• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

“ZOIS” – “Veprat flasin më shumë se fjalët”

September 21, 2015 by dgreca

( Filmi- dokumentar “Zois” prej Bujar Alimani)/

Violeta Mirakaj/

Grupi i të rinjve të talentuar me regjisor Bujar Alimani , producer Damian Prevezi , Dritan Haxhia dhe  Sabir Kanaqi  drejtor fotografie, Elvis Ikonomi, Erjeta Cufaj si dhe muzika Fatrin Krajka, sollën filmin dokumentar “Zois” në 51 vjetorin e arratisjes nga Shqipëria të artistit,piktorit,skulptorit dhe poetit Zoi Shyti ,apo Zois Shuttie ne Producer Club Theater ne New York.

Pjesa më e madhe e filmimeve ishin bërë në shtëpine galeri te piktorit. Në çdo kënd dhe hapësirë të kësaj galerie arti ishte vendosur puna krijuese artistike, e cila më së miri tregon sevullneti është shpirti i punës, frymëzimi është shpërblimi i një pune të rëndëtë artistit të madh, Zois Shuttie. Nga kjo galeri shohim se njeriu di ta ngrejë dashurinë dhe fisnikërinë e artit dhe të kënaqet me të dhe të rrëmbehet në ndikimin hyjnor nga i cili jo vetëm trupi por dhe shpirti ndihet i lumtur.

Piktori ZoisShuttie është larguar nga Shqipëria në vitin 1964 dhe kthehet në atdhe, të takoj nënën dhe familjen ,vetëm pas 28 vitesh, me rënien e regjimit komunist. Pikturat e tij ne vecanti si dhe gjithë krijimtaria e tij artistike  janë ndikuar nga kjo ekzistencë dhe i ka dhënë asaj një dimension kritik dhe human, dhe duket sikur na thotë -në punët e mia artistike, unë nuk kërkoj krijimin e tjetrit, karrigen e tjetrit por vendin tim, karrigen time, atë që më përket mua, aftësinë time. Unë jam piktor dhe dua atë ta pikturoj.

Se çfarë e shtyn regjisorin Bujar Alimani për të realizuar këtë film- dokumentar, e jep bisedimi me të , ku shprehet:-“Një të dielë në fillim të prillit të kaluar ne u gjendëm te shtëpia e Piktorit Zois Shuttie për të nisur xhirimet..Si zakonisht ndodhte që përpara xhirimeve të kordinoheshim që cdo gjë ditën e nesërme të niste mbarë…Elvis Ikonomi ishte nisur herët nga Filadelfia që në orën 9-të të mëngjesit ,të ishte në Nju Jork. Pimë një kafe dhe diskutuam edhe një herë se si mund ta fillonim…Dritani kontrollonte për herë të fundit bashkë me Sabirin kamerat, lentet dritat dhe kartat ngarkuese të kamerave.Damiani me telefon në dorë komunikonte njëherësh me të gjithë dhe një çast shtypëm butonin 155 të apartamentit të tij dhe dera u hap.U ngjitëm në katin e sipërm të shtëpisë galeri ku Zois jetonte prej shumë vitesh.

Hyrja në atë shtëpi gjithnjë me ngjante me hyrjet në muze ose galeri artesh ..Në një kënd të kuzhinës një radio shumë e vjetër luante si çdo here, muzikë klasike e vetmja pothuaj që ai dëgjonte orët e qetësisë ose të punës në telajo..

Na bëri kafe të gjithëve dhe ne nisëm ngadalë të xhironim rrëfimin e tij. Sa herë e dëgjoja kisha përshtypjen se po bëhesha serish pjesë e asaj jete të këtij njeriu ,i cili nga 1964 kishte lënë Shqipërine për t’ju përkushtuar pikturës si njeri i lirë …Vetmia e kishte bërë më monumental , mosha i shkonte dhe ai fliste here – herë me një urtësi profetike për jetën dhe artin…Habitesha sesi ai merrte frymë këtu dhe askush nuk kishte mundur ose të bënte përpjekjen për ta fiksuar në pavdekshmëri këtë Artist që kaq shumë kishte ç’tu ofronte shqiptarëve.

Dhe natyrisht sa kohë që kamerat me pikën e kuqe të ndezur xhironin, aq më shumë ndjeja që më shumë se po xhiroja një dokumentar, po kryeja një akt human dhe kombëtar…

Ne e mbaruam dokumentarin…e projektuam… dhe Zois sërish endet mes pikturave e librave të tij, shënimeve të pambaruara akoma dhe shija e kafesë në shtëpinë e tij, mbetur ndër ne ato ditë qëxhiruam , është e pakrahasueshme me asnjë shije tjetër.

DamianPrevezi, njeri nga djemtë e talentuar  thotë: -Vendosa të bashkëpunoj me Bujar Alimanin për realizimin këtijdokumentar/film për dy arsye kryesore:

Pikësëpari të ndihmoj një artist të talentuar si Bujari ,i cili ka ardhur ketu në USA (ka rrezikuar karrierën e tij në Evropën  ku njihet mirë tashmë) të provoj talentin dhe eksperiencën e tij në ambientin kaq me konkurrencë si ai amerikani.  Kjo ishte një gjë që më bëri ta respektoj Bujarin me njëherë (shume pak shqiptare do të kishin guximin të lenin gjithçka mbrapa e të provonin fatin në këtë ambient agresiv , i cili është show business në USA)  Në të njejtën kohë edhe se nuk kisha shumë eksperiencë në fushën e realizimit (production) vendosa të rrezikoj në mënyrën time … kohën time dhe disa të ardhura dispozitive në mënyrë që jo vetëm të ndihmoj, por edhe të mësoja diçka që gjithmonë më ka pëlqyer.  Artist ndoshta edhe nuk jam, por aspiracione artistike gjithmonë i kam pasë. Për mua kjo nuk ka qenë dhe aq shumë  punë,sa një hobi, një argëtim; edhe pse shumë herë me ekipin kemi qëndruar me orë të tëra deri vonë pa gjumë, të lodhur etj.

Nuk ka çmim dhe nuk ka vlerë monetare që mund ta zevëndësojë këtë kenaqësi.

– Se dyti sapo patamundësinë të njoh Zois dhe punët e tij ,nuk ishte e nevojshme ta mendoja dy herë.  Ishte një oportunitet i papërseritshëm, të vinim në pah një artist kaq të talentuar shqiptar për më tepër nga rrethi i Lushnjes ku jetova gati 14 vite.  Zois nuk njihet aq shumë në diasporën shqiptare dhe sigurisht shumë pak në Shqipëri.  Arsyeja është e thjeshtë,shqiptarët në pergjithësi nuk marrin parasysh aq shume artin dhe pothuajse nuk i honepsin artistat (shkrimtarë, poetët muzikantët piktorët etj.)  Mentaliteti shqiptar si duket nuk ka aftësi dhe interes të përgëzoj gjëra abstrakte si arti dhe letërsia.  Një fjalë e urtë popullore kineze më vjen në mendje ” Shoqëria njerëzore pa art dhe letersi nuk mund të vazhdoj të egzistojë”  Biznesi dhe paraja nuk mund të mbajë një kulturë sëbashku pa intelektualët, artistat ,etj..shkatërrohet dhe katandiset në një gjendje siç është Shqipëria sot. Pra është një detyrë e jona që nuk duhet tëndikohemi nga ai ambient i mykur; të sjellim ca jetë kulturës shqiptare që ështënënjë gjendje kaq anemike. Artistat dhe intelektualët si Zois me punët e tyre,me jetën dhe sakrificat personale duhet të jenë shembuj dhe inspirim (frymëzim) i pashtershëm për brezin e ri shqiptar (brenda ose jashtë vendit).

Kështu që neve na takon të vazhdojmë të sjellim në pah figura frymëzues si Zois dhe të tjerë.  Është një ndjenjë a pa përshkrueshme të kem fatin e mirë të jem pjesë këtij grupi dhe të ndërrmar projekte të tilla.

Producentja e disa filmave ne Shqiperi dhe Greqi Tefta Bejko ja si shprehet : “ Njohja me Zoin kishte ardhur nëpërmjet rrefimeve të miqve të mi. Kureshtja ishte e madhe. Ftesa për ta vizituar në banesën e tij ishte në një mbrëmje të nxehtë Gushti. M’u duk vetja sikur u zhyta në akuariumin e ngjyrave të shpirtit, ku po zhbiroja botën krijuese te 51 ( pesedhjetë e një) viteve në Amerikë. Ajo që më bëri përshtypje në krijimet e tij, ishte që autoportretet e errëta ekuilibroheshin kaq këndshëm ndërmjet portreteve të femrave; të femrës “mëkat” dhe të femrës “Shenjtore”. Të dukej sikur ky artist kërkonte një fole të sigurtë dhe të ngrohtë,ku do të gjente paqe shpirti i tij i trazuar.

Klara Buda shkruan -“Pas tablove të mrekullueshme të femrave sensuale në shtrat një asociacion tanimë i përdorur hershme në pikturë dhe më gjerë në art. Fotoja e gruas së përqëndruar në lexim, që ilustron këtë mbresë shkruar me një frymë – Stream of conscioushes – të takimit me pikturën e Zois Shuttie, në dokumentarin e Bujar Alimanit është provë se piktori e ka tejkaluar përceptimin e gruas objekt, megjithëse shpesh në tema mbi femren ai arrin të bëj shaka edhe batuta të kripura…”Bashkebisedimi i ngrohtë pas gati 55 min të filmit dokumentar “Zois” midis spektatoreve dhe piktorit Zois Shottie,dhe regjisorit Bujar Alimani, tregoi dhe njëherë se brenda artit të pikturës, skulpturës,artit në përgjithësi rrjedh historia e një kombi, ngjallet gjeneza dhe origjina e tij. Vetë krijimtaria artistike e artistit Zois, pikturat e tij në veçanti flasin se artistët janë gjithmonë të rinj dhe se me gjuhën e tyre të artit pasqyrojnë shpirtin njerëzor.

Veprat artistike gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë vlera për shoqërinë.

 

New York, 19 Gusht 2015

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: "ZOIS" - “Veprat flasin, me shume, se fjalët”, Violeta Mirakaj

Shpikja e 200 mijë varreve serbe në Shqipëri

September 21, 2015 by dgreca

Në vazhdim të përgjigjes së një pyetjeje/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Në disa faqe interneti të datës 20 shtator 2015 ishte botuar analiza e zotërisë Rexhep Shahu, me titull “Ku janë 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri!?”. Në analizën e vet ai i kishte dhënë një përgjigje shteruese kësaj pyetjeje, të cilën e lexova me shumë kërshëri Në vazhdim të analizës së tij, po mundohem të them diçka, si përgjigje shtesë ndaj pyetjes në fjalë.Ato varret e “200 mijë serbëve të vrarë” në Shqipëri, pavarësisht se nuk ekzistojnë, do të shpiken. Mund të hamendësohet se kryepeshkopi serb Irinej mund të ndërmarrë ndonjë pelegrinazh në zonat e Kukësit dhe të Dibrës për blerje eshtrash të të vdekurve shqiptarë që janë varrosur s’dihet se kur dhe për t’i paraqitur në publik si eshtra ushtarësh serbë. Sepse Irinej e ka të çelur shtegun në biznesin e tregtimit të eshtrave në Shqipëri. A nuk e filloi Janullatosi biznesin e blerjes së eshtrave të të vdekurve të Kosinës në Përmet? I mbushi arkat me eshtra shqiptarësh të vdekur dhe deklaroi se ato janë eshtra ushtarësh grekë që qenë vrarë në luftën italogreke. Dhe mandej filloi ngritja e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, të cilët në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në përplasjen me trupat italiane, patën kryer krime të rënda kundër  popullit shqiptar në jug të vendit. Dhe Tirana zyrtare, mbarë klasa politike shqiptare, e përfaqësuar në parlament, rrinte e bënte sehir, sikur Shqipëria e Jugut nuk ishte trualli i saj amtar. Madje parlamenti në fjalë, pa asnjë votë kundër, pati votuar për ngritjen e atyre varrezave në Këlcyrë e gjetiu, a thua se ishte fjala për ndonjë territor të huaj. Ky ishte një akt i lartë tradhtie që kreu parlamenti shqiptar ndaj truallit amtar. Sepse ato varreza, manastire dhe memoriale i duhen shovinizmit grekokaragjoz dhe kishës shoviniste greke, për t’u treguar bashkëkombasve të tyre edhe pas 2 mijë vjetësh se Shqipëria e Jugut është tokë greke, se atje ka një dëshmi të gjallë: janë varrezat, manastiret dhe memorialet që janë ngritur dy mijë vjet më parë. Sepse grekët dhe serbët, punojnë me perspektiva mijëravjeçare, nuk punojnë si shqiptarët dhe si politikanët mercenarë që kanë në krye, sipas parullës: puno sot, ha sot. Jo, grekët dhe serbët ecin në jetë sipas parimit: puno sot që të hashë edhe pas dy mijë vjetësh. A nuk ka deklaruar kryepeshkopi serb Irinej se “ne do të kthehemi në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh”?!

Pra, edhe serbët duan të vënë në jetë në Shqipërinë e Veriut të njëjtin skenar që zbatoi Athina shoviniste në Shqipërinë e Jugut përmes Janullatosit, emisarit të saj politik në Tiranë: të ngrenë varreza, të ndërtojnë manastire dhe memoriale në nderim të ushtarëve agresorë serbë, në mënyrë që t’u thonë breznive të tyre pas dy mijë vjetësh se Shqipëria e Veriut është tokë serbe, çka dëshmohet nga prania atje e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve serbe. Qëllimi është i njëjtë edhe për grekët, edhe për serbët: në Evropën Julindore nuk ekziston komb kompakt shqiptar, por edhe nëse ekzistojnë ca të ashtuquajtur shqiptarë, ata duhen asimiluar apo duhen detyruar të largohen për në dhera të huaj.

Veç kësaj, serbët, duke e pasur në xhep klasën politike qeverisëse shqiptare, me shpikjen e varrezave për ushtarët serbë në Shqipërinë e Veriut, kërkojnë të arrijnë edhe një objektiv tjetër: t’u vënë kapak masakrave të përbindshme që kanë kryer në Kosovë gjatë një periudhe mbinjëshekullore, të mos kërkojnë ndjesë para opinionit publik ndërkombëtar për ato masakra, të mos paguajnë dëmshpërblime për të gjitha ato shkatërrime që bënë gjatë viteve të luftës së fundit dhe mandej t’u thonë mbarë shqiptarëve:

“Edhe ne kemi vrarë shumë shqiptarë, edhe ju keni vrarë shumë serbë. Tani jemi të larë, s’kemi ç’i kërkojmë ndjesë njëri-tjetrit”.

Pra, masakrave dhe shkatërrimeve mbinjëshekullore që serbët kanë kryer kundër shqiptarëve, Beogradi kërkon t’u vërë kapakun sipas asaj fjalës së urtë: “më rrove, të rrova, brisku është i berberit”.

Dhe Beogradi s’e ka të vështirë t’i arrijë objektivat e veta në Shqipërinë e Veriut, ashtu siç nuk e pati të vështirë Athina t’i arrinte në Shqipërinë e Jugut. Sepse mercenarizmin e klasës politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, e ka të siguruar me kohë e me vakt.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. dr. eshref Ymeri, Shpikja e 200 mijë varreve serbe në Shqipëri

Kosovë-Kushtetuesja: E papranueshme kërkesa e opozitës lidhur me Gjykatën Speciale

September 21, 2015 by dgreca

-AAK: Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, një  shembull skandaloz për gjyqësinë  kosovare/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Shtator 2015/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njëzëri vendosi ta deklarojë të papranueshme kërkesën e opozitës lidhur me ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. “Ky vendim hyn në fuqi menjeherë”, thekson në përfundim “Aktvendimi per papranueshmeri” i publikuar sot, e ku bëhet e ditur se “më 11gusht 2015, parashtruesit e dorëzuan kërkësen në Gjykatë”.

Në 11 gusht 2015,  opozita kosovare i kërkoi  Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ta rrëzojë amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale, të miratuar në Kuvend në seancën e 3 gushtit. Tre partitë opozitare kontestonin procedurën e miratimit dhe përmbajtjen e amendamentit kushtetues.

Në 3 gusht, Kuvendi i Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim miratoi propozim-amendamentin nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar nga qeveria, pas mosmiratimit nga Kuvendi në 26 qershor. Për miratim të ndryshimeve kushtetuese nevojitet një votim i dyfishtë, me dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës  dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë.

Gjykata Speciale u rikthye në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 3 gusht pasi në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e deputetëve. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin.

Tre nga shtatë deputetët që votuan kundër në votimin e parë, në të dytin votuan pro amedamentit të riproceduar në Kuvendin e Kosovës.

Në 1 gusht, në mbledhjen e qeverisë, ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve kushtetuese, u tha se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvend”.

“Gjatë riprocedimit kemi pasur parasysh po ashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, theksonte qeveria.

Tre partitë opozitare, LVV, AAK e Nisma, insistonin se është shkelur procedura kushtetuese dhe kërkesën për rrëzimin e amendamentit e deponuan në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sonte, partia opozitare AAK, në një komunikatë deklaroi se “nuk është  aspak e befasuar me vendimin e sotëm të  Gjykatës Kushtetuese, që  as të  mos e pranojë  për shqyrtim kërkesën e opozitës për vleresimin e ndryshimeve kushtetuese që  mundësojnë  krijimin e Gjykatës Speciale.

 Ne nuk  kemi pasur pretendime se vendimi i Gjykatës mund të  jetë  tjetër, por kemi shpresuar se kjo Gjykatë  mund të  ketë  ndryshuar qasjen ndaj politikës, bile kur bëhët fjalë  për atakimin e sistemit gjyqësor, sic ka ndodhur me amandamentin për Gjykatën Speciale.

 Por duket se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e infektuar deri në  palcë  nga politika. Konsiderojmë  që  me këtë  vendim të  Gjykatës Kushtetuese, ky institucion e ka shpallur veten ‘NUL’, sepse Gjykata Speciale, nuk do ta njohë  si autoritet gjyqësor as Gjykatën Kushtetuese të  Kosovës.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të  ndikimeve politike s’po mundet as të  kompletohet me të  gjithë  gjyqëtarët, është  një  shembull skandaloz për gjyqësinë  kosovare.

 Do të  dëshmohet se pasojat e kë tij vendimi do të  jenë  afatgjate”, përfundon komunikata e AAK-së.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behllul Jashari, Kushtetusja, per gjykaten speciale, rrezon Opoziten

Dea ELEZAJ në korin e të rinjve që do të presin Papa Françeskun në New York

September 21, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA/Nje 15-vjeçare shqiptaro-amerikane, Dea D. Elezaj,  do të jetë pjesë e korit të rinjve që do të këndojë në një prej veprimtarive të Papa Françeskut, i cili viziton këtë javë Nju Jorkun.Mes aktiviteteve në programin dyditor është edhe një vizitë, të premten, në orën 11:30 të mëngjezit, në vendin ku ndodhi tragjedia e 11 Shtatorit. Papa Françesku do të vizitojë memorialin dhe muzeun e ngritur për këtë në Qendrën Botërore të Tregëtisë.Këtu do të këndojë edhe Kori i Të rinjve të Nju Jorkut, ku bën pjesë edhe edhe vajza e talentuar shqiptare Dea Deda Elezaj.

Dea është e njohur për shqiptarët në New York, pasu ka kënduar në Festivalin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” si dhe në festivalet e fëmijëve shqiptarë në SHBA. Ai është “produkt” i shkollës shqiptare të muzikës, të drejtuar prej kitaristit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, Edi Xhani.“Është si një përgjegjësi e madhe dhe kjo është gjithashtu si një punë e madhe për të treguar edhe rrënjët tona – familjen e kombin tone. – Nesër , unë do tu them shokve dhe shoqeve të mija – hej shikoni! Unë kam kënduar për Papën , dhe vërtet kjo është një diçka e madhe, për mua dhe të gjithë shokët e shoqet e këtij kori”, thotë Dea.Kori i Taleneteve të Reja të Qytetit të Nju Jorkut, i cili ka 100 anëtarë, gjithashtu , ka kënduar për Papa Benedikti XVI në vizitën në vitin 2008 në New York City.15 vjeçarja shqiptare është e njohur për shqiptarët e Amerikës, edhe për këndimin e dy hymneve kombëtare, të SHBA dhe Shqipërisë, në disa aktivitete të komunitetit.Dea, është bërë pjesë e Korit të Talenteve të Reja në Nju Jork, 3 vjet më parë, që kur ajo këndonte në divizionin “Cantare”, të këtij kori. Më parë ka pasur një përvojë të pasur më parë me korin e fëmijëve të Metropolitan Opera.Drejtuesit e këtij programi dhe sidomos udhëheqësi dhe bashkëthemeluesi i Korit, Francisko Nunes, është shprehur me fjalët më të mira, për Dean – talentin e shkëlqyer shqiptar, duke vënë në pah së pari talentin e saj.Pas vizitës në Nju Jork, Papa Françesku do të vazhdojë në Filadelfia dhe Uashington.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dea ELEZAJ, në korin e të rinjve që pret Papa Françeskun, ne New York

Vizita e Papa Françeskut në shtatorin e kaluar në Shqipëri, historike

September 21, 2015 by dgreca

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për Radio Vatikanin me rastin e 1-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri/

21 shtator 2015/Për Papën Bergoglio Shqipëria është shembull i bashkëjetesës ndërmjet feve, një vlerë e çmueshme kjo që duhet ruajtur e kultivuar gjithmonë me kujdes e dashuri. Vizita e parë në një Vend evropian: Papa zgjodhi udhën e Shqipërisë për të vizituar kontinentin e Vjetër. E nga Tirana Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se “forca e Kishës dhe e çdo komuniteti fetar është dashuria e Zotit”.

“Memoria e martirëve që kanë qëndruar në besimin e tyre në Hyjin gjatë diktaturës është garanci për të ardhmen e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre është farë që sjell frytet e paqes e të bashkëpunimit vëllazëror”. Për Papa Françeskun Shqipëria “është Vend që dëshmon se si mund të bashkëjetohet ndërmjet besimeve të ndryshme” e të punohet për një shoqëri vërtetë njerëzore, të bazuar mbi vlera autentike.

Një vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, dëgjues të nderuar, e kujtojmë me Presidentin e Republikës se Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, Zotin Bujar Nishani, të cilin e falënderojmë përzemërsisht për kohën që gjeti, për të kujtuar së bashku atë ditë të paharrueshme, kur populli shqiptar e priti Papa Françeskun në Tiranë, një vit më parë.

Ajo vizitë papnore ishte një përqafim me mbarë popullin shqiptar, një takim me autoritetet më të larta të Vendit, duke filluar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryeministri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, e të tjerë. Edhe një herë pra Zoti President ju  falënderojmë!

Shqipëria qe vendi i parë i Evropës që u vizitua nga Papa Françesku më 21 shtator 2014. Ju, si President i Republikës, si e vlerësoni atë shtegtim papnor në kryeqytetin e Shqipërisë?

Më së pari më lejoni që edhe unë të përfitoj nga rasti i kësaj bisede, të shpreh mirënjohjen time të pakufishme për atë çka Radio Vatikani ka bërë në historinë e përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve mbi të gjitha për lirinë. Liri për të drejtë, për besim dhe për demokraci.

Është një rast shumë i veçantë për mua, që të kem këtë komunikim e kontakt me Radio Vatikanin, me të gjithë dëgjuesit e saj, kudo që ndodhen nga e gjithë botën. Dhe me lejoni të nënvizoj faktin: që për ne shqiptarët Radio Vatikani ka qenë në ditë të vështira, por do të mbetet gjithmonë në memorien tonë, si shenjë e fortë e shpresës dhe e besimit për një të ardhme më të mirë, dhe juve na keni mbështetur në këtë. Ju falënderoj edhe njëherë!

Ju falënderojmë Zoti President për këtë vlerësim e për fjalë miradije që thatë tani, por edhe në përshëndetjen tuaj drejtuar Papës në Presidencë, duke përmendur edhe Radio Vatikanin, ndër shumë ngjarje të paharrueshme e personalitete të mëdha të historisë së popullit shqiptar. Po t’i  kthehemi vizitës së Papës. Një vlerësim i juaj, mbi atë shtegtimi papnor në Tiranë, i cili qe vërtetë domethënës, prekës e do të thosha kuptimplotë, po ta konsiderojmë edhe faktin se Shqipëria qe porta e Evropës të cilën e hapi Papa Françesku?

Vizita e Papa Françeskut në shtatorin e kaluar në Shqipëri, është pak të thuash se ishte historike, mbi gjithçka, ishte një mesazh i një vlerësimi të jashtëzakonshëm, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë Shqipërisë, po kombit shqiptarë, gjatë historisë së tij. Përzgjedhja e Shqipërisë, pa dyshim që kishte simbolika shumë të forta, por ishte e lidhur edhe me mesazhet, me mesazhet e jashtëzakonshme, të shenjta që Papa Françesku drejtoi nga Shqipëria, nga Sheshi Nënë Tereza, nga Tirana për të gjithë botën e qytetëruar e të civilizuar, për gjithë njerizimin.

Ishte një vizitë e cila në fakt të them të drejtën, na ka befasuar, për shkakun se ishte vendi i parë që Shenjtëria e Tij, Ati i Shenjtë Papa Françesku zgjidhte për të bërë si vizitë në Evropë. Në një vend i cili, është një vend i shumë besimeve, i shumë feve, por që ashtu siç edhe do ta përshkruante në mënyrë të shkëlqyer Papa Françesku në fjalën e tij, në mesazhet e tij, jetoni në harmoni e në respekt me njëri-tjetrin, duke i treguar botës mbarë një shembull, nga i cili mund të udhëhiqemi dhe mund të referohemi. Pra mund të them se ishte një vizitë e cila në radhë të parë solli mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi tek Hyji, besimi tek e mira, besimi tek njëri-tjetri, dhe mbi të gjithë, e solli Shqipërinë me ato virtyte dhe parime, që ajo i ka trashëguar brez pas brezi në vëmendje të të gjithë botës.

Zoti President, ju patët një takim kokë më kokë me Papën në Presidencë. Për dëgjuesit e Radio Vatikanit dhe gjithë ata qytetarë shqiptarë që na dëgjojnë në atdhe e kudo tjetër, mund të na jepni një dëshmi tuaj rreth atij takimi, mund të ndani bashkë me ne diçka nga ai takim?

Po me kënaqësi, t’ ju them shumë sinqerisht, ishte një fillim shumë emocional. Ju garantoj se çdo njeri në botë, kur ka shansin dhe fatin të takoj Atin e Shenjtë, pushtohet në mënyrë krejt të natyrshme. Këto janë emocione të forta, emocione njerëzore, emocione që vinë nga, pikërisht shenjtëria që sjell me vete Ati i Shenjtë Papa. Dhe Papa Françesku e rrezatonte këtë shenjtëri që sa e takon, që sa i tok dorën, që sa e sheh në sy. Por më pas, po aq të çuditshëm, të gjitha këto emocione të zhduken menjëherë: nga mirësia, nga ëmbëlsia, nga mesazhet, nga biseda atërore e Papa Françeskut, i cili më befasoi me njohuritë e jashtëzakonshme që Ai kishte për Shqipërinë, për historinë e Shqipërisë, për hallet, problematikat, për vuajtjet që kishin kaluar shqiptarët veçanërisht në kalvarin e egër të regjimit gjakatar komunist në Shqipëri, të rezistencës që kishte pasur në tërësi populli shqiptar, veçanërisht Kisha Katolike, besimtarët katolikë, kleri katolik në Shqipëri, por dhe kleri i besimeve të tjera. Dhe mbi të gjitha, biseda qe aq e ngrohtë dhe aq e përzemërt  në lidhje me mesazhet për të parë drejt së ardhmes, për të parë drejt optimizmit, për të parë drejt respektit për njëri-tjetrin. Ishte një takim i cili do të mbetet më i paharruari në jetën time politike, institucionale dhe njerëzore.

Pikërisht këto vlera që Ju posa nënvizuat, të cilat Papa i dinte, i vlerësoi dhe ua propozoi, jo vetëm shqiptarëve por edhe Evropës edhe botës. Po kujtojmë se para disa ditësh, Papa përmendi përsëri Shqipërinë si shembull, si vend me vlera dhe një rini që premton shumë. Duke përmendur realitetin shoqëror, bashkëpunimin ndërmjet Shtetit e Kishës, Papa siguroi bashkëpunimin e Kishës katolike për të  mirën e shoqërisë.  Sipas jush, çfarë kontributi mund të japë Kisha Katolike, si institucion shpirtëror, së bashku me komunitetet e tjera fetare të vendit, për ndërtimin e indit të ri shoqëror tek shqiptarët?

Unë besoj shumë, jo vetëm për sa unë kam parë dhe kam qenë dëshmitar i një kontributi të jashtëzakonshëm të Kishës katolike, të klerit katolik, por edhe duke ju referuar historisë së gjatë të besimeve në Shqipëri, posaçërisht Kishës katolike e cila ka qenë pazgjidhshmërisht e lidhur me identitetin kombëtar të shqiptarëve, me atdheun e shqiptarëve, me ruajtjen e traditave më të mira të të parëve tanë, me ruajtjen e kulturës, të gjuhës, zakoneve, pra të identitetit tonë kombëtar. Po ashtu në momentet më të vështira të Shqipërisë, të okupimit, të mbylljes e të izolimit Kisha katolike ka qenë përçuese e mesazheve të ruajtjes së besimit, të ruajtjes së shpresës. Sot Kisha katolike edhe kleri tjetër i besimeve tjera në Shqipëri, në një harmoni edhe me njëri-tjetrin, në respekt të Shtetit shqiptar, në respekt të ndjenjave të popullit shqiptar, janë duke ofruar një kontribut të jashtëzakonshëm përmes mesazheve të tyre, përmes takimeve të ndryshme, përmes aktiviteteve të ndryshme. Me lejoni t’ju kujtoj se vetëm para pak ditësh në Shqipëri, nën kujdesin e Komunitetit të Shën Egjidit u zhvillua një konferencë  mbarë botërore, cila kishte në themel të saj, në fokus të saj çështjen e luftës kundër dhunës dhe të paqes; dhe besoj që mesazhet që dha pikërisht kjo konferencë, kur qindra e qindra klerikë nga e gjithë bota, nga të gjitha besimet, nga të krishterë, nga myslimanë, nga budistë, nga hindu, nga hebrenj u mblodhën në Tiranë, dhe nga Tirana përsëri duke  iu referuar mesazheve të Atit të Shenjtë të Papa Françeskut, rikonfirmuan dhe riadresuan edhe njëherë se sa e rëndësishme është bashkëjetesa, respekti i tjetrit, harmonia, mbi të gjitha paqja, paqja liria e demokracia. Pra, edhe kleri katolik në Shqipëri, Kisha katolike, ju siguroj se janë jo vetëm të pazgjidhshmërisht të lidhura me çështjen e identitetit kombëtar shqiptar, me rrugën Evropiane të Shqipërisë, por mbi të gjitha me krijimin dhe rrezatimin e një ambienti të harmonisë, të respektit dhe vëllazërisë.

Zoti President, në fjalimin tuaj para Papa Françeskut në Tiranë, theksuat binomin: “Atdhe Fe”, që karakterizoi klerin e Kishës katolike, por në përgjithësi edhe klerin e besimeve të tjera që dha jetën për të mbrojtur identitetin dhe vlerat që sot gëzon populli shqiptar. Papa Françesku insiston shumë që në shoqëri njeriu duhet të vihet në qendër. Shoqëria duhet të kujdeset për mbrojtjen e dinjitetin e qytetarëve. Papa pohon se vlerat etike e familja nuk mund të jenë në varësi të logjikës së përfitimit e apo të ndonjë interesi tjetër. Ju çfarë ideje keni? Ju për shoqërinë shqiptare, si e mendon dhe si do ta donte Presidenti Nishani shoqërinë vërtet demokratike të shqiptarëve?

Për fatin e mirë në traditën e hershme dhe të konsoliduar shqiptare, familja ka qenë, është dhe mbetet një vlerë e jashtëzakonshme, një vlerë themelore e cila përmbledh, përmban, lind, rrit e përçon të gjitha parimet tjera të së mirës tek njeriu: dijen, punën, respektin ndaj tjetrit, dashurinë për atdheun, ndershmërinë, thjeshtësinë. Pra, për mua baza e individit që lind dhe rritet tek një familje e shëndetshme, është pa diskutim jo vetëm e rëndësishme për individin, por është e rëndësishme për vendin tonë, për të ardhmen e tij, për kombin në tërësi, për shoqërinë dhe pse jo edhe për botën në të cilën ky individ pastaj  do të notojë në gjithë hapësirën e jetës së tij tokësore; kështu që unë vlerësoj shumë mesazhet dhe inkurajimet që vijnë pikërisht prej një familje të shëndoshë, prej një familje me vlera, e Shqipëria e ka të domosdoshme për t’a ruajtur fort këtë traditë, këtë trashëgimi, sepse  në fund të fundit përmes një familje të shëndoshë ne do të arrijmë të krijojmë gjenerata të cilat duke pasur në fondament respektin për familjen, do të kenë në refleksion respektin për shoqërinë, që do të thotë respektin për njeri-tjetrin dhe gatishmërinë për të kontribuar për të ardhmen.

Pikërisht në përkim me një vjetorin e vizitës apostolike në Tiranë, Papa Françesku nisi shtegtimin e tij në Kubë, që do të vazhdojë pastaj në SHBA-s, e me 25 shtator në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Papa dhe Selia e Shenjtë, kanë qenë përherë afër shqiptarëve e Shqipërisë dhe kanë vlerësuar virtytet e vlerat e kombit shqiptar. Si i vlerëson Presidenti Nishani marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë, marrëdhëniet diplomatike, po kujtojmë, janë të vendosur në shtator të vitit 1991?

Më së pari më lejoni të përfitoj nga rasti që të uroj dhe të lutem për një udhëtim të mbarë të Papa Françeskut në këtë sezon dhe jam i bindur që qoftë populli kuban, qoftë në SHBA-së e kudo tjetër, ku Papa do të jetë prezent, do të jetë një fat i mbarë, një ndjellje  e të mirës për ato vende dhe për popujt ku do të jetë i pranishëm Ati i Shenjtë Papa Françesku. Për Shqipërinë, marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, me Vatikanin, pavarësisht një periudhë të errët që u ndërprenë për shkak të një ateizmi të paimagjinueshëm dhe të çmendur të regjimit komunist në Shqipëri, kanë qenë edhe gjithmonë të rëndësishme pikërisht për vlerat për përparimet dhe mesazhet që Selia e Shenjte ka promovuar në mbarë botën. Tashmë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, janë më të shkëlqyera se kurrë më parë. Shqipëria ka një interes strategjik për t’i forcuar këto marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, sepse mesazhet, inkurajimi, mbështetja dhe parimet që rrezatojnë nga Selia e Shenjtë, janë parime mbi të cilat shoqëria shqiptare duhet të ngrihet mbi to, t’i përqafojë fort ato dhe të shikojë të ardhmen e saj pikërisht në jetësimin e këtyre parimeve.

Unë jam i bindur që marrëdhëniet strategjike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë do të vinë duke u përforcuar gjithmonë e më shumë. Sot Shqipëria është e angazhuar fort në udhën e saj të integrimit evropian dhe për ne në këtë udhëtim besimi, mbështetja dhe inkurajimi nga Selia e Shenjtë janë të pazëvendësueshme.

Duke ju falënderuar sinqerisht, pyetja ime e fundit është: çfarë do të donte Presidenti Nishani të veçonte nga ajo vizitë e paharrueshme e Papa Françeskut në Tiranë? Diçka që të mbetet si lajtmotiv e të jetë aktuale edhe për sot?

T’ju them të drejtën në mënyrë shumë të sinqertë, është e vështirë të zgjedhësh një mesazh specifik nga ato mesazhe dhe nga ato çaste që ne patëm mundësi të ndalemi me Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun në Tiranë, ishin aq të shumta sa që vërtetë është vështirë, çdo mesazh i tij ishte i veçantë, pati një jehonë të jashtëzakonshme, përmbante brenda këshilla të urta, por më lejoni të përzgjedh ndoshta njërën prej tyre që më vjen në këto çaste ndërmend, kur Ati Shenjtë kremtoi Meshën e Shenjtë në Sheshin Nënë Tereza, kur ju drejtua të gjithë shqiptarëve duke u thënë: ‘Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e Vendit tuaj, të ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur për herë besimin tuaj në Hyjin që nuk na zhgënjen, por është gjithmonë pranë nesh posaçërisht në qaste të vështira’. Mbajtja e shpresës dhe natyrisht puna  nga ana e shqiptarëve, institucioneve shqiptare, shoqërisë shqiptare që shpresën për ta kthyer në dinjitet, është besoj mesazhi që ne duhet ta mbajmë vazhdimisht në mendjen tonë çdo ditë.

Zoti President ju falënderojmë e ju urojmë mision të mbarë në misionin tuaj me këtë përzgjedhje tuajën jashtëzakonisht simbolike, domethënëse, duke uruar e shpresuar që shqiptaret të dinë ta kultivojnë shpresën, bashkëjetesën, respektin vëllazëror e ta duan Atdheun si jetën e tyre. Ju falënderojmë!

Edhe unë ju falënderoj e uroj gjithashtu Radio Vatikanin, të gjithë stafin e saj e juve personalisht dhe të gjithë dëgjuesit e kësaj Radioje kaq të rëndësishme, punë të mbarë!

Filed Under: Featured Tagged With: Nishani, presidenti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT