• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

Mbi një plan Amerikan i propozuar për Shpëtimin e Shqipërisë dhe Kosoves, gusht 1944

November 19, 2014 by dgreca

Nga Romeo Gurakuqi/
Një memorandum privat i një qytetari amerikani, njohës shumë i mirë i situatës në Shqipëri në gusht 1944, përgatitur me kërkesë të autoriteteve Aleate Anglo-Amerikane
Një vështrim i shkurtër mbi rrethanat historike shqiptare në korrik-gusht 1944
Memorandumi që gjendet në: PRO.FO.371.43554, R 16105/G, R 14661/39/G, Boxshall to Laskey Esq, 5 October 1944, The Albanian Situation (Comments of August 25, 1944), është shkuar me datën 25 gusht 1944 dhe u bë i njohur për Foreign Office me 5 tetor 1944, përmes rrugëve private, nga zyra britanike në New York. Linjat e rekomandimeve të përpiluesit anonim të letrës, nuk ecin tërësisht paralel me politiken e përkufizuar nga Foreign Office dhe State Department, të cilat nuk kanë ende një plan efikas për zgjidhjen e gjendjes kaotike shqiptare. Shqipëria e verës 1944 ishte e traumatizuar nga dy pushtime rrënimtare, nga një lëvizje komuniste me frymëzim jugosllav që komandonte LNÇ, nga kolaboracionistë të deklaruar dhe të bindur, kolaboracionistë naivë, rastësore e nën presion, dhe nacionalistë asnjanës, nën presionin sllavo-komunist. Vetë LNÇ kishte tjetërsuar dhe tejkaluar thelbin e luftës çlirimtare drejt një lufte të qartë edhe për pushtet. Është koha kur forcat e Divizionit I të UNÇSH, nga data 28 qershor 1944, kishin kapërcyer Shkumbinin dhe kishin hyrë në Veri, hapësirë shqiptare e strukturuar ndryshe nga pikpamja sociale dhe e pozicionuar ndryshe në konfliktin që kishte përfshirë Shqipërinë e Jugut dhe disa pjesë të Qendres. Divizioni i sapo formuar partizan që përfshinte brigadat 1, 4 dhe 5, i komanduar prej Gjeneral Kolonel Dali Ndreu, kaperceu rrugën Elbasan-Strugë dhë lëvizi në Veri në drejtim të Matit dhe Dibrës. Gradualisht repartet partizane filluan depërtimin edhe në zonat e kontrolluara nga Abaz Kupi, në zonën e Matit. LNÇ sulmoi Zogistët fillimisht me datën 5 korrik 1944. Major Kupi në këtë ditë ishte në Lumë, duke biseduar me Muharrem Bajraktarin dhe udhëheqës të tjerë të Shqipërisë së Veriut. Kupi sapo mësoi mbi sulmin u dha urdhër oficierëve të tij të vetëmbroheshin, por nuk bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm. Pas kthimit të tij me 7 korrik, ai e kuptoi se për shkak të inferioritetit numerik të njerëzve të tij, në armë dhe pajisje, si dhe për shkak të mungësës së një udhëheqesie, LNÇ kishte pushtuar tashmë Luginën e Shupalit dhe gjysmën e Matit, duke e privuar atë nga një pjesë e madhe e krahinës nga e cila ai kishte siguruar bazën e vet të fuqisë njerëzore. Nga ana tjetër, ofensiva e LNÇ ishte shtrirë edhe në Dibër, duke kërcënuar edhe Mirditën. Pas kësaj Kupi u kthye në Lumë, me synim mobilizimin e forcave të tij për mbrojtjen e zonës së Krujës e Matit dhe për me bisedue për formimin e një Blloku Nacionalist që do t’i kundërvihej LNÇ, pa bashkëpunuar me gjermanët, dhe me mbështetjen e Aleatëve. Ai u orvat të ndërtonte një skemë mbrojtësë në Shqipërinë e Veriut, që do të përdorte të gjitha forcat nacionaliste. Kupi nuk bashkëpunoi në asnjë rast me gjermanët, madje në këtë kohë ai filloi të ndërmarrë sulme kundër tyre, ndërsa në gusht dhe shtator 1944. ai ua bëri të qartë të gjithëve, se e vetmja alternativë ishte lufta kundër pushtuesit. Por ai u përpoq jo pa çudi, të ndërtonte një skemë parësore mbrojtjeje ndaj LNÇ-së, që përfshinte edhe elementë nacionalistë që ishin pjesë e qeverisë në Tiranë, ose mbështetës; rezulton se u vendos në dijeni deri edhe të një plani për të kapur qeverinë e Tiranës me elementë të Bllokut Nacionalist, për të përgatitur një organizëm të gjërë nacionalist, politik dhe ushtarak, kundër LNÇ-së, që do t’i bënte ballë ardhjes së tyre në pushtet, kur gjermanët të tërhiqeshin. Kupi në korrik 1944, arriti të mobilizonte rreth 1500 trupa dhe ripushtoi Shupalin, pasi kjo zonë u evakua nga LNÇ. Të gjitha këto veprime të Kupit vazhduan ndërkohë që ai bashkëpunonte me Misionin Aleat, dhe kishte shpallur synimin e tij për të sulmuar LNÇ derisa ajo të largohej nga ajo zonë që ai e konsideronte me të drejtë, sfera e tij e ndikimit dhe këtë ai do ta bente me çdo çmim. Konstatoj se Nacionalistët kanë qenë plotësisht të qartë për atë çfarë do e gjente Shqipërinë dhe Kosovën, të nesermen, në qoftë se LNÇ do triumfonte, por kanë qenë të vonuar, apatikë, të pavendosur për të kuptuar se rruga për të penguar ardhjen e komunistëve titistë në pushtet, ishte rruga që ndiqte Gani Kryeziu: Luftë pa kompromis kundër pushtuesit, duke bashkëpunuar me Aleatët, duke zhvendosur mbështetjen aleate në luftën antifashiste, nga komunistët e Enver Hoxhës drejt Nacionalizmit tradicional dhe reformator. Dokumentacioni deshmon se, pas invadimit të LNÇ-së në Veri, opinioni publik në Mat, i cili deri tani sikurse edhe në pjesët e tjera të Veriut kishte qenë apatik dhe në pozicione pritëse, filloi të acarohej dhe zemërohej me LNÇ, në mënyrë të veçantë për shkak të requizimeve me shumicë që ata bënë, djegies së shtëpive të prijësve kryesore të Matit, sinjale të para për atë çfarë aa do bënin të nesermen e ardhjes në pushtet. Pikërisht në këtë kohë, Lufta Civile që zhvillohej krahas Luftës Çlirimtare nga komunistët, hyn në një fazë të re, finale do ta quaja, mbasi LNÇ-ja tashmë godiste pa dallim, të gjithë në Shqipërinë Qendrore dhe të Veriut, jo vetëm bashkëpunëtorët klasikë, por të gjithë Shqipërinë asnjanëse, Shqipërinë në pritje, gjithë strukturen hierarkike sociale të Veriut. Ishte tashmë shumë më tepër se sa një luftë çlirimtare, në mes ideologjive rivale: ishte një goditje ndaj Shqipërisë tradicionale, që pas kësaj do të bjerë për të mos u ngritur më kurrë. Invadimi i UNÇSH në Veri, në zonat e Abaz Kupit dhe fillimi i ballafaqimeve mes trupave ndërshqiptare, në një luftë të mirëfilltë civile, alarmoi britanikët të cilët ndërmjetësuan.
Duhet të kujtojmë se gjatë muajve korrik dhe gusht 1944 administrata e Shqipërisë së Jugut u dezintegrua, në rrethanat kur u kuptua se forcat e armatosura qeveritare e kishin të pamundur të kontrollonin FNÇ (pas Kongresit të Permetit) dhe në një kohë që njësi ushtarake gjermane nuk ishin disponibel. Prefektet dhe zyrtaret qeveritarë të Gjinokastrës dhe Korçës, ose erdhën në Tiranë, ose ikën në Greqi. Përndryshe, familjet nacionaliste e lëshuan Vlorën, kur u pa qartë se hyrja e UNÇSH, në rrethanat e terheqjes së dukshme gjermane, mund të shoqërohej me goditje pa dallim. Në këto rrethana elementët nacionalistët ishin në të mirë të negociatave të menjëhershme me FNÇ, por kjo do të rezultonte një mision i pamundur për ndërmjetësit britanikë dhe për ata vetë për shkak të intransigjencës së Enver Hoxhës. Me datën 9 gusht 1944, Këshilli i Regjencës autorizoi Qeverinë e Fiqiri Dino të merrte çfarëdolloj mase emergjente që do të ishte e nevojshme dhe krijoi Komanden e Përgjithshme të Forcave të Armatosura, nën urdhërat e Ministrit të brendshëm Xhafer Deva. Në përgjithësi, e vetmja lidhje që i mbante të bashkuar anëtarët e kësaj qeverie ishte frika e LNÇ dhe deshira per të ruajtur rendin social ekzistues në Shqipëri. Për një pjesë të rëndësishme të tyre bashkëpunimi me gjermanët kishte qenë i kushtëzuar pikërisht nga kjo frikë. Këto janë pak a shumë rrethanat e muajve korrik gusht 1944 që shërbejnë për të kuptuar dokumentin e mëposhtëm.
Analiza dhe plani i propozuar nga autori, shpjegon rrezikun që paraqet FNÇ për të ardhmen e Shqipërisë, për shkak të procesit të invadimit të Veriut nga ana e UNÇSH dhe të pozicionit të paqartë dhe të pavendosur të Britanisë së Madhe dhe ShBA në vend. Më shumë se sa mbi nevojën e çlirimit të Shqipërisë nga gjermanët, që do të ndodhte gjithsesi, ai mendon për të ardhmen e këtij vendi fatkeq dhe me zhvillim të cunguar, viktimë e përhershme e ballkanikëve agresivë. Zgjidhja e propozuar nga vlerësuesi, në këtë kohë delikate për të ardhmen e vendit në liri dhe të Kosovës me një pozicion të pasigurtë e të paqartë statutor, është me parandalue lëvizjen e LNÇ që nga Jugu i Shqipërisë të depërtojë në Veriun e mbizotëruar nga Nacionalistët neutralë, si dhe sigurimi i një referendumi të ndershëm nën mbikqyrjen Aleate, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo kjo kërkonte një angazhim ushtarak në Shqipëri, të cilin as britanikët dhe as amerikanët, nuk ishin të gatshëm në këtë kohë ta ndërmerrnein. Rreziku ishte se FNÇ po fuqizohej aq shumë, sa do të ishte e vështirë më vonë, sikurse rezultoi në të vërtetë, me e ndalue atë organizatë nga ndërmarrja e procesit të vendosjes nën zotërim të të gjithë Shqipërisë, proces i cili ishte qartësisht dhe përfundimisht qellimi kryesor që i udhëhiqte përgjatë e paralelisht procesit çlirimtar. Britanikët për të ndaluar Enver Hoxhën nga i ashtuquajturi proces i “prise de pouvoir” (kapjes, vënies nën zotërim) të Shqipërisë së Veriut, menduan të organizojnë një takim të tij me Gjeneralin Wilson. Mirëpo ata ngurruan të vendosnin në zbatim këtë opsion, sepse frikësoheshin se ky takim mund t’i jepte Enver Hoxhës krahë, do të përforconte edhe më tej pozitën e tij dhe do ta ndihmonte të vazhdonte programin që ia kishte përcaktuar Tito dhe ambicja e tij paranojake për t’u bërë zot i plotfuqishëm i “Shqipërisë së Re”.
Konsideratat dhe planet e paraqitura nga analisti anonim amerikan, të cilit siç duket iu kërkua të jepte një opinion jo zyrtar për shkak të ekspertizës në çështjen shqiptare, mbi atë çfarë Aleatët do të duhet të benin në Shqipëri, në rrethanat e precipitimit të hidhur të ngjarjeve atje në verën e vitit 1944, janë si më poshtë vijon:
1. “Aleatët do të duhet të heqin dorë për momentin nga ndonjë përpjekje ose synim për me formue një Qeveri në Mërgim, mbasi koha e vërtetë për këtë ka kaluar tashmë përfundimisht. Është shumë e dyshimtë nëse ndonjë qeveri nga jashtë do të mund të komandonte tani linjat e përkushtimit të LNÇ, veçanërisht në qoftë se Zogu do të drejtonte një qeveri të tillë; për më tëpër, që Kongresi i Përmetit ka deklaruar publikisht se nuk do të pranojë një qeveri nga jashtë.
2. LNÇ duhet të këshillohet, se përpara një njohjeje që mund t’i jepet asaj, ajo organizatë duhet të zgjerojë bazën e anëtarësisë, duke përfshirë si Nacionalistët ashtu edhe Zogistët; me fjalë të tjera, kjo organizatë duhet të rikthehet tek parimet fillestare të Konferencës së Pezës, të mbajtur në shtator 1942. (Asokohe, shqiptarët qenë të bashkuar në besimin se një lëvizje e bashkuar e rezistencës, nuk do të duhej të pengohej prej përshtatjes së një programi të pastër partiak; dhe ata ranë në një mendje me ia lënë në dorë, të gjitha çështjet e lidhura me formen e një shteti të pas luftës, votuesve shqiptarë, të cilët do të përcaktonin këtë çështje me një referendum).
3. Aleatët duhet t’ia bëjnë të qartë LNÇ-së, se në qoftë se ata nuk do të pranojnë zbatimin e këtij programi, Aleatët mund të detyrohen (në interes të vetë Shqipërisë), të formojnë një Qeveri në Mërgim, nga grupet jashtë, një qeveri që do të përfaqësojë sa të jetë e mundur proporcionalisht, partitë e ndryshme brenda Shqipërisë; dhe kjo do të duhet bërë edhe nëse populli në Shqipëri aktualisht, deshiron ose jo, të dërgojë delegatë për të marrë vendet në një qeveri në mërgim. LNÇ-së duhet t’i thuhet gjithashtu: një alternative e dytë të cilën Aleatët mund ta konsiderojnë do të ishte me e lënë Shqipërinë pa një qeveri të njohur, pozicion që do e vendoste atë në një pozitë jo të favorshme, përsa u përkët fuqive të tjera ballkanike.
4. Aleatët, në shpalljen e kësaj deklarate të përbashkët, duhet t’u kërkojnë në çdo rast, të gjithë atyre që e konsiderojnë vehten, miq të Aleatëve, që të frenohen nga luftimi i njëri tjetrit dhe të dy grupimet të shpallin menjëherë një Besë (Armëpushim i Shenjtë), mbi bazën e këtyre pikave: A. status quo-ja territoriale e përftuar në kohën e deklaratës do të duhet të ruhet: kjo do të thotë që territoret e pushtuara prej seciles nga të dyja palët, do të duhet të mbahen dhe të administrohen prej kësaj partie të veçantë. B. Duhet rënë në një mendje që asnjë parti të mos dërgojë forca të armatosura brenda territorit të partisë tjetër pa pëlqimin e palës së interesuar. Në qoftë se një grup ka nevojë me qenë i mbështetur në ruajtjen e rendit, ose në nxjerrjen jashtë të gjermanëve, ai duhet të kërkojë ndihmë nga kundërshtarët polititikë dhe në qoftë se kjo ndihmë jepet, ajo do të duhet të jetë mbi bazën e mirëkuptimit, se forcat që vijnë, do të duhet të tërhiqen në momentin më të parë të mundshëm. C. Kaq për sa i përket territorit të pushtuar aktualisht prej Partizanëve dhe prej Zogistëve. Përsa i përket qyteteve që janë në prag të abandonimit prej gjermanëve në të ardhmen e afërt, do të duhet të bëhen marrëveshje në mes LNÇ-së dhe Nacionalistëve, përfshirë edhe Partinë e Kupit (Zogistët). Qytetet në jug të Shkumbinit mundet të pushtohen prej LNÇ-së, ndërsa qytetet në Veri të Shkumbinit do të duhet të konsiderohen si sferë e ndikimit të Nacionalistëve dhe Zogistëve (me fjalë të tjera të antikomunistëve). Kjo nuk duhet të afektojë statusin e qyteteve dhe rajoneve në Zonën Gege, që aktualisht janë të zotëruara prej partizanëve në kohën kur kjo deklaratë të botohet prej Aleatëve. Sistemi i status quo-së do të duhet të aplikohet në raste të tilla.
Vlona (me përjashtim të Sazanit) duhet natyralisht të jetë nën zotërim të LNÇ-së dhe Durrësi në duart e Nacionalistëve. (Sazani duhet të merret nga Aleatët menjëherë, para se shqiptarët ta marrin atë. Sazani duhet të mbahet peng i rezultateteve të Konferencës së Paqes).
Tirana duhet të vihet nën zotërim të përfaqësuesve civilë, por jo ushtarakë, të të dy partive kryesore, mbasi përndryshe do të ketë një mosmarrëveshje mbi atë se kush do të jetë në zotërim të kryeqytetit të Shqipërisë.
5. Është e nevojshme që Britanikët dhe Amerikanët të bashkohen mbi politikën shqiptare dhe të përdorin dorë të fortë në ekzekutimin e kësaj politike të propozuar. Jo më hapa të pasigurtë: situata aktuale tragjike dhe shqetësuese është në një pjesë të madhe rezultat i dështimit të Aleatëve me marrë në konsideratë opsionin e aksionit. Përshtatja e çdo plani të arsyeshëm, i pasuar prej ekzekutimit të menjëhershëm, do të jetë më mirë se të mos kesh asnjë plan, ose më mirë se vazhdimi i një politike laissez-faire (lerë të shkojë si të shkojë shënim imi R.G.).
Në qoftë se ideja e ndarjes së vendit në sfera ndikimi mbi një bazë Toskë-Gegë (sikurse është treguar më lart) duket e ndjeshme, Aleatët do të duhet t’i japin mbështetjen morale dhe madje edhe ushtarake. Aleatët duhet të ndalojnë LNÇ të pushtojnë me forcë qytetet veriore të mbajtura prej Nacionalistëve dhe ata do të duhet të kenë mjetet e nevojshme për t’i nxjerrë ato jashtë, në qoftë se LNÇ i zën këto qytete.
6. Në momentin më të parë, trupat amerikane, të barabartë me një numer prej 5000 ushtarakësh, duhet të dërgohen në Tiranë dhe Durrës me qellim: A. të sigurojnë shqiptarët se Amerika (të cilën shqiptarët e besojnë), është e interesuar për fatin e tyre. B. të parandalohet pushtimi i mundshëm prej Task-Forcës Ruse të Shqipërisë dhe të bllokohen planet për përfshirjen e Shqipërisë në një Bllok Sllavo-Ballkanik. C. Të parandalohet mundësia që LNÇ-ja (në qoftë se ajo pushton zonat e kundërshtarëve të saj), të mohojë të drejtën e Aleatëve të okupojnë Shqipërinë. Kjo nuk është një rastisje e pangjashme. D. të parandalohen luftimet në mes Nacionalistëve dhe Partizanëve në zonat territoriale kufitare të caktuara secilës palë. E. të ketë një forcë të gatshme (Aleate shënim imi R.G.) me invadue Kosovën, në qoftë se gjërat dalin jashtë kontrollit atje. F.Të parandalohet një integrim shumë i ngushtë i LNÇ me Titon dhe me Rusët. G. Të jeni gati me perjashtue çdo cenim mbi territorin shqiptar, si derë hyrjeje e forcave të armatosura për asnjë vend, mbasi kjo do të shkaktonte që të gjithë shqiptarët të mendonin se Aleatët synojnë ndarjen e Shqipërisë. (Shënim: nën asnjë rrethanë nuk duhet që shtetet e tjera ballkanike të pushtojnë ndonjë pjesë të Shqipërisë së paraluftës).
7. Qeveritë Aleate do të duhet ta bëjnë të qartë se ata janë të vendosura që zgjidhja demokratike është ajo që do të duhet të aplikohet në përcaktimin e formës së shtetit të pas luftës; se ata nuk do të njohin ndonjë qeveri të zgjedhur nën shtërngim ushtarak; dhe se në qoftë se ndonjëra prej partive mendon se ajo mund të mbizotërojë situatën me anën e përpjekjeve për t’i mohuar shqiptarëve të drejtën e një referendumi, këto përpjekje nuk do të kenë asnjë dobi.
8. Aleatët do të duhet ta bëjnë të qartë se populli shqiptar është i lirë të zgjedhë çfarëdo lloj regjimi që ai deshiron: Regjim Komunist, Mbretëror ose Republikan; por se Aleatët do të përdorin forcën ushtarake në qoftë se është e nevojshme, për të siguruar zhvillimin në mënyrë të ndershme të referendumit. Në qoftë se Lufta Civile vazhdon, shqiptarët do të jenë kryesorët që do të vuajnë. Sa më sipër do të duhet të jetë jo vetëm një këshillim, por një paralajmërim solemn.
9. Po të mos kemi disa plane dhe po të mos veprohet menjëherë, Aleatët do të gjenden më vonë, para konsiderimit të tyre si invadues, njëlloj sikurse italianët dhe gjermanët. Sakrificat jetësore të shumë ushtarëve aleatë, do të jenë çmim i paguar për mungesën e një politike të ndjeshme, energjike dhe të efektshme britanike dhe amerikane. Më tej, derisa sa të ndërmerret një qendrim më i fuqishëm, Shqipëria ka shumë mundësi të bëhet një Shtet sovjetik dhe sipas të gjitha gjasave do të futet me forcë në koalicionin Sllav të kontrolluar prej Rusisë (e cila do ta mirëpriste daljen në Detin Adriatik).
10. Si një politikë e përgjithëshme, do të jetë më e lehtë dhe më me pak kosto, me e qeverisë Shqipërinë (sikurse gjermanët e kanë zbulue) nepërmjet parandalimit të ndonjë partie nga përftimi i një pushteti dhe epërsie të plotë ushtarake; dhe kjo është në interes të vetë Shqipërisë, ashtu sikurse një referendum i ndershëm është i domosdoshëm për të ardhmen e këtij vendi në paqe e siguri. Po ashtu, kjo mënyrë, do të bëjë që atje të ketë një mbrojtje më efektive për ata që nuk pajtohen me pikëpamjet komuniste.
11. Unë jam shumë i përkufizuar në mënyrë përfundimtare në opinionin se Aleatët do të duhet ta pushtojnë Kosovën, ose të kenë një Komision atje, për të vëzhguar që rikthimi i Jugosllavëve, nuk do të shkaktojë një hakmarrje të tmerrshme mbi kosovarët dhe nuk do të ketë përpjekje për t’i shfarosë irredentistët shqiptarë. Aleatët duhet të premtojnë mbrojtje të irredentistëve kosovarë, duke kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; dhe Aleatët duhet të jenë gati të zbatojnë premtimin e tyre me forcën ushtarake, në qoftë se shpresojnë me e ruejtë vullnetin e mirë të shqiptarëve, në vendin e tyre dhe jashtë tij.
12. Është e deshirueshme që rajoni i Korçës të pushtohet prej trupave amerikane, në qoftë se atje ka edhe shënjen më të vogël të shpërthimit të aktivitetit Pan –Epirotik. Në të njëjtën kohë, një Komision Ushtarak Amerikan do të duhet të dërgohet në Korçë në qoftë se LNÇ do të jetë dakord.
13. Në qoftë se luftimet vazhdojnë, Aleatët duhet ta pushtojnë Shqipërinë dhe të ndërmarrin programin që ju kam vënë përpara.(përfundon dokumenti)
Parashikimet dhe masat e propozuara nga autori amerikan më ngjajnë profetike për atë çfarë ka ndodhur më pas me Shqipërinë dhe Kosovën, me procesin e shkatërrimit të Tiranës e gjithë Shqipërisë tradicionale, për procesin bashkëpunues të komunistëve dhe partizanëve shqiptarë në zhbimjen e djelmnisë kosovare për llogari të planeve të Josif Broz Titos dhe të Rankoviçit. Qeveria shqiptare e vitit 2014, pikërisht për këto arsye, ka nëvojë të njohë situatën e vertetë historike të asaj kohe dhe të gjejë një mënyrë të përshtatshme ta impostojë qendrimin e saj me 17 dhe 29 nëntor 2014 në një linjë të qartë: Nderim për Deshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare, Nderim për Dëshmorët e Nacionalizmit, Nderim për Deshmorët dhe Desidencën antikomuniste të Terrorit të Kuq, falje për krimet e komunizmit të filluara me 18 nëntor në Tiranë dhe 30 nëntor në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë.

Filed Under: Histori Tagged With: gusht 1944, Mbi një plan Amerikan i propozuar, për Shpëtimin e, Romeo Guarakuqi, Shqipërisë dhe Kosoves

Takimi i parë virtual i Diasporës Kosovare me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës

November 19, 2014 by dgreca

Shkruan: Qendresa Krasniqi/
PRISHTINË – Këtë të Enjte, do të mbahet takimi i parë në mes të diasporës Kosovare dhe përfaqësuesëve të Qeverisë së Kosovës. Diaspora Hangout është nisma e parë që mbahet online me qëllim të krijimit të një ure bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe diasporës Kosovare. Të gjithë mund të bashkangjiten në këtë takim të Enjten, më 20 Nëntor, në ora 16:00 CET.
“Ky takim do të stimulojë një diskutim shumë të nevojshëm rreth mundësive të përfshirjes së diasporës Kosovare në procesin e vendimarrjes në Kosovë” sqaron Behar Xharra, themelues i KosovoDiaspora.org
Diaspora Hangout do të mbledhë idetë e individëve nga e gjithë bota rreth identifikimit të mundësive dhe sfidave drejt ndërtimit të një bashkëpunimi të organizuar në mes të Kosovës dhe diasporës Kosovare. Kjo iniciativë do të mbledhë grupe të interesit nga fusha të ndryshme, të cilat kanë ndikim në diasporën Kosovare përmes punës së tyre në shoqëri civile, iniciativa inovative apo politikë-bërje.
Diaspora Hangout është pjesë e Global Entrepreneurship Week Kosova 2014.
Diskutimi do të transmetohet live dhe mund të ndiqet nga të gjithë, via Google Hangout: http://bit.ly/diasporahangout. Të interesuarit për të marrë pjesë në këtë diskutim apo të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë rreth kesaj iniciative mund të na shkruajnë në adresën elektronike kosovodiaspora@gmail.com.
Hashtag i këtij diskutimi është #DiasporaHangout.
INFO PËR MEDIA:
Për pyetje shtesë rreth diskutimit, mund të kontaktoni Qëndresa Krasniqi nga Kosovo Diaspora, kordinatore e Diaspora Hangout via email at qendresa.krasniqi@kosovodiaspora.org
Të bashkangjitur mund të gjeni materialin promovues.

Filed Under: Mergata Tagged With: i Diapsores Kosovare, Qendresa Halili, Takimi i pare virtual

PESËSHJA E PANDARË ÇAME PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

November 19, 2014 by dgreca

Nga MSc. Albert HABAZAJ/
Në kujtesën sociale të komunitetit çam në Vlorë është e pashlyeshme pozitivisht puna e pashembullt që ka bërë pesëshja e parë e çamëve më të përkushtuar, në shërbim të çështjes kombëtare, për vlerat morale të trevës së tyre emërmadhe, për traditat, doket, për historinë dhe kulturën çame, ruajtur e transmentuar brez pas brezi, kudo ku kanë banuar, kudo ku kanë punuar, herë trajtuar si muhaxhirë, herë si zot shtëpie, si ai deti me lule dhe furtunë… Po kush janë emrat e kësaj pesëshje të pandarë, që u tretën në kohë të reja për Mëmën e xhanit, Çamërinë e tyre dhe tonën, për Çamërinë e Shqiptarisë?! Ibrahim Banushi, Nuredin (Dino) Isufi, Skënder Beqiri, Servet Iljazi dhe Fadil Zeqiri, u bënë flakadanë të çëshjes çame, qysh kur ishin ende të rinj, në fillimet e viteve ’50 të shekullit XX, që lamë pas. Pesë djem nga Çamëria, si ato bletët e kosheres, që mbledhin nektar e prodhojnë mjalt, punuan si ata dhe u bënë mishërimi i idealit kombëtar, i përparimit qytetar, i veprimit të guximshëm e i mendimit të mençur, në funksion të mbarësisë shqiptare. Fillimisht, ishin katër shokë të ngushtë e besnikë tërë jetën për çështjen e mëmës Çamëri, të cilët i bashkoi Vlora me ardhjen e tyre të dhembshme nga jugu mesdhetar, ku lanë vatrat e ngrohta familjare, shpërngulur e përzënë prej Çamërie barbarisht nga terrori i zi i klanit më mizor grek, në vitin 1944. Brahimi, Dinua, Serveti dhe Skënderi nuk u ndanë gjatë gjithë jetës së tyre, duke patur një shoqëri të sinqertë, me përkushtim e ideale dhe e shtrinë atë edhe në familjet e njeri – tjetrit. I pari, Ibrahim Banushi dhe më i mençuri, djalë nga katundi Arpicë e Çamërisë, tok me me Nuredin Isufin, kishin qenë në Çamëri dhe kishin luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e territoreve çame kundër bandave shoviniste greke. Agresorët i kapën dhe i internuan. Menjëherë, mbas internimit deri në gusht 1944 nuk i lëshuan armët nga dora për mbrojtjen edhe me gjak të tokave çame. Me ardhjen në Shqipëri, Brahimi rreshtohet në Brigadën V Sulmuese si partizan dhe lufton kundër nazizmit gjeman, që kishte pushtuar trojet shqiptare. Luftoi deri në Kosovë e në tokat jugosllave, ku u plagos dhe ngriu në borë, në malet e Jugosllavisë. Nga ajo luftë me ideale të larta e qëllime të pastra çlirimtare, Ibrahim Banushi mbeti invalid nga këmbët. Në vitin 1946, kthehet nga spitalet e Jugosllavisë, merr pjesë në ndërtimin e rrugës verilindore të Shqipërisë dhe vjen në Vlorë. Në vitin 1947, emërohet në punë, drejtor i Ndërmarrjes Rruga – Ura, detyrë të cilën e ushtroi me devotshmëri e ndërgjegje shembullore deri në vitin 1981. Atë vit, i rënduar dhe nga plagët e luftës, ndëroi jetë, duke lënë deri më sot në popull gjurmët e pashlyeshme të respektit. U përcoll me nderime dhe respekt të dhembshur qytetar. Fatkeqësisht, asnjë nga pushtetarët apo shtetarët nuk e kujton për kontributin e tij në luftë dhe në punë. Është e çuditshme, me tërë mend, që për Brahimin nuk është dhënë asnjë vlerësim, edhe pse veteranët e LANÇ e kanë çuar propozimin atje ku duhet, qysh para 100 vjetorit të Pavarësisë, e kanë përsëritur edhe tani, në kuadrin e 70 vjetorit të Çlirimit
I dyti, Nuredin Isufi mbahet mend si vullnetar në Brigadat e Rinisë Shqiptare për rindërtimin dhe ringritjen e Shqipërisë, shkatërrruar nga Lufta e Dytë Botërore. Ka qenë vullnetar në ndërtimin e rrugëve në veri të vendit dhe në hekurudhën Durrës – Peqin, Durrës – Tiranë. Në vitin 1948, emërohet nëpunës i Gjendjes Civile në Vlorë dhe shef i këtij sektori të rëndësishëm, ku punoi me ndershmëri e përgjegjesi, vërtet si ai, kur thonë. Gjithë koha 50 vjeçare, që kaloi ka shënimet e tij të sakta e korrekte, fakt që ka evidentuar punën e tij të mirë dhe të dobishme në qytetin dhe në rrethin e Vlorës. Ky volum pune i duhur, i mirë dhe i dobishëm është i verifikueshëm, sepse regjistrat që ka plotësuar Dinua janë edhe sot në përdorim të përditshëm. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dinua rron, është 91 vjeç, në moshën e bardhë të pleqërisë.
I treti, Servet Iljazi ka punuar në sektorë të ndryshëm dhe të vështirë, ku është dalluar për punë cilësore dhe përkushtim ndaj detyrës, sikur punonte për shtëpinë e tij. Ka punuar edhe si shofer në ndërmarrjet shtetërore, deri sa doli në pension, në vitin 1990. Bashkëmoshatarët e paktë që kanë ngelur, kujtojnë me mall e respekt vitte e stuhishme në aksionet e rinisë mbas Çlirimit, për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, ku kontributi i Servetit dukej, sepse ai punonte një sa për 10 vetë. Mbylli sytë në vitin 1992.
I katërti, Skënder Beqiri, qysh në vitin 1946 qe nga dallëndyshet e para të Vlorës që doli vullnetar dhe ka marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Peqin, Durrës – Tiranë. Me Brigadën “Misto Mame” u nis në Jugosllavi vullnetar për hapjen e autostradës Beograd – Zagreb, ku punoi dy muaj në sektorë të ndryshëm të ndërtimit të rrugës. Nga viti 1950 ushtron profesionin e fotografit dhe vazhdon si përgjegjës i këtij sektori deri në vitin 1961. Në këtë kohë emërohet drejtor i Kino- klubit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Vlorës deri në gusht 1970. Nga kjo periudhë emërohet përgjegjës i ekspozitës “Vlora Sot”, deri në vitin 1990, kur doli në pension. Të katër, Brahimi, Dinua, Serveti dhe Skënderi, janë të dekuruar për punën përkushtuese, shpirtin e garës, vullnetarizmin dhe sakrificën e treguar në ndërtimin e Rrugës së Rinisë, si quhej atëhere Rruga Kukës – Peshkopi, në vitin 1946. Skënderi rron dhe bën një jetë aktive edhe sot që është 87 vjeç. Ai njihet si Marubi i Çamërisë dhe i Vlorës. Fotografët profesionistë që ngrihen do të krahasohen me Skënder Beqirin. Një merak ka Skënderi, që gjithë ky qytet i madh e me vlera të jashtëzakonshme historike, si Vlora nuk ka një fototekë. Fototeka e Vlorës është ëndrra, dhembja dhe amaneti i Skënder Beqirit.
I pesti, Fadil Zeqiri u lind në Kajcanj të Paramithisë së Çamërisë, më 15. 07. 1937. Shovinistët grekë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vranë prindërit dhë shumë të afërm të tij. Mbeti jetim dhe kështu detyrohet të vijë në Shqipëri. U strehua në Sarandë, në jetimore. Katër ditë udhëtoi për në Durrës e pastaj shkoi në Tiranë, ku dhe u rrit e u edukua në Shtëpinë e Fëmijës. Kreu Shkollën e Mesme “Skënderbej” dhe më pas, në Bashkimin Sovjetik, studioi për Marinë Detare. Pesë vjet i bëri atje, nga të cilat tre në Riga të Lituanisë dhe dy në Azerbaxhan për ABD dhe Marinë të Përgjithshme. Emri i tij ka qenë nderi i Sazanit, Karaburunit, Orikumit, Vlorës e Babicës, ku shërbeu me përkushtim e devotshëri në funksion të forcave detare shqiptare. Pa u shkëputur nga puna studioi për Letërsi si dhe thelloi studimet duke përfunduar dhe Fakultetin Juridik. Për shumë vite ka qenë pedagog në Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë. Ishte kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës “Çamëria”, anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare – Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, ku ka qenë i ndjeshëm qëndrimi i tij kombëtar, në shërbim të rritjes së ndjenjës së atdhedhashurisë dhe respekimit deri në adhurim të simboleve të ndritura kombëtare si Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, Hasan Tahsimi, Elena Gjika, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini e gjithë ata pishtarë drirëbërës për të orientuar shqiptarët në rrugën e diturisë, e lirisë, mirësisë e vëllazërisë, se vetëm ajo na sjell përparim. Fadil Zeqiri ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh nga viti 1965. Ai ka debutuar kryesisht në prozë, por ka shkruar dhe poezi, skenarë filmash, ekranizuar a botuar sidomos për interesa të ushtrisë, në radhët e së cilës kaloi tërë jetën, qysh nga fëmijëria e derisa mbushi moshën e doli në pension. Në prozë ka nxjerrë në dritë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” librat: “Midis dallgëve të oqeanit”, “Me vështrim nga deti” – tregime, “Shtegëtimi i fundit” – roman, “Nëndetësja 61” – roman, “Dhembi i tretë” – tregime, “Udhëtim në një hambar” – tregime, “Shënjestra dhe manushaqja” – tregime, monografinë “Ilia Dashi”, kushtuar heroit nga Poro e Myzeqesë së Vlorës. U nda nga jeta më 2 gushtit 2008. Erdhi 6 vjeç në Vlorë. Fëmijërinë dhe jetën e tij me halle shumë e përshkruan me ndjenjë, vërtetësi, art e dhembje tek romani “Shtegtimi i fundit”. Jetimi çau mbi dallgët e jetës dhe iu bashkua grupit çam të Vlorës më vitin 1965. Ai u bë oficer marine dhe mori emër të lartë si një nga prozatorët më të mirë jo vetëm të Ushtrisë, por në mbarë botën e letrave shqipe. Fadili ngjante me një zgalem deti. Ai i dha impulse të fuqishme punës atdhetare jo vetëm të çamëve të Vlorës, por të mbarë Shqipërisë. Ai edukonte me veprim. Vrulli i vijueshëm i Fadilit dukej, edhe sepse ai shkruante bukur e mirë. Të pesë këta djemtë mirë Çamërie janë të shënuar në Regjistrin e Atdhetarizmës si pesë themeltarë të Shoqatës Patriotike “ÇAMËRIA”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, PËR CËSHTJEN KOMBËTARE?, PESËSHJA E PANDARË ÇAME

KONGRESI I ALFABETIT SIPAS RAPORTIT ZYTAR TË KONSULLIT TE PERKOHSHËM BRITANIK NË MANASTIR

November 19, 2014 by dgreca

Nga Avzi Mustafa/
Pa dyshim se ngjarja më e madhe pas Lidhjes së Prizrenit është Kongresi i Alfabetit në Manastir. Ai kongres është një përpjekje vigane për ta ruajtur dhe për ta afirmuar identitetin kombëtar. Kongresi i Manastirit hyri në histori si “Kongresi i Abesë” ose si “Kongresi i alfabetit” pikërisht ngase ai mori vendime të rëndësishme për punën e shkrimit të gjuhës sonë dhe i dha fund kaosit që zotëronte aty, duke e hapur kështu rrugën e njësimit të plotë të alfabetit.
Alfabeti i gjuhës shqipe nuk ishte një problem thjesht simbolesh ose, siç thoshin në fillim qeveritarët osmanë, se harfat janë problem i shtypshkronjave, por në fakt ai ishte një problem politik. Alfabeti i përbashkët latin e vinte në pah qenien e kombit shqiptar si komb më vete përmbi dallimet fetare, e theksonte unitetin kombëtar të shqiptarëve dhe mbyllte rrugën e ndikimit ideologjik e politik të të huajve.
Para se të sillet vendimi i njësimit të shkronjave dhe i hapjes së shkollave në gjuhën amtare shqipe nuk u reshtën pa edhe përpjekjet që ta ndalojnë këtë fitore të madhe të shqiptarëve. Dhe, këtë nuk e bënë vetëm osmanet, por edhe greket, austro-hungarezët, italianet e serbet. Në këtë luftë, kleri me institucionet e saj ishte mjeti më i përdorshëm që vepronte për interesat e të huajve. Kleri u vu në shërbim të drejtpërdrejtë që të ndikojë mbi ndërgjegjen kombëtare te shqiptarët nëpërmjet fesë.
Kleri ortodoks grek nuk e njihte kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe. Ai haptazi deklaronte se popullata ortodokse shqiptare është greke. Ai ua ndalonte shqiptarëve të këtij besimi ta flisnin gjuhën shqipe. Këtë e motivonte me pohimin e paargumentuar e qesharak se gjoja gjuha shqipe s’është gjuh’ e perëndisë, është e mallkuar nga Zoti” ‹1›.
Edhe kleri reaksionar katolik ka bërë përpjekje për ta ndaluar alfabetin shqip. Kleri katolik vepronte nga Vatikani dhe nga pozicioni i politikës së Austrisë. Këtë e shohim edhe nga grindjet e klerikëve katolikë, që propozonin dy variante të alfabetit, atë të “Agimit” dhe të “ Bashkimit” ose të mbështetej ai alfabet që e kanë përdorë autorët veriorë ‹2›. Kleri mysliman me institucionet e tija fetare dhe atyre shtetërore kishte për qëllim që shqiptarët e këtij besimi t’i identifikojë nëpërmjet fesë si “turq” dhe motoja e tyre ishte se “të kënduarit shqip është mëkatë”, ndërsa ata që shkruajnë libra me shkronja latine janë “kaurë” ‹3›.
Perandoria, sidomos në periudhën e xhonturqve, në mënyrë demagogjike – gjoja se përpiqet që në shkollat turke të hyjë edhe gjuha shqipe – nga ana tjetër nëpërmjet hoxhallarëve fanatikë dhe pushtetarëve shqiptarë në administratën turke vepronte të kundërtën – se gjoja popullata shqiptare e besimit mysliman nuk i përfill këto shkronja dhe se ata kërkojnë që gjuhën shqipe ta shkruajnë me shkronja turko-arabe, ashtu si është shkruar Kurani Kerim.
Në anën tjetër veprimtarët më të shquar të lëvizjes kulturore dhe arsimore e kishin formuar edhe Komisionin për Hartimin e Alfabetit Shqip, si “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip”, pastaj kishin vënë një bazë të mirë të përdorimit të shkronjave latine dhe ata i kishin përgatitur me këto shkronja edhe tekstet shkollore për shkollat që do hapeshin si p.sh. “Abetarja e gjuhës shqip”, “Shkronjëtoreja” (gramatikën), “Dheshkronja” (Gjeografia), “Këndonjtoreja”, “Arifmetika”, “Mirëvetia” (Mësimet e moralit) etj.
Me të dëgjuar se do të mbahet një kongres për shkronjat shqipe dhe se do t’i jepej fund kaosit të përdorimit të alfabeteve të ndryshme, armiqtë – sidomos të oligarkia fetare – u bënë shumë të egër, duke mos lënë asnjë gur pa lëvizur që shqiptarëve ky organizim madhështor t’u dështojë dhe kështu të futet edhe më tepër përçarja ndërmjet shqiptarëve.
Te organizatorët e Kongresit të abc-së dominonte edhe një dozë e frikës e dyshimit, se nëse dështon ky kongres i shkronjave, përçarja do të ishte edhe me e madhe ndërmjet shqiptarëve. Këtë dozë të frikës e dëshmon edhe shkencëtari Hasan Kaleshi në punimet e tij rreth alfabetit të gjuhës shqipe. Ai thotë: “Edhe pse se në fillim u përkrah alfabetin latin, por më vonë, nën presionin e qeverisë, sidomos të një pjese të madhe shqiptarësh që zinin pozita jashtëzakonisht të larta, u hoq dorë. ‹4›. Duke i shfletuar revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës Hasan Kaleshi do të japë një tablo kësaj ngjarje. Shkrimi nga numri i parë doli në gazetën “Besa” të Stambollit, pikërisht në ditën kur delegatët u nisen për në Manastir. Ai do të citojë: “Të hënën mbrama u nisën me tren për në Arnautllëk: Ismail Hakki, hoxha Vildan efendiu, Shaqir efendiu, Fazil pashë Toptani, deputet i Prishtinës Faut pashë Prishtina, Riza beg Dibra, Maliq beg Luma, të gjithë anëtarë të shoqnisë shqiptare “Bashkimi” në Stamboll”. Në stacion u përcollën nga një shumicë e anëtarëve të klubit. Me këtë rast para nisjes së trenit, haxhi Vildani e mbajti një fjalim të bukur dhe u prit me duartrokitje të madhe. Haxhi Vildan efendiu, pasi e demaskoi sundimin despotik të Abdulhamitit dhe e lavdëroi kushtetutën, ai e theksoi nevojën e bashkimit të shqiptarëve, të cilat tani do të bashkohen edhe me një alfabet. E alfabeti – tha haxhi Vildani – është një vegël e fuqishme që i përshtatet më së miri gjuhës së tij. Prandaj shqiptarët e zgjedhin alfabetin shqiptar. Turqit gjithashtu nuk kishin shkronja për ta shkruar gjuhën e tyre – ata i kanë adaptuar shkronjat arabe. Sa për drejtimin se si lypsej të shkruhej – nga e majta në të djathtë, apo nga e djathta në të majtë – kjo nuk është punë me rëndësi. Sa i përket fesë, ajo i takon zemrës së njeriut, kështu që secili është i lirë t’i ketë pikëpamjet e veta” ‹5›. Frikë e madhe në Kongres ekzistonte se cili do të jetë qëndrimi i delegatëve të klubit të Stambollit, sepse në klubin e Manastirit mbretëronte një bindje e thellë se ata janë në realitet delegatë të xhonturqve dhe se do ta ndryshojnë mendimin dhe pjesa më e madhe do të kërkojë përvetësimin e alfabetit arab.”. ‹6›.
Mirëpo nuk ndodhi asgjë e keqe, por ndodhi ajo që shqiptarët dolën edhe më të bashkuar dhe i dha fund kaosit të alfabeteve që përdoreshin deri në këtë Kongres. Dy ditë pas përfundimit të kësaj ngjarjeje të madhe konsulli britanik do të japë raport mbi këtë kongres. Ky raport dërgohet 24 Nëntor 1908. Aty konsulli do ta informojë zotin Edward Grey me sa vijon:”

(Nr. 827)
I nderuar,
“Në praktikë, deri tani, kongresi ka pasur sukses të madh, por nuk është i përfunduar. Pesëdhjetë delegatët e pranishëm përfaqësonin të gjithë shqiptarët pa dallim – Gegë, Toskë, Katolikë dhe Ortodoksë. Përderisa klerikët ortodoksë nuk e përkrahnin Kongresin, meqë e zvogëlonte ndikimin e alfabetit grek dhe kishës mes shqiptarëve ortodoksë, një pjesë e priftërinjve katolikë nga Sentari ishin nga ata që më shumë e përkrahnin atë.” (Raporti i konsullit britanik që e posedojmë është pronë e Qeverisë Britanike dhe mban nr. 8 – Arkive, Europa Juglindore, 9 dhjetor FD.371/561)
Pas shumë mbledhjeve mbyllura dhe të hapura më në fund do të arrihen përfundime shumë pozitive e, mbi të gjitha, eliminimin e alfabeteve të ndryshme dhe përqafimin e alfabetit të Stambollit me disa plotësime, kurse si gjuhë e përbashkët të merret e dialekti i Skutarit , që është i afërt me të gjitha të folmet shqiptare.
Kongresi kishte edhe karakter politik – bashkimin e shqiptarëve pa dallim krahine e besimi, si dhe vendosjen e një bashkëpunimi në nivel kombëtar. Për këtë konsulli në raportin e tij do të shkruajë: “Si rezultat i kësaj, katër ose pesë alfabete u eliminuan, kurse njëri prej tyre, i ashtuquajturi alfabet i Konstantinopolit me shkronja italiane, i miratuar për përdorim të përgjithshëm, përveç për modifikime të caktuara, u vendos të përdoret në dialektin e Skutarit. Delegatët mbetën shumë të kënaqur me rezultatet e Kongresit. Ata shohin në të një hap drejt bashkimit kombëtar dhe është rast i parë që i ka bashkuar shqiptarët që nga koha e Aliut të Janinës”.
Gjithashtu konsulli do të njoftojë edhe pse kishte edhe dilema ato se së shpejti do të mbahet edhe një kongres për t’i eliminuar të gjitha ata. “Kongresi i dytë do të mbahet në Janinë më 1910, ku ekziston një bindje se do të ketë pjekuri të mjaftueshme për një marrëveshje të tërë”.
Siç dihet, nga organizatorët e Kongresit u vendos që mbledhjet plenare të ishin të hapura për të gjithë shqiptarët, si edhe për të tjerët që kishin ardhur për ta përkrahur ose si dëgjues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, si dhe nga kolonitë e shoqatat e ndryshme nga vendet botës. Manastiri në ato ditë bashkë me Dragorin flitnin vetëm shqip, kurse kënga dhe vallet me veshjen e bukur shqiptare, si plisi i bardhë e fustanellat, opingat e shamitë, tirqit e mitanët me gajtanët e zi, Manastirit i jepnin koloritin e hijeshisë si asnjëherë më parë. Mbi 400 të ardhur, si dhe shumë qytetar anembanë tokave shqiptare, si nga Malësia ashtu edhe nga vegjëlia, i treguan botës se shqiptari s’ka asgjë të përbashkët me osmanët. Nga turma shpesh po dëgjohej edhe kënga “Gjithë Ballkani qirilisht / En Shqiptari shqiptarish”.
Kongresi zgjodhi një komision prej 11 anëtarëve, që delegatët këtyre ua dhanë besimin e plotë dhe u betuan se do të pranojnë se ç’do të vendosë ky komision. Këta njerëz të besuar ishin shumë të vetëdijshëm se një ndër faktorët që mund të paraqesë pengesë ishte çështja e librit të shenjtë të myslimanëve, Kur’anit. Ky libër i shenjtë mund të paraqiste problem. Shumë çështje u biseduan në mbledhjet e veçanta, por biseda bëheshin edhe me grupe delegatësh edhe me njerëz nga masat popullore. Në një nga ato mbledhje u diskutua edhe përkthimi i Ku’ranit në shqip. Si duket, një ndër pyetjet ishte a se mund ta arrinte vlerën e vërtetë përkthimi i Ku’ranit në gjuhën shqipe. Dhe, a mund të bie poshtë mendimin i Sheh-ul Islamit, i cili trumbetonte se është “mëkat” që myslimanët shqiptarë ta mësojnë gjuhën me shkronja kaurre e ta këndojnë Ku’ranin në gjuhën që nuk e njeh Zoti. Se a ishte temë diskutimi përkthimi i Kur’anit në shqip na dëshmon edhe raporti i konsullit britanik. Në raport thuhet: “Janë mbajtur disa mbledhje me dyer të mbyllura dhe nuk përjashtohet mundësia që njohja e përkthimit shqip të Kuranit, që thuhet se tashmë ekziston në fshehtësi, të ketë qenë temë diskutimi”.
Njeriu kryesor rreth kësaj çështje ishte ngarkuar përfaqësuesi nga Shkupi Hafiz Ibrahim Shkupi. Ai edhe më herët, por edhe me pjesëmarrësit në ditët e mbajtjes së Kongresit, kishte biseduar me udhëheqës fetarë, si: Ali Afiz Korça, Faik Vildani nga Lumnica (Ribnica) e Rekës së Epërme, Haki Mbroja e shume të tjerë, se çfarë mendimi kanë mbi shkronjat e mbi shkollën në gjuhën shqipe.
Kur ishte temë diskutimi përkthimi i Ku’ranit, mbi tavolinë qëndronin fragmentet e përkthimit të Kur’anit nga Naim Frashërit, të botuar në librin “Thelb’ i Kur’anit”, që është botuar në veprën e tij “Mësime” në vitin 1894, si dhe dorëshkrimin i Ilo Mitko Qafzezit, përkthyer nga gjuha angleze prej përkthyesit Georg Sale.
Në çastin e diskutimit të përkthimit të Ku’ranit në gjuhën shqipe, kryetari i Komisionit Gjergj Fishta i lexoi disa fragmente të përkthimit të Ku’ranit, i cili ia dha bukurinë e gjuhës shqipe, ku fjala e Kuranit u dëgjua në shqip dhe tingëllonte edhe më bukur se në gjuhën që nuk kuptohej. Në një moment befas u çua në këmbë delegati i Shkupit, Ibrahim Shkupi, dhe e shtrëngoi fort për qafe dhe lëshoi lot gëzimi e tha: “Zoti është i të gjithëve. Zoti është Krijuesi i botëve dhe i kombeve, pra edhe i shqiptarëve”.
Krahas shkronjave, çështja arsimore dhe kulturore në këtë Kongres ishte pjesë e pandarë e diskutimit, ku u shtrua nevoja që t’i jepej hov më i madh arsimit në gjuhën amtare. Aty me vendosmëri kërkohej që në të gjitha shkollat shtetërore turke, fillore, qytetëse, si edhe ato shkolla ku komuniteti ortodoks mësonte në gjuhën e kishës, që edhe ata të kalojnë në shkolla shqipe. Xhonturqit, siç kuptojmë nga Raporti, nuk e kishin pritur se shqiptarët do të hapin shkolla ku mësimi do të zhvillohej vetëm në gjuhën shqipe, kurse gjuha turke do të mësohej si gjuhë mësimore nga viti i katërt e më lart.
Sipas Raportit, kuptojmë se shqiptarët me një shpejtësi të madhe, bile ende pa përfunduar Kongresi, u hapën dhe u rihapën disa shkolla në gjuhën shqipe “Është shumë e rëndësishme se arsimi shqiptar ka përfituar mbase më shumë se çdo arsim tjetër me ndryshimin e qeverisë. Një shkollë shqipe është hapur në Elbasan (raportuar nga z. Heathcote nr. 54 më 22 gusht). Në Korçë dy shkolla shqipe të mbyllura nga ish-qeveria janë rihapur, duke shtuar edhe kurse të arsimit të mesëm. Autoritetet e vilajetit e kanë përfshirë shqipen edhe në shkollat e mesme turke dhe kanë aplikuar për tridhjetë profesorë shqiptarë”.
Siç u pa, nga Kongresi i Manastirit dolën një sërë përfundimesh dhe dhanë sinjalin se shqiptarët në momentet e vështira dinë të bashkohen pas dallim besimi e krahine. Edhe pse Komiteti Xhonturk në Kongres shtirej se po mban paanësi dhe të bindur se do ta kenë shumë vështirë që shqiptarëve t’u imponojnë detyrime mbanin shpresë se nëpërmjet fanatikëve fetarë, si dhe reaksionareve të ndryshëm që punonin në dëm të shqiptarëve në Kongres, nuk e treguan fytyrën e vërtetë. Konsulli në Raport do të shkruajë: “Turqit e rinj e kanë mirëpritur kongresin shqiptar. Shumica prej tyre kanë qenë prezent dhe delegatë të Komitetit e kanë drejtuar atë. Bisedimet që kam pasur me anëtarë të komitetit, nuk mbështesin synimin për ta parë këtë lëvizje shqiptare si shqetësuese. Ata, si duket, e njohin inteligjencën superiore dhe temperamentin aktiv të shqiptarëve dhe shpresojnë në trajtim të matur për t’i bërë ata elementë fuqie e jo rreziku. Por, ata e dinë mirë se do të jetë vështirë që në mënyrë efektive t’u imponojnë shqiptarëve obligime, siç janë furnizimi me ushtarë dhe tatime. Për më tepër, ekziston një lidhje mes shqiptarëve dhe pjesës qendrore të regjimit të ri në formë të shumicës së liderëve të kryengritjeve ushtarake, siç janë Enver, Selahedin dhe Niazi Beu, dhe të një numri të madh të oficerëve ushtarakë këtu, të cilët edhe pse me arsimim turk janë me origjinë shqiptare dhe u përkasin krahinave shqiptare” .
Menjëherë pas mbylljes së Kongresit veziri Haki Pasha që në bisedën e parë në Këshillin e Ministrave do ta shpreh urrejtjen e qeverisë për “lëshimet” të xhonturqve ndaj shqiptarëve. Ai do të shprehet kështu. “Rreziku më i madh për Turqinë nga të gjitha kombet që jetojnë nën perandorinë tonë janë shqiptarët” ‹7›. Hovin që morën shqiptarët duhet t’u ndërpritet “ata ( shqiptarët) duhet t’i ndajmë e t’i përçajmë e t’i shtypim e t’i dermojmë sa mos kenë më fuqi të ngrihen” ‹8›.
Xhonturqit dhe aleatët e tyre, nëpërmjet disa deputetëve tradhtarë dhe disa feudalëve dhe fanatikëve fetarë, përsëri e shtruan problemin e çështjes së alfabetit në Parlamentin e Turqisë. Këta dolën me tezën se popullsia myslimane “gjoja ka qenë dhe janë për alfabetin turko-arab, i cili njëherazi është dhe alfabet i Kur’ anit, kurse alfabeti latin e prish fenë myslimane dhe se me të nuk shkohej në Qabe” ‹9›. Dhe, kështu xhonturqit nuk lanë gurë pa lëvizur për të sjellë huti e përçarje te shqiptarët nëpërmjet propagandës antikongresiane dhe antishqiptare. Ata ia arritën qëllimin, ashtu që më 23 korrik 1909 e përgatitën dhe organizuan Kongresin e Dibrës, ku dolën me tezën se “në këtë Kongres u mor vendimi, që ky të lihej në pëlqimin e vetë popullatës së çdo krahine” ‹10›.
Si pushteti, ashtu edhe shtetet fqinje ndërmjet propagandave nga ma të ndryshmet, si përdorimi i metodave më të egra (burgosjet, internimet, helmimet, vrasjet), e sidomos me intrigat që dilnin nga komitetet e xhonturqve të rinj në bashkëpunim me forcat reaksionare, kishin arritur që të ndikojnë ose t’i lëkundin anëtarë edhe të klubeve e disa të bëhen oportuniste e disa të veprojnë, bile edhe më keq se pushteti ashtu si veproi klubi i studentëve “Makfel” në Aksaraj.
Ndërkohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Aksarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti, kinse gazetar, nga fshati Llojan i Kumanovës që ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë myslimane për të krijuar një besim se shkronjat turko-arabe janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse shkronjat gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehenem ‹11›.
Çështja e alfabetit shqip dhe e shkollës shqipe ishte një ndër faktorët kryesorë për një luftë gjithëpopullore. Sipas një enciklopedie serbo-kroate-sllovene, libri II në faqen 650 thuhet: “Se lufta e shqiptarëve ishte pikërisht rezultat i asaj që Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ua imponojë alfabetin turk dhe ta pengojë këtë… andaj ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapi shkolla turke dhe, në fund, bëri edhe çarmatimin e tyre”. ‹12›.
Lufta për alfabetin dhe për shkollën shqipe u bë e ashpër dhe nuk mban mend asnjë histori të arsimit kombëtar kaq të përgjakshme, siç është historia e arsimit shqiptar.

Referencat:
1. Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f. 120)
2. Po aty , f. 122)
3. Po aty, f. 120)
4. Kaleshi,Hasan:Disa aspekte të-luftës për-alfabetin shqip në-Stamboll : (http: //olsijazexhi. wordpress.com/2012/12/08/
5. Kaleshi , po aty
6. Kaleshi, po aty.
7. Kongresi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i manastirit, f. 114)
8. Po aty)
9. (“Rufeja”, 14.02.1910).
10. (Historia e Shqipërisë, Kongresi i Dibrës, vëll. II, 300-302.)
11. Mustafa, Avzi Gjurmë ndër vite,, UISHN, Shkup,2014, f.107
12. Po aty, f. 100)

13. (Kongresi, 12

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Britanik, i konsullit, Kongresi i Manastirit, raport

Shoqata “Rugova” në 6 vjetorin e themelimit dhe në Festën e Flamurit

November 19, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Shoqata “Rugova” me anëtaret përkatës dhe bashkatdhetarë nga të gjithë trevat shqiptare u mblodhën për të festuar 6 vjetorin e krijimit të saj si dhe për datën më të shenjtë të Kombit shqiptar, Ditën e Flamurit. Ne restorantin “Maestro” shoqata “Rugova” kishte përgatitur sallën e mipkpritjes si për ditë feste, kuq e zi. Në krye të sallës qëndronin hijerëndë Flamuri Kombëtar, Flamuri i shtetit të Kosovës dhe Flamuri Amerikan.
Mbrëmjen e ka moderuar me plot elegancë dhe ngrohtësi znj.Vjosa Nikçi. Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në emër të gjithë Rugovasve, kryetarit të shoqatës z.Ademi Murici dhe kryesisë së saj. Znj. Nikci iu ka shprehur mirënjohjen të gjithë donatorëve, kryesisë që punojnë me aq përkushtim dhe vullnetarisht për shoqatën “Rugova”.
Znj.Nikci ftoi para të pranishmëve në festë kryetarin e shoqatës z.Adem Murici i cili tha: Ju falënderoj shumë që keni gjetur kohë të jeni këtu sonte, ku së bashku do të festojmë edhe një përvjetor të shoqatës sonë dhe tuajës. Gëzuar Ditën e Flamurit! Në emër të shoqatës “Rugova” dua të falënderoj z.Ali Lajci që pranoi ftesën tonë të na vizitoj dhe po ashtu një falënderim për të gjitha ata rugovas që kontribuan financiarisht dhe në mënyra të tjera duke mundësuar vizitën e z.Lajci. Shoqata “Rugova u krijua në vitin 2008 në New York nga rugovasit që jetojnë e veprojnë në ShBA. Misioni kryesor i shoqatës është që përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme të ruhet dhe të kultivohet gjuha, kultura dhe tradita rugovase e shqiptare.
Në kohën kur u krijua shoqata “Rugova” në të njejtin vit kur u shpall Pavarësia e Kosoves, lindi dhe një Rugovas këtu në New York. Me mburrje dhe krenari mund të themi që ai rugovas i cili sot është 6 vjeçar di të flasë gjuhën shqipe, të këndoj shqip dhe të vallëzojë vallen e Rugovës.
Kjo ndodh sepse kur jemi të bashkuar bëjmë mrekullira. Rugovasit janë pjesë e proceseve kombëtare dhe kanë luajtur një rol të pakontestueshëm në rrugën e Kosovës drejt Pavarësisë, luftës së UÇK-s etj.
Ajo që do të më bënte përshtypje gjatë fjalimit të tij është projekti madhor i shoqatës si: regjistrimi i të gjithë rugovasve që jetojnë dhe veprojnë në SHBA. Ai u bëri thirrje të mbushnin formularët e registrimit pasi do i ndihmonte më shumë. Njëkohësisht ai i ftoi të gjithë pjesëmarrësit të bëheshin anëtarë të shoqatës “Rugova”, pa dallime krahinore, shoqata “Rugova” është për të gjithë shqiptarët që pranojnë statusin e saj.
Znj. Nikci bëri një prezantim të shkurtër për të ftuarin kryesor të mbrëmjes z.Ali Lajçi. Z.Lajçi është njeriu që vuajti shumë nëpër burgjet serbe që Kosova ta gëzojë lirinë që ka sot. Ai është simboli i rezistencës dhe një ndër organizatorët kryesorë të demonstratave të vitit 1981, ish deputet i Republikës së Kosovës, ish kryetar i Komunës së Pejës dhe aktivist i palodhur i çështjes kombëtare.
Z.Ali Lajçi i përshëndeti të gjithë të pranishmit, falënderoi shoqatën “Rugova” për ftesën dhe tha se ndihej shumë i emocionuar që ndodhej midis tyre në këtë festë të bukur dhe në Ditën e Flamurit. Nuk ka më bukur vazhdoi z.Lajçi midis të tjerash, që ju ruani me fanatizëm traditat dhe kulturën e mrekullueshme shqiptare. Ne duhet t’i jemi mirënjohës Amerikës për mundësitë e mëdha që i ka krijuar komuniteteve të ndryshme, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha për Pavarësinë e Kosovës, që siç thoshte Ibrahim Rugova ne duhet të kemi marrëdhënie me gjithë komunitetin ndërkombëtar, por më të ngushta me Amerikën për atë çfarë ka bërë për Kombin shqiptar.
Ansambleisti i shtetetit të Nju Jorkut, shqiptari i parë i zgjedhur në këto isntanca të larta të politikës amerikane Mark Gjonaj erdhi midis Rugovasve dhe bashkatdhetarëve për t’i përshëndetur me zjarrin që mban në gji për shqiptarët kudo që janë. Ai të befason se si i del koha të shkojë kudo, të jetë në të gjitha aktivitetet e ndryshme, portreti i tij të krijon simbolin e një politikani vizionar, mirësisë dhe te bashkëpunimit të ngushtë midis shqiptareve. Ai iu uroi bashkëkombasve dhe shoqatës gëzuar Festën e Flamurit. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur shikoj pranë prindërve fëmijët e tyre në këto festa të bukura. Bekuar qofshi që transmetoni tek fëmijë traditat e mrekullueshme shqiptare.
Pas fjalës së z.Gjonaj, salla ka bucitur e tëra si oshëtimë Gryke e Rugovës kur në skenë u shfaq Ansambli Folklorik “Rugova” një ansambël që mban gjallë traditat e mrekullueshme shqiptare. Artistët e Ansamblit dhanë një shfaqje madhështore sikur të ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve shtetërore. Veshjet e tyre me ngjyra të shumëllojshme të punuara nga duarartat rugovase dhe interpretimet e lojërave dhe kërcimeve të ndryshme sjellin mahnitshëm pasurine e Alpeve dhe të Rugovës nëpër shekuj. Ndërsa burrat në veshjen e traditës mbështillen me shall të bardhë prej pëlhure shumë të gjatë dhe të gjerë dhe e fashojnë rreth kokës dhe nën mjekërr. Ata kënduan këngë kreshnike, luajtën valle dyshe, katërshe, mjeshtërisht kanë përdorur lahutën, e cila është një instrument muzikor kordofon nga më të vjetrat në Europë, ndaj dhe egziston shprehja ndër malësi se shtëpia pa lahutë është si shtëpi e lanun.
Pas shfaqjes së Ansamblit “Rugova” plot art, kulturë dhe dinjitet kryesia ndau çmimet e mirënjohjes këtyre aktivistëve:
Mark Gjonaj, Ali Lajçi, Lan Murici, Flutëra Murici, Xhevahire Kurta, Sinanaj, Tahir Bajramaj, Flamur Husaj, Hysen Kurtaj dhe Vjosa Nikci.
Pjesëmarrësit janë argëtuar me muzikë të interpretuar nga këngëtarët e komunitetit Besim Murici, Lisa Nikprelaj dhe Mirlinda Bytyqi.
Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm mediat si: gazeta “Dielli”, “Kultura Shqiptare”, “TV 21”, Lumi, Skënder Pali, dhe “Alba Life TV”.

18 Nëntor, 2014
Bronx, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: 6 vjetori, Keze Kozeta Zylo, Shoqata rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT