• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

Lypësi

October 14, 2014 by dgreca

Tregim nga Hazir Mehmeti/Ilustrim nga Gazmend Freitag- Linz/
Paradite. Rrezet e diellit u fshehën prapa reve të zeza. Papritmas filluan pika të ftohta shiu, edhe pse ishte ditë gushti që thante çdo gjë të jetëshme. Bulevardi i qytezës, në të dy anët hapësira dheu të rrethuara me beton, karrige të reja, shkallë, rreth mesore, tribuna mes shkallëve, një dukje e bukur nga larg. Kërcejtë e barishteve gjethegjera, aty këtu me letra e lecka plastike që kacavirreshin në luhatje deri në shkëputjen e tyre në fluturimin tjetër drejtë gjatësisë së luginës veriperëndimore, e cila ndan qytezën. Ndonjëra që gabonte drejtimin të ngjitej në fytyrë apo trup, pa të pyetur, do apo jo.
Meditimi i paraditës së trazuar u pasurua me zërin e këlyshëve pranë barishteve, me lëvizjet e tyre që të ofronin shoqëri. Do thoshe, të një veze, pesë laramanë që shpalosnin anash dhëmbët, luanin bishtin dhe lakonin trupin. Gjuha e tyre fliste për urinë, për besnikërinë ndaj njeriut e gjithë kjo e rënduar nga një instinkt i brendshëm, i lashtë sa vetë jeta. Njëri që ishte i lodhur rrinte i ndrojtur nuk afrohej dhe sapo zgjate dorën Lypësi ta përkëdhelte vëllain e tij aty afër, ai largohej. Largohej e ndalej, drejtonte shikimin lutës mu në sytë e tij. E kuptonte shqetësimin e tij, por si i pafuqishëm që është, s’mund t’i ndihmonte, të paktën, t’i dëftonte rrugë ku do të jetonte, i lumtur jo se jo, por të paktën pak ushqim sa për “sot për nesër”. Kjo nuk është fyese për miqtë e çastit, pasi kështu jetohet në varfëri. Fundja, secili ankohet, edhe syshkruari, për hisen e vet nën qiell.
Lodhjani sikur e kuptoj mendimin e mikut, lakoi trupin, ngriti këmbën e pasme të djathtë, markoi betonin e ri zbukurues, uli bishtin dhe humbi në strofkën e tij.
S’ka ç’të bëjë i shkreti.
Lypësi mblodhi trupin, duke pëshpëritë nën buzët e tij shoqëruar nga rrudhat e trasha të ballit me hapjen e syve qerpik gjatë përplot zgëlliba.
“Mund të të rrëfej, miku im, sa për të ngushëlluar, se mallkimi njëherë të nget dhe nuk shqitet më në jetë. E përjetova shkelmin e largimit nga vatra dhe shkëlqimin e parkut të Metropolit ku kisha dhe unë një strofkë ngjashëm me tënden. Në kaçubat e gjelbra zbukuruese, mes degëve me gjemba e siguroja hyrjen fshehtas në mesnatë, veja kartonë, mbështillesha me zhgunin e vjetër gjithë zdralë dhe mashtrohesha se flija deri para agimit. Ding-dangu i kambanave të katedrales mes qytetit nuk më prishte fare atë që nuk e kisha. Sigurisht, as ty i nderuari miku im i idealeve, nuk të trazon ding-dangu e as altoparlanti shurdhues i myezinit të ri në cepin e kasolles sate. Shijen e shkelmit e mëson, veçan kur goditësi ka këpucë malore, dhe s’kemi pse mërzitemi se kështu e ka jeta. As nuk u nis me ne, as nuk soset.”
As vetë nuk e kuptonte, përse Lodhjanin e ndiente më shumë nga katër vëllezërit e tij. “Ndoshta nga shikimi i tij. I varfër, por krenar,- mendoi, një atavizëm i vjetër ngushëllues barbarie. Apo, ndoshta, pamja e tij me një trup që shuhet pamëshirshëm në vapën pluhur plotë e të pistë gjithandej Parkut të Shpresës me të gjitha parregullsitë e një fillimi.
Kundërmimi i përroit të disiplinuar nga betoni, me ujë të shterur nuk e pengonte Lypësin të jetonte ditën e tij të zakonshme. Hapi pallton përplot zhele mbi krah, u mbështet për betoni, zgjati këmbën reumatizmë, kurse të majtën e kryqëzoi dhe vuri para leckëlëmoshën përplot njolla. Me dorën e majtë drejtoj mjekrën, mori pamje shenjtori para lëmoshdhënësve.
“Lëmoshën e sotme do e ndaj me pesë miqtë e mi”,- mendoi, dhe sikur ta kishin dëgjuar mendimin e tij u dukën skaj betoni tre nga këlyshët e larmë me shqetësimin e vëllazëruar.
Cingërr-err-err tingëlluan lehtë monedhat e para nga kalimtari, një burrë në moshë në ecjen e tij shtrembër nga e djathta, duke u mbajtur për shkopin e tij të drunjtë. Cingërima e metaltheve sikur zgjoi myezinin nga kotja në zagushinë e gushtit me zërin e tij thep me thep luginës. “Ejani në lutje, ejani…. eja….. “ dhe pushoj papritur nga kursimi ditor, një më një i dritave.
“Faleminderit, zoti të dhashtë!
Lypësi tani e kishte mësuar përmendësh peshën e cingërimës, mbërtheu centët, i shikoj dhe me to fërkoi mjekrën: “Me bereqet, i pari lëmosh”- lëshoi zërin tri herë në lutjen për mbarësi. Dhjetëcentëshin dhe pesëcentëshin i ktheu përsëri me kujdes mbi leckë.
“Edhe dhjetë centë për ta blerë një bukë” pëshpëriti. Gjysmëmajtas dukeshin këlyshët, dy nga të cilët rrinin ulur, kurse tre të tjerët nuk dukeshin nga barishtet gjysmë të venitura.
“Bani rahmet, bani rahmet, kam pesë shpirtra për t’i ushqyer”- e filloi lutjen, një refren me zë të lodhur sa herë që kalonte njeri aty pranë.
Në një ditë tregu sikurse sot, qyteza mbushej me njerëz nga fshatrat e rrethinës. Jeta gjallëroi aq shumë sa të dukej një zgjua bletësh e çrregulluar nga tymi. Pluhuri shoqëronte turmat në Tregun e Gjelbër ku shitej e blihej. Në çdo anë dëgjohet “Hajde speca…mollë… qepë… kunguj… kaftorra…pula e zogj, e çka jo tjetër. Toka dridhej nga muzika e lartë tallave e kasetashitësve, CD e DVD- shitësve sikur të ishin në garë me altoparlantit majë minares së re shkëlqimi i së cilës mbronte retë e pluhurit nga pamja. Kush ka kohë të merret me standardet e ndotjes akustike këtu. Efektet psikologjike e mendore të tyre janë përvetësuar me kohë nga ndotjet paraardhëse në jetën e parregullsive moteve. E veçanta vendore këtu është zhurma. Edhe krisma e armës është argëtuese e çka mund të pjellë pas, kush qanë kokën për cikërrima.
Lypësi gjithmonë ka kohë të mendoj edhe për gjëra banale që nuk e beson kush. Derisa priste të tretën e një buke kaluan shumë re drejt juglindjes në humbjen e tyre prapa shkëmbinjve të Kaloshit plak. Në të kundërtën e tyre kaluan dhjetëra kalimtarë të rinj e pleq, pa e lodhur mendjen për atë grumbull eshtrash nën plafin arnosh.
“Hë poet, cilën vjershë do ta recitosh, krisja njërës po deshe lëmosh”- u dëgjua zëri i të riut me xhinset e tij të shqyera nga hapeshin gojë të leckosura që nxirrnin në pamje mishtë e mbështjellë me lëkurën e zverdhur nga përditshmëria e llastuar kafeneve e tymosjeve narkotike. Anash tij zgërdhiheshin dy hije krijesash me veshje lëkure. Këmisha e zhytur me bojëra mes së cilave portreti i MichaeilJacksonit me njërën dorë helikë varej mbi kokë.
Me një zë më shumë kundërshtues Lypësi nxori nga buzët:
*“Whatabout all the dreams,
yousaidwasyoursand mine…”
“E paska harruar gjuhën shqipe, majmuni. Dikur ia shkrepte vargjeve të Naimit e Fishtës derisa alivanosej nga shqelmat e policit.
“Tregoje fytin e ndrydhur nga çizmja, ta jap një euro”- iu drejtua i riu duke u çjerrë nën kundërmimin e padurueshëm.
Lypësi mbylli skajet e mbështjellësit para fytyrës në barrikadimin e pamjeve që nuk i pëlqente.
Pas disa sharjeve u larguan të tre duke hedhur pas monedhë para këmbëve, e cila lëshoi tingëllimë të mbyllur në rrokullisjen mbi beton.
Lypësi hapi pamjen duke larguar anash fytyrës mbulesën e vënë mbi kokë. Para tij tani qëndronin katër këlyshët e larmë sikur ofronin përkrahjen për mikun e ditës. Lodhjani kishte vënë kokën mbi këmbët e para të shtrira dhe shikonte drejtë në sy.
Ai kërkoi me sy rrugës së dëgjuar të cingërimës. Një euro e bardhë, mbështetur për barishte, shkëlqente me katër yjtë e shqyer në tetë cepa të mbrehtë simetrik mes së cilëve shkronjat Malta dhe viti dymijë e gjashtë.
“Nuk më duhet lëmosha e fëlliqnakëve. Të pa njerëz! Koka e tyre nuk vlen sa koka e Lodhjanit. Hora!”- lëshoi zë që dëgjues kishte vetëm këlyshët e uritur derisa faqeve dukeshin gjurmë lotësh të njomë. Si në ëndërr iu kujtua Gjimnazi, demonstratat, arrestimet e nëntëdhjetë e tetës dhe filloi të dëgjonte zërat e torturës në njëmijë ngjyra rrëqethëse në hetuesinë namzezë.
“O malet e Shqipërisë…” i erdhi ta lëshonte zërin protestues që nuk e kuptonte përse. Lotët shpërthyen përcjell me pështymë e dënesje.
Tani nuk ishte i aftë për asgjë, as për zvarritje deri tek furra, të blinte gjysmë buke për vete dhe miqtë e ditës. Ishte prekur plaga e vjetër, lëngimi i së cilës nuk u shërua as në metropolet e lavdeve shkencore. Në kujtesën e thellë rinore iu ringjallën të gjitha vjershat e mësuara përmendësh. Ato ishin shpirti i tij dhe ai zëri i tyre deri në labirintet e torturave ku vriteshin lulet e agimit.
“Mirë u pafshim miqtë e mi! – foli përmes buzëve që dridheshin duke luhatur dorën sipër plafit të vjetër mbi barishtet në Parkun e Shpresës nën shoqërimin e plagëve besnike. Një trup mbi dheun e bekuar nga kënga e shpirti në fillimrrugën qiellore. Prehje. Një funeral i heshtur qytezës së vjetër aq sa robëria e saj.
Besnik, gusht 2014
(*Ç‘ndodhi më të gjitha ëndrrat, thanë, janë tuajat e të miat…)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hazir Mehmeti, Lypesi, Tregim

MË MIRË NJË “ARMIK DIKTATOR”, APO NJË MIK ANARKIST?!

October 14, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Sa herë që ne bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për miqtë tanë dhe për gazetën, aq herë vihemi në “siklet”, sidomos kur duhet të “kërkojmë” një kryefjalë që do t’i shkonte me “tamam” a do t’i përshtatej opinionit a vështrimit të radhës. Edhe kësaj radhe “ramë në grackë të asaj dilemës së gomarit të Buridanit!?”. Për këtë shkrim kemi dy tituj, i pari: “Më mirë një armik diktator, sesa një mik anarkist!” dhe titulli i dytë: ”Një fjalim a retorikë e retarduar dhe letargjike!”. U pajtuam dhe u përcaktuam për të parën, për faktin se ky i fundit, ndoshta, shkrimin na e nxjerr shkarravinë.
Dikur moti rilindësit shqiptarë mendjendritur kishin parapëlqyer që të ndërtojnë institucionin e dorëheqjes politike. Këtë e kishin bërë në emër të moralit kolektiv, në emër të emancipimit dhe humanizimit të fjalës së lirë a asaj ndryshe. Një ndër të parët që e respektoi këtë institucion ishte Mit’hat bej Frashri. Ata që e njohin mirë të shkuarën e tij thonë se e kishte braktisur postin e ministrit, duke e zëvendësuar me profesionin e mësuesit parauniversitar. Gjithë këtë e kishte bërë pasi që kishte hetuar anarkinë në qeveri. Asnjëherë nuk u pendua sa u përket bëmave të tij, mbase për këtë ishte i ndërgjegjshëm. Që ne të mos i lakojmë a interpretojmë gabimisht dy nocionet sociologjike në vijim (sepse, tekefundit, nuk është puna jonë), do t’i referohemi fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku pos të tjerash thuhet: DIKTATURË f. 1. Pushtet i dhunshëm e i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë). Kishte vendosur diktaturë në shtëpi (në zyrë, në ndërmarrje), e tjerë.
Këtij nocioni të interpretuar do t’ia bashkëngjisim në vijim një “mesele”: Mbaj mend një detaj nga një “bisedë informative” të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, me një inspektor të UDB-së, i cili ishte i ngarkuar zyrtarisht të inspektojë veprimtarinë armiqësore timen, të shokëve dhe të profesorëve të mi. Ai na mori në pyetje rreth trazirave a demonstratave të vitit 1968. Ne, me atë ndërgjegjen tonë adoleshente (hiq mënjanë mësimdhënësit tanë të mirë dhe të nderuar) dhe të trazuar e “paragjykuam së prapthi”. Në fillim e konceptuam si një njeri të mençur, të moralshëm dhe “demokrat”. Pas shumë vitesh mësuam të vërtetën; ai paraprakisht kishte kryer detyrën e gardianit të një burgu famëkeq. Që atëherë thoshin se e kishin avancuar për faktin se “fyelli i kishte ngecur në një vrimë…, ishte emërmadh e kryefikët”. Ai, me sjelljet dhe veprimet e tij, lëre që diktonte vullnetin dhe qasjen prej diktatori, por edhe nuk përfillte përgjigjet tona. Ndonëse ishte një diktator i kulluar, çuditërisht nuk reflektonte anarkinë.
Christiane Hoffman, opinioniste e njohur gjermane, në një vështrim të saj për diktaturën thotë: “Kur rrëzohen despotët duket sikur ka një arsye për t’u gëzuar. Por ajo që pason diktaturën (hiq mënjanë demokracinë, nënvizim yni) shpesh është më e keqe”. Rrjedhimisht, sipas “mendimit tonë”…, ajo që pason diktaturën duhet të jetë demokracia dhe jo diçka tjetër!??…, por sipas saj, “… nëse njerëzit do të ishin përpara zgjedhjes mes një diktature funksionale dhe një kaosi të shtetit të dështuar, diktatura do të ishte e keqja më e vogël”. Historia e zhvillimit shoqëror thotë se jo gjithherë despotët dhe diktatura zëvendësohet me demokracinë dhe demokratët (shembujt e tillë vijnë nga Siria, Iraku, Libia e shtete të tjera, të cilat këmbë e krye nëpërkëmbën e përjashtuan ligjet). Kësaj ndryshe i thonë anarki funksionale, qoftë ajo të hetohet në familje, në mëhallë, në institucionin e caktuar a edhe në kuadër të një partie politike. Në vijën e korrektesës, po i referohemi fjalorit të shqipes standarde edhe për nocionin e anarkisë.
ANARKI f. 1. Gjendje që krijohet në shoqëri, kur mungon pushteti shtetëror i organizuar dhe kur nuk veprojnë ligjet e rregullat e detyrueshme për anëtarët e shoqërisë; mohim i shtetit dhe i çfarëdo pushteti politik të organizuar. Anarkia feudale. Mbretëron anarkia. 2. Çrregullim që krijohet nga mungesa e drejtimit, e organizimit dhe e planifikimit; çrregullim i madh…, në një fushë. Anarkia në prodhim. Bie në anarki. Sjell (mbjell) anarki.
Një pështjellim i tillë u hetua në Partinë Demokratike që në momentin kur ajo i humbi zgjedhjet e fundit parlamentare. Këtë pështjellim më së miri e diktuan ata që dikur lindjen e kësaj partie e konceptuan si “shpëtim dhe shpresë të kombit”. Kjo anarki funksionale nuk ishte kurrgjë tjetër pos një pjellë e abuzimit të tejzgjatur të posteve nga ana e ca funksionarëve të lartë partiakë, ca prej të cilëve shkuan aq larg, saqë disa struktura të partisë politike i shndërruar në stane për të grumbulluar a sistemuar “barinj” që nuk dallojnë djathin nga gjiza, leshin nga lëkura, pelën prej kalit, dashin prej deles, delen prej qengjit, shqerrën prej kecit, kecin prej maçokut, pronarin a qehajain prej rrogëtarit…, disa nuk dalluan kryesinë e partisë prej kryeparit, kuvendin prej degës dhe nëndegës së partisë, nuk dalluan dhe nuk vlerësuan votën e sovranit, premtimin prej gënjeshtrës e të tjera. Ca prej tyre edhe e nëpërkëmbën moralin e dorëheqjes politike, jo pse nuk e bënin punën e tyre ashtu siç duhej, por pse padrejtësisht kishin zënë vendet e njerëzve të cilët dinë ta bëjnë punën ashtu si duhet.
E gjithë kjo katrahurë, lesheli apo anarki u duk a u reflektua në kuvendin e fundit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në veçanti në atë fjalimin e Lulzim Bashës. Se ishte një fjalim në veten e parë, të dytën a të tretën, se ishte një fjalim i dalëboje, letargjik, patetik dhe dëshpërues, se ishte një fjalim nostalgjik, se ishte një kopje e keqe dhe e zbehtë e asaj retorikës së doktorit, se ishte një përpjekje a alternativë e radhës për të dalë nga humnera ku kohë më parë ishte zhytur fund e majë…, se (nuk) ishte as peshk e as mish, se ishte një fjalim dënese për pushtetin e humbur, se ishte një fjalim ndjesie dhe i nxituar i dalë nga një mendje e shkapërderdhur gjithandej…, asnjeri nuk e kuptoi, por ama se ishte një retorikë që përloti “bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët” e tij, gjithsesi se ishte “me tapi!?”. Njerëzit e urtë dikur thoshin: Të gabosh pa qëllim është njerëzore, të kërkosh të falur në emrin tënd personal, është më shumë se humane, por ama të gabosh me qëllim dhe të kërkosh ndjesë në emër të të tjerëve ose edhe këtë hiç fare të mos e bësh, o është marrëzi, o është tallje me njerëzit që të shkojnë pas. E kjo e thënë ma kujton vaktin e njëmendjesisë apo diktaturën e proletariatit si dhe njerëzit të cilët vetvetes po edhe të tjerëve pranë tyre u jepnin a u ngjitnin tituj jomeritorë a të përdalë. Ditë më parë doli një kërkimfalje nga goja e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, që m’u duk njësoj si një thes mielli bosh, që sa herë që ta shkundësh, aq herë prej saj dalin krunde. Fjalimi a retorika e tij ishte njësoj si ai mentaliteti komunist i së shkuarës, një vështrim sa qesharak, po aq edhe tragjik, sa i vonuar po aq edhe… Fjalimi i Lulzim Bashës përloti edhe Majlinda Bregun, do lot që nuk dihej se kujt i dedikoheshin…, partisë, Sali Berishës, kohëve të shkuara, pushtetit absolut apo posteve të humbura. Nganjëherë këto përlotje (të paragjykuara) ta rikujtojnë ditën kur u varros Enver Hoxha. Neve na mbetet të parashtrojmë pyetjen: në atë ndjesë sa kishte me të vërtetë moral (nëse vërtet ishte ndjesë politike).
Një njeri që donte t’i ndihmojë mikut, i pat sugjeruar me fjalët – pse nuk shkon te psikiatri të kurohesh, kurse ai ia paska kthyer – nuk kam nevojë se kam zonjën në shtëpi!? Ndërkaq një proverb popullor thotë shkoqur: “Kur nuk më tirret ago baba, nuk më tirret!”. Ose ajo tjetra me kopenë e dhenve të uritura që – kur nuk duan të kullotin – kërkojnë dajakun e çobanit dhe atë thikën e kasapit!?

Filed Under: Opinion Tagged With: APO NJË MIK ANARKIST?!, Fadil Lushi, MË MIRË NJË “ARMIK DIKTATOR”

TE MBROJME LIRINE NGA IDEOLOGET E EKSTREMISTET E POLITIKES

October 14, 2014 by dgreca

Nga Besim NDREGJONI/
Studjues i krimeve të komunizmit/
Shqipëria ka të ekzekutuar me dhe pa gjygje 5037 burra dhe 450 gra . plus 640 të vrarë në kufi…(statistika shtetërore) nga këta 2000 të ekzekutuar u janë gjetur eshtrat nga familjarët e të pushkatuarëve dhe u kan ndërtuar një varr., ku cdo përvjetor të ekzekutimit të tyre nderohen e kujtohen nga antikomunistët shqiptarë ish të burgosur dhe të përndjkurve politike të diktaturës komuniste. Por 4500 të ekzekutuarit nga komunistët enveristë që nga viti 1943 e deri në fund të vitit 1990 akoma familjarët nuk i kan gjetur eshtrat dhe ka plot njëzetekatër vite që enden zyrave të “shteti demokratik,” në kërkim të njerzëve të tyre të dashur, takojnë Presidenta e Kryeministra , Kryetar Parlamentesh, lloj llloj sorollopësh demagogësh të nomeklaturës diktatoriale duke ju kerkuar eshtrat e familjarëve të tyre, të pushkatuar pa të drejtë. Por ndaj këtyre familjeve fisnike e paqëdashsëse ka vëtëm heshtje. Shteti demokratik hesht ndaj të ekzekutuarëve pa faj, dhe nderon xhelatët shamikuq të krimit komunist. Në të gjithë botën demokratike politika reflekton , respekton ata gra dhe burra që nuk u pajtuan me diktaturat e krimit , por e kundershtuan atë, duke u bërë viktimë e terrorit çnjerzor. Në demokracinë shqiptare ndodh e kundërta nderohet xhelati dhe përbuzet viktima. Shqipëria mban në ndërgjegjen e saj disa nga gjërat më dramatike për një komb. Njëra pjesë e kombit u përndoq në mënyrë tragjike e të pamëshirshme , u përndoq për bindje, për pasurinë e saj , për rangun dhe inteligjencën , për kodet e saj etike kombëtare, dhe u përndoq për gjashtë breza. U përndoq vetëm se ishte e tillë. Kur një shoqëri nuk do të ballafaqohet me ndërgjegjen e vet për të bërë pastrimin e së keqes , ajo shoqëri do të vazhdoi të jetë traumatike: E nesërmja kushedi, mund ta ketë më të errtë se të djeshmen. U mbushën njëzetekatër vjet që nuk janë gjetur eshtrat e 4500 të pushkatuarëve me dhe pa gjygje nga diktatura enveriste. Njëzetekatër vite kërkim, përball heshtjes shtetërore. Dhe sot ata vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe të harruar nga kjo klasë politike. Këta korifejë të kombit tim sfiduan padrejtësin e terrorit me anën e vlerave të tyre , duke dhënë gjënë ma të shejtë” JETEN”. Këta korifejë sfiduan padrejtësinë , duke sakrifikuar moshën por jo idealin e lirisë, drejtësisë, paqes për shoqërinë. Familjarët e këtyre korifejve në vitet e para të pluralizmit demokratik, ëndërronin që padrejtësia e atij sistemi çnjerzor komunist do të denohej moralisht dhe penalisht. Por jooo, ajo padrejtësi kaloi tek heshtja. Njëzetekatër vite të ndrrimit të sistemit, ne shqiptarët, e në vecanti politika si drejtuese e vendit , nuk i denuan këto krime, por përkundrazi me mënyra të stërholluar përdoren diktatin e pushtetit ndaj familjeve të të pushkatuarve, duke u bërë palë me diktaturën, duke i kaluar krimet tek harresa .
Harresa është fenomeni që nuk i shërben paqes, lirisë, por diktaturës. Duke ndjekur me vëmendje aktorët politik e mediatik si dy shtylla të fuqishme të pluralizmit, kemi pare se fenomenin e harresës ndaj vlerave dhe dijes së kombit e mbulojnë me gënjeshtrën dhe ideologjinë e diktaurës nga vjen kjo klasë politike. Me anën e pushtetit të diktatit fshijnë dijen, vlerat që na kan lënë këta burra e gra të pushkatuar pa faj, dhe tani u kan mbetur vetëm fotot e tyre, dhe ata të ruajtur për dekada nga terrorizmi. Nëpër mjet fotove të tyre, duket sikur bisedojnë me ne, duket sikur dhe sot mbas terrorit na frymëzojn, që ne të punojmë për të mirën e shoqërisë e të kombit. Deri kur drejtsia të penalizoi padrejtsinë, kjo shoqëri nuk mund të ketë paqe dhe dashuri. Ne jemi dëshmitar okularë të atmosferës së frikës që krijon çdo terror, e në veçanti terrori i kuq. At Gjergj Fishta , kërkon një varr për eshtrat e tij. . Eshtrat e Sazan Hadërit me qindra intelektual nga qelitë e Burrelit kërkojnë një varr. … Xhelal Koprenca me qindra të tjerë nga galerit e Spacit kërkojnë një varr të u varrosen eshtrat e tyre. Me mijëra të tjerë nga Maliqi e Bedeni, Zadrima e Ballshi kërkojnë një varr për eshtrat e tyre..Eshtë e turpshme e aspak kombëtare të flitet për kontribute të atyre që i sollën këtij kombi diktaturë, e të heshtet ndaj intelektualëve që u sakrifikuan që ne të kemi liri. Vepra e këtyre martirëve të ditur e të zhdukur sot përballet me urretjen e klasës politike e në vecanti të asaj partie që i vrau dhe që sot ka ndru emrin e quhet socialiste. Këta martir dhe familjet e tyre kurrë nuk e provuan faljen e tyre , përkundrazi vetëm heshtjen dhe përbuzjen me nderimin që u bëjnë xhelatëve vrasës..Kur do të kenë një varr këta shqiptarë të mire e të ndershëm, që nënat, motrat, prindërit , nipërit të përulen para sakrifices së tyre madhore. A mundet të jetë e qetë shoqëria e kombi kur në përvjetorin e njëqindëdy të pamvarsisë të flitet për pamvarsi dhe ata që i dhan këtij kombi pamvarsi nuk kan një varr se i vrau Enver HOXHA udhëheqësi i partisë komuniste, i kësaj partie që e ka dhe e drejton sot Kryeministri Edi Rama e që kurrë nuk ju nështrua drejtsisë për vrasjet e këtyre burrave e grave të pafajshëm. Njëzetekatër vite qeveritë shqiptare dhe ky i ashtuquajtur shtet “demokratik,” kan financuar me mijëra subjekte e individë, përvjetorë të gënjshtër data simbol të diktaturës etj.etj. Kurse për gjetjen e eshtrave të ekzekutuar nga ky diktator e xhelatët e tijë nuk kan dhënë as dhe një cent. Qeveria aktuale para pak ditësh financoi me dymiljon dollare kremtimin e e ardhjes në pushtet të diktatorit Hoxha që i vrau këta shqiptar dhe i ka lënë pa varr. Kjo është rilindja zoti Kryeministër? Shteti shqiptar kishte një ligj për të krijuar një taksforc për gjetjen e eshtrave të të vrarëve nga diktatura.. dhe Kryeministri i yne..e shfuqizoi këtë ligj të taks forcës. Shfuqizimi i këtij ligji i duhej Kryeministri të fitonte besushmërinë e xhelatëve për të festuar datën simbol të diktatorit 29 nëndorin të ashtuquajtur “çlirim” . Nuk mund të festohet, kur kishte një ligj në qeveri për të gjetur të vrarët e 29 nëndorit. Ndaj këtij akti urretje të qeverisë dhe Kryeministrit pati heshtje totale.. nuk i ndigjuam të shpreheshin apo të ngrinin zërin “analistët” që na krekosen nëpër ekrane cdo javë, flasin për cdo gjë, por heshtin ndaj krimit komunist.. ndaj kësaj të vërtete tragjike dhe bëhen pale me ideologët e politikës . Media transmeton cdo ditë nëpër ekrane festime me shamia të kuqe simbole të diktaturës, dhe hesht ndaj të vrarëve që nuk kan një varr. Boton jetën e udhëheqësve kriminel të komunizmit dhe hesht ndaj të vrarëve pa faj e gjetjes së eshtrave të intelektualëve shqiptare. Ky është kaosi shqiptare nderohen vrasësit e përbuzen viktimat.. dhe këto veprime i ban “shteti demokratik” I ban me vendime qeverie. Heqja e ligjit të taskforcës, dhe heshtja ndaj gjetjes së viktimave cënon ekulibrat e shoqërisë, krijon urretje, dhe e dërgon vendin drejt kaosit.. Sot heqin ligjin e gjetjes së eshtrave, nesër do të heqin statusin e pafajsisë . Ku po shkojmë me këtë urretje. Pushteti ideologëve dhe ekstremizmit politik që urren pjesën kundërshtare të saj e çon vendin drejt destabilizimit. A kan ndërgjegje kombëtare Presidenti, Kryetari i Parlamentit. Kryeministri, Parlamenti, Qeveria kur një pjesë e shoqërisë kërkon të drejtë njerzore të respektoi familjarët e tyre që u vranë se kërkonin liri, mendim ndryshe, demokraci dhe të drejtat e liritë e njeriut. Dhe këta drejtues shteti heshtin ndaj kësaj të drejte. Ndërgjegjen e tyre e ka mbuluar heshtja dhe heshtja e tyre si pushtetarë ndaj martirëve është krimi i dytë . Ata kërkojnë një varr.. A mbani përgjegjësi ligjore e morale zotrinj qeveritar, që nuk ju siguroni qetsinë shpirtërore prindërve, nënave , nipërve , motrave të pushkatuarve pa faj.. Gjermania ky shtet i së drejtës në Europë që kaloi dy diktaturat nazizmin , dhe komunizmin po punon prej 25 vitesh për të rehabilituar shoqërinë nga pasojat e traumat e diktaturave.. Ne cermoninë festive në Leipcig Presidenti Gjerman Joachim Gauck vlersoi revolucjonin paqësor 25 vjet më parë dhe kujtoi padrejtsitë e RDGJ-së. Aty sundonte klima e frikës dhe e pafuqisë “RDGJ ishte një shtet i padrejtë, nuk kishte gjygjësor të pavarur” tha Gauck “Arbitrariteti sundonte vendin” “Të mbrojmë Lirinë” bëri thirrje Presidenti Gjerman, të mbrojmë demokracinë e fituar nga qytetarët në RDGJ. Ne do ta kuptonim në mënyrë gjysmake thirrje “Ne jemi populli” e ndoshta do ta nënvlersonim atë, po të mendonim se ajo ka vlejtur vetëm për kohën e revolucjonit paqësor” tha Glauck në “fjalimin për demokracinë”. Dhe ne ish të përndjekurit politik shqiptar gëzojmë të drejtën e fituar me gjak për fjalën e lirë, mendimin e lirë, veprimtarinë e lirë e ligjore ma shumë se asnjeri tjetër. Kjo e drejt nuk është një privilegj por një e drejte që nuk mund të mohoet nga askush. E kur ajo mohohet siç është rasti shumë herë vitet e fundit e drejta jonë pë revoltë është e shenjtë dhe e pacënueshme.
PS: Redaksia e Diellit falenderon per bashkepunim z. Besim NDREGJONI,Studjues I krimeve të komunizm

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni, i Krimeve te Komunizmit, ideologet ekstremiste, studiues

NJE NDESHJE HISTORIKE NE STADIUMIN”QEMAL STAFA”

October 14, 2014 by dgreca

Historike, për hërë të parë ndeshje miqësore futbolli midis ekipit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë Kombëtare të Republikës së Kosovës/
NGA SHEFQET KERCELLI/
Mbasditja e datës 13 tetor 2014, ishte një ditë e vecantë për Forcat e Armatosura të RSH dhe FSK, pasi për herë të parë në historinë shekullore të shqiptarëve zhvillohet një ndeshje miqësore futbolli midis ushtarakëve të një gjaku, por në shtete të ndryshme. Me këtë rast stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” kishte marë pamje festive me flamuj, postera, banderole dhe simbole të dy shteteve dhe ushtrive tona. Hijeshinë stadiumit ja shtuan fëmijë të ushtarakëve që mbanin flamujt të dy shteteve, banorë të qytetit të Tiranës si dhe ushtarakët e shumtë të dy forcave që kishin mbushur shkallët e stadiumit për të ndjekur këtë ndeshje futbolli, por jo thjesht, pasi ishte një aktivitet festiv madhështor që i kaloi përmasat e një ndeshje. Aktiviteti sportiv-kulturor u ndoq nga afër dhe nga Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, Shefi Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Komandanti i FSK, GjeneralLejtnant Kadri Kastrati, Komandantët e Forcave dhe ushtarakë të lartë të FA e FSK, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kosovës në vendin tonë, zoti Ramiz Lladrovci, atashe ushtarakë të vendeve mike, ushtarakë e punonjës civilë të Forcave tona të Armatosura si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbas ekzekutimit të hymneve kombëtare të dy shteteve nga orkestra frymore e FA, pjesmarrësit e këtij aktiviteti i përshëndeti Ministrja e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli. Ministrja i uroi mirëseardhjen ushtarakëve të FSK në këtë aktivitet të vecantë duke theksuar se futbolli dhe shkallët e këtij stadiumi më kanë lidhur që në fëmijëri, kur unë ndiqja rregullisht ndeshjet e zhvilluara dhe yjet e futbollit shqiptar. Ky sport i bukur dhe popullor vec vlerave sportive dhe fizike do i shërbejë më së miri forcimit të miqësisë midis ushtarakëve të dy shteteve tona, nënvizoi ministrja. Më pas zonja Kodheli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti dhe administratën e stadiumit “Qemal Stafa” për ndihmën e dhënë në mbarvajtjen e tij. Në vijim pjesmarrësit i përshëndeti Shefi i Shtabit i FSK, Gjenerallejtnant Kadri Kastrati, i cili tha se, është nder dhe krenari për mua të përshëndes në këtë aktivitet simbolik, ku sporti gërshetohet me bujarinë dhe miqësinë e shqiptarëve. Falenderoj popullin dhe shtetin shqiptar për ndihmën e dhënë gjatë viteve të vështira të popullit të Kosovës si dhe për ngritjen e Forcave të Sigurisë në Kosovë! Falenderoj të gjithë ata që u morën me organizimin e këtij aktiviteti dhe krijuan kushtet për zhvillimin e një loje të mirë midis dy ekipeve. Këto veprimtari do na ndihmojnë që në të ardhmen Forcat e Sigurisë së Kosovës të marrin pjesë në aktivitetet sportive të NATO-s ku ne aspirojmë të aderojmë, por dhe në ato me karakter ndërkombëtar, theksoi Gjeneral Kastrati. Uroj të na dhurojnë lojë të mirë të ushtarakët tanë, tha zoti Kastrati. Ndërkohë një grup fëmijësh i dhuruan buqeta me lule personaliteteve dhe futbollistëve të dy ekipeve. Siparin e kësaj ndeshje e hapi gjuajtja e topit të parë nga Shefat e Shtabit të dy Forcave, zoti Jeronim Baze dhe Kadri Kastrati. Më pas filloi ndeshja e futbollit e cila për mëse 90’ i dhuroi emocione të bukura spektatorëve të shumtë. Një garë sportive dhe shpirt luftarak, me sulme e kundërsulme të shpejta, kombinime të sakta, triblime e teknikë, pritje të shkëqyera nga dy portierët, Bujar Manxholli dhe Lorenc Haka. Nuk mund ti dalloje këta djem të rinj nëse ishin ushtarakë apo futbollistë profesionistë. Me kolegët e mi të medias në FSK, zotin Ali Ukaj, zotin Elezi, Kosumi, zonjushën Gashi dhe këshilltarin britanik të FSK N/Kolonel David Jonson ndoqëm me vëmendje cdo aksion të futbollistëve ushtarakë. Me sa duket në këtë lojë të bukur i ndihmon zanati i ushtarakut më thotë Aliu, ndërsa ushtaraku britanik bëntë tifo për lojtarët e FSK. Ka të drejtë i thoja, se tashmë zoti Jonson është bërë pjesë e FSK, ndaj ai është dhe pjesë shpirtërore e ekipit. Kjo lojë e bukur solli dhe emocionet e golit. Fillimisht në minutën e 60-të, shënuan miqtë me anën e major Tom Lleshit, një gol i bukur që u duartrokit nga gjithë spektatorët, më pas në minutën e 75, barazoi Reinaldo Gjerazi i KDS. Loja u mbyll me barazim, kështu që u kalua në gjuajtjen e 11-metërshave për të nxjerrë fituesin e kupës. Përsëri emocione, ku mbas dy pritjeve të shkëlqyera të portierit të ekipit të FA, ndeshja përfundoi 5 me 4, në favor të ekipit të FA të Republikës së Shqipërisë. Por nuk ishte thjesht rezultati që diktoi momentet e kësaj ndeshje, mbi të gjitha ishin vlerat morale e miqësore që karakterizuan këtë aktivitet që lidh djemtë tanë në të dy anët e kufirit. Tashmë miqësia ushtarake mori një dimesion të ri, atë nëpërmjet sportit dhe aktiviteteve kulturore sportive, të cilat duhet të jenë më të shpeshta., shpreheshin pjesmarrësit. Dhe për organizimin e këtyre askush nuk na pengon, ka forma dhe mënyra të ndryshme, mjafton vullneti dhe dëshira, ndaj ato duhet të jenë pjesë e programeve të bashkëpunimit midis dy ushtrive tona për vitin e ardhshëm. Ndërkohë në pushimin e ndeshjes spektatorët qëndruan nën muzikën e afruar nga këngëtarët e Qëndrës Kulturore të FA, zotërinjve Kozma Dushi dhe Redon Makashi, miq të përhershëm të ushtarakëve. Mbas përfundimit të ndeshjes titullarët e dy Forcave shpërndanë certifikatata për tranjerët, gjyqtarët, ushtarakët-futbollistë më të dalluar në këtë kompeticion si dhe trofeun për ekipin fitues. Kështu Gjeneral Bazo i dha një kupë simbolike kapitenit të ekipit futbollistik të FSK, major Tom Lleshit, ndërsa Gjeneral Kastrati, i dha kupën trofe të fitores në këtë ndeshje historike, kapitenit të ekipit të FA, Kapiten Ervin Hysi. Kjo ceremoni e thjeshtë u shoqërua nga duartrokitje, ovacione por dhe lotë gëzimi nga të gjithë pjesmarrësit. Shpërndarje kartvizitash, shtrëngime duarsh, përqafime dhe brohorima pa fund. Në heshtje e pranuan të gjithë se në këtë event futbollistik nuk kishte rëndësi rezultati, por fakti që për herë të parë në histori u arrit të organizohet një aktivitet i këtij lloji në rang kombëtar. Përpos vlerave sportive dhe argëtuese, ndeshja e futbollit e datës 13 tetor 2014 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, përcolli mesazhe të qarta miqësie e bashkëpunimi midis ushtarakëve në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Shefqet Kërcelli
Stadiumi “Qemal Stafa”
Tiranë.

Filed Under: Rajon, Sport Tagged With: F e Sigurise Kosove, F. A Shqiperi, m ndeshje historike, Shefqet Kercelli

15 engjëj, 15 yje, 15 amanete që nuk do të shuhen kurrë

October 14, 2014 by dgreca

* Sot, 10-vjetori i 15 Trëndafilave të Malishevës që nuk do të vyshken kurrë/
*Ata shkuan në përjetësi në emër të dashurisë për të njohur atdheun
Nga Albert Z. ZHOLI/
Sot mbushen plot 10 vjet nga ndarja nga jeta e 15 gjimnazistëve të gjimnazit të Malishevës (Kosovë) në Fushë Arrëz, Shqipëri. Plot një dekadë që ata janë larg familjes, shokëve, shoqeve, bashkëmoshtarëve të afërmve, mësuesve. Ata ikën në kulmin e bukurisë rinore, në kulmin e ëndrrave, në kulmin e dëshirave. Ikën para kohe dhe ëndrrat i lanë në mes. Ikën si engjëj në jetën e përjetësisë duke lënë pas lot, ankth, dëshpërim, brenga, dhimbje që nuk mund të tregohet dhe as mund të përshkruhet. Sot pas dhjetë vitesh ata ndoshta do të ishin doktorë, inxhinierë, mësues, pedagogë, psikologë, mjekë, shkencëtarë… Ata do të ishin… Dhe çfarë nuk do të ishin! Ata rrezatonin si dielli, buzëqeshnin si vesa e mëngjesit plot pastërti, bisedonin si trëndafila aromëshumë, thurnin plane për jetën me pafajësinë më të madhe të moshës. Ata ikën kur i duheshin shumë atdheut, familjes shoqërisë. Ikën në atë moshë ku nuk i besohet askujt, në atë moshë që gjithkush e kujton me nostalgji pasi është kulmi bukurisë, freskisë, forcës, ideve. Ikën me buzëqeshjen e tyre duke realizuar një ëndërr stërgjyshore, që panë dhe vizituan dheun e të parëve, kryeqytetin e gjithë kombit shqiptar Tiranën, që gjyshërit e tyre ua lanë amanet. Po iknin nga Shqipëria plot energji, fantazi, gëzim shpirtëror, për të mbërritur sa më shpejt në shtëpitë e tyre, për t’u treguar familjes se çfarë panë në ëndrrën e tyre të dikurshme Shqipërinë Mëmë. Ata donin të fluturonin sa më shpejt në Kosovën martire, pasi aty i prisnin plot ankth dhe dëshirë për tu çuar përshtypjet mijëra pjesëtarëve të familjeve të tyre. Por në vend të çonin kujtimet e tyre, “ata çuan” lajmin e zi, lajmin kob që asnjë zemër njerëzore sado e fortë s’mund ta thotë, nuk mund ta përcjellë dot. Lajmi i kobshëm për humbjen e jetës së 15 gjimnazistëve pushoi dhenë. Gjithë globi u trondit. Në çdo emision lajmesh ai ishte lajmi i parë. Lajm tronditës. I pabesueshëm. Në ekranet televizive sheh vetëm lot. I pabesueshëm pasi Kosova po jeton lirinë. Ka ikur koha kur rinia vritej në emër të fjalës magjike LIRI. Dhe këta të rinj duhej ta shijonin rininë që u dhuruan prindërit e tyre me gjak. Liria është koha kur të rinjtë përcjellin prindërit sipas moshës dhe jo si lufta që prindërit përcjellin në përjetësi të rinjtë, heronjtë. Nuk ishte koha e tyre ajo ditë e zezë….

Në rrugën e një amaneti

Për here të parë pas luftës së fundit në Kosovë, nxënësit e gjimnazit “Abdyl Frashëri”, sikurse edhe të shkollave tjera të Kosovës nisën organizimin e ekskursioneve për të vizituar vendet historike të Shqipërisë. Pikërisht më 9 tetor të vitit 2004, 282 maturantë bashkë me 15 profesorë udhëtuan drejt Shqipërisë, për të realizuar kështu ekskursionin e planifikuar sipas planprogramit shkollor. Ishte një nisje plot entuziazëm thekson në librin “Lule që nuk vyshken”, Profesori i gjimnazit Malishevë, z.Ramiz Sopaj. Ata, jetuan çastet më të ëmbla rinore, gjatë 5 ditëve të shtegtimit cep më cep të atdheut, duke parë Tiranën, Krujën, Durrësin, Vlorën, Lezhën dhe Shkodrën. Por, më 14 tetor, kur po ktheheshin për në vendlindje, aty rreth orës 14 e 14 minuta, një automobil mercedes, të cilin e ngiste një shtetas i Shqipërisë, me një shpejtësi të madhe, pasi godet autobusin e parë përplaset furishëm në të dytin, të cilin e nxjerr jashtë rrugës.
Në këtë aksident të rëndë, humbën jetën 15 maturantë, ndërsa lëndime të rënda dhe të lehta morën edhe 33 nxënës dhe dy profesorë, që ndodheshin në të njëjtin autobus në momentin tragjik. Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës. Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit nën regëtimën e lotëve të përzier me pikat e shiut të pashtershëm të asaj dire të dhembshme për të gjithë ne. Për të nderuar maturantët që u ndanë fizikisht nga fa mil jetë dhe shoqëria e tyre, presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova shpalli një ditë zie kombëtare, ndërsa nxënësit dhe profesorët mbajtën një të pame të madhe tre ditore, duke pritur qindra mijëra nxënës e qytetarë në mjediset e gjimnazit, nga e gjithë hapësira shqiptare.
Në shenjë të kujtimit të përhershëm për maturantët, përfaqësuesi i atëhershëm i OKB-së në Kosovë, Soren Jesen Petersen, gjimnazit i dhuroi një bibliotekë moderne në vlerë prej 20.000 eurosh, e cila është pagëzuar me emrin “15 Maturantët”. Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, që tashmë veç është realizuar. Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: 15 gjimnazistëve, Albert Zh Zholi, në Fushë Arrëz, të gjimnazit të Malishevës (Kosovë)

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT