• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Ballkani, pikë takimi e rrezikut të radikalizmit islamik dhe ndikimit rus

March 22, 2015 by dgreca

Shtëpia e Bardhë i konsideron ekstremizmin e dhunshëm dhe agresionin rus, si dy nga sfidat kryesore ndaj sigurisë kombëtare amerikane. Përballja me këto kërcënime është një përparësi për Shtetet e Bashkuara edhe në rajonin e Ballkanit, ku përpjekjet për të ushtruar ndikim si nga Rusia, ashtu edhe nga islamistët radikalë, takohen në një pikë. Paqëndrueshmëria politike, tensionet e mbetura etnike dhe dobësia ekonomike i bëjnë këto vende veçanërisht të ekspozuara. Popullsitë me numër të madh myslimanësh nga njëra anë dhe lidhjet historike dhe fetare me Rusinë nga ana tjetër, i bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor, më të prekshme nga këto ndikime. Frank Wisner, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara dhe ish-i dërguar i posaçëm për bisedimet e statusit mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se megjithëse Ballkani nuk është sferë përparësore rivaliteti, ai nuk është i parrezikuar.“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Ballkani të mos lejohet të preket nga rivalitetet e fuqive të mëdha dhe së dyti që çështjet e Lindjes së Mesme të mos ta infektojnë këtë rajon. Përsa i takon kësaj të fundit, kjo është detyrë e shërbimeve të zbulimit të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, si edhe atyre të Ballkanit, që të identifikojnë dhe gjejnë elementët shkatërrimtarë që shkojnë dhe kthehen nga zonat e udhëtimit të Levantit dhe Lindjes së Mesme”, thotë ai. Rreziku i ndikimit të radikalizmit islamik. Vende si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kanë miratuar ligje për tu ndaluar qytetarëve të tyre të marrin pjesë në luftëra të huaja dhe kanë arrestuar një numër elementësh radikalë. Kjo do të jetë një përpjekje afat-gjatë, thotë ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Ian Brzezinski, që tani është studiues në Këshillin e Atlantikut: “Do të jetë një ndërmarrje e vazhdueshme, afatgjatë, ku intensifikimi i këtij bashkëpunimi mes policive e shërbimeve të zbulimit, do të bëhet gjithnjë e më urgjente, gjithnjë e më e domosdoshme, me kalimin e kohës”. Që kur filloi konflikti në Siri në vitin 2011, në këtë vend kanë shkuar mbi 20 mijë luftëtarë të huaj, nga mbi 90 vende, të paktën 3,400 prej tyre nga Perëndimi, sipas Raportit për kërcënimet Globale të departamentit amerikan të zbulimit. Numri i luftëtarëve nga Ballkani është të paktën një mijë, nga të cilët 500 nga Bosnja, 300 nga Kosova, 90-100 nga Shqipëria dhe rreth 100 nga Maqedonia, sipas të dhënave zyrtare nga Ballkani dhe burimeve të tjera. Ballkani dallon nga vendet e Evropës Perëndimore, pasi sundimi i ligjit është më i dobët dhe varfëria më e madhe, thotë zoti Brzezinski. “Strukturat e qeverisjes dhe rendit janë disi më të dobëta në vendet e Ballkanit, krahasuar me homologët e tyre në veri të Evropës. Disa prej këtyre vendeve kanë popullata të konsiderueshme myslimane. Kjo nuk do të thotë se është gjë e keqe të kesh popullsi myslimane, por është një realitet që po shfrytëzohet nga organizata si ISIS. Këto vende janë në spektrin e një varfërie më të madhe në relievin ekonomik të Evropës dhe kurdo që ke një situatë pabarazie ekonomike, ka shoqëri që janë më të ekzpozuara ndaj ekstremizmit”. Ish-ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara kanë synuar të veprojnë si një forcë stabilizuese në rajon, “Por vazhdon të ketë një program politik që ende nuk ka marrë rrugë, në Bosnje, Maqedoni dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë”. Rreziku i ndikimit të Rusisë. Një sfidë tjetër me të cilën ndeshet Ballkani sot është rritja e ndikimit rus. Moska synon të shfrytëzojë lidhjet e saj historike me rajonin. “Si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera, janë të gjitha në linjën e zjarrit”. Kështu u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit,z. John Kerry, gjatë një dëshmie të kohëve të fundit në Kongres. Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të zgjerojnë praninë në Ballkan. “Mendoj se është e rëndësishme që të mos ketë kriza, që Rusia të mund t’i shfrytëzojë, gjë që do të rriste tensionet mes Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë ish-ambasadori Wisner. Serbia për shembull, importon 82 për qind të gazit nga Rusia. Pasi Bashkimi Evropian mori masa që çuan në anulimin e planit për gazsjellësin “South Stream” përmes Evropës Juglindore, Kremlini po përpiqet për një rrugë alternative që do të kalonte përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë dhe pastaj përmes Hungarisë dhe ndoshta deri në Austri. Mediat ruse, “Russia Today” edhe “Sputnik” janë të pranishme në Serbi. “Rusia përfiton nga koha kur ekzistonte Bashkimi Sovjetik që krijoi varësi infrastrukturore në rajon me ekonominë e sotme të Rusisë”, thotë zoti Brzezinski. Por ai shton se ndërsa ekonomitë e Ballkanit modernizohen dhe përshtaten me standardet evropiane të ligjeve dhe infrastrukturës, kjo varësi dobësohet. Megjithatë Serbia për shembull nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Dhe kur Presidenti rus Vladimir Putin shkoi në Beograd tetorin e kaluar, ishte një kujtesë se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, është e vështirë të bashkëjetojnë me aspiratat e Beogradit për të hyrë në BE. Nevoja dhe sfidat e integrimit Euro-Atlantik. Ish-ambasdori Wisner thotë se është e rëndësishme që Greqia dhe Maqedonia të zgjidhin problemet mes tyre dhe se Evropa duhet të vazhdojë me përpjekjet për integrimin e Serbisë dhe Kosovës. “Është veçanërisht e rëndësishme që të fillojnë negociatat që Kosova të hyjnë në rrugën e vet për një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe që Serbia të mos hyjë në BE, nëse Kosova nuk pason në po të njëjtën rrugë, sigurisht duke plotësuar kushtet”. Zoti Wisner shton se duke zgjidhur këto probleme, nuk mbetet një terren negativ që Rusia mund ta shfrytëzojë dhe është më e lehtë që të ruhet harmonia e nevojshme për Ballkanin. Ai i referohet shqetësimeve të shprehura veçanërisht në Evropë, por edhe në Uashington se Presidenti Putin po përpiqet të krijojë çarje mes Ballkanit dhe Perëndimit. Sekretari Kerry tha para nënkomisionit të Senatit se Rusia është e angazhuar në një “përpjekje masive për të lëkundur, për të tërhequr vendet, për të krijuar lidhje me to”, duke rindezur në mënyrë tragjike një lojë të re mes Lindjes dhe Perëndimit. Uashingtoni, thotë zoti Brzezinski mund të luajë rol më të madh. “Mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë më shumë duke rizgjuar vizionin e një Evrope të bashkuar dhe të lirë, duke këmbëngulur më shumë për zgjerimin e NATO-s, veçanërisht për Maqedoninë dhe Malin e Zi. Mendoj se duhet të përpiqemi më shumë që të rrisim besimin e Serbisë tek potenciali i bashkëpunimit të sigurisë me Perëndimin, për ta shkëputur nga një lloj botëkuptimi pro-rus. Mendoj se është gjithashtu e nevojshme rritja dhe forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore”.Por si ish-ambasadori Wisner, ashtu dhe ish-zyrtari i lartë i Pentagonit, Brzezinski bien dakord se integrimi është një rrugë me dy drejtime dhe se procesin do të duhet ta udhëheqin vetë vendet përmes reformave agresive dhe arritjes së standardeve të nevojshme për anëtarësim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik.
Pergatiti per Diellin, Shefqet Kercelli

Filed Under: Rajon Tagged With: Ballkani, i rrezikut, piketakimi, Shefqet Kercelli, te radikalizmit Islamik

Dita e Sulltan Novruzit

March 22, 2015 by dgreca

Dita e Sulltan Novruzit, politikanët vizitë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashianëve
TIRANË, 22 Mars/Në një ditë të shenjtë për të gjithë besimtarët bektashinj, festës së Sulltan Novruzit, politikanët shqiptarë vizituan Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë, ndërsa uruan të gjithë besimtarët dhe shqiptarët kudo ndodhen për sa më shumë paqe dhe begati.
“Uroj që kjo ditë e veçantë për të gjithë besimtarët të sjellë sa më shumë paqe, begati, mirësi”, deklaroi Presidenti Bujar Nishani, pas vizitës që zhvilloi në selinë e Kryegjyshatës, i shoqëruar nga zonja e parë, Odeta Nishani.
Presidenti i Republikës i bëri thirrje politikanëve që të “orientohen nga mirësia dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve”.
Pas tij, nga selia e Kryegjyshatës edhe kryeparlamentari Ilir Meta uroi shqiptarët për më shumë paqe e dashuri.
“Në këtë festë të veçantë të Sulltan Nevruzit, në këtë festë që simbolizon ringjalljen, shpresën, ripërtëritjen dhe paqen, uroj të gjithë besimtarët dhe shqiptarët”, u shpreh z. Meta. Këto festa, tha ai, janë të të gjithëve dhe kjo na bën të jemi krenarë.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nuk pranoi të komentojë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila i kërkoi dy ditë më parë Kuvendit heqjen e mandatit dy deputetëve të maxhorancës për arrestimin e tyre. “Më shumë qetësi dhe dashuri me njëri-tjetrin”, tha Meta.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga selia e Kryegjyshatës uroi festën e Sulltan Novruzit, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen kundër krimit. Në këtë ditë të shënuar, tha ai, përkujtojmë edhe një ngjarje të rëndësishme, 24 vjetorin e fitores së demokracisë mbi tiraninë e diktaturën.
“Shpreh besimin se shqiptarët, ashtu sikundër 24 vite më parë u bashkuan për të hedhur poshtë diktaturën, për t’i hapur rrugën demokracisë dhe për t’iu bashkuar Europës, edhe sot do të bashkohen kundër krimit e diktaturës së krimit, për një politikë të pastër nga krimi”, tha ai.
Festën e Sulltan Novruzit, shqiptarëve ua uroi edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesić, i cili po viziton Shqipërinë këto ditë.
Festa e Sulltan Novruzit, është dita e përkujtimit të Imam Aliut, dijetarit dhe shenjtorit më të madh, që luftoi ndaj diktaturës, injorancës, duke sjellë paqe, dashuri dhe mirësi.
Gjatë paradites së sotme në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, është mbajtur edhe ceremonia e drejtuar nga Kryegjyshi Botëror.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dita e Sulltan Novruzit, politikanet ne Kryegjyshate

CËSHTJA DOSHI- KUSH ËSHTË I TRETI?

March 22, 2015 by dgreca

Në interes të hetimit janë realizuar përgjime ambientale ndërmjet Tom Doshit dhe Durim Bamit, nga ku rezultoi se Durim Bami i qëndron faktit se ngjarja është e sajuar nga ai dhe Toma, madje përmend dhe nje person te trete pa emër cituar, këtë gjë e dimë unë, ti dhe ai…..
Personi i tretë të cilit i referohet Durim Bami, por emrin e të cilit nuk e tregon, besohet nga Prokuroria, të jetë organizatori kryesor i gjithë skenarit të pretenduar për vrasjen e deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi.
Por burime nga organi i akuzës, bëjnë të ditur se Durim Bami ua ka treguar prokurorëve emrin e personit enigmatik, e bashkë me të, ka hedhur dritë mbi motivin e gjithë skenarit të vrasjeve politike.
Të njëjtat burime, sqarojnë se kjo nuk është zbuluar as në relacionin dërguar kuvendit, pasi është e nevojshme të kryhen hetime shtesë mbi dy deputetet Doshi e Frroku, për të cilët është kërkuar leja e Parlamentit për arrestimin e tyre.
Për akuzën, ekzistojnë dyshime të forta se ideatori kryesor i skenarit nuk është as Doshi e as Frroku, por dikush tjetër. Dhe këtë version, e ka mbështetur me dëshminë e tij Durim Bami.
Bashkëpunimin mes Doshit dhe Frrokut, që së bashku kanë detyruar Bamin të flasë për një skenar të paqenë, e saktëson edhe Prokuroria në dokumentin dërguar deputeteve në Kuvend.
Ndërkohë, mësohet se edhe i vetmi person i arrestuar deri më tani nga Krimet e Renda per ngjarjen, Durim Bami, i ka kaluar për kompetence Prokurorisë se Tiranës, pasi tashme ai nuk është me i dyshuar per akuzën e vrasjes se mbetur ne tentative te funksionareve publike, por per kallëzim te rreme.
I kontaktuar nga Vizion Plus, avokati mbrojtjes i Bamit, Ilir Murati tha se pas kalimit te dosjes ne Prokurorinë e Tiranës, kësaj te fundit i duhet qe brenda 10 ditësh te beje rivlerësimin e masës per Bamin, ndërsa vete mbrojtja do te kërkojë lirimin e tij.(Kortezi- VIZION PLUS)

Filed Under: Kronike Tagged With: Çështja Doshi, I TRETI?, kush eshte

NJË MESAZH NGA VJENA

March 22, 2015 by dgreca

-Mesazhi vjen nga MËSUESI I SHQIPES NË MËRGIM HAZIR MEHMETI/
Hazir Mehmetin, mësues i gjuhës shqipe për fëmijët mërgimtarë në Vjenë të Austrisë e kam njohur në Durrës në verë të vitit 2007 në seminarin e tretë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. E kemi vijuar miqësinë vit pas viti në takimet në Strugë, Kosovë, Mal të Zi e së fundi në Berat.
Hazir Mehmeti nuk është thjesht mësues por edhe shkrimtar e publicist.
Libri i tij monografik “Mësimi shqip në Austri”, përcjell mësimdhënësit kosovarë të gjuhës shqipe në vitet 1987-2012, një vlerë e jashtëzakonshme për ngritjen në piedestal të mësuesve të përkushtuar që gjuha shqipe të jetojë e të jetë në gojën dhe shpirtin e fëmijëve që lindin e rriten larg trojeve të prindërve të tyre.
Pjesëmarrës në seminarin e 10-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe zhvilluar vitin e kaluar në Berat Hazir Mehmetit do t’i mbetej në kujtesë shfaqja e filmit dokumentar “VERA-MËSUESJA E DY ISHUJVE” me skenar timin e realizim të Arian Melonashit, si dhe libri “Shkolla shqipe e Selanikut”
Meditimet dhe ndjenjat e një rilindësi të gjuhës shqipe në mërgim Hazir Mehmeti mi përcolli në adresën time elektronike.
Mesazhi ishte i fortë, nuk ishte thjesht për mua por për të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi që vullnetarisht, pa asnjë ndihmë e përkrahje nga askush, vazhdojnë tu mësojnë fëmijëve gjuhën e bukur shqipe me përkushtimin e Rilindësve të saj në një truall ku dikur ajo ishte në prush si askund tjetër.
Iu përgjigja…
E lexova meditimin tënd i dashur Hazir dhe mbi rrudhat e moshës 74 vjeçare kaloi një rrjedhë loti. Më emocionove, më dhe krahë për të fluturuar në shërbim me penë e me shpirt mbi ata e për ata njerëz që kanë marrë mbi shpirt një gjë që nuk matet sot, ashtu siç nuk është matur më se një shekull më parë, puna dhe përkushtimi i rilindësve.
Rrofsha dhe e jetofsha shkollën shqipe në Greqi e në mbarë botën të organizuar me dinjitetin më të lartë për mësuesit dhe brezin e ri të lindur larg vendlindjes së gjyshërve por me shpirt, zemër e gjuhë me ta.
Faleminderit Miku im!
Meditimin tuaj për filmin dhe librin përveçse do ta bëj publik në shtyp do ta përdor në promovime të filmit si parafjalë para shfaqjes me emrin tuaj dhe vlerësimin tuaj.
Edhe një herë mirupafshim mik!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 12 mars 2015

MËSUESIT NË GREQI JANË VËRTET RILINDËS TË DITËVE TONA
Të nderuar miq!
Abdurahim Ashiku e Arjan Melonashi,
Ju përgëzoj për filmin aq dokumentues, një copëz nga realiteti ynë i hidhur ku personazhe janë miliona prej nesh. Kamera në dorën e mjeshtrit flet më shumë se raftet me romane. E dhembshme ishte çdo insert dhe lotët pikoni në pallatin e kulturës së Beratit historik. Në tragjiken e jetës sonë, përpjekja e mësueses Vera, ishte për t’u përshëndetur, por a mjafton kjo. Shpirti dhimbtë për jetën jashtë vendlindje, në një vend të huaj të cilit do ia falim mundin e punës po dhe fëmijët tanë përgjithmonë. Dhe, nuk është larg mijëra kilometra,… shumë më pak se aq nga atdheu ynë ku shekujve pragjet e kullave u lanë me lotët e nënave e motrave tona. Atdhe që e deshëm deri në shkatërrimin e tij fanatik me dorën e çeliktë barbare dhe në mend të vjen Fishta i Madh “Shqipërinë duhet ruajtur nga shqiptarët”. Derisa më shumë se gjysma e atdheut përpëlitej për jetë a vdekje nga armiqtë, pjesa tjetër bunkerizohej në Ferrin e Dantes. O zot, sa e trishtueshme!
Vapori i bardhë çanë valët e detit mes ishujve Tinos e Siros, ku shqiptarët janë rob pune e përçmimi, hedhurinë e “Fshesave” politike, dhe , në qenien e mësueses Vera tingëllon zëri i Veqilharxhit “amanet abetarja” atje ku frymon shqiptari. Dhe ja fjalët e mësueses Vera të cilat ishin të miliona shqiptarëve gjithandej globit:
“Erdha për të realizuar ëndrrën që ka çdo njeri, për të realizuar një shtëpi, ai ishte qëllimi ynë i afërt sepse mendonim se do shkonim sa për të fituar disa lekë, sa për të pas një shtëpi dhe do ktheheshim në vendin tonë dhe në profesionit tonë, mirëpo nuk ndodhi kështu“.
Puna vetëmohuese e mësuesve në Greqi u shpreh përmes personazhit tipik, ku figura e mësuesit mbetet shembulli i idealistit kombëtar që nga rilindësit tanë. Kam respekt të veçantë për mësueset në Greqi kur dihet rrethanat e vështira në të cilat punojnë. Ata janë vërtetë Rilindësit e ditëve tona.
Vlerat kombëtare në brumin e idealizmit tek veprimtaret/ët e ruajti në vazhdimësi gjenin tonë shqiptare në trojet tona. Edhe Vera me shoqet e shokët e saj. Ishte një film që realitetin tonë e nxjerr përtej tragjikes së individit, në atë kolektive, dhe prek në emocione deri në thellësi. Jeta e personazhit të filmit bashkë me autorët do duhej të jetë ngacmim ndërgjegjeje për politikë bërësit shqiptarë, në zgjimin e tyre nga agonia e verbësia. Përkrahja e bashkëkombëseve është detyrim moral e ligjor i saj pa marr parasysh çmimin, sakrificën. Normativat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, mbi të drejtat e gjuhës amtare, mbi të drejtat e minoriteteve e garantojnë lirinë e njeriut duke përfshirë këtu edhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Greqia i kushtëzon këto me kafshatën e gojës, me nënshtrimin deri në ndërrimin e gjuhës, emrave, identitetin. Miqtë grek janë akoma pa zë në detin pezhgvëzjarreve të shumtë, dje e sot.
Z. Melonashi dhe Ju z.Ashiku e meritoni respektin. Ju e zbuluat Verën, mishërimin e milionave prej nesh. Ju i treguat politikës atë që ajo duhet ta sheh e dëgjon, dhe ka obligim ligjor e moral ta mbështesë.
Fotografinë me Verën, pas filmit, do e ruaj me kujdese në monografinë time si vlerë për nesër. Le të mësojnë mbesa e nipa, se si ishte jeta jonë shtigjeve të rrëpirëta bashkë me gjarprin nën gurë kur atdheu ishte i ngulfatur.
Libri i juaj “Shkolla Shqipe e Selanikut” është një vlerë e radhës nga penda e juaj, e një zhurnalisti me përvojë, me ndijim kombëtar e njerëzor. E shoh si një ecje të “Rilindëseve të kohës sonë” me porosi të qarta nga shembujt konkretë që frymojnë bashkë me problemet komplekse të mërgimtarit, veçane ruajtjes së gjuhës shqipe duke e penguar asimilimin. Që të gjithë mësueset/it në kapakët e librit, flasin përmes pamjes dhe veprës së tyre të cilat i përjetësove Ti në Bibliotekat anë e këndë ku libri lexohet gjeneratave. Ata i pavdekësove, po edhe veten tuaj e nderove në pavdekësi me personazhet tuaj. Rafti im është i pasuruar me emra kolegësh me të cilët shpirtërisht jetoj. Emrat e Dashamir Zaçe, Valbona Hystunaj, Iris Bali, Julia Goga, Mimoza Demollari etj. i shtohen vlerave rilindëse në kohën tonë. Mospërkrahja nga ana e shtetit shqiptar do mbetën njollë në historikun e qeverisjes pas diktatoriale, dhe një tregues anarkie në veprim i mentalitet që e gërryen një shekull qenien tonë.
Veprat e juaja në publicistikë tani kanë shtrirje shumëdimensionale në vende ku gjuha shqipe ka nevojë të kultivohet në mbrojtje nga asimilimi.
Faleminderit që ma dhurove librin në Beratin Historik!
Dhe, Shëndet e suksese në misionin tuaj!
Hazir Mehmeti, mësues(Ne Foto: Ne varrezat e Jasharjve)
Vjenë, mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Hazir Mehmeti, mesazh nga Vjena

BACË, PËR KË LUFTOVE?

March 22, 2015 by dgreca

Nga Makfire Canolli/
Sot nuk po shkruaj vargje e as këngë, por do të shkruaj për diçka që në shpirt po më dhemb. Jo, sot nuk po më vlon në shpirt as vargu e as kënga sepse thellë jam e lënduar nga shumë padrejtësi qe po ndodhin atje në tokën tonë, në tokën e përgjakur me shekuj!!!
Dhe jam më se e bindur se këtë dhimbje nuk po e ndiej vetëm unë por qindra e mijëra shqiptarë, qofshin ata në trojet tona qofshin nëpër mërgatën e humbur nëpër Evropë, Skandinavi apo këndej oqeanit në Amerikën e largët!

Është një dhimbje që gradualisht po na vret të gjithëve në shpirt dhe fatkeqësisht po na shkakton plagë. Papunësia dhe varfëria ekstreme qe i ka kapluar vatrat shqiptare ku për fat të keq në mesin e atyre skamnorëve kemi edhe ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të Lirisë është një tradhti jo vetëm e” Idealit kombëtarë” Ideal qe i bashkoi ata trima rreth çështjes kombëtare me shpresën dhe dëshirën se një ditë do të gëzojmë të gjithë ditë më të mira dhe “Liri” të plotë. Por për fat të keq pas gjithë atyre vuajtjeve, persekutimeve, burgosjeve, mallteretimeve, vrasjeve e masakrave sot Lirinë e plotë po e gëzojnë pameritorët ata që fare pak apo edhe hiq aspak nuk kontribuuan për Lirinë e Kosovës!
Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t’u për kë luftuat Bacë?

Bac ,sot nuk po flas vetëm me zërin tim personal, sot po të flas me zërin e qindra e mijëra motrave, nënave dhe grave kosovare qe me lotë i kanë larë mijëra herë rrobat e motrave dhe vëllezërve të burgosur për t’ua larguar njollat e gjakut që rridhte nga torturat sebosllave dhe dhuna qe ushtrohej mbi trupat e tyre nëpër burgjet e Serbisë, në emrin e motrave, nënave dhe grave që me mijëra herë i kanë shikuar rrobat e përgjakura të bijave dhe bijve të tyre të masakruar e të vrarë, të bijave dhe bijve qe ia falën gjymtyrët Atdheut, e të mijëra tjerëve të zhdukur qe edhe pas 16 vitesh nuk gjinden eshtrat e tyre, po të flas edhe në emrin e mijëra motrave, nënave e grave kosovare qe i dhunuan kriminelët e Serbisë, pa i harruar as motrat, nënat dhe gratë e atyre qe na vinin në arkivole sa nga armata e atëhershme ca të tjerë nga mërgimi qe na i vriste UDB-ja serbosllave, e shumë të tjerë i ndiqte e përpiqej t’i vriste. Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t’u për kë luftuat Bacë?
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria, po robëria ,korrupsioni varfëria dhe anarkia!

Bacë të jesh i bindur shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë qe u vratë të gjithë Ju e që për fat të keq nuk ishit të pakët! E ai ndryshimi është se lufta me armë e me armikun serb përfundoi pjesërisht , por tani populli ynë po përballet me luftën e papunësisë e të varfërisë apo thjeshtë me luftën për ekzistencë dhe më e keqja shumica po luftojnë me vdekjen sepse sëmundjet e ndryshme bashkë me kancerin po lulëzojnë me të madhe dhe po vdesin çdo ditë fëmijët, rinia e të moshuarit e disa përpiqen të gjejnë shërim edhe në shtetet e tjera sepse shteti jonë sapo lindi e kapluan sëmundjet vdekjeprurëse korrupsioni dhe vjedhja të cilat jo vetëm e kanë lodhur por e kanë gjunjëzuar dhe vështirë se do të shërohet ndonjë herë!
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria! Jo, jo atje po lulëzojnë sëmundjet dhe varfëria dhe padyshim aty ku ka varfëri sëmundjet lulëzojnë me të madhe.
Liria po lulëzon për disa por jo për të gjithë! Liri kanë hajdutët për të vjedhur, për të ndërtuar shtëpi e vila luksoze vend e pa vend, për të blerë makina luksoze vend e pa vend, për t’u punësuar kur duan e ku duan, për të shpenzuar sa të duan dhe kur duan, për të pasur paga marramendëse e shumë e shumë lukse tjera të cilat nuk i shijon e as nuk ka të drejtë t’i shijoj apo t’i gëzoj as fshatari, as qytetari, as punëtori, as bujku, as mësuesi, as profesori, as aktori, as krijuesi,as ish i burgosuri, as ish luftëtari i Lirisë, as fëmijët e dëshmorëve dhe sa e sa të tjerë!
Po Bacë “u krye”! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova!

Bac në Kosovë Liria sa është e përkufizuar aq është edhe e përgjysmuar sepse ashtu siq nuk kanë Liri të plotë dhe të barabartë vetë qytetarët në tokën e Kosovës Liri nuk kanë as shqiponjat të fluturojnë mbi qiellin e Mitrovicës e cila tani e 16 vite është e ndarë apo thënë më mirë pjesa veriore i është okupuar nga serbët dhe Serbia! Dhe Ty o Bacë të thanë “Bacë u krye”!!!
Po Bacë “u krye”! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova dhe të lulëzoj Liria për mbarë popullin tonë!
Lufta u krye Bacë për ata qe mezi prisnin t’i zinin kolltukët e të uleshin në karriget e pushtetit, por jo për trimat e Lirisë të cilët nuk i dorëzuan armët por i ndoqën shkiet e shkinave edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë bashkë me sllavo maqedonasit në Iliridë! 
Bacë Ty të thanë:
Bacë të premë në besë për amanetin tuaj, flamurin kuq e zi e ndërruam,identitetin tone e pjesërisht e ndërruam ,bisedat po i bëjmë me Serbin e bile edhe darka po hamë me ta një tryezë!

Zoti të shpërbleftë me Parajsë bashkë me familjarët tu, dhe ne e kryem punën tonë, Kosovës ja ndërruam Flamurin te premë ne bese për amanetin tuaj qe kurrë flamurin kuq e zi se hoqe nga dora ! Në vend të shqiponjës ja vumë disa yje e ngjyrën kuq e zi ja bëmë “mavi-mavi” dhe bisedimet i filluam prapë me shkie se ashtu po na kërkojnë ndërkombëtarët të cilët jo vetëm qe na e sollën një Pavarësi prej paketës së Ahtisarit si dhe presidenten na e sollën në një zarf të bardh, por edhe na kanë ndihmuar bukur shumë edhe ta rrjepim Kosovën duke e vjedhur se Ti e di Bacë qe Kosova është një thesar qe e ka mbajt gjallë ish Jugosllavinë dhe e ka ndërtuar me pasurinë e saj bishtëmbisht. Dhe si e tillë tani jo qe po na i pasuron neve politikanët tanë , por po i pasuron edhe ndërkombëtarët, bile ,bile edhe Turqit kasaphane e kane bere Kosovën! 
Dhe për fat të keq po Bacë në Kosovë po pasurohet edhe dreqi me të birin por vetëm populli jo!Tek populli po shtohet robëria, papunësia, varfëria sëmundjet qe as emrat nuk jua dinë, aq shumë qe janë duke u shfaqur. Gjatë luftës na përzuri nga Kosova të gjithëve Serbia, dhe u bëmë pikë e pesë, disa në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e disa u shpërndamë gjithë andej nëpër botë.
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri përmes Serbisë dhe pobratimave të tyre po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët!
Por pjesa dërmuese qe ishin në trojet tona mezi prisnin të ktheheshin në Kosovën e djegur shkrumb e hi dhe të minuar, por i mbante shpresa se do të punojnë të gjithë, do ta ndërtojmë e do të lulëzon Kosova bashkë me Lirinë! Bile edhe ne mërgimtarët mezi prisnim t’i bëjmë pak para e të kthehemi si zogjtë shtegtarë e t’i ndërtojmë foletë tona përgjithmonë në tokën tonë. 
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri nga Serbia po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët. Edhe sikur të jetë sërish Kosova e minuar njerëzit nuk po pyesin për rreziqe. Ashtu siç u kthyen me nxitim pas lufte në tokën e djegur ashtu sot po ikin nga varfëria qe po ua sjellë për fat të keq kësaj here qeveria shqiptare jo Serbia!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bacë popullit po i propozohet t’i vënë në kokë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t’i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia, mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm me mbet pobratima me Serbinë!!!

Familjet e dëshmorëve jo se nuk i gëzojnë ato qe i meritojnë por fëmijët dhe nipat tyre po vdesin për një pikë ilaç qe nuk gjendet kund në Kosovë!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bac popullit po i propozohet të protestojnë e të kërkojnë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t’i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia qe të ketë populli ku të kërkoj ndihmë sepse nuk i ka mbetur derë tjetër vetëm te Zoti sepse më nuk po ju ndihmon as Europa e as Amerika, por popullit në ato xhamia i duhet edhe të kërkoj falje për gabimet qe po i bënë vetë duke ua dhënë votën e besimit gënjeshtarëve e hajdutëve tash e 16 vite. Ata po ndërtojnë edhe mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm me mbet pobratima me Serbinë!!!
Bile tani edhe Turqia po bënë be e rrëfe se do ta mbjelli kulturën turke në Kosovë sepse sipas saj “arnautët densëza” e kanë humbur kulturën e osmanëve e ajo duhet me i pru në dinë e iman!
Po Bacë kultura jonë po zbehet disa këngëtare po ua kalojnë edhe prostitutave me veshjet e tyre e disa femra ngjajnë me femrat turko arabe! Bile edhe disa çuna po shkojnë pas mësimeve të disa hoxhallarëve qe e kanë sjell kulturën arabe në Kosovë dhe nuk vishen më si janë veshur më parë po me do pantallona gjysmak e me mjekra qe vështirë e ke t’i dallosh se janë shqiptarë. Pjesa dërmuese e popullit po rrinë në heshtje e po bëjnë sehire e disa i ka lodhur varfëria e sëmundja, por ka edhe nga ata qe janë të zënë me bizneset e tyre. Disa prej luftëtarëve janë burgosur e kriminelët e Serbisë u shëtitin para hundëve të lirë. E pjesa tjetër atdhetare qe janë akoma në gjurmët tua dhe të shokëve të tyre po përpiqen të punojnë akoma për ta quar në vend amanetin tendë dhe të gjithë dëshmorëve por mijëra pengesa e probleme po u dalin përpara nga djalli qe ka hyr në trupat e atyre qe nuk duan të dëgjojnë më për asgjë rreth çështjes kombëtare sepse u tha para kohe:
Bile këtë parullë “Bacë u krye” shpeshherë e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin herët !!! Pra, Bacë, për kë luftove???

“Bacë u krye edhe se kemi parafrazuar se u krye. Bile këtë parullë shpesh e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin herët !!! 
Dhe Ti e dinë Bacë “burrat” një herë flasin!
Kështu Bacë, a u krye për së mbari apo për së mbrapshti për ta pak ka rëndësi kryesorja u krye!
Dhe vërtet Bacë edhe neve aq shumë na i kanë ngatërruar gjërat sa qe jo qe s’po e dimë çka u krye, po nuk po e dimë kur donë me u krye kjo poshtërsi e ky pazar qe po bëhet në kurriz të popullit?!
Popullin e kanë rrokur përpara mijëra halle e politikanët i pat rrok njëfarë ngërçi po si duket i lëshoj pak para vitit të ri se bukur shumë i mbajti e a do t’i rrokë sërish ai far ngërçi nuk di po si po duket moti është i keq , qe sërish t’i rrokë e nëse i kap për së dyti mos vet se nuk ka me i lëshuar me vite. 
Bacë kemi mbetur si pula në mjegull k’ta po thonë “Bacë u krye” e kush s’po e merr vesh çka u krye se hajnia nuk po kryeke kurrë o Bacë! Populli ka mbetur në udhëkryq, nuk na ka mbetur rrugë tjetër vetëm të gjithë po lutemi e po themi qohu nga varri o Bacë e kryeje e tregoju si duhet me u krye se kurrë më shumë UDB-ja nuk ka qene ma aktiv ese qe është tani!. Bacë jemi bërë kajlë të jemi ma mirë në varre vdekur se te gjallë e te robëruar!. Një barre e kemi të madhe edhe ne mërgim. Dheu i huaj peshë po na qon .Ëndrrat po i shohim çdo natë me parullën “Bacë u krye” nuk po besojmë më pa u quar ti nga varri me na treguar se për kënd Ti luftove???, për Lirinë e popullit, apo për te kriminelëve ,hajdutët dh bandat që e hëngrën nektarin e “Lirisë së Kosovës” Pra, Bacë, për kë luftove?

Filed Under: ESSE Tagged With: Bace, Makfire Canolli, per ke luftove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT