijues si qënie njerëzore, është  simpatia diskrete për personazhet e saj. Autorja u jep role të forta disa kukullave të saj me kryeneçësinë dhe delikatesën femërore të tyre, dilemën e gjinisë e seksualitetit në audiencën e mundshme e të paparashikueshme, metaforë e përkryer kjo e metamorfozës së jetës në  Tiranë dhe në realitin e ashpër social të mbuluar nga krizat ekonomike e sociale. Personazhe si kukulla nr.6, nr.13, shkrimtarja Marta Marti dhe poeti Mond Shpali në hije, Ed Zagoria në mërgim, Vokërr Delija me arrogancën  e veset e tij, janë përzierja imagjinare e figura intriguese në roman. Kukullave nr.6 dhe nr. 13, Açka u ka dhënë përfomancën serioze mes guximit e ankthit, që simbolizojnë portretizimin e konstruksionalizmit social-ekonomik-politik të shoqërisë së sotme. Janë personazhe të  admirueshme e të besueshme, njëra artiste dhe tjetra gazetare, që përveç përgjegjësive familjare e bashkëshortore, pranë e larg, janë pjesëmarrëse të kudogjendura dhe krijojnë besimin në rritje për kauzën e tyre. Kukulla nr.6 me syrin e mprehtë të gazetares, e ndërgjegjshme për atë që shikon e kupton ç’ndodh rrotull, me editorialet e saj, nxjerr në pah episode e ngjarje të rëndësishme në jetën e përditshme të qytetit e të shoqërisë; që nga sektet fetare që nuk dihen nga vijnë e shkojnë dhe pastrojnë paratë e krimit të organizuar, njerëzit e korruptur të politikëse të kastës në fuqi që privatizojnë e grabisin pasurinë kombëtare, nën emrin e patriotizmit – koncept korrupsioni unik ky, arrogantë e vrasës si Vokërr Delija të veshur me pushtet, famë e para, krim e ndëshkim. Me një stil të mrekullueshëm dhe balancues mes letërsisë e publicistikës, me figura letrare të godituara e të mirëvendosura në strukturën narrative letraro-artistike-publicistike, gjuhë të pastër e drejtshkrim të admirueshëm, monologje, meditime, dialogje e biseda, Flutura Açka përshkruan personazhe, figura pozitive e viktima sociale dhe nëpërmjet tyre apelon revoltën dhe zemërimin kundër arrogancës, pangopësisë, përfitimit moral e  material, krimit e dhunës fizike, seksuale e sociale të pazakontë në gjendjen sociale të sotme.

Gjatë leximit të romanit hasim zhargonin bulevardesk, larg ndrojës dhe të guximshëm të shkrimtares, por që shprehin artistikisht moralin e shoqërisë, kritikën ndaj lirisë së coroditur -shthurjes morale – dhe qëndrimin qytetar e intelektual, psiqik e njerëzor të autores, brenda përkushtimit krijues të rrëfenjës. Romani “Kukullat nuk kanë Atdhe” i Flutura Açkës, me doza të forta interesante në përjetimin e situatave e përvojave jetësore, ka prekur dhe ngritur gishtin ndaj  çështjeve më të rëndësishme e jetike, libër që tronditi muret socialë dhe mjegulloi horizontin e shoqërisë politike shqiptare, por që ndëgjegjësoi ndryshimin historik në formë e në përmbajtje – rrotacionin. “Kukullat nuk kanë Atdhe” e Flutura Açkës  është vepër e shkëlqyer e potretizimit të shoqërisë shqiptare.

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Shkurt 2014

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Flutura Acka, Kukulla me motive te humbura, raimona Moisiu

Një histori e rrallë e rrëfyer në Amerikë

February 4, 2014 by dgreca

*Historia e familjes Qypi e Kurbinit,që  humbi 9 pjestarë në luftën kundër komunizmit, jetoi 3 vjet e arratisur në male/

*Si arriti Bardhok Ndreu të nxirrte gruan nga burgu i Krujës dhe si mundi që për një vit të bashkëjetonte maleve…?/

 Nga Dalip GRECA/

Para ca vitesh, kur  në faqet e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” sapo kisha përfunduar shkrimin e tretë te një cikli kushtuar një prej figurave më enigmatike të nacionalistëve antikomunistë shqiptar, profesorit Alush Leshanaku, në redaksi telefonoi Hysen Blloshmi, i biri i njërit prej atyre që amerikanët i hodhën ne malet shqiptare në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, Xhevdet Blloshmit. Hyseni më tërhoqi vëmendjen se kishte një pasaktësi që binte në sy në atë shkrim; Alushin pas vrasjes me pabesi, rënien në kurthin që i pat ngritur sigurimi me anë të një gruaje, të nesërmen, trupin e pajetë ia vendosën tek shkolla pedagogjikë për të terrorizuar  qytetarët.Ju nuk e keni përshkruar kështu, tha ai nga ana tjetër e telefonit.

– E kam parë me sytë e mi, këmbënguli Hyseni, pastaj shtoi: Njoh një njeri që e ka strehuar Alushin, i ka rrëfyer shtigjet; e ka ndihmuar kur Forcat e Ndjekjes e plagosën; ka qenë së bashku me të në një aksion, kur pritej hedhja e pajisjeve nga ajri,  ku përveç tij ishte edhe Gjon Gjinaj, si dhe grupi i kosovarëve të dërguar prej Xhaferr Devës. Është histori interesante; ata u rrethuan nga forca të shumta të sigurimit dhe në përpjekje mbeti i vdekur komandanti kosovar, Ali Rizaj e Pashko Suma, u plagos Alushi, plagë mori edhe Gjon Gjinaj. Historia dukej interesante dhe lame ditën e takimit.

Së bashku me Hysenin trokitëm një ditë vjeshte të vitit 2003, në apartamentin e Bardhok Ndreut në Queens, i cili na tregoi historinë e mëposhtme; ç’ka  la mangut Bardhoku e plotësoi Ndrec Gjergji, një mërgimtar që ka kaluar shumë vite në Belgjikë, e tri dekada i ka kaluar në Nju Jork.

Në gjurmët e familjes Qypi

Familja Qypi në Mal të Bardhë të Kurbinit është ndër familjet më të vjetra dhe më me tradita të asaj krahine. Ajo ka nxjerrë burra trima dhe të besës, që kanë bërë emër në historinë e zonës së Kurbinit dhe të Shqipërisë. Arkivat dëshmojnë se që në kohën e sundimit osman fisi Qypi është shquar për ndjenja atdhetarie dhe qëndrese. Nikollë Gegë Qypi, ka udhëhequr një kryengritje antiturke që tronditi Portën e Lartë. Turqia derdhi ndër ato anë taborre të pafund me ushtarë dhe e shtypi kryengritjen, por Nikollë Gegë Qypi nuk ra në dorë të pashait që udhëhiqte taborret e Sulltanit; ai u ngjit maleve dhe pyjeve dhe mbeti rrezik për turqit. Me forcën e armëve gjenerali turk nuk mundi ti bënte zap arnautët, siç i quante Porta e Lartë, por atë që nuk bënë armët, e realizoi kurthi; Pashaj u çon fjalë që të dorëzojnë armët se nuk do të kishin asnjë pasojë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe ai nuk do t’u bënte asgjë të keqe. Shqiptari lidhet prej fjalësh. Turku u tregua i pabesë; i lidhi me hekura dhe i vuri në konop tek Arrat e Vromit në Fushë të Milotit. Kështu u shua një prej trimave të këtij fisi.

Prej derës Qypi do të dilte dhe një tjetër pinjoll, që u bë i dëgjuar; ai ishte  Nikoll Ndre Bardheku, udhëheqësi i vonshëm, që gjithsesi ka lënë gjurmë pas në historinë e fisit. Nikollë Ndreu ishte bashkëpunëtor  i ngushtë, si për çështje bese, ashtu dhe çështje kanunore e kombëtare i Gjin Pjetër Pervizit. Pa pjesëmarrjen e Gjin Pjetrit dhe Nikollë Ndreut nuk mblidhej pleqnia në Kurbin.

Emrin e  Nikollë Ndreut e gjejmë edhe në ngjarjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. Në ato kohë të vështira për kombin,kur  sllavët në veri dhe grekët në jugë përpiqeshin që të shkisnin copa të mëdha nga trupi i nënëlokes Shqipëri, atdhetarët u përpoqën që t’i dilnin zot çdo copëze Shqipërie. Edhe Nikollë Ndreu qe një nga burrat që bënë sa mundën për ditën e shënuar të Flamurit. I njohur për ndikimin e tij në zonën e Kurbinit, Nikolla thirret nga Monsinjor Vincens Prenushi dhe zv/ kryeministri i ardhshëm i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikoll Kaçorri në qelën e kishës së Dilbneshit. Aty u fol gjatë për ditën e bekuar të Flamurit, për plakun e urtë Ismail Qemali, që kishte marrë përsipër aktin historik të pavarësisë. Pyetja ishte shtruar fare hapur: Çmund të bëjmë ne këtu në Kurbin? Ndërhyn Nikollë Ndreu: Do të kërkoj ndihmën e Gjin Pjetrit, të cilit i digjet zemra për  Atdhe e Flamur, mezi e pret pavarësinë e vendit. Veprojnë shpejt;  sajonjë një flamur , si ai i Skënderbeut, duke marrë një copë të kuqe dhe një shami të zezë, me të cilën u imitua shqiponja. E merr Nikolla këtë flamur dhe shkon tek Gjin Pjetri në Skuraj. Ky mbledh pleqsinë e Kurbinit dhe aty në kuvend merret vendimi që Kurbini të solidarizohej me Vlorën dhe të bënte fakt të kryer pavarësinë. Në të njëjtën datë me Vlorën, me 28 Nëntor 1912, u mblodhën kurbinsit tek Shterporja e Kokës në Milot dhe përmes të shtënave të pushkëve lajmëruan aktin e pavarësisë dhe e festuan së bashku.

Në  krah të atdhetarëve do të ishte Nikollë Ndreu edhe gjatë Kryengritjes antishqiptare të Haxhi Qamilit, të cilët do ta dënonin me vdekje për  rebelizëm.Ishte kjo arsyeja që së bashku me 20 pjesëtarët e  shtëpisë, Nikollë Ndreu braktis vatrën familjare dhe shkon e vendoset në katundin Lukth të Kthellës. Vendasit i lirojnë një shtëpi. Aty qëndron në ilegalitet derisa asgjësohet Haxhi Qamili.

Si e ndanë komunistët Gjin Pjetrin nga Nikollë Ndreu, pas vdekjes

-Për Gjin Pjetrin, komunistët folën dhe shkruan me respekt, ndërsa për Nikollën Ndreun, jo, përkundrazi e nxinë. Ata nuk mundën t’ia falnin atij ndjenjën antikomuniste. Për shkak të antikomunizmit e dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 1949, ndërhyn në bisedë Ndrecë Gjergj, i cili shton edhe një detaj: Gjin Pjetri sa qe gjallë nuk ndahej nga Nikollë Ndreu. Mirëpo komunizmi i ndau. Pat lënë një fotografi ky, Gjin Pjetri, ku kishte dalë së bashku me shokun e armëve, mikun e pajtimit dhe pleqnimit, Nikollën. Komunistët e detyruan familjen e Pjetrit që edhe fotografinë, që pat lënë në kullën e vet, atje në fshatin Skuraj, ku pat dalë së bashku me Nikollën, ta përgjysmonin me gërshërë; hoqën nga fotografia Nikollën dhe lanë Gjinin, gjë që ishte njësoj sikur t’i hiqje atij një krah. Ç’them, jo jo, ishte njësoj si t’i hiqje një gjysëm zemre. Edhe sot e kësaj dite fotografia e Gjin Pjetrit qëndron përgjysëm, në pritje të vllamit të vet Nikollë Ndreu, i cili kur komunistët e dënuan me burgim të përjetshëm, u paska thënë:”Po më vjen keq se kam me i mbetë borxh qeverisë tuaj pasi nuk më kanë mbetë dhe shumë vite për të shlyer dënimin që më keni dhënë… Po më vjen keq se nuk jam mësue t’i mbetem kujt borxh. “

Ai do të vdiste në burgun e Tiranës. Nikollë Ndreu u dënua edhe pse ka qenë një nga shtyllat e Krahinës. Këshilli i Naltë e ka pasë zgjedh atë këshilltar të Këshillit krahinor të Krujës….

Kur fashistët italianë mbinë si mizat në Durrës ditën e pushtimit të Shqipërisë, shtëpia me emër e Qypve, dërgoi tri pushkë në mbështetje të Abaz Kupit; Gjergj Nikollën, Llesh Gjok Lalën dhe Frrok Preng Ndrecën.

Bardhoku më tregon se Nikollë Ndreu ka pasë  pesë djem:Ndre Nikollën, Zef Nikollën, Gegë Nikollën, Gjergj Nikollën dhe Gjon Nikollën. Një ndër këta, Gjoni ka pasë mbaruar shkollën e oficerave në kohën e Mbretit Zog dhe kishte fituar gradën e kapitenit në ushtrinë kombëtare. Gjoni u vra në vitin 1944 në Pejë të Kosovës. Ishte kohë lufte dhe trupi i të vdekurit nuk mund të sillej pranë familjes. Një mik i familjes Qypi, Lek Tun Gjododa me të motrën dhe miqtë e tij, e qanë sipas zakonit dhe e varrosën në Pejë. Edhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri, pasi Shqipëria dhe Kosova mbetën të ndara nga komunizmi. Nikoll Ndreu priste për kryeshëndoshë në shtëpinë Qypi, kur e ngushëllonin për t’i dhënë zemër, ai përgjigje:Ia kam pasë borxh një djal Kosovës!

Pse dhe si u arrestua kryetari i komunës (lokalitetit) të Milotit

Jeta u tregua e ashpër me Nikollë Ndreun, i cili mbeti vetëm me një djal, me Gjergjn. Kurbinsit tregojnë se  Gjergji ishte sa për njëqind djem; i mençur, trim, burrë i Kanunit, bujar, i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën e Kurbinit, i përmendur në miqësi, në familje, fjalëmbël në kuvend, fjala i zinte vend, i matur, burrë vetëm i cilësive të mira. Ndoshta të tëra këto ishin të mjafta që komunistët, kur morën pushtetin më 1944 e emëruan kryetar komune(lokaliteti) në Milot, dhe anëtar të  Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në Kurbin.

Shtëpia Qypi ka pasë marrëdhënie të ngushta me familjen Kupi në Krujë, që me Sajen e Sanen e Rustemit kundër Haxhi Qamilit, me Abas  Kupin, Ibrahm Kupin e të tjerë. Kjo ishte arsyeja që Abas Kupi me gjithë shtabin e vet, së bashku me misionin anglez; Julian Emrin, David Smailin, me ekspertët kaukazian, që ishin me ta si dhe me krerët e Ballit Kombëtar si Mid’hat Frashërin, Abaz Ermenjin, përfshi edhe Fiqiri Dinen e Preng Pervizin, qëndruan më shumë se tri javë në shtëpinë Qypi.Kur iku Abas Kupi, la tek shtëpia e madhe Qypi shumë armatime; mitralozë të rëndë, bomba, pushkë, fishekë , duke u kërkuar besën se këto armë do të ruheshin aty derisa ai të kthehej. Shumë nga krerët nacionalistë ikën me mendimin se kthimi do të ishte i shpejtë.

–           Për t’ia ruajtur amanetin komandant Abazit, së bashku me kushërinjët e mi materialin luftarak e fshehëm në pyll, më tregon Bardhoku. Mirëpo komunistët me të marrë pushtetin, puna e parë që bënë, ishte çarmatimi i popullsisë, veçanërisht në zonat që s’ishin të dominuara prej tyre. Në atë kohë, kush nuk dorëzonte armët, dënohej dhe pushkatohej pa gjyq. Gjergji qe kryetar i komunës së Milotit dhe kryetar komisioni për mbledhjen e armëve, kështuqë komunistët nuk mund t’ia falnin që shtëpia e tij ishte strehuese e armëve të Abas Kupit, i shpallur “armik në emër të popullit”. Një  natë me shi e erë, rrethohet shtëpia Qypi, gjenden armët e Abaz Kupit dhe menjëherë shkojnë në zyrën e  komunës, ku gjendet Gjergj Nikolla dhe arrestohet. Në fillim deshën ta pushkatonin në Milot, por duke qenë se ishte njeri me influencë të madhe, iu ruajtën ndonjë trubullire dhe e larguan për në  Shpal të Mirditës. Atje deshën sërish ta pushkatonin, por Bardhok Biba, nuk pranoi, duke thënë se kishte miqësi me familjen Qypi dhe ajo ishte me zë në të gjithë krahinën. E dërgojnë në Shkodër, ku ligjin e bënte Tuk Jakova me vëllezër. As Tuku, nuk e mori atë vendim, duke relatuar lart në qeveri se familja Qypi ishte me tradita atdhetare, se kishte luftuar kundër të gjithë pushtuesve, se kishte marrë pjesë në ngjarjet e pavarësisë dhe në ato kundër pushtimit fashist e kundër gjermanëve. Duke qenë se ajo është familje bese dhe e lidhur me Kanun, nuk e shpërdoron amanetin e mikut, nuk është në favorin tonë ta bëjmë kundër nesh, argumentoi lart udhëheqsi komunist shkodran. Në këto rrethana Tuku arrin që ta lirojë me kusht,e ta dërgoj në shtëpi me porosi që të mos përzihej më në luftë kundër komunizmit.

Gjergji u kthye në shtëpi, por nuk hoqi dorë nga takimet me krerët nacionalistë, që vërtiteshin nëpër male si: Mark Gjomarkaj, Sif Merlika, Frrok Mëlyshi, Fran Miri e të tjerë. Komunistët ia ndjekin gjurmët dhe e arrestojnë sërish. Më pas në familje ka një tjetër ngatërresë që bie në sy të qeverisë; djali i Gjergjit, Prenga ikën nga ushtria, më pas arratiset… Ndëshkohet familja; të gjithë internohen në Berat. Pasi vritet Prenga në vitin 1948, rikthehet familja nga internimi. Lirohet edhe Gjergji nga burgu.

Përse la shtëpinë dhe u ngjit në mal Gjergj Nikolla vetë i gjashtë?

Presioni dhe përndjekja prej sigurimit nuk iu nda familjes Qypi. Jeta u bë e padurueshme, shtëpia qe kthyer gati në një burg a në një kamp internimi; vëzhgime të rrepta, presione, kurthe, shantazhe. Pikërisht për këto shkaqe, në vitin 1949 Gjergj Nikolla me pesë djem të shtëpisë Qypi, braktis shtëpinë dhe ngjitet në mal për t’mos u kthyer më aty. Krijohet kështu çeta antikomuniste e përbërë nga pjesëtarë të një fisi:  Gjergj Nikolla, Bardhok Ndreu, Ndue Lala, Zef Gjergji, Pal Lala dhe Marka Gjoni.Masa e parë që mori sigurimi ishte internimi i pjestarëve të tjerë të familjes. Të gjithë ata iu nënshtruan kushteve të skëtershme të kampit shfarosës të Tepelenës, ndërsa më i moshuari i shtëpisë Qypi dënohet me burg të përjetshëm. Bardhok Ndreu ëshët i vetmi prej atyre të gjashtëve i mbetur gjallë, prandaj bisedën e bëj me të.

-Kush është Bardhok Ndreu?

Pyetjes time ai i përgjigjet pas një heshtje, që mu duk se zgjati ca si shumë.

–  Këtu më thërrasin Bardhok Çupi. Është një mbiemër që më mbeti pasi kalova kufirin shqiptar dhe u hodha në Jugosllavi së bashku me gruan për të marrë më pas rrugën drejt Amerikës.

–  Atje më pyetën si e ke mbiemrin?

–  Qypi-u thashë.

Ata siç duket e ngatërruan “Q” me “Ç” dhe më mbeti Çupi. Ndërsa miqtë dhe shokët më njohin si Bardhok Ndreu.

Bardhok Ndreu ka lindur në Malin e Bardhë të Kurbinit  më 5 maj 1915. Baba e ka lënë të vogël. Ishte vetëm 1 vjeç kur i vdiq i ati nga një aksident. Nëna e ka rritur dhe po ajo  e ka martuar. Nikoll Ndreu dhe Gjergj Nikolla e donin Bardhokun njësoj si djemtë e tyre. Nga rinia e vet, Bardhoku nuk veçon ndonjë ngjarje, veç martesën në moshë të vogël. Vitet e Luftës së Dytë Botërore i ka kaluar  duke u marrë me punët e bujqësisë dhe duke u përkujdesur  për bagëtitë. Qypi, ishte familje e madhe dhe qenë pjesëtarët e tjerë të familjes që u rreshtuan në formacionet e Abaz Kupit për të luftuar kundër pushtuesve. Megjithatë, në një farë mënyre edhe ai u përzje me luftën, sidomos kur shtabi i Abaz Kupit, së bashku me anglezët u vendosën për më shumë se dy javë në shtëpinë e tyre.

– Ja me këto duar  i kam shërbyer Mid’hat Bej Frashërit. Vetë ia shtroja dhe ia ngrija dyshekun. Ishte fisnik burrë. I shërbeja me qejf. Abas Ermenji ishte një çik mendje madh, por Mid’hati qe tepër i edukuar dhe shumë i sjellshëm. Kanë qenë në shtëpinë tonë edhe legalistët edhe ballistët, tregon Bardhoku.

– Pushteti komunist ju kishte shpallë person të kërkuar, armik të popullit, përse ndodhi kjo, kur ju s’kishit marrë pjesë në luftë?

– Sepse më 1949 unë kisha lënë familjen dhe qeshë ngjitë në mal me pushkë në dorë.

Si e nxori gruan nga burgu i Krujës Bardhoku dhe si e mbajti 1 vit në mal

-Kam qëndrura tre vjet maleve. Besoj se jam një përjashtim në luftën e maleve. Ndoshta jam i vetmi që për një vit kam qëndruar në mal me gjiithë gruan time, më befason këtë të fshehtë Bardhok Ndreu.

-Si ndodhi që e morët edhe gruan në mal?

Ndërhyn Ndrecë Gjergji për ta sqaruar këtë detaj:- Kur të gjithë pjesëtarët e shtëpisë Qypi i nisën drejt Tepelenës, gruan e Bardhokut, Bardhën, Sigurimi e la tek i ati i saj, në Fushë-Krujë. Ky ishte një kurth, që ata patën ngritur me mendimin se Bardhoku do të shkonte ta takonte gruan dhe ata do ta arrestonin ose do ta vrisnin direkt, por Bardhoku nuk ra në atë kurth.Sigurimi duroi një vit, duke e mbajtur shtëpinë në vëzhgim dhe kur e pa se Bardhoku nuk po binte në atë kurth, arrestojnë  Bardhën me akuzën:Je takuar me Bardhokun dhe nuk ke lajmëruar qeverinë.!Filluan dhe për Bardhën ditët dhe netët e vështira të qelisë e torturave. Bardhokun nuk e zinte vendi që ai rrinte i lirë majë malesh, ndërsa e shoqja dergjej në qelitë e burgut të Krujës. Pas këtij momenti vjen aksioni për lirimin e saj nga burgu, aksion i organizuar nga Nikollë Gjergji e Bardhok Ndreu me miqtë e tyre që kishin në Krujë. Çeta ishte në mbështetje të aksionit. Kështu një natë dimri me shi e erë të fortë, me vetëtima e bubullima, hapet dera e qelisë dhe “njeriu i brendshëm” nxjerr që andej Bardhën, të cilën e priste jo më larg se 100 m i shoqi, Bardhoku me shokët e vet të Çetës. Si ndër përralla, Bardha fluturon nga qelia në mal dhe shpëtoi kështu prej torturave të komunistëve. Qeveria jep alarmin; si kishte mundësi që një grua të thyente derën e qelisë dhe arratisej? Ndjekjet e sigurimit shumfishohen. Kërkohej të kapej e gjallë, por atë e mbronte çeta. Bardhoku, i cili kishte dy vjet në mal, qëndroi edhe një vit tjetër  së bashku me gruan e pastaj kaloi kufirin dhe morën rrugën drejt Amerikës.

-Përse e latë shtëpitë dhe u ngjitët në male? Si u konfliktuat me qeverinë?

– Hallet na ngjitën në mal. Jeta jonë u trodit që në fillim nga regjimi i komunistëve. Që në shtator 1947 jam internuar me 14 pjesëtarë të familjes, përfshirë dhe gjyshin Nikollë Ndreu. Na dërguan në Berat. Jeta e kampeve ende është në kujtesën time ashtu e rëndë e plot tmerre. Arsyeja e interrnimit ishte se një djal i Gjergjit, qe ushtar dhe iku nga ushtria. Pasojat ranë mbi të gjithë pjesëtarët e familjes, të cilët iu nënshtruan internimit. Në kampin e Beratit gjetëm të gjiitha familjet e mëdha shqiptare të shpallura “armike”, familjet nacionaliste, që qenë shpallë humbëse të luftës së bashku me pushtuesit edhe pse ne kishim luftuar pushtuesin me armë në dorë. Atje gjetëm familjet Kupi, të Blloshmeve, të Leshanakut, të Hamit Matjanit, të Previzve, Bajraktarët, Dinet, Kaloshët, ku numërohen të gjithë…

-Ç’punë bënit në Berat?

-Punuam fushave, më pas  na çuan në Kuçovë, në fushën e aviacionit, në bujqësi, në kanale, mbillnim, korrnim.

– Kur ju liruan nga internimi?

-Një amnisti mashtruese , si për t’na vënë në gjumë na liron nga internimi në mars 1948. Por s’kaloi shumë dhe babën e Ndrec Gjergjit e arrestuan. Fati ynë dhe i atij, ndërhyri i gjithë rrethi miqsor dhe ai u lirua. Por nuk zgjati shumë dhe e kapën përsëri. Përse ke ndihmuar reaksionarët? Me këtë pyetje u arrestua. E çuan në burg në Durrës, Tiranë.

Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin

Por prap nuk na u ndanë hallet me qeverinë. Hetuan një djalë të Gjergjit, Zefin- vazhdon Bardhoku rrëfimin e historisë me plot të papritura të familjes Qypi… U akuzua se kishte furnizuar me bukë komitët që donin të rrëzonin komunistët. E kapën e çuan tek Nuri Luçi, e torturuan pastaj e ftuan për bashkëpunim. I kërkojnë që të  priste në besë komitët që kishte ushqyer me bukë. Për këtë qëllim i dhanë helm që të  helmonte  Mark Pirolin. Në të vërtetë, ai i sigurimit, e kishte të vetin Mark Pirolin, por mbi të gjitha kishin besë ideologjinë e komunizmit… E merr helmin dhe  nënshkruan një deklaratë, ku shkruhej e bardha mbi të zezë: Nëse për dy javë  nuk helmohej ose vritej Mark Piroli, Zefi do të pushkatohej.E porositën që në shtëpi të mos tregonte asgjë, ndryshe e priste plumbi.

Kur erdhi djali në shtëpi u tregoi njerëzve të shtëpisë  fill e për pe’ bisedën që kishte patur me ata të Sigurimit, për kushtet që i kishin vënë ata. Pasi u tregoi fill e për pe’ gjithçka, kërkoi mendim në kuvendin familjar: Ç’të bëj tani? Ç’ka të bëjmë? A të frikemi a të marrohemi?-pyetën më të moçmit. Familja mori vendimin që të mos marrohet, pra të mos priten në besë komitët që qenë ushqyer me bukë. Vendimi qe i formës së prerë: Të arratisemi nga shtëpia, të shkojmë në mal, atje ku sigurimi nuk ngjitet!

Dolën në mal, Bardhoku, Gjergj Nikolla me djalin, Zefin, Marku, djali i axhës tjetër, kushërinjtë e Bardhokut, Ndue e Pal Lala. Pra gjashtë vetë vendosën që t’i kundërviheshin qeverisë duke u ngjitur në mal.

– Si kaloi jeta e malit?, e pyes Bardhokun.

-Me halle të mëdha, strehë kishim qiellin, shtrojë kishim tokën. Zoti e bëri kiamet atë dimër, dëborë e madhe, acar. As bukë nuk kishim. Bazat, ç’kohë vinte, zvogloheshin. Sigurimi u xhindos. Ne kishim dalë grup i madh dhe për propagandën komuniste ky ishte një dëm i jashtzakonshëm… Inati i qeverisë u zbraz mbi të pafajshmit; familja u internua sërish në Tepelenë, në kampin e vdekjes. Forcat e sigurimit kërkonin gjurmët e grupit armiqësor që kishte guxuar të sfidonte shtetin.Natë e ditë forcat e ndjekjes kërkonin nëpër male e ndër shpella, por pa arritur dot tek foleja e çetës me 6 kundërshtarët e regjimit. Ata i ndiqnin këmba-këmbës. Në majë të  Malit të Trolles, Sigurimit nuk i shkonte mendja se njerëz normal do të rrezikonin të jetonin në atë dëborë me shumë shtresa e në atë të ftohtë kallkan.

-Pikërisht atje në majë mali ndërtuam një kasollë dhe për tre muaj sikur  u ndjemë rehat-, kujton Bardhoku. Por një ditë aty u ngjitën dy të panjohur. Nuk u kuptua të kujt qenë, të Sigurimit apo gjuetarë të rastësishëm, mëdyshet në kujtesën e vet Bardhok Ndreu. Nuk di ç’të them, përsëdytet ai duke u përpjekur  të largojë mjegullnajën e kujtesës, pastaj shton:  Por i pa roja jonë dhe ata ikën, si duket u trembën për vete. Sidoqoftë, kjo vizitë e papritur na dekonspiroi stanin, të cilit ne i vumë zjarrin dhe e braktisëm rreth marsit të vitit 1950.

-A u ndeshët ndonjë herë me Forcat e Ndjekjes?

– Jo vetëm një herë, por shumë. Ja një rast: Sa kemi dalë në një kryqzim rruge që vinte nga Gjormi, kryqzim me rrugën tjetër që vinte nga Laçi, u ndodhëm në një situatë të vështirë. Gjergji më nxiti që të dilnim, edhe pse ishte shpej. U ndodhëm ballë për ballë Forcave të Ndjekjes. Kërciti pushka. Ishte pyll. Ne dredhuam dhe u humbëm syshë, por ata vazhdonin që të shtinin; dukej se luftonin me njeri-tjetrin se ne kishim kaluar me kohë. Në të vërtetë ne nuk tentonim të vrisnim njeri, donim thjesht që t’i shpëtonim ndjekjes së tyre.

-Një herë tjetër ishim afër Laçit, në Tribnisht, edhe aty krisi pushka e ashpër, por shpëtuam. Ishte natë shtatori i 1950-ës, kujton Bardhoku.

Takimi me Alush Leshanakun

-Ju kujtohet se kur dhe në ç’rrethana u takuat me Alush Lleshanakun?

– Si jo?!- gjallërohet Bardhok Ndreu.  Me 25 maj 1950 ka ardhë Alush Lleshanaku. Ne ishim në malet e  Kurbinit.

– Alushi ishte i vetëm?

– Jo, ishte Alushi, Gjon Gjinaj, Pashko Suma, Pjetër Gjoci, Ndue Gjergj Lleshi, ,Luk Përzefi. Jemi takuar në Mal të Bardhë. Alushi kishte qëllim që të priste radion dhe materiale të tjera qe do te hidheshin nga ajri. Pra kërkohej një vend i përshtatshëm që të bëhej një zbarkim dhe ne duhej ta siguronim. Gjergji thotë se nuk ishte e arsyeshme që zbarkimi të bëhej në Kurbin sepse Tirana ishte jo më shumë se 2 orë larg dhe vinin shpejt përforcime të ushtrisë dhe gjithçka dështonte. Me këtë logjikë edhe Alushi pranoi që të mos bëhej zbarkimi aty. Atëherë u vendos që të bëhej në tjetër vend dhe një pjesë prej nesh duhej t’i shoqëronte mysafirët. Shkova unë, Pal Lala, Zef Gjergji. Kemi ecur drejt Shesh-Ulzës.  I kemi ra përreth Kthellës. Kemi zënë vend megjithë mysafirët. U bë lidhja me radion. Atë ditë që është bërë lidhja me radio, po atë ditë është marrë sinjali nga sigurimi dhe është derdhur ushtria si miza lisi për rreth nesh. Gjithë Rajoni, Mat-Mirditë, zona e Kthellës është futur në darën e sigurimit, i cili i ka bërë tre rrethime zonës. U ndodhëm në një situatë të vështirë; bashkë me të ardhurit ishim 4 pjestarë të çetës së Kurbinit dhe tre të Mirditës.  Nga 5 maj 1950 deri me 15 qershor 1950 vazhdonim të ishim me Alushin. Sidoqoftë  sinjali ynë ishte marrë nga qendra dhe aeroplani erdhi në mbrëmje rreth orës 10.00. Pritej që të hidhej radio e Alushit. Sa u hap parashuta e parë pasi ne kishim ndezë zjarret, ka mbërritur ushtria e sigurimi. Dukej se ata nuk donin të qëllonin natën, prisnin agimin, që t’ia nisnin betejës me sy çelë. E vetmja shpresë jona ishte se forcat e sigurimit ishin të shumta dhe mund të asgjësonin njëri-tjetrin. Sidoqoftë ata e mbajtën rrethimin. Nga ana tjetër ne u vumë në kërkim të materialeve të zbarkuara nga aeroplani.Mbaj mend se kishin parashutuar edhe një grup kosovarësh, thoshin se ishin dërguar nga  Xhaferr Deva.

-Ju kujtohen emrat?

-Po. Riza Alia ishte  komandant i grupit, ishte prej Prizreni, Beqir Bajgora prej Peje, Ahmet dhe  Shaqir Kabashi, dy kushërinjë, Destan Berisha, që mund të jetë diku gjallë ende. Shaqiri ka qëndruar në Bufalo. Ishte dhe Hajredin Vuciterna. I kam parasyshë si tani sepse kam qëndruar gjatë me ta. Ky grup do të shoqërohej prej Alushit drejt Kosovës. Gjetëm një pjesë të mallit: 6 marshina(tip pushkësh angleze, automatike, me 30 fishekë). Gjetëm bomba italiane, fishekë, ilaçe.

-Po radio që priste Alushi, a u gjet?

-Po, e gjetëm. Radion e Alushit e fshehëm në një masë me misër, (misrin e kishin sjellë fshatarët për ta fshehur nga sytë e qeverisë që t’mos u sekuestrohej a të mos u tatohej nga qeveria komuniste).Aty futëm ne dhe parashutën së bashku me radion e Alushit….

 Beteja e ashpër e Sheshit të Shtjarthit, vrasja e Ali Rizait

Bardhoku vazhdon rrëfimin: – Morëm materialet dhe përpiqeshim të lëviznim ngadalë nën hundën e forcave të ndjekjes. Ishim jo më larg se 10 m prej ushtrisë, por ishte errësirë, nuk e shihnim njeri-tjetrin. Me gjithë kosovarët 16 vetë. Të gjithë së bashku nuk mund të iknim, atëherë u ndamë në grupe. Nën shoqërimin tonë duhej të ishin mysafirët. Kosovarët nuk orientoheshin fare, nuk e njihnin terrenin. U ndamë në grupe të vogla, ku në secilin grup kishte nga një prej nesh që njihnim vendin.Sa kemi ecur 200 metra, kemi ra në zjarrin e armëve te sigurimit. Nuk e mendonim se i kishim forcat përpara. Ka filluar pushka në tetë të mëngjesit, betohem se nuk e ndjenim nëse ishin krismat tona apo të forcave të ndjekjes. Kemi rrafshuar një mal me fishekë. Aq e madhe u bë masa me gëzhoja sa nuk shihnim dot përpara. Armët tona, vërtetë ishin të pakta ne numër, por zjarri qe i fuqishëm. Gjon Gjini, propozoi që të lëvizinim sepse ata mund të na kapnin të gjallë. S’kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç’anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija, ai kishte në shpinë radion, me vete kishte dhe 800 napolona flori(më duket se ato iu mbetën komunistëve). E ka pa Zefi dhe ka kërcyer për ta ndihmuar, 20 plumba ka marrë kapota e tij. U vra dhe Pashku. Të vrarët mbetën në fushën e luftës. Një plumb e mori dhe Alushin. U plagos, por nuk qëndroi.. . Ishte trim djali. Nuk bënim dot hap pa u ndeshë me ushtarët e ndjekjes. Pas 100 metra u plagos Gjon Gjinaj. Dolën dy kushërinjtë e mi, u thërras të ndihmojnë Gjonin. Gryka pushkësh më dolën përballë. U tregova më i shpejtë, qëllova para tyre, nuk e di, por më pas më thanë se kisha palosur një duzinë prej tyre…

– Bardhoku është modest, nuk flet për qëndresën e vet, ndërhyn në bisedë Ndrec Gjergji. Bardhoku e tregoi veten sidomos në betejën e Fushë Shtjarthit në Mirditë. Lufta vazhdoi gjatë; Gjon Gjinaj dhe Alush Leshanaku u plagosën; Zef Gjergji mori plagë; kapedani Riza Alija dhe Pashko Suma humbën jetën; një pjesë e shoqëruesve u shpërndane.  Bardhoku mbetet me të plagosurit dhe grupin e kosovarëve. Ai tregohet trim, u bën thirrje shokëve:- Burra të mos koritemi; të luftojmë deri në fishekun e fundit; të mos lëmë në dorë të komunistëve të plagosurit dhe jabanxhinjtë! Kur e pa se një pjesë e shokëve i qe shpërndarë, ai iu drejtua dy kushërinjëve; Pal Lalës dhe Zef Gjergjit: -Nuk do të marrohemi, do t’i shpëtojmë të plagosurit! Dhe prinë i pari e çan rrethimin.

Për këtë betejë, Ndue Llesh Gjergji ka pasë ngritë një këngë:Tash po vin’ retë e Kurbinit/ Si rrufeja shkrep prej qiellit/ Bardhok Ndreu dhe ai Ndue Gjergji,/ Ay Pal Marku dhe Zef Gjergji/ Dy shpi të ndershme në Kurbi/ Të përmenduna në histori/ Shpia e Qypit dhe e Gjin Pjetrit/ Qysh në kohën e Gjin Mjetit/ Kanë luftue kundra davletit/ Vra dhe djeg ushtrinë e Mbretit…

       Dalja prej rrethimit, kthimi në Kurbin

Rrëfimi i Bardhok Ndreut ndjek hap pas hapi ngjarjet: Më pas i shpëtuam grykave të zjarrit. Etja na thau e na shkrumboi. Pas pak ramë në një përrua dhe shuam etjen, por zjarri vazhdonte nga të dy anët pandërprerje. Ne u kishim shpëtuar nga sytë forcave të ndjekjes, por ata qëllonin me tahmina, rrezik ngatërroheshin me zjarrin e njeri-tetrit. Ishin mijëra gryka zjarri, kishin ardhë përforcime nga rrethet fqinjë dhe nga Tirana. Kemi qëndruar të fshehur aty në përrua nga 8 e mëngjesit deri në 2 pasdite. Më pas kemi ecur vetëm këmba-dorazi, herë -herë zvarriteshim. Nëse do të na zbulonte njeri ashtu siç ecnim ne, jam i bindur se do të na qëronte sa kishim mbetur. Dualëm në një lëndinë, por nga pas dëgjonim zjarrin që s’kishte të pushuar. Siç duket luftonin me shoshoqin ata të ushtrisë, ne qemë larguar shumë larg prej andej. Duke qenë se pozicioni ynë dominonte mbi ata që luftonin, e kishim fushën e luftës në pëllëmbë të dorës. Shihnim ushtarët që lëviznin të maskuar, pa ditur ata se ne kishim një orë që i qemë larguar përroit dhe fushëbetejës.Kosovarët, që kishin luftuar si luanë, tash dukeshin të lodhur, mezi mbaheshin në këmbë. Pushkët, gati po u binin duarësh. Ne ishim mësuar me jetë mali dhe nuk e ndjenim aq lodhje. Sidoqoftë duhej të vazhdonim, ndryshe mund të binim në sy dhe rrezikonim. M’u ndanë katër shokë.. Ndue Gjergji, që e njihte vendin mirë, Pjetër Gjoci,  Luk Perzefi,  dhe Prenga nga Kthella. Ndoshta na ndau pushka, ndoshta…. Unë mbeta me dy kushërinjtë e mi, me Pal Lalën  dhe me Zef Gjergjin, ndërsa Gjin Gjoni që ishte i plagosur së bashku edhe me Alushin, nuk po e jepnin veten. Nuk e di sa ditë u bënë që ndiqeshim këmba -këmbës nga Forcat e Ndjekjes. Më duket se kishte hyrë qershori. Derisa u err  dëgjohej pushka atje poshtë në përrua. Më thotë Gjin Gjoni: Si me ia ba Bardhok?

Unë isha i ri, nuk ndjeja lodhje dhe isha i gatshëm që t’i ndihmoja. Ai më kërkon që t’i përcillja deri në Rrëshen, me u kthye andej nga Kthella, me shku në Mirditë, deri diku në Fushë të Lumit. Kjo ishte e pamundur, ushtria asaj ane ishte miza e lisit.

– Gjon, i thashë, për tërmal, për Zotin nuk mund të përcjell asnjë dekik, se nuk kam njerëz të besës që të mbështetem, nuk kam baza. I thashë se  në Rrëshen kam dajat Mëlyshtë, Pal Mëlyshin me vllazën, por unë kam 3 vjet që nuk ua kam parë derën, s’e di, a janë ba komunista , a ç’dreqin janë ba, kështuqë nuk kam besim që të çoj andej. Për tëposhtë, (ishim larg prej Kurbinit, 6-7 orë) po qe për Kurbin nuk të lë vetëm, të çoj ku të duash. U vendos që të shkonim andej nga propozova unë. Sapo u err mirë ia nisëm marshimit. U priva. Kemi dalë tek K. Dervenit.Sa kemi dalë atje, zbardhi drita. Ishim të lodhur, bukë s’kishim as një kore. Kur u err zbritëm poshtë, në Shkopet. Ramë në lumin Mat. Mbaj mend se si Alushi, filloi të lahej me gjithë rroba. Sa dha ballë drita, për fat na erdhën ca bagti aty afër. Kapëm një berr dhe e therëm pasi ia paguam bariut. Na duhej ujë. E njihja vendin. Duhej të vazhdonim. U prina. Ishte një shkallë që duhej të ngjiteshim. Jam ndarë me Palin, ai i binte në njërën anë, unë nga ana tjetër dhe kontrollonim kështu të dy anët. Shkallën e kishim në mes. Pali i ka parë rojet nën rrezet e hënës. Ka qit pushkë . U afrua tek unë; i fola: -Pse qite pushkë? Ai ma ktheu: Partizanët, more, ushtarët…!

Alushin, Gjonin dhe pesë kosovarët i kishim lënë pas, ne ishim pararoja. Po lindëte dielli. Kur na dolën dhe tre partizane; ne i kishim si në pëllëmbë të dorës, ata nuk na shihnin. I qëlluam; dy i vramë, një  u plagos.Vazhduam, iu ngjitëm malit këmbadoras. Dolëm tek Mali Trolles, ku ndanë Mat e Kurbin. Aty gjetëm ujë. Pimë dhe u freskuam.Kishte ardhë nata. Ecëm, arritëm në Skuraj, katundi i Preng Previzit. Dy kushërinjtë aty kishin baza. Ua dhamë emrat e bazave, ku të merrnin buke dhe ushqim. I Çova në Shën Mëri kosovarët, Alushin dhe Gjon Gjinajn. Atje ishte një gurrë me ujë të ftohtë, u lanë , u rruan dhe u bënë si njerëz. Një bari, që e njihja kishte nxjerre dhitë në kullotë. Sa më pa thirri i habitur:-Po ti gjallë qenke , o Bardhok?

-Pse, ç’ka ndodhë?-e pyeta.

-U ba nami, he burrë, ka zbarkuar ushtria dhe policia. Ka kris pushka ditë e natë. Ka 7 ditë që ushtria është duke qit pushkë dhe për shtatë ditë ushtarët ushqehen në vijë të luftës. Po si bre paskit shpëtuar, trima që paskit qenë!

Ndërkohë ai theri një dhi, e poqëm dhe shuam urinë. U kthyen dhe kushërinjtë që sollën bukë e furnizime të tjera,  dhe u ushqyem. Na duhej të ecnim përmes një zone të mbushur me ushtarë. Kishim lënë takim me shokët tanë të Kurbinit. Qe bërë një muaj që qemë ndarë me shokët tanë, nga 25 maj me 21 qershor. U takuam edhe me shokët që qenë ndarë në mënyrë të papritur në kohën e betejës së Sheshit të Shtjarthit;  Ndue Lalën, Preng Lleshin, Ndue Gjergjin, Luk Perzefin.

-Ç’ndodhi me mysafirët që kishit në shoqërim?

– Deri më 19 korrik i mbajtëm aty, në bazën tonë, në Mal të Bardhë.

 Kur Alush Lleshanaku hyri në kinemanë e Tiranës

– Ndonjë mbresë nga takimi me Alush Lleshanakun?- e pyes Bardhokun.

– Alushi ishte shok besnik, gojëmbël, edhe me një fëmijë bisedonte sikur të kishte përpara një burrë. Alushi ishte trim mbi trimat, nuk i trembej syri. Për të tregoheshin gjëra të pabesueshme në popull. Ka shumë rrëfenja. Erdhi shpesh herë në Shqipëri. Më tregonte vetë një herë se kishte shkuar prej Urës së Zogut, përmes rrugës së makinës, drejt e në Tiranë. Veshur me shallvare elbasanse, nje çantë në shpinë, ku mbante veglat e punës, bishti i një çekiçi dukej jashte. Jam murator, thoshte, bëj shtëpi nëpër fshatra. Ai ishte aq trim sa ka hyrë edhe në kinema, ne mes të Tiranës, pa u kuptuar nga forcat e sigurimit, të cilët e kërkonin nëpër male e nëpër shpella. Dhe kjo nuk ndodhi një herë e dy, po shumë herë. Automatikun nuk e hiqte nga vetja, e mbante ngjitur pas trupit. Ishte kjo arsyeja përse e helmuan Alushin para se ta vrisnin. I trembeshin.

– Ju thatë se edhe Alushi u plagos, ku ia mjekuat plagët, ndërhyn në bisedë Hysen Blloshmi, që ndjek rrëfimin e Bardhokut.

– Aty në mal e mjekuam. Gjergji e mjekonte, Gjoni ia ndërronte plagën.

– Po ilaçet ku i merrnit?

– Ilaçet i merrnim tek Marka Zefi. Ai ishte ende në punë, punonte infermier në Milot. Është koha kur Sigurimi ende nuk i kishte rënë në gjurmë, nuk kishte zbuluar se ai mjekonte komitët që vinin për të rrëzuar qeverinë. Marka Zefi ishte infermier i zoti dhe vazhdonte të punonte për shtetin.

– Kur dhe si u largua Alushi nga ju?, e pyes Bardhokun.

–          Me 19 korrik, kam marrë Palin e Zefin dhe e kam përcjellë Alushin deri në kufindarje me Kurbinin; i dhamë me vet një dele të pjekur, 10- 12 kg miell misri, ujë dhe u ndamë në Rubik. Nuk u takuam më dhe nuk dinim se çfarë ndodhi më vonë. Në New York kam takuar Gjon Gjinaj, kam takuar dhe një herë Shaqir Kabashin, Destan Berishën, dhe më tej s’di  gjë. Mësova më vonë se Ahmet Kabashin e vranë, Haredini ishte dorzuar, Beqir Bajgora është vra, edhe Gjon Gjinaj u vra këtu në Amerikë….Ndërsa për Alushin e mësova vonë vdekjen me kurth…E kishin helmuar…

Beteja e Bushneshit dhe rrethimi me tradhëti i Nikollë Gjergjit

Çetat antikomuniste ishin rralluar shumë në malet e Shqipërisë. Forcat e Ndjekjes dhe ato të Sigurimit po dilnin fitimtarë të ndihur edhe nga sovjetikët e sidomos agjenti i tyre në Uashington, anglezi i perfolur Kim Philbi, që më vonë e shpallën hero të Moskës. Shumë prej atyre që vinin nga jashtë binin drejtpërdrejtë në duart e sigurimit shqiptar. Gjergj Nikolla, që pat zgjedhë qëndresën në malet e Kurbinit dhe jo arratisjen jashtë Shqipërisë, vazhdonte të qëndronte e të mos i dorzonte armët. Ai i pat kapërcyer të gjithë kurthet që i qenë ngritur , por  me 5 maj 1952, i tradhëtuar, rrethohet në Fushën e Bushneshit në Mamurras. E gjithë çeta e tij e përbërë prej 7 vetash ishte futur në një darë të hekurt rrethimi. Gjergj Nikolla së bashku me Pjetër Lalen, Gjon Lok Piroli, Pjetër Marku, Gjok Pali, Gjon Perjaku dhe Bib Brahja, nuk iu përgjigjën thirrjes për t’u dorëzuar. Ata qëndruan trimërisht me besë për të luftuar deri në vdekje. Ka shkruar  për aktin trimëror të kësaj çete dhe komandantit të saj, Gjergj Nikoll Ndreu, edhe Mark Dodani, i njohur për librat për sigurimin dhe skenarët e filmave me diversantë, i cili nuk ka mundur  ta fsheh aktin trimëror. Çeta rrethohet në mënyrë të trifishtë;  tre kordona forcash të sigurimit dhe të ushtrisë ishin vendosur njëri pas tjetrit. Rrethimi ishte realizuar në një vend të vështirë, terreni ishte fushor, s’kishte afër as kodra as pyje. Çeta arrin që të luftojë edhe të bëjë disa gropa që t’u fshihej plumbave që binin si breshër. Mitrolozat dëgjonin gjithandej. Zëri i Gjergj Nikollës u jepte zemër shokëve. Ai u përcillte kurajo bashkëluftëtarëve me thirrje kundër rrethuesve. Tashmë e ka të qartë se ka ardhur akti i fundit i luftës së tij. Kronikani i kohës ka përcjellë çastet e kësaj beteje, kur  Gjergj Nikolla thërriste: Poshte komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Rroftë Shqipëria, poshtë këlyshët e Rusisë! Lufta ndizet e rreptë, përforcimet nga Tirana vazhdojnë të vijnë. Dëmtimet në radhët e ushtrisë, e cila ishte shumë e ngjeshur, sa vinte e shtohej. Mitrolozat e rëndë siç dukej qëllonin forcat përballë; vrisnin njeri-tjetrin… Për shumë orë lufta mbetet e ndezur. Thonë se luftën e  drejtonte përmes telefonit vetë Mehmet Shehu, ish Ministri i Mbrojtjes, i cili po nervozohej me oficerët e vet: Si nuk po arrini të asgjësoni një çetë me 7 vetë?! Ç’qenka ai Gjergj Nikolla?!U perdoren te gjitha armet. U erdhi radha edhe tankeve, thotë Bardhoku, të cilët gjëmojnë në fushën e betejës. Kur mbërritën tanket, Gjergj Nikolla e pa se çetës i erdhi fundi. Ai jep urdhër për sulmin e përfundimtar, sulmin e vdekjes: Në sulm, për jetë a vdekje! Sulmi qe i fuqishëm, ashtu siç mund të jetë një përpjekje për të sfiduar vdekjen, që kishte zgjatur thonjtë e përgjakur për  të rrëmbyer jetët e të shtatëve. Kalohet rrethimi i parë, por në të dytin, plumbat vërshojnë nga të gjitha anët dhe përplasen në gjoksin e komandantit të çetës, Gjergj Nikolla. Thuajse të gjithë ishin plagosur. Pjetër Llesh Lala, i kushëriri, i thotë Gjergjit se nuk do të ndahet nga ai as në vdekje dhe me një plumb vret veten, pa rënë i gjallë në dorën e ushtrise. Pjestarët e tjerë të çetës kapen të gjallë. Gjon Lok Piroli varet në litar në Milot, të tjerët dënohen me  burgim të përjetshëm.

***

Ja kjo ishte një copëz nga historia e familjes atikomuniste Qypi, e cila u përgjak me komunizmin. Ajo i ka dhënë nacionalizmit djemtë e saj më të mirë, ndërkohë që një pjesë prej tyre u detyruan që të largohen nga Atdheu dhe të emigrojnë në dhe’ra të huaja, një pjesë këtu në SHBA.

Ja pjestarët e familjes Qypi, që janë të vrarë nga komunizmi:

  1. Gjergj Nikolla, vrarë me 5 maj 1952
  2. Prend Gjergji, vrarë me 24 korrik 1948
  3. Zef Gjergji, vrarë me 20 qershor 1951
  4. Marka Gjoni, vrarë me 20 qershor 1951
  5. Kole Gjoni, vrarë me 10 nëntor 1951
  6. Jak Mark Lala, vrarë me 10 nëntor 1951
  7. Pjetër Llesh Lala, vrarë me 5 maj 1952
  8. Mark Preng Ndreca, varrë në tetor 1947
  9. Nikollë Ndreu, vdes në moshën 84 vjeç në burgun e Tiranës.

 

–

Filed Under: Histori Tagged With: e Bardhok Ndreut, Nje histori e rralle

PERBINDESHI

February 4, 2014 by dgreca

Nga ISMAIL KADARE/*

Dje më thirri Priami. Ishte i ngrysur. Qeskat e syve, për të cilat ankohej aq shumë skulptori i pallatit gjatë kohës që i bënte bustin e fundit, i vareshin më keq se çdo herë. S’e kisha parë kurrë aq të dërrmuar.E folura e lij ishte e lodhur, e turbullt. Laokoont, më tha, ti duhet ta kuptosh vetë gjithë këtë që po ndodh me ty…

Nuk dija se ç’ndodhte me mua dhe aq më pak seç’duhej të kuptoja. Megjithatë, nuk i bëra asnjë pyetje, me shpresë se do ta sqaronte vetë.

Më në fund, e mora vesh. Ishte fjala për ca letra, shumica anonime, kundër meje.

Por kjo s’është hera e parë, madhëri, i thashë;

Ai u kthye vrylltas.

Këtë herë është ndryshe, Laokoont, thirri me zë të ngjirur.

Nuk di si u përmbajta pa i thënë: mjaft me këtë histori të mërzitshme. Në qoftë se doni paqe me grekët, bëjeni. Veç votën time s’do ta keni kurrë.Ai vazhdoi të fliste po aq turbullt si edhe më parë. Më tha se përherë e më vështirë e kishte të më mbronte dhe pyetjes sime se nga kush duhej të më mbronte, nuk iu përgjigj.

Këtë herë është ndryshe, Laokoont. Nuk më hiqeshin nga mendja këto fjalë edhe pasi u ndava me të.Pasdite, në mbledhje të qeverisë. pata për-shtypjen se takimi ynë qe marrë vesh. Sytë e kundërshtarëve të mi ishin më zhbirues se kurrë, Por unë s’e bëra veten. Madje, u duk se u habitën pak nga toni im i ashpër kur e pyeta shefin e policisë se a ishin gjetur më në fund ata qe kishin vënë shenja në portat e mjaft trojaneve dy javë më parë. Kur ai u përgjigj >? unë gati sa nuk i ulërita:

Dy muaj më pas. Vdekja e Thremohut

Në të vërtetë, Thremohu vdiq gjashtëdhjetë e nëntë ditë më pas, por as Laokoonti dhe askush tjetër në Trojë nuk e morën dot vesh mbarimin e tij, për arsyen e thjeshtë se Troja vetë ndërkaq kishte vdekur.

Ka të ngjarë që në kohën që ai ishte në kllapi dhe gjymtyrët i ngrinin çdo ditë, hiri i Trojës ftohej gjithashtu dalngadalë në brendësi të rrënojave, atje ku e ftohta mbërrinte më me vështirësi.

Nuk dihej asgjë nëse ai e mori vesh apo jo rënien e Trojës. Nga ato pak fjalë të gjetura më pas në pllaka argjili dhe që mendohej se mund të ishin të tij, ishte vështirë të kuptohej kjo.

Thremohu mbërriti te hittittët pothuajse i sëmurë. Dëshpërimi i ndarjes me të vetët, ankthi për fatin e atdheut, mëdyshjet e ndoshta pendi-mi për atë që po bënte, e kishin ligështuar krejt. Më kot përpiqej t’i jepte zemër vetes, duke kujtuar fjalët e miqve të tij se ai mbante në trurin dhe në mushkëritë e tij lavdinë e Trojës. E gjithë kjo vazhdonte pak kohë dhe mjaftonte një fjalë apo shprehje dyshimi e hitittëve që ankthi të rifillonte.

Në të vërtetë, ndonëse në atë kohë ishin në marrëdhënie të mira me Trojën, hitittët nuk e fshehën mosbesimin e tyre ndaj tij. Pyetjet e tyre ishin tejet të bezdisshme: ç’ishte kjo gjë që duhej regjistruar në pllaka argjfli, përse me kaq ngut dhe ku do të çoheshin pastaj pllakat?

Moskuptimi shtohej ngaqë vetë hitittët nuk kishin pasur e as kishin diçka sado pak të ngjashme me «Ylliadën», e aq më pak të shkruar në pllaka. Ata i përdornin pHakat kryesisht për shkresa dhe raporte të ambasadorëve, kështu që ideja se në to mund të regjistrohej një vajtim (ngaqë s’e gjente dot fjalën poemë në hetittisht, Thremohu e zëvendësoi atë me vaje), pra ideja e një regjistrimi të tillë, përpara se t’u dukej i dyshimtë, u ngjante hititteve qesharake.

Të gjitha këto e sfilitën edhe më Thremohun, dhe ndoshta do të hiqte dorë e do të përpiqej të kthehej në Trojë kur, me sa dukej, pikërisht që andej mbërriti raporti i fshehtë i ambasadorit hititt, ku jepte të dhëna për Thremohun dhe për misionin e tij.

Kjo e ndryshoi përnjëherësh qëndrimin ndaj poetit. I siguruan gjithçka që i duhej, pllakat, shkronjësin si dhe specialistët që do të kthenin tingujt e gjuhës së trojanëve në shenjat kuneiforme.

Thremohu nuk dha asnjë shenjë gëzimi për këtë. Me sytë e zbrazët vështronte pllakat argjilore dhe tërë qenia e tij, fytyra, flokët, duart nuk jepnin veçse një brengë të pafund.

Ditë të tëra ai qëndroi ashtu përpara pllakave. Herë-herë dukej se do të niste të fliste, por te nofullat i sajohej një dridhje frenuese, thua se sipër tyre kishte pranga.

I heshtur, grupi i ndihmësve ndiqte vuajtjen memece pa e kuptuar kurrsesi shkakun e saj. Disa kujtonin se e kishte harruar tekstin (ç’nuk do të jepja për ta shqitur nga mendja atë ferr, i kishte thënë më pas njërit prej tyre), të tjerë ndërmendonin pandehma nga më të ndryshmet, kurse brengën e tij të vërtetë, atë ndjenjë faji, rnëkati dhe tmerri që provonte ai përpara pllakave, nuk e përfytyronte dot askush,

Ishte një vuajtje e vjetër e racës së aedëve. Kishte nisur shumë kohë më parë, qysh nga shpikja e shkrimit, dhe sidomos nga koha kur një zë i mallkuar kishte hedhur së pari idenë se këngët e aedëve gjithashtu mund të shkruheshin.

Shpallja e rënies së murtajës do të ishte më e lehtë për veshët e aedëve, se sa ky lajm. Si të shtyrë nga një erë e marrë, nisën të vërtiteshin andej-këndej, trokisnin te njëri-tjetri, qanin hallin, shkulnin flokët e gjatë dhe mallkonin sumerët, shpikësit e shkronjave. Disa u nisën e shkuante sundimtarët që njihnin për të kërkuar drejtesi, të tjerë ranë në dëshpërim, u arratisën në vise ku shkrimi s’qe shpikur ende, u çmendën ose vranë veten.

Në qoftë se shpikja e shkrimit ishte një nga tragjeditë më të mëdha të njeriut, sepse pikërisht mendimin e tij të lirë e nguroste me prangat e shkronjave, për aedët ajo shpikje ishte dhjetëfish vrastare. E kishin më lehtë të mendonin fundin e botës se sa këngët e tyre të ngulura në pllaka, të kryqëzuara, o zot, me kanxhat e shkronjave, si të dënuarit me vdekje.

Jo, jo, ulërinin dhe iknin prapë si të marrë sa andej-këndej, ktheheshin nga kishin ikur, niseshin për drejtim të panjohur me shpresë se do ta përhapnin pikëllimin, por ai s’iu ndahej. Nuk bën të mbërthehet kënga me shkronja, dënesnin në të gjitha bujtinat ku i zinte nata. Ashtu kënga vdes, s’merr dot frymë. E ngule në pllakë, është njëlloj si ta kesh shtrirë në arkivol. S’të ngrihet më të të mbushë mushkëritë kur ta thërrasësh. Dejet i ka të ngrirë, as gëzim të ri, as mërzi të re s’fut dot në to. Dhe as e ndryshon dot dhe as e tërbon dot si femrën në orët e dashurisë, ngaqë është e vdekur. Klith atëherë dhe ti rroposu më mirë në dhë, qaj me dyzet palë lot.

Të gjitha këto i qenë kujtuar me siguri Thremohut në orët e mpirjes tek vështronte pllakat prej argjili. Gjithë ai trazim i aedëve kishte bërë, më në fund, që shkrimi i këngëve të tyre të ndalohej me dekret. Kurse ai, i pari ndoshta, po e thyente besën.

Ti e bën për Yllijonin, i thoshte vetes, për Trojën. Ajo është mbi të gjithë ne. Zemra i ndillte zi dhe, ashtu si midis zisë, regjistroi më në fund tre vargjet e para të «Ylliadës». E kishin zënë ethet apo tronditja e trurit i kalonte gjymtyrëve? Ishte i verdhë në fytyrë, dhëmbët mezi i mbante të mos i këreëllitnin, kishte ftohtë. Mezi e regjistroi rreshtin e katërt: «Për Trojën do t’ju vijë keq, por do të jetë vonë, gjithmonë vonë». Të pestin s’arriti ta këndonte dot. Nofullat iu rënduan papritur, si t’i kishte prej metali që ka zënë ndryshk.

Mjekët nuk ia lehtësuan dot gjendjen. Në ditët e mëvonshme, në orët e pakta kur erdhi në vete, arriti të regjistronte edhe ca vargje të tjera, por jo fort të lidhur. Më tepër ngjanin si përcartje. Në njërin nga rreshtat përmendeshin anijet greke dhe Helena që i vështronte. Vargjet e tjera nuk kuptoheshin mirë. Pas varrimit të tij grumbulli i pllakave, rreth njëzet copë, mbetën për një kohë të gjatë në një nga qilarët e ngrehinës së gjyqit. Ngaqë s’dinin ç’të bënin me to, menduan t’i dërgonin në kryeqytet. Por që andej kishte ardhur ndërkaq urdhri që të mos çohej më asgjë që kishte lidhje me Trojën, meqenëse Troja nuk ishte më. Kështu që arka me pllaka kaloi disa herë nga ndërtesa e gjyqit në atë të sendeve të gjetura e anasjelltas. Kur kjo e fundit u boshatis në prag të shëmbjes, ngaqë në vend të saj do të ngrihej një ndërtesë e re, midis sendeve që u morën prej banorëve ishin dhe pllakat prej argjili. Njeriu që i mori i përdori pjesën më të madhe për shtrimin e banjës së shtëpisë, kurse disa i ngjiti për zbukurim te le fyti i kroit që kishte në oborr.

Vite më pas, fill pas një epidemie murtaje. ajo shtëpi. ashtu si edhe shumë të tjera rrotull, Pasi mbeti vite të tëra e shkretë u rrënua. Kroi u prish gjithashtu dhe për një kohë të gjatë djerrina përreth u kthye prej rrjedhës së tij në baltovinë. Pllakat me përcartjet e fundit të Thremohut shfaqeshin e zhdukeshin aty-këtu midis baltës, por ngaqë rreth e qark s’banonte më njeri, askush nuk i vuri më re.

Dy mijë e pesëqind vjet më vonë, kur një prej hordhive të Timur Lengut kaloi si erë e marrë andej, potkoi i një prej kuajve theu diçka të fortë që ndriti një çast në diell tek ndahej më dysh. Sytë e kalorësit që vinte pas e kapën atë shkëlqim, madje ktheu kokën për ta parë edhe një herë, por hordhia kalëronte aq shpejt saqë s’qe e mundur asnjë ndalesë dhe, vec kësaj, pluhuri kishte mbuluar ndërkaq gjithçka.

Ishte, me sa dukej, gjysma e pllakës që u gjet gjashtëqind vjet më pas, pak kohë përpara se të niste deshifrimi i hetittishtes. Midis mijëra pllakave të tjera me raporte e shkresa zyrtare, ajo ishte e vetmja që kishte sipër saj vargun apo më saktë gjysmën e vargut të një poeme. Fjalët e deshifruara ishin gati-gati profetike: «por do të jetë vonë, gjithmonë vonë».

Një vit pas rënies së Trojës. Në pallat të Menellaut. Pranverë

Ai dëgjon zërin e saj nga dhoma e miqve dhe mbyll sytë. Ndonëse ka kaq muaj që e ka pranë, çdo ditë e re i ngjan si e mbuluar me një vello ëndrre. Sidomos mëngjeseve.

Në vitet e mërzisë kaq herë e ka parë vërtet në ëndërr. S’kishte gjë më të hidhur se zgjimi pa të. Madje, disa herë i ka thënë mjekut të gjente një bar që t’ia hiqte ëndrrat. Nuk ka bar të tillë imzot, i përgjigjej tjetri.

Dhe ja, tani, ajo është pranë tij. Midis zërave të miqve dëgjohet e folura e saj. Nuk i durohet sa të shkojë edhe ai, ndaj i bën shenjë krehtant të shpejtojë. Rrallimi i flokëve ka qenë një nga mërzitë më të mëdha pas ikjes së saj. Sa herë takonte kënd, thoshte me vete: ndoshta ky e vë re që flokët më kanë rënë dhe me siguri e lidh me të… Aq më tepër që ai, pushtim trojan, kishte gjithë ato flokë.. . Po tani dergjet nën tokë bashkë me to…

Më në fund, krehja mbaron dhe ai shkon të takojë miqtë. Si shumica e bujtësve, ata janë plot lajme. Flitet se vejusha e Agamemnonit bashkëjeton haptas me dashnorin. Pra qenkësh e vërtetë se shkaku i vrasjes së burrit ka qenë kjo lidhje dhe jo ato dokrrat gjysmë politike.

E poshtra, thotë Helena, dhe të gjithë e ndiejnë se mezi e mban veten për të mos thënë «putana». Ndonëse e ka kushërirë, ajo është më e rrepta kundër saj. Ajo është përgjithësisht e rreptë me të gjitha gratë që përfliten tani për ndonjë histori dashurie. Gojët e liga thonë se bëhet xheloze për to, tani që vetë ka hequr dorë nga dashuritë. Thonë se shpesh ndodh kështu me gratë që kanë bërë proçka në rininë e tyre. Por Menelau s’do ta besojë këtë.

Për të ndërruar bisedë, ai pyet për Odiseun. Por për të s’ka ende asnjë lajm. Ende s’ka mbërritur në Itakë dhe një zot e di se ku ndodhet. Ka gjasë që të jetë mbytur. Megjithatë, gruaja e tij, Penelopa, ka kthyer mbrapsht të gjithë dhëndurët e mundshëm. Për nder, ajo është grua.

Kur biseda sillet prapë rreth besnikërisë së grave. bujtësit përpiqen t’i shmangen ngaqë iu kujtohet proverbi se në shtëpinë e të varurit s’flitet për litar. Mirëpo për habinë e tyre as Menelau, as Helena nuk bezdisen prej saj. Përkundrazi, kjo e fundit e cyt edhe më. Bujtësit s’dinë ku t’i çojnë sytë kur ajo flet për virtytin, por ndërkaq ajo e përmend vetë prockën që ka bërë, dhe

me këtë shpërthim sinqeriteti i çliron të gjithë. Biseda bëhet dyfish e gëzueshme.

Sado që përpiqen t’i largojnë mendimet mëkatare, sytë e bujtësve përherë e më shpesh ndalen mbi format e trupit të së zonjës së shtëpisë, ashtu siç spikatin pas tunikës së hollë. Zot, sa shpejt ikën koha. Ajo ka qenë rreth njëzet e pesë vjeçe kur ka bërë atë, aventurën, dhe tani i ka kaluar të dyzetat. Është shëndoshur pak në ijet. mollëzat i janë zgjeruar, krahët i janë mbushur edhe më, megjithatë, është po aq e dëshirueshme si atëherë, në mos më tepër.

Që kthimi i saj ka trazuar si asnjëherë tjetër ndjesitë e grave të qytetit, këtë e ka dëshmuar numri i lartë i lindjeve nëntë muaj më pas.

Por s’është vetëm përfytyrimi i bujtësve që përndizet prej saj. Menelau vetë, ndërsa e pret që ajo të mbarojë banjën, është gjithë epsh. Ndërkaq, epshi i tij nuk është pa një lidhje me bujtësit. Çdo bujtës është për të një rrëmbyes i mundshëm i së shoqes. Por për habi të tij, bashkë me egërsimin dhe alarmin, një ndjesi e turbullt dëshire e përmbyt. Është si një magmë e errët, që një mekanizëm misterioz e nxjerr nga kushedi ç’thellësira.

Ajo del më në fund nga banja dhe ashtu e zhveshur shtrihet përbri tij. Ai kundron për një kohë të gjatë pjesët intime të trupit të saj. Pas-taj me zë të ulët, i bën një pyetje që ia ka bërë edhe herë të tjera: në cilin ishull i qe dorëzuar së pari atij?

Po ta kam thenë. . . S’e mbaj mend mirë… Ishujt ishin të gjithë pa emra dhe të ngjashëm.

Zëri i saj është gjithashtu i mbytur në frymëmarrje, cka e bën edhe më djegëse ndjesinë e tij.

Kujtohu, megjithatë…

S’e mbaj mend. Ka kaluar kaq kohë. Ndoshta në anije. Por ajo lëkundej dhe mua më përzihej…

Po pastaj në pallat? Në pallat, në Trojë, ishte më mirë, apo jo?..

Po… Atje ishte ndryshe… Veç kësaj, më kujtohet se natën e mbërritjes sonë shumica e dritareve të Trojës patën dritë deri ndaj të gdhirë.

Atje patë orgazmën e parë me të?

. . .Po.

Heshtje.

Por kjo ndodhte rrallë. Ai ankohej vazhdi-misht për ftohtësinë time…

Ashtu? Pushti.

Ankohej gjithashtu që s’bëja më fëmijë…

Hm… Po me Dejfobin ishte ndryshe… Pohoje se me të kishe më shumë dëshirë.

Si të them… Po… Është e vërtetë… Veç atij vetë që ishte më i mirë se i vëllai, klima për-reth ishte e tillë… S’di si ta shpjegoj. . . Ndihej ankthi i Trojës… Parandjenja që ajo do të binte… Gjithçka ngjante si festë e si zi njëkohësisht.. Kjo, me sa dukej, më ndizte… Veç kësaj, e dija që ti ishe më pranë se kurrë, së shpejti do të bashkoheshim, sidomos…

Çfarë sidomos?

Sidomos kur nisi ndërtimi i atij… kalit prej druri— Gjithfarë marrish fliteshin për të… Që ti ishe fshehur brenda bashkë me të tjerë… Zot, ç’marrëzira; megjithatë, ndonëse e dija që ishin të tilla, kjo s’më pengonte ta përfytyroja veten duke ardhur atje…

Ku atje?.. Vazhdo… Fol edhe më..:

Atje pra. .. te kali… të dilja natën fshehurazi nga porta e qytetit… të vija në këmbët e përbindëshit dhe ti të lëshoje që lart një litar që unë të ngjitesha…

E pastaj?..

Pastaj të zhvishesha dhe të bënim dashuri. . . Ashtu si dikur.

Ah… Ashtu…( Fragmentet jane marre nga “Perbindeshi” I shkrimtarit Ismail Kadare. Konkretisht jane kapitujt X, XI, XII.)

 

Filed Under: Featured Tagged With: fragment, Ismail Kadare, perbindeshi

Politikanët milionerë në shtet të varfër

February 4, 2014 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/

Kosova konsiderohet i vendi më i varfër në rajon. Por, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, edhe në Kosovë ka qytetarë milionerë.
Disa përfaqësues të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qoftë qendrore apo lokale, janë milionerë dhe të tjerë vlerësohen shumë të pasur.
Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze.
Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shpesh kanë ngritur këtë çështje, madje duke e vlerësuar shqetësuese këtë fakt, në një vend ku një pjesë e qytetarëve mezi sigurojnë bukën.
Në Kosovë, ku paga mesatare është deri në 400 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion,Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.
Ai thotë se diferenca e krijuar në shoqëri në vitet e pasluftës është e pajustifikueshme.
Preteni thotë se nuk është problem të jesh milioner, por më rëndësi është që të gjenden ata që kanë krijuar milionat, për një periudhë të shkurtër kohore, duke mos e respektuar ligjin.
“Është e vërtet se është vështirë të përballohet me zyrtarë të  lartë të cilët kanë deklaruar vlera të lartë monetare apo kanë pasuri të patundshme që përkojnë të jenë milionerë. Ndoshta nuk janë të tillë, por janë shuma të larta të cilat vështirë të besohet se në Kosovë për një kohë të shkurtë janë fituar”, tha Preteni.
Në vitin 2011, Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit kishte bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner.
Paradoks e quan këtë situatë Fidan Kalaja, nga organizatat joqeveritare “Fol”.
Aspekti më i tmerrshëm, sipas tij, është se në Kosovë rreth 20 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, kurse rreth tre për qind e popullatës, siç thotë ai, të instaluar në institucione të ndryshme publike, pasuria e tyre llogaritet të jetë deri në një miliard euro.
“Burimi i krejt kësaj pasurie është shumë i thjeshtë – abuzimi më pushtetin ka bërë që të kemi politikan që kanë pasuri milionëshe apo edhe miliardshe.
Këta zyrtarë kanë shfrytëzuar pushtetin që krijojnë miliona dhe kanë shfrytëzuar pushtetin që të formojnë biznese, biznese këto që më pas kanë përfituar nga pushteti”, thotë Kalaja për Radion Evropa e Lirë.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.
Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” shprehet i çuditur me faktin se në Kosovë milionerë nuk janë biznesmenët, por një pasuri të tillë e kanë politikanët.
Me standardet e jetesës dhe më pagat e administratës publike, Abdixhiku konsideron se ka një shpërputhje të madhe  më pasurinë e politikanëve në vend
“Është e pakuptimtë se si politikanët kosovarë gjenerojnë kaq shumë pasuri me një pagë simbolike në relacion pasurinë e tyre. Duhet të ketë resurse apo burime tjera të financimit të kësaj pasurie jashtë politikes”.
“Me nivelin e lartë të korrupsionit dhe më gjithë këtë perceptim të keqpërdorimit të parasë publike është e drejtë të ngrihet dyshimi që ka keqpërdorime të mëdha, të cilat në fund të përfundojnë te pasuria individuale e politikanëve të Kosovës”, shprehet Abdixhiku.
Sidoqoftë, Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave janë të përkushtuara që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.

 

Milionerë nga biznesi apo politika?

 

Kompanitë më të suksesshme private në Kosovë thuhet se janë të afërta me zyrtarë të partive të ndryshme politike që veprojnë në vend, apo që janë të krijuara nga vetë politikanët dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësues nga organizatat joqeveritare dhe njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se aktualisht bizneset në Kosovë janë të orientuara dhe të ndikuara nga politika. Sipas disa hulumtimeve që ka bërë Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thuhet se sektori privat është tepër i varur nga sektori publik dhe shumë shpesh kompanitë më të suksesshme janë të afërta ose të themeluara nga politikanët.
Udhëheqësi i kësaj organizate, Avni Zogiani, thotë se kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera. 
“Sipas hulumtimeve të fundit të organizatës ‘Çohu’, kemi gjetur se 10 milionë euro nga tenderët publikë, iu shkojnë kompanive që kanë financuar apo përkrahur politikën në një mënyrë apo një tjetër, ose kanë qenë të themeluara nga politikanët apo nga të afërmit e tyre”, shprehet Zogiani.

Vetë fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët  janë bërë biznesmenë, thotë profesori i ekonomisë, Musa limani, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike.
Një numër i deputetëve dhe zyrtarëve të lartë në ekzekutiv jo zyrtarisht janë edhe biznesmenë, thotë Limani, duke shtuar se kjo ka bërë që të bëhen milionerë në një shtet ku varfëria dhe papunësia është shumë e madhe.

…për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar.

“Unë them se njerëzit që gjenden në institucione edhe më të larta shtetërore, deputetë, ministra, zëvendësministra, të cilët i kanë bizneset e veta dhe faktikisht duke keqpërdorur pozitën e tyre në këto institucione, mbështesin dhe e favorizojnë biznesin e tyre. Prandaj unë plotësisht pajtohem se për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar”, thotë Limani.
Në Kuvendin e Kosovës konsiderohet se janë rreth 40 deputete, të cilët kanë deklaruar pasurinë e tyre më shumë se një milion euro. Këta deputetë janë nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosja. Disa nga ta janë zyrtarisht pronarë të kompanive të ndryshme, e disa jo zyrtarisht njihen si biznesmenë.

Por, megjithatë, deputetët biznesmenë nuk mund të ndikojnë në jetën ekonomike, thotë Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse ai pranon se disa deputetë, anëtarë të këtij komisioni, njihen edhe si biznesmenë, Pajaziti shprehet se prezenca e tyre në këtë komisionin ka ndihmuar shumë në përmirësimin e mekanizmave ligjorë sa i përket sektorit privat.
“Në fakt, në komisionin që drejtoj unë, ka disa deputetë që kanë bizneset e tyre, por për të qenë plotësisht korrekt dhe i sinqertë, krejt çka kam vërejtur unë, ata në procesin e trajtimit të ligjeve kanë shfaqur më shumë njohuri dhe interesim për shkak se e njohin më mirë atë profil.  Por, nuk ka pasur asnjë rast që ndikimi i biznesit të tyre, të ketë ndikuar te profili i ligjit apo të mbrojnë fizionominë e ligjeve për të mbrojtur bizneset e tyre”, thekson Pajaziti.
Zyrtarë të Qeverise së Kosovës, tashmë kanë deklaruar se Qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit. Sipas tyre, ekzekutivi ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani nuk ka interesa të caktuara.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne shtet te varfer, Politikanet milionere

Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

February 4, 2014 by dgreca

Nga ANTON  ÇEFA/

Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.

Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.

Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu  edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së  parë.

Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën  e  kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.

Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e  mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë,  siguroi  edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.

“Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij  është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.

Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.

Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë  e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.

Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.

Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.

Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..

Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.

Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.

Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua  se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”

Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”

Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.

Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, Idriz Lamaj, mergata, Xhaferr Deva

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT