• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Lokacioni i Termocentralit “Kosova e Re”

January 18, 2016 by dgreca

“Nëse na kanë çlirua nga sundimi gati një shekullor serb, nuk do të thotë se duhet të na vrasin ngadalë neve dhe gjeneratat e ardhshme, “lobet e ndryshme” të dyshimta edhe politikisht ”/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/
Kur këtyre ditëve mjegulla dhe bora e mbuloi territorin e Kosovës për disa ditë,pos problemeve të shumta që krijoj, ndotja e madhe e ajrit ishte evidente në të gjitha vendbanimet e posaçërisht në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë dhe rrethinë,e cila pos ndotësve standardë i ka edhe ndotjen ekstra nga prodhuesit e energjisë elektrike që e shfrytëzojnë thëngjillin e shumtë për termocentralet ekzistuese në Kastriot. Se në cilin mjedis jemi duke jetuar dhe vepruar,nuk ka nevojë të kesh dituri,mjafton të vëresh ngjyrën e borës së këtyre ditëve,kjo e tregon një gjendje alarmante mjedisore në të cilën janë banorët e kryeqytetit dhe rrethinës. Teknologjitë e reja në shekullin e ri mundësojnë shfrytëzimin e thëngjillit në shumë fusha tjera pa e ndotur ambientin,për këtë ka ardhur koha me menduar seriozisht pasi në Kosovë ka rezerva të mëdha të thëngjillit.
Për të gjithë ne duhej të ishte lajm i mirë iniciativa e Qeverisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Vetëm i marri do të kundërshton zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës, duke respektuar principet e zhvillimit të qëndrueshëm,ku shfrytëzimi i burimeve energjetike te ripërtërishme është njëri prej parakushteve themelore për zhvillim. Duhet respektuar të gjitha direktivat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit,a thua është duke u vepruar në rastin konkret ashtu ?
Ta kemi të gjithë të qartë se dokumenti i nënshkruar së fundmi me kompaninë Amerikane “Contour Global” është vetëm një marrëveshje mirëkuptimi dhe asgjë tjetër,është manovër politikë i cili ka efekte propagandistike. Çmimi prej 1 miliard eurosh është orientues, i cili sipas kundërshtarëve të projektit mundet të arrijë deri në 4 miliard euro,çmim marramendës për rrethanat tona.
Ajo çka tmerrësisht i brengos njohësit e kësaj fushe është se i tërë ky proces është duke u zhvilluar me një fshehtësi jo normale. Jo transparenca e përcjell edhe me dyshime të arsyeshme nga dashamirët apo kundërshtarët e projektit,vetëm e rritë bindjen se diçka e dyshimtë është duke ndodhur me këtë projekt që 17 vite,pasi tentimet për të ndërtuar kapacitetet e reja energjetike deri me tani kanë dështuar.
Është legjitime të kërkohet të ketë kujdes të madh gjatë caktimit të lokacionit të kapaciteteve të reja energjetike,pasi ato do të ndikojnë direkt në parametrat e lejuara të ndotjes së mjedisit jetësorë në këtë regjion. Është një histori e gjatë kërkesa për të ndërtuar këto kapacitete të reja të cilat u emërtuan “Kosova e re”. Kishte shumë obstruksione në procesin e komplikuar të ndërtimit,kapacitetet prodhuese u ndryshuan disa herë,termet e referencave dhe kushtet e kontraktimit u përpiluan varësisht se kush ishte në pushtet. Ma e rëndësishmja nga aspekti hapësinor dhe urban është caktimi i LOKACIONIT të ri të objekteve prodhuese të rrymës, i cili duhej të ishte faktori kryesor pasi rezervat e thëngjillit janë shumë afër vendbanimeve.
Falë politikave të gabuara hapësinore dhe urbane në Prishtinë,afërsia e madhe e tyre me kryeqytetin është zvogëluar me vijën ajrore ekzistues afro 3 km,kjo ka mundësuar ndotjen permanente të kryeqytetit dhe vendbanimeve tjera që janë në afërsi të tyre. Një nga vërejtjet kryesore të mija në “PZhK dhe PZhU 2013” të Prishtinës ishte “Zgjerimi i qytetit në anën perëndimore ku funksionojnë kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike “Kosova A,B”…” Realiteti është ndryshe,zgjerimi në perëndim është duke ndodhur. Deri me tani ky element i rëndësishëm hapësinor është injoruar tërësisht nga vendimmarrësit komunal.
Lokacioni i pretenduar (raporti i VSMS i vitit 2008 rekomandon ndërtimin në lokacionin e “Kosova A”),raporti është punuar me të dhënat e mangëta dhe të varfra që iu janë “servuar” përpiluesve. Ai lokacion do të jetë vetëm vazhdimësi e asaj çka ka ngjarë me vendbanimet afër termocentraleve ekzistuese. Janë 20 qyteza dhe fshatra,afro 32000 banorë që jetojnë në zonën e rrezikshmërisë së lartë. A thua duhemi edhe dhjetëra vite të tjera (50 vite) të “helmohemi” nga këta ndotës, nëse zgjedhim lokacionin e termocentralit të ri në lokacionet ekzistuese të objekteve energjetike,pa marr parasysh në “mbulesën” me direktivat evropiane të cilat në Kosovë nuk do të funksionojnë gjatë eksploatimit të termocentraleve të reja,ashtu si ka ngjarë në kohën e monizmit,edhe deri në ditët e sotme pa marr parasysh mjetet e mëdha materiale (afër një miliard euro) që janë shpenzuar pas vitit 1999.
Si është e mundur të preferohen lokacionet ekzistuese të elektranave “A” dhe “B” të cilat janë ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë,gjegjësisht tetëdhjetë, në atë kohë vendbanimet për rreth kishin numër të vogël të banorëve, sa i përket Prishtinës si kryeqyteti i Kosovës as që duhet diskutuar. Kryeqyteti i Kosovës pas vitit 1999 është invaduar nga të gjitha anët,sot ka një numër të madh banorësh, kurse lokacioni propozohet ai i njëjti sikur viteve tetëdhjetë, kur Prishtina kishte numër të vogël banorësh,kjo me të vërtet nuk donë mençuri e as profesionalizëm.
Lokacioni definitiv do të duhej detal të caktohej, me të gjitha elementet substanciale të ekzistencës së popullatës,pa cenuar interesin kombëtar pas shumë shekujve e për këto çështje duhet pasur guxim qytetar dhe shtetëror në të gjitha nivelet. Këtë duhet bazuar në kërkesat reale për energji elektrike nga thëngjilli si rezultat i zhvillimit ekonomik vendor.
Pa marr parasysh koston e shpenzimeve, kapacitetet e reja energjetike do të duhej vendosur në një zonë ku do të ketë implikime minimale në mjedis,në jetën e njerëzve (sugjerohet transporti i thëngjillit), për këtë ekzistojnë mundësitë teknike si dhe ato natyrore. E tërë kjo është duke ngjarë në mënyrë stihike pa studime dhe analiza hapësinore dhe urbane,ku do të shihej ndikimi katastrofal në mjedis, në afërsi të kryeqytetit, e sa për vendbanimet tjera afër ata po mashtrohen që 50 vjet me premtime boshe.
Prapë,për të satën herë po e përsërisë kërkesën time profesionale,që të rishqyrtohet nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar,të pa varur nga politika dhe ndikimet e dyshimta të grupeve të interesit. Lokacioni i ndërtimit,pasi ai ekzistuesi dhe i propozuari nga eksponentët e dyshuar politikisht, as për së afërmi nuk i plotëson kriteret, normat,standardet dhe direktivat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. A thua përse është sugjeruar transporti i thëngjillit kosovar për nevojat e prodhimit të energjisë elektrike për regjionin,para shumë vjetëve në kohën e monizmit, në ish Jugosllavi ?
Të kota,të pa vlera janë arsyetimet e ndryshme “profesionale” të ngjyrosura politikisht për LOKACIONIN e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë,këtë do ta tregoi edhe koha të cilën ne nuk e çmojmë e atëherë do të jetë tepër vonë. Këtë e kemi obligim së pari ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj gjeneratave të ardhshme pasi jemi në fazën e vendimit me shumë përgjegjësi që duhet marr nga kjo gjeneratë aktuale e vendimmarrësve.

Prishtinë
arch. Ylber Vokshi -Ylli
arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova e Re, Lokacioni i Termocentralit, Ylber Vokshi

Kosovë-Parandalimi i ekstremizmit dhe terrorizmit prioritet

January 18, 2016 by dgreca

– Kryeministri Mustafa: Qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e donatorëve lidhur me zbatimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që qon në terrorizëm.
“Konsideroj se aktiviteti ynë në parandalimin e ekstremizmit dhe dhunës që qon në terrorizëm është një prej prioriteteve të cilin ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si Kosovë duhet ta zhvillojmë. Duhet ta zhvillojmë bashkërisht sepse me rastin e aprovimit të Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, për periudhën 2015-2020, ne kemi vlerësuar se sikurse radikalizmi ashtu edhe terrorizmi nuk janë çështje të cilat mbërthehen vetëm në një vend, në një regjion, në një kontinent, por kapërcejnë këta kufij. Prandaj edhe lufta dhe aleanca kundër këtyre dukurive duhet të jetë globale. Kosova vlerëson se është një vend i vogël, por po ashtu vlerëson se e ka përgjegjësinë e vet në këtë luftë të përbashkët të cilën ne duhet ta zhvillojmë me vendet e tjera, sepse pasojat nga terrorizmi janë shumë të mëdha, janë afatgjate dhe kërkojnë domosdoshmërisht një aleancë të përbashkët që ne ato t’i tejkalojmë dhe të luftojmë kundër tyre”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa theksoi se në suaza të Qeverisë me planin e punës që është bërë me objektiva konkrete, janë përcaktuar edhe bashkërenditja dhe koordinimi i aktiviteteve kundër terrorizmit dhe radikalizmit.
“Kemi vlerësuar se këto aktivitete duhet t’i zhvillojmë së bashku me ju, së bashku me shoqërinë civile, së bashku me njerëzit të cilët punojnë në arsim dhe edukim, dhe me bashkësitë fetare. Në hartimin e Strategjisë kemi pas një mbështetje të konsiderueshme të të gjitha këtyre subjekteve, dhe ne vlerësojmë se një mbështetje të tillë do ta kemi edhe në sendërtimin, përkatësisht implementimin e kësaj Strategjie”, tha kryeministri.
Duke folur për angazhimet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti të këshilltarit politik për çështje të sigurisë, Edon Myftari, kryeministri Mustafa theksoi se në këtë rrugë nuk është e mjaftueshme vetëm bashkërenditja, por është i nevojshëm një bashkëpunim shumë i gjerë.
“Strategjia jonë definon disa faza të punës, të cilat ne duhet të angazhohemi veçmas në parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e atillë që mos të orientohen në mënyrë të dhunshme. Kërkon masë edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre t’iu sigurohet punësimi dhe mirëqenia, dhe kjo mos të jetë shkas i bashkimit me grupe të ndryshme. Kërkon po ashtu edhe masa të riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen, sepse paraqesin rrezik të veçantë për vendin, dhe ne duhet të punojmë bashkërisht se si ata t’i riintegrojmë, por natyrisht edhe organet e drejtësisë duhet të punojnë me masa të caktuara”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi edhe njëherë që qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane.
“Qytetarë tanë janë të orientuar krejtësisht në mënyrë pro evropiane dhe pro amerikane, kanë pranuar vlerat e demokracisë evropiane dhe amerikane, por natyrisht që edhe aktiviteti jonë që të punojmë me ta kërkon që të jemi bashkërisht”, theksoi kryeministri Isa Mustafa./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Isa Mustafa, parandalimi i ekstremizmit

Kosovë-Bashkë për zgjidhjen e krizës

January 18, 2016 by dgreca

-AAK: Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike, deklaroi sot partia opozitare AAK, e udhëhequr nga kryetari Ramush Haradinaj.
“Kriza politike që ka përfshirë Kosovën, asnjëherë nuk ka qenë më e thellë se sa sot. Shumë nga politikanët, intelektualët, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët e zakonshëm, por edhe partnerët ndërkkombëtarë, po përpiqen të jenë pjesë e zgjidhjes, qoftë me ide, qoftë me veprime konkrete.
Do të duhej që pjesë e zgjidhjes të bëhën edhe ata që e kanë shkaktuar këtë krizë, e jo të provojnë që ta thellojnë atë akoma më shumë, me shpresë se vetë do të jenë të kursyer”, shprehet AAK në deklaratën e dërguar.
Më tej shtohet se, idetë që të krijohen dofarë komisionesh që do ta intepretonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për Asociacionin, apo thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize.
“Prandaj të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, nuk do të duhej të ndërmerrnin veprime që e rëndojnë situatën, por që janë në funksion të zgjidhjes së krizës politike që e ka përfshirë vendin”, theksohet më tej.
AAK shprehet se, do të jetë e përkushtuar të japë gjithçka nga vetja, që vendi ta kapërcejë këtë krizë./b.j/

Filed Under: Featured

Shërbëtoret e Serbisë hapin xhamia neper Europë

January 18, 2016 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Pse shqiptarët e mërgatës nëpër Europë pa fije kontrolli ndaj vetvetes po bëhen shërbëtor të shërbimeve sekrete ruso-serbe dhe po i “ndjekin” mësimet fetare nëpër xhamitë ( pa minaret ) të hapura posaçërisht për ta? E dinë burrat e botës që fëmijët e tyre po bëhen vegla të lira po të atyre shërbimeve?
Miku nga Zvicra shkruan: “Hapja e Xhamive te shumta ne zonat ku janë përqendruar numër me i madh i mërgimtareve shqiptar ne Zvicër, paraqet një rrezik te madh për radikalizmit e tyre, sidomos te te rinjve. Sipas disa burimeve, numër jo i vogël i fëmijëve shqiptar te shtyre nga prindërit e tyre, kane braktisur apo nuk e vijojnë fare mësimin plotësues ne gjuhen shqipe, te cilin ua ka garantuar shteti zviceran, dhe vijojnë mësimet e fesë ne gjuhe arabe dhe turke. (n.h.)”
Si është e mundur që gjenerata e tretë e mërgimtarëve shqiptar në vend se të ruan identitetin e tyre kombëtar , po humbën në rrjedhat vdekje-prurëse te shërbimeve sllavo-ruse , shërbime keto të ndihmuara me kujdes të të posaçëm nga Turqia ?
“Mërgimtar, kujdes fëmijët” shkruan Nexhati . Mërgimtar kujdes , se mbështetjen nga shteti i juaj nuk e keni.
Të jeni të sigurt që shtetit tonë apo shteteve tona aspak nuk po iu intereson se ç`po ndodhë me ju në diasporë. Ju , bashkatdhetar të nderuar jeni vetëm për të sjellur para në vendlindje ; shtetit nuk i intereson se e flitin shqip , se fëmijët e juaj e ndiejnë veten shqiptar apo jo ?
“Ka kohë që mediet zvicerane shprehin shqetësimin për xhaminë në Winterthur, që sipas tyre promovon radikalizmin dhe është kthyer në qendër të rekrutimit të të rinjve zviceranë drejt ISIS-it.” por, nuk është vetëm Winterturi ( një qender e madhe universitare e Zvicrës ).
“Organizuesit e rekrutimit të tyre janë në xhaminë An’Nur,” thotë një mik i familjes shqiptare për Blick. “Ata veprojnë profesionalisht, duke mbushur valixhet me para, për të arritur qëllimet. Për këtë kanë faj edhe autoritetet zvicerane që nuk marrin masa konkrete për parandalim.”
Po kush janë këta organizuesit e rekrutimit ? I njihni ? Ata flasin shqip ,përderisa të mbushin mendjen e një njomëze të re shqiptare për punë të mbrapshta; sepse ata nën petkun e hoxhës dhe gjuhës shqipe janë shërbëtorë të rrezikshëm te Serbisë , Rusisë dhe Turqisë.
“Në radikalizmin e editave , egzonave , alabanëve, ka luajtur rol të madh edhe një grua e “papunë” dhe me shumë “kohë të lirë”, që e ka bindur se myslimanët mund të jenë të lirë vetëm në vendet Islame. Atyre i është premtuar edhe gjetja e një shtëpie në Siri, thonë miqt e familjeve të viktimave serbe-turke.

Ëndrra e një jete më të mirë në Siri “ një mashtrim epokal në të cilin mund të ngërthehet vetëm prapambetja mendore e disa dhe shumë shqiptarëve. Të jetosh në Zvicër në një shtet mik , me të gjitha të drejtat njerëzore që i takojnë edhe një zvicerani të vërtetë, e te ëndërrosh për një jete me të mirë në shkretëtirat e Sirisë ? Ky është naiviteti prindor i familjeve shqiptare të cilat edhe për tri gjenerata në Perëndim nuk kanë mundur ta hjekin nga mendja , nga truri i tyre robërimin qindra vjeçar.
Por e kam një “ ngushëllim” për këta të mashtruar në perëndim se nuk keni nevojë të shkoni në Siri sepse ë shpejti në Tiranë dhe në Prishtinë do t`i keni xhamitë më të mëdha në botë .
“Gjaku i shqiptarëve në Siri e Irak do të materializohet në xhaminë e dhjetëra shitoreve, ndërsa kreun e BIK-ut i bëri njerëzit më të pasur në shtet, tagrambledhësit e haraçit në gjak. Xhamia do të ndërtohet në pjesën më urbane e ambientin më të arsimuar të Prishtinës. Qytetarinë shqiptare perëndimore që është pjesa dërmuese e kryeqytetasve, ka nis t’i mbërthej tmerri nga plani i qeverisë për ndërtimin e xhamisë. Ata prisnin që t’ua ndërtonin një sallë koncertesh pikërisht në vendin ku e caktoi qeveria lokacionin e xhamisë. Fondet e BE-së ishin të gatshme për këtë qëllim, por zyrtarët tonë nuk mund të zhvatnin nga BE-ja, ndërsa fondet islamike ua kishin mbushur xhepat me para. Për tmerr- Lagjja Elitare do të shndërrohet në mëhallë orientale.
Në vend të fabrikave e teatrove, shteti ndërton xhami! “ ( shkruan Gani Mehmetaj)
Përderisa piloti amerikan që e bombardoi Serbinë për ne e ngritë flamurin shqiptar , në të shpëtuarit po nga ata pilotë e ngrisim flamurin e turpit në Evropë , dhe e grushtojmë rëndë të ardhmen kombëtare . Marre !
Fahri Xharra, 18.01.16
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: e Serbisë hapin xhamia, Fahri Xharra, neper Europë, Shërbëtoret

Patriotizmi i popullit të Lushnjës, në mbështetje të Kongresit Kombëtar

January 18, 2016 by dgreca

Me rastin e 96 Vjetorit te Kongresit Kombetar te Lushnjes/
Ne Foto:Shtëpia muze Kongresi i Lushnjës/
Nga Autor Niko FERRO/
Po e nisim artikull tonë me disa pyetje. Si ishte atmosfera në qytet në kohën kur u zhvillua Kongresi Kombëtar në vitin 1920 ? A ka dëshmi për këtë ? Çfarë thuhet për këtë ngjarje? Çfarë kontributi dhanë lushnjarët në këtë Kongres? Cilat ishin vendimet që u morën në Kongres?
Të shkruash për këtë ngjarje të rëndësishme historike, të zhvilluar në qytetin e Lushnjës, plot 96 vjet më parë, është një nder i madhë, një kontribut modest, i cili nxjerr në pah vlerat e atdhetarizmit dhe të patriotizmit të lushnjarëve, ku së bashku me shumë patriotë të tjerë anembanë vendit garantuan një zhvillim normal të Kongresit.
Mësojmë se më 31 Dhjetor 1919, në teqen e Karbunarës kishin filluar përgatitjet për thirrjen e një Kongresi në Lushnjë, me këtë rast u ngrit dhe një Komision i posaçëm, i përbërë më së shumti nga 28 veta. Komisioni në fjalë përbëhej nga : Besim Nuri Kryetari i Bashkisë, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Ferit Vokopola, Emin dhe Mustafa Vokopola, Llazar dhe Jakov Bozo, Nebi Sefa, Qemal dhe Zija Mullai, Eshref Frasheri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skender Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Aziz, Hasan Islami (Like), Hamit Xheka.
Ky Komision ishte ngarkuar për të plotësuar kërkesat për një zhvillimin normal të Kongresit, përpara se të vinin delegatët në Lushnjë, sakaq ata duhet të siguronin edhe disa çështje, si psh strehimin e delgatëve, duke parë që numri i madhe të njerëzve të cilët i shoqëroni e bënin të pamundur strehimin e tyre në vetëm pesë hanet kryesore të qytetit. Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë qyteti i Lushnjës numëronte një popullsi prej 2800 banorë. Pavarësisht numrit të vogël të haneve në qytet, shtëpitë e lushnjarëve të gjitha pa përjashtim, u treguan të gatshme për të strehuar dhe pritur delegatët apo njerëzit i shoqëronin ato. Theksojmë se bujaria dhe mikpritja lushnjare shprehej kudo. Me zgjidhjen e problemit të strehimit të Delegatëve, Komisioni Nismëtar u morë gjithashtu me caktimin e njerëzve, të cilët do shpërndanin postën, por edhe për këtë dolën probleme, nevojiteshin kuaj të mirë dhe të shpejt, për t’i vënë në dispozicion të korrierëve. Por edhe ky problem u tejkalua. U vendos gjithashtu që me shpërndarjen e Postë-Telegrafit puna do ndahej kështu: Zoi Ndreka dhe Sil Keqi për zonën Fier-Vlorë. Taullah Sinani dhe Muç Bani për zonën Peqin-Tiranë-Mat-Shkodër. Idriz Çela për zonën e Beratit. Mahmut Bidri dhe Demir Arapi për zonën Elbasan-Gramsh. Selman Arapi dhe Bajram Haxhiu për zonën Kavajë-Durrësin.
U zgjidh gjithashtu edhe problemi i furnizimeve me ushqim, ku përveç Lushnjës të gjitha fshatrat përreth saj do kontribuonin me ushqime sipas mundësive. Për furnizimin përgjigjeshin Dervish Zylyfi, Sil Prifti, Hamit Xheka, Tahir Xhumari, Jonuz Sefa.
Ngelej për t’u përcaktuar vendi se ku do të mbidheshmin Delegatët. Fillimisht u mendua që delegatët të vendoseshin në një magazinë, në dalje të qytetit, rrugës që shkon për në fshatin Hajdaraj. Por kjo nuk ishte e përshtatshme, pasi se ishte tepër e vjetruar. U propozua, që shtëpia më e përshtatshme për të zhvilluar një mbledhje, ishte ajo e “Fugëve”, ku fal mbështetjes të zotit të shtëpisë u ra dakord që delegatët të mblidheshin aty. Por për ta përshtatur këtë shtëpi në një sallë mbledhjeje duhej dhe një rregullim apostafat.
Komisioni Nismëtar, vendosi që në sallën ku do të mblidheshin delegatët, të përgatitej nga Drejtori i Shkollës Plotore Nikollaq Progri. Mësojmë se ai e mirëpriti kërkesën dhe u vu menjëherë në lëvizje. Ai solli aty një tavolinë dhe katër karrige ku do qëndronin Kryetari, bashkë me dy Sekretarët të Kongresit, solli gjithashtu edhe dy foto. Njëra ishte e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe tjetra e Patriotit Ismail Qemali, këto ai i vendosi në sallën kryesore ku do mblidheshin delegatët, bashkë me këto ai vendosi edhe flamurin kombëtar, të sjell apostafat nga Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari.
“Ndërkaq anëtarët e Komisionit vuri re se në “Sallën e Mbledhjes” mungonin karriget, ku delegatët do zinin vend”. Problem ngelej gjetja e tyre”. Kështu ata vendosën ti drejtoheshin përsëri Drejtorit të Shkollës Plotore, nëpërmjet një shkresë me datë 16.01.1920. Aty thuhet: “Meqenëse shkolla duhet për Delegatët e Kongresit që po urdhërojnë këtu, jeni të lutur që sot tëna lironi shkollën, mësimet do vazhdojnë në Xhami, bangat duhen për Mbledhjen Kombëtare. Prandaj jemi të lutur përsëri tëna i dorëzoni. Firmosur Komisioni”. Drejtori së bashku me mësuesit ranë dakord që mësimet të zhvillonin në Xhamin e Vogël të qytetit, ndërsa bangat e vogla të shkollës, i çuan në sallën ku do zhvillohej Mbledhja.
Edhe sot për kureshtarët, në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës, bangat e ekspozuara aty kanë përmasa të vogla, pikërisht për t’i kujtuar këtë fakt historik.
Në lidhje me atmosferën e krijuar në qytet, delegati i Pogradecit Gjoka Ndini Gusho shkruante: “Rrugës kur po kalonim nëpër Dumre [e Darsi, pamë të] dilte populli[përpara], burra të armatosur na shoqëronin. [Kur] arritëm në Lushnjë…..populli na priti me këngë e valle. Lushnja dukej si në ditë feste. Në zyrat, në shtëpitë, në dyqanet ishte varur flamuri kombëtar. Na u gëzua zemra kur pamë flamurët të valojnë të lirë, sepse në Pogradec nuk i lejonin”.
Tek porta e madhe e shtëpisë ku do zhvillonte punimet Kongresi ishte radhitur një tog e Xhandarmërisë me në krye Kapitenin Meleq Frashërin, i cili priste delegatët me nderime ushtarake. Në të hyrë të shtëpisë qëndronte Nën/Togeri Prenk Jaku i cili kishte pranë disa prej vullnetarëve të veshur bukur me petka kombëtare.
Në qytet ishte vendosur rregulli për bukuri, sipas porosive të Kryetarit të Bashkisë Besim Nuri, edhe alkooli ishte ndaluar në pijetoret. Xhandarmëria bënte patrullimet të shpeshta në rrugët kryesore të qytetit, aty këtu dukeshin edhe ushtarë italian të armatosur. Pavarësisht se Mbledhja e Kongresit më 13 janar ishte shpallur e paligjshme nga Qeveria e Durrësit, kjo nuk i frikësoi pjesëmarrësit. Madje katër ditë më pas, populli i Lushnjës ju drejtua me një letër Kapitenit të Ushtrisë Italiane të pushtimit, Kolonel Rudolfit, dhe Inspektorit të Xhandarmërisë në Berat me anën të së cilës protestohej vendimi i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, e cila kishte urdhëruar ndalimin e Mbledhjes. Në letër thuhej: “..këtu në Lushnjë, me dëshirën e tërë Shqipërisë, po mblidhet një Kongres Kombëtar, i cili si tregohet sheshazi nga programi përbëhet me qëllim qytetorë dhe besohet si brenda ashtu dhe jashtë… Qeveria qendrore, ..dëshiron të ndalojë këtë mbledhje të përgjithshme. Qeveria Provizore e Durrësit nuk duhet të dalë jashtë kompetencës së saj dhe në qoftë se e quan veten e saj absolute, nuk ka asnjë shqiptar që t’i dëgjojë urdhërat. Në emër të popullit të Lushnjës”.
Më 18 janar, filluan të vijnë në Lushnjë, fuqit e para vullnetare të armatosura . Kështu nga zona e Libofshës, nën komandën e Zoi Ndrekos Nasi Lepurit dhe Sil Keqit, erdhën 250 veta. Nga zona e Bubullimës nën komandën e Jashar Blezenckës erdhën 170 veta. Nga zona e Dumres nën komandën e Demir Arapit dhe Dalip Haskos erdhën 300 vetë. Nga zona e Çermës dhe e Dushkut nën komandën e Selman Arapit erdhën 150 vetë. Nga zona e Kosovës (së Lushnjës) dhe e Dragotit nën komandën e Pal Kadillarit dhe Ngjel Çukos erdhën 220 vetë.
Po kështu me porosi të Aqif Pashës erdhën 100 veta të armatosur vullnetarë të udhëhequr nga Mahmut Xhelili. Vetë Ahmet Zogu erdhi me 100 forca vullnetare. Mbi 300 vullnetarë erdhën nga zona e Skraparit, nën komandën e Riza Cërovës. Të tjera forca erdhën edhe nga Korça, Mirdita, Shkodra, Dibra, Gjirokastra, pra nga e gjithë Shqipëria. Të gjithë në mbështetje të Kongresit. Mësojmë se Kryetari i Komisionit për mbrojtjen e Kongresit në qytet u zgjodh Llazar Bozo. Ndërsa Ahmet Lepenica ju ngarua detyra të organizonte njësitet e armatosura të vendosur anës kodrave të qytetit. Mësojmë se forcat që ruanin Kongresin ishin shpërndarë në disa pika: në kodrën e “Kalifasë”, sipër lagjes “Stan”, në kodrën e “Harburit”, dhe në “grykën e Dumres” (sot rezervuari). Pjesa tjetër ishte vendosur në qytet dhe në Karbunarë. Ndërsa forcat pushtuese italiane, ishin të stacionuara qytet ishin vendosur në Lagjen “Topallti” (Sot Loni Dhamo). Distanca midis vullnetarëve dhe forcave italiane ishte 750 m, dhe tensioni ishte tepër i madhë.
Më datën 18 janar filluan të vijnë delegatët e parë. Nga Peqini erdhi Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Nga Gramshi Asllan Shahini. Nga Tirana Mytesim Këlliçi, Abdi Toptani. Dhe kështu gjatë ditëve në vijim erdhën të tjerë delegatë. Për strehimin e tyre merreshin Nikollaq Progri, Kamber Ruli, Xhevdet Nepravishta, Andrea Papaj, dhe Izet Libohova.
Mësojmë se Delegatët posa mbërrinin në Lushnjë akomodoheshin menjëherë në vendet e caktuara. Sipas dëshmisë të Hysen Nexhës, i cili ishte ruajtës në Kongresit, “shumë vullnetarë ditën dilnin pazarit, por rrinin vetëm me kobure. Në atë kohë Nënprefekti Veli Vasjari, na çoi lajme të vinin sa më të armatosur. “Më kujtohet teksa hynte dhe dilte shpesh Aqif Pashë Elbasani, me një qylaf të zi dhe me një pallto të madhe, i veshur mirë”.
“Ditën kur filloj punimet Kongresi i Lushnjës më 21 janar, <> ishte ditë e mërkurë dhe bënte pak ftohtë, pash që kishin ardhur njerëz nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Sakaq më kujtohet që në kongres kishte shumë lushnjarë, por kishin ardhur edhe shumë nga fshatrat. Gjatë kohës që po zhvillonte punimet Kongresi, Lushnja ndihej se ishte në festë kudo shikojë flamurin kombëtarë, madje flamurë të vegjël kuq e zi u vareshin në gjoks njerëzve edhe nga fëmijët e shkollës plotore. Në darkë rreth kodrave të qytetit dukeshin mjaft pishtarë të ndezur të mbushura me roje disa prej tyre vinin edhe në qytet. Italianët i shikonin por nuk i ndalonin”. Sipas dëshmitarit tjetër, Ahmet Shehut, “në Karbunarë mbërriti një vizitor krejt i veçantë. Veshur allafrënga, i krehur bukur, me një gjuhë të pakuptueshme për vendasit, ai gjithsesi nuk donte të tërhiqte vëmendjen. I ardhur nga Evropa, ishte konsulli anglez Morton Frederik Iden dhe shoqërohej nga shqiptari Mahmud Bidri, njeri i Aqif Pashë Elbasanit. Në Teqe ai u takua me Sheh Ibrahim Karbunarën dhe Nënprefektin e Lushnjës Veli Vasjarin. Gjatë kohës që po zhvilloheshin punimet në Kongres, Ideni qëndroi në Lushnjë. Ai takohej çdo ditë me oficerët italianë, kurse netëve qëndronte në Teqenë e Karbunarës, bisedonte me delegatët, të cilët i njohu të gjithë personalisht. Për mbrojtjen e tij përgjigjeshin tre vetë të caktuar nga shtabi: Muç Bani, Ram Dervishi, dhe Sil Keqi”.
“Sakaq në Kongres të gjithë ishin prezent përveç Veli Harshovës që u zëvendësua nga Abedin Nepravishta, deri sa erdhi nga Gjirokastra. Pastaj u bë shqyrtimi i letër kredencialeve nga një komision i posaçëm. Më pas u bënë zgjedhje dhe Kryetar i Kongresi u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, Nënkryetar u zgjodh Sotir Peci sekretarë u zgjodhën Koço Kota dhe Ferit Vokopola. Mbledhja u mbyll u çel të nesërmen në ora 9 të mëngjesit. Në qytet mbizotëronte rregulli dhe rendi. Ditën tjetër (22 janar) mbajti një referat Ali Këlcyra, mbi rëndësinë e këtij Kongresi. Më parë foli mbi patriotizmin e popullit të Lushnjës, duke e lavdëruar atë për barrën e rëndë që ka morë përsipër. Më pas falënderoj Komisionin Nismëtar, për punën e pa lodhur dhe patriotike sidomos në këto kohëra të vështira politike. Pastaj i propozoj Kongresit që çdo veprim i qeverisë së Durrësit të shpallet ilegal.
Sipas dëshmive të Ahmet Shehit “Një natë Zija Mullaj thirri për darkë Delegatët e Vlorës, Sheh Ibrahim Karbunarën dhe konsullin Iden. Në orën tetë, të ftuarit kishin shkuar, ndërsa Konsulli u paraqit me një orë më vonë, i shoqëruar nga rojat vetjake. Shehu i tërhoqi vëmendjen për vonesën, duke i kujtuar edhe merakun sipas traditës shqiptare të ruajtjes së mikut. Ideni i lutet Myqerem Hamzarajt (pasi ishte i vetmi që dinte anglisht) tu thotë të tjerëve: “Po të jetë se këtë natë do ta kalojmë pa ndonjë incident, unë nesër jam i detyruar t’iu uroj se me të vërtetë populli shqiptar di përse lufton dhe di përse sakrifikon jetën e tij”. Të tjerët kërkuan sqarime edhe ai informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit ishte nisur me 500 milicë dhe është duke ardhur në Lushnjë për tu shpartalluar. Lushnjarët u mobilizuan shpejt. Vetë Ideni në orën 4 pas mesnate pa në kodrën e Kalifasë qindra luftëtarë të armatosur. Këtu ai u nis tek Koloneli italian dhe i tha: “I sheh ato kodra të qytetit? Të gjitha ato janë të mbushura me popull të armatosur, prandaj lajmëro Gjeneral Piaçentinin të tërheqë forcat nga Kolonja se në fund do të turpërohet”. Ndërkaq Vullnetarëve ju ishte thënë të ndiznin sa më shumë zjarre në kodrat e qytetit për të frikësuar ushtarët italianë.
N/Togeri Prenk Jaku së bashku me qindra vullnetarë arrin ti ndaloj forcat që kishin ardhur për të shpërndarë Kongresin.
Në ditën që vijua, Kongresi pas shumë diskutimesh vendosi, që të bëheshin protestat më të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pastaj, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si për situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Në përfundim, u pranua që qeveria kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 Dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu, kishte penguar mbledhjen e Senatit, gjë e cila ishte vendosur në Durrës, si dhe duke konstatuar keqadministrimin, i cili e kishte futur vendin në një anarki të madhe. Gjithashtu kjo qeveri, ishte përpjekur me çdo kusht për të penguar mbajtjen e kongresit. Kongresi vendosi unanimisht, të shpalli të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes. Ai caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi i përfundoi punimet me miratimin e disa vendimeve të rëndësishme politike, të cilat, do të ndihmonin vendin për të dalë nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhej. Së pari, mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”. Së dyti, miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti kongresi. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese. Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë. Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. Ai përbëhej nga 37 antarë. Këshilli Kombëtar kryente detyrat e organit legjislativ dhe kishte të drejtë të plotësonte vendet vakant të Këshillit të Lartë. Këshilli i Lartë nuk mund ta shpërndante Këshillin Kombëtar, këtë të drejtë e kishte vetëm asambleja. Pas kësaj u zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, dhe Idhomene Kosturi me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Eshref Frashëri do të mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Botore. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 Janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime. Kongresi i Lushnjës, i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme,çka dotë thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë. Organet që zgjodhi kongresi, nisën të veprojnë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqipëtarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit. Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua Rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë italiane. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare, tashmë vendi kishte zot. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.

Filed Under: Histori Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Niko Ferro, patriotizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT