Nga Fadil LUSHI/
Ne, në këtë vështrim të radhës që do t’ua dedikojmë ca njerëzve që jetuan në dy vakte të ndryshme, do të bëjmë çmos që e vërteta të mbizotërojë gënjeshtrën, atë që është e rreme e kulluar dhe e akumuluar. Fillimisht do të na duhet t’i përjashtojmë të gjitha tarafllëqet a animet tona. Në këtë vështrim nuk do të ngremë debate të panevojshme për disa mesele të absolvuara, mbase edhe të shtrembëruara, po as që do të mëtojmë të komplimentojmë figurat e ndritura të kombit, në veçanti të përndjekurit politikë këtej pari, jo se nuk duam ta bëjmë, por pse nuk e kemi teserën e historisë së tyre. Që ta ndërtosh këtë komplementim, para së gjithash duhet të kesh nivelin e zgjuarsisë si dhe nivelin e kombëtarizmit të tyre, nivelin e ndërgjegjes së njerëzve të cilët në rininë e hershme të tyre kishin probleme me politikën dhe politikanët…, njerëzit të cilët, lëre që diktatura asnjëherë nuk i “kuptoi por (sot) as demokracia nuk e ka ndërmend hiç fare t’i mirëkuptojë…,”, nuk e kemi ndërmend po as që do të mëtojmë t’u japim mend të tjerëve. Sikur ta bënim këtë, atëherë e gjithë kjo do të ishte jashtë çdo logjike. Nuk do t’i glorifikojmë njerëzit që vatanit i dhanë më shumë se ç’duhej…, nuk do ta komplimentojmë intelektualin a njeriun e letrave të shkruara me emrin Visar Zhiti, i cili disa ditë më parë, ashtu i mllefosur tha: “Shqipërisë sime i kam shërbyer edhe në burg, kur nuk donte Shqipëria. Në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë dhe festa e kungime të fshehta…, më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët që nuk kanë interes të parë vendin, por interesat e tyre vetjake…, dal (nga presidenca-nënvizim yni) duke thënë: O Zot mëshiroje Presidentin se nuk e di çfarë bën”, këto ishin fjalët e Visar Zhitit, pas takimit (se ishte një takim, bisedë miqësore a protokollare, që një dreq e di) që pati me kryeparin e Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në lidhje me kandidaturën e tij për ambasador në Vatikan.
Se pse kishte qenë në burg Visari, këtë më së miri e dinte Enver Hoxha. Nuk do ta komplimentoj as gjyshin tim, të cilit para pesë dekadash i parashtrova atë pyetjen paksa idiotike si vijon: “Ti gjyshi ynë, ç’kërkove në burgun famëkeq në Petrova Rupa të Goli Otokut…, ç’kërkuan bashkatdhetarët dhe bashkëmoshatarët e tu në ishullin ku dikur thyhej guri i bardhë.” Ma ktheu ashtu, paksa me inat: “Vajtëm ta kërkojmë atë shprehjen unikale që llafos ndërgjegjen kombëtare…, vajtëm ta kërkojmë atë lirinë e munguar të vatanit por…, fatkeqësisht nuk e gjetëm dot…, na gjeti belaja…, lirinë e kishin rrëmbyer komunistët si dhe tradhtarët e popullit që nuk vegjetojnë më!?”.
Kjo fjala “burg” lëre që ma trazon mbamendjen time, por njëkohësisht më detyron t’i “zbërthej” dy nocionet, siç janë: “diktaturë” dhe “demokraci”, për të cilat, pos të tjerash, thuhet: 1. Pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; Pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë) etj. Ndërkaq koncepti demokraci (që është në kundërshtim me të parin) shpjegohet: Regjim a sistem politik, ku pushteti ushtrohet nga populli drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve të zgjedhura, ku shtetasit gëzojnë liri e të drejta të barabarta; shtet ose vend që ka këtë regjim a këtë organizim politik.
Këto dy koncepte nuk kanë kurrgjë të përbashkët mes vete në aspektin etimologjik dhe rrjedhimisht kanë ndryshime thelbësore, por përditshmëria postdiktaturiale sikur e “konteston a e vë në dyshim” këtë shpjegim të dalë nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe. Thjeshtë të krijon përshtypjen sikur këto dy sisteme politike sot “funksionojnë si një trup (!?)”. E gjithë kjo ma rikujton atë thënien e ca njerëzve mendjefemër që vë në pah se “mashtrimi ngandonjëherë mbizotëron të vërtetën”. Kështu, kohë më parë një “mashtrim” i tillë doli nga një komunikim paksa i denigruar dhe mbase edhe jo i ndërsjellë, një komunikim në relacion kryeministri-presidencë, një komunikim që për kryefjalë kishte kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan, një komunikim ku nuk u mor vesh se kush i binte patkoit e kush thumbit, një komunikim këmbë e krye hileqar!? Ishte një komunikim, të cilit që në hyrje i mungoi niveli i barabartë dhe ai pak moral, një komunikim me procedurë të mbrapshtë, një komunikim që mbase të krijon përshtypjen se i përngjan gërshërëve të berberit dhe leshit të arapit. Që të dyja institucionet e filluan këtë komunikim nga bishti i dardhës. Njërës palë fillimisht i mungoi arsyeja, tjetrës i mungoi goja, veshët dhe në fund të dy palëve “toptan” u mungoi mbamendja dëgjimore dha ajo pamore. E keqja e këtij komunikimi qëndron në faktin se as ministri i Punëve të Jashtme e as presidenti nuk kishin të drejtë të bëjnë “aksham pazare”(!?) me kandidaturën e Visarit…, ata nuk e kanë e as që mund ta kenë atë luks që të tallen me njeriun i cili në vaktin e diktaturës, vite me radhë ishte në shërbim të fjalës së shkruar, ai “në asnjë libër të tij” nuk shkroi për politikën dhe politikanin e djathtë a të majtë…, përkundrazi, ai shkroi për “Shqipërinë që i ka rënë për pjesë të kufizohet me shtete nga ashti i saj…,”, ai shkroi për “Fatet e mbrapshta të shqiptarëve!”, siç do të thotë Ilir Levonja. Ata në këtë komunikim parashtruan një “furgon kriteresh” sa i përket kandidaturës a nominimit për ambasador të Visar Zhitit (!??). Ata prej tij “kërkuan që të (mos) jetë mysliman, ortodoks, katolik, bektashinj, toskë a gegë”(!??) (kjo kërkesë e tyre rreth përkatësisë fetare të Visarit, do të prekë themelet e harmonisë fetare në Shqipëri)…, me ato “kritere”, sikur donin ta detyronin t’i nënshtrohet çdo lloj realiteti të pështirë, sikur donin ashtu “pa qëllim” t’ia ulin a t’ia heqin krenarinë e tij, sikur donin “t’i bënin karshillëk”, sikur donin për inat t’ia nënvlerësojnë kontributin e tij dhënë fjalës së shkruar, sikur, sikur… Tekefundit, “Visar Zhiti nuk ka nevojë për institucionet, qofshin ato edhe diplomatike, përkundrazi, institucionet kanë nevojë për të dhe për kontributin e tij prej intelektuali”.
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në asnjë nen nuk shkruan se kandidatura e një shtetasi shqiptar duhet të jetë e lidhur ngushtë me përkatësinë e tij fetare dhe, kur njerëzit do ta vënë në dyshim këtë, atëherë do ta rrënojnë atë shprehjen unikale të Pashko Vasës, kur thotë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”. Kjo mesele e Visar Zhitit dhe e të tjerëve si ai nuk dallon me fatet e patriotëve të Goli Otokut, në magjen e miellit të të cilëve dikur pshurrej shkau.
Archives for February 2015
REAGIM NGA TIRANA NDAJ GAZETES DIELLI
Redaksisë së gazetës DIELLI-SHBA/
I vetëshpalluri prift N. Marku nuk përfaqëson orthodhoksët/
Në gazetën “DIELLI”, të dt.17 shkurt 2015, është botuar shkrimi dukshëm tendencioz “Bllofi Presidencial i Anastas Janullatosit”, i cili është sa i gënjeshtërt aq edhe përçarës. Na vjen keq që gazeta tuaj, e cila botohet në një vend që është simboli i demokracisë, i të drejtave njerëzore dhe veçanërisht atyre fetare, promovon rregullisht diskriminimin dhe dasinë fetare midis qytetarëve shqiptarë.
Jemi të detyruar të sqarojmë përsëri, se “Kisha Kombëtare Autoqefale Orthodhokse e Shqipërisë” drejtues i së cilës vetëshpallet qytetari privat Marku, nuk është veçse një fantazmë. Është inekzistente nga ana kishtare dhe ligjore. Atë nuk e njeh kush: nuk njihet as nga Komiteti Shtetëror i Kulteve të Shqipërisë, nuk është njohur nga asnjë gjykatë, nuk njihet nga asnjë Kishë në botë. Për më tepër, në mënyrë të paligjshme vazhdon të keqpërdorë ndërtesën e kishës që është monument kulture dhe të shfrytëzojë privatisht ndërtesën pranë saj, të restauruar tërësisht me fondet e Kishës sonë, të cilat janë pronë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vetmja Kishë Orthodhokse në vend. Njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar, ka nënshkruar Marrëveshje me Qeverinë Shqiptare (firmosur nga Kryepiskopi i saj Anastasi) dhe kjo Marrëveshje është bërë ligj (nr. 10057 22.1.2009). Njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, si edhe nga ajo Katolike dhe konfesionet protestante, dhe po ashtu nga organizmat ndërkristianë e ndërfetarë.
Në përçartjet e tij shpifëse, ai përpiqet të gjallëroje fantazma qesharake, për rreziqe imagjinare, të cilat janë prezente në fantazinë e tij dhe të atyre që e nxitin. Në këtë mënyrë përpiqet të fshehë faktin se ka kryer dhe po kryen për shumë vite një mashtrim dhe përdhosje të madhe kundër besimit orthodhoks. Që të mbulojë mashtrimin e tij të qartë, N. Marku end vazhdimisht një pëlhurë të dhënash të gënjeshtërta dhe shpifjesh të pabaza kundër Kryepiskopit Anastas. Por dihet botërisht se Kryepiskopi Anastas jeton për njëzet e katër vjet në sytë e të gjithëve, në kushte të thjeshta. Falë respektit të madh dhe besimit të mijëra njerëzve në mbarë botën, arriti të realizojë veprën e jashtëzakonshme të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Vepra dhe kontributi i tij për pajtimin e popujve është njohur botërisht dhe për këtë është zgjedhur ndër të tjera President i Këshillit Botëror të Kishave (WCC, Gjenevë) dhe President Nderi i organizatës më të madhe ndërfetare në botë, “Fetë për paqen” (Nju Jork).
Sa për “argumentet” historike që paraqiten, ato dëshmojnë gjithashtu jo vetëm keqdashjen, por edhe padije të plotë për çështjet e Kishës sonë dhe se sa larg është ky person nga besimi orthodhoks të cilit pretendon se i përket..
Ndërsa në lidhjet me trajtimin fyes që ky individ i bën Kryetarit të Kishës motër Katolike, mjafton të kujtojmë se Kryepiskopi Anastas ka pasur njohje të hershme personale me Papën Gjon Pali II, është ftuar në vizitë zyrtare me nderime të veçanta nga Papa Benedikti XVI dhe është takuar edhe me Papa Franceskun dhe kanë shkëmbyer mesazhe të shpeshta e të ngrohta.
Ndërsa në lidhje me lajmin e një “kandidimi” të Kryepiskopit Anastas për President të Greqisë, janë të mjaftueshme fjalët e Fortlumturisë së Tij: “Hierarku orthodhoks ka një detyrë të caktuar kishtare. Ai nuk mund të marrë poste politike». Por Marku, nuk mund ta kuptojë këtë qëndrim të qartë, se ai e ka braktisur me kohë besimin për t’i shërbyer politikës antiorthodhokse.
Shpresojmë se kjo njëanshmëri do të mënjanohet, në mënyrë që, nga njëra anë t’i jepet zë edhe Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, të zbatohen rregullat e etikës gazetareske, por mbi të gjitha të ndalet diskriminimi dhe përçarja që po mbillet me qëndrime të tilla.
Tiranë, 20 shkurt 2015
Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
…MOS ARDHTE KURRE!
NJE BISEDË POLITIKE MIDIS SHOKËSH/
Nga Luan Çipi*/
Shoqëria jonë, e një grupi shokësh e miqsh që banojmë në Kryeqytet, në pikëpamje të pozicioneve politike, është heterogjene. Bashkohemi, se jemi me origjinë nga i njëjti qytet, megjithëse banojmë prej vitesh në Tiranë. Të gjithë jemi në pension dhe ka takuar që secili të jetë me arsim të lartë profilesh të ndryshme: inxhinier gjeolog, ndërtimi, elektrik, mjek, ekonomist, financier, gazetar, etj. Jemi 15 shokë dhe disa prej nesh edhe vazhdojnë të shkruajnë, mandej që dhe kanë botuar libra në prozë e poezi.
Ne, në disa tavolina të bashkuara, takohemi tri herë në jave, pimë kafe apo çaj, bisedojmë e kujtojmë vitet e rinisë, vite kur disa herë kemi jetuar bashkë, në shkollë, në punë a në veprimtari rinore. Pse mos ta themi, ka midis nesh që kanë qenë në punë deri pushtetar e partiak, po dhe të munduar e të vuajtur e deri të burgosur e të përndjekur politik. Shumica tani nuk aderon në partitë politike të kohës dhe ndonjë as është përfshirë kurrë në jetën politike.
Le ta konsiderojmë këtë shkrim modest, një reportazh midis të moshuarve të moshës së tretë dhe të vazhdojmë: Bisedat e përditshme midis nesh janë miqësore dhe të ngrohta, po gjithnjë të sinqerta dhe të ndryshme në idetë social ekonomike e politike. Asnjëherë, asnjë nga bashkëbiseduesit nuk ka arritur në teprime e fyerje personale, po secili jep argumentet e veta krejt të lira e demokratike. Aq bukur merremi vesh me njeri tjetrin, po të përjashtohen ndonjëherë këmbënguljet ekstreme politike dhe këto duke arsyetuar dhe me zë të ulët, sa shpesh themi: a sikur të ishte kështu dhe në Parlamentin tonë, të pushtuar nga grindavecë dhe inatçinj!?
Ne e kemi bërë traditë që për variacion e freskim, në kujtim të viteve të bukura të rinisë, festojmë çdo vit edhe ditëlindjet e secilit, duke organizuar me këto raste edhe ndonjë drekë modeste. Në këto ditë, që i kthejmë si festa të gëzuara, këndojmë këngë rinore e atdhetare, si dhe me radhë secili nga poetët pjesëmarrës, deklamon për protagonistin e radhës, vargje përkujtimore dhe gazmore.
Një nga bisedat që do mbahet mend, për kundërshti politike të theksuar, (në përpjekje si gjithnjë për të paraqitur teza, antiteza, fakte dhe argumente), ishte dreka për nder të ditëlindjes të një ish “komunisti të vendosur”. Mandej, që vazhdon të ruaj e të deklamoj ende krenarinë si komunist. Duket se ka ngelur i pandryshuar në naivitetin dhe besnikërinë “marksiste leniniste”, saqë dështimin e njohur botërisht të komunizmit, pas “rënies se Murit të Berlinit”, e konsideron fatalitet, rastësi dhe shkak gabimesh e dështimesh të personave të paaftë. Ngul këmbë se komunizmi vazhdon të jetë doktrina ekonomike më superiore dhe që do t’i vijë sërish dita për lulëzim e triumf. Ai përsërit shpesh se komunistët ishin djemtë me ide pararojë, idealistët që luftuan për një jetë më të mirë, kundër kapitalistëve, “grabitqarë të djersës së papaguar të punëtorëve e fshatarëve të varfër”; për një drejtësi e barazi midis njerëzve; për një jetë mesatarisht në nivel më të lartë begatie e mirëqenie. Duke shkuar më tej, për periudhën e Enver Hoxhës në Shqipëri, ai shpesh mrekullohet me qetësinë e vendosur në rend e shoqëri nga regjimi; për luftën kundër analfabetizmit dhe për arsimim deri universitar; për zhvillimin e shëndetësisë me rrjetin e spitaleve dhe ambulancave deri në çdo fshat; për zhvillimin “superior” të artit dhe kulturës, me teatro dhe estrada, kinematografi dhe festivale folklorike, si ai i Gjirokastrës dhe me Ansamblin e Këngëve e të Valleve, që fitoi çmim botëror; për elektrifikimin dhe hidrocentralet nga “më të fuqishmit në Evropë”; për rrjetin e gjerë hekurudhor; për bonifikimin e tokës dhe rrjetet vaditëse e kullues; për minierat dhe kombinatet; për mbrojtjen që garantonte pavarësinë kombëtare, që s’guxonte kush ta prekte se kishte ushtrinë me armatim modern, tunelet e bunkerët e famshëm, pajisur deri me aviacion e flotë nëndetësesh, etj.
Edhe unë them, se në ato faktet e mësipërme, ka edhe shumë të vërteta, po që në balancë me të këqijat e komunizmit, ato thuajse nulifikohen.
Lidhur me sa thamë më lart, njeri nga poetët pjesëmarrës, nisi t’i numëronte në vjershërimin e tij, të dhjetë cilësitë e protagonistit. Ato ishin vërtet karakteristika e tij, si një njeri i përsosur, i drejtë dhe i ndershëm.
Protagonisti, në këtë rast, po dëgjonte si i hipnotizuar, aqsa nisi të falënderojë autorin e ta përshëndes me kënaqësi e mirënjohje, derisa filloi të evokonte e hyjnizonte si dikur, sistemin komunist të përmbysur…
Ishte ky moment, që midis shokësh, në këtë mjedis heterogjen politik, të dëgjohet si britmë, një zë i lart protestues:
-Ajo ditë, mos ardhtë kurrë!
-Po pse flet ashtu prerazi, si e argumenton, ndërhyri një tjetër bashkëbisedues asnjanës.
-Argumentet janë të shumta dhe tashmë të njohura e të vërtetuara historikisht. Nuk mund të them se kapitalizmi është sistemi më i mirë. Edhe ai ka të metat e tij, që diku po përpiqen për t’i zbutur, korrigjuar e përmirësuar, si p.sh. në vendet nordike, po dhe unë them me plot gojën: komunizmi mos ardhtë kurrë. Ai ishte grabitqar, vandal e tepër i dhunshëm, i paligjshëm dhe antinjerëzor dhe veçmas komunizmi që u aplikua në vendin tonë.
-Pse, sipas teje, ku ndryshon dhe pse është më i keq komunizmi shqiptar?- desh të dinte njeri nga shokët.
– Komunizmi specifik shqiptar, ose më saktë “enverizmi” është edhe më i keq, për disa arsye:
1) Ai, në kuadrin e internacionalizmit proletar, lindi ashtu si kudo, si antinacionalizëm, po te ne ky fakt, sakrifikoi Kosovën në favor të Jugosllavisë së Titos, se pushteti ishte ndenë ndikimin dhe i varur komplet nga sllavo-sovjetikët, veçanërisht pas dështimit të Konferencës së Mukjes dhe tolerimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit. Në një plenum të posaçëm partie u pranua aneksimin kolonial i Shqipërisë dhe për pak kohë u pranua pa luftë deri pushtimi i Korçës nga Ushtria Jugosllave, u realizua unifikimi i monedhës dhe u krye eksporti pa reciprocitet i mallrave dhe pasurisë së tregtarëve shqiptar në Jugosllavi, etj.
2)Komunizmi shqiptar ishte tepër gjakatar, se (duke tradhtuar deri Vendimet e Konferencës së Pezës: (“pa dallim feje, krahine dhe ideje”) e nisi me vrasjet pa gjyq të kundërshtarëve politik: vrasjet me lista gjatë luftës; në prag të çlirimit të simpatizantëve të pafajshëm përkrahës të aleatëve anglo-amerikanë; të “sabotatorëve të Maliqit”; të intelektualëve “bombë hedhës” në Ambasadën Sovjetike; të “prelatëve fetarë Katolik të Shkodrës; të “grupit të deputetëve” të zgjedhur nga populli thjesht se ishin pluralistë dhe properëndimor; “të sabotatorëve në naftë dhe ekonomi e ushtri”, etj.; vrasjet për mos akordim idesh e veprimesh e thuajse të gjithë komandantëve të brigadave partizane, si dhe një nga një e kohë pas kohe, të shumë ish bashkëpunëtorëve të vet aktiv, besnik e shumë të afërt, ndofta për mosmarrëveshje të vogla, apo xhelozi.
3)Komunizmi shqiptar grabiti dhe u mori floririn, bëri shtetëzime ndërtesash e ngrehinash dhe deri pasuritë e rëndomta, pa asnjë të drejtë juridike e njerëzore, të mijëra qytetarëve të pasur e të mesëm, në veri e në jug të Shqipërisë.
4)Komunizmi shqiptar ishte i vetmi, si askund në botë dhe pa asnjë të drejtë njerëzore e humane, që luftoi deri në asgjësim kishat, teqet dhe xhamit dhe zhduku me rrënjë institucionet e ligjshme fetare, me pretekstin “feja opium për popullin”.
5)Komunizmi shqiptar bëri kolektivizimin ekstrem dhe kooperimin e shpejt deri me dhunë të fermerëve privat deri në tufëzat dhe arëzat, nisur nga teoria e rrezikut të pronës private, si burim prodhuese për çdo të keqe mbi tokë.
6)Në vendin tonë çdo qytetar u bë ushtar dhe u përfshi dhunshëm në zboret periodike, ku mësohej e mbahej i freskët arti ushtarak, me shpenzime kolosale, me ndjenjën e frikës së përditshme të një agresioni të beftë ushtarak nga deti dhe ajri. Në qendrat e punës dhe në shtëpi, pa asnjë respekt për fëmijët dhe gratë, mbaheshin pajisjet e gatshme të rrezikshme luftarake dhe hera herës bëheshin prova alarmi me kambana e sirena dhe njerëzit eksperimentonin të futeshin në strehimet e bunkerët e shumtë të përgatitura aty afër gjithandej, për t’u mbrojtur gjoja deri nga rreziku atomik.
7) Në Ushtrinë e vendit tonë u hoqën gradat, duke e zbehur shumë autoritetin drejtues e qendërzues dhe u sollën në drejtimin ushtarak dhe në aparatin shtetëror qendror, komisarë të pashkolluar nga klasa punëtore, ndërsa për administratën shtetërore u bë normë e detyruar “edukimi” në prodhim dhe qarkullimi në bazë, duke sakrifikuar kështu deri në asgjësim, vite shkollimi dhe përgatitje shkencore dhe intelektuale.
8)Në vendin tonë u propaganduan dhe u aplikuan teoritë: t’u ngjitemi maleve dhe t’i bëjmë malet si fushat, të mbështetemi te blegtoria e imtë, si dhe te transporti me karro e qere (në vend të automjeteve), të prodhojmë çdo gjë në vend e me mjete rrethanore, të mbështetemi me prioritet te minierat, etj., teori këto që nuk duhet të ishin kurdoherë parësore, por duhet të aplikoheshin vetëm pas studimesh për efektivitetin e secilës dhe në kushte e vende të caktuara.
Kemi trajtuar herë pas here, në formë reportazhesh, biseda të larmishme të tavolinës së pensionistëve, me të drejtën tonë të një shumice pleqsh gjithnjë në shtim, si: për emancipimin e gruas; ndikimet e celularit në jete, shoqëri e shëndet; për sjellje të ndjera e të bukura njerëzore; për aksidentet e sëmundje dhe deri për ngjarje të bujshme, shere e vjedhje, por me “bisedën e sotme politike”, bëmë një përjashtim dhe kjo kryesisht, për të zgjeruar njohurit e të rinjve, që them se kanë nevojë, ngaqë nuk kanë asnjë ide për këtë tematikë.
Tiranë, më 20.02.2015
* Në vend të një reportazhi, nga tavolina e pensionistëve
Mos harroni përbindëshin komunizëm!
Nga Reshat Kripa/
Në historinë e kombeve të ndryshëm ka disa data që në kujtesën e popujve bëhen simbole të epokave që ato përfaqësojnë. Kështu edhe në historinë e Shqipërisë, kanë hyrë për të mos u shlyer nga kujtesa data të tilla, të ndritura apo të errëta, si 28 nëntori 1443, kthimi triumfal i Gjergj Kastriotit në Krujë, 28 nëntori 1912, shpallja e Pavarësisë Kombëtare, 7 prilli 1939, dita e pushtimit të vendit nga agresorët italianë, 1-2 gushti 1943, Konferenca e Mukjes, 29 nëntori 1944, dita e restaurimit të regjimit diktatorial në Shqipëri dhe të tjera.
Në radhën e këtyre datave ka hyrë edhe 20 shkurti 1991, data e rrëzimit të monumentit të diktatorit, që erdhi si rezultat i rezistencës gjysmë shekullore që nacionalizmi shqiptar i bëri komunizmit dhe që u kurorëzua me sukses pas revoltës së studentëve shqiptarë në atë fund dhjetori të vitit 1990.
Shqipëria më në fund kishte vendosur të hynte në familjen e madhe europiane, në atë familje ku nuk pranoheshin tiranët dhe tirania e një individi ndaj një tjetri, e një klase ndaj një tjetre. Shqiptarët u futën me dëshirë dhe vullnet në rrugën e demokracisë. U bënë shumë gjëra të mira që as mund të silleshin ndër mend vite më parë. Mbi të gjitha individi fitoi personalitetin e humbur. Vendi filloi të ndërronte pamje, të synonte majat e ëndërruara. Parulla e njohur “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa“ filloi të bëhej realitet. Mirëqënia dhe begatia filluan të japin frutet e tyre.
Por, për fatin tonë të keq, harruam nga kishim ardhur dhe rrugën nëpër të cilën kishim kaluar. Harruam të vrarët dhe ata që i vranë, të burgosurit dhe ata që i burgosën, të internuarit dhe ata që i internuan. Harruam poshtërimin dhe fyerjen që na bëhej në çdo hap të jetës. Harruam mjerimin që na kishte pllakosur në familje. Harruam ditët kur drejtoheshim nga njerëz të rëndomtë e shpirtzinj, ku nallbani i jepte leksione shkencëtarit, ku bejtexhiu i jepte leksione artistit, ku nderi i femrës shqiptare varej nga morali i një sekretari partie, drejtori, shefi dhe deri një brigadieri të pështirë kooperative.
Mbi të gjitha harruam sigurimin famëkeq të shtetit ku, si rezultat i holokaustit të zhvilluar prej tij, u vu djali kundër babait, vëllai kundër vëllait, shqiptari kundër shqiptarit, ku spiunllëku u fut deri në qelizat më të fshehta të njerëzve, ku u dogjën kisha e xhamia për t’i hequr këtij populli atë ndjenjën e vetme fisnike që i kishte mbetur, besimin ndaj Zotit dhe bashkë me të edhe besimin ndaj njëri-tjetrit. Duke harruar Sigurimin e Shtetit, ne harruam edhe burimin e kësaj pjelle makabre, komunizmin. Duke rrëzuar monumentin e diktatorit, menduam se rrëzuam edhe sistemin obskurantist që i kishte shkatërruar jetën një populli të tërë.
Por gabuam rëndë. Në vend që të bashkoheshim në një front të vetëm antikomunist, u ndamë në dhjetra parti dhe shoqata, a thua se komunizmi nuk kishte ekzistuar kurrë. Në vitin 1945, kryekomandanti i forcave aleate në Gjermani, gjenerali amerikan Ajzenhauer, si detyrë prioritare vuri denazifikimin e Gjermanisë. Ai e dinte se pa këtë proçes nuk mund të ndërtohej një Gjermani demokratike. Kurse ne menduam se mund të ndërtonim një shtet demokratik pa bërë dekomunistizimin e vendit. Ne i lamë bashkë kriminelët me viktimat, ujqërit me delet, bile në ndonjë rast vendosëm edhe ujkun çoban. Ne nuk dënuam krimin dhe kriminelët. Ata depërtuan nëpër partitë dhe shoqatat, në gjykatat dhe prokurorit, në ushtri dhe deri në parlament. Rezultatin e kësaj miopie e provuam në atë vit të zi 1997 dhe e ndjejmë akoma edhe sot. Ai vit na tregoi se në këtë drejtim kishim luftuar si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa hijen e diktatorit e kishim lënë të endej e lirë dhe kërcënueshëm, në çdo skaj të atdheut.
Sot ajo hije është në komandë të vendit. Atë e gjen kudo, në krye të administratës qëndrore dhe lokale, në krye të qeverisë dhe parlamentit. Kujtoni kremtimin e ditës së “çlirimit” me portretet e hijes së diktatorit, ku këto portrete dhe thirrje nostalgjike ishin lejtmotivi që e shoqëronte këtë kremtim në prani të trashëgimtarëve të denjë të kësaj hije. Nuk mjaftuan të gjitha këto por, për t’i vënë vulën, në këtë kor korbash bashkohen edhe ekstremistë që e shpallin diktatorin njeriun e shekullit.
Disa vite më parë në stadiumin e Romës, gjatë një ndeshjeje futbolli, u shfaq portreti i Musolinit dhe pankarta në përkrahje të kriminelit Arkan. Ishin të mjaftueshme këto që të sensibilizoheshin jo vetëm drejtuesit e stadiumit, por edhe Bashkia e qytetit, qeveria, parlamenti dhe deri Presidenti i Republikës. Kurse drejtuesit tanë heshtin. Hesht Kryetari i Kuvendit. Hesht Kryeministri. Heshtin të gjithë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ata janë pjellë e tij. Janë ata që kërkojnë ta ringjallin atë. Por çudia është se bashkë me ta hesht edhe bota perëndimore Kur në Austri erdhi në pushtet një qeveri e ekstremit të djathtë, ndonëse me votat e popullit të vetë, bota perëndimore iu kundërvu në mënyrë të menjëhershme dhe të vendosur, duke arritur në disa raste deri në tërheqjen e ambasadorëve. Një gjë e tillë u bë për t’i prerë rrugën restaurimit të nazizmit në Europë.
Pse nuk bëhet një gjë e tillë edhe në Shqipëri? A mos vallë komunizmi është më pak i egër, më pak mizor se nazizmi? Ne që i kemi provuar të dy pushtimet, që i kemi hequr mbi shpatullat tona pasojat e të dyjave, ju themi se sistemi komunist është më barbari që ka njohur historia botërore. Është detyra e shqiptarëve ta mposhtin atë. Eshtë detyra e tyre të ngrenë zërin sa nuk është vonë. Ne duhet t’i drejtohemi popullit tonë dhe gjithë botës dhe t’i themi me zë të lartë:
Mos harroni përbindëshin komunizëm!
NDAHET NGA JETA IDRIZ BASHA
Veprimtari i shquar qe luftoi me dekada komunizmin në Shqiperi, Z. IDRIZ BASHA, dje u nda nga jeta në Bruksel./
BRUKSEL : BELGIUM : Z. Idriz Basha, nga Shqiperia, ishte gjithashtu shqiptari qe i doli zot Kosoves në 1981 dhe në 1989 duke organizuar manifestime në Bruksel, Paris, …duke vurë kontaktat diplomatike të tij në sherbim të shqiptarëve të Kosoves në Parlament belg dhe në Parlament evropian dhe duke informuar shtypin.
Idrizin e kisha kushëri dhe e falenderova në fund të jetes së tij se shembulli i tij më ka frymëzuar në angazhimin tim për Kosoven.
Ngushëllime më të thella bashkëshortes, Zonja Kimete MITROVICA, e cila i ndihmoi shumë në veprimtarinë e tij, vajzave Sarah dhe Aurelie, dhe terë familjes së tij.
I PERJETSHEM KUJTIMI!
FOTO: Në manifestimet të para për Kosoven në Bruksel, shumica ishin shqiptarë anti-komunist të ardhur në Belgjikë në fillim të vitëve 60. Ndër shqipëtarët të Kosoves ishte bashkëshorti im, Diplomati dhe Veprimtari Gani Azemi (i pari nga e majta) pranë mikut tij, Idriz Basha.
- « Previous Page
- 1
- …
- 18
- 19
- 20
- 21
- 22
- …
- 70
- Next Page »