• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

GJYKATA SPECIALE NUK DO TA PASTROJE SKENEN POLITIKE

June 25, 2015 by dgreca

NGA FAIK KRASNIQI/Ne si popull dhe medie, pikë së pari nuk jemi në dijeni se kush me të vërtetë do të akuzohet nga Gjykata Speciale, për krimet e supozuara të luftës, në bazë të këtij raporti të Dick Martit! Nëse nga kjo Gjykatë akuzohen politikanët apo individët që kanë krijuar pasuri marramendëse, në kurriz të këtij populli, duke e vjedhur dhe plaçkitur këtë shtet, atëherë është absurde që me paratë e popullit të mbrohen këta persona, që janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e shtetit dhe gjithë shoqërisë! Por nëse nga kjo Gjykatë Speciale akuzohen persona që janë në kushte të rënda financiare, e që kam bindjen se do akuzohen pikërisht njerëz që kurrë nuk ua kemi dëgjuar zërin, por që do të jenë ”kurban” të këtyre politikanëve maskarenjë që do të duhej të futeshin në burg për krime ekonomike dhe vrasje politike, po nga kjo Gjykatë, sepse krime lufte nuk besoj të ketë bërë ndonjë shqiptarë, me përjashtim të rasteve individuale, por nuk mund të quhen krime lufte, sepse dihet botërisht që lufta jonë çlirimtare ka qenë e pastër si loti!

Gjykata Speciale do të themelohet vetëm për krimet e supozuara të luftës, në bazë të raportit të Dick Martit! Por nëse kjo Gjykatë Speciale do t’i trajtonte të gjitha krimet ekonomike dhe vrasjet me motive politike, atëherë me të vërtetë do të ndodhte ai ”tërmet” tronditës, ku do të pastrohej skena politike nga këta politikanë kriminelë e mafiozë, të cilët që 16 vjet e kanë kapur shtetin për fyti, duke e vjedhur, plaçkitur dhe pamëshirshëm e shkatërruan në çdo qelizë të saj dhe në mënyrë të paligjshme e në kurriz të këtij populli, u pasuruan dhe po bëjnë një jetë superluksoze, si të mbretërve dhe pashallarëve, në Kosovën e varfër! Prandaj kjo Gjykatë, pasi që nuk do të merret me krimet ekonomike dhe vrasjet politike, nuk do ta bëjë as pastrimin e skenës politike, nga kriminelët dhe mafiozët e politikës! Kriminelë të veshur me petkun e politikanëve, të cilët janë shndërruar në kancerin e gjithë shtetit dhe shoqërisë dhe fajtorët për shkatërrimin e Kosovës dhe dështimit si një shtet normal dhe funksional! Kështu që ata deputetë të pozitës që gjoja e kundërshtuan themelimin e kësaj Gjykate, se do të votojnë kundër, janë të njëjtit ose shumica prej tyre që do të votojnë Pro, sepse e dinë fare mirë që as ata e as shokët e tyre, nuk do të preken nga kjo Gjykatë, për milionat e vjedhura nga ky popull! Ne si popull e si shtet asgjë nuk do të përfitojmë nga kjo Gjykatë, por vetëm do të humbim edhe nja 10 vite kohë, e në anën tjetër këta kriminelë e banditë prapë do të vazhdojnë të udhëheqin dhe shkatërrojnë Kosovën! Prandaj shqiptarët po tregohen naiv duke menduar që Gjykata Speciale do t’i largojë nga skena politike kriminelët, por e kanë gabim, sepse kjo Gjykatë do të merret vetëm me krime lufte! E ky popull që jeton me ëndrra syçelë, vazhdon ta gënjej dhe t’i krijoj iluzione vetes, se kjo Gjykatë do ta pastrojë Kosovën nga këta kriminelë e banditë, të veshtur me petkun e politikanit!

Filed Under: Analiza Tagged With: faik Krasniqi, GJYKATA SPECIALE, krimi, skena politike

Çdo të bëhet me urën?

June 25, 2015 by dgreca

Nga Gezim Llojdia/
 1.E djathta  mori një nga bastionet e  hershme të së majtës  sic është  bashkia Selenica, që aktualisht ka marrë edhe gjysmën e Lumit të Vlorës,pra bashkia  e re fillon në Topallti e përfundon në gjysmë të Lumit të Vlorës dhe komunat Armen, Vllahinë,Kotë,Sevaster,Brataj,janë pjesë e bashkisë që  edhe për shumë kohë do të jetë një bashki  modeste,për nga buxheti dhe investimet.
 Menjëherë  pas marrjes së këtij lajmi  një intelektual hodhi në rrjete sociale pamjen e  urës së Treblovës ku shfaqeshin dy këmbët e saj ende të papërfunduara,ndërsa pranë saj shkonte një udhë:Po tani kush do na e bëj uren.?! Pyeste komentuesi.Sa herë që kalimi i këtij vëndi do të bëhet i pamundur ,Treblova nuk do ta ndjej veten pjesë të bashkisë së Selenicës dhe ne do të kërkojmë autonominë…
 Dëshpërimi i banorëve i shprehur  hapur ka një bazë ,që vjen nga përvoja 20 e ca vjecare në qeverisjen e këtij vendi të vogël sa një lagje e New Jorkut,por që ka nxjerr mijëra halle e probleme.Sot shumë bashki apo komuna kanë funksionuar sipas parimit të njohur për 20 vjet,pra  ne krejt ndryshe nga qytetërimi i botës, që kur vjen e djathta financion bashkitë e saj,e kundërta ka të njëjtin përkthim,pra kur e majta ka pasur qeverinë e saj ,financimet i merte e majta, etj,etj.
 2.Kush ka shkuar në Sevastër,(emri i vjetër Kudhës –Gërhot,)do të shikojë investimet që ka sjell në këtë kodër ku ka qenë epiqendra e qytetërimit në një zonë të tillë kodrinore në lartësinë 613 m mbi det,kandidati fitues Përparim Shameti.Një rrugë e asfaltuar me të gjitha parametrat ndoshta e vetmja  në krejt lumin e Vlorës.E djathta  mori në zotërimin e saj  një bashki, që i përket një zone historike të njohur .Dy qytete antike me monedhat e tyre,një qëndër e hershme si Hadëraj,Armeni.Qyteti antik i Amantias gjendet i shtrirë në kreshtën e një kodre mes dy majave në këmbë të një varg-kodrinash.Kjo qendër e hershme ilire e shtrirë në hapësirë dhe në kohë,sot gjenden rrënojat e saj në 15 ha të parkut arkeologjik të Amantiasë,lindur e lulëzuar në 10 shekuj në ndryshim e pasurim të vazhdueshëm.Monumentet në Amantia  kanë një rëndësi kulturore dhe historike .Ato kanë një renditje që shkojnë nga shek VI ,para Kr.deri në shekujt e I pas Krishtit. Qytet tjetër është Olympe, rrënojat e së cilës ndodhen në fshatin e sotëm Mavrovë, në anën e djathtë të lumit Shushica, Qyteza antike e Olimpes, në fshatin Mavrovë, 40 km në juglindje të Vlorës.Sot qyteti antik  i Amantia mund ta vizitosh si një njeri i qytetëruar.
  Duke qenë se kam drejtuar këtë park,duhet thënë se P.Shametaj është intersuar dhe vijonë të interesohet në vijimësi për ta përhapur këtë kulturë ilire duke organizuar festa, takime  sëbashku me Kryetarin e kontrollit të shtetit Bujar Leskaj.
 Ai solli rrugën  rreth 17 km ndonëse ishte premtime nga gjithfarë pushtetarësh dhe kilometrat  e parë të saj filluan të shtrohen me ziftë, qysh në vitin ’92.
 Duke dalur te pyetja e komentuesit.Udha e re me asfalt të ri,nuk fillon nga ura e Peshkëpisë, por rreth 15 km më larg,nga qafa e Dushkut.Dhe faktin që në mes gjëndet komuna Kotë e qeverisur për 15 vjet nga  të majtët është tregues për të thënë se cfarë bënë ata për të marrë fonde për këtë udhë që ka e lënë Labërinë  në gjëndjen e shpërfytyruar  si në vitet e para, pas luftë së parë të përbotshme.Kështu krahina më e madhe dhe më kontribut të madh ndër kohëra e qytetërime  mund të thuhet se qëllimisht është katandisur në këtë gjëndje pa udhë  e braktisur më shumë se kurr në historinë e saj.Ndonëse krahina nxorri një duzinë deputetësh e ministra, askush nuk u kujdesë për ti bërë asaj udhë.Duke përmendur Kurveleshin  e sipërmë pa udhë,atë të poshtmin gjithashtu duhet thënë se mazhoranca ka premtuar  ndërsa kanë filluar punimet për rrugën e Kucit nga ana e bregdetit dhe rrugën e Kucit nga ura e Drashovicës që është edhe kufiri i filimit të krahinës së madhe të Labërisë. Rruga është një hapësirë e caktuar mbi të cilën lëvizin njerzia dhe mjetet aktualisht gjithë ky vend ka nevojë për rrugë,për ura etj.Pra cdo të bëhet me urën.Unw besoj se kryetari i ri ,që është njeri bashkpëunues do ta bëjë urën  dhe do të sjelli në këtë zonë investime të tjera,që kanë munguar.
 3.Është reale pyetja që ngrihet më sipër,pra cdo të bëhet me urën,ashtu sikurse shumë banorë të tjerë  ne bashki te tjera kanë pyetur pasi kanë marrë vesh  fituesit, se :çdo të ndodh me këtë udhë,cdo të bëhet më këtë investime,cdo të bëhet  me këtë,atë etj,etj.
 Udha,ura dhe të gjitha këto janë investime publike që i përkasin komunitetit dhe jo kryetarit.Bashkëpunimi për të mirën e komunitetit është dhe duhet të jetë në të mirën e të dy palëve,qeverisë dhe kryetarëve  të zgjedhur nga forcat politike,pa haruar se në këtë mes ai, që e pëson është komuniteti. Pra cdo të bëhet më urën,besojë se ura do të përfundojë , shëmbulli i këtij drejtuesi për zonën ku ka qeverisur lë të kuptosh se ura do të përfundojë,ashtu si edhe rrugët ,ujësjellsat e të tjera punë që i presin,bashkiakët  e rinj.

Filed Under: Komente Tagged With: Çdo të bëhet me urën?, Gezim Llojdia

HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES

June 25, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të dielën që kaloi në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore anë e mbanë vendit, por ajo që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte natyrisht konkurenca për Bashkinë e Tiranës midis kandidatit të Partisë Demokratike, Dr. Halim Kosova dhe rivalit të tij socialist, Z. Erion Veliaj. Pas një fushate agresive progandistike në ekran dhe mbështetjes së fortë nga partia e tij — gjë që i mungonte kandidatit demokrat Dr. Halim Kosova — kandidati i Partisë Socialiste shënoi një fitore dërmuese në kryeqytetin shqiptar.

Por, ajo që më bëri përshtypje duke e ndjekur fushatën nga larg, është fakti se Dr. Halim Kosova ishte një kandidat ndryshe nga ç’kemi parë në Shqipëri këto 25-vitet e fundit.  Duke pranuar humbjen, ai falenderoi përzemërsisht qytetarët e kryeqytetit, siç u shpreh ai, “pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe platformës së tij. Njëkohësisht ai uroi kundërshtarin e tij për fitoren në postin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ishte kjo një shfaqje qytetërimi politik dhe njerëzor ndaj një kundërshtari politik, që i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë politikës shqiptare të 25-viteve të fundit.  Fenomeni tjetër pozitiv i fushatës së tij ishte se si një kandidat i cili nuk konsiderohet si politikan i karierës, në vend që të zhvillonte fushatën nga studiot e freskëta të televizionit, “Unë zgjodha kontaktin me qytetarin dhe jo fushatën e luksit në ekran”, tha Dr. Kosova në fjalën e tij pas humbjes së zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës.

Ndonëse Dr. Kosova i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, ai duhet ta ndjejë veten krenar sepse me kulturën e tij politike që tregoi gjatë kësaj fushate, ai mund të ketë sjellur një frymë të re në zhvillimin e fushatave politike në vend si dhe një shembull për tu ndjekur në të ardhmen, sidomos në relacionet midis humbësit dhe fituesit në zgjedhje, gjë që deri tani ka munguar — në nivel vendor dhe kombëtar.   Madje edhe rivali i tij politik, Z. Veliaj vlerësoi zhvillimin e fushatës duke i njohur meritën Dr. Kosovës, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, siç tha ai, “Kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë, për përpjekjet që bëri për tu ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë.”

Kjo është gjysma e së vërtetës, sepse po të ishte i sinqert Z. Veliaj do ta pranonte se edhe partia e tij ka ndjekur të njëjtën kulturë politike, duke u  angazhuar në të njëjtat “shpifje, përgojime e goditje nën brez që e helmojnë politikën tonë”, për të cilat ai akuzon partinë rivale në opozitë.  Atmosfera dhe kultura politike që  mbizotëron në Shqipëri është “meritë” e të dy partive kryesore të Shqipërisë. Por në të vërtetë, qe Dr. Halim Kosova ai i cili me fushatën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës u përpoq ta ndryshonte këtë kulturë politike dhe atmosferë shpifjesh e akuzash politike dhe personale, me vend e pa vend.

Është pozitiv fakti se Dr. Kosova u premtoi tiranasve se do të mbetet i angazhuar  në shërbim të interesave të tyre, edhe në të ardhmen.  Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për udhëheqës të cilët vendosin interesat e qytetarit dhe të vendit mbi interesat politike, partiake, personale dhe financiare.   Mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një politikë të qytetëruar për ta nxjerrur vendin nga moçalet politike të Ballkanit ku ka mbetur tash një çerek shekulli.  Kandidatura e Dr. Halim Kosovës, ndonëse humbi në zgjedhjet vendore, mund të shënojë fillimin e diçkaje ndryshe.

Erion Veliaj është fitues i zgjedhjeve për kryebashkiak të Tiranës, por Dr. Halim Kosova, me fushatën e tij tregoi se ai ishte i interesuar në diçka më tepër se në postin e Kryebashkiakut të Tiranës. Se, siç ka thënë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtoni në inaugurimin e tij si president i kombit të ri amerikan, ai ishte për “një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral.”  Dr. Kosova u përpoq të tregonte respekt për të gjithë qytetarët e Tiranës pa dallim partiak ose dallime të tjera,  duke i konsideruar rregullat e fushatës dhe të qytetërimit politik, njëkohsisht edhe si rregulla të moralit.  Mungesa e qytetërimit civil e politik në një shoqëri, ka thënë një ekspert amerikan,  simbolizon jo vetëm një krizë politike, por për më tepër pasqyron një mungesë më të madhe morale shoqërore.

Në një shkrim disa vite më parë mbi nevojën për një politikë më të qytetëruar zhvillimet politike dhe në fushata elektorale nënvijohet ato që cilësohen si qytetërim ose sjelljet të mira politike, për të cilat në anglisht përdoret fraza, “political civility” dhe në frëngjisht përdoret fjala, “civilite” e që e ka të njëjtën rrënjë etimologjike me fjalët “qytetërim”, ose i “qytetruar”, e që me fjalë të tjera nënkupton  një grup njerëzish të shtëpisë, ose pjesëtarë të një familjeje.  Normalisht, në jetën e çdo familjeje ka disa rregulla që mundësojnë anëtaret e familjes të jetojnë në paqë e harmoni me njëri tjetrin.   Edhe në sistemin dhe jetën politike të çdo vendi, ekzistojnë disa rregulla të qytetërimit politik që, nëqoftse zbatohen, duhet të bëjnë të mundur të jetuarit në paqë me dhe në respekt për njëri tjetrin, si dhe duke treguar tolerancë për mendimet e ndryshme të njeri tjetrit, qofshin ata edhe kundërshtarë politikë dhe sidomos për rivalët politikë.   Ashtu siç ka përgjegjësi çdo anëtar i familjes për mirëvajtjen e familjes së vet në terësi, në të njëjtën kohë, secili prej nesh si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, kemi përgjegjësi dhe obligime jo vetem karshi njëri tjetërit, por edhe ndaj shoqërisë, kombit dhe shtetit ku jetojmë. Kjo vlenë sidomos për klaësn politike.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, thotë në një artikull mbi këtë subjekt se, “qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra duhet të shmangen.  Përkundrazi, ajo që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një individi ose grupi individësh, për të dëgjuar me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri”, pa marrë parasyshë dallimet ose ndryshimet në pikëpamje.   Ky siç duket ishte edhe mesazhi i fushatës që zhvilloi Dr. Kosova, por fatkeqsisht ishte një zë që nuk u dëgjua nga elektorati. Ishte një zë që u duk se mund të ishte një fillim të ri në diskursin politik shqiptar jo vetëm gjatë fushatës por edhe në jetën demokratike në përgjithësi, duke lënë pas armiqsitë politike të së kaluarës dhe frustrimet e shumëta të popullit me proceset politike në vend.  Procese këto që gjatë viteve kanë përfunduar vetëm në fortifikimin e mëtejshëm të dy kampeve politike të vendit, të cilat suksesin e kërkojnë në debate dhe argumente për të poshtëruar kundërshtarin dhe jo në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat përballen Tirana dhe e mbarë Shqipëria.  Është pjesë e demokracisë dhe është krejt normale që udhëheqsit politikë dhe votuesit të kenë mendime të kundërta me njëri tjetrin përsa u përket kandidatëve dhe partive, por këto mosmarrveshje zgjidhen më në fund  me anë të votës së lirë.

Zgjedhsit e kryqytetit e kanë thënë fjalën e tyre.  Mbetet për tu pa nëse kandidati dhe partia që fitoi Bashkinë e Tiranës kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon e nevojshme për të ndjekur shembullin që tregoi Dr. Kosova gjatë fushatës elektorale, për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë pa dallim politik ose partiak, për të mirën dhe në favor të interesave të përbashkëta madhore të qytetarëve të kryeqytetit shqiptar dhe të mbarë kombit.

Dr. Halim Kosova zhvilloi një fushatë politike ndryshe nga e kaluara dhe ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë në zgjedhjet e fundit dhe më parë.  Ai dha shembull duke evituar debatet e ligshta politike dhe duke mos ra në kurthën e sulmeve të dobëta personale ndaj kundërshtarit dhe partisë së tij, sulme të cilat janë bërë tani pjesë e debatit të përditëshëm politik .  Dr Halim Kosova humbi zgjedhjet, por jo reputacionin që gëzon si mjek dhe si indidvid dhe tani edhe si politikan.  Si i tillë, ai doli fitues!   Xhorxh Uashingtoni ka thënë, “Bën shoqëri me burra me cilësi të mira nëqoftse vlerëson reputacionin tënd, sepse është më mirë të jeshë vetëm se sa të jeshë në shoqëri të keqe” politike.  Edhe për Dr. Kosovën, humbja në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës të djelën që kaloi duhet të jetë më e lehtë se humbja e reputacionit të tij dhe besoj se e ndjenë veten se është më mirë të jetë vetëm, se sa në një shoqëri të keqe politike.  Dr. Halim Kosova kishte thënë gjatë fushatës elektorale se po të fitonte postin e kryebashkiakut ai do të bashkpunonte me Kryeministrin Rama. Pa marrë parasyshë meritat ose jo të qeverisë Rama, besoj se ishte hera e parë që një politikan shqiptar i periudhës post komuniste të ketë deklaruar një gjë të tillë për bashkpunim me një kundërshtar politik.  Fushata e Dr. Halim Kosovës vlerësohet në përgjithësi se shënoi një hap të ri përpara në diskursin midis kundërshtarëve politikë në Shqipëri. Si i tillë, megjithë humbjen në zgjedhjet e së dielës që kaloi për Bashkinë e Tiranës, Dr. Kosova doli fitues me kontributin e tij ndaj një diskursi më të qytetëruar politik midis palëve rivale,  për të cilin ka aq nevojë Shqipëria.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Halim Kosova, HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES

URAN KOSTRECI ISHTE NE VATER

June 24, 2015 by dgreca

Poeti i dënuar i diktaturës komunsite, që bëri 20 vjet burg në Burrel dhe 5 vite në kampet e internimit, Uran Kostreci, vatran dhe mik i vatranëve, që kaloi rreth 8 vite në Vatër, tashmë i kthyer në Tiranë, ishte për një vizitë në SHBA.

Ndonëse shkaku i ardhjes ishte dasma e mbesës, vajzës së Hasanit, ai sërish ishte aktiv, duke mgritur zëri për të përndjekurit politik përmes një interviste në Zërin e Amerikës, ku u prononcua edhe për Hapjen e Dosjeve dhe mungesën e Ligjit të Lustracionit. Z. Kostreci gjatë kësaj vizite u takua dhe u cmall me miqtë dhe vizitoi Vatrën. Ai u takua me kryetarin e Vatrës dr. Gjon Bucaj, me vatranin e mocëm Zef Përndocaj, Zef Balaj, Muhamet Omari, editorin e Diellit dhe me shumë miq të tjerë vatranë.

Me këtë rast ne përzgjodhëm disa nga sonetet dhe epopenë e Karkalecave të poetit Uran Kostreci për kënaqësi të lexuesit të Diellit në online.

MEHDI FRASHËRI

Sa her’shoh historin,Mehdi e ndjej

Me,Ty, vulë e fytyrë mori shteti,

N’kufij t’Atdheut,misione të mëdhej

Imazhi i atdhetarit flaktë mbeti.

Për Paris e Gjenev’Shqipria gjeti

Avokat mbrojtës,Ty,o Mehdi bej,

Kryeminister ishe kur qe mbreti.

Kur msyu fashizmi,n’radio,ata shkërbej.

 

I nxive,faqe botës,vetëm Ti.

Nën Rajhun,kur pe kuqo e shkjah zuzarë

Po vrisnin shqipo e fshatrat bënin hi,

 

Atbot,mbi supe,e more,Ti,një barrë,

Po,medet,kuqot erdhën,o Mehdi,

E në syrgjyn u shove zëmër vrarë.

 

PETRO  ZHEJI

Sonet nga Uran Kostreci/

Një mik e tha e un besoj, Ti… fjete

Mbas aq brilant përkthimesh, korifè!

Mes mjegulle antike,o eremit më vete,

Ti,rolin mesianik të shqipes pe!

 

Të gjuhës ton’ gjenezë, ndofta, gjete;

Si  Zarathustra fjalën tënde e the

E do dëgjojmë, shpejt, mbase, tërmete

Për shqipen – çelsi i gjuhëve mbi dhè.

 

Sa shum’ ngjyrim e shpirt e fjalë ar

Ka fraza jote, sa frymzim e afsh:

Her’ si ujvarë e vrullshme ujë llagar

 

Dhe herë e qetë e butë si mëndafsh;

Ti, që u reke e aq ishe krenar

Për shqipen, Petro, atje, parajsën pafsh.

MONOLOGU I SOKRATIT PARA VDEKJES “Pi helmin!”

Pi helmin! – më tha gjyqi në Athinë.
Nuk pritën sat ë vdisja e po më vdesin…
Të verbër qënë, u hapa sytë e s’dinë
Që me të… ikur un’, prap’ qorra mbesin.
Zbath’ unë u enda e mantel pata thesin;
Për dije e pyesja, e nxitja rininë
Të ngjizte ide, mirpo tash “vdis”! thërresin
Ata që tallja për paditurinë.
Virtyt un’ predikova në çdo rast;
Thash’ ligji keq më mir’ se anarshia.
Kur thonë – un’ prish… të rinjtë-e bëjn’ me kast!
Veç po t’ia mbath, mohoj idetë e mia;
Ndaj helmin pi më mirë un’ këtë çast
Dhe shpëton shpirti e filozofia.

 

SA JE LARG
Sa je ti larg, ndjej ankth në shpirt, rrëmujë
As lule, as këngë, as qielli s’më pëlqen;
Kur nuk të shoh un’zverdh si gjeth pa ujë,
Më zbehet bota, dielli nuk shkëlqen.

Në vonon ti, e mbaj veten s’bëj bujë,
Por vuan zëmra, ngërçi… e mbërthen
Më lidhet gjuha, ofshaj, më priten gjunjë
E sa nuk brohoras kur shoh që vjen.

Me vrull un’portën çel, po shpirt çaprazi
Më shuhet kur ti heshtur hyn, ngadalë
E un’qejfprishur ndrydhem nga marazi.

Por sapo nis e flet të ëmbla fjalë
E të shkëlqejn’ si yje syt’ nga gazi,
Më qesh fytyra e zëmra ndizet valë.

 

AHMET ZOGU/

 

Kur flamuri u ngrit në Vlor’more pjesë/

E më njëzet ministër ishe Ahmet;/

Teksa fashisnje n’Mirdit një ngatrresë,/

N’Tiran’ra shteti e erdhe e ngrite vetë./

Të bënë atentat ; të bënë e grusht shtet;/

Prap’ erdhe e mes aq kurthesh të pabesë,/

Me ndalë at’kaos, vendose u shpalle mbret;/

Sakaq, Ti,rregull vure e ngjalle shpresë./

 

E ndonse intriga e kurthe plot përballe,

Udh’,shkolla e ura e ministri ndërtove,

Monedhën ngrite,ekonominë e ngjalle;

Dhe vizat hoqe e djem jashtë edukove.

Ti,afsh për komb,në shpirt,nxënsve u kalle.

Shtet bëre,o Zog,po sa shumë u qortove.

 

 

DEDE ABAZI

Me dhunë iu gjegje dhunës,Kryegjysh,

Ja nise,në tabut,Enver tiranit

Nj’a dy klerikë të verbuar sysh:

Jezitë kuqo yshtur prej shejtanit,

 

Që donin-taç e grua-ata këlyshë

Për me përdhosë altarë e bektashianit,

Po,Ti,me plumba ua preve atë yrysh,

I dole zot teqesë edhe vatanit.

 

Kur në Shqipri sundonte një pafe,

Që vriste e s’linte asnjë me fol një fjalë,

Ti,fole….me kobure,o Dede,

 

E krisma e saj na ngrohu zëmrat valë.

Ti,n’dorë I gjall tiranit nuk I re,

U bëre fli,Dede,te qofsha falë.

 

Shpërndarësi I trakteve

(Kushtuar nacionalistit ZALO XHOMAQI)

 

Me laps në dorë unë isha n’tavolinë

Kur m’u faneps i veshur me savan

Një djal meit i zbet,shajni,shafran

E m’tha:-Për zogj bën vargje e për lëndinë?

 

“O pena ty t’u thaft,mos gjetsh derman!

“Po mua pse s’ma thure,elegjinë,

“Që trakte hodha e nxiva robërinë

“E për atë me plumb kuqot më vranë.

 

“Kur hymne,atbot,I thurnin mizorisë

“E komunizmit,që bënte kërdi,

“Un’vetëm fillikat,bonjak,i ri,

 

“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,

“E ngrita zërin kundra tiranisë

“E për Atdheun tim u bëra fli.”

Uran Kostreci/ 

E P O P E J A  E  K A R K A L E C Ë V E/

OSE/

(Epopeja e Komunistëve)/

Karkalecët bëjnë sikur e luftojnë okupatorin Sqifter/

U mbush dynjaja/

Me karkalecë/

Ka mall njeriu/

Përdhe të ecë/

 

Kërcejn’ përpjetë

Të çajn’ turinjtë

Lëvrijnë sheshit

Më keq se minjtë;

 

Ca bark jeshilë

Kok’ kuqalashë

Me yll në ballë

Me këmb’ si mashë

 

Roitën sheshit

Plot zhurnë e bujë

Duke përhapur

Panik, rëmujë

 

Ne karkalecët

Më nuk durojmë

Pushtuesit, vetë

Do t’i luftojmë

 

Kërdi e zezë

Në qiell zhvillohej

Kur karkaleci

Posht’ trimërohej:

 

Si krimbi fshihej

Në skuta e bira

Zvarisej e zinte

Gjoja pusira.

 

Dhe një sqifter

Përdhe sa piqte,

I ngordhur fare

A shpirt tek hiqte,

 

Gjith’ karkalecët

I jepnin dërmën

Duke çukitur

Si korbat kërmën.

 

Kur karkaleci

Manovrat…nisi,

Fill Druzhe Tata

I degëdisi

 

Për te komshiu

Dy zabërhanë:

Druzhe Milpoçin

Edhe Dushmanë

 

Si “delegacia”

Demek në mal

Por me detyrë

Mision special.

 

Bajlozët shqahë

Sa prezantuan,

Gjith’ karkalecët

I kritikuan:

 

Qysh bët’, në Mufkë,

Ju bashk’punim

Tok me Shqiponja?

Ç’ qe ky gabim?

 

Nga Druzhe Tata

Urgjent kërkohet

Që Mbledhja e Mufkës

Të anullohet.

 

 

………………………………………………..

 

Marshallah “lufta”

Filloi së mbari

Enhaxhuzeja

Ish kumandari.

 

Ky frenat ende

Në dor’ pa marë

I shpalli Shkabat

Si trathëtarë:

 

-Për ne-tha-shokë,

ësht’ më beteri

Armik, Shqiponja

Dhe jo Sqifteri.

 

Sqifterat pakëz

Do t’i nangasim

Që shkak të kemi

E goj’ të flasim

 

Se për ta gjasme

I ndezëm zjarret

Ama Shqiponja

Do qitur faret.

Karkalecët propagandojnë idetë e Kërmanizmit

“Zëre me Popla”

Jallan gazetë

Përhapi lajmin

Poshtë e përpjetë:

 

“Ne karkalecët

Kemi vendosur

Ta vazhdojm’ luftën

E armatosur

 

Gjer në fitoren

Përfundimtare

Pushtuesin shporrim

O ngordhim fare.

 

Dhe kot nuk flasim

Të gjith’ ta dinë

Ne kemi busull

Goxha doktrinë:

 

Bash Kërmanizmin,

Një teori

Që vjen nga…kërmë

Dhe nga mani

 

Që nuk njeh skamje,

Fukarallëk

Por vetëm festë

Qejf e bollëk,

 

Vet’ Morrkësula

Për të ka shkruar

Alamet veprash

Që jan’ botuar

 

Ndër to m’e madhja

Ësht’ KAPISTALLI

Që s’e mbaroi

Dot për së gjalli,

 

Por Englenxheja

E pat bitisur

Libër i bukur

Për t’ englendisur.

 

Pra, mbas mësimit

Të Englenxhesë,

Të Morrkësulës

Dhe Axhuzesë

 

Ejani, shokë,

Me ne në çetë

Malit të lartë

Të shkojm’ përpjetë

 

Dhe përmbi kërma

Pastaj të ngremë

Sokakllafizmin

Që nam të lemë,

 

Sokakllafizmi

Ka ca…adhap

Se thot’ bej punë

Pa të të jap

 

Po Morrkësula

E la me gojë,

Sokakllafizmi

Pak do vazhdojë

 

Shpejt Kërmanizmi

Pas tija vjen,

Aty parajsën

E tokës gjen

At’her’ mbas mundit,

Sikush punon

Dhe mer shpërblim

Sa dëshiron

Shqiponja demaskon demagogjinë e karkalecëve

Jep-mer Shqiponja

Me përgjërim

-O, karkalecë,

Jeni gabim,

 

Sot, Axhuzeja

Ju flet në erë,

Por nesër sytë

Ka për t’ju nxjerë.

 

Sokakllafizmi

Ësht’ llaf sokaku

Dhe Kërmanizmi

Regjim bataku

 

E sa për luftë

Përçar’ siç jeni

Fuqi ta shporrim

Sqifterim, s’kemi

 

Dhe ne i biem

Por kur e gjejmë

Larg shum’ nga fshatrat

Që mos i lejmë

 

Pushtuesit rastin

Për t’u hakmarrë

Duke vra popull,

Duke vën’ zjarrë

 

Na dhimbset vëndi

E s’na ka hije

Të bëjm’ si juve

Atje n’ Borije

 

Vrat’një Sqifter

E vrap në prrua

Ia mbathët vetë

Po fshati u shua

 

Ju karkalecët

Në dëshironi,

Vërtet, pushtuesin

Që ta luftoni,

 

Bujrum t’i biem

Hëm ju, hëm ne

Jo përc… këtu

E përc…atje.

 

Do bëni luftë

Djalli ta hajë

Apo spektakël

E berihaj

 

Pastaj çne juve

Me Shkjahun mik

Kur hëm Sqifteri

Hëm Shkjahu, armik

 

Ai Druzhe Tata

Me Axhuzene

Përkundër nesh

Po ju ndësen:

 

Ne bjer’ Sqifterit

Bamb, dhè më dhè,

Ju tok me Druzhen

Na bini ne.

Karkalecët mashtjojnë popullin me profka

Enhaxhuzeja

Me grusht kanoset

Nxjer jargë e shkumbë

E hardalloset:

 

-Veç na zilia

Na kanë sharë

Po karkalecët

Kan’ për t’i parë

 

Ne do të bëjmë

Çka nuk ësht’ bërë

Sa do habitet

Një botë e tërë

 

Të gjith’ do marin

Model nga ne

Sistemi ynë

Do t’jet’ muze

 

Regjimi ynë

Do jet’ m’i miri

Do han’ të gjithë

Me lug’ floriri

 

Zengjin s’do ketë

As varfanjakë

As ti më shumë

As un’ më pak

 

Do sjellim qumësht

Me rubinetë,

Sa her’ të pihet

Shko e pi vetë

 

Sa her’ të hahet

Një gjellë e mirë

Byrek a qofte

A ëmbëlsirë,

Mos luaj vëndit,

Aty ku je,

Fët, shtyp një sustë,

Hazër e ke!

 

Krejt me korent

More jahu

Xherr…bjeri ziles,

Të vjen këtu

………………………………………………………………….

Premtime ditë,

Premtime natë,

Miletit mendja

Iu bë sallatë.

 

Ah, turmë zeza,

U çakërdise

Mbas karkalecit

U telendise….

 

Ca plaka trëmben,

I ha marazi

Se mos po vdesin

Më par’ nga gazi.

 

Thon’:-Kur do vemi?

Po qysh do hamë?

Ësht’ larg akoma?

Ja …ja…ku vamë.

 

Mom’ Tyryfylja

Me vithje t’ gjana

Thot’:-Karkalecët

I pastë nana,

 

Një sy do nxjer

Veç sa jam gjallë,

Të shof një syresh

Me yll në ballë.

 

U mbush dyniaja

Me karkalecë

Ka mall njeriu

Përdhe të ecë

 

Kërcejn’ përpjetë

Të çajn’ turinjtë

Lëvrijnë sheshit

Më keq se minjtë;

 

Ca bark jeshilë

Kok’ kuqalashë

Me yll në ballë

Me këmb’ si mashë

 

 

Kush u bashkua me karkalecët

 

Mbas karkalecit

Në mal po venë

Milet kam-kum…

Derven, dervenë

 

S’di qysh u poqën

Ruxhibihanë

Gjith’ malukatë,

Qen sallëhanë,

 

Se ndodh që Zoti

Si të nis qen,

Të kthen njeri

Po s’shëmbëllen.

 

Veç, ama, njerëz

Jan’ dhe ata

Se flasin, qeshin

E bëjn’ shaka

 

Ka midis tyre

Ca, që paratë,

Bixhoz i lanë

Pa turp, një natë;

 

Ca shoqëria

I pati zbuar,

Ca, në provime,

Pse qen’ rëzuar;

 

Një e la mikja

E malit krisi,

Se fort sevdaja

E leqendisi;

 

Një e pat bërë

Lanet i jati,

Se përdhunoi

Një vajzë fshati;

 

Dikë e zhvati

Një e përdalë

Pa lekë mbeti

Dhe… mori malë;

 

Një i grabiti,

Gjitonit, pelën,

Një vodhi meshë

Në kish’ të dielën.

 

Dhe kush bën turpe

Në vënd s’i rrihet

Ndrron shpesh banesë

Që të mos njihet.

 

Pat dhe fisnikë

Të varfëruar

Që asnjë ditë

S’patën punuar;

 

Apo tregtarë

Na trut’ lafitur

Që dolën malit

Në tym pa ditur,

 

Që hanin zhdëpshin

E buk’ kërkonin,

Florinj me thaës

E prapë ankonin.

 

Po e vërteta

Ama do thënë

Se pat dhe njerëz

Mjaft për të qënë:

 

Të rinj të zjarrtë

E të shkolluar

Nga heroizma

Të frymëzuar,

 

Që lanë librat

E morën malin

Veç për të drejtën,

Për idealin,

 

Por kur ta shohin

Ata qyqarë

Në çfar’ bataku

Jan’ duke shkarë,

 

Ca vrasin veten,

Ca degëdisen,

Ca vet’ prej shok’ve

Do dyfeqisen;

 

Dhe ca damkosur

Si tradhëtarë

Do kalben burgjesh,

Do hiqen zvarrë!

 

Po dhe ata

Që në mal s’vanë

Për karkalecin

Derdhën paranë.

 

Insekti i hurit

E i litarit,

Të gjithve u hodhi

Trutë e gomarit!

 

Djem verdhacukë

Të thatë cmingo,

Tërma-tëposhtë

Ven’ varavingo…

 

Me bluza t’ kuqe

E me galloshe

Afishe ngjitin

Në shtylla e qoshe:

 

Bëjn’ sikur fshihen,

Sikur…i ndjekin

E përmbi ballë

Një grusht…përpjekin!

 

Ky me sa duket

Është ishareti

Se shpejt do bëhet

Në bot’…qameti!

 

Le po …dhe vajza

Me zhapone

A me çitjane,

Me ferexhe:

 

Përditë mbushin…

Brekë e poturë

Me copa buke

Sa një kobure

 

Dhe venë i shpien

Andej përpjetë

Te karkalecët

Në mal…në çetë!

 

Enhaxhuzeja triumfon mbi shqiponjat

Syrgjyn poi kin

Shkabat zhgënjyer

Tamam si Krishti

Në kryq mberthyer.

 

Enhaxhuzeja,

Që u mëshye,

Fitues, ai,

Nga “lufta” u kthye!

 

Me ca pallaska

Ky kumandar,

Nga vrima doli

Si… flamurtar!

 

Milet kam-kum

Me lule fshesë,

Enhaxhzenë,

Ka dal’ ta presë!

 

-Të lumtë . o trim,

E bëre fora!

Bërtasin, ngjiren

Turmat e gjora

 

Bën Axhuzeja

Parakalime,

Flet për beteja

E mban fjalime.

 

Kalon rivistë

Me brir’ helmetë

Tundet e shkundet

Gjall’ Marsi vetë!

 

Që nga tribuna

Si një aktor

Përshëndet turmën,

Ja bën me dorë.

 

Plas brohoria

Si fishekzjarre

Kur i flet turmës

Pa letër fare:

 

Fituat, shokë,

Lirinë e plotë,

Tani ju jeni

Zotër në botë!

 

E arthme e lumtur,

O shokë, ju prêt

Gjithçka që shihni

Juve u përket.

 

Hedh valle turma

Plot brohori,

Përmjer nga gazi,

Bën kakërdhi…

 

 

Karkalecët i flakin maskat

 

Ato shqiponja

Që s’u larguan

Nga karkalecët

Keq e pësuan

 

Dhe kush me shkabat

Aleat qenë,

Në gjyq i shpien

Derven-dervenë

 

I heqin zvarrë

Tok i burgosin

Thell’ në qelira

Lëmsh i groposin

 

………………………………………

 

Po vjeshta iku,

U fryn’ prenjtë

I zbritën tufat,

Përposh, çobenjtë.

 

Lart nëpër male

Dëbor’ ka zënë,

S’gjejn’ karkalacët

Më për të ngrënë

 

Enhaxhuzeja

Urgjent në çetë

U mblodh me trima

Si ai vetë!

 

Aty lëshoi

Komunikatë:

Të dorëzojnë

Ushqim të thatë

 

Kallaballëku

Nga jan’ nga s’janë

Se karkalecët

Duan të hanë

 

Mbas direktivës

Reforma nisin

Ku gjejnë depo

I boshatisin.

 

Me të grabitur

Mizat e dheut,

Iu kthyen bletës

E krimbit plehut

 

Pa t’iu vërsulën

Dhe shpëndërive

Nëpër kotece

Rrëzë çative.

 

Nepër plevica

Nëpër hambarë,

Katonj, koçekë,

Shtëpi, qilarë.

 

Turmat e gjora

Nga kjo fushatë

U baterdisën,

Mben’ më të thatë!

 

Nga frika fshihet

Kudo miteti.

Afroi stihia,

U bë qameti!

 

Të zezat turma

S’din’ ku të shkojnë

Dje, brohorisnin,

Sot, veç mallkojnë.

 

Nëpër pallatet

E mbetur bosh

Ku njerëzia

U qitën osh…

 

Tash, karkalecë

Aty bëjnë pallë,

Me nipër, mbesa,

Me teze e hallë.

 

Kësmeti i tyre

Flen’ mbi kariollë,

Dyshek me pupla,

Çarçaf të hollë.

 

Në bulevarde

E nëpër piaca:

Sheh karkalecë

Zënë “allabraca”,

 

Me roba vishen,

I blejn’ pa lekë,

Me borsalina,

Bastun, qostekë.

 

Dhe karkaleckat

Na mbajn’ myhyre,

Bëjn’ tualete,

Vën’ manikyre.

 

Pra, karkalecët

Civilizohen

Tamam si njerëz

Po prezantohen.

 

Ja, karkalecja

Prej penxheresë,

Në boulevard,

Përposh, së resë

 

I lëshon zë:

Lulush, më qafsh!

Më mer ndë mapo

Çorap mëndafsh.

 

Nusja me çantë,

Me permanent

Që flet dhe fjalën

“Eveniment”!

 

Që porsi stapka

I ka kërcinjtë

Dhe qeska boshe…

I varen gjinjtë,

 

Si karkaleckë

U drithërua,

Shpejt me allatkë

Pak u freskua,

 

Pastaj e nxori

Gjuhën një kut

Dhe i tha vjehrrës:

Të sjell një mut!

 

Pra, karkalecët

Qytetërohen

Me njerëzinë

Përditë afrohen

 

Ndërsa njeriu

Për t’zezën e vet

Si karkaleci

Tash, hopthi…nget!

 

Prishja me Druzhe Tatën e pastaj edhe me Car Hasharinë

“Zëre me popla”

Me llafe blozë…

E shau, sot, Druzhen

Me gjith’bajlozë

 

Hy… në Djall vafshin

Shkjahët me morra!

S’kemi pun’ fare

Me ata horra.

 

Mik tjeter kemi:

Bash Sëkëlldinë,

Ariun e Stepës,

Car Staplajthinë

 

Po s’vajti gjatë

Pllakosi zia

U dha mandata:

Vdiq Staplajthia!

 

Mehumit, vëndin

Ia zu menj’herë

Car Hasharia

Larash i ndjerë:

 

Shulak nga shtati,

Me goxha mullë

Dhe pak si qose

Dhe kokë tullë.

 

 

Por gojë  ëmbël

E i sajdisur,

Qe flet qyfyre

Per t’u kërdisur!

 

Car Hasharia

Qeros dinak

Fshiu plerhat brënda

Pak e nga pak

 

Si ia spërndriti

Cdo cep shtepisë,

I hodhi sytë

Përtej avllisë,

 

Udhët e gjata,

Tha: Nuk përshkohen

Karrocës kuajt

Po t’mos i ndrrohen

 

Sheh, Axhuzeja,

Çarkun e ngritur,

Dhe sulmon Qosen

Si i bubitur…

 

E quan “klloun”,

“Deviator”

Dhe “renegat”

Dhe “tradhëtor

 

Qerosi mikun,

Që…i dul dore,

E shau “Judë”

Dhe…nevojtore!

 

 

Enhaxhuzeja kolektivizon fshatarët

 

Afroi behari

Po shkrin dëbora,

Fillojnë e dalin

Kafshët e gjora

 

Kullosin rrotull

Çik’ nga një çikë,

Sa ndjejnë zhurmë

Fshihen me frikë…

 

Po ja ku doli

Enhaxhuzeja

Prap’ me gënjeshtra

E profka t’ reja

 

Me ton të butë

Javash, me qokë

Llafosi ëmbël:

Të dashur shokë!

 

Pse kaqë shumë,

Or të bekuar,

Me karkalecin

Të zëmëruar!

 

Doemos lufta

Ka pas teprime,

Në vrull e sipër

U bën’ gabime

 

Ama, për juve

Jemi përpjekur

Mjaft karkalecë

Në luft’ kan’ vdekur

 

Pa pastaj neve

Një racë jemi

S’bën me shoshoqin

Inat të kemi!

 

Pa shih armiqtë

Si na rrethojnë

Na futin spica,

Na ngatrojnë

 

Pse mos punojmë

Gjith’ bashkarisht

Dhe ndajm’ fitimet

Vëllazërisht?

 

Do jenë depot

Plot e përplot…

Haj sa të duash

Veç a ha dot!

 

S’do ket’ rrezik

Për abuzime

Racion me peshë

I ndar’ me qime!

 

Nga muhabeti

Mjaltë e sheqer,

Ha tekun… turma

Prap’ dhe njëherë!

 

Ca bënë ankesa

Dhe kundërshtuan,

Por deshën, s’deshën…

U dorëzuan.

 

Disa rebelë

Që u tërhuzë

I zun’ me shqelma,

Ran’ hundë e buzë!

 

Mes ulërimash

U ngrit dollia…

U shpall me bujë

Dhe “Bashkësia”!

 

E ja ku dalin

Në pun’ një ditë

Kallaballëku

Vargan si dhitë.

 

Ca karkaleca

Na pas u shkonin,

U jepnin urdhër,

I komandonin.

 

Dhe kur argatët

Nga puna kthenin,

Çka kishin mbledhur

Depos ia lenin!

 

Vet’ karkalecët

Atyre u ndanin,

Sa “një sy mize”

Racion’ që hanin.

 

Po puna e rëndë

Nxori avaze

E ca argatë

Po bënin naze…

 

Ndaj u caktuan

Kudo kalecë

T’i detyronin

Ata mistrecë

 

Të ulnin kokën,

Të bënin punë

Në mos po ndryshe

T’u vinin drunë!

 

Se karkalecët

Jan’ shum’ të mirë,

Po duan bindje

Dhe urtësirë!

 

Enhaxhuzeja sundon me hafije dhe terror

Kur karkalecët,

Mirë u forcuan

Kallaballëkun

Keq e ngujuan.

 

Sapo llafosnin

Pësh-pësh dy veta,

Shpejt karkalecët

Me dy-tri çeta,

 

Si re e shiut

Mbi ta pllakosnin,

U nxirnin sytë

I handakosnin

 

E si me i kapur

Dyqind shejtanë,

Osh…i zvarisnin

Për në hapsanë!

 

Ish me agjenta

Një rrjet i tërë

Që s’linte skuta

E s’linte vërë

 

Pa future hundët,

Pa spiunuar

Se ç’farë ish folur,

Ç’qe biseduar…

 

Dhe kur hafije

Gjëkundi s’kishte,

Të bënin sytë

Se aty ishte!

 

U hoq besimi,

U hap paniku,

As miku njihej

Më, as armiku!

 

Për Axhuzenë

Ç’qen’ kundërshtarë,

Për gjuhe u varën

Nëpër litarë.

 

Ca i syrdisi

Për mysybet

Me gjith’ fëmijë

Oh, vajmedet!

 

Kur e zu gjaku

Desh Perëndia

U kthye hëngri

Dhe shok’t e tija!

 

Kurban i bëri

Me ustallëk

Nga dy-tre bashkë

Për kollajllëk!

 

I leu më parë

Me të pëgërr

Për qen i mbajti

I vrau për dërr

 

………………………………………………………………………

 

Enhaxhuzeja lidh miqësi me Kaf-Kuf-Cain

Sot karkaleci

Që lart në kodër

Dha sihariqin

Me dajre e lodër

 

“Në Filifistun

Me miq të ndritur:

Me Çin Ma Çinin

Shal’ shkalafitur,

 

Bëmë aleancë

Të fortë, andaj

Erdh’ prijsi i tyre,

Sot, Kaf-Kuf-Caj!”

 

…Ky Kaf-Kuf-Caj

Iverdh’ shafran

Mbi shal’t e holla

Si qime mban

 

Një trup gjilpërë

Me kok’ si rruzë

Që shtriq e shtrydh

Porsi meduzë

 

Dy tentakula

Si kambalec

Dhe e mer era

Ngado që ec!

 

Enhaxhuzeja

Rreth atij miku

Këndon e hidhet

Si top llastiku:

 

“Rroft’ Kaf-Kuf-Caj

Mik e baba

Që tre pashë emrin

Të-gjatë e ka!

 

Jo Hashari,

Por Kaf-Kuf-Caj

Të mbushet goja

Or mik vëllaj!

 

Por Kaf-Kuf-Caj

Me zor shqiptohet…

Për lehtësi:

Kaf-Kuf do thohet…

 

Kaf-Kuf! Kaf-Kuf!

I lumi unë

Për mik që zura

Në Fil’fistunë!”

 

 

Mileti vuan pasojat e kërmanizmit

 

Nga gazi i mikut

Bëhen reforma

Pun’ vullnetare,

Dhe ngrihen norma!

 

Në vënd të lekut

Mer medalione,

Flamurka yllka,

Emulacione!

 

Dhe karkalecët

Me përgjërime

Thon,: “Besa-besën

Keto vendime

 

Ësht’ masa vetë

Që i sajon…

Ajo jep urdhër,

Na komsndon…!”

 

Masa mbledh grushtet

Dhëmbët kërcet

Punon tër’ ditën,

Ofshan e s’flet

 

E fill mbas pune,

Mbas gjith’ sikletit

I bën dhe festë

Axhuze mbretit…

 

Me ca pankarta

Duke kuisur

Urra! Urra!

Me byth’të grisur!

 

T’i bësh xhelatit

Hymn, hosana,

Se të nxjer shpirtin

Më keq e ka!?

 

Ah,turmë e gjorë!

Të erdhën mëntë,

Tash, por ç’i do…

S’i hanë as qëntë!

 

Që karkaleci

Ish smundje e butë

Ta tha shqiponja

T’u thafshin trutë!

 

Por, ti, si Krishtin

E kryqëzove

Tash haje çorbën

Siç e gatove!

 

Haj fshikuj shpinës

E thaj kënetë,

E, lodrës, bjeri

Me barkun petë…!

 

Po thupra s’ndihet,

Se bie dajreja

Dajak e festë:

Rroft’ Axhuzeja!

 

 

Heqja e fesë nga karkalecët

 

Gojë më gojë

Përhapet llafi:

Do hiqët çallma

E kambillafi!

 

Trim karkaleci

Që mban fjalime

Nuk prêt nga turma

Të mar’ vendime

 

Por pyet: “Në ka

Ndonjë që thotë,

Se feja duhet

Të jet’ në botë,

 

Pse s’del ky gjarpër

Lubi, lugat?

Pse s’del t’ia shohim

Atë surrat?

 

Se me të dorën

Nuk do e ndyjë

Asnjë, por masa

Le ta pështyjë!”

 

Masa mbledh grushtet

Dhëmbët kërcet

Ul kokën struket,

Ofshan e s’flet!

 

Rrëzohen tyrbet

E minaretë,

Teqe e kishë

Me këmb’ përpjetë…

 

S,ka muezinë,

S’dëgjon kumbonë,

Mevlut a meshë,

Predk mbi amvonë.

 

Mom’ Tyryfylja

Duke u dridhur

Nga qielli ndjesë

Lyp duarlidhur:

 

“Zot, nxirrmi zytë!

Zot, më shurdho!

As të ndjej dua

E as të shoh…!”

 

Pastaj përlotur,

Me turmën shan

“Të hiqët feja,

Se feja s’ban!”

Revolucioni kulturor i karkalecëve

 

Sot prapë lodrës

I ra kasneci

Dhe lajmëroi

Se karkaleci

 

Do të thjeshtojë

Program e shkollë:

T’i bihet shkurtas,

Te pritet hollë!

 

“S’na duhen neve

Fillosofira,

Literaturë

Dhe historira!

 

Na duhen gjëra

Që hyjn’ në punë,

Në jetën tonë,

Jo ti…Jo unë…!

 

Për shëmbull foshnjës

I do mësuar

Qysh Axhuzeja,

Dje, ka luftuar…

 

Pastaj shkollari

Me pun’ të rritet…

Të hap qilizmë,

Që të stërvitet

 

Në ëshë i vogël…

Paçka mësohet,

Se, fundja, buka

Pa mund s’fitohet;

 

Do derdhur djersa

Pa e kursyer

Dhe karkalecit

I do shpërblyer,

 

Se, dje, në luftë,

Ka derdhur gjak

E, sot, per neve

Ka mjaft merak!

 

Merak se…s’dihet

A do të mundi

Revolucionit

T’i hyj’përfundi!

 

Emancipimi

Si do të kryhet?

Koncepti…krisi,

Por a do…thyet?

 

Mir’ veresie

Vazhdon aksioni,

Po pse s’po futet

Në gjak zakoni,

 

Që të punohet

Veç badjava,

Pun’ vullnetare,

Krejt…pa para?

 

Kur do të shkulet

Paragjykimi

Për të shijuar

Një çast gëzimi:

 

Bajram e pashkë

E plot ngatresa,

Gosti e saze

Nëpër martesa?

 

Kur to të ngulet

Koncepti i ri

Se angaria

Ësht’ nder, lavdi?

 

Kur, pra, shkollari

Do të mësoje

Për karkalecin

Veç të punojë?

 

Urdhër: Gra, plaka,

Qorra, sakatë,

Memecë, shurdhë

Hëm dit’, hëm natë

 

Kanal të çelin

Të bëjnë drithë

Të ven’ në punë,

Në pun’ të gjithë!!!”

 

 

Enhaxhuzeja bën “ligje”

 

Enhaxhuzeja

Gjith’ tru e mënd…

Për të bër’ ligje,

Thëret kuvënd!

 

Me karkaleca

Mbush plot një sallë

E mbi tribunë

Vet’ rri në ballë,

 

Sa po ta shihni.

Ky-do të thoni

Ësht’ ja Likurgu,

Ja Napoloni,

 

I kapardisur

Me do gjyslykë.

Mes dy antarve

Ulur si pykë…

Bash vetë i tretë

Si perusti:

Aj ligjëvënës,

Ata zhuri!

 

Ky zhgan juristësh

Kuvënd Sovran,

Kur u flet prijsi,

Veç iso mban…

 

Fill mbas çdo neni,

Amin! thërret,

Asnjë klauzolë

Gabim s’e qet!

Enhaxhuzeja prishet edhe me Kaf-Kuf-Cajin

Enhaxhuzeja

Me gjith’ suitë,

Kudo, fjalime

Mban dit’ për ditë.

 

E në çdo rast

Punë e pa punë,

Ai mbur mikun

Në Filfistunë:

 

Ësht’ miku im

Trim Kaf-Kuf-Caj

Le të më ngasë,

Kush, po t’ia mbajë!

 

Si Çin Ma Çini

Nuk gjen gjëkundi,

S’ka perëndi,

Atë, ta mundi!

 

Po a ra m’ sysh

A ogradisi

Me Çin Ma Çin

Miq’sia…krisi!

 

Enhaxhuzeja

Gjuh’ lapërdhar,

Tha: Çin Ma Çini

Qënka zuzar!

Na përmor Tata,

Na dhjeu Qerosi,

Tash, Kaf-Kuf-Caj

Na menderosi!

 

Ku vamë u mpleksëm

Djalli ta hajë

Në Filfistun

Me Kaf-Kuf-Caj,

 

Që pa sheqer

Pi çaj në vapë

Dhe llap orizin

E ha me stap!

 

Hy…def u bëftë,

Në Filfistun,

Shafran millet

Surrat majmun!

 

Tash, ters u kthye

E fatit rrota,

Se karkalecët

Filloi gjith’ bota

 

Në loj’ t’i vërë,

T’i telendisë,

Me turli fjalësh

T,i gomarisë!

 

Dhe Axhuzeja

Nis duke sharë…

Soj sorollop

Gjith’ botën mbarë

 

Nga themelia

Gjer maj’ çatisë

Ç’i mbante brënda

Pragu shtëpisë!

 

Dhe në duel

Gjith’ botën ftoi

Por kjo, siduket,

U trëmb…s’pranoi!

 

Enhaxhuzeja, ngelur fillikat, vendos ta shpallë veten fillosof

 

Sot, ra daullja,

A ça zurnaja,

Shungulloi ajri,

U shkul… dyniaja!

 

Ky karkaleci

Prap’ do jet’ mpeksur

Me miq-than’-njerzit

Dhe pa u feksur,

 

Sikush, për mikun,

Urim t’i japë,

Nxiton sa prishur,

Me të, s’ësht’ prapë!

 

Kollaballëku,

Në rrugë, shtohet…

Shoshoqin pyesin,

Nuk u durohet:

 

Ky është i vjetër,

Mik, a i vonë?

Ku djall e gjeti?

Emrin ç’ia thonë?

 

Tash, prap’ do lehur…

Do shfaqur gazi,

Firomë s’kemi…

Na dhëmb gurmazi!

 

Le…po na duhet

Frym’ për të sharë

Mikun, që patëm

Një jav’ më parë!

 

Po zhurma shuhet

Se maj’ ballkoni

Kërceu e hipi

Te mikrofoni

 

Një karkalec

Trup shapulitur,

Jeshil e buzësh

I jargavitur…

Mileti e priti

Me brohori:

Rroftë Axhuzeja

Dhe miku i ri!

Po karkaleci

Me zë të mprehtë,

S’na duhen miqtë,

Tha, jemi vetë!

Nuk na zë malli

Për rockodanë,

Nevojë s’kemi

Ne, ata kanë!

Ne kemi prijës

Enhaxhuzenë,

Një fillosof,

Që ndriti…dhenë!

 

Jehona e fjalës

Nuk qe fashitur

Kur turma klithi

Si e bubitur:

 

O lum e lum,

Të lumit ne

Për fillosofin

Enhaxhuze!

 

Mileti gajaset me taksiratin që e gjeti

 

Trim karkaleci.

Lart, ne ballkoni,

Sa mer fund zhurma

Dhe ovacioni,

 

Tha: Me tjer’ libra

Hiç mos ropati,

Se dija e botës

Këtu…ësht’ gati

 

E fësht…e nxjer

Nga ndënë sqetull,

Alamet libri

Si…koqe petull!

 

Me ngjyr’ të kuqe

Veshur kapaku,

Per qejf I lidhur…

Të zë meraku!

 

E hapin, njerzit,

Siç i ka hije,

Por sa lëxojnë,

Zalia u bie!

 

Më dysh…palosen,

Qeshin, gajasen…

E me sho-shoqin

Si qorr përplasen!

 

Ky paska rrjedhur..

Pa shih se ç’thotë…

Si ne nuk paska

Më mir’ në botë!

 

Qyqja, kërthisa!

Gajas një grua,

Vërtet e thotë

A qesh me mua?

 

-Ndër ne, veç, paska,

Thot’, barazi!

Lëxon…e shkrihet

Një djalë i ri.

 

Ca kukurisen

E gojën hapin…

Si peshk pa ujë,

Shpirt, mënt po japin!

 

Me ujë i ngjallën…

Nj’ a dy të mekur…

Por sa pan’ librin,

Top…ran’ të vdekur!

 

Një u ngjir gazit,

Thotë: Ujë, amani!

Sa bën të qeshë,

Leh…si qen stani!

 

Gajaset tjetri

E lemza e nget…

Klluq! kukuriset

Klluq! si gjeldet.

 

Një qeshte e barkun

Mbante me dorë…

Dha…dha… hoq bollkat,

Se u përmor…

 

Lart, oratori,

Jeshil, vramuz…

Vazhdon fjalimin

E gjat’ tërkuzë:

 

Ky vep’r e madhe

Ka si qëllim

Revolucionin,

Në bot’, zbatim!

 

-Hi! hi! qesh turma-

Ho! ho! ha! ha!

Ky dashka e botën

T’a bëj’ si na!

 

E libri i madh,

Që dheu…s’e nxë,

Shkon…fletë-fletë

Drejt…në ËC!

Burg Burrel 1971-1981

 

Populli e qan me…qurre Enaxhuzenë

 

Midis praverës

Tet’dhjetë e pesë,

Iu ndal firoma,

Enhaxhuzesë!

 

Medet! na vdiq

Axhuze-mbreti-

Dre, ç’far’ mynxyre!

Ku-ku, ç’na gjeti!

 

Qysh u vithis

U shëmb e ra

Gjithë ai div…

Si katana…!

 

Në arkivol,

Sot, xhenaze

Je shtrirë e dergjesh,

O Axhuze!

 

Sa gjatë e gjërë

Je bër’teslim,

Me shami lidhur

Buzët o trim!

 

Symbyllë, i verdhë,

Meit, shafran,

Me kostum veshur

E me kaftan

 

E sipër: lule,

Që qef i kishe

Kur t’i dhuronin

I gjall’ sa ishe!

 

Rreth teje, shokët,

Tuj’ angullirë

Kur vjen mileti

Jep lamtumirë.

 

Sokëllin salla,

Po dridhen…mure,

Kur disa gra

Të qajn’ me qurre…

 

U bie zalia,

I kap siniri

Për ty që ishe

Bandill m’i miri!

 

Qajnë e ca vajza

Me lotët…lumë

Që për së gjalli

I deshe shumë!

 

Tash, kujt t’ia hedhin

Çupat e shkreta,

Lart, në tribunë,

Ato buqeta?

Kush, paskëtaj,

Do t’i qafojë,

T’i jargavisë…

Pllaq-plluq! në gojë?

Me ato buzë

Mëlçi të trasha,

Kush do t’i puthë,

Tash, ato vasha?

Për cilin, turma,

Tash, do punojë,

Do hedhë valle,

Parakalojë?

Kush, në ballkone,

Podiume, piaca

A mes fshatarve,

Lart, në taraca,

Do ta trajtojë

Problemin, thellë,

Se ësht’ patatja

Hëm buk’, hëm gjellë?

 

Kush do iu thotë

Se bima, dheu

Kan’ dobi shumë

Nga glasa e plehu?

 

Kush do iu flasë

Për krunde e hime,

Për kokodashin

Bër’ me therrime?

 

Kush , në aksione,

Tani, rininë

Ka për ta nisur

Si bagëtinë

 

Të çel’ tarraca,

Të thaj’ batak

Me shami quresh

Në qaf’ si lak?

 

Sa i desh njerzit

Merhumi i gjorë…

I piqej buza

Për punëtorë!

 

I mblidhshin lotët…

Lëmsh…psherëtinte

Kur për fshatarin

Dollinë e ngrinte!

 

Me fund…e kthente!

I dhimbsej masa!

Sa i kish hije…

Kur thoshte: kllasa!

Qan karkaleci:

Të zeztë ne,

Qysh do të rrojmë

Pa Axhuze!

 

O kuje e zezë,

Ku-ku! ç’na gjeti!

Mbas berihajt

Qan dhe mileti;

Qan dhe mileti

Veshur me thes,

Që luste Zotin

Kur ..po na vdes!

Tash, që satrapi

E hodhi shtupën…

Qan njerëzia

Na kalli krupën!

Një pyeti mikun:

-Po, ti, pse qan

Sa ish ai gjallë

S’gjeje derman?

-S’mar vesh-tha tjetri-

Nuk di se si…

Por m’u përzjenë

Zorrë e mëlçi…

Ay merhum

Seç kish….diçka!

Ta mbushte… synë,

Qe shum’ kaba!

Pastaj mirë unë,

Po as më thua,

Ti, pse po qan

Me lotët…krua?

 

-E sheh tabutin-

Tha miku i mirë-

Sa ka si ky,

Si kjo…coftirë!

E po të ngordhin

Një e nga një

S’mbarohen kurrë,

O kokë gdhë!

Qaj …pse njëherësh

Nuk po gremisen!-

E të dy miqtë

Me lot…kërdisen.

F u n d

Shkruar ne Internim,  Kurtaj (Peqin) 1986

Filed Under: LETERSI, Vatra Tagged With: Epopeja e Karkalecave, Sonete, Uran Kostreci, vizite ne Vater

23 VJET NGA MARRËVESHJA QË SOLLI JANULLATOSIN NË KRYE TË KISHËS AUTOQEFALE SHQIPTARE

June 24, 2015 by dgreca

* A është rastësi që marrëveshja u ënnshkrua në Korfuz, pikërisht aty ku është nënshkruar më 1914, aneksimi i jugut të Shqipërisë?!/

 *Nënshkrimi i marrëveshjes “Kapllani-Samaras” të 27 qershorit 1991 në Korfuz, kishte haraç pranimin e z.Anastas Janullatosit si drejtues i përkohshëm në Kishën Ortodokse të Shqipërisë

Shkruan: Arben Llalla-Historian/

U mbushën 23 vite që në krye të kishës autoqefale të Shqipërisë ndodhet Anastasi, një i huaj që erdhi përkohësisht për riorganizimin e kishës, por që u ngul dhe nuk po shkulet më.Ai erdhi me një marrëveshje midis dy vendeve të nënshkruar në fillim të vitit 1991, në ishullin e Korfuzit. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, z.Muhamed Kapllani dhe ai i Greqisë, z.Andoni Samaras më 27.6.1991, në Korfuz ku nënshkruan marrëveshjen se Greqia pranonte refugjatët shqiptar me statutin ekonomik dhe jo politik.Nënshkrimi i kësaj marrëveshje kishte haraç pranimin e z.Anastas Janullatosit si drejtues i përkohshëm në Kishën Ortodokse të Shqipërisë.

Ishte koha kur Shqipëria kalonte çaste të vështira, ku z.Nano ishte vetëm disa muaj Kryeministër i një vendi në çorientuar dhe të rrënuar ekonomikisht.Ka disa gjëra interesante se ditën që është nënshkruar kjo marrëveshje midis dy vende në ishullin e Korfuzit, atje ku është nënshkruar më 1914, aneksimi i jugut të Shqipërisë.

Akademiku Ylli Popa gjendej për një vizitë në shtëpinë e Anastas Janullatosit në Athinë.Lind pyetja: Rastësisht z.Popa ndodhej për kafe në shtëpinë e Anastasit pikërisht atë ditë? Nga njiheshin dhe përse në shtëpinë e Anastasit, Popa piu kafe shoqërore kur ata të dy nuk kishin njohje më parë?Sot Shqipëria është më mirë politikisht dhe ekonomikisht se në fillimet e viteve 1990, shumë shqiptar ortodoks mund ta drejtojnë tashme Kishën Autoqefale të Shqipërisë, do të ishte në nder të Kryepeshkop Anastasit që të largohet nga ky post me krenari sepse nëse ai largohet nga ligjet e natyrës, figura e këtij kleriku të imponuar herë do ndriçohet edhe herë do të errësohet duke krijuar probleme midis ortodoksëve shqiptar.Ndoshta pas vdekjes do jetë vetë figura e tij që mund të rrënojë atë që ai e riorganizoj prej kaq shumë vitesh.(Ne Foto: Vangjel Dule duke ndihmuar ne meshen e Janullatos)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 23 vjet, arben llalla, Janullatos, marrveshja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT