• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

Burrat e vdekur nuk duhet të zgjohen

September 7, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*

”Mbaje zemrën tënde të ngrohtë, por kokën të ftohtë”, – më thoshte gjyshi im.

Evropa (edhe Shqipëria pra) është në rrugën për të përjetuar një ndryshim demografik të përmasave biblike përmes migrimit historik. Kjo çka ndodhën është një pushtim i Evropës e cila i bën harakiri vetvetes. Çdo shtet ka të drejtë dhe obligim për të mbrojtur kufijtë, integritetin dhe sovranitetin e vet. Refugjatët e vërtetë janë të ulur dhe vuajnë tmerrësisht në gërmadhat e vendit të tyre në Siri e gjetiu; atyre duhet ndihmuar atje në vendin e origjinës apo në vendin e sigurt më të afërt. Kjo edhe për shkakun se çmimi për 1 “refugjat” që strehohet (ndihmohet) në Evropë është barazi me çmimin e 40 refugjatëve që do të ndihmoheshin në afërsi të vendit të origjinës Afrikë/Azi. Pse të ndihmojmë vetëm 1 njeri në vend që të ndihmojmë 4o?

***

BE duhet të dëbojë menjëherë këta 98% “refugjatësh” fals (shumë prej tyre vrasës mizor dhe kriminel të rrezikshëm) cilët nuk janë aspak të interesuar të strehon te fqinjët dhe vëllezërit pasanik të një gjaku, gjuhe, feje, kulture, kontinenti: në Liban, Jordani, Egjipt, Arabi Saudite, Oman, UAE, Katar, Kuvajt, apo në Turqi, Iran etj, shtete të sigurta ku nuk bëhet aspak luftë. Jo, këta manipulues që janë lindur të jetojnë në vendet e nxehta me diell, nuk ndalen në shtetin e parë të sigurt ku u garantohet një jetesë normale por udhëtojnë nëpërmes 99 shteteve tjera të sigurta me dëshirën fanatike të arrijnë në shtetet më të largëta (dhe më të pasura) të Evropës Perëndimore: Gjermani, Suedi, Norvegji etj ku mbizotëron koha e keqe me mjegull, shi, borë dhe të ftoftë. Pa koment.

Agjencia Kufitare e BE-së Frontex raporton se ka lindur një treg për pasaportë false sirian në Turqi dhe se shumë “refugjatë” që flasin arabisht por janë me origjinë nga ato 100 shtetet tjera arabe, i blejnë ato. Shkaku pse i blejnë: Gjermania dhe Suedia kanë njoftuar se të gjithë sirianët në praktikë do të fitojnë azil. Prandaj fluksi i refugjatëve të rremë është i pafund.

Gjermania ka pushtet të tepërt brenda BE-së, vendet e vogla absolutisht nuk kanë asnjë ndikim në atë që ajo vendos. Kur Angela Merkel urdhëron vendet e tjera të kërcejnë, ata përgjigjen: “Sa lartë?”. Ajo tani po e udhëheqë Evropën drejtë në gropë, pa aftësinë për të dalë përsëri.

Duke deklaruar se të gjithë “refugjatët” janë të mirëpritur në Gjermani, rrjedha e azilkërkuesve të paligjshëm do të jetë në rritje. Brenda pak vitesh do të pushtohet e gjithë Evropa dhe do të harxhohen të gjitha përfitimet e mirëqenies sociale për të cilat paraardhësit tanë (evropian) kanë punuar dhe luftuar, në mënyrë që brezat e ardhshëm të lulëzojnë. Vendet e Evropës do të falimentojnë. Do të thahet dhe zbrazet i gjithë sistemi i mirëqenies, por kjo është ndoshta ajo që Merkel dëshiron dhe ne vetëm mund të spekulojmë në: PSE?!

***

Mbetet vetëm për t’u përgatitur.

Migrimi kolosal nga Afrika/Azia në Evropë do të vazhdojë për dekada të tëra. Hulumtimet  tregojnë se nuk është lufta, por paratë, e cila motivon njerëzit për të migruar. Politikanët me vite kanë besuar se do të ketë më pak emigracion pasi vendet e varfra u bënë më të pasura. Në realitet ndodhë e kundërta.

Kur ekuipazhi i marinës HMS Bulwarsk për herë të parë i peshkuan (i shpëtuan) “refugjatët”nga Deti i Mesdheut, ata pritshin që të gjejnë më të uriturit, më të ligshtit, më të sëmurët, më të leckosurit, më të rraskapiturit e rruzullit tokësor. Në vend të kësaj ata gjetën njerëz me shëndet relativisht të mirë, të mirë-veshur, të pajisur me telefona celularë prej më modernëve dhe kartat e kreditit të cilat ata kanë për qëllim t`i përdorin kur ata të shkelin në brigjet e Italisë. Ushtria zbuloi diçka që politikanët dhe pseudo-intelektualët akoma nuk e kanë kuptuar – se kjo nuk është vetëm një krizë e refugjatëve. “Varfanjakët” e botës janë duke lëvizur për shkak se ata nuk janë të varfër si më parë dhe kanë ekonomi solide (disa dhjetëra mijë euro në dispozicion) për të udhëtuar.

Shumë njerëz ikin nga lufta, por shumica ikin për të kërkuar një jetë më të lezetshme. Nevojtarët, varfanjakët e vërtetë nuk kanë asnjë shans të ikin.

Gjendja kurrë nuk ka qenë më mirë. Që nga koha e Bill Klintonit, përqindja që jetojnë në varfëri të skajshme është përgjysmuar. Kurrë nuk ka qenë më pak dhunë se tani. Konflikti në Siri është një përjashtim në një periudhë historike, ku lufta ka qenë në tërheqje.

Ndoshta kjo nuk ndjehet siç them unë, por bota është më e begatë dhe më e qetë se në çdo kohë në historinë njerëzore, megjithatë numri i emigrantëve rekord i lartë. Por nuk ka asnjë paradoks këtu. Sa më shumë njerëz kanë lek për të lëvizur, aq më shumë prej tyre e bëjnë atë – me një rrezik jashtëzakonisht të lartë personal.

Kur një vend i varfër bëhet më i pasur, e rritën emigrimin derisa të bëhet aq i pasur sa vendet më të pasura. Ky proces merr disa dekada dhe vetëm kur ajo është e përfunduar pasuria do të tejkalojë emigrimin.

Lufta është një katalizator. Nëse ka ndodh një konflikt dhe vendi nuk është aq i varfër sa ishte dikur, ka më shumë njerëz nga ata që janë të prekur të cilët i përballojnë shpenzimet e ikjes për në vendet më të pasura botërore.

Epoka digjitale gjithashtu do të thotë se ata kanë informacionin e nevojshëm.

Emigrimi nga Gambia, Senegali dhe Nigeria e ilustrojnë këtë. Të gjitha janë vende të qeta – pavarësisht nga grupet islamike terroriste në Nigeri – me stabilitetin politik dhe rritjen ekonomike. Megjithatë e përjetojnë, sidomos dy të parat, një eksod masiv i të rinjve që përdorin kontrabandistët për të ardhur në Evropë.

Përveç kësaj, diaspora jashtë vendit është një forcë lëvizëse për më shumë emigracion. Është vërtetuar se në qoftë se ka një grup të madh të ish bashkatdhetarëve në një vend evropian, kjo do të tërheqë më shumë emigrantë nga i njëjti vend në një lloj “Efekti-kryeurë”

Njerëzit në diasporë i ndihmojnë të afërmit dhe miqtë në vendin e tyre të origjinës me informacione, lek dhe ndonjëherë kalim të paligjshëm të kufirit.

“Shpeshherë janë të afërmit kontrabandistët e anëtarëve të familjes që hyjnë në vendin tim”, – më thotë mua një avokat policor nga një vend i madh i BE-s me të cilin kontaktoj shpesh.

Të gjithë azilkërkuesit marrën ndihmë për udhëtimin, nga kontrabandistët gjatë udhëtimit, apo nga të afërmit që tashmë gjenden në Evropë.

Globalizimi e ka transformuar lëvizjen globale të njerëzve, si dhe të mallrave dhe të hollave.

Nëse ti e gjykon gabimisht një krizë refugjatësh, do të krijosh një krizë politike.

Angazhimi që ka për qëllim të ndihmojë mund të përfundojë duke shkaktuar dëme me koston e shumë jetëve. Prej ditës që marina italiane vendosi të ndërmarrë operacionet e shpëtimit në Mesdhe, numri i atyre që kaluan detin por edhe i të zhdukurve që u mbytën në përpjekjet për ta kaluar atë, është trefishuar.

Një fotografi e një fëmije të mbytur është shpirt-copëtuese, por nuk duhet të ndryshojë politikën: një përgjigje e gabuar mund të çojë në vdekjen edhe të më shumë fëmijëve. Ka shumë gjasa që qindra fëmijë në Jemen të vdesin nga uria në dimër, viktima të luftës civile në vend – ne nuk do t`i shohim fotot e vdekjes së tyre, sepse nuk ka gjasa që dikush do të drejtojë një fushatë për ta. Por kjo nuk është një tragjedi më e vogël.

Por le të mos pretendojmë se duke u dhëne azil disa qindra mijë apo dhjetë milion njerëzve do të ndihmojmë 60 milion refugjatë të regjistruar nga OKB; 3-4 miliardë të varfër nga i gjithë rruzulli tokësor do të fillonin rrugën për në Evropë, nën maskotën e termit “Refugjatë”.

Ky imigrim kolosal është problemi i shekullit të 21, shumë më i madh se Siria dhe më i madh se autoritetet në Bruksel të cilët akoma nuk zgjohen. Burrat e vdekur nuk duhet të zgjohen.

Evropa nuk duhet të përqendrohet vetëm në atë se si refugjatët dhe emigrantët duhet të vendosen pa e luftuar gjithashtu edhe arsyen pse ata vijnë.

Zgjidhja e krizës së refugjatëve nuk është ftesa e tyre në Evropë.

*, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, Burrat e vdekur

VATRA- KRONIKE E AKADEMISE PERKUJTIMORE NE NDERIM TE AKADEMIK MARK KRASNIQI NE NJU JORK

September 7, 2015 by dgreca

-Bashke me Kroniken e veprimtarise perkujtimore edhe fjala e Kryetarit te Vatres dr. Gjon Bucaj, mesazhi i Presidentit te nderit te Vatres, Agim Karagjozi dhe fjala e zv.Kryetarit Agim Rexhaj/

Me 5 shtator 2015 VATRA organizoi nji aktivitet për përkujtimin e akademik Mark Krasniqit, i cili vdiq pak ditë ma parë dhe u vorros në Prishtinë. Perkujtimi u zhvillue ne Royal Regency Hotel dhe filloi para orës 11:30 të ditës dhe zgjati rreth dy orë. Aktiviteti u zhvillue në mënyrë krejt spontane ku, përveç kryetarit Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës, folësit tjerë shprehën kujtime dhe mbresa përsonale për lidhjet miqsore, nga takimet e ndryshme që kanë pasë me Profesorin e njerë. Drejtimi i aktivitetit iu ngarkue zotit Besim Malota i cili ka pasë marrëdhanje të ngushta, edhe familjare, në shpinë e të cilit profesor Krasniqi ka ndejtë të shumtën e kohës sa herë që ka ardhë në Shtetet e Bashkueme. Në fillim ai përshëndeti dhe ngushlloi të pranishmit për humbjen e akademikut të shquem si dhe për dy kolegët tjerë të tij që mbrenda pak ditësh u ndanë nga jeta, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Mbas nji minut heshtje për të tre, ai ftoi kryetarin Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës. Agim Rexhaj mik përsonal shprehi dhimbjen e madhe dhe vlersoi plot emocion humbjen e randë me përshkrime të kontakteve të shumta miqsore që ka pasë. Liridona Malota të cilës profesor Krasniqi i ka dhanë emnin kur ka lindë, në vjetin 1991 ai gjindej në Amerikë “tue kërkue lirinë”, dhe i dha emnin Liridona, emën me të cilin i ati u pajtue me kënaqsi. Harry Bajraktari i cili kishte marrë pjesë në vorrim përshkrou nderimet që Akademikut iu banë në Kosovë dhe solli kujtime nga bashkpunimi me të ndjerin. Ai gjithashtu solli për Vatrën nji ekzemplar të librit të fundit, i cili u botue me shpenzimet e tij në mënyrë të përshpejtueme nji ditë para vdekjes. Idriz Lamaj, Marjan Cubi, Tomë Paloka edhe Mithat Gashi vlersuen lart veprën e profesor Krasniqit dhe përpjekjet e tij të palodhshme deri në fund të jetës për Kosovën, për kombin shqiptar dhe për bashkimin e trojevet etnike. Profesor Mithat Gashi lexoi poezinë “Kosovës” të shkrueme kur autori ishte 22 vjeçar, student në Itali me bursë të Ministrisë së Arsmit të Shqipnisë. Në fund nipi i Profesorit, Martin Krasniqi, falënderoi të pranishmit dhe, prej këtij tubimi, i drejtoi mirënjohjen Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për përcilljen shumë dinjitoze të axhës Mark në pushimin e mbram. Gjatë programit, i cili ishte i lirë dhe folësat u shprehën simbas deshirës së tyne, u treguen disa pjesë filmike të përgatituna mjeshtrisht nga z. Dritan Haxhia, ku fliste vetë Akademik Krasniqi. Në të mramin fragment filmik, për realizimin e botimit të librit të fundit ai falënderon Hajdar Bajrakarin dhe redaktorin Bajrush Morina. Me zanin e lodhun shqiptoi porosinë për shqiptarët: Mos hiqini dorë kurrë nga Bashkimin Kombëtar. 

FJALA E DR.GJON BUÇAJ KRYETAR I VATRES MBAJTUR NE AKADEMINE PERKUJTIMORE/

Në përkujtimin e Akademik Mark Krasniqit – 5 shtator 2015, New York

Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, lindi spontanisht ideja për organizimin e nji përkujtimi këtu, në komunitetin shqiptaroamerikan të New York-ut me rrethe, për të tregue respektin tonë për këtë atdhetar të shquem dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, arsimit dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Fatkeqsisht, lajmet për humbje të randa nga Kosova nuk u ndalen me kaq, mbrenda nji muejit u shuen edhe dy figura të tjera, kolegë e miq të Mark Krasniqit, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Gjithashtu në Kroaci vdiq edhe studiuesi arbëresh, Alekander Stipçeviq, ilirologu ma i madh bashkëkohor.

Në tubimin e sotëm, ata që e njohën nga afër ose e admiruen nga larg profesor Markun, qoftë në Kosovë ose gjatë vizitave të Tij në Amerikë, do të kenë rastin të sjellin kujtime dhe mbresa përsonale, kurse në nji rast të përshtatshem ma vonë, mund të organizohet nji konferencë shkencore, ku do të ndigjojmë studiues dhe njohës të kualifikuem, mbi jetën dhe veprën e këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm.

Megjithatë, lypet që këtu të njifemi, shkurtimisht, me disa të dhana biografike të jetës së tij. Ai lindi me 19 tetor 1920 në katundin Gllaviqicë, që tash thirret shqip Shëngjon, në rrethin e Pejës, në nji familje me origjinë prej krahinës Nikaj e Mertur. Shkollën fillore e kreu në katundin e lindjes, kurse gjimnazin në Prizren më 1941. Prej atij viti deri në 1943 ka studiue letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946 ka studiue Gjeografinë dhe Etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku ka diplomue me 1950. Prej 1950 deri 1961 ka punue në Akademinë e Shkencave në Beograd, asistent e mandej bashkëpunëtor shkencor. Në vitin 1960 ka doktorue në Universitetin e Lubljanës, sepse në Beograd ia refuzuen temën që trajtonte aspekte të ndryshimevet bashkëkohore gjeografike shoqnore në Kosovë. Prej vitit 1961 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri sa pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga arsimi në vitin 1981. Për studentat dhe për kolegët ka mbetë gjithmonë Professor Marku ose Baca Mark, i nderuem dhe i dashtun. Baca Mark e thërriste me respekt edhe President Rugova, të cilit Baca Mark i ndejti gjithmonë përkrahës besnik.

Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, antar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë deri në fund.

Si autor ka shkrue shume libra shkencorë, letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore. Posta e Porositur, Lepuri analfabet; monografitë etnografike Rugova, Lugu i Beranit (koautor), Rrënjët tona etnike, Gjurmë e gjurmime – studime etnografike, Besa në traditën shqiptare, Toleranca në traditën shqiptare dhe Mikpritja në traditën shqiptare, Jehona e Kohës (përmbledhje poezishë për të rritun), Reagime (polemika), janë disa nga titujt e veprave të tij. Ka botue edhe librin Kujtime e Përjetime, me shenime autobiografike, si dhe librin e fundit që doli nga shtypi nji ditë para vdekjes, Porosia ime per shqiptarët: Mos hiqni dorë kurrë nga Bashkimi Kombëtar. Ka ba disa përkthime në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm. Si polemist njifet sidomos me shkrimet që botoi në mprojtje prej sulmeve nga intelektualët shovenista dhe pushtetarët serbë në vitin 1966, me forcën e fakteve dhe të guximit përsonal, si e tregon tema “Qëndrimet shkencore në thumb të politikës antishqiptare”. Guximi i tij ishte mbështetje e fortë morale edhe për intelektualët tjerë shqiptarë të Kosovës në kohë presioni dhe persekutimi. Në vitin 1992 paraqiti raportin “Kosova sot” (Kosova Today) në Senatin Belg në Bruxelles, në mbrojtje të çashtjes së Kosovës. Nji vepër tjetër me vlerë të madhe kombtare asht edhe roli i tij gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Burrë i ndershëm, i sinqertë, i kandshëm në shoqni, i ambël në biseda, cilësi këto që shumë prej jush i keni shijue, patëm kënaqsinë me i shijue ma se nji herë edhe në Vatër. Agim Karagjozi i pat dhurue nji libër me dedikimin:

“Akademik Mark Krasniqit me admirim e mirënjohje për kontributin madhor që ka dhënë kulturës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave të Kosovës. Kujtim nga Vatra.”       

Agim Karagjozi

New York, 20 prill 2004

Akademik Mark Krasniqi ka marrë shumë çmime e vlersime akademike kombëtare e ndërkombtare. Ai asht nderue me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga Presidenti Rugova dhe me medaljen Nderi i Kombit nga President Nishani.

Ai ka meritën e madhe të ngritjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, si inisjatori dhe organizatori i palodhshëm deri në realizimin e qellimit. Kam pasë kënaqsinë me qenë pjesë e publikut të gëzuem në tubimin festiv të asaj dite plot emocion të 28 nandorit 2001 në Sheshin ku u ngrit monumenti.

Bashkimi Kombëtar ishte synim i tij jetsor, ai asht edhe AMANETI i Tij i fundit për shqiptarët.

I letë i qoftë dheu i tokës së ambël të Kosovës!

I paharrueshem qoftë kujtimi i Tij!

FJALA E ZV/KRYETARIT TE VATRES, Z. AGIM REXHAJ NE AKADEMINE PERKUJTIMORE

Miq te nderuar, para se të them diçka për mikun tim, për mikun tonë, të madhin Mark Krasniqin, do t’iu them edhe njëherë ngushëllime, të gjithë juve këtu dhe familjes së tij, ngushëllime për humbjen e të shtrenjtit tonë, të profesorit të pashoq Mark Krasniqi. 
 
Këtu dhe tash, më duhet t’ua them se profesorin e njoh, ashtu siç e njohin gjeneratat e shqiptarëve, që nga fëmijëria ime, qëkur e kam mbajtur me respekt në duar librin antologjik të poezisë shqiptare për fëmijë, “Postën e porositur”, librin me të cilin jemi rritur dhe me porositë e të cilit jemi edukuar ne shqiptarët, që jetonim nën tutelën komuniste, me të cilën kurrë nuk është pajtuar profesor Marku  .
 Por unë, unë kam pasur fatin e madh që profesorin tonë ta njoh tash e një çerek shekulli, që nga viti heroik, një nga vitet më të mëdha të historisë shqiptare, që nga viti i Pajtimit të Shenjtë Kombëtar, që nga viti 1990, kur profesori Mark, bashkë me intelektualët dhe figurat  më të shquara shqiptare, si Anton Çeta, Bajram Kelmendi, Azem Shkreli etj., kishte arritur në New York me një mision të shenjtë, me misionin e pajtimit të shqiptarëve dhe të faljes së gjaqeve.
 Që nga ato ditë të korrikut të vitit 1990, profesor Marku është bërë pjesë e jetës, e preokupimit, e mendimit tim dhe, ashtu siç koha lind dhe krijon personalitetet të mëdha jo rastësisht, ai, bashkë me të madhin e të mëdhenjve, me President Rugovën, si burra të pashoq të shqiptarizmës, u bënë pjesë jo vetëm e jetës sime, por e të gjithë neve që përpiqeshim për Kosovën e për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe për çlirimin e demokratizimin e tyre.
 Dhe, kurdoherë që ndjehesha i pafuqishëm, kurdoherë që punët dhe çështjet e kombit nuk na shkonin mirë dhe ndjehesha i dobësuar, i pashpresë dhe i zhgënjyer, më kujtoheshin këta burra të burrave, Rugova dhe profesor Marku dhe, prapë, ndjehesha me fat, fuqizohesha, trimërohesha dhe bashkë me shokët e mi të punës e të idealit,  vazhdonim rrugën tonë të madhe.
 Shkuarja në amshim e profesor Markut, e njeriut i cili kishte lindur si njeri i kombit dhe për kombin, është një humbje e pazëvendësueshme dhe sot, edhe nëse ligështohem sot ose nesër, unë do ta ndjej mungesën e fjalës së tij, të këshillës së tij, të urtisë së tij, shumë dhe thellë. 
 
Miq të nderuar, sigurisht se unë, po edhe ju, do ta keni në çdo prag-feste një boshllëk, një zbrazëti, dhe ato festat tona, në të cilat i këmbenin urimet dhe mesazhet tona të mbarësisë, Festa e Kërshëndellave, Festa e Pashkëve, Festa e Pavarësisë, e 28 Nëntorit të madh, dhe Festa e Vitit të Ri, nuk do ta kenë më atë ngjyrë dhe atë shije që kishin kur ne këmbenim urimet tona me aq shumë shpresa e përgëzime mbarësie.
 Miq të nderuar, për mua, as vizitat në Prishtinë e në vendlindjen time në Pejë, nuk do të jenë njësoj pa profesor Markun dhe do të jenë më të varfra për shumëçka, sepse atje tash e tutje do të më përcjellë vetëm kujtimi për te, jehona e fjalëve të tij, e humorit të tij të pashoq, e gjesteve dhe e guximit të tij njerëzor e kombëtar. 
 
Zonja dhe zotërinj, megjithëse nuk dua të ligështohem dhe dua t’ia zë pritën vajit e lotit për humbjen e madhe të të madhit, profesor Markut, edhe nëse ligështohem, dua të ma falni, se udhëtimi për në amshim i të shtrenjtit tonë, na lë neve këtu ku jemi, në Amerikë, shqiptarët e tjerë kudo ku janë, në secilin cep të trojeve shqiptare, na lë pra ne shqiptarëve më të varfër, na lë pa demokratin e madh, pa atdhetarin e shtrenjtë, na lë për një hap a për më shumë hapa më larg idealeve të shenjta shqiptare. Sepse ai ishte një nga ato shtyllat e mëdha të kombit, të demokracisë, të pajtimit të njëmendët kombëtar, të pavarësisë dhe përparimit të shqiptarëve.
 
Zonja dhe zotërinj, miq të nderuar, edhe njëherë ngushëllime familjes dhe miqve të profesor Markut, të gjithë juve këtu, për jetë e mot lavdi dhe i qoftë dheu i lehtë.
Agim Rexhaj, 5 Shtator 2015

Filed Under: Vatra Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Gjon Bucaj, me 5 shtator, ne Nju Jork, Vatra perkujtoi

BARI DRISHTI DO TE PUSHOJE PERJETESISHT NE SHKODER

September 7, 2015 by dgreca

*Bari Drishti “Mbreti” i Serenatës Shkodrane, i njohur edhe si ikona e picës në SHBA, u shua ne Nju Xhersi në moshë 77 vjeç/

Nga Beqir Sina/

Ne Foto:Bahri Drishti me zv/presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, ne picerine e tij ne Nju Xhersi/

HOBOKEN NEW JERSEY : Këngëtari i njohur shkodran në SHBA – Bahri Drishti , veprimtar vjetër i komunitetit gjithashtu, i njohur në të gjithë qytetin si “Benny Tudino” – pronari i picerisë më të vjetër dhe të famshme “Benny Tudino Pizzeria” në Hoboken, u nda nga jeta në moshë 77 vjeç.Ai vdiq në qendrën spitalore “University Medical Center” në Hoboken – Nju Xhersi i “goditur” nga një heart attack – infrakt në zemër , i rrethuar nga dy djemtë dhe rejat e tyre, plot nipat e mbesat, miq dhe dashamirët të, të ndjerit.Drishti u nda nga jeta në mënyrë krejt paqësore.Ai është babai i tre fëmijëve në SHBA, dy djemeve, Edmond dhe Arbend Drishti dhe vajzes se tij Rajmonda Drishti.Bariu – si i thërrisnin dhe e njihnin atë shqiptarët, e Amerikës, është i lindur në 1948 në Shkodër, Shqipëri .Miqtë dhe anëtarët e familjes e përshkruajnë atë si një njeri të cilit jeta i sillej vetëm rreth familjes, kombit dhe punës së tij. Ai e donte shumë familjen dhe ishte krenar për dy djemtë e tij, Eddie dhe Arbend, që të dy oficerë me gradën Sergent me Departamentin e Policisë në New Jersey – kantonin Hoboken.Ai u arratisë nga Shqipëria, fare i ri në vitin 1964 në moshën 26 vjeçare, duke ardhë në Amerikën e Veriut– vendoset, fillimisht në Toronto Kanada, dhe në 1968 vjen në New York, kurse dekadat e fundit të jetës së tij, i kaloi në prefekturen Hoboken – New Jersey, së bashku me famijen e tij.Kohët e fundit jetën e tij e ndau mes SHBA dhe Shkodrës. Mbas rrëzimit të komunizmit – Bariu – me bashkëshorten dhe familjen shpesh herë pushimet e verës i kalonte për të udhëtuar në Shqipëri, ku ai asnjëherë, nuk e harronte Shkodrën e zemrës – ku kishte edhe një shtëpi, për të kaluar verën me gjithë familjen.Të gjithë ata që e njohën tregojnë se Bariu, ishte krenar për trashëgiminë e tij, shqiptare, Ai së bashku me gruan e tij – Zylfien, erdhë në Amerikë, duke ditur pak, anglisht, për të ndjekur ëndrrën amerikane, dhe, ruajtur mirë trashgmninë e tyre shqiptare.

Bariu, u bë një nga shqiptarët më të dashur dhe respektuar i komunitetit shqiptarë – në zonën e Tri-Shtetshit. Në atë kohë si këngëtar – nuk kishte dasëm apo gëzime shqiptare – që nuk këndoi Bari Drishti. Por, ai me këngëtarët e asaj kohe në Amerikë, këndonte edhe në festat kombëtare, me këgëtarët shqiptar që ishin të paktë.Mark K Shkreli – kryeredaktor i gazetës “Jeta Katolike” në Nju Jork, thotë se :”Gjatë darkës në nder të inaugurimit të kishës së parë katolike shqiptare në botën e lirë, më 26 prill 1970, të pranishmit e shumtë, u kënaqën me këngët e Bahri Drishtit (me Tereze Kaçinarin dhe Dylbere Lezajn)”. Bahria, thotë Shkreli, ishte gjithhërë gati t’i përgjigjej ftesës së kësaj kishe për çdo rast.Ai ndryshe njihej edhe si “Mbreti” i Serenatës Shkodrane – i cili do të mbahet mend gjatë, në diasporën e vejtër, për këngët e tij, mjaft të dashura, sidomos për këngën “Ty Ty Ty Bie Boria- Skoda ime u don fort !
(https://www.youtube.com/watch?v=ZxPPjkcdmMo – e cila ka qenë një kangë, kjo e shkodranit Tish Daijs, e kënduar nga Pjetër Gjergji, shumë vite ma parë, origjinali thuhet se asht në fonotekën e Radio Tiranës)Mirëpo, në rrjetet sociale shkruhet se Braiu, u bë i dashur me Serenatat Shkodrane, në çdo dasmë dhe festë shqiptare në Amerikë, duke plotësuar atë boshllëkun në mes Korçës Toske dhe Shkodrës Gege!Duke treguar, kështu se kultura jonë është 1 dhe SHQIPTARE!, shkruajn adhuruesit e tij.Këngët më të dashura të tij, kan qenë ato shkodrane “Illyria Shkodrane” – “Poutpori Shkodrane” – “Ulqinaken” dhe “Velshtaren”.Djali i tij thotë se jeta e babait të tij në Amerikë, ka qenë “shend e verë” si i thonë shkodranët.”Ai gjithmonë ka pasur një zemër të madhe dhe të artë. Babi im gjithmonë i ka dashur njerëzit, e të gjitha racave, duke i përshëndetur me një buzëqeshje të ëmbël si “xhanan”,” ka thënë Eddie Drishti, per Media Advance, duke shtuar se”Ai do të jetë një ikonë pazëvendësueshëme në Hoboken një legjend.”

Ndërsa tregon i biri :“Me ardhjen ne Amerikë – i arratisur nga Shqipëria, si kundërshtar i rregjimit komunist të Enver Hoxhës, menjëher, ai u lidh me grupet nacionaliste dhe anti komunistët në Kanada dhe SHBA. Duke u takuar së pari edhe dajën e tij Ragip Lohja – i arratisur para tij. Bariu, ka vepruar, gjithmonë në rradhët e legalitetit, mbasi si një anëtarë i një familje shkodrane me tradita mbretërore. Babai im ishte pjesëmarrës edhe në dasmën e Mbretit Leka I në Spanjë, ku edhe ka kënduar atje me orkestrën nga Nju Jorku – (Më 10 tetor 1975 u martua me Mbretin Leka I. Dasma Mbretërore u zhvillua në Madrid, mes tetë mijë të ftuarëve nga të gjitha trojet shqiptare, arbereshet e Italise dhe diaspora). Si dhe shoqëroi Mbretin Leka I në vizitën e tij në SHBA”, tregonë djali i tij Eddie, i cili flet një shqipe shkodrane si babai i tij” tregon Eddie.

Në Amerikën e Veriut – Bariu “zbarkoi” në fillim në Kanada – ku u ndihmua shumë nga familja Kulla(Ibrahimi, Avniu dhe Mustafa), simbas tij. Aty punojë deri sa erdhi në Nju Jork, ku edhe këtu punojë në restorante. Fati e solli të njihej me një vajzë nga Kosova në Amerikë, profesoreshën e gjuhës shqipe – Zylfie Markdushaj e bija e Sheh Halitit nga Tropoja, me të cilën në vitin 1968, u martua dhe ka dy djem Arbend dhe Eddie.( Bariu, ka qenë i martuar në Shqipëri – kur u arratisë, la atje gruan me barrë e cila lindi vajzë,Raimonda Drishti dhe jetonë në Shkodër)

Në kronologjië e tij, thuhet se Bari Drishti, u arratis nga Shqipëria në vitin 1964 – duke kërkuar liri nga diktatura komuniste. Duke u bërë një nga kundërshtarët e përbetuar të rregjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, dhe u lidhur me grupet nacionaliste, patriotët, adhetarët dhe kundështarët e rregjimit komunist në diasporë, në atë kohë.

Bariu, ishte këngëtar i njohur në komunitetin shqiptar dhe një humanitar i vërtetë

Ai me veprimtarin e tij – me atë zotnillëkun shkodran – bujar dhe me humor karateristik shkodran, u bë mjaft i njohur, i dashur dhe i respektuar, në të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë.

Këtu, ai filloi punën në pica restorantin Mama Leona- në Avenyn e 8-të, Broadway Nju Jork, si një djalëi ri , por ambicioz, që mund të mësonte dhe të ecte edhe vet në rrugën e suksesit.

Saqë, në fushën e biznesit, ai ka marrë çmime të shumta gjatë viteve, lidhur me pica e tij shumë të famshëm, kaluar përmes krijimit të tij – e bëri atë njeri krenar në lidhje me biznesin e tij.

Vizita më e fundit e nënpresidentit Joe Biden, në picerin e tij, e mbushi me krenari dhe gëzim, jo vetëm familjen e tij – por edhe shqiptarët e Amerikës, zyrtarët e lart amerikan , përfshirë edhe senatorët e atëhershëm të New Jersye .

Kjo vizitë e tij nuk I shpëtoi as shtypit shqiptar në Amerikë , gazeta shqiptaro amerikane Illyria, shkrojë artikullin :”Joe Biden ndalon në restorantin e një shqiptari”

Illyria shkruante se “Për pronarët dhe stafin ishte një suprizë e bukur – Biden shoqërohej nga Senatori i Shteteve të Bashkuara, Menendez dhe kryebashkiakun e Hobokenit. Zëvendës-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden (Xho Bajden), ndaloi në restorantin e një shqiptaro-amerikani në Hoboken, New Jersey, gjatë vizitës së tij të zonave të dëmtuara nga Uragani Sandy.

Benny Tudino’s është i famshëm në Hoboken për copat e mëdha të picës dhe pronarin e tij mikpritës Bari Drishti.

Biden shoqërohej nga Senatori i Shteteve të Bashkuara, Menendez dhe kryebashkiakun e Hobokenit. Po ai u shkëput nga ata në kohën e drekës për të ndaluar te Benny’s. Papritur restoranti u rrethua nga gazetarë, punonjës të shërbimit sekret dhe forca policore.

Për pronarët dhe stafin ishte një suprizë e bukur. Bari Drishti, që ka qenë gjithmonë një patriot i vendosur, ka flamurin shqiptar të vendosur qartas në muret e restorantit të tij. Joe Biden i hodhi dorën në qafë dhe biseduan miqësisht. Zëvendës-presidenti njihet që nga koha kur ishte senator si një nga njohësit më të mirë të situatës në Ballkan dhe një mbështetës i vendosur i çështjes shqiptare.

Duke folur për gazetën “Illyria”, Bari Drishti tha se një nga politikanët që shkon shpesh në restorantin e tij është Senatori Lautenberg dhe ai duket se ia ka rekomanduar si vend edhe Zëvendës-Presidentit.

Vdekja e Bari Drishtit në New Jersey, është përshkruar sot edhe nga shtypi local e rrjetet sociale në Amerikë. Gazeta më e madhe në ketë shtet – “Hudson-Reporter”, shkruan se me t’u për hapur lajmi me vedekjen e tij më shumë se 50 mijë vetë klikuan në lajmin e vdekjes së tij.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bari Drishti, Beqir Sina, do te pushoje, ne shkoder

NDERROI JETE SHKRIMTARI PETRAQ ZOTO

September 7, 2015 by dgreca

Nga Raimonda Moisiu/

Shuhet  shkrimtari i mirënjohur  korcar Petraq Zoto-ky rrëfimtar terrifik, Pionier i letrave shqipe./

*Tronditet komuniteti i Letrave Shqipe, dhe Klubi i Shkrimtareve “Bota e Re”, Korce!/

 *Rest in Peace MJESHTER I Rrefimit dhe Dialogut!/

Ajo c’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, është se ai në radhë të parë i përket binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. Njeriu që transmetonte  mesazhin hyjnor të dashurisë njerëzore. Kjo,  jo për shkak  se ka lindur në Ziçishtin e dashurisë e të traditës kulturore,  por sepse ai ka sjelle  për lexuesin tregime e romane me dashurinë e një zemre humane. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit  personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.  Zoto është një rrëfimtar i talentuar dhe krijonte karaktere realiste  bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësive të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Sotir Andoni,  Teodor Laco, e cila vijon më tej më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, etj, Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, zotëronte një  ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës. Ai ka shkruar dhjetra  tregime e romane.  I pëlqente  të eksperimentonte  me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sillte  në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij dhjetravjecare. Shkrimtari i mirënjohur  korcar Petraq Zoto si një pionier i letrave shqipe, mbetet një rrëfimtar terrifik, zotëronte  talentin dhe forcën letrare –artistike në ndërtimin e karaktereve realistikë me një sens të mprehtë; të  së mundëshmes e të paparashikueshmes, një vështrim të brendëshëm dhe ndjeshmëri mahnitëse, stil poetik , që synon subjektin e vështirë, ta transforomjë në një subjekt të dritës e shpresës, arrinte të depërtonte  brenda të bukurës e njerëzores.

Si intelektuale e shkrimtare, si mike e kolege, bashkeqytetare e Korces  me Shkrimtarin e Shquar Petraq ZOTO, por edhe si Kryetare e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane ne Diaspore dhe Anetare e Kryresise se Klubit te Shkrimtareve Korcare  “Bota e Re”-i kerkoj Ministrise se Kultures znj. te nderuar Mirela Kumbaro, Keshilltarit Diplomatik per Artin e Kulturen Shqiptare prane Kryeministrise, – i referohem z. Fate Velaj-te hapin dyert e Ministrise se Kultures -qe miq e mikesha, kolege e shoke, dashamires te krijimtarise se Shkrimtarit , Mjeshterit te Rrefimit e Dialogut, te Shquarit Petraq Zoto, – i ndare sot nga jeta -t’i behen Nderet dhe Homazhet, nga Bota e letrave Shqipe, nga miq e kolege te aferm e njerezit e tij te dashur,nga krejt Shoqeria Shqiptare per t’i dhene Lamtumiren ketij njeriu qe i ka dhene aq shume Letrave Shqipe!

Raimonda MOISIU

Anetare e Kryresise se Klubit te Shkrimtareve Korcare  “Bota e Re”

Filed Under: Kronike Tagged With: nderroi jete, Petraq zoto, Raimonda Moisiu, shkrimtari

Papa: Nga Shqipëria mund të lindë një profeci e re paqeje

September 6, 2015 by dgreca

Tirana për tre ditë kryeqytet i botës besimtare/

TIRANE, 6 Shtator/- Për rreth tre ditë, Tirana do jetë kryeqyteti i gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare për tre ditë rresht.Paqja, toleranca fetare dhe dialogu janë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nisi pasditen e së dielës në Tiranë (6 shtator) dhe do vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.IMG_8969

Në ceremoninë e hapjes së këtij takimi në Pallatin e Kongreseve, Kryeministri Edi Rama u uroi mirëseardhjen në vendin e bashkëjetesës fetare rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.

“Mirësekeni ardhur në Shqipëri, në vendin që Papa Françesku e quajti vendin e vllazërisë fetare. Ndonëse po ju drejtohem thjeshtë dhe pa emërtesat ceremoniale, të jeni të sigurtë se keni vlerësimin tim më të lartë, jo vetëm për atë që përfaqësoni, por edhe për atë përmasë të paçmuar shpirtërore që përçoni në kohët e vështira që jetojmë, si melhem për qindra mijëra milion besimtarë, por edhe njerëzve vullnetmirë”, iu drejtua kryeministri Rama të ftuarve në nisje të takimit.

Por Rama veçoi një prej të ftuarve. “Askush nuk do të më mbajë mëri, nëse përshëndes në mënyrë të veçantë, një bari shpirtrash i cili vjen për herë të parë në Shqipëri duke na e bërë të gjallë me praninë e tij, rezistencën përballë martirizimit të popullit iraken dhe të krishterëve atje, në mënyrë të veçantë. Prandaj, për forcën e paepur morale dhe për kujtesën që na përcjell që lindja e ardhme e bashkëjetesës fetare dhe e krishtërimit shpirtbardhë irakian nuk ka vdekur. Qofshi i mirëseardhur në Tiranë” i tha Rama imzot Sakos, Patriarku i Babilonisë së Kaledjve.

“Ja ku jemi këtu sot në të njëtin vend, në këtë pallat i cili u çel për ti bërë jehon progandës më të shfrenuar të një regimi atesit. Pikërisht ky pallat, ka mbledhur këtu së bashku të gjthë ju si shprehja më kuptim plotë se paqja jo vetëm është e mundëshme por edhe e vetmja mundësi që e ardhmja na afron. Kjo nismë është edhe një ekologji e shpirtit të arsyes”, tha Rama.

IMG_8880Në këtë takim u lexua edhe një letër e shkruar nga Papa Françesku, ku shpjegon edhe një herë se arsyeja e vizitës së tij vitin e kaluar në Shqipëri ishte për shkak të bashkëjetesës në vendin tonë.

Më tej në letrën e Papa Françeskut, i bëhet thirrje të gjithëve për të mos qëndruar indiferent ndaj krizës së emigrantëve, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.

 

Në vijim, mesazhi i plotë i Atit të Shenjtë:

“Ju përshëndes të gjithëve me respekt dhe shpresë se takimi ndërkombëtar për paqen mbahet në Tiranë. Këto takime janë në vazhdën e rrugëtimit të nisur nga Shën Gjoni Pali i II, i cili realizoi takimin e parë historik në Asizi në tetor 1986. Qysh atëherë u çel një shtegtim në të cilin marrin pjesë burra dhe gra që iu përkasin besimeve të ndryshme që vit pas viti ndalet në qytete të ndryshme të botës.Nis takimi 28-te Nderkombetar per paqen ne Tirane Foto Agim Dobi (14)

Ndërsa ndryshojnë skenarët e historisë, popujt janë të thirrur të ballafaqohen me shndërrime të thella, ndonjëherë dramatike.

Ndihet gjithnjë e më shumë nevoja që ndjekësit e besimeve të ndryshme të takohen, të dialogojnë, të ecin së bashku e të bashkëpunojnë për paqen, sipas shpirtit të Asizit që përmenden në dëshminë e shndërritshme të Shën Françeskut.

Këtë vit ju keni zgjedhur të ndaleni në Tiranë, kryeqyteti i një vendi që u bë simbol i bashkëjetëses paqësore mes besimeve të ndryshme fetare pas një historie të gjatë vuajtjesh. Është në zgjedhje që unë e bashkëndaj, siç e tregova me vizitën time që kreva në atë qytet në shtatorine vitit të shkuar. Unë zgjodha Shqipërinë, si vendin e parë evropian që doja të vizitoja pikërisht për ti dhënë zemër bashkëjetesës paqësore, pas përndjekjeve tragjike që pësuan besimtarët shqiptarë gjatë shekullit të kaluar. Lista e gjatë e martirëve na flet ende sot për atë kohë të errët, por na flet edhe për forcën e besimit që nuk dorëzohet, nuk thyhet nga prepotenca e së keqes.

Nis takimi 28-te Nderkombetar per paqen ne Tirane Foto Agim Dobi (12)Në asnjë vend tjetër në botë nuk ka qënë kaq i fortë vendimi për të përjashtuar Hyjn nga jeta e një populli. Mjaftonte qoftë edhe një shenjë e vetme fetare për të dënuar me burg, madje edhe me vdekje. Kjo ndodhi shumë e zezë e ka prekur thellë popullin shqiptar deri në çastin e lirisë së rigjetur, kur anëtarët e bashkësive fetare, të goditur nga vuajtjet e përbashkëta kanë filluar sërish të jetojnë në paqe së bashku. Për këtë miq të dashur, unë ju jam vërtet mirënjohës veçanërisht ju që keni zgjedhur Shqipërinë. Do të doja të theksoja së bashku me ju atë ç’ka thashë vjet në Tiranë, bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme mes personave dhe bashkësive që iu përkasin besimeve të ndryshme fetare është vetëm ajo ç’ka dëshirojmë dhe krejtësisht e mundur e zbatueshme.
Ky është shpirti i Asizit, të jetojmë së bashku në paqe, duke kujtuar se paqja dhe bashkëjetesa kanë një themel fetar. Lutja është gjithnjë në rrënjët e paqes dhe pikërisht sepse e ka themelin e vet paqja është gjithnjë e mundshme ështu siç është emërtimi i takimit tuaj i këtij viti.

Është e nevojshme që të forcohet sidomos sot kur në disa pjesë të botës duket sikur po fiton dhuna, përndjekja dhe shkelja e lirisë fetare, bashkë me nënshtrimin e njerëzve përballë konflikteve e luftrave të cilat vazhdojnë. Nuk duhet t’i dorëzohemi kurrë luftës dhe nuk mund të qëndrojmë indiferent përpara atyre që vuajnë për shkak të luftës dhe dhunës.Nis takimi 28-te Nderkombetar per paqen ne Tirane Foto Agim Dobi (10)

Për këtë arsye unë zgjodha për ditën e ardhshme botërore të paqes fjalinë “mposhte indiferencën dhe fitoje paqen”. Por dhunë nuk është vetëm të ngresh mure e pengesa për të bllokuar atë që kërkon paqe, dhunë është të zmbrapsësh atë që largohet nga kushtet çnjerëzore duke shpresuar në një të ardhme më të mirë. Është dhunë të përjashtosh fëmijë e të moshuar nga shoqëria dhe vetë jeta.

Është dhunë ta zgjerosh hendekun mes atij që harxhon tepricën dhe atij që ka nevojë për gjerat më thelbësore. Në këtë botën tonë besimi tek Hyj na bën të besojmë dhe të themi me zë të lartë se paqja është e mundshme. Si besimtarë ne jemi detyruar ta rizbulojmë përsëri këtë thirje universale për paqen, e cila ndodhet në zemrën e traditat tona fetare dhe t’ia ripropozojmë me guxim burrave dhe grave të kohës sonë.

Nis takimi 28-te Nderkombetar per paqen ne Tirane Foto Agim Dobi (13)Dhe e theksoj atë që thashë gjithmonë në Tiranë, besimi i mirëfilltë është burim paqeje dhe jo dhune. Askush nuk mund të përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është një sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Hyjit nuk është njjerëzore. Të dashur miq të thuash që paqja është gjithmonë e mundshme nuk është një fjalë e lehtë, por shpreh besimin tonë se asgjë nuk është e pamundur për Hyjin.

Sigurisht na kërkohet një përfshirje personale ashtu edhe e bashkësive tona për punën e madhe për paqen. Nga toka shqiptare, nga toka e martirëve të mund të nisë të lindë një profeci e re paqeje. Unë bashkohem me të gjithë ju që në shumëllojshmërinë e traditave fetare ne të mund të vazhdojmë të jetojmë pasionin e përbashkët për rritjen e bashkëjetesës paqësore në të gjithë popujt e tokës”.

Klosi: Shqipëria, vendi i harmonisë fetareIMG_8825

Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi deklaroi se takimi i 28-të organizohet në kryeqytetin e harmonisë fetare.

“Vetëm në 2 vjet mbështetëm ndërtimin e Xhamisë së Madhe përuruam katedralen e Ortodokseve, pritëm të gjithë sëbashku Papa Franceskun dhe në këto ditë të paqes do përurojmë odeonin e bektashinjve. I nderuar që ju drejtohem në këto ditë, për të thënë se paqja është gjithnjë e mundur”, tha Klosi.

Si përfaqësues të shtetit , vijoi ai, ne kemi detyrimin të garantojmë të drejtën e besimit për të gjithë qytetarët. Shqipëria, sipas tij, është e shndërruar në pikë referimi të bashkëjetesës fetare

IMG_8833Në këtë takim tre ditor marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.

Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, si dhe ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi.

Edhe dita e dytë vijon me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi.IMG_8805

Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë. Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia.

Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.(Kortezi:ATSH)

Filed Under: Reportazh Tagged With: nje profecia e re, Papa, shqiperia, tirana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT