Nga Aeksandër Çipa/
Me shkrimtarin Odise Kote unë kam pasur një pjesë të gjatë jete të jetuar bashkërisht në të njëjtin qytet. Në atë qytet që jep shumëcka, por më së shumti letërsi. Odisea është dëshmuesi dhe letërsia e tij është prova. Ndërsa qyteti, pra Gjirokastra, është vendi ku rëndom fitohen dhe gjenden provat. Odisea është një ndër shkrimtarët e radhës në këtë qytet që bën vendin e vet në një mënyrë të adhurueshme. Eshtë një mënyrë që më të shquarit e këtij qyteti, si për shembull Ismail Kadare, nuk e patën të njëjtë. Jetuan rininë e parë në qytet dhe e mbartën atë, pra qytetin, libër më libër si thelb e brendi të suksesshme në marrëdhënie me lexueshmërinë brenda dhe jashtë hapësirës shqip-lexuese. Odisea është shkrimtari tjetër, i paikshmi prej qytetit dhe i zoti të gjejë e sjellë letërsi nga gjithëkohët e jetës së qytetit.
Në trininë e shenjtë të kohësisë; së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, shkrimtari Odise Kote për shkak të raportit mendor e shpirtëror që ka me qytetin e vet të lindjes ka gjetur materien dhe bindjet e veta për letërsi. Eshtë i pakompleks ndaj shkrimtarit më të shquar e më të suksesshëm të qytetit e vendit të vet, pra, ndaj alteregos së vet , Ismail Kadaresë, sikundër është edhe këmbëngulës i drejtëpërdrejtë për të shtuar në letërsinë shqipe libra prej Gjirokastre. Prej qytetit, ku takimi dhe përshëndetja e cdo vizitori të krijon bindjen e gjetjes së personazheve. Madje, duhet thënë se në këtë qytet, ngjet edhe sfidimi i shumë shkrimtarëve. Gjirokastra ta shpall paaftësinë për ta rrëfyer, pa kompromis. Shkrimtarët e mencur, pse jo ndër ta edhe të talentuar, e kanë shmangur sfidën, duke e lënë jashtë letërsisë së tyre qytetin. Pasi e shihnin dhe e ndienin, se ai e qesharakëzon letërsinë e pacilësishme.
Mirëpo rasti i Odise Kotes është krejt i kundërt. Janë disa libra të tij që e tejkalojnë këtë provë e ndër ta sipas meje, përmbledhja me tregime “Vejusha”, në mënyrë të vecantë romani “Betimi i rremë” dhe së fundi shumëbindës, romani “Ura e Margaritës”. Gjatë leximit të këtij romani, vetvetishëm në ecurinë e leximit, më është krijuar përshtypja dhe kam shijuar pasazhe reminishencash të ngjashme me librat e Ismail Kadaresë, Danilo Kish, pse jo disa herë më është fanepsur Khaled Housein. Shumëkujt jam i bindur që për shkak të temës, t’i krijohet bindja se kemi të bëjmë me të njëjtin madem tematik letrar si në tri romanet e fundit të Ben Blushit., etj.,etj. Pa patur mundësinë për të qëndruar në një diskurs analitik letrar, do të doja të shprehja vetëm disa këndvështrime personale të cilat nuk e ndajnë shkrimtarin nga tri elementë të jetë-veprimtarisë së vet:
I pari është qyteti, pra Gjirokastra.
I dyti është profesioni, gazetaria, së cilës Odisea më shumë ia ka jetuar dhe ia ka vënë në dispozicion ditët dhe orët veta të gjata jo thjesht si raportues, por si një narator raportimi. Me të kemi kaluar disa vite pune, por më domethënëshëm kryerendisim vitin e mbrapshtë 1997, kohë, kur në atë realitet tragjik dhe fatkeqësish, pashmangshmërisht cdo gazetar do të fitonte mundësi suksesi vetëm për shkak të nevojës publike për informim. Këtë mundësi, Odisea e shfrytëzoi dyfish, për gazetari dhe më së shumti për letërsi. Por jo vetëm kaq, ai e shtoi në kohën e pasionit të vet edhe studimin për gazetarinë dhe monografia “Demokratia-tipologji e teksteve publicistiko-letrare” e botuar në vitin 2013, është një libër i vlefshëm për gjeneratat e sotme dhe të ardhme të publicistëve dhe gazetarëve shqiptarë. Ai si reporter dëshmoi ngutjen për të qenë shpesh raportues i parë, ndërsa si shkrimtar e kishte bërë celës të ndërgjegjes konstatimin e thënë prej Italo Kalvinos, në esenë “Odisetë tek Odisea”, ku sipas tij, shprehja që përdor Homeri në këto raste është “të harosh kthimin”. Odisea bëri në kohën e jetës së vet, atë që rëndom bëjnë shkrimtarët e qënë, domethënë nuk e harroi kthimin. Fjalën e kam për kthimin tek subjekti dhe tek substanca e së shkuarës si letërsi, të cilën e mbart jo vetëm jeta personale, por fatlumërisht në rastin e shkrimtarit gjirokastrit, e mbart vecanërisht qyteti.
Elementi i tretë është letërsia.
Dhe fjalën e kam për letërsinë si “ves” e talent të gjendshëm në këtë qytet. Romani “Ura e Margaritës” është dëshmi e materializuar e një talenti shkrues. Eshtë forcë perceptimi dhe shprehjeje prej një autori i cili me këtë libër ka konsoliduar identitetin e vet letrar, por ka mposhtur edhe paragjykimet. Sidomos paragjykimet që shkakton lexueshmëria e autorëve në temë të ngjashme. Në këtë roman Odise Kote, sipas meje, fiton një kuotë të re suksesi jo vetëm në raport me ne si lexues të sotëm, por në raport me letërsinë e sotme shqipe. Subjekti i këtij romani që vendoset në shekullin e XVII, lidhet me atë mësymje dhe proces perandorak sundues e shbërës të otomanizmit në Ballkan. Një proces të cilin autori e sjell në përshkrime dhe në tekstin e vet aq me zhdërvjelltësi, sa askush tjetër. Nuk e braktis strukturën klasike të raporteve ndër personazhë: Margaritë-Hanusheja, personazhi që mishëron aktin procesues të metamorfozës fetare të saj, shigjetohet një cast nga sytë lakmitarë të Evremoz Pashës dhe paskësaj nis “odisea” dramatike e familjes së Zerzebilëve. E gjithë arkitektura e jetës njerëzore mishëruar në familjen e Zerzebilëve me pjestarët e saj Demir, Gjini, mëma Sofi, Margaritë-Hanusheja, Andrea Kostandini, Pasha Evremozi dhe shpura e kqyrësve të tij të shpërndarë, qyteti dhe sidomos raportet e tij me perandorinë-Gjirokastër janë meritë e realizuar e shkrimtarit. Një jetë dhe disa gjendje brenda shtëpisë së Zerzebilëve në atë qytet. Autori ka një naracion atraktiv, me fjalë plot pasuri semantike dhe fjali të shkurtra e me peshë specifike filozofimi. Shkrimtari e ka të ngulitur mirë në ndërgjegjen e vet krijuese të thënën latine “Occorrrono troppe vite per farne una” (Nevojiten shumë jetë për të krijuar një). Librii ka një gjuhë e cila meriton vlerësime në këndvështrimin e etnotekstit letrar në përgjithësi.
Shkrimtari e ka fituar betejën e suksesit dhe pëlqimit prej lexuesve, por në mënyrë të vecantë suksesin e ka nisur tek qyteti i vet. Në atë qytet, ku cdo rrëfimtar e aq më tepër cdo shkrimtar, të përballet me pakompromisin ndaj paaftësisë rrëfyese.(Ne Foto:Odise Kote)
Archives for July 2014
„Në hirin e dashurisë“ promovohet në Vjenë
…”është një traktat letrar që shkund ndërgjegjen shqiptare kundër harresës dhe të huajësimit nga lufta dhe pasojat e mynxyrshme të saj.”/
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/
Një traditë e bukur e Ambasadës së Republikës së Kosovës në shërbim të kulturës në promovimin e veprave të autorëve nga të gjitha trevat etnike shqiptare u shpreh edhe ndaj veprës së znj. Naile Muqa-Ahmeti. Në promovimin e veprës “Në hirin e dashurisë” morën pjesë nga Ambasada e Shqipërisë zv. Ambasadori Adhurim Resuli dhe Dede Penga. Adnan Draga, këshilltar në Ministri të Kosovës, kurse nga Ambasada e Kosovës z. Imer Lladrovci, Yllka Geci, Faruk Ajeti dhe Z.Fitim Nuhiu nga Ambasada e Maqedonisë. Ishin prezent studentë, veprimtarë e intelektual përfaqësues shoqatash kulturo- sportive në Vjenë. Promovimi u udhëhoq nga z.Imer Lladrovci, konsull. Nga fjala e recensuesit të veprës lexoi Abdullah Abdullahi, veprimtar. Mes tjerash rreth romanit veçojmë: “Romani “Në hirin e dashurisë” i Naile Muqa-Ahmetit, është një nga të rrallët e letërsisë moderne shqipe që flet për pasojat e luftës së gjatë të shqiptarëve për t’u mbijetuar kohëve të këqija; dramat e njerëzve të rëndomtë që mund të jenë edhe tragjedi njerëzore, që autorja me sukses i ka ngritur në një prosede të standardit letrar. Autorja është rrekur ta shkruaj një roman psikologjik, edhe pse modelin e tij në letërsinë shqipe nuk e ka pasur të lehtë ta gjej: temën psikologjike – temën e jetës shqiptare, temë të cilën mund ta hasim shumë rrallë tek ndonjë autor shqiptar”….” Në 18 kapitujt e romanit, që mund të lexohen edhe si tregime të veçanta, autorja me sukses ia ka dalë të ndërtojë shtyllën e idesë kryesore: se edhe nga hiri i zjarrit të luftës mund të mbruhet shpresa e dashuria. Ky roman është ndër të rrallët e prozës sonë të re që merret me një psikanalizë kaq të thellë të protagonistëve, ndërsa lexuesve mund t’u shërbejë edhe si psikoterapi e vërtetë për shërimin e gulmeve të shpirtit…. Në fund të thosha se, mbi të gjitha, romani “Në hirin e dashurisë” është një traktat letrar që shkund ndërgjegjen shqiptare kundër harresës dhe të huajësimit nga lufta dhe pasojat e mynxyrshme të saj.” Fjalë rasti u mbajt edhe nga znj.Halime Jakupaj me temën “ Rilindja e personazheve, për të përjetuar ëndrrën e madhe në botën e vogël”
Kush është Naile Muqa Ahmeti?
U lind në vitin 1967 në katundin Vraniq rrethina e Suharekës. Në Bukosh kreu shkollën fillore, kurse Gjimnazin në Suharekë. Studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës dhe Tetovës në Degën Letërsi shqiptare. Për disa kohë jetoj në Perëndim, por atdheun e kishte gjithmonë në zemër dhe mbajti lidhje të fuqishme me te. Ajo shkruan poezi dhe tregime, tani kjo është vepra e saj e re.
Nexhmedin Spahiu dora e vet!( Nuk ka komb kosovar)
Zoti na ruejt nga nexhmdeinaspahitë , halilmatoshët, naimrrustemët dhe shkëlzengashët!/
Nga Fahri Xharra/
Një nga shkaqet që trungu ynë ka ngelur kaq i cunguar është fakti se ne nuk i kemi ushqyer rrënjët tona, ndaj do t’u sugjeroja që nëpërmjet provave dhe argumenteve shkencore që nuk janë të pakta, por të shumta, t’u ktheni shqiptarëve ata pjesë të historisë së vjedhur që sot mbahet padrejtësisht nga fqinjët tanë. Përpos shpifjeve apo grabitjeve shovene të historisë sonë, një komb si shqiptarët që u ka dhënë aq shumë të tjerëve, nuk kërkon përtej kufirit të së drejtës, por nëpërmjet historisë dhe figurave të shquara të kombit të vet kërkon të identifikojë veten dhe t’u thotë të tjerëve se ne, shqiptarët, kemi qenë këtu përpara tyre dhe se në këto troje nuk jemi një bimë e mbirë mbi pleh, por një popull me rrënjë të thella në histori.
“Është koha që të duam, njohim, respektojmë dhe vlerësojmë më shumë veten tonë, sepse kështu do na duan, respektojnë dhe vlerësojnë më shumë të tjerët.( A.Kaja)”
“Ndërkaq duke ditur se kombi ynë ka rrënjët në tokën e tij, edhe pse në thellësinë e së kaluarës së lashtë, por të largët, të fshehura thellë në kohë, atëherë është detyrë e çdo historiani t’i gjejë këto rrënjë të thella, aq sa është e mundur, por me llambën në dorë sepse kohët kanë nevojë për dritën, për t’i ndriçuar ato, sepse të zbresësh në thellësi pa llambën do të thotë të dalësh pa parë asgjë, të dalësh ndoshta me plot iluzione dhe paragjykime. Prandaj për t’i ndriçuar ato nevojitet llamba. Kronikat nuk mund të shihen as thellësitë e rrënjëve pa dritën e plotë të historisë, pra pa llambën e historianit në duar.(Gjon Keka)
Dhe na lindin paçavuret ( paçavrat) e kombit , të etshëm për para dhe me shpirtligësin e tyre e me llambat e tyre ( duke menduar që ne jetojmë ende në terr) mundohen të na “ndriçojnë”të ardhmen,. Çudi !
Një Darwin ( 1809-1882) kishte lindur dikur dhe i pati spjeguar disa ligje të natyrës për mrekulli. Dhe para Darwinit kishte lindur edhe shkencëtari Antoine de Lavoisier (26 Gusht 1743 – 8 Maj 1794;) i cili ,përveç tjerash e thukësoi ligjin e ti që “asgjë në këtë botë as nuk humbet e as nuk shtohet , por vetë se e ndërron formën (trajtën).. Asgjë më shumë nga të dytë , përveç se një spjegim të ligjeve të natyrës.
Ne nuk i kishim njerëzit e këtij lloji , Sa Keq! E ishim të parët !
Faik Konica kishte thënë : E vërtetë që do të ishim populli më i madh në Ballkan sikur të
gjithë të ishim musliman , por s`do të ishim më shqiptar “ Prekëse pak , por e thënë e vërtetë.
“Nëse para katër vjetësh kosovari si pjesë e një kombi të veçuar nga shqiptari ka qenë në inkubator, tashmë ka dalë nga aty dhe po përpiqet që të krijojë një fëmijëri pa probleme. Por të qenët foshnje nuk do të thotë të kesh një fëmijëri të lumtur. Sidomos nëse foshnjën nuk e duan të gjithë. Megjithatë për njërin ndër të paktët në Kosovë që së paku publikisht trumbeton idenë që kjo foshnje të rritet dhe që pashmangshëm të ecë me këmbët e veta, publicistin Nexhmedin Spahiu, kombi kosovar po pret ditë të mira.” shkruante Jeta në Kosovë
Pas botimit të librit të parë mbi këtë temë, 10 vjet më parë, i titulluar “Drejt Kombit Kosovar” i cili ishte grisur nga nacionalistë që kundërshtojnë kosovarin të ndarë nga shqiptari dhe librit të dytë me përmbledhje me shkrime “Kombi në Inkubator”, Spahiu ka sjellë edhe librin e tretë mbi këtë temë.
Mrekulli , një” Lavoisier i dytë” ky Spahiu : “asgjë në këtë botë as nuk humbet e as nuk shtohet , por vetë se e ndërron formën (trajtën)..Pra numri i shqiptarëve nuk zvoglohet por vetëm se e “ ndërrojnë” kombësinë dhe flasin , përlahen , grinden , dashurojnë, lindin dhe iu plotësojnë dëshirat e planeve të largëkjoftëve dhe identifikohen ndryshe . Pra ,jo shqiptarë ! Dëshirë shekullore serbe!
Si numër nuk humbasim , ligjin e natyrës :(“asgjë në këtë botë as nuk humbet e as nuk shtohet , por vetë se e ndërron formën (trajtën).. ) e rrespektojmë por nuk zgjatë pak vite dhe humbin shqiptarët . Bota nuk i njeh as kosovarët e as “ shiptari “. Sa fatkeq që jemi që kemi nexhmedinspahi në mesin tonë!
Halil Matoshi , një bashkideator, bashkkrijues , dhe bashkpromovues i i kombit të paqenë kasovar , edhe ky ia plotëson dëshirën dikujt : “Më vjen keq nga nacionalistët që bien në kurthin e definicionit të Stalinit për kombin”, thoti ai.. Sepse të jesh shqiptarë në Kosovë qenka ide Staliniste!!!!!! Mjerim ideologjik dhe moskuptim apo me qëllim shtrembërim i së vërtetës.
Ja shikoni , “në promovim ka folur edhe ish-deputeti, Naim Rrustemi sipas të cilit Spahiu ka aftësi të jashtëzakoshme për të nxitur debat. “Me aftësinë e tij për të shkruar me argumente që nuk mund të kundërshtohen, të tjerët vetëm e kanë sharë. Koha do të dëshmojë se Spahiu ka pasur të drejtë edhe pse çdo e vërtetë ndryshon”, tha Rrustemi.( JnK).
“E për publicistin tjetër Shkëlzen Gashi, libri i Spahiut është i veçantë jo për shkak të temave që i trajton por edhe për shkak të qasjes, guximit dhe njohurive multidiciplinare. Sipas tij, libri u hyn në punë politikanëve që kanë qeverisur me Kosovën dhe atyre që po synojnë të qeverisin në mënyrë që t’i shohin gabimet dhe të mësojnë nga to dhe historianëve që do ta shkruajnë historinë e Kosovës.” ( Jeta në Kosovë 19.06.14)
“Mrekullia” e pjellë “mrekullinë “por këta burra po e harrojnë ,apo po duan ta harrojnë të vërtetën: “Historikisht ,pushtuesit në vende të ndryshme të botës ,sulmin e parë dhe shkatërrues e kanë bërë mbi inteligjencën . Ashtu ka ndodhur edhe me ne .Po të analizonim çdo kohë të kaluar do të shofim se ndodhnin gjithmonë të njejtat. Shikoni dhe rikujtoni kohën e turkut : “shqiptarët nuk guxojnë të shkollohen se paraqesin rrezik për ne”. Ne në Kosovë e njofim kohën e serbëve të atyre të para luftës së dytë botërore dhe të atyre të pas kësaj lufteje : inteligjenca shqiptare duhet shkatërruar. Ju kujtohen ,vitet e 80-ta :,diferencimet në Universitet ,në shkolla , në entet historike , në entet publike ; të gjitha këto vetë e vetëm që intelingjenca e vërtetë shqiptare të shthurret ,të stërkeqet dhe shoqëria të mbet në duar të të pa mendëve. E njejta gjë edhe me grekërit , që nga koha e turkut e më vonë sulmin më të madh në inteligjencën shqiptare qofshin ata të kishës ortodokse shqiptare apo mësuesit dhe dashamirët e shkollave shqipe. Shembujt në këte shkrim janë të panevojshëm të përmenden sepse të gjithë i dijmë.
Pra shëndeti mëndor dhe shpirtëror edhe qytetarë i shoqërisë janë intelektualët e vërtetë që janë roje të mbarëvajtjes së shëndetëshme të asaj shoqërijeje.
Zoti na ruejt nga nexhmdeinaspahitë , halilmatoshët, naimrrustemët dhe shkëlzengashët !
Fahri Xharra , 02,06. 14
Gjakovë
Zoti Kryeministër shfuqizoni provimet për nxënësit
Provimet e maturës kanë disa ditë që kanë përfunduar dhe tashmë shkollat dhe nxënësit mund të pushojnë të qetë këtë verë, të paktën deri në datat e caktuara kur të parat do të gjallërojnë nga nxënësit për të dhënë provimet e vjeshtës dhe të dytët kur të fillojnë të bëjnë regjistrimet nëpër universitete. Relacionet e shumta pas provimeve, ka një numër rekord nxënësish jokalues, dhe mospranimi nga një pjesë nxënësish të rezultateve na bëjnë të mendojmë përsëri se shkolla shqiptare vazhdon të vuajë pasojat e reformave të mëparshme. Është e qartë se rezultatet e sivjetme nuk duhen kërkuar tek viti i fundit, por në të gjithë vitet ku nxënësit ndjekin rregullisht shkollën. Nëse qeveria do të ndjekë përsëri variantin e vjeshtës për t’i regjistruar më pas në të gjitha universitetet edhe mbetësit, atëherë nuk kemi bërë asnjë hap para. Kemi mbetur në vend numëro dhe fasada do të ishte vetëm sipërfaqja e problemit, por jo thelbi. Mendoj se duhet të ndahemi një herë e mirë nga e kaluara e afërt, duke synuar vërtet cilësinë e shkollës, por kjo duhet të fillojë nga hallkat e para të zinxhirrit, pra shkollat fillore, nëntëvjeçare e deri në të mesmen. Nëse nuk veprohet kështu atëherë arsimi shqiptar do të mbetet peng i politikës, pavarësisht rotacioneve qeverisëse. Nëse do të mbahet i njëjti qëndrim atëherë, do të shtroja disa pyetje që vërtet do të ishin qëndra e debatit për specialistët dhe vetë ministrinë. Pas viteve ’90 shkolla jonë u fut në rrugën e reformave të detyrueshme pas ndërrimit të sistemeve, por mund edhe të ishte ruajtur staus quo-ja e shkollës, pasi niveli i saj ishte shumë i mirë dhe rezultatet po ashtu. Ideatorët e shkatërrimit të zinxhirrit të arsimit shqiptar gabuan dhe gabuan rëndë, ashtu si dhe e gjithë klasa politike shqiptare që nuk diti të ngrihej në lartësinë e kohës. Por ajo që u bë, u bë dhe tash duhet të mendojmë që të riparojmë gabimet. Gabimet nuk riparohen me të njëjtën politikë, por punën dhe me përgjegjësitë se si duhen të jenë shkollat. Një shkollë e dobët, na lë prapa klasifikimit në Europë. Një shkollë e fortë dhe cilësore na bën më të vetëdijshëm drejt misionit të saj edukues dhe formues.
A kanë më peshën e duhur provimet e lirimit dhe të maturës? Të gjitha këto vite kanë treguar se provimet ishin një formalitet dhe se shumë nxënës të mirë u zhgënjyen nga rezultatet e tyre. Në këtë pikë duhet të ndalemi drejt: ose ata nuk ishin të stimuluar që të punonin shumë për to, ka shumë gjasa që mungesa e stimulit të jetë kryesore, ose notat janë anashkaluar nga stafet e korrigjimit dhe janë vendosur sa për të kaluar radhën. Ndryshe nuk ka sesi të shpjegohet se nxënësit e dobët kapin rezultate të mira. Pra në këtë pikë formalizmin e provimeve mund ta shfuqizojmë fare dhe nxënësit të mos jenë të detyruar që t’u nënshtrohen atyre. Kjo do të ishte më e ndershme, sesa marifetet e pafund për to. Nga ana tjetër është humbje e madhe kohe dhe energjie, pasi mobilizohen me qindar mësues për korrigjimet, trajnohen dhe paguhen shumë të tjerë që vetëm duhet të jenë administrator të provimeve. Në këtë kohë krize asnjë shpenzim nuk duhet të jetë i pamotivuar, aq më tepër që tek ne duket se shkojnë dëm.
Përse një vlerësim i pakuptimtë në mbarim të shkollës? Nxënësit janë pjesë e stafeve shkollore për një kohë të gjatë gati 12 vjeçare dhe një periudhë një vjeçare nga viti në vit. Kjo është kohë e mjaftueshme që mësuesit kanë në dispozicion për të kuptuar dhe vlerësuar nxënësit me notat që meritojnë. Nëse mësuesit nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë me kopetencë, atëherë problemi nuk është më i nxënësit dhe shkollës, por i vetë mësuesve. Lind padyshim një problem tjetër, ai i vlerësimit të mësuesve, i trajnimit të atyre të rinj, i formimit dhe i kualifikimit. Tradita dhe mendimi tradicional ndoshta do të alarmohet nga këto ide që do t’i konsiderojë aliene dhe çudira në vazhdën e kaosit shqiptar dhe do të shkruhen aq shumë faqe gazetash saqë besoj se deri në fillim të vitit të ri shkollor do të ketë vend për debate. Dhe mirë do të jetë. Nëse rotacionet sjellin supershpenzime nga buxheti i shtetit, paguhen të gjithë ata që hiqen nga puna, atëherë logjika e do që të ulen shpenzime të tjera të panevojshme, siç janë provimet.
Në epokën e teknologjisë moderne ku gjithçka gjendet në internet, a nuk do të ishte më mirë të punohet gjatë vitit që nxënësit të njihen me dijet? Është fat që teknologjia po na e lehtëson punë të gjithëve, por kjo duhet shfrytëzuar edhe për nxënësit që edhe ata të mos bien pre e një jete të plogësht duke u marrë vetëm me rrjetet sociale. Motivimi gjatë orës së mësimit që ata të merren me shfletime të dobishme për dije është një synim i ardhshëm për shkollën tonë, prandaj duhet ta vëmë në plan të parë. Kjo nënkupton pajisjen e shkollave më kompjutera dhe risi teknologjike për të cilat kam shkruar dhe më parë. Nxënësi duhet të jetë pjesë e mësimit në çdo moment dhe si i tillë ëkrkohet tërheqja e vëmendjes ndaj dijes dhe jo ndaj zbrazëtisë së rrjeteve sociale.
Pak ditë më parë një miku im studiues në Itali, në një konferencë me temë “Kultura, shkolla dhe trashëgimia kulturore, dje, sot, nesër. Procese formuese dhe kultura të reja”, i drejtoi një apel kryeministrit italian, duke i kërkuar shfuqizimin e provimeve dhe sipas ideve të shprehura, mendoj se ka të drejtë, shumë të drejtë. Natyrisht mes dy shkollave ka dallime thelbësore, por në këtë pikë jam plotësisht dakord me arsyetimet e tij, duke qënë edhe vetë pjesë e arsimit, poi a drejtoj të njëjtin apel kryeministrit Rama: Zoti Kryeministër shfuqizoni provimet për nxënësit !!!
Arjan Th. Kallço
Në kujtim të një gjenocidi që vazhdon
Çamëria kjo pasqyrë e dhembjes së kombit dhe atdheut shqiptar, me rreth 10 mijë km.-katrorë sipërfaqe dhe popullsi në ditët e saja-gati tërësisht shqiptare, u dënua që moti me zhbërje në formë e përmbajtje dhe mënyrën më tragjike të mundshme nga shovinistët grek.
Mbi këtë pjesë fatkeqe të etnisë tonë u zhvillua një nga gjenocidet më të tmerrshme që njeh historia e popujve ballkanik dhe evropian.
Në fakt, veprimet e dhunshme dhe dëbimet me forcë të shqiptarëve nga grekët, nisën edhe më herët dhe nuk pushuan asnjëherë, por me copëtimin e trojeve tona dhe mbetjen e Çamërisë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë londineze, ato eskaluan deri në gjenocid.
Kurse, të gjithë arsenalin masiv të urrejtjes antishqiptare mbi çamët e pambrojtur, shovinistët grek do ta zbraznin pa asnjë kursim në fillim-qershorin e vitit 1944, goditje kjo nga më shkatërrimtaret ndaj një populli dhe vendi, fatale dhe më e rënda që mbahet mend kundër shqiptarëve autokton të Çamërisë.
Atëbotë, nga forcat kriminale-militare të Zervas, brenda pak ditësh u masakruan në mënyrat më barbare me bajoneta, çekanë, hanxhar e sopata, mbi 5000 njerëz, djem, vajza, nuse shtatzëna, burra, gra, fëmijë dhe pleq çam, kurse pjesa tjetër u dëbua me forcë e disa të llahtarisur nga përgjakja e çdo gjëje shqiptare u detyruan të iknin siç mundën natën dhe ditën drejt kufijve jugor të Shqipërisë administrative, për të gjetur shpëtim.
Ndaj edhe në rezolutën e miratuar më 30 qershor të vitit 1994, Tragjedia Çame me të drejtë konsiderohet gjenocid dhe që atëherë, data e 27-qershorit kujtohet si dita e tragjedisë më të madhe kombëtare, nga forcat shoviniste greke të Zervasë dhe militarëve tjerë shovinist e kriminel-grek, në fund të Luftës së Dytë Botërore mbi shqiptarët e pambrojtur dhe banorët më të vjetër autokton të Çamërisë.
Vuajtjet e shkaktuara ndaj gjithë të syrgjynosurve çam edhe sot mbeten të ngulitura thellë në kujtesën e bashkëkombësve kudo, kurse emrat e një pjesë të të vrarëve dhe të masakruarve nga mijëra sosh sa pësuan në këtë tragjedi, u gdhendën me dhembje në epitafet e varrezave monumentale të Qafë Botës.
Në këtë vendë,vitin e kaluar u ngrit edhe një Memorial përkujtimor në shenjë nderimi për ta, pa mundur të bëhet ndonjë gjë më e madhe për të vdekurit as të mbijetuarit si dhe pasardhësit e tyre shqiptar.
Organizimi i tubimeve kushtuar datave si kjo, assesi nuk duhet të kuptohet vetëm si rit dhembjeje nga pasardhësit për etërit e masakruar, por si grishje rikujtuese drejtuar Greqisë dhe politikanëve shqiptar për gjenocidin e ushtruar mbi bashkëkombësit tanë, si përgjakja më e madhe shoviniste greke ndaj kombit dhe historisë tonë, e cila nuk mund të mplaket as vjetrohet kurrë.
Çështja Çame, pa marrë parasysh kohën dhe vitet e kaluara, ajo do të ruhet dhe mbijetoj përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e çdo shqiptari, jo vetëm si kujtim por si problem i pazgjidhur historik, kombëtar e ndërshtetëror me Greqinë, i cili nuk do të pushoj kurrë së ekzistuari, deri në zgjidhjen përfundimtare të tij.
Ndaj, edhe me rastin e 70 vjetorit të kësaj ngjarje nga më tragjiket të popullit tonë, ftoj bashkatdhetarët e trojeve tona etnike kudo, që tu bashkohen përpjekjeve gjithëkombëtare për çuarjen përpara të Çështjes Çame, e cila me unifikimin e të gjitha forcave në vend të paktën për sa i takon kësaj çështje, ajo patjetër do të gjejë zgjidhjen e duhur, të mbetur pezull për kaq vite.
Njëkohësisht, kauza për mbrojtjen e identitetit kombëtar, ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës amtare, duhet të vazhdoj të jetë më e fortë se çdo përpjekje tjetër, për asimilimin e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët sot jetojnë në Shqipëri, Turqi dhe në Greqi, ani pse ata, përveç në vendin amë, si në Turqi, aq më pak në Greqi, asnjëherë në qindra vitet e kaluara, nuk guxuan të flasin dhe deklarohen shqip.
Mbështetja kryesore për bashkëkombësit tanë të përvuajtur, në radhë të parë duhet të vije nga vet shqiptarët dhe dy shtetet e tyre; Shqipëria dhe Kosova të cilat kanë obligim kushtetues dhe kombëtar e institucional që tu dalin në ndihmë çamëve të dëbuar përdhunshëm, me të gjitha forcat dhe mundësitë shtetërore, institucionale dhe diplomatike që kanë.
Duke pasur parasysh, këto dhe shumë detaje tjera, të thëna e të pathëna mbi gjenocidin ndaj çamëve të pambrojtur, 27 qershori i vitit 1944, assesi nuk guxon të mbetet thjesht vetëm një ditë kujtimi në kalendarin e dhembjeve të mëdha kombëtare, por pikë së pari duhet të shërbej si argument i pamohueshëm për ndërkombëtarizimin e fakteve të krimit nga shteti helen ndaj bashkëkombësve tanë, dëbimin e pa drejt të çamëve dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të Çështjes së Çamërisë.
Fatkeqësisht, gjenocidi grek mbi shqiptarët, me apo pa vetëdije, ende vazhdon të mbetet “tabu-temë” dhe problemi më i pa-trajtuar kombëtar, ndaj është koha e fundit që Çështja Çame, gjithsesi të nxirret nga sirtarët e pluhurosur të diplomacive të fjetura kombëtare e ndërkombëtare dhe të fillojnë përpjekjet serioze për zgjidhjen përfundimtare të saj, ngase ajo është reale, ekziston dhe nuk mund të mohohet, minimizohet as nëpërkëmbët më nga askush.
Si Greqia, ashtu Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare, më në fund duhet ta kuptojnë se me gjithë tendencën gjenocidiale-shumëvjeçare greke, për zhbërjen e tërësishme dhe asimilimin e përgjithshëm dhe me çdo kusht të qindra mijëra shqiptarëve të të dy besimeve fetare që kanë jetuar dhe ende jetojnë në Çamëri, shqiptarët çamë ende ekzistojnë.
Përkundër ndalimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre etnik, Atdheu, Gjaku dhe Kombësia e Çamëve Shqiptar, kurrë dhe asnjëherë nuk do të mund të mohohen nga kushdo qoftë.
Madje jam i bindur se në këtë tragjedi e cila falë heshtjes sonë kombëtare dhe asaj të bashkësisë së gjerë ndërkombëtare ende vazhdon, nuk do të funksionoj krejt ashtu siç u planifikua nga orkestruesit krimel të ati gjenocidi, përkundër arrogancës së pashembullt të shovinistëve grek, që për më tepër se një shekull me këmbëngulje të shfrenuara, para syve të botës demokratike, ushtrojnë shtypjet më të egra të mundshme dhe të paprecedent mbi shqiptarët.
Ndaj, merrni guximin dhe thoni përfundimisht stop kësaj të keqeje, ballafaqohuni më në fund me realitetin e asaj katrahure që ende kërkon shqyrtim, gjykoni të paktën një herë gjenocidin grek dhe përmirësoni padrejtësitë e gjata ndaj çamëve- si pjesa më e vuajtur e gjithë popullit tonë, ktheni ata në vendet, pronat dhe shtëpitë e veta-të mohuara, si dhe pranoni të drejtat e tyre, ashtu siç parashihen në aktet evropiane dhe ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat nuk do duhej që edhe në këtë shekull, të bëjnë përjashtim vetëm për shqiptarët në Çamëri dhe kudo qoftë.
Gani Qarri Cyrih, 30 qershor 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 27
- 28
- 29
- 30
- 31
- …
- 34
- Next Page »