• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Më mirë në birucë, pak bukë – thatë dhe pastaj në Shqipëri…

August 23, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Mora pasaportën te polici i shërbimit dhe u nisa për në shtëpi. Ato dy ditë brenda rajonit të policies më kishin tjetërsuar fare. Koha e verifikimit të dokumentave kishte zgjatur sikur të ishin qindra vetë. Polici që më dha pasaportën, jashtë natyrës së edukates sime, nuk më përshëndeti fare. Doja të fitoja edhe të qindën e sekondës për të qenë jashtë asaj biruce ku ndenja padrejtësisht 48 orë. Sa dola nga porta e policies eca me nxitim pa vënë re se ç’bëhej rreth meje. Desh u përplasa te kthesa e rrugës me një patrullë policie, që kish venë në mes tre djem 20-25 vjeçarë. Njëri prej tyre nuk m’i ndau sytë deri te kthesa. Që ishin shqiptarë nuk kisha mëdyshje, por atë që më shihte nuk e njihja. Me këto mendime mbërrita te stacioni i autobuzëve në “Sintagma.
U ula te stolat e stacionit. Ishte e diel dhe në stacion u gjend vetëm një mesoburrë, i dobët, i parruar e i veshur keq. Shqiptar duhet të jetë-thashë me vete. Hamendja nuk më gënjeu. Në xhepin e këmishës i dilte pasaporta e kuqe, që kish dale jashtë funksionit, por bashkëatdhetari im ndoshta e mbante si relikë apo për ndonjë hall-shqiptari. Rrinte ulur, me shikimin drejt përpara, pa lëvizur as qerpikët.
-Prisni njeri këtu?-e pyeta.
Ai ndenji edhe disa sekonda në atë drejtim pa lëvizur, pastaj me një ngadalsi bezdisëse, foli:
-Jo, pres veten time.
-Më fal por unë nuk lashë të kuptonit se po tallem, ju pyeta njerëzisht.
-Pse unë po tallem?-foli normalisht.
-Por, ja…
-Jo, jo zotëri, nuk po tallem. Po them një të vërtetë: Pres veten time. Nuk e di ku jam, nuk edi kush jam. Ndonjëherë harroj dhe emërin tim. Sa herë kam gjetur punë të rastit, aq emëra të rinj më kanë venë pronarët grekë. Kur harroj kush jam, nxjerr nga xhepi këtë palo pasaportë, që ka dale nga përdorimi. Rrapo Mali më quajnë, he, he(qeshi).
-Punon?
-Kam ditë pa punë. Të kisha punë të vazhdueshme nuk do të kisha kohë të harroja veten time. Papunësia t’i sjell të gjitha: të çburrëron, të verbon, të bën shurdh e ç’nuk të bën… Kam njëzetë e pesë ditë pa punë. Më pushuan se nuk kisha dokumenta. Edhe nga banesa më zbuan se nuk kisha mese të paguaja qeranë. Në Shqipëri, gruaja dhe dy fëmijët presin nga unë, po unë nga kush të pres?!
-Tani ç’do bësh?
-Ç’të bëj? Ditën kërkoj punë te Omonia, natën bredh rrugëve të Athinës të më zerë policia. U dal përpara policëve por ata kthejnë rrugë ose bëjnë sikur nuk më shohin. Më pandejnë për ndonjë drogaxhi. Kësaj ç’i thua. Kur do edhe policët nuk të kapin, kur nuk do, të gjejnë edhe në vrimë të halesë.Mos di ti ndonjë rajon policie?
-Po, tani sapo dola andej. Më mbajtën 48 orë për verifikim dokumentash., – dhe i tregova rajonin.
-Faleminderit, faleminderit shumë, më ke bërë nder. Më mirë në birucë, pak bukë – thatë dhe pastaj në Shqipëri. Të më shohin fëmijtë të paktën, të mos mendojnë ndryshe…

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Xholi, Më mirë në birucë, ne Shqiperi, pak bukë - thatë dhe pastaj, Une dhe ai

Ferdinad Cami, shqiptari parë zëvendës president i super-kompanisë L-Discovery

August 23, 2014 by dgreca

LDiscovery ka qenë e njohur si një nga kompanitë me një rritje më të shpejtë në Amerikë, e krijuar nga dy kompanitë gjigande Inc Magazine (Inc 5000) dhe Deloitte (Deloitte Fast 500)/
NGA BEQIR SINA, New York/
CHICAGO ILLINOI : Duke shfletuar directorin më të njohur në internet ZoomInfo – e cila i dedikohet më së shumti njerëzve të biznesit dhe profileve profesionale, që përfshijnë informacionin e vërtetuar tek të dhënat, e të dëshmuar në biografi, histori të punës, përkatësitë dhe më shumë, thuhet se :”Ferdinad Cami, një 33-vjeçarë shqiptaro amerikan, me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili jeton prej vitesh në Çikago së bashku me familjen e tij, është emëruar zëvendës president i kompanisë L-Discovery me bazë në Chicago”.
Ai është i njohur mirë si një investitor dhe aktivist që ka një sukses të madh në këtë lëmi mbasi ai është i dyti në botë në krye të kësaj kompanie, shkruan Zominfo.
Si Drejtor i Shërbimeve në LDiscovery, Hosted z. Cami zhvillon mënyrat e rritjes së suksesit të LDiscovery; krijon, mban dhe ruan bazat e të dhënave, në shqyrtimin e dokumentave; dhe i plotëson ato me më të kërkuart në bazë të kërkesave të prodhimit. Ndërsa, është i njohur edhe në menaxhimin e web-faqeve në internet, ato të shërbimeve në Chicago-. Z. Cami, ka njohuri të gjerë, më të planifikuar të të gjitha platformave në internet, në skemën kCura, në bazë të dhënave; Relativitetit, Përputhja, iConectNXT / Xera, Equivio Zoom dhe një shumëllojshmëri të zonave të tjera.
Simbas ZoomInfo, thuhet se para se t’i bashkohej LDiscovery, z. Cami, ishte një analistë dhe administrator i Lartë, i web-faqes ky shfrytëzohen Baza e të dhënave dhe të dhënave në ONSITE3.
Z. Cami mori në manexhim administratën e hostedit – Relativiteti Certified “RCA” dhe u certifikua në vitin 2010 si një specialist i avancuar në SQL. Ai ka marrë një çertifikatë nga Universiteti DePaul në 2009, si një i trajnuar, dhe si një analist në sistemin dixhital mjeko-ligjor, si dhe një administrator i bazës së të dhënave, Z. Cami mori një certifikim tjetër në vitin 2008, në Access Data Certified (“ACE” ) dhe e mbylli suksesin e tij me një diplomë në Certified Examiner në 2010. Ai merr pjesë rregullisht në një shumëllojshmëri të programeve të trajnimit për të rinovuar dhe për të ruajtur aftësitë e tij kundrejt teknologjisë dixhitale mjeko – ligjore, jo vetëm në SHBA, por në bazë të dhënave në të gjithë botën.
Ferdinand Cami, i cili ka lindur, në Nju Jork,(22 gusht 1981), është i biri i veprimtarit të dalluar në SHBA, Fanol Cami, nga Dibra e Madhe, dhe nënës së tij Diana. Ai ka dy motra Rajmonda, Shkelqesa dhe vëllanë Osmanin. Ai është i martuar me shqiptare Arlinda Ahmetin dhe ka një vajzë dy vjeçare me emrin Leona.
Babai i tij Fanol Cami në një postim në profilin e tij në facebook shkruan” Djali I babit, me këtë provim ti jo që gëzove familjen tënde, po i gëzove të gjithë Shqiptaret në botë. Babin, mamin dhe mbarë familja Cami në Dibër të Madhe, dhe SHBA, se të gjithë sot krenohemi me punën tande. Gëzuar nga zemëra dhe me këtë rastë të gjithë dëshërojmë sukses të matejshme” L-Discovery :
LDiscovery është një kompani lider në zgjidhje të menaxhimit L-Discovery, duke siguruar fonde në shërbime këshilluese, dixhitale në teknologjinë më të sofistikuar në botë mjeko ligjore të quajtur AmLaw 200 – firma të ligjit, Ajo ka kooperim me më shumë se 500 korporatat, dhe agjencitë qeveritare. Themeluar në vitin 2005 dhe me seli në McLean, Virgjinia, LDiscovery është rritur shpejt në një nga kompanitë më të mëdha për përdoruesit e e-Discovery, në rangë kombëtar, me zyra në Nju Jork, Filadelfia, Çikago, Atlanta, dhe San Francisco.
Ajo është mjaft e kërkuar për përpunimin e të plotë në të dhënat e relativitetit – hosting – me zyrë edhe në Londër për të lehtësuar rishikimin e të dhënave, për të gjithë ata që banojnë brenda BE.
Simbas ZoomInfo, thuhet se para se L-Discovery, kompania në të cilën numeri 2 i saj është ky shqiptarë i amerikës, Ferdinad Cami – rekruton, trajnon dhe stafin dhe avokatët më të mirë dhe të zgjuarit, inxhinierë në industrinë, analistët të sistemit dixhital të mjekësisë ligjore, dhe përgatit profesionistët dhe mbështetësit të sistemit kombëtar gjyqësore .
Kjo kompani thotë se :Për shkak se një pjesë e rëndësishme e LDiscovery është me punonjës në pronësi, ne jemi në gjendje për të garantuar standardet më të larta të cilësisë dhe mbështetjen e klientëve. “Standardet tona kan orë mbështetëse, thonë ata duke shtuar se janë të hapur dhe operojnë në sistemin elektronikë internet . në platformën dixhitale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit. Ekipi ynë, thkeson L-Dicovery kombinon arsimin, përvojat, risit, dhe përkushtimin për të zhvilluar procese të reja dhe mjetet me një qëllim të njëjësimit në mendje – për ju, klientit tonë që të sigurojë, të dhënat me të sakta, e argumentuar, ato me një kosto-efektive ” shkruan eDiscovery.
LDiscovery ka qenë e njohur si një nga kompanitë me një rritje më të shpejtë në Amerikë, e krijuar nga dy kompanitë gjigande Inc Magazine (Inc 5000) dhe Deloitte (Deloitte Fast 500). Përveç kësaj, LDiscovery është një-nivel me Orange Relativiteti kompani e mirë në shërbimin me partner, ajo është një Premium i Relativitetit Hosting Partner, dhe qendra e të dhënave të saj është SSAE 16 / ISO 9001.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Ferdinad Cami, i super-kompanisë, L-Discovery, shqiptari parë zëvendës president

SHKRIMTARJA AMERIKANE CATE LINEBERRY TREGON PËR DIELLIN “SHPËTIMIN SEKRET” NË SHQIPËRI

August 23, 2014 by dgreca

*Shkrimtarja amerikane, Cate Lineberry: “The Secret Rescue (“Shpëtimi Sekret”)-është jo vetëm historia e një udhëtimi të guximshëm e kurajos drejt së panjohurës, por edhe topografia e shpirtit, heroizmit, bujarisë dhe guximit të pashoq të shqiptarëve./
*Intervistë me autoren amerikane të librit “The secret Rescue”(Shpëtimi Sekret”) – Cate Lineberry/
NGA RAIMONDA MOISIU/
“ The Secret Rescue”-(Shpëtimi Sekret”)- është libri i parë i shkrimtares së mirënjohur amerikane, Cate Lineberry. Autorja rrëfen një histori të rrallë dhe të patreguar më parë, të një skuadroni amerikan, me mision ndihme mjekësore, i përbërë nga doktorë dhe infermierë amerikanë. Ishin nisur për në Bari të Italisë, por që për shkak të kohës së keqe me stuhi, aksidentalisht ulin avionin e tyre në territorrin shqiptar të pushtuar nga nazizmi gjerman gjatë Luftës Së Dytë Botërore. Libri është kanditat për Edgar Award dhe vlerësuar një nga librat Bestseller të Facts Crime & #1 Wall Street Journal. Ky libër në mënyrë të habitshme e të jashtëzakonëshme, rrëfen një nga ngjarjet më të rralla historike dhe të mrekullueshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, të lënë qëllimisht në harresë nga protagonistët e mbijetuar të ngjarjes. Tridhjetë amerikanë, duke përfshirë trembëdhjetë infermiere femra, zbarkojnë në Shqipërinë e pushtuar nga Nazistët dhe nën kontrollin e oficerëve anglezë, të Inteligjent Servis-it Britanik. Detajet e izolimit total të tyre,mbetën rrëfenja personale të kufizuara për dekada të tëra, dhe ngjarja e plotë kurrë nuk u rrëfye deri më tani. Në nëntor të vitit 1943-e, njëzet e gjashtë amerikanë të Ushtrisë dhe Forcave Ajrore Amerikane, mes tyre mjekë dhe infermierë, në një avion transporti ushtarak, u nisën drejt vijës së frontit të luftës, në Bari të Italisë, për të marrë ushtarët e plagosur e të sëmurë në luftë. Papritmas, avioni kapet nga një stuhi e fortë me borë, shi, bubullima e vetëtima, duke e nxjerrë kështu jashtë kursit të fluturimit, dhe e hedh drejt orbitës së aeroplanëve luftarakë gjermanë. Pa radio marrëse dhe busull, ekuipazhi u detyrua të ulej në një terren të egër dhe të panjohur-në Shqipëri. Nën brutalitetin e pushtimit nazist gjerman, ky vend i varfër ishte në kaos dhe rrezik, por ata luftuan vetëm me një pushkë krahut, për muaj të tërë dhe në një luftë të gjatë, që të mbijetonin dhe të shpëtonin nga rreziku nazist. Në mesin e acarit të dimrit, ekuipazhi mjekësor amerikan u përball me rreziqe dhe kërcënime për jetën, nga sulmet vdekjeprurësë të nazistëve gjermanë, uria, sëmundjet, dhe nën terrorin psikollogjik të vazhdueshme, -frikës të kapjes nga nazistët. Gjithmonë në lëvizje, amerikanët u ndihmuan dhe u strehuan nga njerëzit e thjeshtë, fshatarët dhe partizanët shqiptarë, të cilët ndanin së bashku edhe atë pak ushqim që kishin në vatër, dhe rrezikuan jetën e tyre, deri në vdekje, për t’i ndihmuar e mbrojtur ata.Shpresa e vetme e ekuipazhit amerikan për t’i nxjerrë nga Shqipëria, ishte besimi që ata kishin ndaj oficerëve që punonin për organizatat klandestine britanike dhe amerikane.Vajza dhe mbesa e dy infermiereve amerikane,autorja amerikane Cate Lineberry, pikërisht mbesa e infermieres së mbijetuar amerikane Helen Porter nga shteti Utah,- na rrëfen historinë e rrallë brengosëse e të mbijetuarve të aksidentit ajror në vitin 1943 –e, në Shqipërinë e pushtuar nga forcat naziste. Frika dhe ankthi për të mos rrezikuar jetët e atyre partizanëve dhe fshatarëe shqiptarë që i ndihmuan, i strehuan, dhe i ushqyen,- i detyroi të mbijetuarit për të mbajtur të fshehtë këtë histori për vite të tëra. Fshehtësia i këtij shpëtimi, ishte për të mbrojtur popullin- partizanët dhe fshatarët shqiptarë, të cilët kishin ndihmuar ekuipazhin e infermierëve dhe të mjekëve amerikanë së bashku me mjetet e arratisjes të aviatorëve, -me një heroizëm, bujari e kurajo të pashoq.Pas luftës, Enver Hoxha u bë diktatori i Shqipërisë dhe të mbijetuarit amerikanë ishin të shqetësuar për fatin dhe jetën e atyrë njerëzve të mirë shqiptarë, që iu shpëtuan jetën. Për këtë arësye, ata, – të mbijetuarit -kurrë nuk i përmendën emrat e tyre. Madje të mbijetuarit amerikanë vonë mësuan se një nga partizanët që indihmoi ata, Kostaq Stefa u burgos menjëherë pas luftës dhe u ekzekutua përfundimisht. Në këtë intervistë, autorja Cate Lineberry na tregon “Pse-të” që e inkurajuan dhe ngazëllyen atë, për të shkruar këtë histori të parrëfyer më parë, të atyre njerezve të thjeshtë amerikanë dhe shqiptarë në të përditshmen njerëzore, të cilët i bënë ballë sfidave të tëjskajshëme, në kohën më të errët të nazizmit, në historinë e botës. Çdo gjë në libër është e vërtetë, fakte që janë sjellë me anë të intervistave, ditarëve personale, raporteve zyrtare dhe artikuj gazetash.
-Znj. Cate, sapo keni nxjerrë nga botimi, librin tuaj të parë “The Secret Rescue”. Ishte vërtet krenari dhe admirim i vecantë, kur mësova se ju aty, keni rrëfyer një histori të patreguar më parë, për heroizmin, kurajon, guximin dhe bujarinë e popullit tim shqiptar. Libri juaj dëshmon një histori të vërtetë. A është ky libër i bazuar në fakte reale dhe ngjarje të vërtetë?
Përgjigje:- Ka qenë një dëshirë dhe përkushtim i kënaqshëm absolut, njëkohësisht edhe nderim për të rrëfyer këtë histori të parrëfyer më parë, të atyre njerezve të thjeshtë amerikanë dhe shqiptarë në të përditshmen njerëzore, të cilët i bënë ballë sfidave të tëjskajshëme, në kohën më të errët të nazizmit në historinë e botës. Çdo gjë në libër është e vërtetë fakte që janë sjellë me anë të intervistave, ditarëve personale, raporteve zyrtare dhe artikuj gazetash.
-Cfarë hulumtimesh keni bërë dhe cfarë ishte me vlerë në lidhje me këtë eksperiencë mbresëlënëse për ju?
Përgjigje: Kam shpenzuar shumë kohë duke hulumtuar, që të sigurohesha, dhe për të pasur sa më shumë të qe e mundur materiale dhe fakte reale, për ta rrëfyer sa më mirë jetëshkrimin e kësaj ngjarje. Kam qëndruar rreth dy javë në Shqipëri duke ndjekur hartën dhe ecur në ato vende, shtigje e male ku patiecur edhe grupi i infermierëve. Kam bërë kërkime dhe hulumtime në arkivat e SHBA-s, Angli, dhe Gjermani. Intervistova të mbijetuarin amerikan, të fundit që është ende gjallë nga grupi i atyre të 30-ve, të cilët ishin në aeroplanin që u rrëzua në Shqipëri.Kam parë e lexuar dokumente të rëndësishme ushtarake, imazhet dhe mbresat nga të mbijetuarit e tjerë, por që tani disa prej tyre kanë vdekur, dhe kam intervistuar me sa kam mundur të gjej, anëtarë të familjeve që kanë të bëjnë me këtë ngjarje të patreguar dhe të mbajtur sekret për një kohë relativisht të gjatë.
-Nga ku i keni marrë subjektet? Ishte e vështirë për të arritur në ato gjëra që ju shkruani në lidhje me to? Që ku fillon ky libër?
Përgjigje: Në lidhje me historinë jam njohur përmes një shkrimi historik në një gazete lokale. Teksa e lexoja shkrimin, mu ngjallkureshtja të dija më shumë për këtë histori, veçanërisht për stafin mjekësor infermierët dhe mjekët amerikanë të përfshirë në të, por në mënyrë të posacme për popullin shqiptar, ata fshatarë dhe partizanë luftëtarë të thjeshtë shqiptarë, që rrezikuan gjithçka për t’i ndihmuar këto gra dhe burra amerikanë. Libri fillon në kohën kur infermierët dhe mjekët amerikanë janë me një mision ndihme mjekësore përtej Atlantikut, për të ndihmuar në evakuimin e ushtarëve të plagosur dhe të sëmurë në Mesdhe. Gjysma e skuadronit që ishin në një avion, synonin të mbërrinin në Bari të Italisë, por shpejt e kuptojnë, që janë përfshirë nga një kohë e keqe me shtrëngata të forta atmosferike, me erërat e forta, shi, bubullima, vetëtima, dhe avioni i tyre pa e ditur kaloi detin Adriatik dhe aksidentalisht bie në territorin shqiptar, pikërisht në një hapësirë të ngushtë ku kishte avionë luftarakë gjermanë, por pilotët amerikanë përfundimisht mundën të gjejnë një të carë mes maleve dhe bien në një vendbanim të panjohur –në Shqipëri- por që shumica e tyre nuk kishin aspak njohuri rreth atij vendi.
-A keni pasur miq të tjerë, që ju dhanë idenë për rrëfimin, “The Secret Rescue” ?
Disa të afërm të familjessima jua dhashë të lexonin dorëshkrimin, para se t’ja dërgoja atë redaktorit dhe u konsultova edhe me disa ekspertë, rreth disa paragrafeve, vetëm e vetëm për tu bindur në saktësinë e tyre.
-Libri “The Secret Rescue” ka një strukturë veçanërisht interesante. Si e keni realizuar atë?
Përgjigje: Dëshiroja që audienca e lexuesve të kuptojë e bësojë sa më mirë rrëfimin e ngjarjes, se si këta burra dhe gra amerikane, e gjetën veten prapa linjave të armikut. E fillova duke mbledhur informacione rreth historive personale të jetës së tyre,pregatitjet dhe trainimin e tyre, para se ata të niseshin me mision ndihme mjekësore në Bari të Italisë dhe deri në momentin që ata bënë uljen emergjente në Shqipëri. Dhe ky është një rrëfim dhe sa më shumë që rrëfehet bëhet më bindës, kur ata takohen befas me partizanët dhe fshatarët shqiptarë, të cilët ju ofrojnë ndihmë, ndërsa edhe vetë ata përballeshin me mësymjet e gjermanëve nazistë, kohën e keqe me stuhi bore, dhe rreziqet e tjera që ju kanoseshin, përgjatë udhëtimit të tyre, jashtëzakonisht të papritur. Sikundër shprehet shpesh Harold Hayes, një nga të mbijetuarit e kësaj ngjarje, i mbetur ende gjallë deri më sot, -që amerikanët nuk do të kishin mbijetuar pa ndihmën, kurajon dhe heroizmin e popullit shqiptar.
-Cilat ishin impresionet tuaja të para? si keni arritur të realizoni botimin e tij?
Përgjigje: -Unë isha tejet e ngazëllyer nga fakti, që gjeta një histori të tillë interesante nga Lufta e Dytë Botërore, histori, që gati ishte harruar për vite të tëra. Agjenti im ju ofroi librin tim disa shtëpive botuese, dhe unë kam qenë vërtet me fat, që bashkëpunova me Little, Broën, një shtëpi botuese e mrekullueshme dhe mbështetëse dashamirëse e një sërë autorësh amerikanë me emër. Mbasi mbarova hulumtimet e mija dhe shkrova librin për më shumë se një vit, më pas ia nisa redaktorit tim në Little, Broën, John Parsley.
-A keni menduar ndonjëherë për ta shkruar skenar filmi? Dhe a do të jeni në gjendje ta shkruani atë ?
Përgjigje: -Mendoj se kjo histori kaq intriguese do të dalë një film i mrekullueshëm. Me shpresë që Hollywood-i ta marrë në konsideratë dhe biem dakord.
-Nëse kjo do të ndodhë, si do të ndiheni ju, në rast se “ The Secret Rescue” që ju keni shkruar, bëhet film, por dikush tjetër do të jetë regjisori i saj. A do ta mendoni se kjo do të jetë ende krijim i juaj?
Përgjigje: Do të jetë një vlerësim dhe nderim i madh, që ky libër të bëhet një film sepse shumë e më shumë njerëz do të mësojnë dhe njohin këtë histori të rrallë dhe se si amerikanët dhe shqiptarët, njerës të thjeshtë e të zakonshëm, treguan trimërinë, bujarinë dhe guximin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, për miqësinë e hershme të dy popujve që ka qenë prezente, që në atë kohë. Që do të thotë se filmi është një medium krejtësisht i ndryshëm, kështuqë unë i mirëpres që skenari i filmit të jetë disi ndryshe nga libri, rëndësi ka të bëhet një film për këtë ngjarje të rrallë.
-A mund t’na tregoni kush është shkrimtarja Cate Lineberry? Ku jetoni?Kur keni menduar për herë të parë, t’i përkushtoheni artit të të shkruarit?
Përgjigje: Kohët e fundit kam lëvizur përsëri në Raleigh, North Carolina, me burrin tim, pasi jetuam e punuam për 18 vjet në Uashington, DC. Para se të shkruaja librin, kam punuar në revistën National Geographic dhe revista Smithsonian, ku unë kam qenë në gjendje për të ndjekur pasionin tim për të mësuar në lidhje me kulturën dhe historinë. Unë gjithmonë i kam dashur të dyja; letërsine artistike, dhe letërsinë historike të bazuar në fakte, ngjarje reale dhe njerëz reale, si biografinë apo historinë e tyre. Kam marrë “Master” per letersine nga Universiteti John Hopkins.
-Besoj se kjo zgjuarsi vjen nga diku në gen….A ka qenë ndonjë nga prindërit të cilët kanë shkruar? Kush ju ka inkurajuar të shkruani?
Përgjigje: Nëna ime ka punuar infermiere për 46 vjet dhe baba im ka qenë neurolog. Të dy janë shkrimtarë të mëdhenj dhe më kanë inkurajuar gjithmonë të bëj atë që unë dua. Jam shumë me fat në këtë drejtim.
-Pse shkruani? Të shkruarit ishte instinkt i brendshëm apo ju e ndjenit se duhet të shkruani?
Përgjigje: -Të shkruarit më lejon mua për të shprehur vetveten dhe të shkruarit histori të vërteta, më lejon mua të mësoj më shumë gjëra, ndërsa unë jam duke studiuar apo bërë hulumtime. Më ngazëllejnë dhe shtojnë kurreshtjen vecmas nga historia dhe tregimet e njerëzve pak të njohur, por të cilët kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme. Kështu që kjo është një dhuratë, që ja vlen për t’i përkushtuar kohë nga koha ime.
-Na tregoni diçka rreth librave të tjerë që keni shkruar. Çfarë po shkruani për momentin?
Përgjigje: “The Secret Rescue” (“Shpëtimi Sekret”) është libri im i parë.Aktualisht jam duke shkruar librin e dytë me ngjarje të vërteta historike, gati njësoj si i pari-Nonfiction.
-Një mesazh për komunitetin e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë…
Përgjigje: Fusha e botimit është një bisnes e rreptë, i rregjur dhe fitimprurës, që nuk lëshon pe, por askush nga ne nuk duhet të ndalet se shkruari e rrëfyeri ngjarjet dhe mbresat, historitë e jetës, që janë aq të rëndësishme për ne.
Gusht, 2014

Filed Under: Interviste Tagged With: "SHPËTIMIN SEKRET", ne Shqiperi, PËR DIELLIN, Raimonda Moisiu, SHKRIMTARJA AMERIKANE CATE LINEBERRY TREGON

TRI JOTË JETIKE TË KOSOVËS

August 23, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
1. JO ZGJEDHJEVE TË JASHTËZAKONSHME
Tashmë edhe vetë ndërkombëtarët e Kosovës, përkatësisht qeveritë të cilët ata i përfaqësojnë, janë bindur se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Kosova nuk mund t’i ndërrojë zgjedhjet e 8 qershorit, të pranuara si të paqortueshme nga të gjithë faktorët e Kosovës dhe të gjithë faktorët e interesuar për Kosovën, me një palë zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat do të ishin pashmangshmërisht kontrasti i plotë i 8 qershorit, do të ishin në çdo sens krejtësisht të papranueshme.
Ata janë të bindur edhe se lojërat e PDK-së nuk mund të vazhdojnë gjatë dhe se koha e lënë atyre në përdorim që të arrijnë numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvendin e ri të Kosovës për të qeverisur më tej, është në mbarim, po ashtu durimi i Kosovës do të ketë një mbarim.
Prandaj edhe faktorët e përmendur ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të pajtueshëm për një front gjithnjë e më solid që do t’ia pamundësonte PDK-së lojën e mëtejshme. Kjo kupton konsolidimin e katërshes qeverisëse LDK-AAK-NISMA-VV. Në çdo ditë, çdo orë, çdo minutë që kalon shihet më e mundshme, më e domosdoshme dhe më jetike qeverisja e përbashkët e këtyre katër forcave politike, të cilat kanë të përbashkët vendimtare të tyre pikërisht largimin e PDK-së nga qeverisja dhe nxjerrjen e saj përfundimtare në opozitë.
Pasi kanë në duart e tyre vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, katër forcat politike ish opozitare është urgjente të lëvizin drejt plotësimit të organeve drejtuese dhe përbërëse të Kuvendit të Kosovës, si dhe krijimit të institucioneve të reja që burojnë nga ky institucion sovran i shtetit republikë parlamentare të Kosovës.
Vendosmëria e PDK-së për të mbajtur pushtetin e bën të pashmangshme vendosmërinë e shumëfishtë të ish opozitës për t’ia pamundësuar asaj mbajtjen e mëtejshme të pushtetit.

2. JO ZGJEDHJEVE TË REJA SIÇ I DO THAÇI
Situata që ka krijuar PDK pas zgjedhjeve të 8 qershorit i ka dobësuar më tej institucionet në Kosovë, duke filluar që nga vota e Sovranit, që është institucioni themelor i çdo shteti demokratik apo me synime demokratike, i çdo vendi sovran me shtet ligjor apo që synon shtetin ligjor. Kjo shënon kulmin e veprimtarisë shumëvjeçare kundërinstitucionaliste të PDK-së dhe të Thaçit. Situata, prandaj, gjithsesi e mban të hapur parantezën e zhvillimit të zgjedhjeve të reja, ku votuesi, qytetari i Kosovës me të drejtë vote, sa më i pafrustruar, sa më i pafrikësuar të japë votën e tij sa më të pacënueshme nga makinacionet si ato që krijuan Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të cilët PDK-ja i ka shndërruar tashmë në dy joinstitucione.
Faktorët ndërkombëtarë e kanë theksuar gjithnjë se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje të reja pa kryer një reformë zgjedhore sa më të plotë. Prandaj, një nga detyrat e ngutshme të institucioneve të reja do të jetë pikërisht kryerja e kësaj reforme, çka e bën komode vajtjen e Kosovës në zgjedhje të reja në mënyrë të natyrshme, në kohën, kushtet dhe rrethanat sa më optimale për vendin.

3. JO ZGJEDHJEVE TË REJA KUR I DO THAÇ
Nga pika e mësipërme del, pra, se zgjedhjet e reja, në asnjë mënyrë, nuk bën që të imponohen në asnjë rrethanë të tyre nga PDK dhe Thaçi. Do të ishte vërtet një fitore për këta faktorë dhe një humbje për Kosovën çdo përputhje dhe çdo pajtim me interesat e këtyre faktorëve në situatat e ardhshme vendimtare të Kosovës.
Ky kontekst do t’ia krijonte mundësinë e re PDK-së që të reformohet si një faktor institucionalist, në mënyrë që të luajë rolin e saj të opozitës konstruktive dhe të hapë perspektivën e saj konkuruese në çdo garë politike të ardhshme.
* * *
Pra, tri jotë jetike të Kosovës – jo zgjedhjeve të jashtëzakonshme, jo zgjedhjeve të reja si i do Thaçi, jo zgjedhjeve të reja kur i do Thaçi, janë rrugëzgjidhja e vetme e situatës absurde të krijuar, janë rrugëdalja e vetme nga qorrsokaku i këtyre muajve.

Filed Under: Analiza Tagged With: JETIKE, Skender Bucpapaj, te Kosoves, TRI JOTË

KOSOVË: Zgjedhja e kryetarit te parlamentit – jokushtetuese

August 22, 2014 by dgreca

Gjykata kushtetuese e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar i Parlamentit të Kosovës në seancën e 17 korrikut.
Ky vendim vjen një ditë pasi që partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit në Kosovë u përballën në Gjykatën Kushtetuese në një seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për “vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit parlamentit në seancën e 17 korrikut”.
Në një njoftim të gjykatës Kushtetuese thuhet se “mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës së parë të Parlamentit më 17 korrik të këtij viti nga kryesuesja e seancës, kanë shkelur nenet e Kushtetutës dhe pjesë të Rregullores së punës së parlamentit”.
Sipas, gjykatës Kushtetuese zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve është kundër kushtetues, si për nga procedura e ndjekur edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Parlamentit. “Seanca e Parlamentit që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Parlamenti duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me Kushtetutën dhe në pajtim me këtë Aktgjykim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës e përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili sipas tyre ishte i drejte dhe që buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga legjitimiteti i votës së qytetarëve të vendit.
Ndërsa, Koalicioni LDK-AAK-NISMA thotë se e ka marrë parasysh vendimin e gjykatës dhe se është në pritje të publikimit të tekstit përfundimtar. Ky koalicion shprehet i bindur që e “drejta për kandidim i është njohur dhe në këtë mënyrë është hapë dera e vetme për krijim të institucioneve të reja”, thuhet në reagimin e Koalicionit LDK-AAK-NISMA.
Njohës të çështjeve juridike thonë ndërkaq se vendimi i gjykatës e ka sfiduar edhe më shumë krijimin e institucioneve të reja. Ata thonë se me këtë vendim zgjedhja e kryetarit të Parlamentit i takon partisë Demokratike e cila ndërkaq nuk i ka numrat e nevojshëm për zgjedhjen e tij. Ata thonë se për krijimin e institucioneve ose duhet një marrëveshje politike ndërmjet partive politike për të ndarë pushtetin ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: – jokushtetuese, : Zgjedhja e kryetarit, Kosove, te parlamentit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT