Nga Mihal KALIA/
Shkrimtari Ismail Kadare, në fjalën e tij me rastin e marrjes së çmimit “Jeruzalem Prize”, solemnitetit të ceremonisë i është përgjigjur me fisnikërinë e kalorësit ngadhënjimtar, derdhur në të rëndesën e madhështisë së thelbit, enkas për një akt të tillë, ngjizur me shkallën më të lartë të shprehësisë në kumtimin e vet të konceptit për lirinë dhe letërsinë. E, sigurisht, nuk mund të mos jetë në këtë qasje edhe koncepti kohë, si rrjedhë e pafund e ndryshimeve dhe lëvizjeve, koncept që plotëson trekëndëshin e diskursit, ku na tërheqin vëmendjen disa parashtresa që kanë të bëjnë me raportet letërsi – kohë, kohë – metodë letrare, letërsi – rend shtetëror, kohë – regjim, diktaturë – demokraci dhe shpresë – zhgënjim.
Kadare thekson: “Thuhet se ne që kemi shkruar në atë kohë, vetvetiu kemi bërë letërsi të keqe”. Bëhet fjalë për kohën e regjimit komunist në vendin tonë, për një regjim të caktuar në rrjedhën e kohës, që nuk rezultoi i suksesshëm dhe u shpërbë. Ndërkaq, koha si realitet objektiv ecën vetëm përpara, e pakthyeshme, pavarësisht marrëdhënieve që shoqëria njerëzore vendos në këtë rrugëtim, karakteri i të cilave qëndron në atë se sa i përgjigjen kohës në ritmin e saj, sa shoqëria “ecën me kohën”, shprehje kjo që shënon vlerat pozitive të zhvillimit. Kur kohës nuk i përcakton kufijtë e ekzistencës së llojit në të, atëhere e sjell para nesh në planin e gjithanshëm e me të gjitha atributet e veta dhe nxitimi “për t’i dhuruar” një të tepërt, rrëmbyer atë nga tërbimi e marrëzia njerëzore për “lehtësimin e shpirtit” të kësaj shoqërie, nuk bën gjë tjetër veçse prish kodet e përputhjes, pasojat e së cilës, në fund të fundit, nuk bien mbi të, por mbi njeriun … dhe prej njeriut. Në këtë përmasë kohore dhe në këto përmasa krimesh zhytemi nëpërmjet nënvizimit se “Letërsia ka nisur si një kërkim i madh ndjese për një krim të madh të kohës: shfarrosjen e një populli”. Dhe këtu fjalës “kohë”, edhe pse shënon objektivitetin e saj pavarësisht nga njeriu, i jepet “atributi” shtesë, krimi.
Një sërë zhvillimesh në stadin e arritur mundësojnë përpunimin cilësor të mëtejshëm, pa qenë aspak nevoja për ta kërkuar këtë avancim në zbrazjen e kohës prej mbushjeve të qëndrueshme të saj, sikurse një kosh plehrash prej mbeturinave, për ta mbushur edhe njëherë me atë bluarje së cilës ajo nuk ia ka dhe nuk ia ndien nevojën. Luajnë rrejshëm me kohën disa gjuhëtarë gjuhëdalë, në shërbim të një provincializmi primitiv e lokalizmi çoroditës, duke e kufizuar atë vetëm me vitet e diktaturës së proletariatit e duke i vënë kryq gjithë përvojës shumëshekullore të zhvillimit të gjuhës shqipe, gjendja e sotme e së cilës e mohon atë çka synojnë këta gjuhëshprishur me kundërvënien ndaj përzgjedhjeve dhe zgjidhjeve në kohë të praktikës gjuhësore, të realizuara bindshëm gjatë përvojës jetësore dhe përgjithësuar e normuar nga mendjet më të ndritura të kombit, apostujve të shqipes, të kësaj gjuhe që ka vendin e vet të veçantë mes gjuhëve indoevropiane dhe që jo rrallë dhe jo për pak çështje shërben si çelës i enigmave gjuhësore të popujve të tjerë.
Letërsia ka të bëjë me faktin se sa i jep frymë kohës, për të mos e lënë atë në fatin cilësuar prej shprehjes “kohë e vdekur”, një boshllëk ky trullosës ku, plotësisht i çorientuar, i falesh asgjësë, hiçit. Asnjë prej dukurive që zhvillohen në kohë nuk mund të identifikohen me të, por, qoftë për mirë apo për keq, secila i jep kohës ngjyrën e vet. Antikiteti grek është koha kur lulëzoi arti dhe filozofia; romakët u shpallën popujve shtetin; në mesjetë (sh. XIII) inkuizicioni zhdukte kundërshtarët e predikimeve të kishës; dy luftërat botërore, një marrëzi njerëzore; diktaturat dhe terrorizmi, shprehje dhe deformim i lirisë shpirtërore, shoqërore dhe i pavarësisë mendore.
Shkrimtari Ismail Kadare rreket për një rikonceptim të letërsisë së prodhuar në regjimin komunist, pa iu referuar krijimtarisë së autorëve përfaqësues, duke aluduar kështu për veprën e vet si një letërsi me frymëmarrje shumë më të gjerë nga sa mundësonte metoda artistike e realizmit socialist, ose më sakt, që nuk kishte të bënte fare me atë metodë. Në një përpjekje të lodhshme për ta mbrojtur atë, nuk kuptohet se kujt ia faturon akuzën e thënies se “letërsia e asaj periudhe s’ka pse të ekzistojë më”. Pra, çfarë e shqetëson shkrimtarin? E vërteta apo thashethemet? Ajo çka është bërë, apo ajo së cilës i trembet se mund të bëhet? Gjë që s’ka gjasa të ndodhë, prandaj me të drejtë i drejtohen: “E ndieni ju të nevojshme ta shpjegoni veprën, veten, Ismailin, Kadarenë?”.
Kadarea mbron letërsinë e vet dhe mirë bën. Por ai nuk ka të drejtë kur këtë mbrojtje e bën duke mohuar parimet bazë të metodës letrare, të cilat ai i ka zbatuar në krijimtarinë e tij gjatë periudhës së komunizmit. Konkretisht, shkrimtari thekson se regjimi komunist është regjim tiranik dhe se letërsia është kundërshtim i tiranisë, nëse është letërsi normale. Për të mos dhënë shkas ta kundërshtojmë, apo për të na orientuar për mirëkuptim të një rikonceptimi të letërsisë në kushtet e regjimit komunist, ai thekson; “Letërsia e realizmit socialist është letërsia e krijuar në kohën e socializmit”. Kjo është një pjesë e së vërtetës. Autoriteti letrar i Kadaresë është vërtet i fuqishëm, por në drejtim të bërjes së letërsisë e jo të zhbërjes së saj, aq më tepër për parashtresa të konsoliduara në shkallë botërore. Ky përkufizim gjysmak i realizmit socialist duket se shërben si cak strehimi për veprën, për ta shpëtuar atë nga stuhia “e mashtrimit të madh”. Realizmi socialist, si metodë artistike që pasqyron me vërtetësi realitetin, “kishte për qëllim të përhapte doktrinën socialiste dhe komuniste, duke ndikuar në ndërgjegjen e qytetarëve dhe në pikëpamjet e tyre për jetën”. Ky përcaktim nuk pranon asnjë kundërshtim në konceptimin dhe realizimin e këtij lloji realizmi dhe retushimi i bërë, megjithatë, nuk ia prish kësaj letërsie urat me regjimin komunist, ndaj të cilit jo vetëm që nuk është shpërfillëse, por, përkundrazi, është në shërbim të tij.
Partishmëria proletare është parimi themelor i realizmit socialist “që e vë artin në shërbim të plotë të socializmit, në shërbim të edukimit komunist të njerëzve, duke e mbrojtur nga kozmopolitizmi dhe rrymat e tjera antikombëtare” (D. Agolli). Kjo është arsyeja pse duhet cunguar përkufizimi i realizmit socialist, sepse partishmëria komuniste i jep letërsisë “frymë tiranike (I. Kadare)”. Eshtë pikërisht frika e përfshirjes së veprës së tij në këtë lloj fryme, që e bën shkrimtarin “ t’i kthehet shpesh shpjegimit të veprës e vetes së vet”. Eshtë pyetja më e drejtpërdrejtë që e ka vënë shkrimtarin në një pozitë jo komode për t’u përgjigjur, pavarësisht se ai është zotërues i çelësave të fjalëve, por hapja e kësaj dere e gjeti dhomën të zbrazët. Pse? Ky është moment i kapërcimit të realitetit të fenomeneve, të asaj që ndodhte në “sheshet e zhurmshme (I. Kadare)”, për të kaluar “në thellësi të shpirtit, në realitetin e noumeneve (të asaj që nuk duket . E. Kant)”, ku janë strukur gjithë dëshirat e pavetëdishme dhe në skuta të veçanta të këtyre labirinteve kërkon të japë pandjeshmërinë, mosnjohjen, fshehjen dhe zhdukjen. Por sa mbeten të tilla ato që vijnë të vetëdishme nga bota reale, kur edhe pavetëdija ”kërkon të çlirohet nëpërmjet veprimit (S. Cvajg)”. Duke mos mundur të shmangë gjithnjë përballjen me veten e tij të vërtetë, shqetësimi dhe ankthi mbeten prezente te njeriu, i cili, në përballje me të tjerët, nuk mund të mos i reflektojë kur do t’i duhet që të hapë dyert e dhomave të zbrazura, sepse “ankthi lidhet pikërisht me hiçgjënë. (Hajdeger)”. Shqyrtimi i ndërgjegjes është i domosdoshëm, thotë Kadarea. Por ajo mbetet e cunguar nëse elemente të saj struken në pavetëdije, për të mbetur atje të harruara e jo për t’i dhënë drejtim vendimeve thelbësore që shpërthejnë prej pavetëdijes në një liri të shthurur. Liria është përgjegjshmëri.
Problemi i lirisë nxjerr krye te Kadarea kur ai përballet me veten. Nuk ka asnjë keqkuptim të letërsisë së tij me lexuesit, por nëse një gjë e tillë i nevojitet, kjo, për hir të ngritjes së një mirëkuptimi që nuk ka për t’u kuptuar ndonjëherë.
Nëse diktatura nuk e prish letërsinë dhe nëse demokracia e liria nuk e përmirësojnë atë, do të thotë se regjimet e kanë të pamundur bërjen e një transfuzioni dhe shkrimtarëve u mbetet të jenë komodë e të qeshin e përqeshin regjimet prej lartësisë së pavarësisë së tyre. Po ku janë sot veprat e realizmit socialist? Ku është romani “Lumi i vdekur” i J. Xoxes, i cili në qerren e Pilo Shpiragut ngarkoi hallet e myzeqarit, nën rëndesën e të cilave rrotat kërkëllinin nëpër gropa e pellgje, si motiv i trishtueshëm i një lëngate të hershme? Përvoja e demokracisë dhe e lirisë në vendin tonë nuk mund të shërbejë për të nxjerrë përgjithësime në fushën e letërsisë, sepse dihet fort mirë se ato kanë ardhur të deformuara. Një liri e shthurur në “demokraci” është po aq e rrezikshme, në mos më shumë, sesa ajo e kufizuar në diktaturë (regjimin komunist). Ky është realiteti ynë paskomunist që, edhe pse të vret sytë, nuk di pse nuk e shikon Kadarea, ndërkohë që prej podiumit të konferencës hedh shigjeta që qëllojnë në një shënjestër tepër të dukshme, ndryshe nga ç’e kanë zakon gjenitë, “shënjestrën e të cilëve të tjerët nuk mundin dot ta shohin ( I. Yalom)”.
Duke iu referuar Dostojevskit L. Grossman shkruan se: “Njerëzit e mëdhenj, para së gjithash janë bartës të mendimeve të lira dhe të një shpirti të thellë, që ndiejnë një trishtim të madh për vuajtjet shekullore të masave në periudhat historike”. Por Dostojevski pësoi një transformim të papritur që, sipas studiuesve, lidhet me dënimin e tij me vdekje. Dhe Dostojevski e pranon këtë kur thotë: “Ajo kokë, e cila kishte krijuar, kishte jetuar jetën më të bukur të artit, kishte njohur dhe ishte mësuar me kërkesat më të larta të shpirtit, ajo kokë tashmë është këputur nga supet e mia”. Ndjenja e vetëmbrojtjes e hodhi Dostojevskin “nga kampi i pararojës në dekadencë që, për nga besimet e saj, ishte e afërt me ultrareaksionarët. (A.V. Lunaçarski)”. Stefan Cvajg do të nënvizonte se : “E pavetëdishmja, e nënvetëdishmja, e padepërtueshmja, pikërisht kjo është bota e tij e vërtetë” dhe “Spektatori, qytetari – thekson I. Kadare – kërkon të shohë të padukshmen në thellësi të shpirtit njerëzor.Ishte tragjedia që zbuloi atë që ngjante e pazbulueshme: shqyrtimin, vrasjen e ndërgjegjes.” Prej kësaj gjendjeje Dostojevski nuk shpëtoi deri në fund të jetës, sepse asnjëherë ajo nuk mbeti si kujtim i së kalurës, “falë” spazmave e dridhjeve me shkumë në gojë, pas të cilave ai thoshte: “O Zot, sa pak e çmoja atëhere lumturinë time! Ma kthe tani atë kohë, do të ishte dy herë kënaqësi për mua”. Dostojevskit “iu këput koka nga supet” dhe ai jetonte një jetë të këputur nga realiteti.
Ndjenja e vetëmbrojtjes bëri që Kadarea të largohet nga Shqipëria, ndërsa letërsia e tij gëzonte dhe gëzon shëndet të plotë dhe vlerësim maksimal. Çfarë e trazon shkrimtarin? Burgosja e letërsisë së tij? Mundësia e vetme do të ishte në diktaturë, duke pasur parasysh se ai regjim u bë shkak për arratisjen e shkrimtarit. Nuk ndodhi një gjë e tillë. Letërsia e Kadaresë nuk “është burgosur”. As ai vetë. Atëhere, duke e mbajtur fort kokën e vet mbi supe, Kadarea mëton një realitet të ri për letërsinë e shkruar në regjimin komunist sipas estetikës dhe parimeve të realizmit socialist, i cili nuk mund të krijohet pa “këputje koke”. Dhe këtë përpiqet të bëjë Kadarea kur pyet se: “Çfarë kuptim ka realizëm socialist?”, duke mos i përfillur kësaj metode parimin e saj themelor, partishmërinë komuniste. Kadarea kërkon ta thyejë shtëmbën e të mos derdhet uji që ajo mban brenda. Pse gjithë ky shqetësim, i ngjashëm me spazmat dhe shkulmat e Dostojevskit, kur letërsia e tij është e një niveli botëror edhe pa këto telashe e andrralla? Çfarë hullie përpiqet të hapë në Jeruzalem me letërsinë e tij, duke tërhequr vëmendjen e botës letrare nga kjo paradhomë parandjellëse?!
Regjimi diktatorial ishte shumë i vëmendshëm ndaj përçuesve të vet dhe çdo gjë që s’kalonte nëpërmjet tyre, konsiderohej thjesht jashtë sistemit, jashtë vendit e kombit, si jashtëqitje e tij. Kur shkrimtari u largua prej Shqipërisë, ky përcaktim mori formën e një mashtrimi të madh që, siç ai thekson “… dhjetë herë mund të kem ndërhyrë unë për të korrigjuar këtë trillim e trillimi triumfonte gjithmonë. Diktatura është hakmarrëse, jashtëzakonisht hakmarrëse, edhe e rrëzuar është hakmarrëse”. Nëse edhe e rrëzuar diktatura është po aq e gjallë sa edhe kur ishte gjallë, atëhere ky çerekshekulli ka shkuar krejt kot, me iluzione demokracie dhe të gjitha pikëpyetjet që ngre shkrimtari për realitetin e sotëm kanë të njëjtën përgjigje si për realietetin në regjimin diktatorial. Shkurt, ajo (diktatura) është e pranishme. Dhe jo si frymë e mbetur, por si mekanizëm veprues. Kur shkrimtari thotë se “ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie”, për cilën lloj Shqipërie e ka fjalën? Dhe për cilët njerëz? Nga njëra anë pranon ekzistencën e mekanizmave veprues të diktaturës, nga ana tjetër bën fjalë për njerëz që kanë humbur gjithçka, që kanë humbur privilegjet, që kanë humbur pushtetin që kishin, që kanë humbur arrogancën e tyre. Nëse kjo lloj Shqipërie do të ishte për së mbari, këta lloj njerëzish, të zhveshur nga gjithçka,pra, edhe nga mekanizmat veprues, nuk do të mund të instalonin dot trillimin e madh. Unë do të doja që Kadarea të bënte pjesë në ata njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie, siç e kanë katandisur politikanët shqiptarë të pasdiktaturës e, nëse bëhet fjalë për një mashtrim të madh, ai gjendet pikërisht te këta, te mekanizmat që përpunuan dhe instaluan, te këta që vranë shpresat e njerëzve dhe që janë angazhuar në një ofensivë të egër për të penguar çdo tentativë të bërjes së shtetit, në kundërvënie të drejtpërdrejtë e të hapur me interesat e masave, te dëshirat e harbuara e të tërbuara të tyre për të marrë pushtetin që u garanton privilegjet e që e shikojnë atë si të vetmin mjet që mund t’i mbrojë nga përgjegjësia për krimet, shkatërrimet, korrupsionin dhe varfërinë e viteve të pasdiktaturës. Kadare i përzien llojet e ndryshme të njerëzve, sikurse dhe llojet e Shqipërisë. Bën një pohim për llojin e njerëzve që kanë humbur pushtetin që kishin në regjimin komunist dhe mbi atë ngre pyetje për njerëzit e thjeshtë, që ishin dhe vazhdojnë të jenë të shqetësuar për veten, familjet e tyre dhe grupin shoqëror të cilit i përkasin. Bën një përshkrim të Shqipërisë së rënduar nga fryma e mosbesimit, kultivimi i dëshpërimit dhe mungesa e shpresës, duke e konsideruar këtë si një të keqe që po i ndodh vendit tonë dhe, me një rrëshqitje prej llojit të parë të njerëzve (që kanë humbur pushtetin) në llojin tjetër, të njerëzve të thjeshtë (që as kanë pasur dhe as kanë pushtet), u kundërvihet qartë këtye, deri në denigrim, kur thotë se “…ai (njeriu i thjeshtë) nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë. Çfarë shprese humbet ai njeri i thjeshtë që lë shtëpinë e vet, tokën dhe ia mbath..?”. Vetvetiu lind pyetja: Por për çfarë mungese shprese, frymë dëshpërimi e mosbesimi dhe te ç’lloj njerëzish i pranon ai këto, ndërkohë që prerazi dhe jo pa ironi ua kundërshton dhe i dënon njerëzit e thjeshtë?
Djemve dhe vajzave që lanë Shqipërinë në nëntëdhjetën, shkrimtari u ka thurur himn, sepse, sikurse thekson ai, e lanë në mënyrë tragjike, ndërsa për djemtë dhe vajzat që, në vazhdimësi e deri në ditët e sotme, kanë bërë dhe përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë, shkrimtari shpreh habinë se si mund të humbasin shpresën ata njerëz të thjeshtë që s’dinë se ç’është shpresa. Po ku qëndron dallimi mes të parëve të himnizuar dhe të dytëve, të denigruar prej tij? A nuk lanë edhe të parët shtëpitë dhe të afërmit e u larguan? Përse për këta të dytët duhet thënë se “ia mbathën” duke lënë shtëpinë dhe tokën? Si të parët dhe të dytët kanë vepruar me të njëjtat motive e për të njëjtin qëllim, por shkrimtari , respektivisht, shikon tek ata tragjedinë dhe komedinë. – Si shkon me gra dhe fëmijë ky njeri? – pyet ai i revoltuar , i zemëruar dhe, në zemërim e sipër, nuk është çudi edhe ta lëshosh pak gojën, sikurse gojët e liga për prononcimet ndaj nëntëdhjetës, por gjithsesi kjo nuk i jep më tepër ngarkesë mendimit, përveçse pak më tepër ngjyresë.Thëniet dhe kundërthëniet rreth të njëjtit mendim e për të njëjtin veprim e lodhin shkrimtarin, lodhje të cilën ai kërkon ta ndajë me të tjerët. Pa qenë nevoja. Ndoshta këtë pyetje ka bërë edhe kapiteni i anijes “Sibila”, por zemërimi i tij nuk u mjaftua vetëm me ndonjë epitet fyes e përbuzës. Ai i theu brinjët anijes së vogël me të pashpresët e Shqipërisë, të cilët e gjetën atë në fundin e detit. Këtu ka vend zemërimi i shkrimtarit. Por jo ndaj këtyre fatkeqëve, por ndaj shkaktarëve. Si mund të qortosh e t’i zemërohesh çiftit të ri e foshnjës së tyre që prehen në varrezat e të mbyturve të Otrantos? Vogëlushi mes dy prindërve, në foton e gdhëndur, ku spikatin sytë e qeshur e të pafajshëm, prej nga duket sikur nuk reshtin së shpërthyeri lulenuset që mbajnë gjithmonë të freskët kurorën, larë nga lotët që pikojnë prej syve të rreshkur të nënës, me shpirtin e plasur që s’gjen prehje sa t’u shkojë pranë! Kjo është përgjigjja e pyetjes. Dhe këtu nuk ka asnjë mister. Ka vetëm përgjegjshmëri. Qartësisht. Vetëm ai që nuk do, nuk i hedh sytë të shikojë. Ose shikon shtrembër. Të mos shohësh atë që shohin të gjithë, nuk do të thotë që shikon atë që të tjerët s’e shohin. Do të thotë që me mburojën tënde të fshehësh, të mbulosh, të tërhiqesh, të kapitullosh. Të mos gjesh shpjegim për ngjarjet më thelbësore që shpërfaqen dhe që kanë të bëjnë me natyrën dhe karakterin e shtetit, do të thotë që i je larguar shumë frymës dhe halleve të popullit, deri në kundërshti të tyre, kundërshti me të cilën shkaktarët e vërtetë të tragjedive gjejnë mbështetje, rregullojnë frymëmarrjen për të ndërmarrë tragjedi të tjera, për t’ia këputur shpresat këtij populli e ndërprerë ëndrrën për një jetë më të mirë.
Njerëzit e thjeshtë mund të mos dinë shumë gjëra: mund të mos dinë çështë jeta e, megjithatë, jetojnë. Mund të mos dinë ç’është dashuria e,megjithatë, dashurojnë. Mund të mos dinë ç’është përbuzja e, megjithatë, përbuzin. Mund të mos dinë ç’është shpresa e, megjithatë, shpresojnë.
Jeta ka ekzistuar para se ajo të pagëzohej me këtë emër dhe, aq më tepër, para përkufizimit të saj biologjik e filozofik. Njerëzit kanë jetuar pa e ditur konceptin jetë dhe, duke qenë se “shpresa është atribut thelbësor i qenies njerëzore” dhe se “njeriu mund të përkufizohet si qenie që shpreson (Fj. filozofik)”, ata kanë shpresuar pa e ditur konceptin shpresë. Shpresa është besim, ndjenjë, dëshirë, pritje, gjendje, përpjekje, lëvizje, kurajë, kauzë, ekzistencë, të cilat janë afekte bazë e të rëndësishme për përcaktimin e qenies njerëzore. Të zhveshësh njeriun e thjeshtë nga shpresa, do të thotë të vësh në dyshim inspirimin drejt aspiratave më të larta, ose, thënë ndryshe,t’u mohosh të drejtën e kërkesës, të përpjekjes e të luftës për një jetë më të mirë dhe, akoma më tej, të vendosësh kufij, dallim, ndarje midis të thjeshtëve dhe kategorisë së të nxënëve, dallim që konsiston jo në sasinë e njohurive që zotërojnë, por në një nga përbërësit esencialë të ekzistencës, siç është shpresa, duke e konsideruar atë si atribut të një tjetër kategorie njerëzish. Ky distancim nga njerëzit e thjeshtë e ka bërë shkrimtarin të harrojë e të mos kuptojë logjikën e tyre, të mos gjejë shpjegim për ikjen, largimin nga Kosova të pleqve, fëmijëve, grave të martuara, grave shtatzana, etj. Shpjegimi është i thjeshtë. Po pse Kadarea ka humbur orientimin dhe pështjellohet? Akademiku Rexhep Qose thotë se : “Njerëzit po largohen për faktin se 60% e më shumë janë të papunë, u shkatërrua një numër i madh biznesesh. Njerëzit u dëshpëruan, kanë humbur durimin. Ata e dinë se ç’është shpresa: është të besosh se nesër do të jetë më mirë. Po si mund t’i besosh I. Mustafës (kryeministër) që ka zbatuar urdhrat vrastare të Sërbisë?”. Po si mund t’i besosh S. Berishës, këtij njeriu që ka eksperimentuar të gjitha llojet e krimeve ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, kësaj ushunjëze të panginjur dhe involucionari pervers, këtij obstruksionisti që tmerrohet e tërbohet prej çdo tentative të bërjes së shtetit?
Njeriu i thjeshtë mbase nuk di ç’është ndjenja si koncept filozofik, por kjo nuk do të thotë se atij i mungon ajo si gjendje e brendshme ose shfaqje e jashtme e saj, që shpreh qëndrimin ndaj të tjerëve, me një nuhatje të mprehtë për klasifikimin në e këndshme a e pakëndshme, e pëlqyeshme apo e neveritshme. Në zgjedhjet e fundit (2013) njerëzit e thjeshtë e rrëzuan qeverinë në mënyrën demokratike më të admirueshme, paçka se ajo qeverisi në mënyrën antidemokratike më të mundshme. Nëse institucionet nuk arrijnë të pastrojnë shtetin nga antishtetarët, do të thotë se pushteti u është dhënë të gabuarve, atyre që falenderimet, shërbimet e shpërblimet ua kushtojnë listëbërësve e jo atij që vulosi veshjen e kostumit të tyre pushtetar, popullit shqiptar. Kërkesa dhe ankesa e S. Berishës dhe e atyre që nxjerrin shkumë si kuaj të kamzhikuar, për pavarësinë e institucioneve të shtetit, presupozon ruajtjen e varësisë së hershme në një pushtet të ri. Të shkakton krupë e neveri kërkesa e tyre për dekriminalizimin e Parlamentit që, dalë nga goja e truri i S. Berishës, nuk të jep asnjë shpresë tjetër, veç kriminalizimit të mëtejshëm. Kriminelët çirren e ngjiren për dekriminalizim. Nëse ka ndonjë “ethe të pakuptueshme”, është pikërisht kjo: Dekriminalizim nëpërmjet krimit! Nëse ka diçka “që ka pamjen e një misteri”, është pikërisht ky fakt. Nëse ka vend për një logjikë që s’kuptohet, është pikërisht ajo e asaj pjese të politikës që po bën çmos të rimarrë pushtetin, e cila vazhdon të notojë në ujërat “e demokracisë” falë kamerdareve gjithë pulla të hedhura në to, kur anija e tyre u zhyt në thellësinë e mërisë popullore (2013). Dhe, nëse ka vend për pyetje, ato duhet t’u drejtohen organizmave “që janë përgjegjëse dhe që duhet të jepnin përgjigje, por që nuk po i japin (I. Kadare)” dhe jo njerëzve të thjeshtë, të cilët largohen prej vendit pikërisht sepse nuk po përgjigjet kush për padrejtësitë, për krimet, korrupsionin dhe varfërinë që i ka mbërthyer. Ata largohen pikërisht se nuk jetojnë me filozofira, largohen se duan të jetojnë, duan të sigurojnë të ardhmen për fëmijët dhe gratë e tyre. Si mund të vihet në diskutim apo të shkaktojë habi të nervozuar fakti se njerëzit e thjeshtë shpresojnë, pavarësisht se ku kërkojnë ta gjejnë shpresën që u ka humbur?! A mos vallë të drejtën për t’u larguar e kanë vetëm filozofët dhe njerëzit e një kategorie të caktuar, sepse, sipas Kadaresë, mund të mos kenë ushqim të mjaftueshëm filozofik në vendin e tyre dhe nuk e kanë këtë të drejtë njerëzit e thjeshtë që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për të siguruar jetesën, ekzistencën e vet? Duke dashur të shmangë misteret, shkrimtari ynë bëhet vetë misterioz dhe në këtë lëvizje misteresh nxjerr kokë “akuza e tmerrshme (I. Kadare)” ndaj tij dhe lindin tek ai një sërë pyetjesh ndaj njerëzve të thjeshtë. Shqipëria sot vuan edhe largimin e kategorive mençurore që idetë e tyre nuk i materializojnë dot në vendin e vet. Kasta politike pak ose aspak interes tregon për integrimin e tyre dhe duhet pranuar haptas se ajo sheh te mençuria sfidën, por, nga ana tjetër, edhe mençuria shikon interesat e veta ekonomike dhe profesionale, duke rënë kështu në një “marrëveshje” të heshtur, që mban hapur plagën e rrjedhjes së trurit. Dhe njerëzit e thjeshtë le të mbeten aty ku janë, me trurin e hequr, ku politikanët sharlatanë të livadhisin mbi ta me injorancën dhe arrogacën e tyre, duke krijuar situata të pakëndshme e të papranueshme! Nëse shkrimtari ynë i madh ndihet i shqetësuar, shqetësimi duhet të konsistojë për një angazhim ku politika shqiptare të mos ketë kurajë të marrë nëpër këmbë interesat e njerëzve të thjeshtë, për një prurje e përhapje të frymës së qytetërimit, para së cilës jepet injoranca dhe mediokriteti. Duhet korrigjuar shënjestra. Me siguri që do të lindin besimi dhe shpresa. Shpresoj!
Archives for July 2015
KOHËN E NDALI DASHURIA
Nga Kadri Tarelli/*
I çuditshëm ky titull libri me poezi, shkruar nga Agim Bajrami dhe publikuar kohët e fundit. U nguta kur shkrova fjalën i çuditshëm, pasi çfarë nuk pret nga poetët, që nga titujt më të bukur e deri tek ato më të habitshmit, sepse kanë brenda frymëzimin, artin dhe magjinë e fjalës. E them këtë pasi nuk besoj se ka ndodhur që koha është lodhur e po bën pushim, ndaj nuk po lejon dashuri. Nuk besoj edhe për një arrësye tjetër, në të gjitha poezitë e këtij libri, që nga fillimi e deri në fund, kanë brenda lëng jete dhe dashuri, diku me nota e ngjyra të zbeta e diku të ndezura prrush. Në fakt ky titull kaq ngacmues është një varg i huazuar me goxha fantazi nga poezia “Meditim”, pjesë e këtij libri, ku autori na e thotë mrekullisht atë që dijetarët e të mençurit e kanë thënë prej kohësh dhe ne e ujdisim për ta përsëritur sipas qejfit tonë: “pa dashuri nuk ka jetë”, ose “jeta pa dashuri nuk ka vlerë e bukuri”, etj, etj. Po shikoni çfarë gjetje na rrëfen Agimi:
“Dhe sot më dalin mangut vitet.
Sa herë i mbledh diçka mungon.
Një pjesë ma vodhën hipokritët
Një pjesë kjo kohë që s`dashuron”.
Ajo që bie në sy për çilindo lexues, është frymëzimi i çastit që e godit poetin dhe shtyn të mendojë e të shprehë mendimet, ndjenjat, filozofinë dhe hyjnoren dashuri. Pa bërë mëkat, dashurinë e gjen dhe e stis edhe pa shkak, si krijesë të brishtë të ndjesive të tij të holla që dalin nga shpirti i trazuar, i hazdisur, i turbulluar, shpesh i përmbajtur, mbase i trishtuar nga zhgënjimet, por i vendosur pa mëdyshje. Ja gjykoni vetë këto vargje të poezisë, “Dallëndyshja e shtëpisë së vjetër”, me të cilën pimë gllënjkën e parë të shurupit erëmirë:
“Mos ki frikë prej meje
dallëndyshe,
Zogu im i shenjët, i adhuruar.
Fundi asnjëherë mos më gjettë
ndryshe,
Veç në krahët e tu
i përqafuar”.
Ka një mision letrar, artistik dhe human në këtë libër, që e bën të këndëshëm e të dobishëm për këndonjësin e moshave rinore, të pjekura e më tej të thinjura, sepse dashuria nuk është pronë vetëm e djalit dhe vajzës, që dalldisen e marrosen në puthje e përqafime, siç jemi mësuar t`i lexojmë e vlerësojmë së shumti në poezitë dhe librat. Te Agimi, dashurinë e gjejmë të shpërndarë kudo, në kohë e hapsitë, madje edhe tek gjërat e vogla që hasim, prekim dhe shkelim në jetë. Shkon njësoj si uji në enët komunikuese, që nga shkelja e syrit e tek puthja e vajzës biondine, te gruaja, shoku, pulbardha, valët e detit, shiu që lag rrugicat e qytetit dhe këpucët e poetit, tek qyteti i vogël sa një thua, vazhdon tek cigarja e dollia e rakisë e deri tek vjeshta veshur me të verdha, tek dimri i acartë, tek era e çmendur dhe rrjedha e lumit që përmbyt fushën me inat.
Nuk do shumë kujdes për të vënë re, një përmbajtje të vetvetes edhe në rrethana e çaste të “vështira”, kur fare lehtë mund ta humbësh toruan e të bësh prapësira, për të mos thënë marrëzira. Është me mend në kokë e këmbë në tokë poeti ynë, ndaj ka një elegancë fine për të dalë njerëzishëm, fisnik e me kokën lart, pa u skuqur e zverdhur nga situatat dashurore të hasura jo rrallë. Besoj se lexuesi është në një mendje me mua, kur të lexojë e të japë gjykim, se si edhe mjeshtrit e mendimit e të fjalës, e kanë çarë gardhin për të dalë nga situata të tilla delikate:
“Mollë e ëmbël majë degës,
Jo! S`e harruan, por s`e arritën dot”.
Kështu shkruan këtu e mijëra vite më parë, poetesha e antikitetit Safo. Kjo është zgjidhja që i dha mosarritjes së dashurisë, duke e lënë shigjetën me harkun ngrehur tek pamundësia. Ndërsa Ezopi i lashtësisë, në fabulën “Dhelpra dhe rrushi”, rrudh buzët e tharton fytyrën nga inati e thotë me përçmim: “Rrushi i papjekur s`është për mua. Nuk e dua”. Po s`e beson njeri. Ndërsa poeti ynë, në poezinë “Treni i puthjeve”, i ndodhur në mjedis të rinjsh që putheshin e ndukeshin pa pushim e pa droje, i përhumbur në kënaqësinë e tyre, mbase pak i xhelozuar që s`po kujtohej ndonjë vajzë që të paktën t`i hidhte një bisht syri, i inatosur sa s`pëlcet kur thotë “Dhembja gjoksin ma pickon”. Ai nuk vajton apo mallkon fatin, as nuk e pranon humbjen, ndaj në heshtje i thotë vetes, por edhe ta dëgjojnë të gjithë:
“Si t`ua them vallë se jam i bukur
Dhe brenda rris kaq poezi,
Ta dini vajza ç`keni humbur,
Do zinit radhën që tani”.
…….
Dhe inati i tij nuk soset këtu, ndaj vazhdon me flakërima zjarri:
“Me flokët kërleshur si në garë
Do linit djemtë e shkretë qyqarë”.
Po kur vjen fjala për vajzat korçare, Agimi e ndërron penelin e ngjyrave. Bëhet më bujar e nikoqir në fjalë e shprehje letare. Nuk di se nga i vjen, mbase nga serenatat dhe netët pa gjumë, apo nga nazet dhe çapkënllëqet e çupkave që i prishin mendjen dynjasë nga sevdaja e bukurisë:
“Me zor kanë pritur të zbardhë dita
T`i shtojnë asaj ca puthje rozë”
……………….
“Kur i ke pranë të ikën truri
Dhe do dy javë të vish në vete”….
Agim Bajrami në të gjitha poezitë e këtij libri, si mjshtër i fjalës, është kujdesur t`i përcjellë vargut forcë e tingull muzikor, që ta lexosh duke kënduar! Ky është stili i tij që buron së brendëshmi. Kështu them unë. Po ku ka poet që “kujdest”, kur ai merr zjarr, apo fluturon tek yjet? Ndërsa Agimi është i drejtpërdrejtë. Ai digjet si eshka nën masat, por që ka fuqi të ndezë edhe ujin, dhe ne arrijmë të besojmë se është vetvetja, i matur, i saktë dhe i besueshëm për atë që ndjen e thotë, pa teprime e lale-lule që e zbehin forcën dhe bukurinë e fjalës e të vargut. Këtë po, do ta pranoni pasi mbaron së lexuari poezitë e këtij libri kaq të mirë e të bukur.
Vetëm poeti ka fuqi që me pak fjalë të thotë atë që të tjerët harxhojnë kohë, bojë e letër pa hesap. Agimi në të gjitha shkrimet e tij, me pak vargje, apo me një poezi, jep mesazhe jete sa dhjetra romane bashkë. Nuk e teproj kur shprehem kështu. Mjafton t`i hidhni një sy poezisë “Stacioni i vjetër në Athinë” e të bindeni në të vërtetën dhe njerëzoren bashkë, për çka provojnë të gjithë mërgimtarët e mjerë, kur ndjejnë shikimin, zerin, prekjen dhe dorën e dhembsur të një nëne:
“Një nënë e panjohur më qëndronte përballë,
Me rrudhat e moshës ngarkuar me mall.
Më shihte pa fjalë me sytë e menduar,
e një gjysëm koromane ma vuri në duar”…….
“Nuk është e nevojëshme të pish tërë butin, për të provuar verën. Mjafton vetëm një gotë”, thotë i mençuri. Ndaj unë qëmtova vetëm pak vargje, duke qënë i bindur se libri thotë shumë. Duke e lexuar, kemi mundësi të ndjejmë e shijojmë bukurinë e vargut, muzikën e rimave dhe thellësinë e mendimit.
Libri “Kohë që s`dashuron” është një prurje me vlerë në dorën e lexuesit dhe në poezinë e letërsinë shqipe.
Urime poetit Agim Bajrami dhe suksese e libra të tjerë po kaq të bukur në të ardhmen.
*Ese kushtuar librit “Kohë që s`dashuron”, të poetit Agim Bajrami./
Ambasadori Donald Lu në Durrës: Në gjyqësorin shqiptar, raste shokuese korrupsioni
Disa gjyqtarë dhe prokurorë duhet të hiqen menjëherë nga puna dhe në radhët e tyre duhet të ketë arrestime. Ky është opinioni i ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu.
Deklarata e tij, më e ashpra ndaj gjyqësorit shqiptar që pas mbërritjes në vendin tonë, u bë gjatë një konsultimi publik të radhës për reformën në drejtësi, që u zhvillua sot në Universitetin Publik “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
“Muajin e fundit theksova se disa gjyqtarë dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna, e disa prej tyre të përfundojnë në burg. Kjo mori vëmendjen e të gjithë medias, por gjithashtu unë thashë se ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm që meritojnë të punojnë në një sistem drejtësie të pastër nga korrupsioni. Ne të gjithë kemi nevojë të përpiqemi për gjyqtarë e prokurorë të pastër, siç kemi nevojë të identifikojmë që të dënohen të korruptuarit”, deklaroi Lu.
Ambasadori Lu tha se, në këndvështrimin e tij duhet të kthehet menjëherë besimi i publikut te sistemi i drejtësisë, që po përballet me problemin e rëndë të korrupsionit.
“Një demokraci e pastër dhe funksionale ka institucione dhe një proces të identifikimit të korrupsionit, dënimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për njerëzit. Vitet e fundit, asnjë prokuror dhe vetëm 3 gjyqtarë janë dënuar për korrupsion në Shqipëri”, theksoi Lu.
Në fund të diskutimit Ambasadori solli në vëmendje një rast konkret, atë të një gruaje shqiptare të dhunuar nga bashkëshorti, i dënuar më parë për krime seksuale, të cilit gjykata i dha kujdestarinë e 2 nga 3 fëmijët e çiftit, duke thyer zemrën e një nëne dhe besimin e një qytetareje tek drejtësia.(Ne Foto:Ambasadori Lu ne Durres, 6 korrik 2015)
Kosova, e përkushtuar për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve
-Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Francesco Figliuolo/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot nga komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori Francesco Figliuolo, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë.
Presidentja Jahjaga u prit me nderime të larta ushtarake nga garda e nderit e KFOR-it dhe më pas zhvilloi një bisedë të veçantë me gjeneralin Figliuolo. Të dy bashkëbiseduesit folën për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse, për aktualitetin politik në Kosovë, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe ato socio-ekonomike. Presidentja Jahjaga është njoftuar nga gjenerali Figliuolo edhe për aktivitetet aktuale të forcave paqeruajtëse.
Presidentja Jahjaga ka theksuar rolin e rëndësishëm të forcave të KFOR-it në ruajtjen dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës dhe në vendosjen e lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Ajo tha se Kosova ka arritur të ndërtojë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe po promovon paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një demokraci në zhvillim dhe ajo është duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore në rajon, përfshirë edhe angazhimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që lehtësojnë jetën e qytetarëve, relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe i përafrojnë ato me integrimet euroatlantike.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Francesco Figliuolo, duke falënderuar presidenten Jahjaga për vizitën dhe bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë me forcat paqeruajtëse, tha se procesi i stabilizimit është në një trajektore pozitive. Ai tha se KFOR-i do të jetë i përkushtuar dhe vigjilent derisa zbatimi i marrëveshjeve të jetë i pakthyeshëm.
Presidentja Jahjaga dhe gjenerali Figliuolo theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen, marrë parasysh se forca paqeruajtëse KFOR është një prej institucioneve më të respektuara ndërkombëtare në mesin e popullatës së Kosovës.
Eurodeputeti Georgjios Epitideios, një nazistë që lufton për aneksimin e jugut shqiptar
Nga Arben Llalla/
Deklarata e eurodeputeti grek i partisë naziste të Agimit të Artë, Georgios Epitideios për një veto greke ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE nuk është një çështje e re. Greqia është ndoshta vendi i vetëm i BE që për votën e saj u imponon fqinjëve politikën grabitqare historike dhe ekonomike. Greqia prej kaq vitesh bllokon anëtarësimin në NATO të Maqedonisë vetëm për çështjen e emrit me kuptim gjeografik, ndërsa pranojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO me disa kushte që dëmtuan rëndë Shqipërinë si marrëveshja famëkeqe e kufirit detar në Prill të 2009 dhe ndërtimin e rreth 7.000 varreve të ushtarëve grek që pretendohet se janë vrarë në luftën italo-greke.
Deklarata e bërë nga Georgjios Epitideios dje nuk është e rastësishme, ajo vjen pas deklaratës të kryetarit të PBDNJ Vangjel Dule se zgjedhjet nuk ishin demokratike “Fakte, si blerja masive e votës, retorika ekstreme nacionaliste, mospërputhja e vulave të sigurisë si dhe shkelje të tjera flagrante që sollën diferenca të theksuara midis votave për kryetar dhe atyre për këshill, çuan tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve”. Eurodeputeti Georgjios Epitideios ka lidhje të ngushta me krerët e disa organizatave të minoritetit grek që promovojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë disa herë në aktivitetet për Autonominë e Vorio Epirit dhe ka bërë disa vizita në jugun shqiptar. Kjo deklaratë e tij nuk është para në drejtim për nxitjen e ftohtësisë së marrëdhënieve midis dy vendeve. Georgjios Epitideios është gjeneral-Lejtnan nga Evia dhe ka shumë mundësi që origjina e tij të jetë shqiptare-arvanitas. Eurodeputeti Epitideios i përket grupit të deputetëve Evropian që mbështesin politikën ruse dhe votuan kundra sanksioneve të BE ndaj Rusisë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 80
- 81
- 82
- 83
- 84
- …
- 100
- Next Page »