Shkruan: Avdi Ibrahimi/
Pi raki rrushi të Rahovecit… Nuk më zënka rakia… Nuk e di pse e pi, ani pse nuk ndjej asfarë shije, e nuk jamë asfarë pijaneci. Mbase e di pse pi? Mbase po e pi helmin e kohës… Pi të huajin bashkë me servilin vendorë që na rrin mbi kokë…dhe atdheu mbase padashje në hekura mban çlirimtarin.
Po gërmoj e gërmova me mendje dhe në shpirt.
I huaji e vendori servil i korruptuar, po i mbyllin mbrenda hekurave njerëzit çlirimtar, e po i linçojnë njerëzit progresist, kështu po u ipet krah njerëzve të këqij, të korruptuar e kriminel.
Ky helm i kohës , disi po më kujton atë veprën letrare “Krimi dhe dënimi” të Fjoderit.
– Varfëria si kontekst social i kësaj vepre paraqet vlerën kryesore të romanit. Vuajtja e njerëzve në këtë vepër është vrazhdësi konkrete. Me dredhi me mashtrim Svidrigajllovi ky njeri i pasur i detyron shërbëtorët të bëjnë vetëvrasje, ai në pronën e vet të fituar nëpërmjet korrupcionit, shfrytëzon, dhunon, çupën katërmbdhjetëvjeçare e cila nga vuajtja dhe dëshprimi mbytet në lumë, e helmon gruan e tij që t’i rrëmbej pasurinë, e shqetëson Dunjën një femër tjetër për ta skandalizuar.
– Në anën tjetër Luzhini, poashtu një njeri i pushtetshëm e i pasur, kërkon një vajzë të varfër, e cila përjetë do të jetë mirënjohëse këtij njeriu përshkak se kjo martesë e shpëton nga mjerimi, kështu i jep të drejtë burrit të saj që ta tiranizoj vullnetarisht.
– Sonja bëhet prostitute, që të mos qajnë fëmijët nga uria. – Njeriu vret njerinë për para, e po këto para mbetën të pashfrytëzuara, krimineli përvidhet nga banesa e të vrarës i padiktuar, i ka të gjitha kushtet që ta ruaj fshetësinë, por megjithatë zbulohet, dhe i dorëzohet gjyqit, por ai nuk heq dorë nga teoria e krimit. – Enigmën e parave të pashfrytëzuara personazhi e ndjen se as nëna, as motra, askush nga njerëzit e ndershëm, nuk do të pajtohej që problemet e veta jetësore ti zgjedhë më paratë e plaçkitura nga e vrara.
– Sonja pyet e tmerruar: “Ato të holla që ia dhatë Katerini Ivanovnës, mos janë nga ato të holla të fituara me anë të krimit. ”Jo Sonja, këto të holla nuk ishin prej atyre parave, qetësohu”. – Njeriu i ndershëm ka nevoj për një bindje dhe ndjenjë se çdo gjë është realizuar pastër.
Nga kjo vepër letrare kuptova se skllavëria nuk gjendet vetëm në raftet e pluhërosura të historisë, kjo po ndodh edhe sot në këtë kohë, servili në cilin do kontekst kohor qoftë ai, është një lloj skllavi, ndoshta ky njeri i kthyer në kukull, i ka borxh liderit të tij, se e ka punësuar në ndonjë nga ministrit, se i ka dhënë mbase ndonjë tender, se i ka dhënë ndonjë diplom a mirnjohje false, a kushedi çfarë?!
Për ta shprehur më ndryshe, këta janë skllevërit e vërtetë. Këta janë njerëz të skllavëruar e të shantazhuar, kjo skllavëri atyre u rëndon në kurriz, kjo skllavëri e pëlqyer nga ana e tyre , e këta skllevër nuk marrin veshë çka do me thënë liri, por përkundrazi ndjejnë një fare urrejtje për mbrojtësit dhe kërkuesit e lirisë, kështu këta skllevër budallenjë ushqejnë njëfarë respekti për liderin e tyre oligarkë që tashmë është bërë ekspert i përdorimit të dhunës dhe prangave zingjirore.
Ky është një zakon i pëlqyer prej tyre dhe këtë skllavërim e mbajnë në kurriz e durojnë me gëzim. Veçanërisht ata që janë lindur skllav!
Archives for May 2015
MËRGATA NË SHPIRTIN E POETËVE MËRGIMTAR NË SUEDI
Nga Sokol Demaku/
Në Falkenberg të Suedisë në prani e anëtarëve të ShShASh në Suedi, simpatizantëve të fjalës së shkruar, miqëve suedez nga qyteti Falkenberg, udheqës komunal të këtij qyteti, mysafirë nga qyteti Lac dhe Kurin i Shqipërisë, nga Republika e Kosovës, nga Gjermani, Zvicra, Norvegjia dhe Danimarka u mbajt Sesioni i katërt shkencor kushtuar publikimit të katërt me radhë të ”Thesarit Kombëtar për mëgatën shqiptare në Suedi”vepër e autorëve anëtar të kësaj shoqate.
Sipas fjalëve të redaktorit të librit Fetah Bahtiri edhe kësaj radhe në libër ngerthehet puna e mërgatës parë nga pena e poetëve dhe shkrimtarëve mërgimtarë për vite me radhë, por është një risi në këtë botim pra në botim katërt se në te janë përfshi edhe shkrimtarë dhe poet nga mbar mërgata shqiptare në Europë.
Sesionin e përshendetën Kryetarja e Komunës Falkenberg, Përfaqësuesi i Lacit dhe Kurbinit, Përfaqësuesi i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në Zvicër, përfaqësuesi i Shoqatës së shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Norvegji, Përfaqësuesi i Shoqatës së Shrkimtarëve shqiptar Danimarkë, përfaqësues nga Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës si dhe anëtar të shoqatave kulturore shqiptare në Suedi të cilat kanë një bashkëpunim të ngushtë me këtë Shoqatë.
Më pastaj krysuesit e grupeve punuese të cilët janë nga anë të ndryshme të Suedisë prezentuan punën e bërë në lamin e kërkimit dhe mbledhjes së fakteve lidhur me punëne bërë në mërgatë vite me radhe si dhe në ditët e sotme. Në këtë botim do prezentohet puna e LASH në Suedi, dhe rëndësia e kësaj shoqate të arsimtarëve për ruajtjen dhe kultivimine gjuhës në mërgatë, kontributi i bashkëkombasëve në ndihmë vendlidjes, kontributi në mbajtjen gjatë të shkollës shqipe në vendlindje në kohën e okupimit shovensit serb, por prezentohet edhe puna kulturore dhe atdhetare e shoqtave kulturoren ë këtë vend nordik në mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe në mërgatë.
Nga redaktori i librit dhe Kryetari i ShShASH në Suedi Hysen Ibrahimi u mor vesh se libri del nga shtypi në mesine muajit që vjen pra në muajin qershor dhe se promovimi i tij do bëhet në shumë mjedise kulturore si në vendlindje, Maqedoni, shqiperi si dhe në shume vende tjera Eurpiane e në Norvegji u kumtua se do bëhet në majin tetor 2015 në qytetin Oslo në organzim të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar atje.
Këtu u lexuian edhe shumë kumtesa pune të cilat prezentojnë angazhimin dhe punëne mërgatës shqiptare në Suedi.
Fjala e Sokol Demakut në Sesionin e katërt të ShShASh mbajtur në Falkenberg me 30 maj 2015.
Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta, por me domethenje dhe mesazhe të mëdha.
Së pari dua të shpreh falënderimet e mia të ngrohta për organizimin e këtij sesioni shkencor nga ana e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptar në Suedi, i cili sesion është dhe do jetë një udhërrefyes i punës së palodhur të kriujuesve shqiptar në mërgatë konkretisht këtu në veriun e largët të Europës në Suedi.
Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Kuptohet se në poezi jetojnë edhe lirika, lumturia, dashuria dhe optimizmi, por jo aq shumë sa dhimbja dhe malli kur kemi të bëjmë më mërgatën dhe poetët mërgimtarë.
Qednra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në qytetin Borås të Suedisë, themeluar këtu e tetë vite më parë nga mërgimtarë entuziastë të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe traditës shqipe në mërgatë deri më sot me sukses po kryen misionin e saj që i ka vu vetës dhe atyrë të cilët janë dhe punojnë në këtë shoqatë me këto tri virtyte themelore të shqiptarit. Të kultivosh dhe ruash gjuhën, traditën dhe kulturën e një populli nuk është lehtë, por kjo është kënaqësi dhe krenari për ata të cilët japin kohën dhe mundin e tyre në mënyrë vullnetare, në mënyrë që këto virtyte edhe pse larg atdheut, larg vendlindjes të ruhen dhe të jenë ne mendjen dhe shpirtin e mërgimtarëve.
Krejt këtë QKSH “Migjeni” e realizon përmes punës së anëtareve entuziastë të kësaj shoqate në kuadër të programit të Radio Diturisë, faqeve të revistës Dituria si dhe përmes ekranit televizisë të TV Dituria. Por nuk mungojnë edhe aktivitete më femijë, të rinjë dhe prezemtimi i kulturës shqiptare në mërgatë.
Entuziastë të fjalës së shkruar anëtar të kësaj Qendre këtu e tri vite më parë kanë fillua me realzimine Festivalit të fjalës së shkruar me titull “Festivali i poezisë në Borås”, festival i cili u tregua shumë i sukseshëm dhe pozitiv, me pjesëmarrje të poetëve shqiptar nga pjesë të ndryshme të botës dhe nga vendlindja njashtu edhe nga poet suedez.
Poezia kalon nepër vite dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë, për njerëz të cilët kanë në shpirt idelain e pastër njerëzor. Për këtë arsye është pritur me gëzim të madh kjo iniciativë për të futur përsëri kulturën shqipe dhe poezinë në qendër të vëmendjes dhe duke shpresuar që të kemi të gjithë dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike. Dhe u pa se më të vërtë idceatorët e “Sofres poetike në Borås” paskan pasur të drejtë dhe se ata duhet ndihmuar dhe përkrahur në këtë drejtim.
Dua të shpreh falënderimet e mia të ngrohta për kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi Papa Klementi XI Albani, me në krye Hysen Ibrahimi, dhe të gjitha shoqatave kulturore shqiptare në Suedi të cilat ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me QKSH “Migjeni” në realizimin e projekteve të tilla të cilat kanë vlerë kombëtare por edhe janë urë lidhjeje mes popujve konkretisht mes popullit suedez dhe ne si mërgimatë në këtë shtet në veriun e largët të Europës.
Festivali “Sofra poetike Borås” nga tani është Festival tradicional dhe mbarkombëtar dhe shpresojmë se do vazhdojmë edhe në të ardhmen me tempon të cilën e kemi që tani dhe se kjo punë frytëdhenëse e poetëve dhe poeteve në mërgim do jetë një shkendijë e cila do rrezatoj edhe në vendet tjera ku mërgata shqiptar frymon shqip, por ndoshta edhe në vendlindje do ketë një ndikim pozitiv në kultivimin e fjalës së shkruar.
Ju falmnderit
Miell për gallatë
Nga Ilir Levonja-Florida/
Nuk e di me saktësi se çfarë distance kuptimore ka midis propogandës dhe politikës. Por që të dya janë pjesë e komunikimit me një komunitet të caktuar. Me një qëllim të caktuar, sensibilizimin. Ose e thënë shqip, vënien në dijeni të kësaj mase. Le të themi, edhe për të pasur një përfundim me një arritje. Bindjen e po kësaj mase dëgjuesish. Të të besojnë, të të ndjekin nga pas etj. Ndofta propoganda i përket ideologjisë. Dhe politika pragmatizmit kapitalist. Megjithatë nëse e para është ndërkryer, keqpërdorur, abuzuar. Dhe vështirë se mund të ngrejë kokë më, për shkak të luftrave botërore, kampeve të socializmit, diktatuarve të ndryshme. E dyta po e riprodhon. Por e bën këtë në formën më të keqe të saj. Pra duke e ridënuar sërish. Edhe pse ka një vetëdije tashmë botërore mbi keqpërdorimin e saj. Dhe vëndet më të prapmbetura janë pikërisht ato që bëjnë politikë përmes propogandës.
Para disa kohëve, e kam përkitur këtë fakt përmes asaj këngës së famshme të Minës dhe Çelentanos. Parole, parole, parole. Pra fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë… Ky është dominini i përsëritur edhe në plolitikën tonë. Veçse nga shekulli i kaluar, e deri më sot. I kanë shtuar kësaj propogande elementin miell. Dhe nëse ajo këngëtarja, tërësinë e fjalëve përmbledh në një fragmet muzikor, duke thënë se karamale nuk dua më. Shqiptarët ka ardhur koha të thonë. Miell nuk duam më.
Po a ka bërë efekt mielli? A ka qënë bindës? A ka qënë propogandë e arrirë?
1)Nga 1944 e deri në 1990-ën, ne dinim se ballistët dolën malit për të gjuajtur miell.
2)Nga 1991-92 . U harrua për pak. Pastaj ia plasi në Elbasan. Prag shekulli i ri. Miell për vota. Nga ajo kohë e këtej, si mall i parë për blerjen e votës. Madje u perfeksionua në formën e paketimit. U fut, vaji, orizi, sheqeri. Megjithatë mielli mbeti dominant.
3)Nga 2013 u afrua edhe një lloj mielli tjetër. Ai kanabisit. Në një treg brilant në mes të ditës. Me pista rrugësh të cilat diktatura i bëri qëllimisht të ngushta, që të mos uleshin avionët e armikut. Por prapë, ata u ulën. U ulën dhe pushuan në breg të detit. Bën edhe show.
4)Në 2015-ën!
Tani ka plasur keq. Eshtë bërë sheshi i betejës. Mielli është kthyer në makth politik. Duke ia ditur vlerën, sidomos në kohë fushate ka një luftë për zotërimin e tij. E ardhmja politike?
Të qëndrojmë më konkretisht. Në emisioni Topstory, të para pak ditëve, 28 maj 2015, kryeparlamentari i Shqipërisë atakoi drejt për drejt një fabrikë mielli në Vorë.
Shumë nga analistët e quajtën si një ndeshje derbi. Pra mes opozitës dhe pozitës. Unë nuk e di historikun e mandateve të bashkisë në Vorë. Aq më tepër kur në politikën tonë ngrysesh i djathtë dhe gdhihesh i majtë. Shikoni produktin Gjici në Kamëz. Halili në Kukës, etj. Ose ngrysesh, socialist, gdhihesh lësëist, fiton si demokrat dhe përfundon prapë lësist.
Megjithatë jemi tek mielli. Çfarë ishte përshembull ajo e kryetarit të Kuvendit. Propogandë për çmitizimin e miellit.? Apo luftë e hapur për zotërimin total të tij.?
Unë them se janë të dyja. Ose pjesë e një gallate të vjetër kur ballistët gjuajnë njëri-tjetrin miell. Pasi është e çuditshme, se ndërsa jam duke shkruar dhe kërkuar, shoh në internet kamionçina me miell. Foto që simpatizantët vet i nxjerrin si trofe tiumfi. Me një fjalë, grini ju grini se ecim përpara.
Dhe ky interneti edhe pse po i dëshmon kudo, nuk po bëhet i bezdisshëm fare për politikën. Madje ata kënaqen me sportivitetin e gallataxhinjëve. Thonë, a ma me fejsbukun merreni ju. Ndërsa nuk përtojnë të postojnë edhe moralin e tyre ”të kulluar” në foto familjare.
Kurse gallataxhinjtë vazhdojnë me qejf. Të gjithë kanë celulare vërtet, të bëjnë foto. Kamionçina, plot flamuj partish. Thasë mielli, kuti me makarona, sheqeri orizi. Futen në youtube. Dhe aq, gallatë.
Një lloj gallate që ata i kënaq si spektatorë. Ndërsa këta të miellit, i kënaq nga që po u hedhin miell fytyrës gallataxhinjëve. Aq sa edhe zoti duhet të thojë, nga ta zësh këtë vend gallatë. Nga koka apo nga këmbët?
Eshtë koha e miellit. Të bëjmë gallatë.
Kurse ai që nuk bën pjesë. Që nuk është as tek propoganda as tek politika. Por tek realiteti. Eshtë i jo i besueshëm. Qoftë ky edhe heroi kombëtar.
DIBRA E MADHE NE NDIHME TE KUMANOVES
Këshilli i Komunës Dibër e Madhe në mënyrë unanime voton ndihëmën për Kumanovën/
Nga Dibra Beqir Sina/
Në Komunën e Dibra e Madhe në Maqedoni, në mbledhjen e djeshme Këshilli i Komunës së Dibrës, ka miratuar në mënyrë unanime një ndihmë e caktuar për dbmet e shkatuara nga incidenti në Kumanovë.
Mësohet se BDI – ja, pjesë e kualicionit qeverisës në Maqedoni, ka udhëzuar të gjitha këshillat e komunave, ku ajo drejton – ndarjen e mjeteve nga Buxheti i Komunës për ndihmë të qytetarëve të Lagjes së Trimave në Kumanovë, pas ngjarjeve të 9-10 maj.
Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe zoti Ruzhdi Lata, na tha dje se megjithëse, ai nuk mori pjesë në këtë votim – Kryetari i Këshillit të Komunës Bashkim Mashkulli me anëtarët e këtij këshilli nga të gjitha subjektet politike kan votuar një zëri ndihmën për Kumanovën.
Kryetari Lata, tha se këtu nuk bëhet fjalë për shifra – por bëhet fjalë për një akt të madh solidariteti me popullin shqiptarë nga Lagjia e Trimave në Kumanovë.
” Ky është rasti i tretë që Komuna Dibër Madhe, voton në mënyrë unanime, u shpreh Lata duke shpjeguar se ata kan votuar më parë edhe për dy gjëra të rëndësishme: e para ka qenë një ndihmë për Kosovën mbas luftës, ndërsa rasti i dytë, ka qenë ai kur Këshilli i Komunës votoi unanimisht shpalljen “Qytetar Nderi i Dibrës së Madhe” të ish Presidentit dhe ish Kryeministrit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha
Kryetari Lata, theksojë gjithashtu se jo vetëm Këshillit komunal dhe Komuna Dibër e Madhe, po çojnë ndihma në Kumanovë, por edhe qytetarët e Dibrës, kan mbledhur ndihma dhe i kanë dërguar ato me kamion në Kumanovë, sidomos, për t’u permendur, tha ai janë paketat me ushqime, të ndryshme si Jufkat ( një lloj makaronash tradicionale dibrane) për Lagjen e Trimave në Kumanovë. “Qytetarët dibran, vazhdoi kryetari i Dibrës, jo vetëm në këtë rast, por, edhe në raste të tjera, kur është lypyr nevoja , sidomos me fatkeqësit natyrore në Shqipëri, kan mbledhur dhe dërguar ndihma atje në solidaritet me popullin shqiptar ”
Tërmetet që tronditën Rilindjen e Ramës
nga Andon Dede, Nju York/
Shija e keqe e një skandali/
Me afrimin e, më pas, fillimin e fushatës elektorale u duk sikur poterja mbarëkombëtare Doshi-Frroku-gejt u shua e u la në harresë, por nuk është ashtu. Pasojat e saj janë tepër të ndjeshme edhe as që kanë për t’u shuar ndonjëherë. Me atë që bëri, Tom Doshi, as më shumë e as më pak, realizoi atë që paralajmëroi: tronditi me themel jo vetëm të ashtuquajturën “Rilindje” të Ramës por dhe gjithë koalicionin e majtë në pushtet, tronditje kjo që krijoi të çara jo vetëm përsa i përket qeverisjes aktuale por dhe propagandës marramendëse të Ramës e shpurës së tij politike e mediatike, për “fitoren plebishitare apo dërrmuese” të 23 qershorit 2013, për “një milion grushtat” që mori qeveria e mëparshme e broçkolla të tjera si këto. Duke denoncuar prapaskenat e ardhjes në pushtet të koalicionit anti-Berishë, (se ata s’kanë asgjë të përbashkët jo më me te majtën që pretendojnë, por as me PS-në e mëparshme), Doshi hoqi kapakun e pusetës të gjirizit ku ishin mbledhur ujërat e zeza përmes zgjedhjeve të 2013-ës, duke bërë të shpërthejnë prej saj tërë erërat e qelbura që gjallonin në të, duhmat e së cilës vazhdojnë të ndotin atmosferën e rënduar të politikës shqiptare dhe as që kanë për t’u pastruar ndonjëherë. Dosh-Frrok-gejti, pra, sikur na liroi nga ato fjalime të bezdisëshme deri në dhimbje koke të Ramës e kompani, për “fitoren historike”të qershorit 2013 e për një milion shpullaxhijnjtë që e ulën në karrigen e shumë-ëndëruar. Mjafton të njihesh me intervistën e Doshit në Top Chanel që të informohesh për shumat marrmendëse që ka derdhur ai për atë fushatë. Jo vetëm kaq, por Dosh-Frrok-gejti pati për publikun shqiptar edhe shumë vlera të tjera: ai hapi dritare edhe për afera të tjera të pista të pushtetmbajtësve të sotëm, siç janë p.sh. mënyrat dhe mjetet që u përdorën për t’iu hapur rrugën për në Parlament njerëzve të fortë, qofshin ata gangsterë që s’përtojnë të qëllojnë me grushte edhe në korridoret e Kuvendit, ashtu dhe kontrabandistë e trafikantë të të gjithë llojeve, që turpërojnë jo vetëm karrigen e deputetit ku janë ulur por edhe të gjithë ne që i përkasim atij populli e atij vendi. Skandali tregoi se maxhoranca në pushtet jo vetëm që nuk e lufton krimin por e ka aleat atë sa herë që i intereson, siç janë fushatat zgjedhore. Këtë e favorizon dhe sistemi aktual zgjedhor, rezultat i kompromisit të ndyrë në mes partive kryesore që e miratuan atë krejtësisht të nisura nga interesat e vogla meskine të kryetarëve të tyre, për të ushtruar pushtetin personal edhe në hartimin e miratimin e listave, gjë që lë shteg për filtrimin në Kuvend të të fortëve dhe të inkriminuarve, siç edhe ka ndodhur në dy zgjedhjet e fundit e siç po ndodh edhe aktualisht në zgjedhjet lokale. Justifikimet e Ramës se “nuk i njihnim si të tillë”, se “vërtet nuk flasin në Kuvend, por janë njerëz me influencë në bazë” e profka të tjera si këto të dala boje, nuk i ha më njeri. Parë në këtë prizëm, Dosh-Frrok-gejti na kujtoi edhe njëherë nivelin e ulët ku është katandisur Kuvendi i sotëm e sidomos kushtet e mundësitë që iu janë krijuar kontigjenteve të pista e kriminale për të ardhur aty. Ato i duheshin kryetarit të “Rilindjes” sa për të rrëmbyer votën, në këmbim të jetës komode të deputetit, paçka se kjo i kushton aq shumë popullit e vendit. U bënë tashmë vite e dekada që në politikë e qeverisje tek ne mund të hysh e të dalësh sa herë të duash, të shkelësh ligjin e të mos dënohesh, të flasësh mbarë e prapë nga tribuna e Kuvendit, të përqafohesh e të bësh aleancë me po atë që ke anatemuar pak më parë, e jo vetëm të të mos hyjë asnjë gjemb në këmbë, por, në të kundërtën, të dalësh nga Kuvendi me ofiqe, favore e me pasuri që as të kishte shkuar në mendje para se të hyje atje. Ndaj dhe zhurma që u bë e po bëhet për gjoja dekriminalizmin e Kuvendit s’ka si të mos tingëllojë thjesht si demagogji, përsa kohë që do jetë në fuqi ky sistem elektoral.
Për ne që jemi spektatorë e jo aktorë të këtij skandali, nuk ka shumë rëndësi se si është e vërteta e akuzave që ngre Doshi dhe as se si do të përfundojë ky skandal. Qoftë dhe thjesht ngritja e akuzës për kryetarin e Kuvendit, përbën një njollë turpi që do ta detyronte çdo homolog të tij, edhe në shtetet më diktatoriale të Afrikës, që të jepte dorëheqjen, kurse kryetari i LSI-së, as që u tund nga istikami. Shrapneli i Doshit nuk tronditi me themel vetëm të ashtuquajturën “Rilindje”. Saçmat e tij goditën shumë më gjerë. Ato i nxorrën bojën edhe më tej sistemit tonë të Drejtësisë, duke filluar nga organet e akuzës e duke vazhduar me tërë nivelet e gjykatave e institucioneve të tjera që lidhen me të. Dosh-Frrok-gejti detyroi të shkojë në Prokurori vetë kryemininistri e ministri i brendshëm, siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe të lëvizë nga vendi Prokurori i Përgjithshëm, për të vetmen arsye se në akuzat e Doshit u përmend edhe emri i tij. Kjo tregoi se Prokuroria kur do, e bëka malin fushë, siç thotë populli. Parë në gjithë këto vështrime, krahas së keqes së madhe që pati Dosh-Frrok-gejti, duke i vënë një njollë turpi jo vetëm politikanëve e shtetarëve tanë, por dhe tërë popullit e vendit tonë, jo vetëm brenda vendit por dhe shumë më gjerë, në aulat e Parlamentit europian e më tej, pati edhe ky skandal vlerat e tij, se iu hapi sytë njerëzvë për të parë “mbretin lakuriq”, e jo siç përpiqej të dukej ai. Faktet dhe informacionet e bollshme që dolën prej tij e implikojnë keqaz qeverinë e rilindasve jo vetëm në mbrojtjen dhe përkrahjen e kriminelëve por dhe në mosveprimin ndaj tyre, siç qe rasti flagrant i heshtjes për informacionin e ardhur nga Brukseli për implikimin në vrasje të deputetit Frroku.
Nga Dosh-Frrok-gejti tek Ben-Blush-gejti
Në vështrim të parë, Doshi me Ben Bliushin janë aq larg njeri tjetrit sa duket si gabim i rëndë t’i vësh së bashku qoftë edhe në një shkrim si ky. Unë nuk njoh asnjerin prej tyre drejtpërsëdrejti, por vetëm mediatikisht, njohje kjo e mjafueshme për të krijuar një ide të saktë për personalitetin e secilit. Megjithatë do të thosha se në gjithë këto që ndodhën, nuk është e vështirë të gjesh dhe shumë pika takimi. Një nga këto, të diskutuara tashmë edhe në media, si nga përkrahësit dhe kundërshatërt e tyre, është fakti se përse e bënë tani ata kundërvënien ndaj Ramës. Me fjalë të tjera, mos vallë Doshi e shpërtheu predhën kur pa se i shkuan dëm tërë paratë dhe sakrificat e tjera që kishte bërë për fushatën e 2013-ës, pra kur pa se jo më që nuk mori ndonjë post të shpresuar por as nuk po ia varte më njeri, madje, për qeveritarët qe kthyer dhe në një njeri të bezdisëhshëm, duke mos i ngritur as telefonin e jo më të kënaqnin kërkesat e tij. Bukur e thoshte në esenë e tij, K.Myftaraj, se Tom Doshi për Ramën e rilindasit e tij, kishte vdekur që më 23 qershor të 2013-ës. Po kështu thonë dhe për Blushin se po ta kishte ulur Rama në ndonjë post ministri, nuk do të fliste e nuk do të shkruante kundër tij. Edhe pse në këto pohime, nisur nga përvoja çerekshekullore e këtij tranzicioni, ka diçka të vërtetë, për temën që po trajtojmë nuk e vlen të merren në konsideratë. Për ne kanë rëndësi të vërtetat e atyre që thonë, diagnozat që japin. Jo se ne, dhe kur them ne, kam parasysh gjithë publikun, nga ata lart e deri tek fshatari më i humbur, nuk i dinim ato, në mos tërësisht, shumicën e tyre, falë tërë këtij rrjeti informatik shurdhues; por ndryshe kur e lexon në gazetë apo e merr vesh nga ekrani i televizorit apo internetit dhe ndryshe kur të vërtetat i dëgjon nga vetë pjestarët e klanit të akuzuar. Ne, fjala vjen, mund të kemi dëgjuar thashetheme sa të duash për një grua imorale, kushdo qoftë ajo, siç ndeshen në blogjet elektronike përditë; por, kur na e thotë këtë vetë punonjësi i hotelit ku ajo kënaq epshet, ndryshon puna, bëhet shumë më e besueshme. E pra, është kjo arsyeja që dhe Doshi dhe Blushi çojnë ujë atje ku kishte aq shumë etje për tu bindur për realitetin e përjetuar, si për zgjedhjet e shumëpërfolura të qershorit 2013 ashtu dhe për qeverisjen e sotme që jo vetëm nuk po rilind gjë, por po na kujton kohën e diktaturës me frikën e panikun që ka ngjallur në popull apo dhe me tërë treguesit e mirëqënies sociale që po njohin vetëm ulje. Treguesi më i qartë e më bindës për këtë është humbja e shpresës dhe largimi masiv i shqiptarëve, siç nuk kishte ndodhur prej kohësh.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 67
- Next Page »